Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vathat dhe Bariu

Vathat dhe Bariu

Kapitulli 80

Vathat dhe Bariu

JEZUI ka ardhur në Jerusalem për festën e dedikimit, e quajtur ndryshe Hanukkah, e cila është një festë për kremtimin e ridedikimit të tempullit ndaj Jehovait. Afërsisht 200 vjet më parë, në vitin 168 p.e.s., Antioku IV Epifan pushtoi Jerusalemin dhe përdhosi tempullin dhe altarin e tij. Sidoqoftë, tre vjet më vonë, Jerusalemi u mor përsëri dhe tempulli u ridedikua. Pas kësaj, ky ridedikim u kremtua çdo vit.

Kjo Festë Dedikimi mbahet më 25 kislev, një muaj hebre që në kalendarin tonë të sotëm, i korrespondon pjesës së fundit të nëntorit dhe pjesës së parë të dhjetorit. Kështu, mbeten vetëm pak më shumë se njëqind ditë, deri në Pashkën shumë të rëndësishme të vitit 33 të e.s. Pasi kjo është stina me mot të ftohtë, apostulli Gjon e quan «dimër».

Tani, Jezui përdor tre ilustrime, të cilat flasin për tri vatha dhe për rolin e tij si Bari i Shkëlqyer. Vatha e parë për të cilën flet Jezui, përfaqëson rregullimin e besëlidhjes së Ligjit të Moisiut. Ligji shërbeu si një gardh, i cili i mbante judenjtë larg praktikave korruptuese të atyre popujve që nuk ishin në këtë besëlidhje të veçantë me Perëndinë. Jezui shpjegon: «Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar; kurse ai që hyn nëpër derë është bariu i deleve.»

Të tjerë kishin ardhur, duke pohuar se ishin Mesia ose Krishti, por ata nuk ishin bariu i vërtetë, për të cilin Jezui thotë: «Atij ia hap [derën] portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë. . . . Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve.»

«Portieri» i vathës së parë ishte Gjon Pagëzuesi. Në rolin e portierit, Gjoni ‘ia hapi’ derën Jezuit, duke ua bërë të njohur atë deleve simbolike, të cilave ai do t’u printe për t’i kullotur. Këto dele, të cilat Jezui i thërret me emër dhe u prin jashtë, më në fund pranohen në një vathë tjetër, sepse duke shpjeguar ai thotë se «në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve», domethënë dera e një vathe të re. Kur Jezui themelon besëlidhjen e re me dishepujt e tij dhe gjatë Rrëshajëve vijuese dërgon mbi ta frymën e shenjtë nga qielli, ata pranohen në këtë vathë të re.

Duke shpjeguar më tej rolin e tij, Jezui thotë: «Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë. . . . Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk. . . . Unë jam bariu i mirë dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë njoh Atin dhe lë jetën time për delet.»

Pak më parë, Jezui i kishte ngushëlluar dishepujt e tij, duke u thënë: «Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.» Anëtarët e kësaj tufe të vogël, e cila përfundimisht numëron 144.000 persona, hyjnë brenda kësaj vathe të re apo të dytë. Por Jezui vazhdon, duke vërejtur: «Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim dhe do të jenë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.»

Pasi këto «dele të tjera» «nuk janë të kësaj vathe», ato duhet të jenë të një vathe tjetër, të një vathe të tretë. Këto dy vathë të fundit, kanë perspektiva të ndryshme. Ata të ‘tufës së vogël’ në njërën vathë, do të mbretërojnë në qiell me Krishtin, ndërsa ‘delet e tjera’ në vathën tjetër, do të vazhdojnë të jetojnë në tokën parajsore. Megjithatë, edhe pse janë në dy vathë të ndryshme, delet nuk kanë xhelozi dhe as nuk ndihen të ndara, sepse siç tha Jezui, ato ‘janë një tufë e vetme’ nën ‘një Bari të vetëm’.

Jezu Krishti, Bariu i Shkëlqyer, e jep vullnetarisht jetën e tij për delet e të dyja vathave. «E lë [jetën] nga vetja,—thotë ai.—Unë kam pushtet ta lë [jetën] e ta marr përsëri; ky është urdhëri që kam marrë nga Ati im.» Kur Jezui thotë këtë, midis judenjve krijohet një përçarje.

Shumë njerëz nga turma thonë: «Ai ka një demon dhe nuk është në vete; përse e dëgjoni?» Por të tjerët përgjigjen: «Këto nuk janë fjalët e një njeriu të pushtuar nga demonët.» (BR) Pastaj, ndoshta duke iu referuar shërimit të dy muajve më parë, të një njeriu që kishte lindur i verbër, ata shtojnë: «A mundet një demon t’ua hapë sytë të verbërve?» Gjoni 10:1-22; 9:1-7; Luka 12:32; Zbulesa 14:1, 3; 21:3, 4; Psalmi 37:29.

▪ Ç’është festa e dedikimit dhe kur kremtohet ajo?

▪ Ç’është vatha e parë e deleve dhe kush është portieri i saj?

▪ Në ç’kuptim portieri ia hap derën Bariut dhe ku pranohen delet më vonë?

▪ Kush i përbën dy vathët e Bariut të Shkëlqyer dhe sa tufa bëhen?