Çfarë ka bërë Perëndia për të shpëtuar njerëzimin
Kapitulli 7
Çfarë ka bërë Perëndia për të shpëtuar njerëzimin
1, 2. (a) Si e kuptoi një centurion romak se kush ishte Biri i Perëndisë? (b) Përse Jehovai lejoi që Jezui të vdiste?
NJË pasdite pranvere, pothuajse 2.000 vjet më parë, një centurion romak vështronte vdekjen e ngadalshme dhe agonike të tre burrave. Veçanërisht, ai ushtar vërente njërin prej tyre: Jezu Krishtin. Jezuin e kishin gozhduar në një shtyllë prej druri. Qielli i mesditës u nxi, ndërsa po afrohej koha e vdekjes së tij. Kur vdiq, toka u trondit me forcë dhe ushtari bërtiti: «Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!»—Marku 15:39.
2 Biri i Perëndisë! Ushtari kishte të drejtë. Ai qe dëshmitar i ngjarjes më të rëndësishme që duhej të ndodhte mbi tokë. Në raste të mëparshme, vetë Perëndia e kishte quajtur Jezuin Birin e tij të dashur. (Mateu 3:17; 17:5) Përse Jehovai kishte lejuar që Biri i tij të vdiste? Sepse ky ishte mjeti që Perëndia kishte zgjedhur për të shpëtuar njerëzimin nga mëkati dhe vdekja.
U ZGJODH PËR NJË QËLLIM TË VEÇANTË
3. Përse ishte e përshtatshme që Biri i vetëmlindur i Perëndisë të zgjidhej për një qëllim të veçantë në lidhje me njerëzimin?
3 Siç kemi mësuar edhe më parë në këtë libër, Jezui kishte një ekzistencë paranjerëzore. Ai është quajtur «Biri i vetëmlindur» i Perëndisë, sepse Jehovai e krijoi atë drejtpërdrejt. Më pas, Perëndia e përdori Jezuin për të sjellë në ekzistencë çdo gjë tjetër. (Gjoni 3:18; Kolosianëve 1:16) Jezui e donte veçanërisht njerëzimin me gjithë zemër. (Proverbat 8:30, 31) Nuk habitemi që Jehovai zgjodhi Birin e tij të vetëmlindur që të shërbente për një qëllim të veçantë, kur njerëzimi ra nën dënimin e vdekjes!
4, 5. Çfarë zbuloi Bibla në lidhje me Farën mesianike përpara se Jezui të vinte mbi tokë?
4 Kur deklaroi vendimin e tij gjyqësor mbi Adamin, Evën dhe Satanain në kopshtin e Edenit, Perëndia foli për Shpëtimtarin e ardhshëm, si për një «farë». Fara, ose pasardhja, do të zhbënte të këqijat e tmerrshme që kishte shkaktuar Satana Djalli, «gjarpri i lashtë». Në fakt, Fara e premtuar do të shtypte Satanain dhe të gjithë ata që do ta pasonin.—Zanafilla 3:15; 1. Gjonit 3:8; Zbulesa 12:9.
5 Gjatë shekujve, Perëndia zbuloi gradualisht më shumë informata mbi Farën, që u quajt edhe Mesia. Siç tregon tabela në faqen 37, profeci të shumta jepnin hollësira mbi shumë aspekte të jetës së tij mbi tokë. Për shembull, ai duhej të duronte keqtrajtime të tmerrshme në mënyrë që të përmbushte rolin e tij në qëllimin e Perëndisë.—Isaia 53:3-5.
PËRSE DUHEJ TË VDISTE MESIA?
6. Sipas Danielit 9:24-26, çfarë do të plotësonte Mesia dhe si?
6 Profecia e Danielit 9:24-26 parathoshte se Mesia, i Mirosuri, do të plotësonte një qëllim madhështor. Ai do të vinte në tokë «për t’i dhënë fund shkeljes, për t’i dhënë fund mëkatit, për të shlyer paudhësinë, për të sjellë një drejtësi» të përhershme. Mesia do të hiqte dënimin e vdekjes nga njerëzimi besnik. Por, si do ta bënte këtë? Profecia shpjegon se ai ‘do të vritej’.
7. Përse hebrenjtë ofronin sakrifica në kafshë dhe hije e çfarë gjëje ishin ato?
7 Për izraelitët e lashtë ishte e njohur ideja e shlyerjes së gabimit. Në adhurimin e tyre nën Ligjin që Perëndia u kishte dhënë përmes Moisiut, ata ofronin rregullisht flijime kafshësh. Kjo u kujtonte izraelitëve se njerëzit kishin nevojë për diçka që të shlyente apo mbulonte mëkatet e tyre. Apostulli Pavël e përmblodhi parimin në këtë mënyrë: «Pa derdhur gjak nuk ka ndjesë.» (Hebrenjve 9:22) Të krishterët nuk janë nën Ligjin e Moisiut bashkë me kërkesat e tij, të tilla si flijimet. (Romakëve 10:4; Kolosianëve 2:16, 17) Ata e dinin, gjithashtu, se flijimet e kafshëve nuk mund të siguronin faljen e qëndrueshme e të plotë të mëkateve. Përkundrazi, këto ofrime sakrificash ishin një hije e një flijimi shumë më të vlefshëm: atij të Mesias apo Krishtit. (Hebrenjve 10:4, 10; krahaso Galatasve 3:24.) Megjithatë, ti mund të pyesësh: «A ishte vërtet e nevojshme që Mesia të vdiste?»
8, 9. Çfarë gjërash të çmueshme humbën Adami dhe Eva dhe si ndikuan veprimet e tyre mbi pasardhësit që patën?
8 Po, Mesia duhej të vdiste, nëse donte të shpëtonte njerëzimin. Që të kuptosh përse, mund të sjellësh ndër mend kopshtin e Edenit e të përpiqesh të kuptosh madhësinë e asaj që humbën Adami dhe Eva, kur u rebeluan kundër Perëndisë. Përpara tyre ishte vënë mundësia e jetës së përhershme! Si fëmijë të Perëndisë, ata gëzonin edhe një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me të. Por, kur hodhën tej sundimin e Jehovait, ata i humbën të gjitha këto dhe sollën mbi racën njerëzore mëkat e vdekje.—Romakëve 5:12.
9 Do të ishte njësoj sikur të mendonim që prindërit tanë të parë kanë çuar dëm një pasuri të madhe, duke u zhytur në një borxh të stërmadh. Adami dhe Eva ua kaluan këtë borxh pasardhësve të tyre. Pasi nuk kemi lindur të përsosur e pa mëkat, të gjithë ne jemi mëkatarë e të vdekshëm. Kur sëmuremi apo kur themi diçka, të cilën do të donim ta merrnim prapa, s’bëjmë tjetër veçse po vuajmë pasojat e borxhit që kemi trashëguar: papërsosmërisë njerëzore. (Romakëve 7:21-25) Shpresa jonë e vetme është që të rimarrim atë që humbi Adami. Sidoqoftë, ne s’mund ta meritojmë jetën e përsosur njerëzore. Pasi të gjithë njerëzit e papërsosur kryejnë mëkate, të gjithë meritojmë vdekjen dhe jo jetën.—Romakëve 6:23.
10. Çfarë nevojitej për të riblerë atë që humbi Adami?
10 Megjithatë, a mund të ofrohet diçka në shkëmbim të jetës që humbi Adami? Normat e drejtësisë së Perëndisë kërkojnë baraspeshë, «jetë për jetë». (Të Dalët 21:23) Pra, duhej ofruar një jetë, për të paguar jetën që kishte humbur. Por nuk do të mjaftonte një jetë e çfarëdoshme. Psalmi 49:7, 8 thotë për njerëzit e papërsosur: «Asnjeri nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t’i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij, sepse shpengimi i shpirtit të tij është shumë i shtrenjtë, dhe çmimi i saj nuk do të mjaftonte kurrë.» Pra, situata qenka e pashpresë? Sigurisht që jo.
11. (a) Ç’do të thotë fjala «shpërblim» në hebraisht? (b) Cili është i vetmi që mund të shpërblejë njerëzimin dhe përse?
11 Në gjuhën hebreje, fjala «shpërblim» nënkupton shumën e paguar për të shpenguar një skllav dhe do të thotë, gjithashtu, edhe barasvlerë. Vetëm një njeri me trup të përsosur mund të ofronte barasvlerën e asaj që kishte humbur Adami. Pas Adamit, i vetmi njeri i përsosur që lindi mbi tokë ishte Jezu Krishti. Prandaj, Bibla e quan Jezuin «Adami i fundit» dhe na siguron se Krishti «e flijoi vetveten si shpërblim për të gjithë». (1. Korintasve 15:45; 1. Timoteut 2:5, 6, DSF) E ndërsa Adami kaloi vdekjen mbi fëmijët e tij, trashëgimia që la Jezui është jeta e përhershme. Letra e parë e Korintasve 15:22 shpjegon: «Ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin.» Prandaj, në mënyrë të përshtatshme Jezui quhet «Atë i përjetshëm».—Isaia 9:5, 6.
SI U PAGUA SHPËRBLIMI
12. Kur u bë Jezui Mesia dhe ç’rrugë ndoqi ai në jetën e tij paskëtaj?
12 Në vjeshtën e vitit 29 e.s., Jezui shkoi te kushëriri i tij, Gjoni, që të pagëzohej e më pas e paraqiti veten për të kryer vullnetin e Perëndisë. Në atë rast, Jehovai e mirosi Jezuin me frymën e shenjtë. Kështu, Jezui u bë Mesia apo Krishti, i mirosuri i Perëndisë. (Mateu 3:16, 17) Pastaj, Jezui ia nisi shërbimit të tij që zgjati tridhjetë e tre vjet. Ai udhëtoi nëpër atdheun e tij, duke predikuar Mbretërinë e Perëndisë e duke mbledhur ithtarët besnikë. Megjithatë, siç ishte parathënë, shumë shpejt kundër tij lindi kundërshtimi.—Psalmi 118:22; Veprat 4:8-11.
13. Cilat ngjarje çuan në vdekjen e Jezuit si një mbajtës i integritetit?
13 Me guxim, Jezui demaskoi hipokrizinë e krerëve fetarë dhe ata u përpoqën ta vrisnin. Në të vërtetë, ata kurdisën një intrigë të poshtër, e cila përfshiu tradhtinë, arrestimin e pavend, një padi të paligjshme dhe një akuzë të rreme për kryengritje. Jezuin e goditën, e pështynë, e përqeshën dhe e rrahën me një kamxhik që ia bëri mishin copë-copë. Pastaj, guvernatori romak, Ponc Pilati, e dënoi me vdekje mbi një shtyllë mundimesh. E gozhduan në një tra prej druri dhe e varën aty në këmbë. Çdo frymëmarrje i shkaktonte dhimbje të padurueshme dhe u deshën orë që të vdiste. Gjatë kësaj prove të ashpër, Jezui ruajti një integritet të përsosur ndaj Perëndisë.
14. Përse Perëndia lejoi që Biri i tij të vuante e të vdiste?
14 Kështu, pra, më 14 nisan të vitit 33 e.s, Jezui dha jetën «si shpërblim për të gjithë». (Marku 10:45, DSF; 1. Timoteut 2:5, 6) Nga qielli, Jehovai mund të shihte Birin e tij të dashur tek vuante e vdiste. Përse Perëndia lejoi që të ndodhte një gjë e tillë e tmerrshme? Sepse e donte njerëzimin. Jezui tha: «Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.» (Gjoni 3:16) Gjithashtu, vdekja e Jezuit na mëson se Jehovai është një Perëndi me drejtësi të përsosur. (Ligji i përtërirë 32:4) Disa mund të pyesin se përse nuk hoqi dorë Perëndia nga parimet e tij të drejtësisë, të cilat kërkonin jetë për jetë dhe nuk merrnin parasysh çmimin që kërkonte rruga mëkatare e Adamit. Arsyeja është se Jehovai u bindet gjithmonë ligjeve të veta dhe i mbështet ato, madje edhe kur i kushtojnë shumë.
15. Pasi nuk do të ishte e drejtë që ekzistenca e Jezuit të merrte fund përgjithmonë, çfarë bëri Jehovai?
15 Drejtësia e Jehovait kërkonte, gjithashtu, që vdekja e Jezuit të kishte një rezultat të lumtur. Për më tepër, a do të ishte e drejtë që Jezui besnik të lihej përgjithmonë në vdekje? Sigurisht që jo! Shkrimet Hebreje kishin profetizuar se Psalmi 16:10; Veprat 13:35) Ai fjeti në vdekje pjesërisht tri ditë e pastaj Perëndia Jehova e ringjalli në jetë, si një qenie të fuqishme frymore.—1. Pjetrit 3:18.
besniku i Perëndisë nuk do të mbetej në varr. (16. Çfarë bëri Jezui pasi u rikthye në qiell?
16 Duke vdekur, Jezui e dorëzoi jetën e tij njerëzore njëherë e përgjithmonë. Pasi u ngrit në jetën qiellore, ai u bë një frymë jetëdhënëse. Për më tepër, kur u ngrit në vendin më të shenjtë të universit, Jezui u bashkua përsëri me Atin e tij të dashur dhe zyrtarisht i paraqiti Atij vlerën e jetës së tij të përsosur njerëzore. (Hebrenjve 9:23-28) Vlera e asaj jete të çmuar mund të përdorej, atëherë, në përkrahje të njerëzimit të bindur. Ç’do të thotë kjo për ty?
SHPËRBLIMI I KRISHTIT DHE TI
17. Si mund të përfitojmë personalisht nga falja në bazë të sakrificës shpërblerëse të Krishtit?
17 Shqyrto tri mënyra në të cilat sakrifica shpërblerëse e Krishtit të sjell dobi qysh tani. Së pari, ajo sjell faljen e mëkateve. Me anë të besimit në gjakun e derdhur të Jezuit «fituam shpërblimin», po, «na u falën fajet». (Efesianëve 1:7, DSF) Pra, edhe po të kemi kryer ndonjë mëkat serioz, mund t’i kërkojmë falje Perëndisë në emër të Jezuit. Nëse jemi me të vërtetë të penduar, Jehovai zbaton për ne vlerën e sakrificës shpërblerëse të Birit të tij. Perëndia na fal, duke na dhënë bekimin e një ndërgjegjeje të mirë, në vend të dënimit me vdekje që bie mbi ne kur mëkatojmë.—Veprat 3:19; 1. Pjetrit 3:21.
18. Në ç’mënyrë sakrifica e Jezuit na siguron shpresë?
18 Së dyti, sakrifica shpërblerëse e Krishtit siguron themelet për shpresën tonë për të ardhmen. Në vizion, apostulli Gjon pa «një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte», që do të mbijetonte gjatë fundit të ardhshëm shkatërrimtar të këtij sistemi gjërash. Përse ata do të mbijetojnë, në një kohë kur Perëndia do të shkatërrojë kaq shumë të tjerë? Një engjëll i tha Gjonit se shumica e madhe «i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit», Zbulesa 7:9, 14) Për sa kohë të ushtrojmë besim në gjakun e derdhur të Jezu Krishtit e të jetojmë në harmoni me kërkesat hyjnore, do të jemi të pastër në sy të Perëndisë dhe do të kemi shpresën e jetës së përhershme.
Jezu Krishtit. (19. Si provon sakrifica e Jezuit, se ai dhe Ati i tij të duan?
19 Së treti, sakrifica shpërblerëse është prova më e madhe e dashurisë së Jehovait. Vdekja e Jezuit mishëroi dy aktet më mëdha të dashurisë në historinë e universit: (1) dashurinë e Perëndisë, i cili dërgoi Birin e tij që të vdiste për ne; (2) dashurinë e Jezuit, i cili vullnetarisht ofroi veten si një shpërblim. (Gjoni 15:13; Romakëve 5:8) Nëse me të vërtetë ushtrojmë besim, kjo dashuri shtrihet mbi të gjithë ne. Apostulli Pavël tha: ‘Biri i Perëndisë . . . më deshi dhe dha veten për mua.’—Galatasve 2:20; Hebrenjve 2:9; 1. Gjonit 4:9, 10.
20. Përse duhet të ushtrojmë besim në sakrificën shpërblerëse të Jezuit?
20 Prandaj, le të tregojmë mirënjohjen tonë për dashurinë që kanë shfaqur Perëndia dhe Krishti, duke ushtruar besim në sakrificën shpërblerëse të Jezuit. Kjo të çon në jetën e përhershme. (Gjoni 3:36) Megjithatë, shpëtimi ynë nuk përbën arsyen më të rëndësishme për të cilën Jezui jetoi dhe vdiq mbi tokë. Jo, shqetësimi i tij kryesor ishte një çështje shumë më e madhe, një çështje universale. Siç do të shohim në kapitullin vijues, kjo çështje na përket të gjithëve, sepse ajo tregon përse ka lejuar Perëndia që ligësitë e vuajtjet të vazhdojnë kaq gjatë në këtë botë.
PROVO NJOHURINË
Përse Jezui duhej të vdiste për të shpëtuar njerëzimin?
Si u pagua shpërblimi?
Në ç’mënyra përfiton ti prej shpërblimit?
[Pyetjet]
[Figura që zë gjithë faqen 67]