Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse një jetë e devotshme sjell lumturi?

Pse një jetë e devotshme sjell lumturi?

Kapitulli 13

Pse një jetë e devotshme sjell lumturi?

1. Përse mund të themi se rrugët e Jehovait sjellin lumturi?

JEHOVAI është «Perëndia i lumtur» dhe do që ti ta gëzosh jetën. (1. Timoteut 1:11, BR) Duke ecur në rrugën e tij, mund të nxjerrësh dobi për veten dhe mund të kesh një qetësi që është e thellë dhe e qëndrueshme, si një lum që rrjedh përgjithmonë. Ecja në rrugën e Perëndisë e nxit, gjithashtu, një person që të kryejë vepra të vazhdueshme të drejtësisë, «si valët e detit». Kjo sjell lumturi të vërtetë.​—Isaia 48:17, 18.

2. Përse të krishterët mund të jenë të lumtur megjithëse disa herë janë të keqtrajtuar?

2 Disa persona mund të kundërshtojnë: «Nganjëherë, njerëzit vuajnë pikërisht sepse bëjnë atë që është e drejtë.» Vërtet dhe kjo ndodhi me apostujt e Jezuit. Megjithatë, edhe pse të persekutuar, ata gëzoheshin dhe vazhdonin «duke shpallur lajmin e mirë: që Jezui është Krishti». (Veprat 5:40-42) Ne mund të nxjerrim mësime të rëndësishme nga kjo. Një prej tyre është se jeta jonë e devotshme nuk garanton gjithmonë një trajtim të mirë. «Në fakt,​—shkroi apostulli Pavël,​—të gjithë ata që duan të jetojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen.» (2. Timoteut 3:12) Arsyeja e kësaj është se Satanai dhe bota e tij janë kundër atyre që jetojnë sipas parimeve të Perëndisë. (Gjoni 15:18, 19; 1. Pjetrit 5:8) Por lumturia e vërtetë nuk varet nga gjërat e jashtme. Përkundrazi, ajo vjen nga bindja se po bëjmë atë që është e drejtë dhe si rrjedhim kemi aprovimin e Perëndisë.​—Mateu 5:10-12; Jakovit 1:2, 3; 1. Pjetrit 4:13, 14.

3. Si duhet të ndikojë adhurimi i Jehovait në jetën e një personi?

3 Ka njerëz që mendojnë se mund të fitojnë favorin e Perëndisë me anë të veprave të devotshme të rastit, por mund ta harrojnë atë në raste të tjera. Adhurimi i vërtetë i Perëndisë Jehova nuk është i tillë. Ai ndikon mbi sjelljen e një personi në të gjitha orët e ditës, ditë pas dite dhe vit pas viti. Ja, përse quhet gjithashtu «Udha». (Veprat 19:9; Isaia 30:21) Ajo është mënyra hyjnore e të jetuarit, që na fton të flasim e të veprojmë në harmoni me Fjalën e Perëndisë.

4. Përse është e dobishme të bëhen ndryshime, në mënyrë që të jetohet sipas rrugëve të Perëndisë?

4 Kur studentët e rinj të Biblës kuptojnë se për t’i pëlqyer Jehovait duhet të bëjnë disa ndryshime në jetën e tyre, mund të pyesin veten: «A është me të vërtetë e vlefshme një jetë e devotshme?» Mund të jesh i sigurt që po. Pse? Sepse «Perëndia është dashuri», prandaj dhe rrugët e tij janë për dobinë tonë. (1. Gjonit 4:8) Perëndia, gjithashtu, është i mençur dhe e di se çfarë është më e mirë për ne. Pasi Perëndia Jehova është i plotfuqishëm, ai mund të na forcojë që të plotësojmë dëshirën tonë për t’i pëlqyer atij, duke braktisur një zakon të keq. (Filipianëve 4:13) Le të shqyrtojmë disa parime që përfshihen në një jetë të devotshme dhe të shohim se si aplikimi i tyre sjell lumturi.

NDERSHMËRIA SJELL LUMTURI

5. Çfarë thotë Bibla në lidhje me gënjeshtrën dhe vjedhjen?

5 Jehovai është «Perëndi i së vërtetës». (Psalmi 31:5) Pa dyshim, ti dëshiron të ndjekësh shembullin e tij dhe të njihesh si një person i drejtë. Ndershmëria bën që të kesh respekt për veten dhe të ndihesh mirë përbrenda. Por, meqenëse mungesa e ndershmërisë është kaq e zakonshme në këtë botë mëkatare, të krishterët duhet të mbajnë mend këtë: «Secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të vet . . . Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë . . . që të ketë t’i japë diçka atij që ka nevojë.» (Efesianëve 4:25, 28) Nëpunësit e krishterë bëjnë një punë të ndershme. Po të mos u japë leje pronari i tyre, ata nuk duhet të marrin gjërat që i përkasin atij. Kudo qoftë, në punë, në shkollë apo në shtëpi, një adhurues i Jehovait duhet të jetë ‘i ndershëm në të gjitha’. (Hebrenjve 13:18, BR) Kushdo që praktikon gënjeshtrën apo vjedhjen nuk mund të fitojë favorin e Perëndisë.​—Ligji i përtërirë 5:19; Zbulesa 21:8.

6. Si mund t’i sjellë lavdi Jehovait, ndershmëria e një personi që bën një jetë të devotshme?

6 Ndershmëria sjell shumë lumturi. Selina është një vejushë e varfër afrikane, që e do Perëndinë Jehova dhe parimet e tij të drejta. Një ditë, ajo gjeti një çantë që përmbante një librezë kursimi dhe një shumë të madhe parash. Duke përdorur një numrator telefonik, ajo mundi të gjente pronarin, një dyqanxhi që e kishin grabitur. Burri nuk mund t’u besonte syve, kur Selina megjithëse mjaft e sëmurë, shkoi tek ai dhe i ktheu gjithçka që përmbante çanta. «Një ndershmëri e tillë duhet shpërblyer»,​—tha ai dhe i dha një shumë parash. Por më e rëndësishme është se ai burrë lavdëroi fenë e Selinës. Po, veprimet e ndershme, janë stoli për mësimet e Biblës, lavdërojnë Perëndinë Jehova dhe u sjellin lumturi adhuruesve të tij të ndershëm.​—Titit 2:10; 1. Pjetrit 2:12.

BUJARIA SJELL LUMTURI

7. Përse është i gabuar bixhozi?

7 Ai që është bujar është i lumtur, ndërsa lakmitarët nuk do ta «trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». (1. Korintasve 6:10) Një formë e zakonshme e lakmisë është bixhozi, që është një përpjekje për të bërë para duke përfituar nga humbja e të tjerëve. Jehovai nuk i aprovon ata që «lakmojnë fitime të paligjshme». (1. Timoteut 3:8) Edhe kur bixhozi është i ligjshëm dhe një person luan thjesht për t’u zbavitur, ai mund të jepet pas kësaj loje e të bëhet nismëtar i një praktike që ka shkatërruar shumë jetë njerëzish. Bixhozi u sjell shpesh vështirësi pjesëtarëve të familjes së atij që luan, të cilët mund të katandisen me aq pak para, sa për të blerë ushqimin dhe veshjen e nevojshme.​—1. Timoteut 6:10.

8. Si na la Jezui një shembull të shkëlqyer të bujarisë dhe si mund të jemi edhe ne bujarë?

8 Për shkak të bujarisë së tyre të përzemërt, të krishterët gjejnë gëzim duke i ndihmuar të tjerët, veçanërisht bashkëbesimtarët që janë në nevojë. (Jakovit 2:15, 16) Përpara se të vinte në tokë, Jezui kishte vërejtur bujarinë e Perëndisë ndaj njerëzimit. (Veprat 14:16, 17) Vetë Jezui dha kohën, aftësitë dhe madje jetën e tij në dobi të njerëzimit. Kështu, ai ishte mjaft i kualifikuar për të thënë: «Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh.» (Veprat 20:35) Jezui foli edhe për vejushën e varfër, e cila me bujari hodhi dy monedha në arkën e thesarit të tempullit, duke dhënë «gjithë sa kishte për të jetuar». (Marku 12:41-44) Izraelitët e lashtë dhe të krishterët e shekullit të parë janë shembuj të bujarisë së gëzueshme në dhënien e kontributeve materiale, për të mbështetur kongregacionin dhe veprën e Mbretërisë. (1. Kronikave 29:9; 2. Korintasve 9:11-14) Përveç ofrimit të kontributeve materiale për qëllime të tilla, të krishterët e sotëm me gëzim i ofrojnë lavdërim Perëndisë dhe e përdorin jetën e tyre në shërbim të tij. (Romakëve 12:1; Hebrenjve 13:15) Jehovai i bekon ata për përdorimin e kohës së tyre, energjisë dhe burimeve të tjera, duke përfshirë edhe të ardhurat e tyre, për të mbështetur adhurimin e vërtetë dhe për të përkrahur veprën botërore të predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë.​—Proverbat 3:9, 10.

FAKTORË TË TJERË QË SJELLIN LUMTURI

9. Përse është e gabuar pirja e tepërt e pijeve alkoolike?

9 Për të qenë të lumtur, të krishterët gjithashtu duhet ‘të ruajnë gjykimin’. (Proverbat 5:1, 2) Kjo kërkon që ata të lexojnë dhe të meditojnë mbi Fjalën e Perëndisë dhe literaturën e shëndetshme biblike. Por ka edhe gjëra që duhen shmangur. Për shembull, pirja e tepërt e pijeve alkoolike mund të bëjë që një person të humbë kontrollin e mendjes. Në një gjendje të tillë, shumë njerëz përfshihen në sjellje imorale, akte të dhunshme dhe shkaktojnë aksidente vdekjeprurëse. S’është për t’u çuditur që Bibla thotë se pijanecët nuk do ta trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë! (1. Korintasve 6:10) Të vendosur për të qëndruar «të kthjellët në mendje», të krishterët e vërtetë shmangin dehjen dhe kjo i ndihmon që të kenë lumturi midis tyre.​—Titit 2:2-6, BR.

10. (a) Përse të krishterët nuk pijnë duhan? (b) Çfarë dobish vijnë nga braktisja e zakoneve pas të cilave jepeshim dikur?

10 Një trup i pastër i kontribuon lumturisë. Megjithatë, shumë veta jepen pas substancave të dëmshme. Për shembull, le të konsiderojmë përdorimin e duhanit. Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se duhani «vret tre milionë njerëz çdo vit». Braktisja e këtij vesi mund të jetë e vështirë, për shkak të simptomave të tërheqjes së përkohshme. Nga ana tjetër, shumë nga ata që kanë lënë duhanin, gëzojnë një shëndet më të mirë dhe kanë më shumë para për nevojat e familjes. Vërtet, mposhtja e vesit të duhanit apo e varësisë nga substanca të tjera të dëmshme, do të krijojë mundësitë për të pasur një trup dhe një ndërgjegje të pastër, si edhe lumturi të vërtetë.​—2. Korintasve 7:1.

LUMTURI NË MARTESË

11. Çfarë kërkohet për të pasur një martesë ligjore, të nderuar dhe të qëndrueshme?

11 Ata që jetojnë së bashku, si burrë e grua, duhet të sigurohen që martesa e tyre të jetë regjistruar në përputhje me kërkesat e ligjit civil. (Marku 12:17) Gjithashtu, ata duhet ta konsiderojnë lidhjen e tyre si një përgjegjësi serioze. Në fakt, ndarja mund të jetë e nevojshme në rastet kur bashkëshortët nuk e mbështesin me qëllim njëri-tjetrin, kur abuzohet në mënyrë ekstreme apo kur rrezikohet shumë gjendja frymore. (1. Timoteut 5:8; Galatasve 5:19-21) Por fjalët e apostullit Pavël në 1. Korintasve 7:10-17, i inkurajojnë të martuarit që të qëndrojnë së bashku. Sigurisht, për të pasur lumturi të vërtetë, ata duhet t’i qëndrojnë besnikë njëri-tjetrit. Pavli shkroi: «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.» (Hebrenjve 13:4) Me termin «shtrati martesor» nënkupton marrëdhëniet seksuale midis një burri dhe një gruaje që janë martuar ligjërisht. Asnjë marrëdhënie tjetër seksuale, si për shembull poligamia, nuk mund të konsiderohet «e nderuar nga të gjithë». Përveç kësaj, Bibla dënon marrëdhëniet e parakohshme dhe homoseksualizmin.​—Romakëve 1:26, 27; 1. Korintasve 6:18.

12. Cilat janë disa nga pasojat e këqija të kurvërisë?

12 Kurvëria mund të sjellë kënaqësi fizike për disa momente, por nuk përfundon në lumturi të vërtetë. Ajo zemëron Jehovain dhe mund të lërë brengë në ndërgjegjen e personit. (1. Selanikasve 4:3-5) Pasoja të trishtueshme të marrëdhënieve të paligjshme seksuale mund të jenë SIDA dhe sëmundje të tjera të transmetuara në rrugë seksuale. Një raport mjekësor deklaron: «Është llogaritur se më shumë se 250 milion njerëz në të gjithë botën, infektohen çdo vit me gonorre dhe rreth 50 milion me sifiliz.» Gjithashtu, ekziston edhe problemi i shtatzënive të padëshirueshme. Federata Ndërkombëtare e Planifikimit Familjar raporton se në të gjithë botën, më shumë se 15 milionë vajza të moshës nga 15 deri 19 vjeç mbeten shtatzëna çdo vit dhe një e treta e tyre i drejtohet abortit. Një studim ka treguar se në një vend të Afrikës, ndërlikimet gjatë abortit shkaktojnë 72 përqind të të gjitha vdekjeve midis vajzave adoleshente. Disa prej atyre që bëjnë kurvëri, mund t’i shpëtojnë sëmundjes apo shtatzënisë, por jo dëmit emocional. Shumë veta humbin respektin për veten, madje e urrejnë veten.

13. Cilat janë disa nga problemet e tjera që shkakton tradhtia bashkëshortore dhe çfarë i pret ata që vazhdojnë të kryejnë kurvëri dhe tradhti bashkëshortore?

13 Edhe pse tradhtia bashkëshortore mund të falet, sipas Biblës, për bashkëshortin e pafajshëm ajo është një bazë e vlefshme për ndarje. (Mateu 5:32; krahaso Hozean 3:1-5.) Nëse ky lloj imoraliteti sjell prishjen e martesës, mund të lërë te bashkëshorti i pafajshëm dhe te fëmijët, brenga të thella emocionale. Fjala e Perëndisë tregon se për të mirën e familjes njerëzore, mbi ata që bëjnë kurvëri dhe tradhtarët e papenduar bashkëshortorë do të vijë gjykimi i rëndë i Perëndisë. Përveç kësaj, ajo tregon se ata që praktikojnë imoralitetin «nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë».​—Galatasve 5:19, 21.

«ATA NUK JANË PREJ BOTËS»

14. (a) Cilat janë disa nga format e idhujtarisë, që duhet të shmangë një person që bën një jetë të devotshme? (b) Çfarë udhëheqje na siguron Gjoni 17:14 dhe Isaia 2:4?

14 Ata që dëshirojnë t’i pëlqejnë Jehovait dhe të gëzojnë bekimet e Mbretërisë shmangin çdo lloj idhujtarie. Bibla tregon se është e gabuar të bësh e të adhurosh shëmbëlltyra, duke përfshirë edhe ato për Jezu Krishtin apo për nënën e tij, Marijen. (Të Dalët 20:4, 5; 1. Gjonit 5:21) Pra, të krishterët e vërtetë nuk duhet të adhurojnë ikonat, kryqin dhe shëmbëlltyrat. Ata shmangin, gjithashtu, edhe forma të tjera të stërholluara idhujtarie, si aktet e devotshmërisë ndaj flamujve dhe këndimin e himneve që lavdërojnë kombet. Kur u bëhet presion për të kryer akte të tilla, ata kujtojnë fjalët që Jezui i tha Satanait: «Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij.» (Mateu 4:8-10) Jezui tha se ithtarët e tij «nuk janë prej botës». (Gjoni 17:14) Kjo do të thotë të jesh asnjanës në çështjet politike dhe të jetosh në mënyrë paqësore, në harmoni me Isaian 2:4, që thotë: «Ai [Perëndia Jehova] do të sigurojë drejtësi midis kombeve dhe do të qortojë shumë popuj. Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.»

15. Ç’është Babilonia e Madhe dhe çfarë bëjnë shumë studentë të rinj të Biblës për të dalë prej saj?

15 ‘Të mos jesh prej botës’ do të thotë, gjithashtu, të shkëputësh çdo shoqëri me «Babiloninë e Madhe», perandorinë botërore të fesë së rreme. Adhurimi i papastër, i përhapur nga Babilonia e lashtë deri më sot, pati një ndikim të dëmshëm frymor mbi popujt e të gjithë botës. «Babilonia e Madhe» përfshin të gjitha fetë, doktrinat dhe praktikat e të cilave nuk janë në harmoni me njohurinë e Perëndisë. (Zbulesa 17:1, 5, 15) Asnjë adhurues besnik i Jehovait nuk duhet të përzihet në aktivitetet e besimit të tyre, duke marrë pjesë në adhurim me fetë e ndryshme apo duke pasur miqësi frymore me ndonjë pjesë të Babilonisë së Madhe. (Numrat 25:1-9; 2. Korintasve 6:14) Prandaj, shumë studentë të rinj të Biblës u dërgojnë një letër dorëheqjeje organizatave fetare në të cilat bënin pjesë. Kjo i ka afruar më shumë me Perëndinë e vërtetë, sikurse ai premtoi: «Dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj.» (2. Korintasve 6:17; Zbulesa 18:4, 5) A nuk dëshiron edhe ti me forcë një pranim të tillë nga Ati ynë qiellor?

TË SHQYRTOJMË FESTAT VJETORE

16. Përse të krishterët e vërtetë nuk i festojnë Krishtlindjet?

16 Një jetë e devotshme na liron edhe nga festimet e shumta dhe të rënda botërore. Për shembull, Bibla nuk tregon me saktësi datën e lindjes së Krishtit. «Unë mendoja se Jezui ka lindur më 25 dhjetor!»​—mund të këmbëngulë dikush. Kjo nuk është e mundur, sepse ai vdiq në pranverë të vitit 33 të e.s., në moshën 33 vjet e gjysmë. Për më tepër, në kohën e lindjes së tij, barinjtë «rrinin jashtë në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre». (Luka 2:8) Në Izrael, fundi i dhjetorit është i ftohtë dhe një stinë shirash, gjatë së cilës delet duhen mbajtur nën strehë për t’i mbrojtur nga moti i dimrit. Në fakt, 25 dhjetori ishte caktuar nga romakët si ditëlindja e perëndisë së tyre diell. Shekuj më vonë, pas ardhjes së Jezuit në tokë, të krishterët apostatë e adoptuan këtë datë për festimin e lindjes së Krishtit. Për këtë arsye, të krishterët e vërtetë nuk i festojnë Krishtlindjet, apo ndonjë tjetër festë të bazuar në besimet e fesë së rreme. Duke qenë se i japin Jehovait devotshmëri të veçantë, ata nuk i ndjekin festat që kthejnë në idhuj kombe apo njerëz mëkatarë.

17. Përse njerëzit që bëjnë një jetë të devotshme, nuk i festojnë ditëlindjet dhe përse fëmijët e krishterë në çdo rast janë të lumtur?

17 Bibla përmend në mënyrë specifike vetëm dy festime ditëlindjesh, ku në të dyja përfshihen njerëz që nuk i shërbenin Perëndisë. (Zanafilla 40:20-22; Mateu 14:6-11) Pasi Shkrimet nuk e zbulojnë ditën e lindjes së njeriut të përsosur Jezu Krishtit, përse duhet t’u japim një vëmendje të veçantë ditëlindjeve të njerëzve të papërsosur? (Eklisiastiu 7:1) Sigurisht, prindërit e krishterë nuk presin një ditë të veçantë që t’u tregojnë dashuri fëmijëve të tyre. Një vajzë e krishterë 13-vjeçare tregoi: «Unë dhe familja ime zbavitemi shumë. . . . Jam shumë e lidhur me prindërit e mi dhe kur fëmijët e tjerë më pyesin se përse nuk i festojmë festat, unë u them se për mua çdo ditë është festë.» Një i ri i krishterë 17-vjeçar tha: «Në shtëpinë tonë ne japim dhurata shumë herë gjatë vitit.» Lumturia më e madhe është kur dhuratat jepen në mënyrë spontane.

18. Cilin kremtim vjetor urdhëroi Jezui që të mbanin ithtarët e tij dhe çfarë na kujton ai?

18 Për ata që bëjnë një jetë të devotshme, çdo vit ka një ditë që respektohet në mënyrë të veçantë. Ajo është Darka e Zotërisë, që quhet shpesh Përkujtimi i vdekjes së Krishtit. Në lidhje me të, Jezui i urdhëroi ithtarët e tij: «Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.» (Luka 22:19, 20; 1. Korintasve 11:23-25) Kur Jezui e caktoi këtë darkë, natën e 14 nisanit të vitit 33 të e.s., përdori bukë pa maja dhe verë të kuqe, duke paraqitur trupin e tij njerëzor pa mëkat dhe gjakun e tij të përsosur. (Mateu 26:26-29) Këto emblema merren nga të krishterët e mirosur me frymën e shenjtë të Perëndisë. Ata janë të përfshirë në besëlidhjen e re dhe në besëlidhjen për Mbretëri dhe kanë një shpresë qiellore. (Luka 12:32; 22:20, 28-30; Romakëve 8:16, 17; Zbulesa 14:1-5) Megjithatë, nxjerrin dobi edhe të gjithë ata që janë të pranishëm në mbrëmjen që i korrespondon 14 nisanit sipas kalendarit të lashtë hebre. Ato na kujtojnë dashurinë e treguar nga Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti, përmes sakrificës shpërblerëse të larjes së mëkatit, duke bërë kështu të mundur jetën e përhershme për ata që kanë favorin hyjnor.​—Mateu 20:28; Gjoni 3:16.

PUNA DHE ZBAVITJA

19. Çfarë problemi ndeshin të krishterët në sigurimin e mjeteve të jetesës?

19 Të krishterëve u duhet të punojnë shumë dhe të marrin masa për sigurimin e nevojave të tyre. Plotësimi i kësaj detyre i sjell kryetarit të familjes një ndjenjë kënaqësie. (1. Selanikasve 4:11, 12) Sigurisht, nëse puna e një të krishteri do të binte ndesh me Biblën, kjo nuk do t’i sillte lumturi. Por disa herë, një i krishterë e ka të vështirë të gjejë një punë që është në harmoni me standardet e Biblës. Për shembull, disa pronarë kërkojnë që punëtorët e tyre të mashtrojnë blerësit. Nga ana tjetër, për të respektuar ndërgjegjen e një punëtori të ndershëm, shumë pronarë bëjnë lëshime, pasi nuk duan të humbasin një punëtor të besueshëm. Megjithatë, sido që të shkojnë punët, mund të jesh i sigurt se Perëndia do t’i bekojë përpjekjet e tua për të gjetur një punë që do të të linte me ndërgjegje të pastër.​—2. Korintasve 4:2.

20. Përse të krishterët janë seleksionues në zgjedhjen e zbavitjeve?

20 Pasi Perëndia do që shërbëtorët e tij të jenë të lumtur, ne duhet ta ekuilibrojmë punën e vështirë me periudha freskimi, duke pushuar e duke u dëfryer. (Marku 6:31; Eklisiastiu 3:12, 13) Bota e Satanait nxit mënyra zbavitjeje që janë në kundërshtim me normat hyjnore. Por, që t’i pëlqejmë Perëndisë duhet të jemi seleksionues në librat që lexojmë, në programet e radios dhe të muzikës që dëgjojmë si edhe në koncertet, filmat, shfaqjet teatrale, programet televizive dhe videot që shikojmë. Nëse zbavitjet që bënim në të kaluarën, bien ndesh me paralajmërimet e dhëna në shkrime të tilla, si Ligji i përtërirë 18:10-12, Psalmi 11:5 dhe Efesianëve 5:3-5, do t’i pëlqejmë Perëndisë dhe do të jemi më të lumtur nëse do të bëjmë rregullimet e duhura.

RESPEKT PËR JETËN DHE GJAKUN

21. Si duhet të ndikojë respekti për jetën në pikëpamjen tonë mbi abortin, si dhe mbi sjelljen dhe zakonet tona?

21 Për të fituar lumturinë e vërtetë, duhet ta konsiderojmë jetën të shenjtë, ashtu si e konsideron edhe Jehovai. Fjala e tij e ndalon vrasjen. (Mateu 19:16-18) Në fakt, ligji që Perëndia i dha Izraelit, tregon se ai e konsideron fetusin si jetë të çmuar dhe jo si diçka për t’u shkatërruar. (Të Dalët 21:22, 23) Për këtë arsye, ne nuk duhet ta konsiderojmë jetën si diçka pa vlerë, duke pirë duhan, duke abuzuar mbi trupin tonë me drogën dhe alkoolin apo duke rrezikuar në mënyrë të panevojshme. Nuk duhet të angazhohemi në ndonjë punë që kërcënon jetën dhe s’duhet t’i shpërfillim masat e marra për mbrojtje, gjë që mund të na bëjë fajtorë për gjakun.​—Ligji i përtërirë 22:8.

22. (a) Cila është pikëpamja hyjnore mbi gjakun dhe përdorimin e tij? (b) Vetëm gjaku i kujt është me të vërtetë jetëshpëtues?

22 Jehovai i tha Noes dhe familjes së tij se gjaku paraqet shpirtin ose jetën. Prandaj, Perëndia i ndaloi të hanin ndonjë ushqim të përzier me gjak. (Zanafilla 9:3, 4) Pasi jemi pasardhësit e tyre, ai ligj vlen për të gjithë ne. Jehovai u tha izraelitëve se gjaku duhej derdhur përtokë dhe nuk duhej përdorur për qëllimet e njerëzve. (Ligji i përtërirë 12:15, 16) Ky ligj i Perëndisë mbi gjakun, u përsërit kur të krishterët e shekullit të parë morën udhëzimin: «Hiqni dorë . . . nga gjaku.» (Veprat 15:28, 29) Për shkak të respektit për shenjtërinë e jetës, populli i Perëndisë nuk e pranon transfuzionin e gjakut, edhe kur të tjerët ngulin këmbë se një procedurë e tillë është jetëshpëtuese. Shumë alternativa mjekësore të pranuara nga Dëshmitarët e Jehovait kanë provuar se janë mjaft të efektshme dhe e ruajnë personin nga rreziqet që vijnë prej transfuzionit të gjakut. Të krishterët e dinë se vetëm gjaku i derdhur i Jezuit është në të vërtetë jetëshpëtues. Besimi në të siguron faljen dhe perspektivën e jetës së përhershme.​—Efesianëve 1:7.

23. Cilat janë disa nga shpërblimet e një jete të devotshme?

23 Siç është e qartë, një jetë e devotshme kërkon përpjekje. Për hir të saj, anëtarët e familjes apo të njohurit mund të na tallin. (Mateu 10:32-39; 1. Pjetrit 4:4) Por një jete e tillë ka shpërblime shumë më të mëdha se çdo provë. Ajo sjell si rezultat një ndërgjegje të pastër dhe siguron një shoqëri të shëndetshme me adhuruesit e tjerë të Jehovait. (Mateu 19:27, 29) Por, imagjino edhe jetën e përhershme në botën e re e të drejtë të Perëndisë. (Isaia 65:17, 18) Sa gëzimi kemi kur plotësojmë këshillën e Biblës, duke gëzuar kështu zemrën e Jehovait. (Proverbat 27:11) S’është për t’u habitur që një jetë e devotshme sjell lumturi!​—Psalmi 128:1, 2.

PROVO NJOHURINË

Cilat janë disa nga arsyet që një jetë e devotshme sjell lumturi?

Çfarë ndryshimesh mund të kërkojë një jetë e devotshme?

Përse dëshiron të bësh një jetë të devotshme?

[Pyetjet]

[Figura në faqet 124, 125]

Ekuilibrimi i aktiviteteve frymore me periudhat e pushimit, mund të rrisë lumturinë e atyre që bëjnë një jetë të devotshme