Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fjalë profetike ngushëlluese që kanë të bëjnë me ne

Fjalë profetike ngushëlluese që kanë të bëjnë me ne

Kapitulli dy

Fjalë profetike ngushëlluese që kanë të bëjnë me ne

Isaia 41:1-29

1. Pse duhet të na interesojnë profecitë e Isaisë?

ISAIA e shkroi librin që mban emrin e tij rreth 3.000 vjet më parë, por ai ka një vlerë të vërtetë për ne sot. Nga ngjarjet historike që ai shkroi mund të mësojmë parime jetësore. Gjithashtu, nëpërmjet studimit të profecive që shkroi në emër të Jehovait, mund të ndërtojmë besimin tonë. Po, Isaia ishte një profet i Perëndisë së gjallë. Jehovai e frymëzoi ta shkruante historinë para kohe​—t’i përshkruante ngjarjet para se të ndodhnin. Në këtë mënyrë, Jehovai tregoi se është në gjendje edhe ta parathotë, edhe ta modelojë të ardhmen. Pasi studiojnë librin e Isaisë, të krishterët e vërtetë binden se Jehovai do të realizojë gjithçka që ka premtuar.

2. Cila ishte situata në Jerusalem kur Isaia shkroi librin e tij profetik dhe cili ndryshim do të ndodhte?

2 Në kohën kur Isaia përfundoi së shkruari profecitë e tij, Jerusalemi kishte mbijetuar ndaj kërcënimit asirian. Tempulli ishte ende në këmbë dhe njerëzit merreshin me punët e tyre të përditshme ashtu siç kishin bërë për qindra vjet. Megjithatë, kjo situatë do të ndryshonte. Do të vinte koha kur pasuria e mbretërve judenj do të merrej në Babiloni dhe të rinjtë judenj do të ishin zyrtarë të oborrit në atë qytet. * (Isaia 39:6, 7) Kjo do të ndodhte më shumë se 100 vjet më vonë.​—2 Mbretërve 24:12-17; Danieli 1:19.

3. Cili mesazh gjendet në kapitullin 41 të Isaisë?

3 Megjithatë, mesazhi i Perëndisë dhënë nëpërmjet Isaisë nuk është thjesht një mesazh gjykimi. Kapitulli 40 i librit të tij fillon me fjalën «ngushëlloni». * Judenjtë do të ngushëlloheshin nga premtimi i sigurt se ose ata, ose fëmijët e tyre do të mund të ktheheshin në vendin e tyre. Kapitulli 41 vazhdon po me këtë mesazh ngushëllues dhe parathotë se Jehovai do të ngrinte një mbret të fuqishëm për të plotësuar vullnetin hyjnor. Ky kapitull përmban fjalë që japin siguri dhe nxit besimin te Perëndia. Gjithashtu, ai demaskon si të pafuqishëm perënditë e rreme te të cilat besojnë njerëzit e kombeve. Në të gjitha këto, ka shumë gjëra që mund ta forcojnë besimin e njerëzve, si në kohën e Isaisë, ashtu edhe në kohën tonë.

Jehovai sfidon kombet

4. Me cilat fjalë i sfidon Jehovai kombet?

4 Nëpërmjet profetit të tij, Jehovai thotë: «Më kushtoni vëmendje në heshtje, o ishuj, dhe le të rifitojnë fuqi grupet kombëtare. Le të afrohen. Atëherë le të flasin. Le të afrohemi së bashku për gjykimin.» (Isaia 41:1) Me këto fjalë, Jehovai sfidon kombet që kundërshtojnë popullin e tij. Le të qëndrojnë para tij dhe të bëhen gati për të folur. Siç do të shohim më vonë, si të ishte një gjykatës në sallën e gjyqit, Jehovai kërkon që këto kombe të sjellin prova se idhujt e tyre janë vërtet perëndi. A mund të parathonë perënditë e këtyre kombeve vepra shpëtimi për adhuruesit e tyre ose gjykime kundër armiqve të tyre? Nëse po, a mund t’i përmbushin këto profeci? Përgjigjja është jo. Vetëm Jehovai mund t’i bëjë këto gjëra.

5. Shpjegoni se në ç’mënyrë profecitë e Isaisë kanë më shumë se një përmbushje.

5 Ndërsa shqyrtojmë profecitë e Isaisë, le të mbajmë parasysh se, ashtu si shumë profeci të tjera biblike, fjalët e tij kanë më shumë se një përmbushje. Në vitin 607 p.e.s., Judën do ta çojnë në mërgim Babiloni. Megjithatë, profecia e Isaisë zbulon se Jehovai do t’i çlirojë izraelitët e mbajtur rob atje. Kjo ndodh në vitin 537 p.e.s. Ky çlirim pati një përmbushje paralele në fillim të shekullit të 20-të. Gjatë Luftës I Botërore, shërbëtorët e mirosur të Jehovait në tokë kaluan një periudhë plot vështirësi. Në vitin 1918 presioni i ushtruar nga bota e Satanait me nxitjen e të ashtuquajturit krishterim, pjesës kryesore të Babilonisë së Madhe, bëri që predikimi i organizuar i lajmit të mirë pothuajse të ndërpritej. (Zbulesa 11:5-10) Disa vëllezër me përgjegjësi në Shoqatën Watch Tower u futën në burg nën akuza të rreme. U duk se bota triumfoi në betejën e saj kundër shërbëtorëve të Perëndisë. Por më pas, ashtu siç ndodhi në vitin 537 p.e.s., në mënyrë të papritur Jehovai bëri të mundur që ata të liroheshin. Në vitin 1919 zyrtarët e burgosur u liruan dhe më vonë u shfajësuan edhe nga akuzat e ngritura kundër tyre. Një kongres i mbajtur në Sidër Point, Ohajo, në shtator të vitit 1919 i rigjallëroi shërbëtorët e Jehovait për të rifilluar veprën e predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë. (Zbulesa 11:11, 12) Që atëherë, shtrirja e kësaj vepre predikimi është rritur jashtëzakonisht shumë. Veç kësaj, shumë nga fjalët e Isaisë do të kenë një përmbushje të mrekullueshme në Parajsën tokësore që do të vijë. Si rrjedhim, fjalët e Isaisë të shkruara shumë kohë më parë, kanë të bëjnë me gjithë kombet dhe njerëzit sot.

Sigurohet një çlirimtar

6. Si e përshkruan profeti një pushtues të ardhshëm?

6 Nëpërmjet Isaisë, Jehovai parathotë daljen e një pushtuesi, i cili jo vetëm që do të shpëtojë popullin e Perëndisë nga Babilonia, por edhe do të sjellë gjykimin mbi armiqtë e tij. Jehovai pyet: «Kush e ka ngritur dikë nga lindja e diellit? Kush e thirri në drejtësi pranë këmbëve të Tij, për të dhënë para tij kombet dhe për ta bërë që të nënshtronte, madje, mbretërit? Kush vazhdoi t’ia japë ata si pluhur shpatës së tij, në mënyrë që t’i shtynte andej-këtej thjesht si kashtë me harkun e tij? Kush vazhdoi t’i ndjekë ata, kush vazhdoi të kalojë paqësisht në këmbë përgjatë shtegut nga i cili nuk kishte ardhur? Kush ka vepruar me gjallëri dhe e ka bërë këtë duke thirrur brezat që nga fillimi? Unë, Jehovai, i Pari; dhe me të fundit jam i njëjti.»​—Isaia 41:2-4.

7. Kush është pushtuesi që po vjen dhe çfarë bën ai?

7 Kush është ai që do të ngrihet nga lindja e diellit, domethënë nga vendet lindore? Në lindje të Babilonisë gjenden Medo-Persia dhe Elami. Që andej marshon Kiri i Persisë bashkë me forcat e tij të fuqishme ushtarake. (Isaia 41:25; 44:28; 45:1-4, 13; 46:11) Ndonëse nuk është një adhurues i Jehovait, Kiri vepron në harmoni me vullnetin e Jehovait, Perëndisë së drejtë. Kiri nënshtron mbretër dhe këta shpërndahen si pluhur para tij. Në kërkim të fitores, ai kalon «paqësisht», ose i sigurt, nëpër shtigje të parrahura zakonisht, duke kapërcyer çdo pengesë. Në vitin 539 p.e.s., Kiri arrin në qytetin e fuqishëm të Babilonisë dhe e mposht. Kështu, populli i Perëndisë çlirohet dhe mund të kthehet në Jerusalem për të rivendosur adhurimin e pastër.​—Ezdra 1:1-7. *

8. Ç’është një gjë që mund ta bëjë vetëm Jehovai?

8 Kështu, nëpërmjet Isaisë, Jehovai e parathotë ngritjen e Kirit shumë kohë përpara se ky mbret të lindë. Vetëm Perëndia i vërtetë mund ta parathotë me saktësi një gjë të tillë. Me Jehovain nuk mund të krahasohet asnjë nga perënditë e rreme të kombeve. Me të drejtë, ai pohon: «Nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri.» Vetëm Jehovai mund të thotë me të drejtë: «Unë jam i pari dhe jam i fundit dhe përveç meje nuk ka Perëndi.»​—Isaia 42:8; 44:6, 7, Dio.

Popujt e frikësuar besojnë tek idhujt

9-11. Si reagojnë kombet ndaj përparimit të Kirit?

9 Tani Isaia përshkruan reagimin e kombeve ndaj këtij pushtuesi të ardhshëm: «Ishujt shihnin dhe fillonin të frikësoheshin. Skajet e tokës fillonin të dridheshin. Afroheshin dhe vinin. Ndihmonin secili shokun e tij dhe njëri i thoshte vëllait të vet: ‘Ji i fortë!’ Kështu artizani forconte metalpunuesin; ai që sheshonte me çekanin e farkëtarit forconte atë që rrihte në kudhër, duke thënë për saldimin: ‘Është mirë.’ Së fundi, njëri e mbërthente me gozhdë që të mos lëkundej.»​—Isaia 41:5-7.

10 Duke e hedhur vështrimin para në kohë, Jehovai vëzhgon skenën botërore të 200 vjetëve më vonë. Forca të fuqishme ushtarake nën drejtimin e Kirit lëvizin me shpejtësi, duke i mposhtur të gjithë kundërshtarët. Popujt​—madje edhe banorët e ishujve, ata në vendet më të largëta​—dridhen ndërsa ai afrohet. Të frikësuar, ata bashkojnë forcat për t’iu kundërvënë atij që Jehovai ka thirrur nga lindja për të ekzekutuar gjykimin. Ata përpiqen t’i japin zemër njëri-tjetrit, duke thënë: «Ji i fortë!»

11 Artizanët punojnë së bashku që t’u japin formë perëndive idhuj për të shpëtuar popullin. Një zdrukthëtar i jep formë një skeleti prej druri dhe më pas nxit arpunuesin ta veshë me metal, ndoshta me ar. Një skulptor e rreh metalin me çekan për ta lëmuar dhe jep miratimin për saldimin. Ndoshta me njëfarë sarkazme thuhet se pastaj mbërthehet me gozhdë që të mos lëkundet ose të mos tregojë dobësi, siç ndodhi me idhullin e Dagonit që u rrëzua para arkës së Jehovait!​—1 Samuelit 5:4.

Mos kini frikë!

12. Çfarë sigurie i jep Jehovai Izraelit?

12 Tani Jehovai e drejton vëmendjen nga populli i tij. Ndryshe nga kombet që besojnë tek idhujt e pajetë, ata që besojnë te Perëndia i vërtetë s’kanë pse të frikësohen në asnjë rast. Jehovai fillon t’i sigurojë, duke u kujtuar se Izraeli është pasardhja e mikut të tij, Abrahamit. Në një pjesë ku spikat zemërbutësia, Isaia raporton fjalët e Jehovait: «Ti, o Izrael, je shërbëtori im, ti, o Jakob, të cilin kam zgjedhur, fara e Abrahamit, mikut tim; ti që të kam marrë nga skajet e tokës dhe që të kam thirrur, madje, nga viset më të thella të saj. Kështu të thashë: ‘Ti je shërbëtori im; të kam zgjedhur dhe nuk të kam hedhur poshtë. Mos ki frikë, sepse unë jam me ty. Mos shiko rreth e përqark, sepse unë jam Perëndia yt. Unë do të të forcoj. Do të të ndihmoj me të vërtetë. Do të të mbaj me të vërtetë fort me dorën time të djathtë të drejtësisë.’»​—Isaia 41:8-10.

13. Pse do të jenë ngushëlluese fjalët e Jehovait për judenjtë e robëruar?

13 Sa ngushëlluese do të jenë këto fjalë për judenjtë besnikë të mbajtur robër në një vend të huaj! Sa inkurajuese do të jetë ta dëgjojnë Jehovain t’i quajë «shërbëtori im» në një kohë kur janë të mërguar, shërbëtorë të mbretit të Babilonisë! (2 Kronikave 36:20) Ndonëse do t’i disiplinojë për shkak të jobesnikërisë, Jehovai nuk do t’i hedhë poshtë. Izraeli i përket Jehovait dhe jo Babilonisë. Shërbëtorët e Perëndisë nuk do të kenë arsye për t’u dridhur kur të afrohet pushtuesi Kir. Jehovai do të jetë me popullin e tij për ta ndihmuar.

14. Si i ngushëllojnë shërbëtorët e Perëndisë sot fjalët e Jehovait drejtuar Izraelit?

14 Ato fjalë u kanë dhënë siguri e forcë shërbëtorëve të Perëndisë, madje, deri në ditët tona. Në vitin 1918 ata kishin një dëshirë të zjarrtë të njihnin se cili ishte vullneti i Jehovait për ta. Ata digjeshin nga dëshira për t’u çliruar nga robëria frymore në të cilën gjendeshin. Sot ne kemi një dëshirë të zjarrtë për t’u çliruar nga presionet që ushtron mbi ne Satanai, bota dhe papërsosmëria jonë. Por e kuptojmë se Jehovai e di me saktësi kur dhe si të veprojë në dobi të popullit të tij. Si fëmijë të vegjël, ne mbahemi të kapur fort pas dorës së tij të fuqishme, të sigurt se do të na ndihmojë për t’ia dalë mbanë. (Psalmi 63:7, 8) Jehovai i çmon ata që i shërbejnë. Ai na mbështet neve sot pikërisht ashtu siç e mbështeti popullin e tij gjatë periudhës së vështirë të viteve 1918-1919 dhe siç mbështeti izraelitët besnikë shumë kohë më parë.

15, 16. (a) Ç’do të bëhet me armiqtë e Izraelit dhe në cilat mënyra i ngjan një krimbi Izraeli? (b) Duke pasur parasysh cilin sulm të afërt janë veçanërisht ngushëlluese sot fjalët e Jehovait?

15 Shqyrtoni atë që thotë në vazhdim Jehovai nëpërmjet Isaisë: «“Ja, të gjithë ata që nxehen me ty do të turpërohen dhe do të përulen. Burrat që janë në sherr me ty do të bëhen si asgjë dhe do të marrin fund. Do t’i kërkosh ata burra që janë në betejë me ty, por nuk do t’i gjesh. Ata burra që janë në luftë me ty do të bëhen si diçka që nuk ekziston dhe si asgjë. Sepse unë, Jehovai Perëndia yt, po kap dorën tënde të djathtë, Ai që të thotë: ‘Mos ki frikë. Unë vetë do të të ndihmoj.’ Mos ki frikë o krimb i Jakobit, ju burra të Izraelit. Unë vetë do të të ndihmoj”,​—është shprehja e Jehovait, po, e Riblerësit tënd, të Shenjtit të Izraelit.»​—Isaia 41:11-14.

16 Armiqtë e Izraelit nuk do të ngadhënjejnë. Ata që janë nxehur me Izraelin do të turpërohen. Ata që luftojnë kundër tij do të marrin fund. Edhe pse robërit izraelitë duken po aq të dobët dhe të pambrojtur sa edhe një krimb që përpëlitet në pluhur, Jehovai do t’i ndihmojë. Sa inkurajuese ka qenë kjo gjatë gjithë ‘ditëve të fundit’, ndërsa të krishterët e vërtetë janë përballur me armiqësinë e vendosur të kaq shumë elementeve të botës! (2 Timoteut 3:1) Gjithashtu, sa forcues është premtimi i Jehovait, duke pasur parasysh sulmin e afërt të Satanait, të cilit profecitë i referohen si ‘Gogu i vendit të Magogut’! Përballë sulmit të egër të Gogut, populli i Jehovait do të duket po aq i pambrojtur sa edhe një krimb​—një popull që ‘qëndron në vende pa mure’ dhe që nuk ka ‘shula e porta’. Megjithatë, ata që shpresojnë te Jehovai nuk do të kenë pse të dridhen nga frika. Vetë i Plotfuqishmi do të luftojë për t’i shpëtuar.​—Ezekieli 38:2, 11, 14-16, 21-23, Dio; 2 Korintasve 1:3.

Ngushëllim për Izraelin

17, 18. Si e përshkruan Isaia fuqizimin e Izraelit dhe për cilën përmbushje mund të jemi të sigurt?

17 Jehovai vazhdon të ngushëllojë popullin e tij: «Ja, unë të kam bërë një trinë shirëse, një vegël të re shirëse që ka dhëmbë me dy tehe. Ti do të shtypësh malet dhe do t’i thërrmosh, dhe kodrat do t’i bësh porsi byku. Do t’i hedhësh dhe era do t’i marrë me vete, dhe një tufan do t’i përhapë në drejtime të ndryshme. Dhe ti do të jesh i gëzuar në Jehovain. Me të Shenjtin do të mburresh.»​—Isaia 41:15, 16.

18 Izraelit do t’i jepet fuqi për t’u hedhur në sulm dhe për të nënshtruar, në kuptimin frymor, armiqtë e tij ngjashëm maleve. Kur Izraeli të kthehet nga mërgimi, do të triumfojë mbi armiqtë e tij që do të përpiqen të pengojnë rindërtimin e tempullit dhe të mureve të Jerusalemit. (Ezdra 6:12; Nehemia 6:16) Megjithatë, fjalët e Jehovait do të përmbushen në një shkallë të gjerë në lidhje me «Izraelin e Perëndisë». (Galatasve 6:16) Jezui u premton të krishterëve të mirosur: «Atij që del fitimtar dhe u përmbahet veprave të mia deri në fund, do t’i jap autoritet mbi kombet dhe ai do t’i kullotë njerëzit me një shkop të hekurt, kështu që ata do të thyhen në copa posi enë argjile, njëlloj sikurse unë kam marrë nga Ati im.» (Zbulesa 2:26, 27) Do të vijë me siguri koha kur vëllezërit e Jezuit, të ringjallur në lavdinë qiellore, do të marrin pjesë në shkatërrimin e armiqve të Perëndisë Jehova.​—2 Selanikasve [Thesalonikasve] 1:7, 8; Zbulesa 20:4, 6.

19, 20. Çfarë shkruan Isaia rreth rivendosjes së Izraelit në një vend të bukur dhe si përmbushet kjo?

19 Me një gjuhë figurative, tani Jehovai e përforcon premtimin e tij për t’i ardhur në ndihmë popullit të tij. Isaia shkruan: «Të munduarit dhe të varfrit po kërkojnë ujë, por nuk ka. Gjuha e tyre është tharë nga etja. Vetë unë, Jehovai, do t’u përgjigjem. Unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t’i lë. Do të hap lumenj mbi kodrat e zhveshura dhe burime në mes të rrafshinave të luginave. Do ta kthej shkretëtirën në një pellg me kallamishte dhe vendin pa ujë në burime uji. Do të vë në shkretëtirë cedrin, akacien, mërsinën dhe pemën e vajit. Në rrafshinën e shkretë do të vendos dëllinjën, frashërin dhe selvinë në të njëjtën kohë, në mënyrë që njerëzit të mund të shohin, të dinë, të mbajnë vesh dhe të kenë gjykim të thellë në të njëjtën kohë, se këtë e ka bërë vetë dora e Jehovait dhe e ka krijuar vetë i Shenjti i Izraelit.»​—Isaia 41:17-20.

20 Ndonëse izraelitët e mërguar banojnë në kryeqytetin e një fuqie botërore të pasur, për ta ai vend është si një shkretëtirë pa ujë. Ata ndihen si Davidi kur fshihej nga mbreti Saul. Në vitin 537 p.e.s., Jehovai hap rrugën që ata të kthehen në Judë dhe të rindërtojnë tempullin e tij në Jerusalem, duke rivendosur kështu adhurimin e pastër. Jehovai, nga ana e tij, i bekon. Në një profeci të mëvonshme, Isaia parathotë: «Zoti do të ngushëllojë Sionin, do ta ngushëllojë për të gjitha shkatërrimet e tij, do ta bëjë shkretëtirën e tij si Edenin dhe vetminë e tij si kopshtin e Zotit.» (Isaia 51:3, Dio) Kjo ndodh me të vërtetë pasi judenjtë kthehen në vendin e tyre.

21. Ç’rivendosje ndodhi në kohët moderne dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen?

21 Diçka e ngjashme ndodhi edhe në kohët moderne kur Kiri më i Madh, Jezu Krishti, i çliroi ithtarët e tij të mirosur nga robëria frymore me qëllim që të punonin për të rivendosur adhurimin e pastër. Ata besimplotë u bekuan me një parajsë të pasur frymore, me një kopsht edenik në kuptimin figurativ. (Isaia 11:6-9; 35:1-7) Së shpejti, kur Perëndia të shkatërrojë armiqtë e tij, e gjithë toka do të transformohet në një parajsë fizike, pikërisht siç i premtoi Jezui keqbërësit në shtyllë.​—Luka 23:43.

Një sfidë drejtuar armiqve të Izraelit

22. Me anë të cilave fjalë i sfidon përsëri kombet Jehovai?

22 Tani Jehovai i kthehet përsëri debatit të tij me kombet dhe perënditë e tyre idhuj: «‘Sillni çështjen që ngjallë polemikë’​—thotë Jehovai. ‘Nxirrni argumentet tuaja’​—thotë Mbreti i Jakobit.​—‘Nxirrini dhe na tregoni gjërat që kanë për të ndodhur. Tregoni cilat ishin gjërat e para, që të mund t’i kushtojmë zemrën dhe të njohim të ardhmen e tyre. Ose bëni të mundur që të dëgjojmë edhe gjërat që po vijnë. Tregoni gjërat që kanë për të ardhur më pas, që ta kuptojmë se jeni perëndi. Po, ju duhet të bëni të mirën ose të keqen, që ne të mund të shohim rreth e përqark dhe ta shikojmë atë në të njëjtën kohë. Ja, ju jeni një hiç dhe arritja juaj nuk është asgjë. Kushdo që ju zgjedh juve është një gjë e pështirë.’» (Isaia 41:21-24) A janë perënditë e kombeve të afta të profetizojnë me saktësi dhe të provojnë, në këtë mënyrë, se kanë njohuri mbinjerëzore? Nëse po, atëherë duhet të ketë patjetër disa përfundime, të mira ose të këqija, që të mbështetin pohimet e tyre. Por, në të vërtetë, perënditë idhuj nuk janë në gjendje të arrijnë asgjë dhe janë si diçka që nuk ekziston.

23. Pse Jehovai, nëpërmjet profetëve të tij, i dënoi idhujt me kaq ngulmim?

23 Në kohën tonë disa mund të pyesin veten përse Jehovai, nëpërmjet Isaisë dhe profetëve të tjerë, harxhoi kaq shumë kohë duke dënuar një marrëzi si idhujtaria. Kotësia e idhujve të bërë nga njeriu mund të jetë e dukshme për shumë njerëz sot. Megjithatë, kur një sistem bindjesh të rreme arrin të themelohet dhe të pranohet gjerësisht, është e vështirë ta shkulësh nga mendja e atyre që e besojnë. Shumë bindje të sotme janë po aq të pakuptimta sa edhe bindja se shëmbëlltyrat e pajeta janë vërtet perëndi. E megjithatë, njerëzit mbahen fort pas këtyre bindjeve me gjithë argumentet bindëse që flasin kundër. Vetëm duke e dëgjuar të vërtetën në mënyrë të përsëritur disa nxiten të kuptojnë se sa e mençur është të besojnë te Jehovai.

24, 25. Si i referohet përsëri Jehovai Kirit dhe cilën profeci tjetër na sjell ndër mend kjo?

24 Jehovai i referohet përsëri Kirit: «Kam ngritur dikë nga veriu, dhe ai do të vijë. Ai do të thërrasë emrin tim nga lindja e diellit dhe do të vijë mbi mëkëmbësit si të ishin argjilë dhe porsi një poçar që shkel materialin e lagësht.» (Isaia 41:25) * Në kontrast me perënditë e kombeve, Jehovai mund të kryejë gjëra. Kur të sjellë Kirin nga lindja, «nga lindja e diellit», Perëndia do të tregojë aftësinë e tij për të parathënë dhe për të modeluar të ardhmen, me qëllim që të përmbushë atë që ka parathënë.

25 Këto fjalë na sjellin ndër mend përshkrimin profetik të apostullit Gjon lidhur me disa mbretër që do të nxiteshin për të vepruar në kohën tonë. Te Zbulesa 16:12, lexojmë që do të përgatitet udha «për mbretërit nga lindja e diellit». Këta mbretër janë vetë Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti. Ashtu si Kiri e çliroi popullin e Perëndisë shumë kohë më parë, këta mbretër shumë më të fuqishëm do t’i asgjësojnë armiqtë e Jehovait dhe do ta udhëheqin popullin e tij gjatë shtrëngimit të madh drejt botës së re të drejtësisë!​—Psalmi 2:8, 9; 2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 7:14-17.

Jehovai është më i larti!

26. Cilën pyetje ngre tani Jehovai dhe a merr përgjigje ajo?

26 Edhe një herë, Jehovai shpall të vërtetën se vetëm ai është Perëndia i vërtetë. Ai pyet: «Kush ka treguar ndonjë gjë nga fillimi, që të mund ta dimë ose nga kohët e shkuara, që të mund të themi: ‘Ka të drejtë’? Në të vërtetë nuk ka asnjë që të tregojë. Në të vërtetë nuk ka asnjë që ta bëjë një tjetër të dëgjojë. Në të vërtetë nuk ka asnjë që të dëgjojë ndonjë thënie tuajën.» (Isaia 41:26) Asnjë perëndi idhull nuk shpalli për ata që besonin në të se do të vinte ndonjë pushtues çlirimtar. Të gjithë këta perëndi janë të pajeta, memece. Ato nuk janë aspak perëndi.

27, 28. Cila e vërtetë thelbësore theksohet në vargjet përmbyllëse të kapitullit 41 të Isaisë dhe cilët janë të vetmit që e shpallin këtë?

27 Pasi raporton këto fjalë profetike emocionuese të Jehovait, Isaia thekson një të vërtetë themelore: «I pari i thotë Sionit: ‘Ja, janë këtu!’ dhe Jerusalemit do t’i jap një që sjell lajme të mira. Atëherë vazhdoja të shihja dhe nuk kishte njeri dhe edhe nga këta nuk kishte asnjë që jepte këshillë. Pastaj vazhdoja t’i pyesja që të mund të përgjigjeshin. Ja, të gjithë ata janë diçka që nuk ekziston. Veprat e tyre janë hiç. Shëmbëlltyrat e tyre të derdhura janë erë dhe diçka joreale.»​—Isaia 41:27-29.

28 Jehovai është i pari. Ai është më i larti! Ai është Perëndia i vërtetë që shpall çlirimin e popullit të tij​—duke u sjellë lajme të mira​—dhe vetëm dëshmitarët e tij u shpallin kombeve madhështinë e tij. Me përbuzje, Jehovai i denoncon ata që mbështeten në adhurimin e idhujve, duke i hedhur poshtë idhujt e tyre si «erë dhe diçka joreale». Ç’arsye e fuqishme për të qëndruar të lidhur ngushtë me Perëndinë e vërtetë! Vetëm Jehovai është i denjë për besimin tonë të plotë.

[Shënimet]

^ par. 7 Kiri më i Madh që, në vitin 1919, liroi «Izraelin e Perëndisë» nga robëria frymore, është vetë Jezu Krishti, i cili ka hipur në fron si Mbreti i Mbretërisë qiellore të Perëndisë që nga viti 1914.​—Galatasve 6:16.

^ par. 24 Ndonëse atdheu i Kirit gjendej në lindje të Babilonisë, kur bëri sulmin përfundimtar kundër këtij qyteti, ai zbriti nga veriu, nga Azia e Vogël.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 19]

Ndonëse pagan, Kiri zgjidhet për të kryer veprën e Perëndisë

[Figura në faqen 21]

Kombet besojnë tek idhujt e pajetë

[Figurat në faqen 27]

Izraeli, si «një trinë shirëse», do t’i ‘thërrmojë malet’