Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai lartëson Shërbëtorin e tij Mesianik

Jehovai lartëson Shërbëtorin e tij Mesianik

Kapitulli katërmbëdhjetë

Jehovai lartëson Shërbëtorin e tij Mesianik

Isaia 52:13–53:12

1, 2. (a) Ilustroni gjendjen në të cilën u ndodhën shumë judenj në fillim të shekullit të parë të e.s. (b) Çfarë mase kishte marrë Jehovai për t’i ndihmuar judenjtë besimplotë që ta njihnin Mesinë?

TË IMAGJINOJMË sikur duhet të takohemi me një funksionar të rëndësishëm. Koha dhe vendi i takimit janë përcaktuar. Por ka një problem: nuk e njohim si fytyrë dhe ai do të vijë pa rënë në sy, pa bujë. Si do ta njohim? Po të kishim një përshkrim të tij, kjo do të ishte një ndihmë.

2 Në fillim të shekullit të parë të e.s., shumë judenj u gjendën në një situatë të tillë. Ata ishin duke pritur Mesinë, njeriun më të rëndësishëm që do të kishte jetuar ndonjëherë. (Danieli 9:24-27; Luka 3:15) Por, si do ta njihnin atë judenjtë besimplotë? Nëpërmjet profetëve hebrenj, Jehovai kishte përshkruar me hollësi ngjarjet që do të ndodhnin lidhur me Mesinë, të cilat do t’u jepnin mundësi atyre që kishin aftësi dalluese ta identifikonin në mënyrë të pagabueshme.

3. Ç’përshkrim i Mesisë jepet në Isainë 52:13–53:12?

3 Nga profecitë hebraike rreth Mesisë, ndoshta asnjëra prej tyre nuk jep një përshkrim më të qartë të tij sesa ajo e dokumentuar në Isainë 52:13–53:12. Më shumë se 700 vjet para se të vinte Mesia, Isaia përshkroi, jo pamjen fizike, por hollësi që ishin më domethënëse​—qëllimin dhe llojin e vuajtjeve që do të kalonte, si edhe hollësi rreth vdekjes, varrimit dhe lartësimit të Mesisë. Një shqyrtim i kësaj profecie dhe i përmbushjes së saj do të na ngrohë zemrën dhe do të na forcojë besimin.

«Shërbëtori im»​—Kush është ai?

4. Çfarë mendimesh kanë dhënë disa studiues rreth identitetit të ‘shërbëtorit’, por pse nuk përputhen me profecinë?

4 Isaia sapo ka folur për çlirimin e judenjve nga mërgimi në Babiloni. Tani, duke e hedhur vështrimin drejt një ngjarjeje shumë më të rëndësishme, ai shkruan fjalët e Jehovait: «Ja, shërbëtori im do të veprojë me gjykim të thellë. Ai do të jetë në një vend të lartë dhe, me siguri, do të ngrihet e do të lartësohet shumë.» (Isaia 52:13) Kush është në të vërtetë ky ‘shërbëtor’? Gjatë shekujve, studiuesit judenj kanë dhënë mendime të ndryshme. Disa kanë pohuar se ai përfaqësonte gjithë kombin e Izraelit gjatë mërgimit në Babiloni. Por një shpjegim i tillë nuk përputhet me profecinë. Shërbëtori i Perëndisë vuan vullnetarisht. Ndonëse i pafajshëm, ai vuan për mëkatet e të tjerëve. Ky përshkrim vështirë se i përshtatet kombit jude, i cili shkoi në mërgim për shkak të udhëve të tij mëkatare. (2 Mbretërve 21:11-15; Jeremia 25:8-11) Të tjerë kanë pohuar se Shërbëtori përfaqësonte elitën izraelite që e mbante veten për të drejtë dhe se kjo elitë vuajti në vend të izraelitëve mëkatarë. Prapëseprapë, gjatë kohës së vuajtjeve në Izrael, asnjë grup specifik nuk vuajti në vend të ndonjë grupi tjetër.

5. (a) Cilin zbatim i kanë bërë disa studiues profecisë së Isaisë? (Shih shënimin.) (b) Cili identifikim i qartë i bëhet Shërbëtorit në librin biblik të Veprave?

5 Para lindjes së krishterimit dhe, deri në njëfarë mase, gjatë shekujve të parë të erës sonë, disa studiues judenj ia zbatuan këtë profeci Mesisë. Që ky është zbatimi i saktë shihet në Shkrimet e Krishtere Greke. Libri i Veprave tregon se, kur eunuku etiopas tha që nuk e njihte identitetin e Shërbëtorit në profecinë e Isaisë, Filipi «i shpalli atij lajmin e mirë për Jezuin». (Veprat 8:26-40; Isaia 53:7, 8) Në mënyrë të ngjashme, libra të tjerë biblikë e identifikojnë Jezu Krishtin si Shërbëtorin Mesianik të profecisë së Isaisë. * Ndërsa shqyrtojmë këtë profeci, do të shohim paralelet e pamohueshme që ekzistojnë ndërmjet atij që Jehovai e quan «shërbëtori im» dhe Jezuit të Nazaretit.

6. Në ç’mënyrë tregon profecia e Isaisë se Mesia do ta kryejë me sukses vullnetin hyjnor?

6 Profecia fillon duke përshkruar suksesin përfundimtar të Mesisë në kryerjen e vullnetit hyjnor. Fjala ‘shërbëtor’ tregon se ai do t’i nënshtrohet vullnetit të Perëndisë, ashtu si një shërbëtor i nënshtrohet vullnetit të zotërisë së tij. Ndërsa bën këtë, ai «do të veprojë me gjykim të thellë». Gjykimi i thellë është aftësia për të parë në brendësi të një situate. Të veprosh me gjykim të thellë do të thotë të veprosh me maturi. Lidhur me fjalën hebraike të përdorur këtu, një vepër referimi thotë: «Në thelb të saj qëndron ideja e të vepruarit me kujdes dhe me mençuri. Ai që vepron me mençuri do të korrë sukses.» Që Mesia do të ketë vërtet sukses duket nga fjalët e profecisë, e cila thotë se ai do të «ngrihet e do të lartësohet shumë».

7. Në ç’mënyrë ‘veproi me gjykim të thellë’ Jezui dhe si u ‘ngrit e u lartësua shumë’ ai?

7 Jezui ‘veproi me gjykim të thellë’, duke treguar kuptueshmëri për profecitë e Biblës që i përkitnin dhe duke u udhëhequr prej tyre për të bërë vullnetin e Atit të tij. (Gjoni 17:4; 19:30) Me çfarë përfundimi? Pas ringjalljes dhe ngjitjes së Jezuit në qiell, «Perëndia e ngriti në një pozitë më të lartë dhe me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër tjetër». (Filipianëve 2:9; Veprat 2:34-36) Më vonë, në vitin 1914, Jezui i veshur me lavdi u ngrit edhe më shumë. Jehovai e lartësoi duke e ulur në fronin e Mbretërisë Mesianike. (Zbulesa 12:1-5) Po, ai u ‘ngrit e u lartësua shumë’.

‘E shikojnë të shtangur’

8, 9. Si do të reagojnë sundimtarët tokësorë kur Jezui të vijë për të ekzekutuar gjykimin dhe pse?

8 Si do të reagojnë kombet dhe sundimtarët e tyre ndaj Mesisë së lartësuar? Nëse për një çast e lëmë mënjanë komentin shpjegues të pjesës së dytë të vargut 14, profecia thotë: «Në po atë masë që shumë e kanë shikuar të shtangur . . . po ashtu, ai do të bëjë të dridhen shumë kombe. Para tij mbretërit do të mbyllin gojën, sepse, në të vërtetë, do të shohin atë që nuk u ishte treguar dhe duhet të marrin parasysh atë që nuk e kishin dëgjuar.» (Isaia 52:14a, 15) Me këto fjalë Isaia nuk përshkruan shfaqjen e parë të Mesisë, por ballafaqimin e tij të fundit me sundimtarët tokësorë.

9 Kur Jezui i lartësuar të vijë për të ekzekutuar gjykimin mbi këtë sistem të paperëndishëm, sundimtarët tokësorë do ta ‘shikojnë të shtangur’. Qartë, ata nuk do ta shohin në kuptimin e vërtetë Jezuin të veshur me lavdi. Por, do të shohin dëshmitë e dukshme të fuqisë së tij si Luftëtar qiellor i Jehovait. (Mateu 24:30) Ata do të detyrohen të marrin parasysh atë që nuk e kishin dëgjuar t’u thuhej nga udhëheqësit e tyre fetarë​—faktin që Jezui është Ekzekutuesi i gjykimeve të Perëndisë. Shërbëtori i lartësuar me të cilin do të ballafaqohen do të veprojë në një mënyrë që ata nuk e presin.

10, 11. Në cilin kuptim mund të thuhet se Jezui u shfytyrua në shekullin e parë dhe si është bërë kjo edhe sot?

10 Sipas komentit shpjegues në vargun 14, Isaia thotë: «Pamja e tij ishte shfytyruar kaq shumë, më shumë sesa ajo e çdo njeriu tjetër dhe forma e tij hijerëndë më shumë se ajo e bijve të njerëzve.» (Isaia 52:14b) A u shfytyrua fizikisht Jezui në ndonjë mënyrë? Jo. Ndonëse Bibla nuk jep hollësi rreth pamjes së Jezuit, pa dyshim që Biri i përsosur i Perëndisë kishte një fytyrë dhe një pamje të këndshme. Me sa duket, fjalët e Isaisë kanë të bëjnë me poshtërimin që iu bë Jezuit. Ai i demaskoi me guxim udhëheqësit fetarë të kohës së tij si hipokritë, gënjeshtarë e vrasës dhe ata iu përgjigjën duke e sharë. (1 Pjetrit 2:22, 23) E akuzuan se ishte shkelës i ligjit, blasfemues, mashtrues dhe nxitës rebelimi ndaj Romës. Kështu, këta akuzues të rremë e shtrembëruan plotësisht karakterin e Jezuit.

11 Shtrembërimi i figurës së Jezuit vazhdon edhe sot. Shumica e njerëzve e imagjinojnë Jezuin si një foshnjë në një koritë ose si një figurë tragjike të gozhduar në një kryq, me një pamje agonike të shfytyruar dhe me një kurorë gjembash në kokë. Kleri i të ashtuquajturit krishterim i ka përkrahur këto ide. Ai nuk e ka paraqitur Jezuin si Mbret të fuqishëm qiellor, të cilit kombet do t’i japin llogari. Kur të ballafaqohen me Jezuin në të ardhmen, sundimtarët njerëzorë do të kenë të bëjnë me një Mesi që ka «çdo autoritet në qiell dhe në tokë».​—Mateu 28:18.

Kush do të tregojë besim në këtë lajm të mirë?

12. Cilat pyetje që të ngjallin kureshtjen ngre Isaia 53:1?

12 Pasi përshkruan transformimin e mahnitshëm të Mesisë, nga ‘i shfytyruar’ në ‘shumë i lartësuar’, Isaia pyet: «Kush ka treguar besim në atë që dëgjoi nga ne? Dhe sa për krahun e Jehovait, kujt i është zbuluar?» (Isaia 53:1) Këto fjalë të Isaisë bëjnë të lindin pyetje që të ngjallin kureshtjen: A do të përmbushet kjo profeci? A do të shfaqet ‘krahu i Jehovait’, i cili përfaqëson aftësinë e tij për të ushtruar fuqi, që t’i bëjë të vërteta këto fjalë?

13. Si tregoi Pavli se profecia e Isaisë ishte përmbushur në Jezuin dhe cila ishte përgjigjja e njerëzve?

13 Përgjigjja është pa dyshim, po! Në letrën e tij drejtuar romakëve, Pavli citon fjalët e Isaisë për të treguar se profecia e dëgjuar dhe e regjistruar nga Isaia doli e vërtetë lidhur me Jezuin. Veshja me lavdi e Jezuit pas vuajtjeve të tij në tokë ishte një lajm i mirë. «Sidoqoftë,​—thotë Pavli, duke folur për judenjtë pa besim,​—jo të gjithë ata iu bindën lajmit të mirë. Sepse Isaia thotë: ‘O Jehova, kush tregoi besim në atë që dëgjoi prej nesh?’ Besimi, pra, vjen pas asaj që është dëgjuar. Nga ana e saj, ajo që është dëgjuar vjen nëpërmjet fjalës në lidhje me Krishtin.» (Romakëve 10:16, 17) Por, mjerisht, pak njerëz në kohën e Pavlit treguan besim në lajmin e mirë që fliste rreth Shërbëtorit të Perëndisë. Pse?

14, 15. Cili do të jetë mjedisi kur Mesia të hyjë në skenën tokësore?

14 Në vazhdim, profecia u shpjegon izraelitëve arsyet për pyetjet e ngritura në vargun 1 dhe, ndërsa e bën këtë, hedh dritë mbi arsyen përse shumë njerëz nuk do ta pranojnë Mesinë: «Ai do të dalë si një degëz para [një vëzhguesi] dhe si një rrënjë nga një vend pa ujë. Nuk ka formë hijerëndë, as ndonjë shkëlqim dhe, kur ta shohim, nuk do të ketë pamje të tillë që ta dëshirojmë.» (Isaia 53:2) Këtu shohim mjedisin kundrejt të cilit Mesia do të hyjë në skenën tokësore. Fillimi i tij do të jetë i thjeshtë dhe për vëzhguesit vështirë se ai mund të bëhet dikush. Veç kësaj, ai do të jetë thjesht si një degëz, si një filiz i brishtë, që rritet në trungun ose në degën e një peme. Gjithashtu, do të jetë si një rrënjë që ka nevojë për ujë, në një tokë të thatë e të pafrytshme. Nuk do të vijë me madhështi e shkëlqim mbretëror, domethënë, do të jetë pa petk mbretëror a diadema vezulluese. Në vend të kësaj, fillimi i tij do të jetë i thjeshtë dhe modest.

15 Ç’përshkrim i goditur i fillimit të thjeshtë të jetës së Jezuit si njeri! Maria, një virgjëreshë judeje, e lindi atë në një stallë që ndodhej në një qytet të vogël të njohur me emrin Betlehem. * (Luka 2:7; Gjoni 7:42) Maria dhe burri i saj, Jozefi, ishin të varfër. Rreth 40 ditë pas lindjes së Jezuit, ata sollën blatimin për mëkat që lejohej në rastin e të varfërve, «një çift turtujsh ose dy zogj pëllumbash». (Luka 2:24; Levitiku 12:6-8) Më në fund, Maria dhe Jozefi u vendosën në Nazaret, ku Jezui u rrit në një familje të madhe dhe, me sa duket, në kushte modeste.​—Mateu 13:55, 56.

16. Në cilin kuptim është e vërtetë që Jezui nuk kishte «formë hijerëndë» ose «shkëlqim»?

16 Si njeri, Jezui dukej se nuk i kishte rrënjët në tokën e duhur. (Gjoni 1:46; 7:41, 52) Edhe pse ishte një njeri i përsosur dhe pasardhës i mbretit David, kushtet e tij të thjeshta nuk i jepnin ndonjë «formë hijerëndë» ose ndonjë «shkëlqim», të paktën jo në sytë e atyre të cilët pritnin që Mesia të vinte nga një mjedis më mbresëlënës. Të nxitur nga udhëheqësit fetarë judenj, shumë njerëz e shpërfillën dhe, madje, e përbuzën atë. Në fund, turmat nuk panë asgjë të dëshirueshme te Biri i përsosur i Perëndisë.​—Mateu 27:11-26.

‘Përbuzet dhe shmanget nga njerëzit’

17. (a) Çfarë fillon të përshkruajë Isaia dhe përse shkruan në kohën e shkuar? (b) Cilët ‘e përbuzën’ dhe ‘e shmangën’ Jezuin dhe pse e bënë këtë?

17 Tani, Isaia përshkruan me hollësi se si do të shihet dhe si do të trajtohet Mesia: «U përbuz dhe u shmang nga njerëzit; ishte një njeri i paracaktuar të provonte dhembje dhe të njihej me sëmundjet. Ishte sikur fytyra e tij fshihej nga ne. U përbuz, dhe ne nuk e vlerësuam aspak si të rëndësishëm.» (Isaia 53:3) I sigurt se këto fjalë do të vërtetoheshin, Isaia shkruan në kohën e shkuar, sikur tashmë ato të ishin përmbushur. A e përçmuan dhe a e shmangën, me të vërtetë, njerëzit Jezu Krishtin? Pa dyshim që po! Udhëheqësit fetarë që e mbanin veten për të drejtë dhe ithtarët e tyre e shihnin atë si njeriun më të poshtër. E quajtën mik të taksambledhësve dhe të prostitutave. (Luka 7:34, 37-39) E pështynë në fytyrë. E goditën me grushta dhe e shanë. E shpotitën dhe e tallën. (Mateu 26:67) Nën ndikimin e këtyre armiqve të së vërtetës, «të vetët nuk e pranuan» Jezuin.​—Gjoni 1:10, 11.

18. Përderisa Jezui nuk u sëmur kurrë, në ç’kuptim ishte «një njeri i paracaktuar të provonte dhembje dhe të njihej me sëmundjet»?

18 Si njeri i përsosur që ishte, Jezui nuk u sëmur ndonjëherë. Megjithatë, ai ishte «një njeri i paracaktuar të provonte dhembje dhe të njihej me sëmundjet». Këto dhembje dhe sëmundje nuk ishin të tijat. Jezui erdhi nga qielli në një botë të sëmurë. Jetoi mes vuajtjeve dhe dhembjeve, por nuk i shmangu ata që ishin të sëmurë, qoftë fizikisht, qoftë frymësisht. Si një mjek i kujdesshëm, ai u njoh nga afër me vuajtjet e atyre që e rrethonin. Për më tepër, ishte në gjendje të bënte atë që asnjë mjek i zakonshëm nuk mund ta bëjë.​—Luka 5:27-32.

19. Fytyra e kujt ishte ‘fshehur’ dhe si treguan armiqtë e Jezuit se ‘nuk e vlerësonin aspak si të rëndësishëm’?

19 Mirëpo armiqtë e Jezuit e quanin atë si të sëmurë, dhe nuk pranuan ta përkrahnin. Fytyra e tij ishte ‘fshehur’ nga sytë e njerëzve, por jo sepse Jezui e fshihte fytyrën që të mos e shihnin të tjerët. Në përkthimin e Isaisë 53:3, The New English Bible përdor shprehjen «diçka nga e cila njerëzit largojnë sytë». Kundërshtarët e quanin Jezuin kaq të neveritshëm, saqë, në të vërtetë, largoheshin prej tij si të ishte tepër i pështirë për ta parë. Ata e llogaritën vlerën e tij jo më shumë se çmimi i një skllavi. (Dalja 21:32; Mateu 26:14-16) E vlerësuan atë më pak se vrasësin Baraba. (Luka 23:18-25) Ç’gjë tjetër mund të bënin për të treguar vlerësimin e ulët që kishin për Jezuin?

20. Çfarë ngushëllimi i japin fjalët e Isaisë popullit të Jehovait sot?

20 Shërbëtorët e Jehovait sot mund të ngushëllohen shumë nga fjalët e Isaisë. Ndonjëherë kundërshtarët mund t’i përçmojnë adhuruesit besnikë të Jehovait ose mund t’i trajtojnë si të parëndësishëm. Megjithatë, ashtu si në rastin e Jezuit, ajo që ka vërtet rëndësi është se sa na vlerëson Perëndia Jehova. Në fund të fundit, edhe pse njerëzit ‘nuk e vlerësuan aspak si të rëndësishëm’ Jezuin, sigurisht që kjo nuk ia uli vlerën e madhe që kishte në sytë e Perëndisë!

‘Shpohet për shkeljen tonë’

21, 22. (a) Çfarë mbajti dhe mbarti Mesia në vend të të tjerëve? (b) Si e shihnin shumë veta Mesinë dhe çfarë gjëje shënoi kulmin e vuajtjeve të tij?

21 Pse duhej që Mesia të vuante e të vdiste? Isaia shpjegon: «Vërtet, ai mbajti sëmundjet tona dhe sa për dhembjet tona i mbarti ato. Por ne e quajtëm si të ndëshkuar, të goditur nga Perëndia dhe të munduar. Por ai po shpohej për shkeljen tonë; po dërrmohej për gabimet tona. Ndëshkimi për paqen tonë ra mbi të dhe për shkak të plagëve të tij ne patëm shërim. Ishim endur të gjithë andej-këtej si dele; secili nga ne ishte drejtuar për në rrugën e vet dhe Jehovai bëri që gabimi i të gjithëve ne të binte mbi të.»​—Isaia 53:4-6.

22 Mesia mbajti sëmundjet e të tjerëve dhe mbarti dhembjet e tyre. Ai, si të thuash, i ngriti barrët e tyre, i vendosi në shpatullat e tij dhe i mbajti. Dhe meqenëse sëmundjet dhe dhembjet janë pasoja të gjendjes mëkatare të njerëzimit, Mesia mbajti mëkatet e të tjerëve. Shumë veta nuk e kuptuan arsyen e vuajtjeve të tij dhe menduan se Perëndia po e ndëshkonte, duke e goditur me një sëmundje të neveritshme. * Vuajtjet e Mesisë arritën kulmin kur ai u shpua, u dërrmua dhe u plagos​—fjalë të fuqishme këto që përshkruajnë një vdekje të dhunshme e të dhembshme. Por vdekja e tij ka fuqi mëkatshlyese; ajo siguron një bazë për të rifituar ata që enden andej-këtej në gabim e në mëkat, duke i ndihmuar të vendosin paqen me Perëndinë.

23. Në ç’mënyrë i mbarti Jezui vuajtjet e të tjerëve?

23 Si i mbarti Jezui vuajtjet e të tjerëve? Duke cituar Isainë 53:4, Ungjilli i Mateut thotë: «Njerëzit i sollën shumë të pushtuar nga demonët; dhe ai i dëboi frymërat me një fjalë dhe i shëroi të gjithë sa hiqnin keq; që të përmbushej ç’ishte folur nëpërmjet profetit Isaia, duke thënë: ‘Ai vetë mori sëmundjet tona dhe mbajti lëngatat tona.’» (Mateu 8:16, 17) Duke shëruar ata që erdhën tek ai me sëmundje të ndryshme, Jezui, në të vërtetë, i mori vuajtjet e tyre mbi vete. Këto shërime bëheshin duke shfrytëzuar fuqinë e tij jetësore. (Luka 8:43-48) Aftësia e tij për të shëruar çdo lloj sëmundjeje, fizike dhe frymore, tregoi se atij i ishte dhënë fuqia për t’i pastruar njerëzit nga mëkati.​—Mateu 9:2-8.

24. (a) Pse shumë njerëzve iu duk se Jezui u «ndëshkua» nga Perëndia? (b) Pse vuajti dhe vdiq Jezui?

24 E megjithatë, shumë njerëzve iu duk se Jezui ‘u ndëshkua’ nga Perëndia. Në fund të fundit, ai vuajti në sajë të nxitjes së udhëheqësve të respektuar fetarë. Por, të mos harrojmë që ai nuk vuajti për shkak të ndonjë mëkati që kishte kryer vetë. «Krishti vuajti për ju,​—thotë Pjetri,​—duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij. Ai nuk kreu asnjë mëkat dhe në gojën e tij nuk u gjet asnjë mashtrim. Ai vetë mbarti mëkatet tona në trupin e tij mbi shtyllë, që ne të mos kishim të bënim më me mëkatet dhe të jetonim për drejtësinë. Dhe ‘me plagët e tij u shëruat’.» (1 Pjetrit 2:21, 22, 24) Dikur, të gjithë ne ishim të humbur për shkak të mëkatit, ‘si dele që po humbitnim rrugën’. (1 Pjetrit 2:25) Sidoqoftë, nëpërmjet Jezuit, Jehovai siguroi një mjet për të na shpenguar nga gjendja jonë mëkatare. Ai bëri që gabimi ynë të «binte mbi» Jezuin, të mbetej tek ai. Jezui i pamëkat vuajti vullnetarisht dënimin për mëkatet tona. Duke pësuar në mënyrë të pamerituar një vdekje të turpshme mbi një shtyllë, ai bëri të mundur pajtimin tonë me Perëndinë.

‘Ai lejoi ta mundonin’

25. Si e dimë që Mesia ishte i gatshëm të vuante dhe të vdiste?

25 A ishte i gatshëm Mesia të vuante dhe të vdiste? Isaia thotë: «Ndaj tij ushtruan shumë presion dhe ai po lejonte ta mundonin, prapëseprapë, nuk e hapte gojën. Po e çonin porsi një dele në thertore dhe ashtu si një dele që nuk nxjerr zë para qethtarëve të vet, edhe ai nuk e hapte gojën.» (Isaia 53:7) Natën e fundit të jetës së tij, Jezui mund të kishte thirrur «më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh» për t’i ardhur në ndihmë. Por ai tha: «Në atë rast, si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë në këtë mënyrë?» (Mateu 26:53, 54) Në vend të kësaj, «Qengji i Perëndisë» nuk bëri aspak rezistencë. (Gjoni 1:29) Kur krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzuan në mënyrë të rreme para Pilatit, Jezui «nuk dha asnjë përgjigje». (Mateu 27:11-14) Ai nuk donte të thoshte asgjë që mund të pengonte kryerjen e vullnetit të Perëndisë për të. Jezui qe i gatshëm të vdiste si një Qengj sakrifice, duke e ditur fare mirë që vdekja e tij do të shpengonte njerëzimin e bindur nga mëkati, sëmundjet dhe vdekja.

26. Në ç’mënyrë ‘u përmbajtën’ kundërshtarët e Jezuit?

26 Tani Isaia jep më shumë hollësi për vuajtjet dhe poshtërimin e Mesisë. Profeti shkruan: «Për shkak të përmbajtjes dhe të gjykimit atë e hoqën; dhe kush do të interesohet për hollësitë e lindjes së tij? Sepse atë e prenë nga toka e të gjallëve. U godit për shkak të shkeljes së popullit tim.» (Isaia 53:8) Kur më në fund Jezuin e morën armiqtë, këta kundërshtarë fetarë ‘u përmbajtën’ në mënyrën se si e trajtuan. Jo se përmbajtën urrejtjen e tyre, por u përmbajtën nga ushtrimi i drejtësisë. Në versionin e saj të Isaisë 53:8, Septuaginta greke përdor fjalën «poshtërim» në vend të fjalës ‘përmbajtje’. Armiqtë e poshtëruan Jezuin duke mos e trajtuar në mënyrën e drejtë që i takonte, madje, edhe një krimineli të zakonshëm. Gjyqi që iu bë Jezuit e nëpërkëmbi drejtësinë. Në ç’mënyrë?

27. Gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor të Jezuit, cilat rregulla shpërfillën udhëheqësit fetarë judenj dhe në cilat mënyra e thyen Ligjin e Perëndisë?

27 Të vendosur për ta hequr qafe Jezuin, udhëheqësit fetarë judenj shkelën madje edhe rregullat e tyre. Sipas traditës, Sinedri mund ta gjykonte një çështje, ku përfshihej dënimi me vdekje, vetëm në sallën me gurë të latuar në oborrin e tempullit, dhe jo në shtëpinë e kryepriftit. Një gjykim i tillë duhej bërë ditën, jo pas perëndimit të diellit. Gjithashtu, në një çështje ku përfshihej dënimi me vdekje, fajësia duhej shpallur ditën vijuese, pas zhvillimit të seancës gjyqësore. Prandaj, asnjë gjyq nuk mund të zhvillohej një ditë para sabatit a para një feste. Të gjitha këto rregulla u shpërfillën në rastin e gjyqit të Jezuit. (Mateu 26:57-68) Më keq akoma, udhëheqësit fetarë shkelën Ligjin e Perëndisë në trajtimin e kësaj çështjeje. Për shembull, ata dhanë ryshfet për të zënë në grackë Jezuin. (Ligji i përtërirë 16:19; Luka 22:2-6) U vunë veshin dëshmitarëve të rremë. (Dalja 20:16; Marku 14:55, 56) Po ashtu, komplotuan për të liruar një vrasës, duke bërë fajtorë gjaku veten dhe vendin e tyre. (Numrat 35:31-34; Ligji i përtërirë 19:11-13; Luka 23:16-25) Kështu, nuk pati «gjykim» ose një proces gjyqësor të ndershëm, i cili të arrinte në një vendim të drejtë e të paanshëm.

28. Çfarë nuk morën parasysh armiqtë e Jezuit?

28 A hetuan armiqtë e Jezuit për të parë se kush ishte në të vërtetë njeriu që po gjykohej para tyre. Isaia bën një pyetje të ngjashme: «Kush do të interesohet për hollësitë e lindjes së tij?» Fjala «lindje» mund të ketë lidhje me prejardhjen ose të kaluarën e një personi. Kur Jezui po gjykohej para Sinedrit, anëtarët e këtij të fundit nuk e morën parasysh të kaluarën e tij​—faktin që ai përmbushi kërkesat për Mesinë e premtuar. Në vend të kësaj, e akuzuan për blasfemi dhe arritën në përfundimin se meritonte vdekjen. (Marku 14:64) Më pas, guvernatori romak, Ponc Pilati, u dorëzua para presionit dhe e dënoi Jezuin duke e vënë në shtyllë. (Luka 23:13-25) Kështu, kur ishte vetëm 33 vjeç e gjysmë, jeta e Jezuit ‘u pre’ ose u këput në mes.

29. Si ndodhi që vendi i varrimit të Jezuit ishte «me të ligjtë» dhe «me klasën e pasur»?

29 Në vazhdim, lidhur me vdekjen dhe varrimin e Mesisë, Isaia shkruan: «Në vdekjen e tij ai do ta bëjë vendin e tij të varrimit me të ligjtë dhe me klasën e pasur, megjithëse nuk kishte ushtruar dhunë dhe në gojën e tij nuk kishte mashtrim.» (Isaia 53:9) Në ç’mënyrë ishte Jezui në vdekje dhe në varrim, si me të ligun, ashtu edhe me të pasurin? Më 14 nisan të vitit 33 të e.s., ai vdiq në shtyllën e ekzekutimit jashtë mureve të Jerusalemit. Meqenëse ishte vënë në shtyllë midis dy keqbërësve, në njëfarë kuptimi, vendi i varrimit të tij ishte me të ligjtë. (Luka 23:33) Megjithatë, pasi Jezui kishte vdekur, Jozefi, një burrë i pasur nga Arimatea, mori guximin t’i kërkonte leje Pilatit që të zbriste trupin e Jezuit nga shtylla dhe ta varroste. Bashkë me Nikodemin, Jozefi e përgatiti trupin për varrim dhe e vendosi në një varr të sapogërmuar që i përkiste atij. (Mateu 27:57-60; Gjoni 19:38-42) Kështu, vendi i varrimit të Jezuit ishte edhe me klasën e pasur.

‘Jehovai gjeti kënaqësi duke e dërrmuar’

30. Në cilin kuptim gjeti kënaqësi Jehovai duke e dërrmuar Jezuin?

30 Në vazhdim, Isaia thotë diçka befasuese: «Vetë Jehovai gjeti kënaqësi duke e dërrmuar; ai e bëri të sëmurej. Nëse e vë shpirtin e tij si një blatim për fajin, ai do të shohë pasardhësit e tij, do të zgjasë ditët e tij dhe në dorën e tij do të realizohet ajo që është kënaqësia e Jehovait. Për shkak të trazimit të shpirtit të tij, ai do të shohë e do të kënaqet. Nëpërmjet njohurisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të sjellë një qëndrim të drejtë për shumë njerëz dhe ai vetë do të mbartë gabimet e tyre.» (Isaia 53:10, 11) Si është e mundur që Perëndia të kënaqet duke parë shërbëtorin e tij besnik tek dërrmohet? Qartë, nuk ishte Jehovai ai që i shkaktoi vuajtjet e Birit të tij të dashur. Armiqtë e Jezuit ishin plotësisht përgjegjës për atë që i bënë atij. Por Jehovai i lejoi ata të vepronin mizorisht. (Gjoni 19:11) Për ç’arsye? Sigurisht që Perëndia i empatisë dhe i dhembshurisë së butë ndiente dhembje ndërsa shikonte Birin e tij të pafajshëm që vuante. (Isaia 63:9; Luka 1:77, 78) Jehovai, pa dyshim, nuk ishte aspak i pakënaqur në ndonjë mënyrë me Jezuin. Prapëseprapë, Jehovai gjeti kënaqësi në gatishmërinë e Birit të tij për të vuajtur, për shkak të gjithë bekimeve që do të vinin nga kjo gjë.

31. (a) Në ç’mënyrë e dha Jehovai shpirtin e Jezuit si «një blatim për fajin»? (b) Pas gjithë mundimeve që kaloi si njeri, çfarë gjëje duhet ta kënaqë veçanërisht Jezuin?

31 Pikësëpari, Jehovai e dha shpirtin e Jezuit si «një blatim për fajin». Prandaj, kur u ngjit përsëri në qiell, Jezui u paraqit në prani të Jehovait me vlerën e flijimit të jetës së tij njerëzore si blatim për fajin dhe Jehovai ishte i kënaqur ta pranonte atë në dobi të të gjithë njerëzimit. (Hebrenjve 9:24; 10:5-14) Nëpërmjet blatimit të tij për fajin, Jezui fitoi ‘pasardhës’. Si «Atë i Përjetshëm» ai është në gjendje t’u japë jetë​—jetë të përhershme​—atyre që ushtrojnë besim në gjakun e tij të derdhur. (Isaia 9:6) Pas gjithë mundimeve që kaloi si shpirt njerëzor, çfarë kënaqësie që duhet t’i japë Jezuit mundësia për të çliruar njerëzimin nga mëkati dhe vdekja! Sigurisht, akoma më shumë atë duhet ta kënaqë fakti se integriteti i tij i siguroi një përgjigje Atit të tij qiellor për talljet e Kundërshtarit të Tij, Satana Djallit.​—Proverbat 27:11.

32. Nëpërmjet cilës ‘njohuri’ sjell Jezui «një qëndrim të drejtë për shumë njerëz» dhe cilët e fitojnë këtë qëndrim?

32 Një bekim tjetër që vjen nga vdekja e Jezuit është fakti që, edhe tani, ai sjell «një qëndrim të drejtë për shumë njerëz». Isaia thotë se ai e bën këtë «nëpërmjet njohurisë së tij». Me sa duket, kjo është njohuria që fitoi Jezui duke u bërë njeri dhe duke vuajtur padrejtësisht për shkak të bindjes ndaj Perëndisë. (Hebrenjve 4:15) Duke vuajtur deri në vdekje, Jezui mundi të siguronte flijimin që nevojitej për t’i ndihmuar të tjerët të fitonin një qëndrim të drejtë. Kush e fiton këtë qëndrim të drejtë? Së pari, ithtarët e tij të mirosur. Meqenëse ushtrojnë besim në flijimin e Jezuit, Jehovai i shpall ata të drejtë, me synimin që t’i pranojë si bij dhe t’i bëjë bashkëtrashëgimtarë me Jezuin. (Romakëve 5:19; 8:16, 17) Pastaj, «një shumicë e madhe» ‘delesh të tjera’ ushtrojnë besim në gjakun e derdhur të Jezuit dhe gëzojnë një qëndrim të drejtë me synimin që të jenë miq me Perëndinë dhe të mbijetojnë në Harmagedon.​—Zbulesa 7:9; 16:14, 16; Gjoni 10:16; Jakovit 2:23, 25.

33, 34. (a) Çfarë gjëje që na ngroh zemrën mësojmë rreth Jehovait? (b) Kush janë ata «shumë» të tjerë mes të cilëve i jepet «një pjesë» Shërbëtorit Mesianik?

33 Së fundi, Isaia përshkruan arritjet e Mesisë: «Për këtë arsye do t’i jap një pjesë mes shumë të tjerëve dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, meqenëse e derdhi shpirtin e tij në vdekje dhe u llogarit me shkelësit; dhe ai vetë mbajti mëkatin e shumë njerëzve e ndërhyri për shkelësit.»​—Isaia 53:12.

34 Fjalët përmbyllëse të kësaj pjese të profecive të Isaisë na mësojnë diçka që të ngroh zemrën rreth Jehovait: ai i vlerëson ata që i qëndrojnë besnikë. Kjo kuptohet nga premtimi që ai do t’i ‘japë’ Shërbëtorit Mesianik, «një pjesë mes shumë të tjerëve». Me sa duket, këto fjalë janë marrë nga zakoni i ndarjes së plaçkës së luftës. Jehovai e vlerëson besnikërinë e «shumë» shërbëtorëve besimplotë të lashtësisë të tillë, si Noeja, Abrahami e Jobi dhe ka ruajtur për ta «një pjesë» në botën e tij të re që po vjen. (Hebrenjve 11:13-16) Në mënyrë të ngjashme, ai do t’i japë një pjesë Shërbëtorit të tij Mesianik. Po, Jehovai nuk do ta lërë integritetin e Jezuit të mbetet pa u shpërblyer. Edhe ne mund të jemi të sigurt se Jehovai nuk do ta ‘harrojë veprën tonë dhe dashurinë që tregojmë për emrin e tij’.​—Hebrenjve 6:10.

35. Kush janë «të fuqishmit» me të cilët e ndan plaçkën Jezui dhe çfarë është plaçka?

35 Shërbëtori i Perëndisë do të sigurojë plaçkë lufte edhe nga fitorja mbi armiqtë e tij. Ai do ta ndajë këtë plaçkë me «të fuqishmit». Cilët janë «të fuqishmit» në përmbushjen e kësaj profecie? Janë të parët dishepuj të Jezuit që do ta mundin botën ashtu si ai​—144.000 pjesëtarët e ‘Izraelit të Perëndisë’. (Galatasve 6:16; Gjoni 16:33; Zbulesa 3:21; 14:1) Por, çfarë është plaçka? Me sa duket, ajo përfshin ‘dhuratat në njerëz’ që Jezui, si të thuash, i rrëmben nga kontrolli i Satanait dhe ia jep kongregacionit të krishterë. (Efesianëve 4:8-12) Gjithashtu, 144.000 ‘të fuqishmëve’ u jepet një pjesë edhe nga një plaçkë tjetër. Në sajë të fitores së tyre ndaj botës, ata i rrëmbejnë Satanait çdo arsye për të tallur Perëndinë. Devocioni i tyre i pathyeshëm ndaj Jehovait e lartëson atë, duke e bërë zemrën e tij të gëzojë.

36. A ishte i vetëdijshëm Jezui që po përmbushte profecinë rreth Shërbëtorit të Perëndisë? Shpjegoni.

36 Jezui ishte i vetëdijshëm që po përmbushte profecinë rreth Shërbëtorit të Perëndisë. Natën kur e arrestuan, ai citoi fjalët e Isaisë 53:12 dhe i zbatoi për veten: «Unë po ju them se kjo që është shkruar duhet të përmbushet në mua, domethënë: ‘Dhe ai u llogarit me të paligjshmit.’ Sepse ajo që ka të bëjë me mua është duke pasur një përmbushje.» (Luka 22:36, 37) Mjerisht, Jezui u trajtua vërtet si i paligjshëm. Atë e ekzekutuan si shkelës të ligjit, duke e vënë në shtyllë midis hajdutëve. (Marku 15:27) Megjithatë, e duroi me gatishmëri këtë poshtërim, duke e ditur fare mirë se po ndërhynte për ne. Në të vërtetë, ai u vendos midis mëkatarëve e goditjes me vdekje dhe e mori vetë këtë goditje.

37. (a) Cilin identifikim na jep mundësi të bëjmë dokumentimi historik i jetës dhe i vdekjes së Jezuit? (b) Pse duhet t’i jemi mirënjohës Perëndisë Jehova dhe Shërbëtorit të tij të lartësuar, Jezu Krishtit?

37 Dokumentimi historik i jetës dhe i vdekjes së Jezuit na jep mundësi të bëjmë një identifikim të pagabueshëm: Jezu Krishti është Shërbëtori Mesianik i profecive të Isaisë. Sa mirënjohës duhet të jemi që Jehovai lejoi që Biri i tij i dashur të përmbushte rolin profetik të Shërbëtorit, duke vuajtur dhe duke vdekur që ne të shpengoheshim nga mëkati dhe vdekja! Në këtë mënyrë, Jehovai tregoi dashuri të madhe për ne. Në Romakëve 5:8 thuhet: «Perëndia na e rekomandon dashurinë e vet në atë që, ndërsa akoma ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» Sa mirënjohës duhet t’i jemi edhe Jezu Krishtit, Shërbëtorit të lartësuar, i cili me gatishmëri e derdhi shpirtin e tij në vdekje!

[Shënimet]

^ par. 5 Në Targumin e autorit Jonathan ben Uzziel (shekulli i parë i e.s.), përkthyer nga J. F. Stenning, në Isainë 52:13 thuhet: «Shihni, shërbëtori im, i Mirosuri (ose Mesia), do të lulëzojë.» Në mënyrë të ngjashme, në Talmudin Babilonas (rreth shekullit të tretë të e.s.) thuhet: «Mesia: cili është emri i tij? . . . [Ata] të shtëpisë së Rabit [thonë, i Sëmuri], ashtu siç është thënë: ‘Sigurisht, ai ka mbajtur sëmundjet tona.’»​—Sinedri 98b; Isaia 53:4.

^ par. 15 Profeti Mikea foli për Betlehemin si «ai që është tepër i vogël për të qenë mes mijërave të Judës». (Mikea 5:2) Megjithatë, Betlehemi i vogël pati nderin e jashtëzakonshëm të ishte qyteti ku lindi Mesia.

^ par. 22 Fjala hebraike e përkthyer ‘i ndëshkuar’ përdoret edhe në lidhje me lebrën. (2 Mbretërve 15:5) Sipas disa studiuesve, disa judenj nxorën nga Isaia 53:4 përfundimin se Mesia do të ishte një i lebrosur. Talmudi Babilonas e zbaton këtë varg për Mesinë, duke e quajtur atë «studiuesi i lebrosur». Përkthimi katolik Douay Version, i cili pasqyron Vulgatën latine, këtë varg e përkthen: «Ne menduam se ishte i lebrosur.»

[Pyetjet]

[Tabela në faqen 212]

SHËRBËTORI I JEHOVAIT

Si e përmbushi Jezui rolin?

PROFECIA

NGJARJA

PËRMBUSHJA

Isa. 52:13

U ngrit dhe u lartësua

Vep. 2:34-36; Filip. 2:8-11; 1 Pjet. 3:22

Isa. 52:14

U keqparaqit dhe u diskreditua

Mat. 11:19; 27:39-44, 63, 64; Gjoni 8:48; 10:20

Isa. 52:15

Bëri të dridhen shumë kombe

Mat. 24:30; 2 Sel. 1:6-10; Zbul. 1:7

Isa. 53:1

Nuk treguan besim në të

Gjoni 12:37, 38; Rom. 10:11, 16, 17

Isa. 53:2

Fillim i përulur dhe i thjeshtë si njeri

Luka 2:7; Gjoni 1:46

Isa. 53:3

U përbuz dhe u hodh poshtë

Mat. 26:67; Luka 23:18-25; Gjoni 1:10, 11

Isa. 53:4

Mbajti sëmundjet tona

Mat. 8:16, 17; Luka 8:43-48

Isa. 53:5

E shpuan

Gjoni 19:34

Isa. 53:6

Vuajti për gabimet e të tjerëve

1 Pjet. 2:21-25

Isa. 53:7

I qetë dhe pa ankime para akuzuesve

Mat. 27:11-14; Mar. 14:60, 61; Vep. 8:32, 35

Isa. 53:8

E gjykuan dhe e dënuan padrejtësisht

Mat. 26:57-68; 27:1, 2, 11-26; Gjoni 18:12-14, 19-24, 28-40

Isa. 53:9

E varrosën me të pasurin

Mat. 27:57-60; Gjoni 19:38-42

Isa. 53:10

Shpirti i tij u dha si blatim për fajin

Hebr. 9:24; 10:5-14

Isa. 53:11

U hapi rrugën shumë njerëzve që të fitojnë një qëndrim të drejtë

Rom. 5:18, 19; 1 Pjet. 2:24; Zbul. 7:14

Isa. 53:12

U llogarit me mëkatarët

Mat. 26:55, 56; 27:38; Luka 22:36, 37

[Figura në faqen 203]

‘Ai u përbuz nga njerëzit’

[Figura në faqen 206]

«Ai nuk e hapte gojën»

[Burimi]

Pjesë e «Ecce Homo» nga Antonio Ciseri

[Figura në faqen 211]

«E derdhi shpirtin e tij në vdekje»