Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Viziton përsëri tempullin

Viziton përsëri tempullin

Kapitulli 103

Viziton përsëri tempullin

JEZUI dhe dishepujt e tij sapo kanë kaluar natën e tretë në Betani, që prej ardhjes së tyre nga Jerikoja. Tani, agimi i ditës së hënë 10 nisan, i gjen tashmë në rrugën për në Jerusalem. Jezui është i uritur. Prandaj, me t’i zënë syri një fik me gjethe, shkon për të parë nëse mund të ketë ndonjë kokërr.

Gjethet e pemës janë të parakohshme, pasi koha e fiqve nuk vjen para qershorit dhe tani nuk është veçse fundi i marsit. Megjithatë, siç duket, Jezui mendon se përderisa gjethet janë të hershme edhe fiqtë mund të jenë po ashtu të hershëm. Por mbetet i zhgënjyer. Gjethet i kanë dhënë pemës një pamje mashtruese. Atëherë, Jezui e mallkon pemën, duke thënë: «Askush mos ngrëntë kurrë fryt prej teje përjetë.» Pasojat e veprimit të Jezuit dhe domethënia e tij mësohen mëngjesin vijues.

Duke vazhduar, Jezui dhe dishepujt e tij mbërrijnë pas pak në Jerusalem. Ai shkon në tempull, të cilin e kishte inspektuar mbrëmjen e mëparshme. Por sot, ai ndërmerr veprime, pikërisht siç bëri tre vjet më parë, kur erdhi me rastin e Pashkës së vitit 30 të e.s. Jezui flak përjashta të gjithë ata që shesin e blejnë brenda tempullit dhe përmbys tavolinat e këmbyesve të parave dhe stolat e atyre që shesin pëllumba. Madje, nuk lejon asnjë që të transportojë ndonjë vegël përmes tempullit.

Duke dënuar ata që këmbejnë paratë dhe ata që shesin kafshë brenda në tempull, ai thotë: «Vallë nuk është shkruar: ‘Shtëpia ime do të quhet shtëpi e lutjes për të gjithë kombet?’ Ju, përkundrazi, e keni bërë shpellë kusarësh.» Ata janë kusarë, sepse vendosin çmime jashtëzakonisht të larta për njerëzit, të cilët nuk kanë mundësi tjetër përveçse t’i blejnë prej tyre kafshët që u nevojiten për flijime. Prandaj Jezui e konsideron këtë tregti si një formë zhvatjeje apo kusarie.

Kur krerët e priftërinjve, skribët dhe të parët e vendit dëgjojnë se ç’ka bërë Jezui, kërkojnë përsëri mënyrën për ta vrarë. Kështu ata provojnë se janë të pakorrigjueshëm. Megjithatë, nuk dinë se si ta asgjësojnë Jezuin, pasi i gjithë populli vazhdon të shkojë pas tij për ta dëgjuar.

Përveç judenjve të lindur, me rastin e Pashkës kanë ardhur edhe johebrenj. Këta janë prozelitë, që do të thotë se janë kthyer në fenë e judenjve. Disa grekë, me sa duket prozelitë, i afrohen Filipit dhe kërkojnë të takojnë Jezuin. Filipi shkon tek Andrea, ndoshta për të pyetur nëse ky takim do të ishte i përshtatshëm. Me sa duket Jezui është akoma në tempull ku grekët kanë mundësi ta shohin.

Jezui e di se i kanë mbetur vetëm pak ditë jetë, prandaj e ilustron në mënyrë të përshtatshme situatën e tij duke thënë: «Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ‘Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe, nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por po të vdesë, jep shumë fryt.»

Një kokërr gruri ka pak vlerë. Megjithatë, çfarë ndodh nëse vendoset në tokë dhe «vdes», duke i dhënë fund jetës së vet si farë? Pas kësaj, ajo zhvillohet dhe me kalimin e kohës rritet e bëhet një kalli që prodhon shumë e shumë kokrra gruri. Në mënyrë të ngjashme, Jezui është vetëm një njeri i përsosur. Por nëse vdes besnik ndaj Perëndisë, ai bëhet mjeti për t’u dhënë jetën e përhershme njerëzve besimplotë që kanë të njëjtën frymë vetëmohuese si ai. Prandaj, Jezui thotë: «Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përhershme.»

Është e qartë se Jezui nuk e ka fjalën vetëm për veten e tij, sepse më pas ai shpjegon: «Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë.» Çfarë shpërblimi i shkëlqyer për ata që e ndjekin Jezuin dhe i shërbejnë atij. Ata shpërblehen duke u nderuar nga Ati me mundësinë për të qenë bashkë me Krishtin në Mbretëri.

Duke menduar për vuajtjet e mëdha dhe për vdekjen agonike që e pret, Jezui vazhdon: «Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them; o Atë më shpëto nga kjo orë?» Ah, sikur të mund të shmangej ajo që e pret! Por nuk do të shmanget, sepse siç thotë ai: «Për këtë kam ardhur në këtë orë.» Jezui është dakord me të gjitha masat që ka marrë Perëndia, duke përfshirë edhe vdekjen e vet flijuese. Mateu 21:12, 13, 18, 19; Marku 11:12-18; Luka 19:45-48; Gjoni 12:20-27.

▪ Përse Jezui pret të gjejë fiq megjithëse nuk është koha e tyre?

▪ Përse Jezui i quan ‘kusarë’ ata që shesin brenda në tempull?

▪ Në ç’kuptim Jezui është si një kokërr gruri që vdes?

▪ Si ndihet Jezui për vuajtjet dhe vdekjen që e pret?