Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të premten varroset, të dielën varri i zbrazët

Të premten varroset, të dielën varri i zbrazët

Kapitulli 127

Të premten varroset, të dielën varri i zbrazët

TASHMË është e premte pasdite vonë dhe pas perëndimit të diellit fillon e shtuna 15 nisan. Trupi i vdekur i Jezuit varet i pajetë mbi shtyllë, por dy hajdutët pranë tij janë akoma gjallë. Pasditja e së premtes quhet Përgatitje, sepse kjo është koha kur njerëzit përgatitin ushqimin dhe përfundojnë çdo punë tjetër të ngutshme që nuk mund të presë deri pas së shtunës.

E shtuna që fillon pas pak nuk është vetëm një e shtunë e zakonshme (dita e shtatë e javës), por edhe një e shtunë e dyfishtë apo «e madhe». Quhet kështu sepse 15 nisani që është dita e parë e festës shtatë-ditëshe të kuleçëve të ndormë (dhe është gjithmonë e shtunë pavarësisht se në cilën ditë vjen), bie në të njëjtën ditë me të shtunën e zakonshme.

Sipas Ligjit të Perëndisë, kufomat nuk duhet të lihen të varura në shtyllë gjatë gjithë natës. Prandaj, judenjtë i kërkojnë Pilatit që vdekja e atyre që po ekzekutohen të përshpejtohet duke u thyer këmbët. Kështu, ushtarët u thyejnë këmbët dy hajdutëve. Por, meqenëse Jezui duket se ka vdekur, këmbët e tij nuk i thyejnë. Në këtë mënyrë përmbushet shkrimi që thotë: «Nuk do t’i thyhet asnjë eshtër.»

Sidoqoftë, për t’u siguruar se Jezui ka vdekur me të vërtetë, njëri nga ushtarët i ngul një ushtë në brinjë. Ushta i shpon tejpërtej zonën e zemrës dhe nga plaga rrjedh menjëherë gjak e ujë. Apostulli Gjon, i cili është një dëshmitar okular, raporton se në këtë mënyrë përmbushet një shkrim tjetër, që thotë: «Do të vështrojnë atë që kanë tejshpuar.»

I pranishëm gjatë ekzekutimit është edhe Jozefi nga qyteti i Arimatesë, një anëtar i respektuar i Sinedrit. Ai refuzoi të votonte në favor të veprimit të padrejtë të gjykatës së lartë, të ndërmarrë ndaj Jezuit. Faktikisht, Jozefi është një dishepull i Jezuit, ndonëse ka pasur frikë ta identifikojë veten si të tillë. Sidoqoftë, tani ai merr guxim dhe shkon te Pilati për t’i kërkuar trupin e Jezuit. Pilati thërret oficerin e ushtrisë përgjegjës për ekzekutimin dhe pasi merr prej tij konfirmimin e vdekjes së Jezuit, e dorëzon kufomën.

Jozefi e merr trupin dhe e përgatit për ta varrosur, duke e mbështjellë me një copë liri të hollë e të pastër. Atë e ndihmon Nikodemi, një anëtar tjetër i Sinedrit. Edhe Nikodemi nuk e ka rrëfyer besimin e tij në Jezuin nga frika se mos humbiste pozitën e tij. Por tani, ai sjell një rrotull me një peshë prej 33 kilogramësh që përmban mirrë dhe aloe të kushtueshme. Trupi i Jezuit mbështillet me rripa pëlhure që përmbajnë këto aroma, tamam në atë mënyrë që e kanë zakon judenjtë të përgatitin trupat për varrosje.

Pastaj, trupin e vendosin në një varr të ri përkujtimor të hapur në shkëmb, i cili i përket Jozefit dhe që gjendet në një kopsht aty afër. Së fundi, në hyrje të varrit rrokullisin një gur të madh. Për ta përfunduar varrosjen para së shtunës, përgatitja e trupit bëhet shpejt e shpejt. Kështu, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakovit të Vogël, të cilat ka mundësi të kenë ndihmuar gjatë përgatitjeve, nxitojnë për në shtëpi, për të përgatitur të tjera aroma dhe vajra të parfumuara. Ato planifikojnë që pas së shtunës t’i bëjnë trajtime të tjera trupit të Jezuit, në mënyrë që ta ruajnë për një periudhë më të gjatë kohore.

Ditën tjetër që është e shtunë, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë shkojnë te Pilati dhe i thonë: «Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: ‘Pas tri ditësh unë do të ringjallem.’ Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t’i thonë popullit: ‘U ringjall së vdekuri’; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari.»

«Rojen e keni,—përgjigjet Pilati.—Shkoni dhe e siguroni varrin, si t’ju duket më mirë.» Kështu, ata shkojnë dhe e sigurojnë varrin, duke puthitur gurin dhe duke vënë ushtarë romakë për ta ruajtur.

Të dielën, herët në mëngjes, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakovit, së bashku me Salomën, Joanën dhe gra të tjera, sjellin në varr aroma për t’i bërë trajtime trupit të Jezuit. Gjatë rrugës ato i thonë njëra-tjetrës: «Kush do të na e rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?» Por kur mbërrijnë, ato zbulojnë se ka rënë një tërmet dhe se engjëlli i Jehovait e ka rrokullisur gurin tutje. Rojet kanë ikur dhe varri është bosh! Mateu 27:57–28:2; Marku 15:42–16:4; Luka 23:50–24:3, 10; Gjoni 19:14, Gjoni 19:31—20:1; Gjoni 12:42; Levitiku 23:5-7; Ligji i përtërirë 21:22, 23; Psalmi 34:20; Zaharia 12:10.

▪ Përse e premtja quhet Përgatitje dhe çfarë është e shtuna «e madhe»?

▪ Cilat shkrime përmbushen në lidhje me trupin e Jezuit?

▪ Ç’lidhje kanë Jozefi dhe Nikodemi me varrosjen e Jezuit dhe ç’lidhje kanë me Jezuin?

▪ Çfarë kërkese i bëjnë priftërinjtë Pilatit dhe si përgjigjet ai?

▪ Çfarë ndodh të dielën herët në mëngjes?