Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zgjedh apostujt e tij

Zgjedh apostujt e tij

Kapitulli 34

Zgjedh apostujt e tij

KA KALUAR gati një vit e gjysmë që nga koha kur Gjon Pagëzuesi e prezantoi Jezuin si Qengji i Perëndisë dhe Jezui filloi shërbimin e tij publik. Në atë kohë Andrea, Simon Pjetri, Gjoni e ndoshta Jakovi (vëllai i Gjonit) dhe bashkë me ta edhe Filipi e Natanaeli (i quajtur ndryshe Bartolome), u bënë dishepujt e tij të parë. Me kalimin e kohës, shumë të tjerë u bashkuan me ta dhe shkuan pas Jezuit.

Tani Jezui është gati të zgjedhë apostujt e tij. Këta do të jenë shokët e tij më të afërt, të cilët do t’i stërvitë në mënyrë të veçantë. Por përpara se të bëjë zgjedhjen, Jezui shkon në një mal dhe kalon tërë natën duke u lutur, me sa duket duke kërkuar mençuri dhe bekim nga Perëndia. Kur zbardhet, ai thërret dishepujt e tij dhe zgjedh 12 prej tyre. Megjithatë, meqënëse vazhdojnë të jenë nxënës të Jezuit, ata akoma quhen edhe dishepuj.

Gjashtë prej atyre që zgjedh Jezui, janë dishepujt e tij të parë, emrat e të cilëve u përmendën më lart. Gjithashtu, është zgjedhur edhe Mateu, i cili u thirr kur ishte në zyrën e taksave. Pesë të zgjedhurit e tjerë janë Juda (i quajtur, gjithashtu, Tade), Juda Iskarioti, Simon Kananeasi, Thomai dhe Jakovi, biri i Alfeut. Ky Jakov quhet, gjithashtu, edhe Jakovi i Vogël, ndoshta sepse është më i vogël në trup ose më i ri në moshë, në krahasim me Jakovin tjetër.

Deri tani, këta të 12-të kanë qenë me Jezuin për një farë kohe, prandaj ai i njeh mirë. Në fakt, disa prej tyre, ai i ka kushërinj. Me Jakovin dhe vëllain e tij Gjonin, me sa duket janë kushërinj të parë. Gjithashtu, ka të ngjarë që Alfeu të ketë qenë vëllai i Jozefit, babait birësues të Jezuit. Kështu që, biri i Alfeut, apostulli Jakov, i bie të jetë kushëri me Jezuin.

Natyrisht, Jezui nuk e ka të vështirë t’i mbajë mend emrat e apostujve të tij. Por, a mund t’i mbani mend ju? Mirë pra, mjafton të mbani mend se dy e kanë emrin Simon, dy Jakov dhe dy Juda, dhe se Simoni ka vëlla Andrean, ndërsa Jakovi ka vëlla Gjonin. Ky është çelësi për të kujtuar tetë nga apostujt. Ndër katër të tjerët, njëri është taksambledhës (Mateu), një tjetër më vonë dyshoi (Thomai), njëri u thirr kur ishte nën pemë (Natanaeli) dhe tjetri është miku i tij Filipi.

Njëmbëdhjetë nga apostujt janë nga vendi i Jezuit, nga Galileja. Natanaeli është nga Kana. Filipi, Pjetri dhe Andrea janë me origjinë nga Betsaida, por Pjetri dhe Andrea, më vonë u transferuan në Kapernaum, ku duket se jetonte Mateu. Jakovi dhe Gjoni merreshin me peshkim prandaj ka të ngjarë që edhe ata, gjithashtu, të kenë jetuar në Kapernaum ose afër tij. Duket se Juda Iskarioti, që më vonë e tradhëtoi Jezuin, është i vetmi apostull nga Judea. Marku 3:13-19; Luka 6:12-16.

▪ Cilët apostuj mund të kenë qenë kushërinj me Jezuin?

▪ Cilët janë apostujt e Jezuit dhe si mund t’i kujtoni emrat e tyre?

▪ Nga cilat vende janë apostujt?