Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbretëria e Perëndisë sundon

Mbretëria e Perëndisë sundon

Kapitulli 10

Mbretëria e Perëndisë sundon

1, 2. Në ç’mënyrë qeveritë njerëzore kanë dalë të paafta?

NDOSHTA të ka qëlluar të blesh ndonjë pajisje e pastaj ke parë se ajo nuk funksionon. Ta zëmë se ti shkon e merr një riparues. Megjithatë, s’kalon veçse pak kohë pasi ai e ka «ndrequr» e ajo prishet prapë. Çfarë zhgënjimi!

2 Kjo është e ngjashme me qeveritë njerëzore. Gjithnjë, njerëzimi ka dëshiruar një qeveri që do të siguronte paqe e lumturi. Megjithatë, përpjekjet energjike për të riparuar prishjet në shoqëri nuk kanë pasur sukses të vërtetë. Janë nënshkruar shumë traktate paqeje e pastaj janë thyer. Për më tepër, cila qeveri ka qenë në gjendje të çrrënjosë varfërinë, paragjykimet, krimet, sëmundjet dhe shkatërrimin ekologjik? Sundimi i njeriut është i pandreqshëm. Edhe mbreti i mençur i Izraelit, Solomoni, pyeti: «Si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet?»​—Proverbat 20:24.

3. (a) Cila ishte tema e predikimit të Jezuit? (b) Si e përshkruajnë disa njerëz Mbretërinë e Perëndisë?

3 Mos u dëshpëro! Një qeveri botërore e qëndrueshme nuk është vetëm një ëndërr. Ajo ishte tema e predikimit të Jezuit. Ai e quajti «mbretëria e Perëndisë» dhe i mësoi ithtarët e tij të luteshin për të. (Luka 11:2; 21:31) Natyrisht, Mbretëria e Perëndisë përmendet ndonjëherë në qarqet fetare. Në fakt, miliona veta luten për të çdo ditë, kur përsëritin Lutjen e Zotërisë (e cila quhet edhe lutja Ati Ynë apo lutja model). Por njerëzit përgjigjen në mënyra të ndryshme, kur i pyet: «Ç’është Mbretëria e Perëndisë?» Disa thonë: «Ajo është në zemrën tënde.» Të tjerë e quajnë qiell. Siç do të shohim, Bibla na jep një përgjigje të qartë.

NJË MBRETËRI ME NJË QËLLIM

4, 5. Përse Jehovai vendosi ta shfaqte sovranitetin e tij në një formë të re dhe çfarë do të kryente kjo?

4 Perëndia Jehova ka qenë gjithnjë Mbret apo Sundimtar Sovran i universit. Fakti që krijoi gjithçka e ngre atë në këtë pozitë të lartë. (1. Kronikave 29:11; Psalmi 103:19; Veprat 4:24) Por Mbretëria për të cilën predikoi Jezui është e varur ndaj sovranitetit universal të Perëndisë. Kjo Mbretëri Mesianike ka një qëllim të veçantë, por cili është ai?

5 Siç është shpjeguar në kapitullin 6, çifti i parë njerëzor u rebelua kundër autoritetit të Perëndisë. Për shkak të çështjeve që u ngritën, Jehovai vendosi ta shfaqte sovranitetin e tij në një formë të re. Perëndia shpalli qëllimin e tij për të prodhuar një «farë», e cila do të shtypte Gjarprin, Satanain dhe do të eliminonte pasojat e mëkatit të trashëguar të njerëzimit. «Fara» kryesore është Jezu Krishti dhe «mbretëria e Perëndisë» është mjeti që do të mundë plotësisht Satanain. Me anë të kësaj Mbretërie, Jezu Krishti do të rivendosë mbi tokë sundimin në emër të Jehovait dhe do të shfajësojë përgjithmonë sovranitetin e drejtë të Perëndisë.​—Zanafilla 3:15; Psalmi 2:2-9.

6, 7. (a) Ku është Mbretëria dhe kush është Mbreti dhe sundimtarët që e shoqërojnë atë? (b) Cilët janë nënshtetasit e Mbretërisë?

6 Sipas përkthimit Diodati i Ri, Jezui u ka drejtuar këto fjalë farisenjve të ligj: «Mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush.» (Luka 17:21) A donte të thoshte Jezui se Mbretëria ishte në zemrat e liga të atyre njerëzve të korruptuar? Jo. Një përkthim më i saktë i greqishtes origjinale thotë: «Mbretëria e Hyjit [Perëndisë, BR] është mes jush!» (DSF) Pra, Jezui, që ndodhej mes tyre, e kishte fjalën për veten, si Mbreti i ardhshëm. Në vend se të jetë diçka që një person e ka në zemrën e tij, Mbretëria e Perëndisë është një qeveri e vërtetë, që vepron e që ka një sundimtar dhe nënshtetas. Ajo është një qeveri qiellore, pasi është quajtur edhe «mbretëria e qiejve» dhe «mbretëria e Perëndisë». (Mateu 13:11; Luka 8:10) Në vizion, Danieli e pa Sundimtarin e saj si «dikush që i ngjante një Biri njeriu», i cili erdhi para Perëndisë së Plotfuqishëm e iu dha përgjithmonë «sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t’i shërbenin». (Danieli 7:13, 14) Kush është ky mbret? E pra, Bibla e quan Jezu Krishtin «Biri i njeriut». (Mateu 12:40; Luka 17:26) Po, Jehovai e ka caktuar Birin e tij, Jezu Krishtin, që të jetë Mbret.

7 Jezui nuk sundon i vetëm. Me të janë 144.000, të cilët janë «blerë prej tokës», për t’u bërë bashkë me të mbretër e priftërinj. (Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 3, BR; Luka 22:28-30) Nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë do të jenë një familje globale me njerëz që janë të nënshtruar ndaj udhëheqjes së Krishtit. (Psalmi 72:7, 8) Si mund të jemi të sigurt, pra, që Mbretëria do ta shfajësojë në të vërtetë sovranitetin e Perëndisë e do të rivendosë kushtet parajsore mbi tokën tonë?

REALITETI I MBRETËRISË SË PERËNDISË

8, 9. (a) Si mund ta ilustrojmë besueshmërinë e premtimeve të Mbretërisë së Perëndisë? (b) Përse mund të jemi të sigurt për realitetin e Mbretërisë?

8 Mendo sikur shtëpinë tënde ta ketë shkatërruar një zjarr. Tani, një shok që ka mjetet e nevojshme premton për të të ndihmuar në ndërtimin e shtëpisë dhe për të siguruar ushqim për familjen. Nëse ky shok të ka thënë gjithnjë të vërtetën, a nuk do t’i besoje? Mendo, tani, sikur po kthehesh nga puna, ditën tjetër dhe shikon disa punëtorë që kanë filluar tashmë të pastrojnë gërmadhat prej zjarrit e se kanë sjellë ushqim për familjen tënde. Pa dyshim, do të kishe besim të plotë se me kalimin e kohës punët jo vetëm që do të rregulloheshin, por do të shkonin edhe më mirë se më parë.

9 Në mënyrë të ngjashme, Jehovai na jep siguri për realitetin e Mbretërisë. Siç tregohet në librin biblik të Hebrenjve, shumë aspekte të Ligjit ishin një hije e rregullimeve të Mbretërisë. (Hebrenjve 10:1) Pamje profetike të Mbretërisë së Perëndisë ishin të dukshme edhe në mbretërinë tokësore të Izraelit. Ajo nuk ishte një qeveri e zakonshme, sepse sundimtarët e saj uleshin mbi «fronin e Jehovait». (1. Kronikave 29:23, BR) Për më tepër, ishte parathënë: «Skeptri nuk do t’i hiqet Judës, as bastuni i komandantit nga këmbët e tij, deri sa të vijë Shilohu; dhe atij do t’i binden popujt.» (Zanafilla 49:10) * Po, Jezui, Mbreti i përhershëm i qeverisë së Perëndisë, duhej të lindte në vazhdën e kësaj linje të pasardhësve të mbretërve të Judës.​—Luka 1:32, 33.

10. (a) Kur u hodhën themelet e Mbretërisë Mesianike të Perëndisë? (b) Cilën vepër të rëndësishme do të drejtonin mbi tokë bashkësundimtarët e ardhshëm të Krishtit?

10 Themelet e Mbretërisë Mesianike të Perëndisë u hodhën me zgjedhjen e apostujve të Jezuit. (Efesianëve 2:19, 20; Zbulesa 21:14) Ata ishin të parët nga të 144.000-t, të cilët do të sundonin në qiell si bashkëmbretër me Jezu Krishtin. Ndërsa ishin mbi tokë, këta bashkësundimtarë të ardhshëm do të drejtonin një fushatë dëshmie, në përputhje me urdhrin e Jezuit: «Shkoni . . . dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë.»​—Mateu 28:19.

11. Si po kryhet sot vepra e predikimit të Mbretërisë dhe ç’përfshin ajo?

11 Urdhri për të bërë dishepuj po zbatohet tani në një shkallë të paparë ndonjëherë. Dëshmitarët e Jehovait po shpallin lajmin e mirë të Mbretërisë kudo përreth globit, në përputhje me fjalët profetike të Jezuit: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në të gjithë tokën e banuar për dëshmi në të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14, BR) Si një nga aspektet e veprës së predikimit të Mbretërisë, po kryhet një program i madh edukimi. Ata që u nënshtrohen ligjeve dhe parimeve të Mbretërisë së Perëndisë kanë tashmë një paqe e unitet që qeveritë njerëzore nuk mund ta arrijnë. Të gjitha këto japin dëshmi të qartë se Mbretëria e Perëndisë është një realitet!

12. (a) Përse është e përshtatshme që lajmëtarët e Mbretërisë të quhen Dëshmitarë të Jehovait? (b) Si ndryshon Mbretëria e Perëndisë nga qeveritë njerëzore?

12 Jehovai u tha izraelitëve: «Dëshmitarët e mi jeni ju . . . bashkë me shërbëtorin që kam zgjedhur.» (Isaia 43:10-12) Jezui, «dëshmitari besnik», e shpalli me zell lajmin e mirë të Mbretërisë. (Zbulesa 1:5; Mateu 4:17) Pra, është e përshtatshme që lajmëtarët e sotëm të Mbretërisë të mbajnë emrin që u është caktuar në mënyrë hyjnore, Dëshmitarë të Jehovait. Por, përse Dëshmitarët harxhojnë kaq shumë kohë e përpjekje, duke folur me të tjerët për Mbretërinë e Perëndisë? Bëjnë kështu, ngaqë Mbretëria është shpresa e vetme e njerëzimit. Herët a vonë, qeveritë njerëzore përmbysen, ndërsa Mbretëria e Perëndisë nuk do të përmbyset kurrë. Isaia 9:5, 6, e quan Sundimtarin e saj, Jezuin, «Princ i Paqes» dhe shton: «E madhe do të jetë mbretëria e tij dhe paqja s’do të ketë mbarim.» (DSF) Mbretëria e Perëndisë nuk është si qeveritë e njerëzve, të cilat sot janë e nesër s’janë. Në fakt, Danieli 2:44 thotë: «Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër . . . dhe do të ekzistojë përjetë.»

13. (a) Cilat janë disa nga problemet që Mbretëria e Perëndisë do t’i trajtojë me sukses? (b) Përse mund të jemi të sigurt se premtimet e Perëndisë do të plotësohen?

13 Cili mbret njerëzor mund të eliminojë luftën, krimin, sëmundjet, vdekjet nga uria dhe mungesën e strehimit? Për më tepër, cili sundimtar njerëzor mund të ringjallë ata që kanë vdekur? Mbretëria e Perëndisë dhe Mbreti i saj do të merren me këto çështje. Mbretëria nuk do të dalë me defekt, ashtu si pajisjet që mezi funksionojnë e vazhdimisht kanë nevojë të riparohen. Përkundrazi, Mbretëria e Perëndisë do të ketë sukses, sepse Jehovai premton: «Fjala ime e dalë nga goja ime . . . nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.» (Isaia 55:11) Qëllimi i Perëndisë nuk do të dështojë, por kur do të fillojë sundimi i Mbretërisë?

KUR DO TË FILLOJË SUNDIMI?

14. Çfarë keqkuptimi kishin dishepujt e Jezuit në lidhje me Mbretërinë, por çfarë dinte Jezui në lidhje me sundimin e tij?

14 «Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?» Kjo pyetje e dishepujve të Jezuit zbuloi se në atë kohë ata nuk e njihnin qëllimin e Mbretërisë së Perëndisë dhe kohën e caktuar për fillimin e sundimit të saj. Duke i paralajmëruar që të mos ishin kuriozë mbi këtë çështje, Jezui tha: «Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet.» Jezui e dinte se sundimi i tij mbi tokën ishte ruajtur për të ardhmen, shumë kohë pas ringjalljes dhe ngritjes së tij në qiell. (Veprat 1:6-11; Luka 19:11, 12, 15) Shkrimet e kishin parathënë këtë. Në ç’mënyrë?

15. Në ç’mënyrë Psalmi 110:1 hedh dritë mbi kohën e sundimit të Jezuit?

15 Duke iu referuar në mënyrë profetike Jezuit, si «Zotërisë», mbreti David tha: «Zoti i thotë Zotërisë time: ‘Ulu në të djathtën time deri sa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua.’» (Psalmi 110:1; krahaso Veprat 2:34-36.) Kjo profeci tregon se sundimi i Jezuit nuk do të fillonte menjëherë pas ngritjes së tij në qiell. Përkundrazi, ai duhej të priste në të djathtën e Perëndisë. (Hebrenjve 10:12, 13) Për sa kohë do të zgjaste kjo pritje? Kur do të fillonte sundimi i tij? Bibla na ndihmon të gjejmë përgjigjet.

16. Çfarë ndodhi në vitin 607 p.e.s. dhe si lidhet kjo me Mbretërinë e Perëndisë?

16 Qyteti i vetëm në të gjithë tokën, mbi të cilin Jehovai vendosi emrin e tij, ishte Jeruzalemi. (1. Mbretërve 11:36) Ai ishte, gjithashtu, kryeqyteti i një mbretërie tokësore të miratuar nga Perëndia, e cila tipizonte Mbretërinë qiellore të Perëndisë. Prandaj, shkatërrimi i Jeruzalemit nga babilonasit, në vitin 607 p.e.s., ishte shumë domethënës. Kjo ngjarje shënoi fillimin e një ndërprerjeje të gjatë të sundimit të drejtpërdrejtë të Perëndisë mbi popullin e tij në tokë. Gati gjashtë shekuj më vonë, Jezui tregoi se kjo periudhë e sundimit të ndërprerë vazhdonte ende, sepse ai tha: «Jerusalemi do të pushtohet nga kombet pagane, derisa të mbarojë koha e tyre [e kombeve, BR] e caktuar.»​—Luka 21:24, ECM.

17. (a) Ç’është ‘koha e caktuar e kombeve’ dhe për sa kohë duhej të zgjaste? (b) Kur filloi dhe kur mbaroi ‘koha e caktuar e kombeve’?

17 Gjatë ‘kohës së caktuar të kombeve’ qeveritë botërore do të lejoheshin të ndërprisnin sundimin e miratuar nga Perëndia. Kjo periudhë filloi me shkatërrimin e Jeruzalemit në vitin 607 p.e.s. dhe Danieli tregoi se do të vazhdonte «shtatë kohë». (Danieli 4:23-25) Sa e gjatë është kjo? Bibla tregon se tri «kohë» e gjysmë janë baras me 1.260 ditë. (Zbulesa 12:6, 14) Dyfishi i kësaj periudhe, ose shtatë kohë, është 2.520 ditë. Por në përfundim të këtyre 2.520 ditëve nuk ndodhi asgjë e jashtëzakonshme. Megjithatë, duke zbatuar për profecinë e Danielit «një ditë për një vit» dhe duke numëruar 2.520 vjet prej 607-ës p.e.s., mbërrijmë në vitin 1914 të e.s.​—Numrat 14:34; Ezekieli 4:6.

18. Çfarë bëri Jezui pak pas marrjes së fuqisë së Mbretërisë dhe si ndikoi kjo mbi tokën?

18 A filloi Jezui të mbretëronte në qiell në atë kohë? Arsye biblike për të thënë se po do të diskutohen në kapitullin vijues. Natyrisht, fillimi i sundimit të Jezuit nuk do të karakterizohej nga paqe e menjëhershme për tokën. Zbulesa 12:7-12 tregon se menjëherë pasi të merrte Mbretërinë, Jezui do të dëbonte nga qielli Satanain dhe engjëjt e tij demonë. Kjo do të nënkuptonte mjerime për tokën, por marrim zemër kur lexojmë që Djallit i ka mbetur vetëm «pak kohë». Së shpejti, do të kemi mundësi të gëzojmë jo vetëm sepse Mbretëria e Perëndisë sundon, por edhe sepse ajo do të sjellë bekime për tokën dhe për njerëzimin e bindur. (Psalmi 72:7, 8) Nga e dimë që kjo do të ndodhë së shpejti?

[Shënimi]

^ par. 9 Emri Shiloh do të thotë «Ai për të cilin është; Ai të cilit i takon». Me kohë, u bë e dukshme që «Shiloh» ishte Jezu Krishti, «Luani i fisit të Judës». (Zbulesa 5:5) Disa nga Targumet e zëvendësojnë thjesht fjalën «Shiloh» me «Mesia» ose «mbreti Mesia».

PROVO NJOHURINË

Ç’është Mbretëria e Perëndisë dhe nga sundon ajo?

Cilët sundojnë në Mbretëri dhe cilët janë nënshtetasit?

Si na siguron Jehovai që Mbretëria e tij është një realitet?

Kur filloi dhe kur mbaroi ‘koha e caktuar e kombeve’?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 94]

DISA NGJARJE TË RËNDËSISHME QË LIDHEN ME MBRETËRINË E PERËNDISË

• Jehovai shpall qëllimin e tij për të prodhuar një «farë», e cila do të shtypte kokën e Gjarprit, Satana Djallit.​—Zanafilla 3:15.

• Në vitin 1943 p.e.s., Jehovai tregoi se kjo «farë» do të ishte një pasardhës njerëzor i Abrahamit.​—Zanafilla 12:1-3, 7; 22:18.

• Besëlidhja e Ligjit, që iu dha Izraelit në vitin 1513 p.e.s., siguron «hijen e të mirave që kishin për të ardhur».​—Të Dalët 24:6-8; Hebrenjve 10:1.

• Mbretëria tokësore e Izraelit fillon në vitin 1117 p.e.s. dhe vazhdon më pas në linjën e Davidit.​—1. Samuelit 11:15; 2. Samuelit 7:8, 16.

• Jeruzalemi shkatërrohet në vitin 607 p.e.s. dhe ‘koha e caktuar e kombeve’ fillon.​—2. Mbretërve 25:8-10, 25, 26; Luka 21:24.

• Në vitin 29 të e.s., Jezui miroset si Mbret i Caktuar dhe vazhdon shërbimin e tij tokësor.​—Mateu 3:16, 17; 4:17; 21:9-11.

• Jezui ngrihet në qiell në vitin 33 e.s., për të pritur atje në të djathtën e Perëndisë, derisa të fillojë sundimi i tij.​—Veprat 5:30, 31; Hebrenjve 10:12, 13.

• Jezui ulet në fronin e Mbretërisë qiellore në vitin 1914 e.s., ndërsa ‘koha e caktuar e kombeve’ mbaron.​—Zbulesa 11:15.

• Satanai dhe demonët e tij hidhen në afërsi të tokës dhe sjellin mjerime të mëdha për njerëzimin.​—Zbulesa 12:9-12.

• Jezui mbikëqyr predikimin mbarëbotëror të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë.​—Mateu 24:14; 28:19, 20.