Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tregon për një bir të humbur

Tregon për një bir të humbur

Kapitulli 86

Tregon për një bir të humbur

PASI u ka treguar farisenjve, ilustrimet mbi gjetjen e deles së humbur dhe të dhrahmisë së humbur, Jezui vazhdon me një ilustrim tjetër. Ky ilustrim flet për një atë të dashur dhe për mënyrën në të cilën ai i trajton dy bijtë e tij, ndërsa secili bën gabime të rënda.

Në plan të parë është djali më i ri, i cili është personazhi kryesor i ilustrimit. Ai kërkon trashëgiminë e tij dhe i ati ia jep pa ngurrim. Pastaj, ai largohet nga shtëpia dhe përfshihet në një mënyrë jetese shumë imorale. Por dëgjoni ndërsa Jezui rrëfen tregimin dhe shikoni nëse mund të përcaktoni se kë përfaqëson secili nga personazhet.

«Një njeri,—fillon Jezui,—kishte dy bij. Më i riu i tyre i tha babait: ‘Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon.’ Dhe i ati ua ndau mes tyre pasurinë.» Çfarë bën i riu me atë që merr?

«Mbas pak ditësh,—shpjegon Jezui,—biri më i ri mblodhi çdo gjë, shkoi në një vend të largët dhe atje e prishi gjithë pasurinë, duke bërë një jetë të shthurur.» Faktikisht, ai i harxhon paratë e tij duke jetuar me prostituta. Por më pas, siç vazhdon të tregojë Jezui, vijnë kohë të vështira:

«Si i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të jetë në hall. Atëherë shkoi e iu ngjit pas një banori të atij vendi, i cili e çoi në arat e tij që të ruante derrat. Dhe ai dëshironte të mbushte barkun me çiçibanozin që hanin derrat, por askush nuk ia jepte.»

Sa poshtëruese ishte për të që të detyrohej të ruante derrat, ndërkohë që këto kafshë, sipas Ligjit, ishin të papastra! Por ajo që i shkaktonte më shumë dhembje djalit, ishte uria gërryese, e cila e bënte madje të dëshironte ushqimin që u hidhej derrave. Jezui thotë se për shkak të gjendjes tmerrësisht të mjeruar në të cilën gjendej, ai ‘erdhi në vete’.

Duke vazhduar tregimin, Jezui shpjegon: «Dhe tha [me vete]: “Sa punëtorëve mëditës të Atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria! Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: ‘Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje; unë nuk jam më i denjë të quhem yt bir; trajtomë si një nga mëditësit e tu.’ ” U çua, pra, dhe shkoi tek i ati.»

Këtu ka diçka mbi të cilën mund të reflektojmë: nëse i ati do t’i ishte kundërvënë dhe do t’i kishte bërtitur me zemërim kur u largua nga shtëpia, ndoshta i biri nuk do të kishte qenë kaq i sigurt në lidhje me atë që duhej të bënte. Ai mund të vendoste të kthehej dhe të përpiqej të gjente punë diku tjetër në vendin e tij, në mënyrë që të mos i dilte përpara të atit. Por, ai as që e çonte nëpër mend një gjë të tillë. I vetmi vend ku ai dëshironte të shkonte ishte shtëpia!

Është e qartë që ati në ilustrimin e Jezuit përfaqëson Atin tonë të dashur e të mëshirshëm qiellor, Perëndinë Jehova. Gjithashtu, ndoshta e merrni me mend se biri i humbur, apo plëngprishës, përfaqëson mëkatarë të njohur. Farisenjtë, të cilëve po u flet Jezui, më parë e kanë kritikuar atë për faktin se ka ngrënë pikërisht me këta lloj njerëzish. Por kë përfaqëson djali i madh?

Kur gjendet biri i humbur

Ç’lloj pritjeje i bëhet birit të humbur apo plëngprishës, të ilustrimit të Jezuit, kur kthehet në shtëpinë e të atit? Dëgjoni, ndërsa Jezui e përshkruan:

«Kur ishte ende larg, i ati e pa dhe pati dhembshuri; u lëshua me vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi.» Çfarë ati i mëshirshëm e i përzemërt dhe sa mirë e përfaqëson Atin tonë qiellor, Jehovain!

Ka të ngjarë, që ati të ketë dëgjuar për jetën e shthurur të të birit. Megjithatë, ai e pranon me kënaqësi djalin në shtëpi, pa pritur shpjegime të hollësishme prej tij. Edhe Jezui shfaq një frymë të ngjashme, duke marrë iniciativën për t’iu afruar taksambledhësve dhe mëkatarëve, të cilët në ilustrim përfaqësohen nga djali plëngprishës.

Vërtet, ati me aftësi shquese i ilustrimit të Jezuit, sigurisht, e ka njëfarë ideje për pendimin e të birit, duke vënë re pamjen e tij të trishtuar dhe të pikëlluar ndërsa kthehet. Por iniciativa e tij e dashur, e bën më të lehtë për të birin që të rrëfejë mëkatet e tij, siç tregon Jezui: «Pastaj i biri i tha: ‘Atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe kundër teje. Unë nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më bëj si një nga mëditësit e tu.’»—BR.

Biri nuk kishte mbaruar akoma së foluri, kur ati i tij kalon në veprim, duke i urdhëruar skllevërit e vet: «Sillni këtu rrobën më të bukur dhe visheni, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë. Nxirrni jashtë viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi, sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri.» Pastaj, ata filluan «të bënin një festë të madhe».

Ndërkohë, «djali i tij i madh ishte në ara». Shikoni nëse mund të identifikoni se kë përfaqëson ai, ndërsa dëgjoni pjesën tjetër të tregimit. Jezui thotë për djalin më të madh: «Kur u kthye dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle. Atëherë thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ishte e gjitha kjo. Dhe ai i tha: ‘U kthye yt vëlla dhe yt atë theri viçin e majmur, sepse iu kthye djali shëndoshë e mirë.’ Kur i dëgjoi këto, ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë i ati doli dhe iu lut të hynte. Por ai iu përgjigj të atit dhe tha: «Ja, u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s’kam shkelur asnjë nga urdhërat e tu, e megjithatë kurrë s’më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi. Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me prostituta, ti there për të viçin e majmur.’»

Kush janë ata që, ngjashëm djalit më të madh, kanë kritikuar mëshirën dhe kujdesin e treguar ndaj mëkatarëve? A nuk janë skribët dhe farisenjtë? Meqenëse ilustrimi e ka marrë shtytjen nga kritika që ata i kanë bërë Jezuit për faktin që mirëpret mëkatarët, është e qartë se skribët dhe farisenjtë duhet të jenë ata që përfaqësohen nga djali më i madh.

Jezui e përfundon tregimin e tij, me përpjekjen e atit për të prekur zemrën e djalit të madh: «O bir, ti je gjithmonë me mua dhe çdo gjë që kam është e jotja. Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri.»

Kështu, Jezui nuk thotë se çfarë bën më në fund djali i madh. Në fakt më vonë, pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit, «një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit» dhe midis tyre ndoshta edhe disa pjesëtarë të klasës së ‘djalit të madh’, të cilëve Jezui po u flet në këtë rast.

Por kush janë ata në ditët e sotme që përfaqësohen nga dy bijtë? Duhet të jenë ata, të cilët kanë aritur të marrin aq njohuri mbi qëllimet e Jehovait, sa të kenë një bazë për të krijuar një marrëdhënie me të. Djali i madh përfaqëson disa anëtarë të ‘kopesë së vogël’ apo të «kongregacionit të të parëlindurve që janë shkruar në qiejt». Këta adoptuan një qëndrim të ngjashëm me atë të djalit të madh. Ata nuk kishin dëshirë të mirëpritnin një klasë tokësore, ‘delet e tjera’, të cilët sipas tyre, po u vidhnin vëmendjen që u përkiste atyre.

Nga ana tjetër, djali plëngprishës përfaqëson ata pjesëtarë të popullit të Perëndisë, të cilët largohen për të gëzuar kënaqësitë që ofron bota. Megjithatë, me kalimin e kohës, këta kthehen të penduar dhe bëhen përsëri shërbëtorë aktivë të Perëndisë. Vërtet, sa i dashur dhe i mëshirshëm është Ati ndaj atyre që e kuptojnë nevojën për falje dhe kthehen tek ai! Luka 15:11-32; Levitiku 11:7, 8; Veprat 6:7; Luka 12:32, BR; Hebrenjve 12:23, BR; Gjoni 10:16.

▪ Kujt ia tregon Jezui këtë ilustrim, apo tregim dhe përse?

▪ Kush është personazhi kryesor në tregim dhe çfarë i ndodh atij?

▪ Kë përfaqësojnë ati dhe djali i ri, në kohën e Jezuit?

▪ Si e imiton Jezui shembullin e atit të dhembshur të ilustrimit të tij?

▪ Cila është pikëpamja e djalit të madh mbi pritjen e vëllait të tij dhe në ç’mënyrë farisenjtë sillen si ai?

▪ Si zbatohet në ditët tona ilustrimi i Jezuit?