Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

U përgjigjet akuzuesve të tij

U përgjigjet akuzuesve të tij

Kapitulli 30

U përgjigjet akuzuesve të tij

KUR krerët fetarë judenj e akuzojnë Jezuin për shkelje të së shtunës, ai u përgjigjet: «Ati im ka vazhduar të punojë deri tani dhe unë vazhdoj të punoj.»—BR.

Pavarësisht nga ajo që pohojnë farisenjtë, puna e Jezuit nuk është e atij lloji që ndalohet nga ligji i së shtunës. Vepra e predikimit dhe e shërimit është një caktim nga Perëndia dhe duke imituar shembullin e Perëndisë, ai vazhdon ta bëjë atë çdo ditë. Megjithatë, përgjigjja e tij i zemëron judenjtë edhe më shumë se përpara dhe ata kërkojnë ta vrasin. Pse?

Sepse tani, ata jo vetëm janë të bindur se Jezui po shkel të shtunën, por njëkohësisht e konsiderojnë si blasfemi pohimin e tij se është Biri i Perëndisë. Por Jezui nuk trembet dhe u përgjigjet më tej në lidhje me marrëdhënien e privilegjuar që ka me Perëndinë. «Sepse Ati e do Birin,—thotë ai,—dhe i dëfton gjithçka që bën vetë.»

«Ashtu si Ati ringjall të vdekurit,—vazhdon Jezui,—po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do.» Në të vërtetë, Biri tashmë është duke ringjallur ata që janë të vdekur në kuptimin frymor! «Ai që dëgjon fjalën time dhe beson atë që më ka dërguar,—thotë Jezui,—ka kaluar nga vdekja në jetë.» Po, vazhdon ai: «Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do ta dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë.»

Edhe pse nuk ekziston asnjë e dhënë që Jezui deri në këtë moment të jetës së tij, të ketë ringjallur realisht ndonjë të vdekur, ai u tregon akuzuesve të tij se një ringjallje e tillë e vërtetë ka për të ndodhur. «Mos u mrekulloni nga kjo,—thotë ai,—sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që gjenden në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin jashtë.»—BR.

Me sa duket, deri tani Jezui nuk e ka përshkruar asnjëherë publikisht rolin e tij në qëllimin e Perëndisë, në mënyrë kaq të qartë dhe specifike. Megjithatë, akuzuesit e Jezuit kanë më tepër sesa thjesht dëshminë e tij për këto gjëra. «Ju keni dërguar [njerëz] te Gjoni,—u kujton ai atyre,—dhe ai i ka dhënë dëshmi të vërtetës.»

Vetëm dy vjet më parë, Gjon Pagëzuesi u foli këtyre krerëve fetarë judenj për Atë që po vinte pas tij. Duke u kujtuar atyre konsideratën e lartë që kishin dikur për Gjonin, tani të burgosur, Jezui u thotë: «Ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij.» Jezui ua rikujton këtë me shpresën për t’i ndihmuar, po, për t’i shpëtuar ata. Megjithatë, ai nuk mbështetet në dëshminë e Gjonit.

«Ato vepra që bëj unë [duke përfshirë edhe mrekullinë që sapo kishte kryer] dëshmojnë për mua, se Ati më ka dërguar.» Por përveç kësaj, Jezui vazhdon: «Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua.» Perëndia dëshmoi për Jezuin, për shembull në rastin e pagëzimit, kur tha: «Ky është Biri im i dashur.»

Në të vërtetë, akuzuesit e Jezuit nuk kanë asnjë justifikim për të mos e pranuar atë. Vetë shkrimet që ata pohojnë se i shqyrtojnë japin dëshmi për të! «Në qoftë se ju do t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua,—përfundon Jezui,—sepse ai ka shkruar për mua. Por në qoftë se ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?» Gjoni 5:17-47; 1:19-27; Mateu 3:17.

▪ Pse vepra e Jezuit nuk e dhunon ligjin e së shtunës?

▪ Si e përshkruan Jezui rolin e tij jetësor në qëllimin e Perëndisë?

▪ Dëshmisë së kujt i referohet Jezui për të provuar se është Biri i Perëndisë?