Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bëju ballë forcave të liga frymore

Bëju ballë forcave të liga frymore

Kapitulli 12

Bëju ballë forcave të liga frymore

1. Si reagoi Jezui kur u ndesh me frymërat e liga?

MENJËHERË pas pagëzimit të tij, Jezu Krishti shkoi në shkretëtirën e Judeas, për t’u lutur e për të medituar. Atje, Satana Djalli u përpoq ta nxiste që të thyente ligjin e Perëndisë. Jezui e hodhi poshtë tundimin e Satanait dhe nuk ra në grackën e tij. Jezui përballoi edhe frymëra të tjera të liga gjatë shërbimit të tij në tokë. Megjithatë, vazhdimisht ai i qortoi dhe u rezistoi atyre.​—Luka 4:1-13; 8:26-34; 9:37-43.

2. Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

2 Tregimet e Biblës që përshkruajnë këto ndeshje, duhet të na bindin se forcat e liga frymore ekzistojnë. Ato përpiqen të mashtrojnë njerëzit. Megjithatë, ne mund t’u bëjmë ballë këtyre frymërave të liga. Por nga e kanë origjinën frymërat e liga? Përse përpiqen ato që të mashtrojnë njerëzimin? Dhe ç’metoda përdorin për të arritur qëllimet e tyre? Nëse gjen përgjigjet e pyetjeve të tilla, do të kesh një ndihmë për t’u bërë ballë forcave të liga frymore.

ORIGJINA DHE QËLLIMI I FRYMËRAVE TË LIGA

3. Si u bë Satana Djalli?

3 Perëndia Jehova bëri shumë krijesa frymore, shumë kohë më parë se të krijonte njeriun. (Jobi 38:4, 7) Siç u shpjegua në kapitullin 6, një nga këta engjëj zhvilloi dëshirën që njerëzit të adhuronin atë, në vend të Jehovait. Duke ndjekur këtë objektiv, ky engjëll i lig kundërshtoi dhe shpifi për Krijuesin, duke i lënë madje të kuptonte gruas së parë se Perëndia ishte një gënjeshtar. Në mënyrë të përshtatshme, pra, kjo frymë rebele u bë e njohur si Satana (kundërshtar) Djalli (shpifës).​—Zanafilla 3:1-5; Jobi 1:6.

4. Si mëkatuan disa engjëj në kohën e Noes?

4 Më vonë, engjëj të tjerë morën anën e Satana Djallit. Në ditët e njeriut të drejtë, Noes, disa prej tyre braktisën shërbimin në qiell dhe morën trupa fizikë, për të plotësuar epshin e tyre për marrëdhënie seksuale me gratë tokësore. Pa dyshim, Satanai ndikoi mbi këta engjëj, që të ndërmerrnin këtë rrugë të pabindur. Kjo i bëri ata baballarë të pasardhësve hibridë, të quajtur nefilimë, të cilët u bënë tiranë të dhunshëm. Kur Jehovai shkaktoi Përmbytjen e madhe, në të u shkatërruan njerëzit e korruptuar dhe këta pasardhës jo të natyrshëm të engjëjve të pabindur. Engjëjt rebelë shpëtuan nga shkatërrimi, duke i lënë trupat e tyre fizikë e duke u kthyer në mbretërinë qiellore. Por Perëndia i pengoi ata demonë, duke i trajtuar si të dëbuar në errësirën frymore. (Zanafilla 6:1-7, 17; Judës 6) Megjithatë, Satanai, ‘princi i demonëve’ dhe engjëjt e tij të ligj e kanë vazhduar rebelimin e tyre. (Luka 11:15) Cili është objektivi i tyre?

5. Çfarë objektivi kanë Satanai dhe demonët e tij dhe ç’përdorin ata për të zënë njerëzit në grackë?

5 Objektivi djallëzor i Satanait dhe i demonëve është që të largojnë njerëzit nga Perëndia Jehova. Prandaj, këta të ligj i kanë mashtruar, trembur dhe sulmuar njerëzit gjatë gjithë historisë. (Zbulesa 12:9) Shembujt e ditëve të sotme vërtetojnë se agresioni i demonëve tani është më i egër se kurrë më parë. Për të zënë në kurth njerëzit, demonët përdorin shpesh spiritizmin në të gjitha format e tij. Si e përdorin demonët këtë karrem dhe si mund të mbrohesh?

NË Ç’MËNYRË PËRPIQEN FRYMËRAT E LIGA TË TË MASHTROJNË

6. Ç’është spiritizmi dhe cilat janë disa forma të tij?

6 Çfarë është spiritizmi? Ai është komunikim dhe bashkëpunim me demonët apo me frymërat e liga, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet një mediumi njerëzor. Spiritizmi është po aq i dobishëm për demonët, sa është edhe karremi për gjuetarët: ai tërheq prenë. E ashtu si edhe gjahtari përdor lloje të ndryshme karremash, për të joshur kafshët në grackën e tij, edhe frymërat e liga nxisin forma të ndryshme spiritizmi, për t’i pasur njerëzit nën kontrollin e tyre. (Krahaso Psalmin 119:110.) Disa nga këto forma janë falli, magjia, kërkimi i ogureve, shtrigëria, magjepsja, konsultimi me mediumët dhe komunikimi me të vdekurit.

7. Sa i përhapur është spiritizmi dhe përse lulëzon ai edhe në të ashtuquajturat vende të krishtere?

7 Karremi ka pasur sukses, sepse spiritizmi tërheq njerëz kudo në botë. Ata që jetojnë nëpër fshatrat e xhunglave shkojnë nëpër magjistarë, ndërsa zyrtarët e qyteteve konsultohen me astrologët. Spiritizmi lulëzon edhe në të ashtuquajturat vende të krishtere. Kërkimet tregojnë se vetëm në Shtetet e Bashkuara, rreth 30 revista, me një qarkullim të përgjithshëm mbi 10.000.000 kopje, u dedikohen formave të ndryshme të spiritizmit. Brazilianët harxhojnë mbi 500 milionë dollarë çdo vit me blerjen e sendeve spiritiste. E megjithatë, 80 përqind e atyre që ndjekin qendrat spiritiste të adhurimit në atë vend janë të pagëzuar si katolikë, që ndjekin edhe meshat. Duke parë se edhe disa klerikë praktikojnë spiritizmin, shumë njerëz fetarë mendojnë që praktikimi i tij është i pranueshëm nga Perëndia. Por, a është në të vërtetë?

PËRSE BIBLA E DËNON PRAKTIKIMIN E SPIRITIZMIT

8. Cila është pikëpamja biblike mbi spiritizmin?

8 Nëse të kanë mësuar se disa forma të spiritizmit janë mjete për t’u lidhur me frymërat e mira, mund të habitesh tek mëson se ç’thotë Bibla mbi spiritizmin. Populli i Jehovait u paralajmërua: «Mos iu drejtoni mediumeve dhe magjistarëve; mos u konsultoni për të mos u ndotur me anë të tyre.» (Levitiku 19:31; 20:6, 27) Libri biblik i Zbulesës paralajmëron se «ata që praktikojnë spiritizmin» do të përfundojnë në «liqenin që digjet me zjarr dhe me squfur. Kjo do të thotë vdekja e dytë [e përhershme]». (Zbulesa 21:8, BR; 22:15) Të gjitha format e spiritizmit janë të pamiratuara nga Perëndia Jehova. (Ligji i përtërirë 18:10-12) Përse është kështu?

9. Përse mund të nxjerrim përfundimin se mesazhet e sotme nga bota frymore nuk janë prej Jehovait?

9 Jehovai dërgoi frymëra të mira apo engjëj të drejtë, për të komunikuar me disa njerëz, përpara se të mbaronte Bibla. Pas plotësimit të saj, Fjala e Perëndisë ka siguruar udhëheqjen e nevojshme për njerëzimin, që t’i shërbejë Jehovait në mënyrë të pëlqyeshme. (2. Timoteut 3:16, 17; Hebrenjve 1:1, 2) Ai nuk e lë pas dore Fjalën e tij të shenjtë, duke u dhënë mesazhe mediumeve. Të gjitha këto mesazhe moderne nga bota frymore vijnë nga frymërat e liga. Praktikimi i spiritizmit mund të sjellë shqetësime prej demonëve ose mund të bëjë edhe që një njeri të jetë nën zotërimin e frymërave të liga. Prandaj, me dashuri, Perëndia na paralajmëron që të mos përfshihemi në asnjë praktikë spiritiste. (Ligji i përtërirë 18:14; Galatasve 5:19-21) Për më tepër, nëse vazhdojmë të praktikojmë spiritizmin, pasi kemi njohur pikëpamjen e Jehovait për të, do të gjendemi në anën e frymërave të liga rebele e do të jemi armiq të Perëndisë.​—1. Samuelit 15:23; 1. Kronikave 10:13, 14; Psalmi 5:4.

10. Ç’është falli dhe përse duhet ta shmangim atë?

10 Një formë e përhapur e spiritizmit është falli: përpjekja për të zbuluar të ardhmen apo të panjohurën me ndihmën e frymërave. Disa forma të tjera janë astrologjia, shikimi i sferës së kristaltë, interpretimi i ëndrrave, shikimi i dorës dhe parashikimi i fatit me anë të letrave të fallit. Shumëkush e konsideron fallin si një zbavitje të padëmshme, por Bibla tregon se parashikuesit e fatit dhe frymërat e liga shkojnë krah për krah. Për shembull, Veprat 16:16-19 përmendin «një frymë falli», e cila i jepte mundësi një vajze që ‘t’u tregonte fatin njerëzve’. Megjithatë, aftësia e saj për të parashikuar të ardhmen mori fund kur demoni u përjashtua. Është e qartë se falli është një karrem që demonët e përdorin për të joshur njerëzit në grackën e tyre.

11. Në ç’mënyrë përpjekjet për të komunikuar me të vdekurit të çojnë në grackë?

11 Nëse je i dëshpëruar nga vdekja e ndonjë pjesëtari të dashur të familjes apo e ndonjë shoku të ngushtë, ka mundësi të gënjehesh me lehtësi nga një karrem tjetër. Ndonjë medium frymor mund të të japë informata të veçanta apo mund të të flasë me një zë, i cili ngjan me zërin e personit të vdekur. Kujdes! Përpjekjet për të komunikuar me të vdekurit të çojnë në një grackë. Përse? Sepse të vdekurit nuk mund të flasin. Pa dyshim të kujtohet se Fjala e Perëndisë thotë qartë se pas vdekjes një person «kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken». Të vdekurit «nuk dinë asgjë». (Psalmi 146:4; Eklisiastiu 9:5, 10) Për më tepër, në të vërtetë dihet se demonët imitojnë zërat e të vdekurve dhe u japin mediumeve frymore informata mbi dikë që ka vdekur. (1. Samuelit 28:3-19) Kështu, pra, cilido «që ndjell të vdekurit» po bie në grackën e frymërave të liga dhe po vepron në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë Jehova.​—Ligji i përtërirë 18:11, 12; Isaia 8:19.

TËRHEQIN DHE SULMOJNË

12, 13. Çfarë dëshmie ekziston se demonët këmbëngulin në tundimet dhe shqetësimet që u sjellin njerëzve?

12 Duke u përputhur me këshillën e Fjalës së Perëndisë në lidhje me spiritizmin, ti hedh poshtë karremin e demonëve. (Krahaso Psalmin 141:9, 10; Romakëve 12:9.) A do të thotë kjo se frymërat e liga nuk do të përpiqen më për të të kapur? Në asnjë mënyrë! Pasi e tundoi Jezuin tri herë, Satanai «u largua prej tij deri në kohën e volitshme». (Luka 4:13, DSF) Në mënyrë të ngjashme, frymërat kryeneçe jo vetëm që i tërheqin njerëzit, por edhe i sulmojnë ata.

13 Kujto shqyrtimin e mëparshëm që kemi bërë në lidhje me sulmin e Satanait mbi shërbëtorin e Perëndisë, Jobin. Djalli shkaktoi humbjen e të gjithë bagëtisë së tij dhe vdekjen e shumicës së shërbëtorëve. Madje, Satanai vrau edhe fëmijët e Jobit. Më vonë, ai goditi vetë Jobin me një sëmundje të dhimbshme. Por Jobi e ruajti integritetin e tij ndaj Perëndisë dhe u bekua në një masë të madhe. (Jobi 1:7-19; 2:7, 8; 42:12) Qysh prej asaj kohe, demonët i kanë bërë disa njerëz të pagojë apo të verbër dhe vazhdojnë të dëfrejnë me vuajtjet e njerëzimit. (Mateu 9:32, 33; 12:22; Marku 5:2-5) Sot, raportet tregojnë se demonët i trazojnë disa veta nga ana seksuale, kurse disa të tjerë i prishin nga mendtë. Disa të tjerë i nxisin në vrasje ose në vetëvrasje, të cilat janë mëkate kundër Perëndisë. (Ligji i përtërirë 5:17; 1. Gjonit 3:15) Megjithatë, mijëra njerëz që dikur gjendeshin në grackën e këtyre frymërave të liga kanë qenë në gjendje të lirohen. Si është bërë e mundur kjo për ta? Duke ndërmarrë hapa të rëndësishëm.

SI T’U BËJMË BALLË FRYMËRAVE TË LIGA?

14. Në përputhje me shembullin e të krishterëve të shekullit të parë nga Efesi, si mund t’u bësh ballë frymërave të liga?

14 Cila është një mënyrë për t’u bërë ballë frymërave të liga e të mbrosh veten dhe familjen nga kurthet e tyre? Të krishterët e shekullit të parë në Efes, që kishin praktikuar spiritizmin përpara se të bëheshin besimtarë, ndërmorën hapa pozitivë. Lexojmë se «shumë nga ata që ishin marrë me magji i sollën librat dhe i dogjën përpara të gjithëve». (Veprat 19:19) Edhe nëse nuk ke praktikuar spiritizëm, hiq çdo gjë që është përdorur për spiritizëm apo që ka të bëjë me të. Kjo përfshin libra, revista, video, tablo, regjistrime muzikore dhe objekte të përdorura për qëllime spiritiste. Gjithashtu përfshihen edhe idhujt, hajmalitë dhe gjëra të tjera që vishen si mbrojtje, si edhe dhuratat e marra nga praktikues të spiritizmit. (Ligji i përtërirë 7:25, 26; 1. Korintasve 10:21) Një ilustrim: një çift i martuar në Tailandë për një kohë të gjatë shqetësohej prej demonëve. Më vonë, ata hoqën objektet që kishin të bënin me spiritizmin. Cili ishte rezultati? Gjetën lehtësim prej sulmeve demonike e më pas bënë një përparim të vërtetë frymor.

15. Cili është një tjetër hap i nevojshëm për t’u bërë ballë forcave të liga frymore?

15 Për t’u bërë ballë frymërave të liga, një hap tjetër i nevojshëm është zbatimi i këshillës së apostullit Pavël, për të veshur armaturën e plotë frymore që na ka dhënë Perëndia. (Efesianëve 6:11-17) Të krishterët duhet ta forcojnë mbrojtjen e tyre kundër frymërave të liga. Çfarë përfshin ky hap? «Mbi të gjitha,​—tha Pavli,​—duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.» Në fakt, sa më i fortë të jetë besimi yt, aq më e madhe do të jetë aftësia jote për t’u bërë ballë forcave të liga frymore.​—Mateu 17:14-20.

16. Si mund ta forcosh besimin tënd?

16 Si mund ta forcosh besimin? Duke vazhduar studimin e Biblës dhe duke zbatuar këshillat e saj në jetën tënde. Forca e besimit të dikujt varet në masë të madhe në qëndrueshmërinë e bazës së tij: në njohurinë e Perëndisë. A nuk je dakort që njohuria e saktë që ke fituar e ke marrë për zemër, ndërsa ke studiuar Biblën, e ka ndërtuar besimin tënd? (Romakëve 10:10, 17) S’ka dyshim, pra, se duke vazhduar këtë studim dhe duke e bërë zakon pjesëmarrjen në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, besimi yt do të forcohet edhe më shumë. (Romakëve 1:11, 12; Kolosianëve 2:6, 7) Ai do të bëhet një mburojë e fuqishme kundër sulmeve të demonëve.​—1. Gjonit 5:5.

17. Cilat hapa të mëtejshëm mund të jenë të nevojshëm për t’u bërë ballë forcave të liga frymore?

17 Çfarë hapash të mëtejshëm duhet të ndërmarrë një person i vendosur për t’u bërë ballë forcave të liga frymore? Të krishterët e Efesit kishin nevojë për mbrojtje, pasi jetonin në një qytet të mbushur me demonizëm. Prandaj, Pavli u tha: «Vazhdoni në lutje në çdo rast në frymë.» (Efesianëve 6:18, BR) Pasi jetojmë në një botë plot me demonë, lutjet intensive për të kërkuar mbrojtjen e Perëndisë janë thelbësore për t’u bërë ballë frymërave të liga. Në këtë drejtim është e dobishme ndihma frymore dhe lutjet e pleqve të emëruar në kongregacionin e krishterë.​—Jakovit 5:13-15.

VAZHDONI TË LUFTONI KUNDËR FRYMËRAVE TË LIGA

18, 19. Çfarë mund të bëhet nëse demonët e shqetësojnë përsëri një person?

18 Sidoqoftë, edhe pasi kanë ndërmarrë hapa të tillë themelorë, disa kanë vazhduar të kenë shqetësime nga frymërat e liga. Për shembull, një burrë në Bregun e Fildishtë studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe shkatërroi të gjitha hajmalitë e tij. Më pas, bëri përparim të shkëlqyer, i dedikoi jetën Jehovait dhe u pagëzua. Por një javë pas pagëzimit, demonët filluan ta shqetësonin përsëri dhe disa zëra i thoshin të braktiste fenë e re që kishte gjetur. Nëse kjo ndodh edhe me ty, a do të thotë se ke humbur mbrojtjen e Jehovait? Patjetër që jo.

19 Edhe pse kishte mbrojtjen hyjnore, njeriu i përsosur, Jezu Krishti, dëgjoi zërin e krijesës së ligë frymore, Satana Djallit. Jezui tregoi se ç’duhej bërë në raste të tilla. Ai i tha Djallit: «Shporru, Satan!» (Mateu 4:3-10) Po kështu, nuk duhet të pranosh për të dëgjuar zëra nga bota frymore. Bëju ballë frymërave të liga, duke thirrur për ndihmë Jehovain. Po, lutu me zë të lartë, duke përdorur emrin e Jehovait. Proverbat 18:10 thonë: «Emri i Jehovait është një kullë e fortë. Në të vrapon i drejti dhe i jepet mbrojtje.» (BR) Burri i krishterë në Bregun e Fildishtë veproi kështu dhe frymërat e liga nuk e shqetësuan më.​—Psalmi 124:8; 145:18.

20. Si përfundim, çfarë mund të bësh për t’u rezistuar frymërave të liga?

20 Jehovai i ka lejuar frymërat e liga të ekzistojnë, por ai tregon fuqinë e tij, veçanërisht në mbështetje të popullit të vet dhe emri i tij është shpallur në të gjithë tokën. (Të Dalët 9:16) Nëse qëndron pranë Perëndisë, nuk ke përse të kesh frikë nga frymërat e liga. (Numrat 23:21, 23; Jakovit 4:7, 8; 2. Pjetrit 2:9) Fuqia e tyre është e kufizuar. Ato u dënuan në ditët e Noes, u dëbuan nga qielli kohët e fundit dhe tani po presin gjykimin përfundimtar. (Judës 6; Zbulesa 12:9; 20:1-3, 7-10, 14) Në fakt, ata i tmerron shkatërrimi që po afrohet. (Jakovit 2:19) Prandaj, edhe sikur frymërat e liga të përpiqen të të tërheqin me ndonjë lloj karremi apo të të sulmojnë në ndonjë mënyrë, ti mund t’u bësh ballë atyre. (2. Korintasve 2:11) Shmang çdo lloj spiritizmi, zbato këshillën e Fjalës së Perëndisë dhe kërko miratimin e Jehovait. Vepro kështu pa humbur kohë, sepse jeta jote varet nëse u bën ballë forcave të liga frymore!

PROVO NJOHURINË

Si përpiqen frymërat e liga të mashtrojnë njerëzit?

Përse e dënon Bibla spiritizmin?

Si mund të lirohet një person nga forcat e liga frymore?

Përse duhet të vazhdosh t’u bësh ballë frymërave të liga?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 110]

Si e konsideron spiritizmin në format e tij të ndryshme?