Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Hipokrizia demaskohet

Hipokrizia demaskohet

Kapitulli nëntëmbëdhjetë

Hipokrizia demaskohet

Isaia 58:1-14

1. Si e shikojnë Jezui dhe Jehovai hipokrizinë dhe në ç’formë paraqitet ajo në kohën e Isaisë?

«VËRTET nga jashtë dukeni të drejtë para njerëzve,​—u tha Jezui udhëheqësve fetarë të kohës së tij,​—por përbrenda jeni plot me hipokrizi dhe paligjshmëri.» (Mateu 23:28) Dënimi që i bëri Jezui hipokrizisë pasqyron pikëpamjen e Atit të tij qiellor. Kapitulli 58 i profecive të Isaisë e përqendron vëmendjen në mënyrë specifike mbi hipokrizinë që është shumë e përhapur në Judë. Konfliktet, shtypja dhe dhuna janë në rend të ditës dhe mbajtja e sabatit është shndërruar në një rit të pakuptimtë. Njerëzit i bëjnë thjesht një shërbim sa për të thënë Jehovait dhe hiqen si të përshpirtshëm duke agjëruar në mënyrë hipokrite. Nuk është për t’u çuditur që Jehovai e tregon haptazi se ç’lloj njerëzish janë.

‘Tregoji popullit mëkatet e tij’

2. Çfarë fryme shfaq Isaia ndërsa shpall mesazhin e Jehovait dhe cilët në ditët e sotme janë si ai?

2 Ndonëse Jehovai ndien neveri për sjelljen e Judës, fjalët e Tij përfshijnë një thirrje të përzemërt për pendim drejtuar kombit. Megjithatë, Jehovai nuk dëshiron që qortimi i tij të jetë i paqartë. Për këtë arsye, ai e urdhëron Isainë: «Thërrit me zë të lartë, mos u përmbaj. Ngrije zërin si një bri e tregoji popullit tim rebelimin e tij dhe shtëpisë së Jakobit mëkatet e saj.» (Isaia 58:1) Shpallja me guxim e fjalëve të Jehovait mund të bëjë që populli të zemërohet me Isainë, por ai nuk sprapset. Ai ka ende të njëjtën frymë dedikimi që shfaqi kur tha: «Ja ku jam! Më dërgo mua.» (Isaia 6:8) Çfarë shembulli i shkëlqyer qëndrueshmërie është Isaia për Dëshmitarët e Jehovait në kohët e sotme, të cilëve, gjithashtu, u është ngarkuar detyra për të predikuar Fjalën e Perëndisë dhe për të demaskuar hipokrizinë fetare!​—Psalmi 118:6; 2 Timoteut 4:1-5.

3, 4. (a) Çfarë përshtypje të rreme japin njerëzit në kohën e Isaisë? (b) Cila është gjendja e vërtetë në Judë?

3 Në pamje të parë, njerëzit në kohën e Isaisë e kërkojnë Jehovain dhe tregojnë se janë të kënaqur me gjykimet e tij të drejta. Lexojmë fjalët e Jehovait: «Ditë pas dite vazhdonin të më kërkonin dhe tregonin se ishin të kënaqur me njohurinë e rrugëve të mia, si një komb që praktikonte drejtësinë dhe që nuk kishte braktisur të drejtën e Perëndisë së vet, pasi vazhdonin të kërkonin prej meje gjykime të drejta, duke u afruar pranë Perëndisë tek i cili gjenin kënaqësi.» (Isaia 58:2) A është e vërtetë që populli gjen kënaqësi në rrugët e Jehovait, siç pretendon? Jo. Ata janë «si një komb që praktikonte drejtësinë», por vetëm në mënyrë sipërfaqësore. Në të vërtetë, ky komb e ka «braktisur të drejtën e Perëndisë së vet».

4 Gjendja është shumë e ngjashme me atë që iu zbulua më vonë profetit Ezekiel. Jehovai i tha Ezekielit se judenjtë po i thoshin njëri-tjetrit: «Ju lutem, ejani të dëgjoni cila është fjala që del nga Jehovai.» Por Perëndia e paralajmëroi Ezekielin lidhur me çiltërsinë e tyre: «Do të vijnë te ti . . . dhe, me siguri, do t’i dëgjojnë fjalët e tua, por nuk do t’i zbatojnë, sepse me gojën e tyre shprehin dëshira epshore dhe zemra e tyre shkon pas fitimit të tyre të padrejtë. Dhe ja, ti je për ta si një këngë dashurish sensuale, si një që ka zë të bukur dhe që i bie mirë veglës me tela. Dhe ata, me siguri, do t’i dëgjojnë fjalët e tua, por askush nuk do t’i zbatojë.» (Ezekieli 33:30-32) Edhe bashkëkohësit e Isaisë pretendojnë se e kërkojnë Perëndinë vazhdimisht, por nuk u binden fjalëve të tij.

Agjërim me hipokrizi

5. Si përpiqen judenjtë ta fitojnë favorin hyjnor, por si reagon Jehovai?

5 Në përpjekje për të fituar miratimin hyjnor, judenjtë praktikojnë ritin e agjërimit, por përkushtimi i tyre i rremë fetar vetëm sa i largon nga Jehovai. Të hutuar, në pamje të parë, ata pyesin: «Pse agjëruam e ti nuk na pe dhe pse e munduam shpirtin tonë e ti nuk vije re?» Jehovai u përgjigjet haptazi, duke thënë: «Në të vërtetë ju gjenit kënaqësi në ditën e agjërimit tuaj, kur detyronit të shkonin në punë gjithë punëtorët tuaj. Në të vërtetë agjëronit për grindje e për betejë dhe për të goditur me grushtin e ligësisë. A nuk agjëruat si të ishte dita për ta bërë zërin tuaj të dëgjohet në lartësi? A duhet të jetë i tillë agjërimi që unë zgjedh, një ditë në të cilën njeriu tokësor të mundojë shpirtin e tij? Të përkulë kokën si xunkth dhe të shtrojë thjesht copë thesi dhe hi si shtrat? Këtë quani agjërim dhe ditë të pranueshme për Jehovain?»​—Isaia 58:3-5.

6. Cilat veprime të judenjve zbulojnë se agjërimi i tyre bëhet me hipokrizi?

6 Ndërkohë që agjërojnë, duke u hequr si të drejtë e, madje, duke kërkuar nga Jehovai gjykime të drejta, njerëzit rendin pas kënaqësive egoiste dhe interesave tregtare. Ata jepen pas konflikteve, shtypjes dhe dhunës. Në përpjekje për të mbuluar sjelljen e tyre të padëshirueshme, shfaqin hidhërim në një mënyrë që bie në sy​—duke varur kokën si bimë xunkthi dhe duke u ulur mbi një copë thesi dhe hi​—a thua se janë penduar për mëkatet e tyre. Ç’vlerë ka e gjithë kjo, nëse vazhdojnë të rebelohen? Ata nuk shfaqin aspak trishtimin dhe pendimin hyjnor që duhet të shoqërojë agjërimin e vërtetë. Vajtimi i tyre, ndonëse me zë të lartë, nuk dëgjohet në qiell.

7. Në ç’mënyrë vepronin me hipokrizi judenjtë e kohës së Jezuit dhe në ç’mënyrë veprojnë po njëlloj shumë njerëz sot?

7 Judenjtë e kohës së Jezuit veprojnë në mënyrë të ngjashme kur praktikojnë agjërimin ceremonial dhe disa prej tyre e bëjnë këtë dy herë në javë! (Mateu 6:16-18; Luka 18:11, 12) Shumë nga udhëheqësit fetarë e imituan brezin e Isaisë edhe duke u treguar të ashpër dhe autoritarë. Prandaj, Jezui i demaskoi me guxim ata hipokritë fetarë, duke u thënë se mënyra e tyre e adhurimit ishte e kotë. (Mateu 15:7-9) Edhe sot, miliona njerëz «shpallin publikisht se e njohin Perëndinë, por e mohojnë atë me veprat e tyre, sepse janë të pështirë, të pabindur dhe të pamiratuar për asnjëfarë vepre të mirë». (Titit 1:16) Këta njerëz mund të shpresojnë për mëshirën e Perëndisë, por sjellja e tyre zbulon mungesën e sinqeritetit të tyre. Ndryshe nga ata, Dëshmitarët e Jehovait shfaqin devocion hyjnor dhe dashuri vëllazërore të vërtetë.​—Gjoni 13:35.

Çfarë përfshin pendimi i vërtetë?

8, 9. Cilat veprime pozitive duhet ta shoqërojnë pendimin e sinqertë?

8 Jehovai dëshiron që populli i tij të bëjë më shumë sesa thjesht të agjërojë për mëkatet e veta; ai dëshiron që ata të pendohen. Nëse veprojnë kështu, do të fitojnë miratimin e tij. (Ezekieli 18:23, 32) Ai shpjegon se për të pasur vlerë, agjërimi duhet të shoqërohet me ndreqjen e mëkateve të kaluara. Shqyrtoni pyetjet e Jehovait, të cilat të bëjnë të shqyrtosh veten: «A nuk është ky agjërimi që unë zgjedh? Të lirosh vargonjtë e ligësisë, të zgjidhësh rripat e zgjedhës, të lësh të lirë të shtypurit dhe të thyesh më dysh çdo zgjedhë?»​—Isaia 58:6.

9 Vargonjtë dhe zgjedhat janë simbole të përshtatshme të një skllavërie të egër. Prandaj, në vend që të agjërojnë dhe në të njëjtën kohë të shtypin bashkëbesimtarët, njerëzit duhet t’i binden urdhrit: «Ta duash të afërmin tënd si veten tënde.» (Levitiku 19:18, Dio) Ata duhet të lirojnë të gjithë ata që kanë shtypur dhe skllavëruar padrejtësisht. * Veprat fetare sa për t’u dukur, si për shembull, agjërimi, nuk e zëvendësojnë devocionin e vërtetë hyjnor dhe veprat që tregojnë dashuri vëllazërore. Profeti Mikea, një bashkëkohës i Isaisë, shkruan: «Çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?»​—Mikea 6:8, Dio.

10, 11. (a) Çfarë gjëje do të ishte më mirë të bënin judenjtë, në vend të agjërimit? (b) Si mund ta zbatojnë të krishterët sot këshillën që u dha Jehovai judenjve?

10 Drejtësia, mirëdashja dhe modestia kërkojnë që t’u bëhet mirë të tjerëve, dhe ky është thelbi i Ligjit të Jehovait. (Mateu 7:12) Një gjë shumë më e mirë se agjërimi do të ishte të ndanin bollëkun e gjërave të tyre materiale me nevojtarët. Jehovai pyet: «A nuk është [agjërimi që zgjedh unë] të ndash bukën tënde me të uriturit, të sjellësh njerëzit e munduar e të pastrehë në shtëpinë tënde, të mbulosh dikë në rast se e shikon të zhveshur dhe të mos fshihesh nga mishi yt?» (Isaia 58:7) Po, në vend që të agjërojnë sa për t’u dukur, ata që kanë mundësi, duhet t’u japin ushqim, veshje ose strehim banorëve të tjerë të Judës që janë nevojtarë, domethënë mishit të tyre.

11 Këto parime të shkëlqyera të shprehura nga Jehovai, lidhur me dashurinë dhe dhembshurinë vëllazërore, nuk zbatohen vetëm për judenjtë e kohës së Isaisë. Ato janë një udhëheqje edhe për të krishterët. Prandaj, apostulli Pavël shkroi: «Vërtet, pra, derisa të kemi kohë të volitshme, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim.» (Galatasve 6:10) Kongregacioni i krishterë duhet të jetë një liman dashurie dhe përzemërsie vëllazërore, sidomos duke pasur parasysh kohët gjithnjë e më kritike, në të cilat jetojmë.​—2 Timoteut 3:1; Jakovit 1:27.

Bindja sjell bekime të pasura

12. Çfarë do të bëjë Jehovai nëse populli i tij i bindet?

12 Ah, sikur populli i Jehovait të kishte gjykim të thellë e t’i vinte veshin qortimit të tij të dashur! Jehovai thotë: «Atëherë drita jote do të shpërthente porsi agimi dhe shërimi do të mbinte me të shpejtë për ty. Para teje do të ecte, me siguri, drejtësia jote; lavdia e Jehovait do të ishte praparoja jote. Atëherë, do të thërritje dhe Jehovai do të përgjigjej, do të bërtitje për ndihmë dhe ai do të thoshte: ‘Ja ku jam!’» (Isaia 58:8, 9a) Çfarë fjalësh të ngrohta e të këndshme! Jehovai i bekon dhe i mbron ata që gjejnë kënaqësi në dashamirësinë dhe në drejtësinë. Nëse populli i Perëndisë pendohet për ashpërsinë dhe hipokrizinë e vet dhe i bindet atij, gjendja e tij do të fillojë të përmirësohet. Jehovai do ta ‘shërojë’ kombin si nga ana frymore, ashtu edhe nga ana fizike. Gjithashtu, ai do ta mbrojë atë, ashtu siç mbrojti paraardhësit e tyre kur po iknin nga Egjipti, e do t’u përgjigjet menjëherë thirrjeve të tyre për ndihmë.​—Dalja 14:19, 20, 31.

13. Cilat bekime i presin judenjtë nëse reagojnë pozitivisht ndaj nxitjes së Jehovait?

13 Tani, Jehovai vazhdon me nxitjen e tij të mëparshme, duke thënë: «Nëse do të heqësh nga mesi yt zgjedhën [e skllavërisë së ashpër e të padrejtë], tregimin me gisht [ka të ngjarë në shenjë përbuzjeje ose duke akuzuar në mënyrë të rreme] dhe thënien e asaj që është e dëmshme; nëse do t’i japësh të uriturit dëshirën tënde të shpirtit, dhe do të ngopësh shpirtin që mundohet, me siguri, edhe drita jote do të vetëtijë në errësirë dhe errësira jote do të jetë si mesdita.» (Isaia 58:9b, 10) Egoizmi dhe ashpërsia janë shkatërrimtare për personin që i zotëron dhe sjellin zemërimin e Perëndisë. Nga ana tjetër, mirësia dhe bujaria, sidomos kur shprehen ndaj të uriturve dhe të munduarve, sjellin bekimin e pasur të Perëndisë. Ah sikur judenjtë t’i marrin seriozisht këto të vërteta! Atëherë rrëzëllimi dhe begatia e tyre frymore do t’i bëjnë të shkëlqejnë si dielli i mesditës, duke larguar çdo grimë errësire. Mbi të gjitha, do t’i sjellin nder dhe lëvdim Jehovait, Burimit të lavdisë dhe bekimeve të tyre.​—1 Mbretërve 8:41-43.

Një komb i rivendosur

14. (a) Si reagojnë bashkëkohësit e Isaisë ndaj fjalëve të tij? (b) Çfarë vazhdon të japë Jehovai?

14 Mjerisht, kombi e shpërfill thirrjen e Jehovait dhe zhytet gjithnjë e më thellë në ligësi. Më në fund, ata nuk i lënë mundësi tjetër Jehovait veçse t’i çojë në mërgim, siç kishte paralajmëruar. (Ligji i përtërirë 28:15, 36, 37, 64, 65) Megjithatë, fjalët vijuese që Jehovai thotë nëpërmjet Isaisë vazhdojnë të japin shpresë. Perëndia parathotë se një mbetje e disiplinuar dhe e penduar do të kthehet në Judë me gëzim, ndonëse ajo është e shkretë.

15. Ç’rivendosje të gëzueshme parathotë Jehovai?

15 Duke iu referuar rivendosjes së popullit të tij në vitin 537 p.e.s., Jehovai, nëpërmjet Isaisë, thotë: «Jehovai, me siguri, do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd, madje, edhe në një tokë të zhuritur dhe do të gjallërojë kockat e tua; ti ke për t’u bërë si një kopsht i ujitur mirë dhe si një burim uji [«gurrë», The New English Bible], ujërat e të cilit nuk gënjejnë [«shterojnë», NE ](Isaia 58:11) Jehovai do ta rikthejë vendin e zhuritur të Izraelit në një vend me prodhimtari të bollshme. Edhe më i mrekullueshëm është fakti që ai do ta bekojë popullin e tij të penduar, duke gjallëruar «kockat» e tyre, pra, duke i çuar nga një gjendje e pajetë në kuptimin frymor në një gjendje plot gjallëri. (Ezekieli 37:1-14) Vetë populli do të bëhet si «një kopsht i ujitur mirë», plot me fryte frymore.

16. Si do të ripërtërihet vendi?

16 Rivendosja do të përfshijë rindërtimin e qyteteve të shkatërruara nga pushtuesit babilonas në vitin 607 p.e.s. «Me kërkesën tënde njerëzit, me siguri, do të ndërtojnë vendet e shkretuara për një kohë të gjatë; do të ngresh, madje, themelet që kanë qenë brez pas brezi. Dhe, në të vërtetë, do të të quajnë riparuesi i çarjes, restauruesi i rrugëve në anë të të cilave mund të banohet.» (Isaia 58:12) Shprehjet paralele «vendet e shkretuara për një kohë të gjatë» dhe «themelet që kanë qenë brez pas brezi» (ose, themelet që kanë qenë të rrënuara për shumë breza) tregojnë se mbetja e riatdhesuar do të rindërtojë qytetet e rrënuara të Judës, e në veçanti Jerusalemin. (Nehemia 2:5; 12:27; Isaia 44:28) Ata do të riparojnë ‘çarjen’​—një term kolektiv ky që i referohet plasaritjeve në muret e Jerusalemit dhe, pa dyshim, edhe në muret e qyteteve të tjera.​—Jeremia 31:38-40; Amosi 9:14.

Bekime që vijnë nga mbajtja me besnikëri e sabatit

17. Në ç’mënyrë i bën thirrje Jehovai popullit të tij që t’u bindet ligjeve të sabatit?

17 Sabati ishte shprehje e interesimit të thellë të Perëndisë për mirëqenien fizike dhe frymore të popullit të tij. Jezui tha: «Sabati erdhi në ekzistencë për njeriun.» (Marku 2:27) Kjo ditë e shenjtëruar nga Jehovai u jepte izraelitëve një mundësi të veçantë që të tregonin dashurinë e tyre për Perëndinë. Mjerisht, në kohën e Isaisë ajo ishte shndërruar në një ditë për praktikimin e riteve boshe dhe për t’u dhënë pas dëshirave egoiste. Prandaj, edhe një herë, Jehovai ka arsye për të qortuar popullin e tij. Përsëri, ai përpiqet të prekë zemrat e tyre, duke thënë: «Nëse për shkak të sabatit do ta kthesh mbrapa këmbën për sa i përket bërjes së kënaqësive të tua në ditën time të shenjtë, nëse, në të vërtetë, do ta quash sabatin një kënaqësi të këndshme, një ditë të shenjtë të Jehovait, një ditë që i jepet lavdi dhe nëse, në të vërtetë, do t’i japësh lavdi në vend që të ndjekësh udhët e tua, në vend që të gjesh atë që të kënaq dhe të flasësh fjalë, atëherë do të gjesh kënaqësinë tënde të këndshme te Jehovai dhe unë do të bëj që të kalërosh në vendet e larta të tokës e do të shkaktoj që të hash nga zotërimi trashëgimor i Jakobit, paraardhësit tënd, sepse këtë e ka thënë goja e Jehovait.»​—Isaia 58:13, 14.

18. Çfarë pasoje do të sjellë mosmbajtja e sabatit nga ana e Judës?

18 Sabati është një ditë për të medituar lidhur me gjërat frymore, për t’u lutur dhe për të adhuruar si familje. Ai duhet t’i ndihmojë judenjtë që të meditojnë për veprat e mrekullueshme të Jehovait në dobi të tyre dhe për drejtësinë e dashurinë që janë të dukshme në Ligjin e tij. Kështu, mbajtja me besnikëri e kësaj dite të shenjtë duhet t’i ndihmojë njerëzit që të lidhen më ngushtë me Perëndinë e tyre. Mirëpo, në vend të kësaj, ata po e përdhosin sabatin dhe, si pasojë, rrezikojnë të humbin bekimin e Jehovait.​—Levitiku 26:34; 2 Kronikave 36:21.

19. Cilat bekime të pasura e presin popullin e Perëndisë, nëse kthehet dhe mban sabatin?

19 Megjithatë, nëse judenjtë nxjerrin mësime nga disiplina dhe kthehen e mbajnë sabatin, i presin bekime të pasura. Efektet e mira të adhurimit të vërtetë dhe të mbajtjes së sabatit do të vërshojnë në çdo fushë të jetës së tyre. (Ligji i përtërirë 28:1-13; Psalmi 19:7-11) Për shembull, Jehovai do të bëjë që populli i tij të ‘kalërojë në vendet e larta të tokës’. Kjo shprehje nënkupton siguri dhe mposhtje të armiqve. Ai që ka nën kontroll vendet e larta, pra kodrat dhe malet, ka nën kontroll vendin. (Ligji i përtërirë 32:13; 33:29) Dikur Izraeli i bindej Jehovait, e për këtë, gëzonte mbrojtjen e Tij dhe kombet e tjera e respektonin, e madje, e kishin frikë. (Josiu 2:9-11; 1 Mbretërve 4:20, 21) Nëse ata kthehen dhe i binden përsëri Jehovait, një pjesë e asaj lavdie të dikurshme do t’u kthehet. Jehovai do t’i japë popullit të tij një pjesë të plotë në ‘zotërimin trashëgimor të Jakobit’, që përfaqëson bekimet e premtuara nëpërmjet besëlidhjes së Tij me paraardhësit e tyre, e në veçanti bekimin e zotërimit të sigurt të Tokës së Premtuar.​—Psalmi 105:8-11.

20. Ç’«pushim sabati» kanë të krishterët?

20 A nxjerrin ndonjë mësim të krishterët nga kjo? Me vdekjen e Jezuit Ligji i Moisiut u shfuqizua, duke përfshirë edhe kërkesat e tij për sabatin. (Kolosianëve 2:16, 17) Megjithatë, fryma që duhej të kishte nxitur në Judë mbajtja e sabatit​—vendosja e interesave frymore në vend të parë dhe afrimi me Jehovain​—është ende jetësore për adhuruesit e Jehovait. (Mateu 6:33; Jakovit 4:8) Për më tepër, në letrën drejtuar hebrenjve, Pavli thotë: «Mbetet . . . një pushim sabati për popullin e Perëndisë.» Të krishterët hyjnë në këtë «pushim sabati», duke qenë të bindur ndaj Jehovait dhe duke ndjekur drejtësinë në bazë të besimit në gjakun e derdhur të Jezu Krishtit. (Hebrenjve 3:12, 18, 19; 4:6, 9-11, 14-16) Për të krishterët, ky lloj sabati nuk mbahet vetëm një ditë në javë, por çdo ditë.​—Kolosianëve 3:23, 24.

Izraeli frymor ‘kalëron në vendet e larta të tokës’

21, 22. Në ç’mënyrë ka bërë Jehovai që Izraeli i Perëndisë ‘të kalërojë në vendet e larta të tokës’?

21 Që nga çlirimi prej robërisë babilonase në vitin 1919, të krishterët e mirosur kanë mbajtur me besnikëri atë që përfaqësonte sabati. Për pasojë, Jehovai ka bërë që ata të ‘kalërojnë në vendet e larta të tokës’. Në cilin kuptim? Në vitin 1513 p.e.s., Jehovai bëri një besëlidhje me pasardhësit e Abrahamit, që, nëse do të ishin të bindur, do të bëheshin një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë. (Dalja 19:5, 6) Gjatë 40 vjetëve në shkretëtirë, Jehovai i udhëhoqi shëndoshë e mirë, ashtu si një shqiponjë që mbart të vegjlit e saj dhe i bekoi me furnizime të bollshme. (Ligji i përtërirë 32:10-12) Mirëpo kombit i mungoi besimi dhe përfundimisht i humbi të gjitha privilegjet që do të mund të kishte. Me gjithë këtë, sot, Jehovai ka një komb priftërinjsh. Është Izraeli frymor i Perëndisë.​—Galatasve 6:16; 1 Pjetrit 2:9.

22 Gjatë ‘kohës së fundit’, ky komb frymor ka bërë atë që nuk bëri Izraeli i lashtë. Ka vazhduar të ushtrojë besim te Jehovai. (Danieli 8:17) Ndërkohë që pjesëtarët e tij i mbajnë rreptësisht normat dhe udhët e larta të Jehovait, në kuptimin frymor Jehovai i ngre lart ata. (Proverbat 4:4, 5, 8; Zbulesa 11:12) Të mbrojtur nga papastërtia që i rrethon, ata kanë një mënyrë të lartë jetese dhe në vend që të këmbëngulin për të ndjekur udhët e tyre, gjejnë ‘kënaqësi në Zotin’ dhe në Fjalën e tij. (Psalmi 37:4, Dio) Jehovai i ka ruajtur të sigurt frymësisht, me gjithë kundërshtimin e vendosur anembanë botës. Që nga viti 1919, «vendi» i tyre frymor nuk është prishur. (Isaia 66:8) Ata vazhdojnë të jenë populli për emrin e tij të lartë, emër të cilin e shpallin me gëzim në mbarë botën. (Ligji i përtërirë 32:3; Veprat 15:14) Gjithashtu, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish zemërbutë nga të gjitha kombet gëzojnë bashkë me ta të njëjtin privilegj: u mësohen udhët e Jehovait dhe ndihmohen të ecin në shtigjet e tij.

23. Në ç’mënyrë ka bërë Jehovai që shërbëtorët e tij të mirosur të ‘hanë nga zotërimi trashëgimor i Jakobit’?

23 Jehovai ka bërë që shërbëtorët e tij të ‘hanë nga zotërimi trashëgimor i Jakobit’. Kur Isaku bekoi Jakobin në vend të Esaut, fjalët e atij patriarku parathanë bekime për të gjithë ata që do të ushtronin besim në Farën e premtuar të Abrahamit. (Zanafilla 27:27-29; Galatasve 3:16, 17) Ashtu si Jakobi, dhe ndryshe nga Esau, të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre «i vlerësojnë gjërat e shenjta»,e në veçanti ushqimin frymor që Perëndia e siguron me bollëk. (Hebrenjve 12:16, 17; Mateu 4:4) Ky ushqim frymor, i cili përfshin njohurinë për atë që Jehovai po kryen nëpërmjet Farës së premtuar dhe shokëve të asaj Fare, është forcues, gjallërues dhe jetësor për jetën e tyre frymore. Prandaj, është e rëndësishme që ata të marrin vazhdimisht ushqim frymor, duke lexuar Fjalën e Perëndisë dhe duke medituar rreth saj. (Psalmi 1:1-3) Është e nevojshme që të shoqërohen me bashkëbesimtarët në mbledhjet e krishtere. Gjithashtu, është thelbësore që të mbështetin normat e larta të adhurimit të pastër, ndërsa e ndajnë me gëzim atë ushqim frymor me të tjerët.

24. Si sillen të krishterët e vërtetë sot?

24 Ndërkohë që të krishterët e vërtetë presin me padurim përmbushjen e premtimeve të Jehovait, vazhdofshin të flakin tej çdo lloj hipokrizie! Të ushqyer me «zotërimin trashëgimor të Jakobit», vazhdofshin të gëzojnë siguri frymore në «vendet e larta të tokës»!

[Shënimi]

^ par. 9 Jehovai përcaktoi rregullin që pjesëtarët e popullit të tij, të cilët futeshin në borxh ta shitnin veten në skllavëri​—praktikisht duke u kthyer në punëtorë me mëditje​—për të paguar borxhet e tyre. (Levitiku 25:39-43) Megjithatë, Ligji kërkonte që skllevërit të trajtoheshin me dashamirësi. Ata që trajtoheshin mizorisht duheshin liruar.​—Dalja 21:2, 3, 26, 27; Ligji i përtërirë 15:12-15.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 278]

Judenjtë agjëronin dhe përkulnin kokën duke u shtirur si të penduar, por nuk ndryshonin rrugë

[Figura në faqen 283]

Ata që kanë mundësi ta bëjnë, u japin strehim, veshje dhe ushqim atyre që janë në nevojë

[Figura në faqen 286]

Nëse pendohet, Juda do të rindërtojë qytetet e saj të shkretuara