Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vrasje gjatë një feste ditëlindjeje

Vrasje gjatë një feste ditëlindjeje

Kapitulli 51

Vrasje gjatë një feste ditëlindjeje

PASI u jep udhëzime apostujve të tij, Jezui i dërgon në territor dy e nga dy. Ka mundësi që dy vëllezërit, Pjetri dhe Andrea të kenë dalë bashkë dhe po kështu Jakovi e Gjoni, Filipi e Bartolomeu, Thomai e Mateu, Jakovi e Tadeu dhe Simoni e Judë Iskarioti. Këto gjashtë grupe me nga dy ungjillëzues secila, shpallin lajmin e mirë të Mbretërisë dhe kryejnë shërime të mrekullueshme, kudo që shkojnë.

Ndërkohë, Gjon Pagëzuesi është akoma në burg. Ai ndodhet atje, afërsisht që prej dy vjetësh. Ndoshta e mbani mend se Gjoni e ka shpallur publikisht si të gabuar, veprimin e Herod Antipës, i cili ka marrë për vete Herodiadën, gruan e vëllait të tij, Filipit. Përderisa Herod Antipa pohonte se ndiqte Ligjin e Moisiut, ishte me vend që Gjoni ta demaskonte këtë lidhje, që përfshinte tradhtinë bashkëshortore. Prandaj, ndoshta edhe i nxitur nga Herodiada, Herodi e ka futur Gjonin në burg.

Herod Antipa e kupton se Gjoni është njeri i drejtë dhe madje e dëgjon me ëndje kur flet. Prandaj, ai nuk di çfarë të bëjë me të. Nga ana tjetër, Herodiada, e urren Gjonin dhe vazhdon të kërkojë rastin për ta vrarë. Më në fund, rasti që ajo priste, vjen.

Pak para Pashkës së vitit 32 të e.s., Herodi organizon një festë madhështore me rastin e ditëlindjes së tij. Në festë kanë ardhur të gjithë zyrtarët e lartë të Herodit, oficerët e ushtrisë së tij, si dhe paria e qytetarëve galileas. Ndërsa darka vazhdon, Saloma, vajza që Herodiada ka pasur me burrin e saj të parë, Filipin, ftohet të kërcejë për të ftuarit. Spektatorët meshkuj magjepsen nga interpretimi i saj.

Herodi mbetet jashtëzakonisht i kënaqur nga Saloma. «Më kërko ç’të duash dhe unë do të ta jap»,—deklaron ai. Madje ai betohet: «Gjithçka që të më kërkosh unë do të ta jap, deri gjysmën e mbretërisë sime.»

Para se të përgjigjet, Saloma shkon të konsultohet me nënën e saj. «Çfarë duhet t’i kërkoj?»—pyet ajo.

Ja dhe rasti më në fund! «Kokën e Gjon Pagëzorit»,—përgjigjet Herodiada pa ngurrim.

Saloma kthehet menjëherë te Herodi dhe i paraqet kërkesën: «Unë dëshiroj që ti të më japësh menjëherë, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit.»

Herodi mërzitet jashtë mase. Por, për shkak se të ftuarit e kanë dëgjuar betimin që ka bërë, atij i vjen turp të mos e mbajë fjalën, edhe pse kjo nënkupton vrasjen e një njeriu të pafajshëm. Menjëherë, i jep xhelatit udhëzimet makabre dhe e dërgon në burg. Pas pak, ai kthehet me kokën e Gjonit në një pjatë dhe ia jep Salomës. Ndërsa kjo, nga ana e saj, ia dorëzon së ëmës. Kur dishepujt e Gjonit dëgjojnë se çfarë ka ndodhur, vijnë, e marrin trupin dhe e varrosin, dhe më pas ia raportojnë ngjarjen Jezuit.

Më vonë, kur Herodi dëgjon për veprat e Jezuit, si shërimi i njerëzve dhe dëbimi i demonëve, ai tmerrohet, duke pasur frikë se mos Jezui është në të vërtetë Gjoni i ringjallur. Që nga ajo kohë, ai dëshiron ta shohë Jezuin me çdo kusht, jo për të dëgjuar mësimet e tij, por për të parë nëse ka arsye që të jetë i frikësuar apo jo. Mateu 10:1-5; 11:1; 14:1-12; Marku 6:14-29; Luka 9:7-9.

▪ Përse gjendet në burg Gjoni dhe përse Herodi nuk dëshiron ta vrasë?

▪ Si ia arrin më në fund Herodiada që ta vrasë Gjonin?

▪ Pas vdekjes së Gjonit, përse Herodi dëshiron ta shohë Jezuin?