Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Prej kujt pranon të adhurohet Perëndia?

Prej kujt pranon të adhurohet Perëndia?

Kapitulli 5

Prej kujt pranon të adhurohet Perëndia?

1. Çfarë deshi të dinte një grua samaritane në lidhje me adhurimin?

A KE pyetur ndonjëherë veten: «Prej kujt pranon të adhurohet Perëndia?» Kjo pyetje mund t’i ketë ardhur në mend një gruaje, ndërsa po fliste me Jezu Krishtin pranë malit Gerizim, në Samari. Duke tërhequr vëmendjen mbi një ndryshim midis adhurimit të samaritanëve dhe atij të hebrenjve, ajo tha: «Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë.» (Gjoni 4:20) A i tha Jezui asaj gruaje samaritane se Perëndia pranon çdo lloj adhurimi? Apo tha se ekzistojnë gjëra specifike që kërkohen për t’i pëlqyer Perëndisë?

2. Çfarë tha Jezui, duke iu përgjigjur gruas samaritane?

2 Përgjigjja tronditëse e Jezuit ishte: «Vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.» (Gjoni 4:21) Për shumë kohë, samaritanët kishin pasur frikë nga Jehovai dhe kishin adhuruar perëndi të tjera mbi malin Gerizim. (2. Mbretërve 17:33) Tani, Jezu Krishti tha se as ai vend, as Jeruzalemi nuk do të kishin rëndësi për adhurimin e vërtetë.

ADHURIM ME FRYMË E TË VËRTETË

3. (a) Përse samaritanët në të vërtetë nuk e njihnin Perëndinë? (b) Si mund ta njihnin Perëndinë hebrenjtë besnikë dhe të tjerët?

3 Jezui vazhdoi t’i thoshte gruas samaritane: «Ju adhuroni atë që s’e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.» (Gjoni 4:22) Samaritanët kishin ide të feve të rreme dhe pranonin si të frymëzuar vetëm pesë librat e parë të Biblës dhe këta vetëm në recensionin e tyre, të njohur si Pentateuku samaritan. Prandaj, ata nuk e njihnin me të vërtetë Perëndinë. Megjithatë, hebrenjve u ishte besuar njohuria e Shkrimeve. (Romakëve 3:1, 2) Shkrimet u dhanë hebrenjve besnikë dhe cilitdo tjetër që donte të dëgjonte, çfarë u nevojitej për të njohur Perëndinë.

4. Sipas Jezuit, çfarë duhej të dinin hebrenjtë dhe samaritanët për të pasur një adhurim të pranuar nga Perëndia?

4 Në të vërtetë, Jezui tregoi se hebrenjtë dhe samaritanët bashkë duhej të rregullonin mënyrën e tyre të të adhuruarit, në mënyrë që t’i pëlqente Perëndisë. Ai tha: «Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë e në të vërtetën.» (Gjoni 4:23, 24) Ne duhet ta adhurojmë Perëndinë «në frymë», të nxitur nga zemrat plot me besim e dashuri. Mund ta adhurojmë Perëndinë ‘në të vërtetën’, duke studiuar Fjalën e tij, Biblën dhe duke e adhuruar atë sipas së vërtetës që ai ka zbuluar. A ke dëshirë të veprosh kështu?

5. (a) Ç’do të thotë «adhurim»? (b) Çfarë duhet të bëjmë nëse dëshirojmë që Perëndia ta pranojë adhurimin tonë?

5 Jezui theksoi se Perëndia dëshiron adhurim të vërtetë. Kjo tregon se ekzistojnë forma adhurimi të papranueshme nga Jehovai. Të adhurosh Perëndinë do të thotë t’i japësh atij nderim me frikë dhe t’i bësh shërbim të shenjtë. Nëse dëshiron të nderosh një sundimtar të fuqishëm, ka të ngjarë që mezi pret t’i shërbesh e t’i pëlqesh atij. Sigurisht, pra, që ne dëshirojmë t’i pëlqejmë Perëndisë. Në vend se të themi thjesht: ‘Feja ime më pëlqen’, është e nevojshme të sigurohemi nëse adhurimi ynë përmbush kërkesat e Perëndisë.

TË BËJMË VULLNETIN E ATIT

6, 7. Përse nuk i njeh Jezui disa që pohojnë se janë dishepuj të tij?

6 Le të lexojmë Mateun 7:21-23 e të shohim nëse mund të veçojmë një faktor vendimtar që përcakton nëse të gjitha adhurimet janë të pranueshme nga Perëndia apo jo. Jezui tha: «Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët [krijesa të liga frymore] në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?” Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi.”»

7 Njohja e Jezu Krishtit si Zotëri është diçka thelbësore në adhurimin e vërtetë. Por sipas shkrimit diçka do të mungojë në adhurimin e shumë vetave që do të pohojnë se janë dishepuj të Jezuit. Ai tha se disa do të kryejnë «vepra të fuqishme», të tilla si të ashtuquajturat shërime të mrekullueshme. Megjithatë, ata do të dështojnë të bëjnë atë që Jezui tha se është jetësore. Ata nuk do të ‘kryejnë vullnetin e Atit [të tij]’. Nëse duam t’i pëlqejmë Perëndisë, duhet të mësojmë se cili është vullneti i Atit e pastaj ta bëjmë atë.

NJOHURIA E SAKTË ËSHTË MBROJTJE

8. Çfarë kërkohet nëse duam të bëjmë vullnetin e Perëndisë dhe cilat pikëpamje të gabuara duhet të shmangim?

8 Bërja e vullnetit të Perëndisë kërkon një njohuri të saktë për Perëndinë Jehova dhe për Jezu Krishtin. Kjo njohuri të çon në jetën e përhershme. Sigurisht, pra, që të gjithë ne duhet ta marrim seriozisht çështjen e fitimit të njohurisë së saktë nga Fjala e Perëndisë, Bibla. Disa thonë se nuk duhet të shqetësohemi për sa kohë që jemi të sinqertë e të zellshëm në adhurimin tonë. Të tjerë pohojnë: «Sa më pak të dish, aq më pak pritet prej teje.» E megjithatë, Bibla na inkurajon të rritemi në njohurinë e Perëndisë e të qëllimit të tij.​—Efesianëve 4:13; Filipianëve 1:9; Kolosianëve 1:9.

9. Si na mbron njohuria e saktë dhe përse kemi nevojë për një mbrojtje të tillë?

9 Një njohuri e tillë është mbrojtje kundër ndotjeve në adhurimin tonë. Apostulli Pavël foli për njëfarë krijese frymore, e cila pretendonte se ishte «engjëll drite». (2. Korintasve 11:14) E maskuar në këtë mënyrë, kjo krijesë frymore, Satanai, përpiqet të na mashtrojë për të bërë gjëra në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. Krijesa të tjera frymore që shoqërohen me Satanain kanë ndotur, gjithashtu, adhurimin e njerëzve, sepse Pavli tha: «Gjërat që flijojnë johebrenjtë, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë.» (1. Korintasve 10:20) Në mënyrë të ngjashme, shumë veta kanë mësuar se po adhurojnë në mënyrë të drejtë, edhe pse nuk kanë bërë atë që kërkonte Perëndia. Ata kanë qenë të mashtruar në adhurime të rreme të papastra. Më vonë, ne do të mësojmë më shumë mbi Satanain dhe demonët, por këta armiq të Perëndisë sigurisht që e kanë ndotur adhurimin e njerëzimit.

10. Çfarë do të bëje nëse dikush do të helmonte me dashje burimin tënd të ujit dhe për çfarë na pajis të bëjmë njohuria e saktë e Fjalës së Perëndisë?

10 Nëse ke marrë vesh që dikush të ka helmuar me dashje burimin e ujit, a do të vazhdoje të pije prej atij burimi? Natyrisht, do të veproje menjëherë për të gjetur një burim të sigurt, me ujë të pastër. E pra, një njohuri e saktë e Fjalës së Perëndisë na pajis për të identifikuar fenë e vërtetë dhe për të hedhur papastërtitë që e bëjnë adhurimin të papranueshëm për Perëndinë.

URDHËRIME NJERËZISH SI DOKTRINA

11. Çfarë ishte e gabuar në adhurimin e shumë hebrenjve?

11 Kur Jezui ishte mbi tokë, shumë hebrenj nuk vepronin në përputhje me njohurinë e saktë të Perëndisë. Për këtë arsye, ata humbën mundësinë për të pasur një qëndrim të pastër para Jehovait. Në lidhje me ta, Pavli shkroi: «Unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë [së saktë, BR].» (Romakëve 10:2) Ata vendosnin vetë se si ta adhuronin Perëndinë, në vend se të dëgjonin se ç’thoshte ai.

12. Nga se u ndot adhurimi i Izraelit dhe me çfarë rezultati?

12 Fillimisht, izraelitët praktikonin fenë e pastër që u kish dhënë Perëndia, por ajo filloi të ndotej me mësime dhe filozofi njerëzish. (Jeremia 8:8, 9; Malakia 2:8, 9; Luka 11:52) Edhe pse krerët fetarë hebrenj, të njohur si farisenj, mendonin se adhurimi i tyre ishte i pranueshëm nga Perëndia, Jezui u tha: «Profeti Jeshaja [Isaia, BR] foli mirë për ju hipokritë! Në librin e tij thuhet: Ky popull më nderon vetëm me fjalë (thotë Zoti), por zemra e tij është larg meje. E gjithë shërbesa e tyre fetare është e kotë, sepse nuk mësojnë gjë tjetër veç urdhërimeve të shpikura nga njerëzit.»​—Marku 7:6, 7, ECM.

13. Si mund të bëjmë si farisenjtë?

13 A ka mundësi që edhe ne të veprojmë si farisenjtë? Mund të ndodhë, nëse ndjekim traditat fetare që kemi trashëguar, në vend se të shqyrtojmë se ç’ka thënë Perëndia në lidhje me adhurimin. Duke paralajmëruar mbi këtë rrezik vërtet të madh, Pavli shkroi: «Dhe Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve.» (1. Timoteut 4:1) Pra, nuk mjafton vetëm të mendojmë se adhurimi ynë i pëlqen Perëndisë. Ashtu si gruaja samaritane që takoi Jezuin, ne mund të kemi trashëguar nga prindërit mënyrën tonë të të adhuruarit. Por, duhet të jemi të sigurt se po bëjmë gjëra që përputhen me miratimin e Perëndisë.

KUJDES TË MOS OFENDOSH PERËNDINË

14, 15. Edhe nëse kemi njëfarë njohurie mbi vullnetin e Perëndisë, përse është e nevojshme të bëjmë kujdes?

14 Nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të bëjmë diçka të papranueshme për Perëndinë. Për shembull, apostulli Gjon ra në këmbët e një engjëlli «për ta adhuruar». Por engjëlli e paralajmëroi: «Ruaju se e bën, unë jam bashkëshërbëtori yt si dhe i vëllezërve të tu që kanë dëshminë e Jezusit. Perëndinë adhuroje!» (Zbulesa 19:10) A sheh, pra, nevojën për t’u siguruar nëse adhurimi yt nuk është i ndotur nga asnjë lloj idhujtarie?​—1. Korintasve 10:14.

15 Kur disa të krishterë filluan të praktikonin zakone fetare që nuk i pëlqejnë Perëndisë, Pavli pyeti: «Vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t’u nënshtroheni? Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite. Kam frikë se mos jam lodhur më kot për ju.» (Galatasve 4:8-11) Ata individë kishin marrë njohurinë e Perëndisë, por më vonë gabuan, duke ndjekur zakone fetare dhe ditë të shenjta, të cilat ishin të papranueshme për Jehovain. Siç tha Pavli, duhet të vazhdojmë të sigurohemi për «çfarë është e pranueshme për Perëndinë».​—Efesianëve 5:10.

16. Si na ndihmojnë Gjoni 17:16 dhe 1. Pjetrit 4:3 për të vendosur nëse pushimet dhe zakonet i pëlqejnë Perëndisë?

16 Duhet të jemi të sigurt që po shmangim pushimet fetare dhe zakone të tjera që dhunojnë parimet e Perëndisë. (1. Selanikasve 5:21) Për shembull, Jezui tha për dishepujt e tij: «Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota.» (Gjoni 17:16) A përfshihet feja jote në ceremoni dhe pushime që dhunojnë parimet e asnjanësisë në lidhje me punët e kësaj bote? Apo mos vallë anëtarët e fesë tënde disa herë marrin pjesë në zakone dhe festime që përfshijnë sjellje që përshtaten me përshkrimin e apostullit Pjetër? Ai shkroi: «Për ne është e mjaftueshme koha e jetës që shkuam për të kënaqur gjërat e dëshiruara nga johebrenjtë, kur ecnim në shthurje, në pasione, në dehje, në teprime, në të ngrëna e në të pira dhe në idhujtari të neveritshme.»​—1. Pjetrit 4:3.

17. Përse duhet të shmangim gjithçka që pasqyron frymën e botës?

17 Apostulli Gjon theksoi nevojën për të shmangur çdo praktikë që pasqyron frymën e botës së paperëndishme përreth nesh. Gjoni shkroi: «Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Në qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota. Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.» (1. Gjonit 2:15-17) A ke vënë re se ata që ‘bëjnë vullnetin e Perëndisë’ do të mbeten përgjithmonë? Po, nëse bëjmë vullnetin e Perëndisë dhe shmangim aktivitete që pasqyrojnë frymën e kësaj bote, mund të kemi shpresën e jetës së përhershme!

PËRPUTHU ME NORMAT E LARTA TË PERËNDISË

18. Përse disa korintas gabuan në lidhje me sjelljen dhe çfarë duhet të mësojmë prej kësaj?

18 Perëndia do si adhurues ata që përputhen me normat e tij të larta morale. Në Korintin e lashtë, disa mendonin gabimisht se Perëndia do ta toleronte sjelljen imorale. Mund të shohim se sa gabim e kishin ata, po të lexojmë 1. Korintasve 6:9, 10. Nëse duam ta adhurojmë Perëndinë në mënyrë të pranueshme, duhet t’i pëlqejmë atij në fjalë e në veprime. A ka mundësi mënyra jote e adhurimit ta bëjë këtë për ty?​—Mateu 15:8; 23:1-3.

19. Si ndikon adhurimi i vërtetë në marrëdhëniet tona me të tjerët?

19 Edhe sjelljet tona me njerëzit e tjerë duhet të pasqyrojnë normat e Perëndisë. Jezu Krishti na inkurajoi t’i trajtojmë të tjerët, ashtu si ne do të donim të trajtoheshim prej tyre, sepse kjo është pjesë e adhurimit të vërtetë. (Mateu 7:12) Vërej, gjithashtu, çfarë tha tjetër ai në lidhje me shfaqjen e dashurisë vëllazërore: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Dishepujt e Jezuit duhet ta duan njëri-tjetrin dhe të bëjnë mirë për bashkadhuruesit e tyre dhe për të tjerët.​—Galatasve 6:10.

ADHURIM ME GJITHË SHPIRT

20, 21. (a) Ç’lloj adhurimi kërkon Perëndia? (b) Përse Jehovai e hodhi tej adhurimin e Izraelit në ditët e Malakias?

20 Brenda zemrës, ndoshta ti dëshiron të adhurosh Perëndinë në mënyrë të pranueshme. Nëse po, duhet të kesh pikëpamjen e Jehovait mbi adhurimin. Dishepulli Jakov theksoi se rëndësi ka pikëpamja e Perëndisë dhe jo pikëpamja jonë. Jakovi tha: «Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimin e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota.» (Jakovit 1:27) Me dëshirën për t’i pëlqyer Perëndisë, secili prej nesh ka nevojë të shqyrtojë adhurimin që bëjmë, me qëllim që të sigurohemi se nuk është i molepsur nga praktika të paperëndishme apo se nuk po lëmë pa përfshirë diçka që ai e konsideron jetësore.​—Jakovit 1:26.

21 Vetëm adhurimi i pastër, me gjithë shpirt, i pëlqen Jehovait. (Mateu 22:37; Kolosianëve 3:23) Kur kombi i Izraelit i dha Perëndisë më pak se kaq, ai tha: «Një bir nderon të atin dhe një shërbëtor zotin e tij. Në se unë, pra, jam ati, ku është nderi im? Dhe në se jam zot, ku ma kanë frikën?» Ata po e fyenin Perëndinë, duke ofruar për të si sakrificë kafshë të verbëra, të çala e të sëmura dhe Perëndia i hodhi poshtë këto akte adhurimi. (Malakia 1:6-8) Jehovai meriton formën më të pastër të adhurimit dhe pranon vetëm devotshmëri të veçantë.​—Të Dalët 20:5; Proverbat 3:9; Zbulesa 4:11.

22. Çfarë do të shmangim dhe çfarë do të bëjmë nëse dëshirojmë që Perëndia ta pranojë adhurimin tonë?

22 Gruaja samaritane që foli me Jezuin dukej e interesuar për të adhuruar Perëndinë në mënyrë të pranuar hyjnore. Nëse kjo është edhe dëshira jonë, do të shmangim të gjitha mësimet dhe praktikat e ndotura. (2. Korintasve 6:14-18) Përkundrazi, do të ushtrohemi për të marrë një njohuri të saktë për Perëndinë dhe do të bëjmë vullnetin e tij. Do t’u mbahemi ngushtë kërkesave të tij për një adhurim të pranueshëm. (1. Timoteut 2:3, 4) Dëshmitarët e Jehovait dëshirojnë me zjarr të bëjnë pikërisht kështu dhe me ngrohtësi të nxitin edhe ty për të marrë pjesë me ta në adhurimin e Perëndisë «në frymë e në të vërtetën». (Gjoni 4:24) Jezui tha: «Të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.» (Gjoni 4:23) Shpresojmë që ti të jesh një person i tillë. Ashtu si gruaja samaritane, s’ka dyshim që edhe ti dëshiron të kesh jetën e përhershme. (Gjoni 4:13-15) Por, ti sheh njerëz tek plaken e vdesin. Kapitulli vijues do të na thotë përse.

PROVO NJOHURINË

Siç tregon Gjoni 4:23, 24, çfarë adhurimi pranon Perëndia?

Si mund të përcaktojmë nëse Perëndisë i pëlqejnë apo jo disa zakone dhe festime?

Cilat janë disa kërkesa për një adhurim të pranueshëm?

[Pyetjet]

[Figura që zë gjithë faqen 44]