Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ti mund të kesh një të ardhme të lumtur!

Ti mund të kesh një të ardhme të lumtur!

Kapitulli 1

Ti mund të kesh një të ardhme të lumtur!

1, 2. Çfarë dëshiron Krijuesi yt për ty?

PËRQAFIMI i ngrohtë i një njeriu të dashur. E qeshura e përzemërt gjatë një dreke të mirë, në shoqëri me miqtë e dashur. Kënaqësia për të parë fëmijët tek luajnë me gëzim. Çaste të tilla janë momente të lumtura në jetë. Megjithatë, për shumë njerëz duket sikur jeta paraqet njërin pas tjetrit probleme serioze. Nëse ka ndodhur edhe me ty kështu, merr zemër!

2 Vullneti i Perëndisë është që ti të gëzosh lumturi të përhershme në kushte mjaft të mira e në një ambient të mrekullueshëm. Kjo nuk është vetëm një ëndërr, sepse në fakt Perëndia po të ofron çelsin për një të ardhme të tillë të lumtur. Ky çelës është njohuria.

3. Cila njohuri është çelësi i lumturisë dhe përse mund të jemi të sigurt se Perëndia mund ta sigurojë këtë njohuri?

3 E kemi fjalën për një lloj të veçantë njohurie, e cila shkon përtej mençurisë njerëzore. Kjo është «vetë njohuria e Perëndisë». (Proverbat 2:5, BR) Pothuajse 2.000 vjet më parë, një shkrimtar i Biblës tha: «Çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt, por ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.» (Hebrenjve 3:4) Mendo pak se ç’njohuri duhet të zotërojë Krijuesi i çdo gjëje! Bibla thotë se Perëndia i numëron dhe i thërret me emër të gjitha yjet. Sa mendim marramendës, po të kujtosh që ekzistojnë qindra miliarda yje dhe që astronomët thonë se ka rreth njëqind miliardë galaktika të tjera! (Psalmi 147:4) Perëndia di gjithçka edhe për ne, prandaj kush tjetër mund të sigurojë përgjigje më të mira për pyetjet e rëndësishme të jetës?​—Mateu 10:30.

4. Përse duhet të presim që Perëndia të sigurojë udhëzime për të na drejtuar dhe cili libër e plotëson këtë nevojë?

4 Imagjino dy burra që po përpiqen të rregullojnë makinën e tyre. I kapitur, njëri prej tyre përplas veglat përtokë. Tjetri, e ndreq problemin me qetësi, rrotullon çelësin e ndezjes dhe buzëqesh, ndërsa motorri fillon të punojë e të niset ngadalë. Nuk ke për ta vrarë shumë mendjen, që të gjesh se cili prej të dyve e kishte manualin e udhëzimeve nga fabrikuesi. A nuk na bën kjo të mendojmë se Perëndia do të na sigurojë udhëzime për të na drejtuar në jetë? Siç mund ta dish, Bibla pohon se është pikërisht e tillë: një libër me udhëzime e drejtim nga Krijuesi ynë, i përgatitur për të përcjellë njohurinë e Perëndisë.​—2. Timoteut 3:16.

5. Sa e vlefshme është njohuria që përmban Bibla?

5 Nëse ky pohim i Biblës është i vërtetë, mendo se ç’thesare njohurie përmban ky libër! Në Proverbat 2:1-5, ajo na nxit të kërkojmë mençurinë, të gërmojmë për të si për një thesar të fshehur; jo në truallin e mendimeve njerëzore, por në vetë Fjalën e Perëndisë. Nëse kërkojmë aty, do të «gjejmë vetë njohurinë e Perëndisë». Duke qenë se i kupton kufizimet dhe nevojat tona, Perëndia na jep udhëzime që do të na ndihmojnë për të çuar një jetë të qetë e të lumtur. (Psalmi 103:14; Isaia 48:17) Për më tepër, njohuria e Perëndisë na ofron lajmin e mirë nxitës.

JETË E PËRHERSHME!

6. Çfarë sigurie dha Jezu Krishti në lidhje me njohurinë e Perëndisë?

6 Figura e mirënjohur historike, Jezu Krishti, e përshkroi këtë aspekt të njohurisë së Perëndisë me terma të qartë. Ai tha: «Kjo do të thotë jetë e përhershme, që të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3, BR) Imagjino: njohuri që të çon në jetë të përhershme!

7. Si e dimë që Perëndia nuk ka ndër mend që ne të vdesim?

7 Mos shpejto ta shpërndash shpresën e jetës së përhershme, siç bën me një ëndërr të thjeshtë. Përkundrazi, shiko në ç’mënyrë është krijuar trupi njerëzor. Është projektuar në mënyrë të mrekullueshme për të shijuar, dëgjuar, nuhatur, parë dhe për të ndier. Sa shumë gjëra ka në tokë për të kënaqur ndjenjat tona: ushqime të shijshme, këngët e këndshme të zogjve, lulet erëmira, peizazhet e bukura, shoqëritë e gëzueshme! Dhe truri ynë i mrekullueshëm është shumë më tepër se një superkompjuter, pasi na jep mundësinë t’i çmojmë e t’i gëzojmë të gjitha këto gjëra. A mendon se Krijuesi ynë dëshiron që ne të vdesim e t’i humbim të gjitha? A s’do të ishte më e arsyeshme të arrinim në përfundimin se ai do që ne të jetojmë të lumtur e ta gëzojmë jetën përgjithmonë? Ja, pra, se ç’domethënie mund të ketë për ty njohuria e Perëndisë.

JETË NË PARAJSË

8. Çfarë thotë Bibla në lidhje me të ardhmen e njerëzimit?

8 Ajo çfarë thotë Bibla mbi të ardhmen e tokës e të njerëzimit mund të përmblidhet në një fjalë: Parajsë! Jezu Krishti foli për të, kur i tha një njeriu që po vdiste: «Do të jesh me mua në parajsë.» (Luka 23:43) Përmendja e parajsës, pa dyshim ka sjellë në mendjen e atij njeriu gjendjen e lumtur të prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës. Kur Perëndia i krijoi, ata ishin të përsosur dhe jetonin në një park të ngjashëm me një kopsht, të cilin Krijuesi e kishte projektuar dhe mbjellë. Në mënyrë të përshtatshme, ai quhej kopshti i Edenit, emër që do të thotë kënaqësi.

9. Si ka qenë jeta në Parajsën e parë?

9 Sa i mrekullueshëm ishte ai kopsht! Një parajsë e vërtetë. Midis pemëve të tij të bukura, gjendeshin edhe ato që jepnin fruta të shijshme. Ndërsa eksploronin shtëpinë e tyre, pinin ujin e pastër e të shëndetshëm dhe mblidhnin frutat prej pemëve, Adami dhe Eva nuk kishin pse të merakoseshin e të frikësoheshin. Madje edhe kafshët nuk përbënin ndonjë rrezik, pasi Perëndia kishte bërë që burri dhe gruaja e tij të sundonin me dashuri mbi të gjitha ato. Përveç kësaj, çifti i parë njerëzor kishte një shëndet plot jetë e gjallëri. Për sa kohë të mbeteshin të bindur ndaj Perëndisë, në përjetësi, përpara tyre shtrihej një e ardhme e lumtur. Atyre u qe dhënë puna e gëzueshme që të kujdeseshin për shtëpinë e tyre të bukur parajsore. Për më tepër, Perëndia i dha Adamit dhe Evës urdhrin që ‘të mbushnin tokën e ta nënshtronin’. Ata dhe pasardhësit e tyre duhej të shtrinin kufijtë e Parajsës, derisa gjithë planeti ynë të kthehej në një vend bukurie dhe kënaqësie.​—Zanafilla 1:28.

10. Çfarë kishte ndër mend Jezui kur foli për Parajsën?

10 Megjithatë, kur përmendi Parajsën, Jezui nuk po kërkonte që ai njeri në vdekje të mendonte mbi të shkuarën e largët. Jo, Jezui po fliste mbi të ardhmen! Ai e dinte se mbarë shtëpia jonë tokësore do të shndërrohej në një parajsë. Në këtë mënyrë, Perëndia do të përmbushte qëllimin e tij fillestar për njerëzimin dhe tokën. (Isaia 55:10, 11) Po, parajsa do të rivendoset! Por, si do të jetë ajo? Le ta marrim përgjigjen nga Fjala e Perëndisë, Bibla e Shenjtë.

JETË NË PARAJSËN E VENDOSUR

11. Në parajsën që do të vendoset, çfarë do të ndodhë me sëmundjet, pleqërinë dhe vdekjen?

11 Sëmundjet, pleqëria dhe vdekja nuk do të ekzistojnë më. «Atëherë do të hapen sytë e të vërbërve dhe veshët e të shurdhëve; atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi.» (Isaia 35:5, 6) «Vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta [njerëzimin]. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.»​—Zbulesa 21:3, 4.

12. Përse mund të jemi të sigurt se në Parajsën që do vijë nuk do të ketë më krime, dhunë dhe ligësi?

12 Krimet, dhuna dhe ligësia do të zhduken përgjithmonë. «Njerëzit e këqij do të shfarosen . . . Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; . . . ai nuk do të jetë më. Por zemërbutët do të zotërojnë tokën.» (Psalmi 37:9-11) «Por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.»​—Proverbat 2:22.

13. Si do ta sjellë Perëndia paqen?

13 Paqja do të sundojë në mbarë tokën. «Ai [Perëndia] bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat.» (Psalmi 46:9) «I drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.»​—Psalmi 72:7.

14, 15. Çfarë thotë Bibla mbi shtëpitë, punën dhe ushqimin në Parajsën që po vjen?

14 Shtëpitë do të jenë të sigurta dhe do të ketë punë të gëzueshme. «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to . . . Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, nuk do të mbjellin më që të hajë një tjetër; sepse ditët e popullit tim do të jenë si ditët e drurëve; dhe të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre. Nuk do të lodhen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë për të përballuar një shkatërrim të papritur.»​—Isaia 65:21-23.

15 Do të ketë ushqim të shëndetshëm me bollëk. «Mbi tokë do të ketë grurë me bollëk; në majë të maleve do të ketë vërshim.» (Psalmi 72:16, BR) «Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.»​—Psalmi 67:6.

16. Përse do të jetë kënaqësi jeta në Parajsë?

16 Jeta e përhershme mbi një tokë parajsore do të jetë e kënaqshme. «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» (Psalmi 37:29) «Shkretëtira dhe rajoni pa ujë do të hidhen nga gëzimi dhe fusha e shkretë do të gëzojë dhe do të lulëzojë si shafrani.»​—Isaia 35:1, BR.

NJOHURIA DHE E ARDHMJA JOTE

17. (a) Çfarë duhet të bësh nëse të pëlqen të jetosh në Parajsë? (b) Nga e dimë se Perëndia do të sjellë ndryshime të mëdha mbi tokë?

17 Nëse të pëlqen të jetosh në Parajsë, mos lejo asgjë të të pengojë nga përftimi i njohurisë së Perëndisë. Ai e do njerëzimin dhe do të bëjë ndryshimet e nevojshme për ta kthyer tokën në parajsë. Në fund të fundit, sikur ti të kishe fuqinë për t’i dhënë fund mjerimit dhe padrejtësive kaq të zakonshme në botë, a nuk do ta bëje? A duhet të presim më pak nga Perëndia? Në të vërtetë, Bibla flet qartë për një kohë kur Perëndia do ta heqë këtë sistem të përçarë dhe do ta zëvendësojë me një sundim të përsosur e të drejtë. (Danieli 2:44) Por Bibla nuk mjaftohet vetëm duke na folur mbi të gjitha këto. Ajo na tregon se si mund të mbijetojmë për në botën e re të premtuar nga Perëndia.​—2. Pjetrit 3:13; 1. Gjonit 2:17.

18. Çfarë mund të bëjë njohuria e Perëndisë për ty?

18 Njohuria e Perëndisë mund të jetë e dobishme për ty qysh tani. Pyetjet më të thella e më shqetësuese të jetës gjejnë përgjigje në Bibël. Duke pranuar drejtimin e saj do të jemi të ndihmuar për të zhvilluar miqësinë me Perëndinë. Sa privilegj i madh! Dhe kjo do të bëjë të mundur të gëzosh paqen që mund ta japë vetëm Perëndia. (Romakëve 15:13, 33) Ndërsa po fillon të marrësh këtë njohuri jetësore, po i futesh përpjekjes më të rëndësishme dhe më shpërblyese në jetën tënde. Kurrë nuk do të ndjesh keqardhje që ke fituar njohurinë e Perëndisë, e cila të çon në jetën e përhershme.

19. Cilën pyetje do të shqyrtojmë në kapitullin vijues?

19 Ne kemi folur për Biblën si për një libër që përmban njohurinë e Perëndisë. Megjithatë, si e dimë që ajo nuk është një libër i mençurisë njerëzore, por diçka shumë më e madhe? Këtë pyetje do ta shqyrtojmë në kapitullin vijues.

PROVO NJOHURINË

Përse njohuria e Perëndisë mund të të japë lumturi të përhershme?

Si do të jetë jeta në Parajsën e ardhshme tokësore?

Përse do të përfitosh duke marrë njohurinë e Perëndisë?

[Pyetjet]