Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ndërtojmë një familje që nderon Perëndinë

Të ndërtojmë një familje që nderon Perëndinë

Kapitulli 15

Të ndërtojmë një familje që nderon Perëndinë

1-3. Si mund të ndihmojë Bibla për zgjidhjen e problemeve të zakonshme në martesë apo kur bëhesh prind?

TA ZËMË se mendon të ndërtosh një shtëpi. Në fillim blen tokën. Me një përfytyrim të gjallë, mund të imagjinosh shtëpinë tënde të re. Por, ç’mund të themi nëse nuk i ke mjetet e nevojshme dhe aftësinë ndërtuese? Çfarë zhgënjimi do të pësonin përpjekjet e tua!

2 Shumë çifte e fillojnë martesën, duke përfytyruar një familje të lumtur, megjithëse nuk i kanë as mjetet dhe as aftësitë e nevojshme për ta ndërtuar atë. Pak pas ditës së dasmës, shfaqen shenjat e një sjelljeje negative. Zënkat dhe grindjet bëhen një zakon i përditshëm. Kur lindin fëmijët, nëna dhe babai i ri zbulojnë se u mungon aftësia për të qenë prindër, ashtu si u ka munguar edhe aftësia për të pasur një martesë të lumtur.

3 Por, lumturisht, Bibla mund të na ndihmojë. Parimet e saj janë si mjetet që të ndihmojnë për të ndërtuar një familje të lumtur. (Proverbat 24:3) Le të shohim se si përmbushet kjo.

MJETET PËR NDËRTIMIN E NJË MARTESE TË LUMTUR

4. Përse problemet në martesë janë diçka që priten dhe me çfarë mund të konsultohen çiftet për të pasur një udhëheqje?

4 Pavarësisht se sa mirë mund t’i përshtaten njëri-tjetrit dy persona të martuar, ata ndryshojnë nga ndërtimi emocional, përvojat e fëmijërisë dhe mjedisi familjar. Prandaj, pritet që pas martesës të lindin disa probleme. Si duhet të trajtohen ato? Për shembull, kur ndërtuesit bëjnë konstruktin e një shtëpie, ata konsultojnë planet e arkitekturës. Këto janë udhëzues që duhen ndjekur. Bibla na ka siguruar standardet e Perëndisë për ndërtimin e një familjeje të lumtur. Le të shqyrtojmë disa prej tyre.

5. Si e thekson Bibla rëndësinë e besnikërisë në martesë?

5 Besnikëria. Jezui tha: «Atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.» * (Mateu 19:6) Apostulli Pavël shkroi: «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.» (Hebrenjve 13:4) Prandaj, personat e martuar duhet të ndiejnë detyrimin ndaj Perëndisë për t’i qëndruar besnikë njëri-tjetrit.​—Zanafilla 39:7-9.

6. Si do të ndihmonte besnikëria në ruajtjen e martesës?

6 Besnikëria i jep martesës dinjitet dhe siguri. Bashkëshortët besnikë e dinë se çfarëdo që të ndodhë, do ta mbështesin njëri-tjetrin. (Eklisiastiu 4:9-12) Sa ndryshon kjo prej atyre që e braktisin martesën me të parin problem të vogël që ndeshin! Individë të tillë, arrijnë shpejt në përfundimin se kanë «zgjedhur një person të gabuar», se ata «nuk mund ta duan më njëri-tjetrin», se një bashkëshort i ri është zgjidhja. Por një përfundim i tillë nuk i jep asnjërit prej bashkëshortëve mundësinë për t’u zhvilluar emocionalisht. Në vend të kësaj, persona të tillë jobesnikë, mund t’ua përcjellin të njëjtat probleme partnerëve të rinj. Një çati e shpuar nuk mund të riparohet duke mos e përfillur atë problem, duke zëvendësuar mobiljet apo duke ndërruar shtëpinë. As ndërrimi i bashkëshortit nuk mund t’i zgjidhë çështjet që janë burimi i grindjeve martesore. Kur lindin probleme, mos kërko që t’i japësh fund martesës, por përpiqu me zell për ta ruajtur atë. Një besnikëri e tillë, e konsideron martesën si diçka të vlefshme për t’u mbrojtur, ruajtur apo mbajtur.

7. Përse komunikimi është shpesh i vështirë për ata që janë të martuar, por si mund të ndihmojë veshja e «personalitetit të ri»?

7 Komunikimi. «Planet dështojnë aty ku nuk ka një të folur të besueshëm»,​—thotë Bibla. (Proverbat 15:22, BR) Megjithatë, komunikimi është i vështirë për disa çifte të martuar. Pse? Sepse njerëzit kanë mënyra të ndryshme komunikimi, fakt që shpesh shkakton një keqkuptim dhe zhgënjim të madh. Edukimi mund të jetë një nga shkaqet që i kontribuon një komunikimi të varfër. Për shembull, disa mund të jenë rritur në një ambient ku gjithmonë ka pasur grindje familjare. Tani që janë të rritur dhe të martuar, mund të mos dinë se si t’i flasin me dashuri bashkëshortit të tyre. Megjithatë, shtëpia juaj nuk duhet të përfundojë në një «shtëpi plot me grindje». (Proverbat 17:1) Bibla vë theksin në veshjen e «personalitetit të ri» dhe nuk e lejon zemërimin e lig, të folurin fyes dhe çjerrës.​—Efesianëve 4:22-24, 31.

8. Çfarë mund të të ndihmojë kur ke mosmarrëveshje me bashkëshortin tënd?

8 Çfarë mund të bësh kur lindin mosmarrëveshje? Nëse zemërimi fillon të ndizet, do të bëje mirë të ndiqje këshillën e Proverbave 17:14: «Ndërprite grindjen përpara se të acarohet.» Po, ju mund ta ndërprisni diskutimin për më vonë, kur që të dy, ti dhe bashkëshorti yt, të jeni më të qetë. (Eklisiastiu 3:1, 7) Në çdo rast, përpiqu të jesh «i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim». (Jakovit 1:19) Qëllimi yt duhet të jetë ndreqja e situatës dhe jo të ngulësh këmbë mbi argumentin. (Zanafilla 13:8, 9) Zgjidh fjalët dhe një mënyrë të foluri që do të të qetësonte ty dhe bashkëshortin tënd. (Proverbat 12:18; 15:1, 4; 29:11) Mbi të gjitha, mos qëndroni në një gjendje të zemëruar, por kërkoni ndihmë, duke komunikuar me Perëndinë me anë të një lutjeje të përulur së bashku si çift.​—Efesianëve 4:26, 27; 6:18.

9. Përse mund të thuhet se komunikimi fillon në zemër?

9 Një proverb i Biblës thotë: «Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij.» (Proverbat 16:23) Pra, me të vërtetë, çelësi i komunikimit të suksesshëm është në zemrën e njeriut dhe jo në gojën e tij. Cili është qëndrimi yt ndaj bashkëshortit tënd? Bibla i inkurajon të krishterët të tregojnë «ndjenja të njëjta». (1. Pjetrit 3:8, BR) A mund ta bësh këtë kur partneri yt përjeton një gjendje ankthi e shqetësimi? Nëse po, kjo do të të ndihmojë që të dish se si t’i përgjigjesh.​—Isaia 50:4.

10, 11. Si mund ta aplikojë një burrë këshillën e 1. Pjetrit 3:7?

10 Nderimi dhe respekti. Burrave të krishterë, u është thënë të jetojnë me gratë e tyre «sipas njohurisë, duke u dhënë atyre nderim si një ene më të dobët e delikate». (1. Pjetrit 3:7, BR) Nderimi i gruas përfshin njohjen e vlerave të saj. Një burrë që jeton me gruan e tij «sipas njohurisë», do të ketë çmueshmëri të lartë për ndjenjat, fuqinë, inteligjencën dhe dinjitetin e saj. Ai do të mësojë, gjithashtu, mënyrën se si Jehovai i sheh gratë dhe se si dëshiron ai që të trajtohen ato.

11 Në shtëpinë e re që ke ndërtuar, le të mendojmë se ke një vazo mjaft të dobishme, por që është veçanërisht delikate. A nuk do ta trajtoje me kujdes të madh? Kështu, Pjetri e përdori termin «enë më e dobët» për të njëjtin kuptim dhe kjo duhet ta nxisë një bashkëshort të krishterë që të përkujdeset me dhembshuri për gruan e tij të dashur.

12. Si mund të tregojë një grua se e respekton thellësisht burrin e saj?

12 Por çfarë këshille i jep Bibla gruas? Pavli shkroi: «Gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» (Efesianëve 5:33, BR) Ashtu si një grua ka nevojë të ndiejë se burri i saj e nderon dhe e do shumë, edhe një burrë ka nevojë të ndiejë se gruaja e tij e respekton. Një grua e respektueshme, nuk do të veprojë pa mend, duke përhapur tek të tjerët të metat e burrit të saj, qoftë ai i krishterë ose jo. Ajo nuk do ta ulë dinjitetin e tij, duke e kritikuar apo nënvlerësuar atë në ambiente private ose publike.​—1. Timoteut 3:11; 5:13.

13. Si mund të shprehen pikëpamjet në një mënyrë sa më paqësore?

13 Kjo nuk do të thotë se një grua nuk mund të shprehë mendimet e saj. Nëse diçka e shqetëson, ajo me respekt mund t’i shprehet të shoqit. (Zanafilla 21:9-12) Parashtrimi i një ideje burrit të saj, mund të krahasohet me hedhjen e një topi. Ajo mund ta hedhë atë me të butë, në mënyrë që ai ta ketë të lehtë për ta kapur, ose mund ta flakë me aq forcë, sa i shoqi mund të lëndohet. Sa gjë e mirë është kur burri dhe gruaja i shmangin akuzat që ngjajnë me flakjen me forcë të një topi dhe në vend të kësaj flasin në mënyrë të dashur dhe të butë!​— Mateu 7:12; Kolosianëve 4:6; 1. Pjetrit 3:3, 4.

14. Çfarë duhet të bësh nëse bashkëshorti yt tregon pak interes në lidhje me aplikimin e parimeve të Biblës në martesë?

14 Sikurse kemi parë, parimet e Biblës mund të të ndihmojnë për të ndërtuar një martesë të lumtur. Por, ç’mund të themi nëse burri yt tregon pak interes mbi atë që thotë Bibla. Megjithatë, mund të arrish shumë nëse zbaton njohurinë që ke mbi atë që thotë Perëndia për rolin tënd. Pjetri shkroi: «Ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre, kur të shohin sjelljen tuaj të dlirë dhe me frikë.» (1. Pjetrit 3:1, 2) Sigurisht e njëjta gjë duhet zbatuar edhe në rastin e një bashkëshorti, gruaja e të cilit është indiferente ndaj Biblës. Pavarësisht nga ajo që dëshiron të bëjë bashkëshorti yt, lejo që parimet e Biblës të të bëjnë ty një partner më të mirë. Njohuria e Perëndisë, mund të të bëjë, gjithashtu, një prind më të mirë.

TË RRITIM FËMIJËT SIPAS NJOHURISË SË PERËNDISË

15. Si janë trashëguar disa herë metodat e gabuara të prindërve, por ç’mund të bëjmë për të ndryshuar?

15 Vetëm zotërimi i një sharre apo i një çekiçi nuk e bën dikë një marangoz të aftë. Në mënyrë të ngjashme, thjesht të kesh fëmijë, nuk do të thotë se je një prind i aftë. Me vetëdije apo pavetëdije, prindërit shpesh i rritin fëmijët e tyre në mënyrën që ata vetë janë rritur. Kështu, metodat e gabuara të prindërve, kanë kaluar shpesh nga njëri brez në tjetrin. Një proverb i lashtë hebre thotë: «Rrushin e papjekur e hanë etërit, por dhëmbët u mpihen bijve.» Megjithatë, shkrimet tregojnë se një person nuk duhet të ndjekë kursin e vendosur nga prindërit e tij. Ai mund të zgjedhë një shteg të ndryshëm, atë të ndikuar nga statutet e Jehovait.​—Ezekieli 18:2, 14, 17.

16. Përse është e rëndësishme të marrësh masa sigurimi për familjen tënde dhe çfarë përfshin kjo?

16 Jehovai pret që prindërit e krishterë t’u japin fëmijëve udhëheqjen dhe kujdesin e duhur. Pavli shkroi: «Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.» (1. Timoteut 5:8) Çfarë fjalësh të fuqishme! Plotësimi i rolit si furnizues, gjë që përfshin kujdesin për nevojat fizike, frymore dhe emocionale të fëmijëve, është privilegj dhe përgjegjësi për një person të devotshëm. Bibla siguron parime që mund t’i ndihmojnë prindërit për të ndërtuar një ambient të gëzueshëm për fëmijët e tyre. Le të shqyrtojmë disa prej këtyre.

17. Çfarë është e nevojshme që fëmijët e tu ta kenë ligjin e Perëndisë në zemrat e tyre?

17 Lini një shembull të shkëlqyer. Prindërit izraelitë u urdhëruan: «Do t’ua ngulitësh [fjalët e Perëndisë] bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» Prindërit duhet t’u mësojnë standardet e Perëndisë fëmijëve të tyre. Por ky paralajmërim u paratha në deklaratën: «Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde.» (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Po, prindërit nuk mund të japin atë që nuk kanë. Ligjet e Perëndisë duhen ngulitur së pari në zemrat tuaja, prindër, nëse doni që ato të shkruhen në zemrën e fëmijëve tuaj.​—Proverbat 20:7; krahaso Luka 6:40.

18. Në ç’mënyrë Jehovai u ka lënë prindërve një shembull të mrekullueshëm në shprehjen e dashurisë?

18 Jepni siguri të dashurisë suaj. Në pagëzimin e Jezuit, Jehovai deklaroi: «Ti je biri im, i dashuri; Ty të kam miratuar.» (Luka 3:22, BR) Jehovai e njohu kështu birin e tij, duke i shprehur lirisht miratimin e tij e duke i dhënë siguri të dashurisë së tij. Më vonë Jezui i tha Atit të tij: «Ti më ke dashur para themelimit të botës.» (Gjoni 17:24) Prandaj, si prindër të devotshëm, jepuni fëmijëve tuaj shprehje gojore dhe fizike të dashurisë suaj dhe këtë bëjeni shpesh. Kujtoni gjithmonë se «dashuria ndërton».​—1. Korintasve 8:1.

19, 20. Çfarë përfshihet në disiplinimin e përshtatshëm të fëmijëve dhe si mund të përfitojnë prindërit nga shembulli i Jehovait?

19 Disiplina. Bibla thekson rëndësinë e disiplinimit me dashuri. (Proverbat 1:8) Prindërit që i shmangen përgjegjësisë së tyre për t’u dhënë drejtim fëmijëve sa janë të vegjël, në të ardhmen me siguri do t’i brejë ndërgjegjja. Gjithashtu, prindërit paralajmërohen për të mos shkuar në ekstremin tjetër. «Ju etër,​—shkroi Pavli,​—mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.» (Kolosianëve 3:21) Prindërit nuk duhet ta teprojnë në korrigjimin e fëmijëve të tyre, duke i ngacmuar vazhdimisht për gabimet, si edhe duke i kritikuar përpjekjet e tyre.

20 Perëndia Jehova, Ati ynë qiellor, la shembull në dhënien e disiplinës. Korrigjimi i tij nuk është kurrë i tepërt. «Do të të ndëshkoj me një masë të drejtë»,​—i tha Perëndia popullit të tij. (Jeremia 46:28) Prindërit duhet të imitojnë Jehovain në lidhje me këtë. Disiplina që i kapërcen kufijtë e arsyes apo që shkon përtej qëllimit të parashikuar të korrigjimit dhe mësimit, sigurisht që është acaruese.

21. Si mund të përcaktojnë prindërit nëse disiplina e tyre është e efektshme?

21 Si mund ta përcaktojnë prindërit nëse disiplina e tyre është e efektshme? Ata mund të pyesin veten: «Për çfarë shërben disiplina ime?» Ajo duhet të mësojë. Fëmija yt duhet ta kuptojë se përse i është dhënë disiplina. Prindërit, gjithashtu, duhet të interesohen mbi efektet e mëvonshme të korrigjimit të tyre. Është e vërtetë që pothuaj të gjithë fëmijët fillimisht pezmatohen nga disiplina. (Hebrenjve 12:11) Por ajo nuk duhet të shkaktojë kurrë që një fëmijë të ndihet i frikësuar, i braktisur, apo t’i lërë atij përshtypjen se është i lig nga natyra. Përpara se ta korrigjonte popullin e tij, Jehovai tha: «Mos u tremb, . . . sepse unë jam me ty.» (Jeremia 46:28) Po, korrigjimi duhet bërë në atë mënyrë që fëmija juaj të ndiejë se jeni me të, si prindër të dashur e mbrojtës.

TË SIGUROHET NJË «DREJTIM I AFTË»

22, 23. Si mund të sigurosh drejtimin e duhur për ndërtimin e një familjeje të lumtur?

22 Ne mund të jemi mirënjohës që Jehovai na ka siguruar mjetet e nevojshme për të ndërtuar një familje të lumtur. Por vetëm zotërimi i mjeteve nuk është i mjaftueshëm. Duhet të mësojmë t’i përdorim ato në mënyrë të përshtatshme. Për shembull, një ndërtues mund të mos jetë i aftë në përdorimin e veglave të tij. Ai mund t’i përdorë disa prej tyre në një mënyrë krejtësisht të gabuar. Në kushte të tilla, ka shumë mundësi që metodat e tij të sjellin rezultate të dobëta. Në mënyrë të ngjashme, ti mund të jesh tani i vetëdijshëm mbi zakonet e dëmshme që kanë hyrë brenda familjes tënde. Disa mund të jenë ngulitur fort dhe është e vështirë të ndryshohen. Megjithatë, ndiq këshillën e Biblës: «Një person i mençur do të dëgjojë dhe do të fitojë më shumë dituri dhe njeri i zgjuar është ai që siguron një udhëheqje të aftë.»​—Proverbat 1:5.

23 Mund të sigurosh një drejtim të aftë, duke vazhduar të rritesh në njohurinë e Perëndisë. Ji vigjilent ndaj parimeve të Biblës që aplikohen në jetën familjare dhe bëj rregullimet e nevojshme. Vëzhgo të krishterët e pjekur që lënë një shembull të shkëlqyer si bashkëshortë dhe si prindër. Bisedo me ta. Mbi të gjitha, shprehja shqetësimet e tua Jehovait në lutje. (Psalmi 55:22; Filipianëve 4:6, 7) Ai mund të të ndihmojë që të gëzosh një jetë të lumtur familjare që e nderon atë.

[Shënimi]

^ par. 5 E vetmja bazë biblike për divorc që lejon të martohesh përsëri është «kurvëria»: marrëdhëniet seksuale jashtë martesës.​—Mateu 19:9.

PROVO NJOHURINË

Në ç’mënyrë kontribuojnë për një martesë të lumtur, besnikëria, komunikimi dhe respekti?

Në cilat mënyra prindërit mund t’i sigurojnë fëmijët për dashurinë e tyre?

Çfarë faktorësh përfshin një disiplinë e përshtatshme?

[Pyetjet]

[Figura që zë gjithë faqen 147]