Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zell për adhurimin e Jehovait

Zell për adhurimin e Jehovait

Kapitulli 16

Zell për adhurimin e Jehovait

FËMIJËT e tjerë të Marisë, vëllezërit e Jezuit nga nëna, janë: Jakovi, Jozefi, Simoni dhe Juda. Të gjithë ata, përpara se të vazhdojnë udhëtimin me Jezuin dhe dishepujt e tij për në Kapernaum, një qytet afër Detit të Galilesë, ndoshta ndalojnë në shtëpinë e tyre në Nazaret, në mënyrë që familja të marrë gjërat e nevojshme.

Po, për cilën arsye Jezui shkon në Kapernaum dhe nuk e vazhdon shërbimin e tij në Kanë, në Nazaret ose gjetkë në kodrat e Galilesë? Së pari, sepse Kapernaumi ndodhet në një vend më të njohur dhe me sa duket është qytet më i madh. Gjithashtu, shumë prej dishepujve të rinj të Jezuit jetojnë në Kapernaum ose në afërsi të tij, kështu që nuk do të jetë e nevojshme të largohen nga shtëpia për t’u stërvitur prej tij.

Gjatë qëndrimit në Kapernaum, Jezui kryen shumë vepra të mrekullueshme, siç dëshmon edhe ai vetë disa muaj më vonë. Por shumë shpejt Jezui dhe dishepujt e tij nisen përsëri për rrugë. Është pranverë dhe ata janë drejtuar për në Jerusalem për të marrë pjesë në Pashkën e vitit 30 të e.s. Atje, dishepujt shohin te Jezui, diçka që ndoshta nuk e kishin dalluar më parë.

Ligji i Perëndisë u kërkon izraelitëve që të flijojnë kafshë. Kështu që për t’ua bërë gjërat më të lehta, në Jerusalem ka tregtarë që shesin kafshë ose shpendë për këtë qëllim. Por ata po shesin tamam brenda në tempull dhe po e mashtrojnë popullin duke kërkuar tepër.

Plot indinjatë, Jezui bën një kamxhik me litarë dhe i nxjerr jashtë ata që shesin. Këmbyesve të parave u derdh monedhat dhe u përmbys tavolinat. «Hiqini këto gjëra që këtej!—u bërtet ai, atyre që shesin pëllumba.—Mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!»

Kur e shohin këtë, dishepujt e Jezuit kujtojnë profecinë mbi Birin e Perëndisë, që thotë: «Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë.» Por judenjtë e pyesin: «Ç’shenjë na tregon se i bën këto gjëra?» Jezui u përgjigjet: «Shkatërrojeni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri.»

Judenjtë mendojnë se Jezui flet për tempullin në kuptimin e mirëfilltë, prandaj e pyesin: «U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull dhe ti do ta ngresh për tri ditë?» Por, Jezui po fliste për tempullin e trupit të tij. Dhe dishepujt, e sjellin ndërmend këtë shprehje të tij, tre vjet më vonë, kur ai ngrihet prej të vdekurve. Gjoni 2:12-22; Mateu 13:55; Luka 4:23.

▪ Në cilat vende shkon Jezui pas dasmës së Kanës?

▪ Pse është i indinjuar Jezui dhe çfarë bën ai?

▪ Çfarë sjellin ndërmend dishepujt e Jezuit kur shohin veprimet e tij?

▪ Çfarë thotë Jezui mbi «këtë tempull» dhe çfarë nënkupton ai me këtë?