Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngushëllim për popullin e Perëndisë

Ngushëllim për popullin e Perëndisë

Kapitulli dymbëdhjetë

Ngushëllim për popullin e Perëndisë

Isaia 51:1-23

1. Cilat perspektiva të trishtueshme e presin Jerusalemin dhe banorët e tij, por çfarë shprese ka?

KOMBI i Judës do të qëndrojë në robëri në Babiloni për shtatëdhjetë vjet, sa kohëzgjatja normale e jetës së një njeriu. (Psalmi 90:10; Jeremia 25:11; 29:10) Shumica e izraelitëve që do të merren robër do të plaken e do të vdesin në Babiloni. Përfytyroni sa të poshtëruar do të ndihen ata nga talljet dhe përqeshjet e armiqve të tyre! Mendoni edhe për sharjen që do të hidhet mbi Perëndinë e tyre, Jehovain, kur qyteti ku ai vendosi emrin e tij të mbetet i shkretë për kaq shumë kohë. (Nehemia 1:9; Psalmi 132:13; 137:1-3) Tempulli i dashur që u mbush me lavdinë e Perëndisë kur u dedikua nga Solomoni, nuk do të jetë më. (2 Kronikave 7:1-3) Çfarë perspektivash të trishtueshme! Por, nëpërmjet Isaisë, Jehovai profetizon një rivendosje. (Isaia 43:14; 44:26-28) Në kapitullin 51 të Isaisë gjejmë profeci të mëtejshme rreth kësaj teme ngushëlluese dhe siguruese.

2. (a) Nëpërmjet Isaisë, cilëve ua drejton Jehovai mesazhin e tij ngushëllues? (b) Në ç’mënyrë e ‘ndjekin drejtësinë’ judenjtë besnikë?

2 Atyre individëve në Judë që e pririn zemrën drejt tij, Jehovai u thotë: «Më dëgjoni, ju që ndiqni drejtësinë, ju që kërkoni të gjeni Jehovain.» (Isaia 51:1a) ‘Të ndjekësh drejtësinë’ do të thotë të veprosh. Ata që ‘ndjekin drejtësinë’ nuk do të pohojnë vetëm me fjalë që janë populli i Perëndisë. Ata do të përpiqen me zell për të qenë të drejtë dhe për të jetuar në harmoni me vullnetin e Perëndisë. (Psalmi 34:15; Proverbat 21:21) Ata do t’i drejtohen Jehovait si Burimi i vetëm i drejtësisë dhe do të ‘kërkojnë të gjejnë Jehovain’. (Psalmi 11:7; 145:17) Nuk është puna që nuk do ta dinë tashmë se kush është Jehovai ose si t’i afrohen atij në lutje. Në vend të kësaj, ata do të përpiqen t’i afrohen më shumë atij, duke e adhuruar, duke u lutur dhe duke kërkuar drejtimin e tij në çdo gjë që bëjnë.

3, 4. (a) Kush është ‘shkëmbi’ prej të cilit janë prerë judenjtë dhe kush është ‘zgavra e gropës’ prej së cilës u nxorën? (b) Përse judenjtë do të ngushëllohen, duke sjellë ndër mend origjinën e tyre?

3 Por, ata që e ndjekin me të vërtetë drejtësinë në Judë janë relativisht pak, dhe kjo mund t’u shkaktojë frikë e shkurajim. Prandaj, duke përdorur ilustrimin e një gërmimi, Jehovai u jep zemër: «Shikoni shkëmbin nga i cili jeni prerë dhe zgavrën e gropës nga e cila jeni nxjerrë. Shikoni Abrahamin, atin tuaj, dhe Sarën që ju nxori pak nga pak në dritë me dhembje lindjeje. Sepse ai ishte një i vetëm kur e thirra e unë e bekova dhe e shumova.» (Isaia 51:1b, 2) ‘Shkëmbi’ nga u prenë judenjtë është Abrahami, një figurë historike për të cilin kombi i Izraelit krenohet së tepërmi. (Mateu 3:9; Gjoni 8:33, 39) Ai është paraardhësi, burimi njerëzor i kombit. ‘Zgavra e gropës’ është Sara, nga barku i së cilës erdhi paraardhësi i Izraelit, Isaku.

4 Abrahami dhe Sara ishin në moshën kur nuk kishin më aftësi riprodhuese dhe ishin pa fëmijë. Pavarësisht nga kjo, Jehovai premtoi se do ta bekonte Abrahamin dhe do ta ‘shumonte’. (Zanafilla 17:1-6, 15-17) Pasi iu kthyen në mënyrë hyjnore aftësitë e tyre riprodhuese, Abrahami dhe Sara, në moshë të shkuar, lindën një fëmijë dhe prej tij rrodhi kombi me të cilin Perëndia ka bërë një besëlidhje. Kështu, Jehovai e bëri atë njeri të vetëm atin e një kombi të madh, pjesëtarët e të cilit dolën se ishin po aq të panumërueshëm sa edhe yjet në qiell. (Zanafilla 15:5; Veprat 7:5) Pra, nëse Jehovai pati mundësi ta merrte Abrahamin nga një vend i largët dhe të formonte prej tij një komb të fuqishëm, sigurisht që mund ta përmbushë premtimin e tij për të çliruar një mbetje besnike nga robëria në Babiloni, t’i kthejë ata në vendin e tyre dhe të formojë edhe një herë prej tyre një komb të madh. Premtimi që i bëri Perëndia Abrahamit u përmbush, prandaj, edhe premtimi që u ka bërë atyre judenjve të robëruar do të përmbushet.

5. (a) Cilët përfaqësojnë Abrahami dhe Sara? Shpjegoni. (b) Në përmbushjen përfundimtare, cilët e kanë origjinën nga ‘shkëmbi’?

5 Gërmimi simbolik i Isaisë 51:1, 2 ka të ngjarë të ketë edhe një përmbushje tjetër. Ligji i përtërirë 32:18 e quan Jehovain ‘Shkëmbi’ që u bë ati i Izraelit dhe ‘Ai që e nxori [Izraelin] në dritë me dhembje lindjeje’. Në shprehjen e fundit, është përdorur e njëjta folje hebraike me atë që përdoret në Isainë 51:2 lidhur me lindjen e Izraelit nga Sara. Prandaj, Abrahami është një model profetik i Jehovait, Abrahamit më të Madh. Gruaja e Abrahamit, Sara, përfaqëson më së miri organizatën qiellore universale të Jehovait të përbërë nga krijesat frymore, e cila në Shkrimet e Shenjta paraqitet si një grua ose si gruaja e Perëndisë. (Zanafilla 3:15; Zbulesa 12:1, 5) Në përmbushjen përfundimtare të këtyre fjalëve të profecisë së Isaisë, kombi që lindi nga ‘shkëmbi’ ishte ‘Izraeli i Perëndisë’, kongregacioni i të krishterëve të mirosur me frymë, i cili lindi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Siç është trajtuar edhe në kapitujt e mëparshëm të këtij libri, ky komb iu nënshtrua robërisë babilonase në vitin 1918, por, në vitin 1919, u rivendos në një gjendje begatie frymore.​—Galatasve 3:26-29; 4:28; 6:16.

6. (a) Çfarë e pret vendin e Judës në të ardhmen dhe për çfarë ripërtëritje do të ketë nevojë? (b) Cilën rivendosje të kohëve tona na sjell ndër mend Isaia 51:3?

6 Ngushëllimi i Jehovait për Sionin ose Jerusalemin përfshin më shumë sesa thjesht një premtim për të formuar një komb të madh në numër. Lexojmë: «Jehovai, me siguri, do ta ngushëllojë Sionin. Sigurisht, do të ngushëllojë gjithë vendet e saj të shkretuara dhe do ta bëjë shkretëtirën e saj si Edeni dhe rrafshinën e saj shkretinore si kopshti i Jehovait. Në të do të gjendet ngazëllim dhe gëzim, dhënie falënderimesh dhe tingull melodie.» (Isaia 51:3) Gjatë 70 vjetëve që do të mbetet i pabanuar, vendi i Judës do të kthehet në një shkretëtirë, i mbushur plot me ferra, driza dhe bimë të tjera të egra. (Isaia 64:10; Jeremia 4:26; 9:10-12) Kështu, përveç ripopullimit të Judës, rivendosja duhet të përfshijë edhe ripërtëritjen e vendit, i cili do të transformohet në një kopsht edenik me fusha pjellore të ujitura mirë dhe me pemishte të frytshme. Toka do të duket sikur do të gëzojë. Në krahasim me gjendjen e shkretë gjatë periudhës së mërgimit, vendi do të jetë një parajsë. Në vitin 1919, mbetja e mirosur e Izraelit të Perëndisë hyri pikërisht në një parajsë të tillë në kuptimin frymor.​—Isaia 11:6-9; 35:1-7.

Arsye për të pasur besim te Jehovai

7, 8. (a) Çfarë nënkupton thirrja e Jehovait për t’i vënë veshin atij? (b) Pse është e rëndësishme që Juda t’i kushtojë vëmendje Jehovait?

7 Duke bërë thirrje që t’i kushtojnë përsëri vëmendje, Jehovai thotë: «Më kushtoni vëmendje, o populli im dhe ma vini veshin, ju grupet e mia kombëtare. Sepse nga unë do të dalë një ligj dhe vendimin tim gjyqësor do ta bëj të qëndrojë si një dritë për popujt. Drejtësia ime është afër. Shpëtimi im do të dalë, me siguri, dhe krahët e mi do të gjykojnë popujt. Tek unë do të shpresojnë ishujt dhe do të presin për krahun tim.»​—Isaia 51:4, 5.

8 Thirrja e Jehovait që njerëzit t’ia vënë veshin nënkupton më shumë sesa thjesht të dëgjojnë mesazhin e tij. Nënkupton të kushtojnë vëmendje me synimin për të vepruar në bazë të asaj që është dëgjuar. (Psalmi 49:1; 78:1) Kombi duhet të kuptojë që Jehovai është Burimi i mësimit, i drejtësisë dhe i shpëtimit. Vetëm ai është Burimi i ndriçimit frymor. (2 Korintasve 4:6) Ai është Gjykatësi përfundimtar i njerëzimit. Ligjet dhe vendimet gjyqësore që dalin nga Jehovai janë dritë për ata që lejojnë të udhëhiqen prej tyre.​—Psalmi 43:3; 119:105; Proverbat 6:23.

9. Përveç popullit më të cilin Perëndia ka bërë një besëlidhje, cilët do të nxjerrin dobi nga veprat shpëtuese të Jehovait?

9 E gjithë kjo do të jetë e vërtetë jo vetëm për popullin me të cilin Perëndia ka bërë një besëlidhje, por edhe për gjithë njerëzit e prirur në mënyrën e duhur kudo që ndodhen, madje edhe në ishujt më të largët. Besimi i tyre te Perëndia dhe tek aftësia që ka ai për të vepruar në favor të shërbëtorëve të tij besnikë e për t’i shpëtuar nuk do të zhgënjehet. Forca ose fuqia që ka, e përfaqësuar nga krahu i tij, është e sigurt; askush nuk mund ta ndalë. (Isaia 40:10; Luka 1:51, 52) Sot, në mënyrë të ngjashme, vepra e zellshme e predikimit që kryejnë pjesëtarët e mbetur të Izraelit të Perëndisë ka bërë që miliona njerëz, shumë prej të cilëve nga ishujt e largët, të kthehen te Jehovai dhe të besojnë tek ai.

10. (a) Cilën të vërtetë do të jetë i detyruar të mësojë mbret Nabukodonosori? (b) Çfarë janë «qiejt» dhe «toka» që do të marrin fund?

10 Më pas, Jehovai flet për një të vërtetë që Nabukodonosorit, mbreti i Babilonisë, do t’i duhet ta mësojë. Asgjë në tokë ose në qiell nuk mund ta pengojë Jehovain që të përmbushë vullnetin e tij. (Danieli 4:34, 35) Lexojmë: «Ngrijini sytë nga qiejt dhe shikoni tokën poshtë. Sepse qiejt duhet të shpërndahen copa-copa porsi tymi, toka do të konsumohet si një rrobë dhe banorët e saj do të vdesin si një harrje. Por, sa për shpëtimin tim, ai do të dalë se është deri në kohë të pacaktuar dhe drejtësia ime nuk do të copëtohet.» (Isaia 51:6) Edhe pse është kundër politikës së monarkëve babilonas që t’i lejojnë robërit të kthehen në atdhe, asgjë nuk do ta pengojë Jehovain që ta shpëtojë popullin e tij. (Isaia 14:16, 17) «Qiejt» ose klasa sunduese babilonase, do të thyhet e mposhtur. «Toka» babilonase​—nënshtetasit e kësaj klase sunduese​—do të marrë fund dalëngadalë. Po, as fuqia më e madhe e kohës nuk mund t’i bëjë ballë fuqisë së Jehovait ose t’i ndalojë veprat e tij shpëtuese.

11. Pse përmbushja e plotë e profecisë rreth asgjësimit të ‘qiejve’ dhe të ‘tokës’ babilonase u jep zemër të krishterëve sot?

11 Sa u jep zemër të krishterëve sot fakti që këto fjalë profetike u përmbushën plotësisht! Pse? Sepse apostulli Pjetër përdori shprehje të ngjashme lidhur me një ngjarje që i përket ende së ardhmes. Ai foli për ditën e Jehovait që afrohet me të shpejtë, «nëpërmjet së cilës qiejtë, duke qenë në flakë, do të shpërbëhen dhe elementët, duke qenë tejet të nxehtë, do të shkrihen». Pastaj tha: «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re dhe në ta ka për të banuar drejtësia.» (2 Pjetrit 3:12, 13; Isaia 34:4; Zbulesa 6:12-14) Megjithëse kombet e fuqishme dhe sundimtarët e tyre të lartë ngjashëm yjeve mund ta sfidojnë Jehovain, në kohën e duhur të tij ata do të asgjësohen​—do të shtypen me aq lehtësi sa edhe një harrje. (Psalmi 2:1-9) Vetëm qeveria e drejtë e Perëndisë do të sundojë përgjithmonë mbi një shoqëri të drejtë njerëzore.​—Danieli 2:44; Zbulesa 21:1-4.

12. Pse shërbëtorët e Perëndisë nuk duhet të kenë frikë kur kundërshtarët njerëzorë i shajnë?

12 Tani, duke u folur atyre ‘që ndjekin drejtësinë’, Jehovai thotë: «Më dëgjoni, ju që njihni drejtësinë, populli në zemrën e të cilit është ligji im. Mos kini frikë nga përçmimi i njerëzve të vdekshëm dhe të mos ju zërë tmerri vetëm për shkak të fjalëve të tyre sharëse. Sepse do t’i brejë mola si të ishin një rrobë dhe mola e rrobave do t’i brejë si të ishin lesh. Por, sa për drejtësinë time, ajo do të dalë se është deri në kohë të pacaktuar dhe shpëtimi im për breza të panumërueshëm.» (Isaia 51:7, 8) Ata që besojnë te Jehovai do t’i shajnë dhe do t’i përçmojnë për qëndrimin e tyre të guximshëm, por kjo nuk është diçka për të cilën duhet të frikësohen. Përçmuesit janë thjesht njerëz të vdekshëm që do të ‘brehen’, ashtu si mola konsumon një rrobë të leshtë. * Ashtu si judenjtë besnikë të lashtësisë, të krishterët e vërtetë sot nuk kanë pse të kenë frikë nga ata që i kundërshtojnë. Jehovai, Perëndia i përjetshëm, është shpëtimi i tyre. (Psalmi 37:1, 2) Përçmimi nga ana e armiqve të Perëndisë është një provë se populli i Jehovait ka frymën e Tij.​—Mateu 5:11, 12; 10:24-31.

13, 14. Çfarë paraqitet me shprehjet ‘Rahab’ dhe ‘përbindësh i detit’ e në ç’mënyrë ‘bëhet copë-copë’ dhe ‘shpohet tejpërtej’ ai?

13 Duke folur në një mënyrë që duket sikur e thërret Jehovain të veprojë në favor të popullit të Tij të robëruar, Isaia thotë: «Zgjohu, zgjohu, vishu me forcë, o krah i Jehovait! Zgjohu si në ditët e shumë kohëve më parë, si gjatë brezave të kohëve shumë të shkuara. A nuk je ti ai që e bëri Rahabin copë-copë, që e shpoi tejpërtej përbindëshin e detit? A nuk je ti ai që e thau detin, ujërat e thellësisë së paanë? Ai që i ktheu thellësitë e detit në një rrugë që të kalonin të riblerët?»​—Isaia 51:9, 10.

14 Shembujt historikë për të cilët flet Isaia janë të goditur. Çdo izraelit di për çlirimin e kombit nga Egjipti dhe për kalimin përmes Detit të Kuq. (Dalja 12:24-27; 14:26-31) Shprehjet ‘Rahab’ dhe ‘përbindësh i detit’ paraqesin Egjiptin dhe faraonin e tij që kundërshtuan daljen e Izraelit nga Egjipti. (Psalmi 74:13; 87:4; Isaia 30:7) Me kokën në deltën e Nilit dhe me trupin e stërgjatë që shtrihej për qindra kilometra përgjatë luginës pjellore të Nilit, Egjipti i lashtë i ngjante një gjarpri të përbindshëm. (Ezekieli 29:3) Por ky përbindësh u bë copë-copë kur Jehovai dërgoi mbi të Dhjetë Plagët. Ai u shpua tejpërtej, u plagos rëndë dhe u dobësua kur ushtria e tij u shkatërrua në ujërat e Detit të Kuq. Po, Jehovai tregoi fuqinë e krahut të tij me anë të mënyrës si veproi me Egjiptin. A do të jetë ai më pak i gatshëm për të luftuar për popullin e tij që është në mërgim në Babiloni?

15. (a) Kur dhe si do të largohen hidhërimi dhe psherëtimat e Sionit? (b) Kur u larguan hidhërimi dhe psherëtimat për Izraelin e Perëndisë në kohët moderne?

15 Tani, duke përfytyruar çlirimin e Izraelit nga Babilonia, profecia vazhdon: «Atëherë të shpenguarit e Jehovait do të kthehen dhe duhet të vijnë në Sion me një klithmë të gëzuar dhe mbi kokat e tyre do të ketë gëzim deri në kohë të pacaktuar. Do të arrijnë deri në ngazëllim dhe gëzim. Hidhërimi dhe psherëtimat, me siguri, do të largohen.» (Isaia 51:11) Sado e trishtueshme të jetë gjendja e tyre në Babiloni, ata që kërkojnë drejtësinë e Jehovait kanë perspektivë të mrekullueshme. Do të vijë koha kur hidhërimi dhe psherëtimat nuk do të jenë më. Nga buzët e të shpenguarve ose e të riblerëve do të dëgjohen klithma të gëzuara, gëzim dhe ngazëllim. Në përmbushjen moderne të këtyre fjalëve profetike, në vitin 1919, Izraeli i Perëndisë u çlirua nga robëria babilonase. Ata u kthyen në pronën e tyre frymore me gëzim të madh, gëzim i cili ka vazhduar deri më sot.

16. Cili çmim paguhet për të shpenguar judenjtë?

16 Cili do të jetë çmimi për shpengimin e judenjve? Profecia e Isaisë ka zbuluar tashmë se Jehovai jep «Egjiptin si shpërblim për ty, Etiopinë dhe Sebën në vendin tënd». (Isaia 43:1-4) Kjo do të ndodhë më vonë. Pasi të pushtojë Babiloninë dhe të çlirojë judenjtë e robëruar, perandoria perse do të pushtojë Egjiptin, Etiopinë dhe Sebën. Ata do të jepen në këmbim të shpirtrave të izraelitëve. Kjo është në harmoni me parimin e pohuar në Proverbat 21:18: «I pabesi do t’i shërbejë si shpërblim të drejtit; dhe i paudhi në vend të njerëzve të drejtë.»​—Dio.

Jepet siguri e mëtejshme

17. Pse judenjtë nuk kanë arsye për të pasur frikë nga tërbimi i Babilonisë?

17 Jehovai e siguron më tej popullin e tij: «Unë, vetë unë jam Ai që ju ngushëllon. Kush je ti që duhet të kesh frikë nga njeriu i vdekshëm i cili do të vdesë dhe nga një bir njeriu që do të bëhet thjesht si bar i gjelbër? Dhe kush je ti që duhet të harrosh Jehovain, Bërësin tënd, Atë që ka shpalosur qiejt dhe ka hedhur themelin e tokës, kështu që ti ishe i tmerruar vazhdimisht gjatë gjithë ditës për shkak të tërbimit të atij që të kufizonte, sikur ai të ishte i vendosur të të shkatërronte? Dhe ku është tërbimi i atij që të kufizonte?» (Isaia 51:12, 13) Para tyre shtrihen vite të tëra mërgimi. Por, nuk ka arsye për t’u frikësuar nga tërbimi i Babilonisë. Ndonëse ky komb, fuqia e tretë botërore e përmendur në Bibël, do ta pushtojë popullin e Perëndisë dhe do të përpiqet ta ‘kufizojë’ ose ta pengojë që të mos ikë, judenjtë besnikë e dinë se Jehovai e ka parathënë rënien e Babilonisë nga dora e Kirit. (Isaia 44:8, 24-28) Ndryshe nga Krijuesi​—Perëndia i përjetshëm, Jehovai​—banorët e Babilonisë do të marrin fund si bari që thahet nën rrezet e nxehta të diellit gjatë stinës së thatë. Ku do të jenë atëherë kërcënimet dhe tërbimi i tyre? Sa e pamençur është të kesh frikë njerëzit dhe të harrosh Jehovain, atë që bëri qiellin dhe tokën!

18. Megjithëse populli i Jehovait do të jetë i burgosur për njëfarë kohe, cilat siguri i jep Ai atij?

18 Edhe pse populli i Jehovait do të jetë i robëruar për njëfarë kohe, si të thuash «i kërrusur në zinxhirë», çlirimi i tij do të jetë i papritur. Ai nuk do të shfaroset në Babiloni ose nuk do të vdesë nga uria si i burgosur​—domethënë nuk do të përfundojë i pajetë në Sheol, në gropë. (Psalmi 30:3; 88:3-5) Jehovai i siguron: «Ai që është i kërrusur në zinxhirë, me siguri, do të zgjidhet me shpejtësi, që të mos shkojë në vdekje në gropë dhe që të mos i mungojë buka.»​—Isaia 51:14.

19. Pse judenjtë besnikë mund të kenë besim të plotë në fjalët e Jehovait?

19 Duke e ngushëlluar më tej Sionin, Jehovai vazhdon: «Por unë, Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që trazon detin në mënyrë që dallgët e tij të jenë të furishme. Emri i tij është Jehovai i ushtrive. Unë do të vë fjalët e mia në gojën tënde dhe, me siguri, do të të mbuloj me hijen e dorës sime, për të vendosur qiejt dhe për të hedhur themelet e tokës, si dhe për t’i thënë Sionit: ‘Ti je populli im.’» (Isaia 51:15, 16) Bibla e përmend herë pas here aftësinë e Perëndisë për të ushtruar fuqinë e tij mbi detin dhe për ta kontrolluar atë. (Jobi 26:12; Psalmi 89:9; Jeremia 31:35) Ai i ka forcat e natyrës nën kontroll të plotë, siç e tregoi kur çliroi popullin e tij nga Egjipti. Kush mund të krahasohet sadopak me ‘Jehovain e ushtrive’?​—Psalmi 24:10.

20. Çfarë janë ‘qiejt’ dhe ‘toka’ që do të vijnë në ekzistencë kur Jehovai të rivendosë Sionin dhe cilat fjalë ngushëlluese do të thotë ai?

20 Judenjtë mbeten populli me të cilin Perëndia ka bërë një besëlidhje dhe Jehovai i siguron ata se do të kthehen në vendin e tyre, për të jetuar edhe një herë nën Ligjin e tij. Atje do të rindërtojnë Jerusalemin dhe tempullin dhe do të marrin përsëri përgjegjësitë e tyre në bazë të besëlidhjes që ai bëri me ta nëpërmjet Moisiut. Kur vendi të fillojë të ripopullohet nga izraelitët e riatdhesuar dhe nga kafshët e tyre shtëpiake, do të vijë në ekzistencë ‘një tokë e re’. Mbi të do të vendosen «qiej të rinj», një sistem i ri qeverisës. (Isaia 65:17-19; Hageu 1:1, 14) Jehovai do t’i thotë përsëri Sionit: «Ti je populli im.»

Thirrje për të vepruar

21. Cilën thirrje për të vepruar bën Jehovai?

21 Pasi e ka siguruar Sionin, Jehovai i bën thirrje për të vepruar. Duke folur sikur të kishte arritur tashmë fundin e vuajtjeve të tij, Ai i thotë: «Zgjohu, zgjohu, ngrihu o Jerusalem, ti që ke pirë nga dora e Jehovait kupën e zemërimit të tij. Gotën me fron, kupën që shkakton marrje mendsh, e ke pirë, e ke boshatisur.» (Isaia 51:17) Po, Jerusalemi duhet të ngrihet nga gjendja e tij katastrofike dhe të rifitojë pozitën dhe shkëlqimin e mëparshëm. Do të vijë koha kur ai do ta ketë boshatisur kupën simbolike të ndëshkimit hyjnor. Nuk do të ketë mbetur asgjë nga zemërimi i Perëndisë ndaj tij.

22, 23. Çfarë do të përjetojë Jerusalemi kur të pijë kupën e zemërimit të Jehovait?

22 Megjithatë, ndërkohë që Jerusalemi do të ndëshkohet, asnjë nga banorët e tij, asnjë nga «bijtë» e tij, nuk do të jetë në gjendje ta ndalojë atë që do të jetë duke ndodhur. (Isaia 43:5-7; Jeremia 3:14) Profecia thotë: «Nga gjithë bijtë që kishte lindur ajo, nuk kishte asnjë që ta udhëhiqte dhe nga gjithë bijtë që kishte rritur, nuk kishte asnjë që ta kapte për dore.» (Isaia 51:18) Sa do të vuajë Jerusalemi në duart e babilonasve! «Këto dy gjëra të kanë ndodhur. Kujt do t’i vijë keq për ty? Plaçkitja dhe rrënimi, si dhe uria dhe shpata! Kush do të të ngushëllojë? Bijtë e tu janë ligështuar. Ata janë shtrirë në krye të të gjitha rrugëve si delja e egër në rrjetë, si ata që janë plot me tërbimin e Jehovait, me qortimin e Perëndisë tënd.»​—Isaia 51:19, 20.

23 Jerusalemi i mjerë! Ai do të pësojë ‘plaçkitje dhe rrënim’, si dhe ‘uri dhe shpatë’. Të paaftë për ta udhëhequr dhe për ta mbajtur në këmbë, «bijtë» e tij do të qëndrojnë aty të pafuqishëm, të dobët, jo aq të fortë, sa t’i dëbojnë pushtuesit babilonas. Në një mënyrë të dukshme, në krye ose në cepat e rrugëve, ata do të rrinë të shtrirë pa ndjenja, të dobët e të rraskapitur. (Vajtimet 2:19; 4:1, 2) Do të kenë pirë kupën e zemërimit të Perëndisë dhe do të jenë të pafuqishëm si një kafshë e zënë në rrjetë.

24, 25. (a) Çfarë gjëje nuk do të përsëritet më për Jerusalemin? (b) Pas Jerusalemit, kush do ta ketë radhën për të pirë kupën e zemërimit të Jehovait?

24 Por kjo situatë e trishtuar do të marrë fund. Në mënyrë ngushëlluese, Isaia thotë: «Prandaj, të lutem, dëgjo këtë, o grua e munduar dhe e dehur, por jo me verë. Kjo është ajo që ka thënë Zotëria yt, Jehovai, po, Perëndia yt, i cili lufton për popullin e tij: “Ja, do ta heq nga dora jote kupën që shkakton marrje mendsh. Gotën me fron, kupën time të zemërimit, nuk do ta pish më përsëri. Unë do ta vë atë në dorën e atyre që të acaronin, të cilët i kanë thënë shpirtit tënd: ‘Përkulu që të kalojmë sipër’, kështu që e bëje kurrizin si toka dhe si rruga, për ata që kalonin.”» (Isaia 51:21-23) Pasi e ka disiplinuar Jerusalemin, Jehovai është gati të veprojë me mëshirë dhe të tregojë një frymë falëse ndaj tij.

25 Tani, Jehovai do ta largojë zemërimin e tij nga Jerusalemi dhe do ta drejtojë nga Babilonia. Babilonia do ta ketë rrafshuar Jerusalemin dhe do ta ketë poshtëruar. (Psalmi 137:7-9) Por Jerusalemi nuk ka për të pirë më nga kjo kupë duke rënë në duart e Babilonisë ose të aleatëve të saj. Në vend të kësaj, kupa do t’i merret Jerusalemit nga dora dhe do t’i jepet atyre që gëzonin për poshtërimin e tij. (Vajtimet 4:21, 22) Babilonia do të rrëzohet, e dehur plotësisht. (Jeremia 51:6-8) Ndërkohë, Sioni do të ngrihet! Ç’përmbysje e gjendjes! Vërtet, Sioni mund të ngushëllohet nga një perspektivë e tillë. Gjithashtu, shërbëtorët e Jehovait mund të jenë të sigurt se emri i Tij do të shenjtërohet nëpërmjet veprave të tij shpëtuese.

[Shënimi]

^ par. 12 Mola e përmendur këtu, me sa duket, është mola e rrobave veçanërisht në fazën e saj larvore shkatërruese.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 167]

Jehovai, Abrahami më i Madh, është ‘shkëmbi’ nga i cili është «prerë» populli i tij

[Figura në faqen 170]

Kundërshtarët e popullit të Perëndisë do të zhduken, si një rrobë e brejtur nga mola

[Figura në faqet 176, 177]

Jehovai e ka treguar fuqinë e tij për të kontrolluar forcat e natyrës

[Figura në faqen 178]

Kupa nga e cila do të ketë pirë Jerusalemi do t’i kalojë Babilonisë dhe aleatëve të saj