Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Një emër i ri’

‘Një emër i ri’

Kapitulli njëzet e tre

‘Një emër i ri’

Isaia 62:1-12

1. Çfarë sigurie jepet në kapitullin 62 të Isaisë?

SIGURI, ngushëllim, shpresë për rivendosje​—ja për çfarë kanë nevojë judenjtë e dëshpëruar në Babiloni. Kanë kaluar disa dhjetëvjeçarë që kur u shkatërrua Jerusalemi dhe tempulli i tij. Rreth 800 kilometra larg Babilonisë, Juda dergjet e shkretë dhe duket se Jehovai i ka harruar judenjtë. Çfarë mund ta përmirësojë gjendjen e tyre? Premtimet e Jehovait se do t’i kthejë në vendin e tyre dhe do t’i lejojë të rivendosin adhurimin e pastër. Atëherë, përshkrime të tilla si «e braktisur plotësisht» dhe «e shkretuar» do të zëvendësohen me emra që tregojnë miratimin e Perëndisë. (Isaia 62:4; Zakaria 2:12) Kapitulli 62 i Isaisë është i mbushur me këto premtime. Megjithatë, ashtu si profecitë e tjera që flasin për rivendosjen, ky kapitull trajton më tepër sesa vetëm çlirimin e judenjve nga robëria në Babiloni. Në përmbushjen e tij kryesore, kapitulli 62 i Isaisë na siguron se shpëtimi i kombit frymor të Jehovait, i ‘Izraelit të Perëndisë’, është i sigurt.​—Galatasve 6:16.

Jehovai nuk qëndron në heshtje

2. Në ç’mënyrë Jehovai tregon përsëri favor ndaj Sionit?

2 Në vitin 539 p.e.s., Babilonia përmbyset. Pas kësaj, mbreti Kir i Persisë nxjerr një dekret që u jep mundësi judenjve me frikë Perëndie të kthehen në Jerusalem dhe të rivendosin adhurimin e Jehovait. (Ezdra 1:2-4) Në vitin 537 p.e.s., judenjtë e parë të rikthyer janë sërish në vendin e tyre Edhe një herë, Jehovai tregon favor ndaj Jerusalemit, dhe kjo gjë pasqyrohet në ngrohtësinë e shpalljes së tij profetike: «Për hir të Sionit nuk do të rri pa lëvizur dhe për hir të Jerusalemit nuk do të qëndroj në heshtje, derisa drejtësia e tij të dalë porsi shkëlqimi dhe shpëtimi i tij si një pishtar që digjet.»​—Isaia 62:1.

3. (a) Pse Jehovai përfundimisht e hedh poshtë Sionin tokësor dhe cili e zë vendin e tij? (b) Çfarë largimi ndodh dhe kur, por në ç’periudhë po jetojmë sot?

3 Në vitin 537 p.e.s., Jehovai e përmbushi premtimin e tij për ta rivendosur Sionin ose Jerusalemin. Ai i shpëtoi banorët e tij dhe drejtësia e tyre shkëlqeu fort. Megjithatë, më vonë ata u larguan përsëri nga adhurimi i pastër. Së fundi, ata nuk e pranuan Jezuin si Mesia dhe përfundimisht Jehovai i braktisi si kombi i tij i zgjedhur. (Mateu 21:43; 23:38; Gjoni 1:9-13) Jehovai bëri që të lindte një komb i ri, ‘Izraeli i Perëndisë’. Ky komb i ri u bë populli i tij i veçantë dhe në shekullin e parë, pjesëtarët e tij e predikuan me zell lajmin e mirë në gjithë botën e njohur atëherë. (Galatasve 6:16; Kolosianëve 1:23) Mjerisht, pas vdekjes së apostujve pati një largim nga feja e vërtetë. Për pasojë u zhvillua një formë apostate e krishterimit, që e shohim sot në të ashtuquajturin krishterim. (Mateu 13:24-30, 36-43; Veprat 20:29, 30) Për shekuj të tërë, ai u lejua t’i sillte sharje të madhe emrit të Jehovait. Por, më në fund, në vitin 1914, filloi ‘viti i miratimit’ i Jehovait, bashkë me përmbushjen kryesore të kësaj pjese të profecive të Isaisë.​—Isaia 61:2.

4, 5. (a) Kë përfaqësojnë sot Sioni dhe bijtë e tij? (b) Në ç’mënyrë e ka përdorur Jehovai Sionin për ta bërë ‘shpëtimin e tij si një pishtar që digjet’?

4 Sot, premtimi i Jehovait për ta rivendosur Sionin ka gjetur përmbushje në organizatën e tij qiellore, ‘Jerusalemin lart’, e cila përfaqësohet në tokë nga bijtë e saj, të krishterët e mirosur me frymë. (Galatasve 4:26) Organizata qiellore e Jehovait shërben si një ndihmëse e përkushtuar​—vigjilente, e dashur dhe e palodhur. Çfarë rasti emocionues ishte kur në vitin 1914, ajo solli në jetë Mbretërinë Mesianike! (Zbulesa 12:1-5) Në veçanti që nga viti 1919, bijtë e saj tokësorë u kanë predikuar kombeve rreth drejtësisë dhe shpëtimit të saj. Siç paratha Isaia, këta bij kanë ndriçuar në errësirë si një pishtar, duke e lënë dritën e tyre të ndriçojë.​—Mateu 5:15, 16; Filipianëve 2:15.

5 Jehovai interesohet thellësisht për adhuruesit e tij dhe nuk do të pushojë ose nuk do të rrijë i qetë derisa të ketë përmbushur të gjitha premtimet që i bëri Sionit dhe bijve të tij. Edhe ata që kanë mbetur nga të mirosurit, bashkë me shokët e tyre nga ‘delet e tjera’ nuk pranojnë të heshtin. (Gjoni 10:16) Në të vërtetë ata janë shumë aktivë, tek flasin për t’u treguar njerëzve të vetmen rrugë drejt shpëtimit.​—Romakëve 10:10.

‘Një emër i ri’ i dhënë nga Jehovai

6. Çfarë ka ndër mend Jehovai për Sionin?

6 Çfarë ka ndër mend Jehovai për Sionin, ‘gruan’ e tij qiellore, të përfaqësuar nga Jerusalemi i lashtë? Ai pohon: «Kombet do të shohin, me siguri, drejtësinë tënde, o grua, dhe gjithë mbretërit lavdinë tënde. Dhe, në të vërtetë, do të thirresh me një emër të ri, të cilin do ta caktojë vetë goja e Jehovait.» (Isaia 62:2) Ndërsa izraelitët veprojnë me drejtësi, kombet detyrohen të shohin me vëmendje. Edhe mbretërit detyrohen ta pranojnë se Jehovai po përdor Jerusalemin dhe se çdo sundim që ushtrojnë ata është i papërfillshëm para Mbretërisë së Jehovait.​—Isaia 49:23.

7. Çfarë nënkupton emri i ri i Sionit?

7 Tani Jehovai e vërteton gjendjen e ndryshuar të Sionit, duke i dhënë një emër të ri. Ky emër i ri nënkupton gjendjen e bekuar dhe të nderuar që gëzojnë bijtë tokësorë të Sionit duke filluar nga viti 537 p.e.s. * Ai tregon se Jehovai e njeh Sionin si pronë të tij. Sot, Izraelin e Perëndisë e drithëron fakti që Jehovai gjen kënaqësi në ta në këtë mënyrë dhe delet e tjera gëzojnë bashkë me ta.

8. Në cilat mënyra e ka nderuar Jehovai Sionin?

8 Pasi i ka dhënë Sionit emrin e ri, Jehovai tani premton: «Duhet të bëhesh një kurorë e bukur në dorën e Jehovait dhe një çallmë mbretërore në pëllëmbën e Perëndisë tënd.» (Isaia 62:3) Jehovai e ngre lart gruan e tij simbolike, Sionin qiellor, me qëllim që ta shohin me admirim. (Psalmi 48:2; 50:2) Kurora e bukur dhe ‘çallma mbretërore’ tregojnë se ajo është veshur me nderim dhe autoritet. (Zakaria 9:16) Si përfaqësues i Sionit qiellor ose i ‘Jerusalemit lart’, Izraeli i Perëndisë është një produkt i mrekullueshëm i dorës së Perëndisë​—i fuqisë së Tij​—në veprim. (Galatasve 4:26) Me ndihmën e Jehovait, ky komb frymor ka krijuar një histori të jashtëzakonshme integriteti dhe devocioni. Miliona individë, duke përfshirë si të mirosur, ashtu edhe dele të tjera, janë forcuar për të treguar një besim e dashuri të jashtëzakonshme. Gjatë mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit, të mirosurit, të cilët tashmë do ta kenë marrë shpërblimin e tyre qiellor, do të jenë mjetet që Jehovai do të përdorë për ta ngritur krijimin që rënkon në jetën e përhershme.​—Romakëve 8:21, 22; Zbulesa 22:2.

‘Jehovai ka gjetur kënaqësi te ti’

9. Përshkruani shndërrimin e Sionit.

9 Dhënia e një emri të ri është pjesë e një shndërrimi të këndshëm të Sionit qiellor, i cili përfaqësohet nga bijtë e tij tokësorë. Lexojmë: «Për ty nuk do të thuhet më që je një grua e braktisur plotësisht dhe për vendin tënd nuk do të thuhet më që është i shkretuar, por ti do të quhesh ‘Kënaqësia ime është tek ajo, dhe vendi yt ‘E marrë në zotërim si grua’. Sepse Jehovai do të ketë gjetur kënaqësi te ti dhe vendi yt do të merret në zotërim si grua.» (Isaia 62:4) Sioni tokësor ka mbetur i shkretë që nga shkatërrimi i tij në vitin 607 p.e.s. Megjithatë, fjalët e Jehovait e sigurojnë atë për ripërtëritjen dhe ripopullimin e vendit të tij. Ndonëse dikur është shkretuar, Sioni nuk do të jetë më një grua e braktisur plotësisht dhe vendi i tij nuk do të jetë më i shkretë. Rivendosja e Jerusalemit në vitin 537 p.e.s. nënkupton një gjendje të re për të, në kontrast të plotë me gjendjen e tij të shkretuar, në të cilën ndodhej më parë. Jehovai deklaron se Sioni do të quhet «Kënaqësia ime është tek ajo» dhe vendi i tij, «E marrë në zotërim si grua».​—Isaia 54:1, 5, 6; 66:8; Jeremia 23:5-8; 30:17; Galatasve 4:27-31.

10. (a) Si u shndërrua Izraeli i Perëndisë? (b) Çfarë është «vendi» i Izraelit të Perëndisë?

10 Që nga viti 1919, një ndryshim të ngjashëm e përjetoi edhe Izraeli i Perëndisë. Gjatë Luftës së Parë Botërore, u duk sikur Perëndia i mohoi të krishterët e mirosur. Por në vitin 1919 ata u kthyen në gjendjen e tyre të favorizuar dhe adhurimi i tyre u pastrua. Kjo gjë ndikoi mbi mësimet, organizimin dhe veprimtarinë e tyre. Izraeli i Perëndisë u kthye në «vendin» e tij, domethënë, në pronën e tij frymore ose në sferën e tij të veprimtarisë.​—Isaia 66:7, 8, 20-22.

11. Në ç’mënyrë judenjtë marrin në zotërim si grua nënën e tyre?

11 Duke theksuar më tej pozitën e re të favorizuar të popullit të tij, Jehovai deklaron: «Ashtu si një i ri merr në zotërim një virgjëreshë si gruan e tij, bijtë e tu do të të marrin në zotërim ty si grua. Dhe ashtu si ngazëllon një dhëndër për nusen, Perëndia yt do të ngazëllohet për ty.» (Isaia 62:5) Si mund ta marrin judenjtë, «bijtë» e Sionit, në zotërim si grua nënën e tyre? Kjo ndodh në kuptimin që bijtë e rikthyer të Sionit, të çliruar nga robëria babilonase, marrin në zotërim kryeqytetin e tyre të vjetër dhe banojnë në të përsëri. Kur ndodh kjo, Sioni nuk është më i shkretë, por i mbushur me bij.​—Jeremia 3:14.

12. (a) Në ç’mënyrë e ka bërë të qartë Jehovai se të krishterët e mirosur janë pjesë e organizatës që është e bashkuar me të në martesë? (b) Në ç’mënyrë siguron një model të shkëlqyer për martesat sot mënyra se si Jehovai ka vepruar me popullin e tij? (Shih kutinë në faqen 342.)

12 Në të njëjtën mënyrë, që nga viti 1919 bijtë e Sionit qiellor kanë marrë në zotërim vendin e tyre, pronën e tyre frymore, e cila ka emrin profetik «E marrë në zotërim si grua». Veprimtaria e tyre e krishterë në këtë vend e ka bërë të qartë që këta të krishterë të mirosur janë ‘populli për emrin e [Jehovait]’. (Veprat 15:14) Fakti që japin frytet e Mbretërisë dhe që shpallin emrin e Jehovait, e ka bërë të dukshme që Jehovai gjen kënaqësi te këta të krishterë. Ai e ka bërë të qartë se ata janë pjesë e organizatës që është e bashkuar me të në një unitet të pathyeshëm. Duke i mirosur këta të krishterë me frymën e shenjtë, duke i çliruar nga robëria frymore dhe duke i përdorur për t’i predikuar gjithë njerëzimit shpresën e Mbretërisë, Jehovai ka treguar se gëzohet për ta ashtu si një dhëndër gëzohet për nusen.​—Jeremia 32:41.

«Le të mos ketë heshtje nga ana juaj»

13, 14. (a) Në kohën e lashtë, si bëhet Jerusalemi një qytet që jep siguri? (b) Në kohët e sotme, si është bërë Sioni «një lëvdim në tokë»?

13 Emri i ri figurativ që u ka dhënë Jehovai i bën pjesëtarët e popullit të tij të ndihen të sigurt. E dinë se ai i pranon dhe se i ka marrë në zotërim. Tani, duke përdorur një ilustrim tjetër, Jehovai i drejtohet popullit të tij si një qyteti të rrethuar me mure: «Mbi muret e tua, o Jerusalem, kam caktuar roja. Gjithë ditën dhe gjithë natën, vazhdimisht, le të mos rrinë të qetë. Ju që përmendni Jehovain, le të mos ketë heshtje nga ana juaj dhe mos i jepni heshtje atij derisa të ngulitë fort, po, derisa të vendosë Jerusalemin si një lëvdim në tokë.» (Isaia 62:6, 7) Pas kthimit të mbetjes besnike nga Babilonia, në kohën e duhur sipas Jehovait, Jerusalemi bëhet me të vërtetë «një lëvdim në tokë»​—një qytet i rrethuar me mure që u jep siguri banorëve të tij. Ditë e natë, rojat që ndodhen mbi ato mure qëndrojnë vigjilentë për të garantuar sigurinë e qytetit dhe për t’u dhënë mesazhe paralajmëruese banorëve të tij.​—Nehemia 6:15; 7:3; Isaia 52:8.

14 Në kohët e sotme Jehovai ka përdorur rojat e tij të mirosura, për t’u treguar individëve zemërbutë rrugën e çlirimit nga robëria e fesë së rreme. Këta individë janë ftuar të vijnë brenda organizatës së tij, ku gjejnë mbrojtje nga ndotja frymore, nga ndikimet e paperëndishme dhe nga zemërimi i Jehovait. (Jeremia 33:9; Sofonia 3:19) Një rol jetësor në këtë mbrojtje luan klasa e rojës, «skllavi i besueshëm dhe i matur», i cili siguron «ushqim [frymor] në kohën e duhur». (Mateu 24:45-47) Duke punuar përkrah klasës së rojës, edhe ‘shumica e madhe’ luan një rol domethënës për ta bërë Sionin «një lëvdim në tokë».​—Zbulesa 7:9.

15. Në ç’mënyrë klasa e rojës dhe shokët e tyre i shërbejnë sot Jehovait vazhdimisht?

15 Shërbimi i klasës së rojës dhe i shokëve të tyre vazhdon! Përkushtimi i tyre me gjithë shpirt duket nga aktiviteti i zellshëm i miliona individëve besnikë të mbështetur nga mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre; nga vullnetarët në shtëpitë e ndryshme Bethel dhe nga shtypshkronjat e Dëshmitarëve të Jehovait; nga misionarët dhe nga pionierët specialë, të rregullt e ndihmës. Veç kësaj, ata punojnë shumë duke ndërtuar Salla të reja Mbretërie, duke vizituar të sëmurët, duke ndihmuar ata që hasin situata të vështira mjekësore, si edhe duke u ardhur në ndihmë në kohën e duhur viktimave të katastrofave ose të aksidenteve. Shumë nga këta individë vetëmohues, shpesh, shërbejnë «ditë e natë», në kuptimin e vërtetë të fjalës.​—Zbulesa 7:14, 15.

16. Në ç’mënyrë shërbëtorët e Jehovait ‘nuk i japin heshtje atij’?

16 Shërbëtorët e Jehovait nxiten që të luten pa pushim e t’i kërkojnë Perëndisë që ‘të bëhet vullneti i tij, si në qiell, edhe mbi tokë’. (Mateu 6:9, 10; 1 Selanikasve [Thesalonikasve] 5:17) Atyre u bëhet thirrja: «Mos i jepni heshtje [Jehovait]» derisa dëshirat dhe shpresat lidhur me rivendosjen e adhurimit të vërtetë të plotësohen. Jezui theksoi nevojën për t’u lutur vazhdimisht, duke i nxitur ithtarët e tij që t’i «thërrasin [Perëndisë] ditë e natë».​—Luka 18:1-8.

Shërbimi ndaj Perëndisë do të shpërblehet

17, 18. (a) Në ç’mënyrë mund të presin të gëzojnë frytet e punës së tyre banorët e Sionit? (b) Në ç’mënyrë i gëzon frytet e punës së tij populli i Jehovait sot?

17 Emri i ri që Jehovai i jep popullit të tij u jep siguri pjesëtarëve të tij se përpjekjet e tyre nuk janë të kota. «Jehovai është betuar me dorën e tij të djathtë dhe me krahun e tij të fortë: ‘Nuk do t’ua jap më drithin tënd si ushqim armiqve të tu dhe të huajt nuk do të pinë verën tënde të re, për të cilën je robtuar. Por pikërisht ata që e kanë mbledhur do ta hanë e me siguri do të lëvdojnë Jehovain; dhe pikërisht ata që e kanë grumbulluar do ta pinë në oborret e mia të shenjta.’» (Isaia 62:8, 9) Dora e djathtë e Jehovait dhe krahu i tij i fortë janë simbole të fuqisë dhe të forcës së tij. (Ligji i përtërirë 32:40; Ezekieli 20:5) Fakti që Jehovai betohet në bazë të tyre tregon se është i vendosur ta ndryshojë gjendjen e Sionit. Në vitin 607 p.e.s., Jehovai i lejon armiqtë e Sionit që t’ia grabitin dhe t’ia plaçkitin zotërimet. (Ligji i përtërirë 28:33, 51) Por tani, zotërimet e Sionit do t’i gëzojnë vetëm ata të cilëve u takojnë me të drejtë.​—Ligji i përtërirë 14:22-27.

18 Në përmbushjen e këtij premtimi në kohët e sotme, populli i rivendosur i Jehovait përjeton një begati të madhe frymore. Ai gëzon plotësisht frytet e punës së tij​—një numër gjithnjë në rritje dishepujsh të krishterë dhe një bollëk ushqimi frymor. (Isaia 55:1, 2; 65:14) Meqenëse populli i tij është besnik, Jehovai nuk lejon që armiqtë t’u dëmtojnë begatinë frymore ose t’u grabitin frytet e shërbimit që bëjnë me gjithë shpirt. Asnjë nga veprat e kryera në shërbim të Jehovait nuk është e kotë.​—Malakia 3:10-12; Hebrenjve 6:10.

19, 20. (a) Si pastrohet rruga, me qëllim që judenjtë të kthehen në Jerusalem? (b) Si është pastruar rruga në kohët e sotme, me qëllim që zemërbutët të vijnë në organizatën e Jehovait?

19 Gjithashtu, emri i ri e bën organizatën e Jehovait tërheqëse për njerëzit me zemër të sinqertë. Njerëzit vërshojnë mori-mori në të dhe rruga vazhdon të jetë e hapur për ta. Profecia e Isaisë thotë: «Kaloni, kaloni përmes portave. Pastroni rrugën e popullit. Shtroni, shtroni rrugën kryesore. Pastrojeni nga gurët. Ngrini një sinjal për popujt.» (Isaia 62:10) Në përmbushjen e parë, kjo thirrje i referohet, me sa duket, daljes nga portat e qyteteve të Babilonisë për t’u kthyer në Jerusalem. Ata që kthehen duhet të heqin gurët nga rruga për ta bërë udhëtimin më të lehtë dhe duhet të ngrenë një sinjal për të treguar rrugën.​—Isaia 11:12.

20 Që nga viti 1919, të krishterët e mirosur janë veçuar për shërbimin hyjnor dhe po ecin nëpër ‘rrugën e shenjtë’. (Isaia 35:8, Dio) Ata qenë të parët që ecën nëpër rrugën kryesore frymore, e cila të çonte jashtë Babilonisë së Madhe. (Isaia 40:3; 48:20) Perëndia u dha atyre privilegjin që të merrnin drejtimin në shpalljen e veprave të tij të fuqishme dhe në drejtimin e të tjerëve për nga rruga kryesore. Duke e pastruar atë nga gurët, domethënë, nga pengesat, ata i sollën dobi kryesisht vetes së tyre. (Isaia 57:14) Ata kishin nevojë t’i kuptonin qartë qëllimet dhe mësimet e Perëndisë. Bindjet e rreme janë gurë pengese në rrugën e jetës, por Fjala e Jehovait është «si një çekiç që thyen gurin». Me anë të saj, të krishterët e mirosur copëtuan gurët që mund të pengonin ata që dëshironin t’i shërbenin Jehovait.​—Jeremia 23:29, Dio.

21, 22. Çfarë sinjali ka vendosur Jehovai për ata që e braktisin fenë e rreme, dhe si e dimë këtë?

21 Në vitin 537 p.e.s., Jerusalemi u bë sinjali që e ftoi mbetjen e judenjve të kthehej e të rindërtonte tempullin. (Isaia 49:22) Në vitin 1919, kur u çlirua nga robëria e fesë së rreme, mbetja e të mirosurve nuk u end andej-këtej pa ndonjë qëllim. Ata e dinin se ku duhej të shkonin, sepse Jehovai kishte vënë një sinjal për ta. Cilin sinjal? Të njëjtin sinjal që parathuhej në Isainë 11:10, ku lexojmë: «Në atë ditë duhet të ndodhë që rrënja e Jeseut do të ngrihet si një sinjal për popujt.» Apostulli Pavël ia zbaton këto fjalë Jezuit. (Romakëve 15:8, 12) Po, sinjali është Krishti Jezu, i cili sundon si Mbret në malin qiellor Sion.​—Hebrenjve 12:22; Zbulesa 14:1.

22 Si të krishterët e mirosur, ashtu edhe delet e tjera janë mbledhur rreth Jezu Krishtit për të marrë pjesë në adhurimin bashkues të Perëndisë Më të Lartë. Sundimi i tij shërben për të shfajësuar sovranitetin universal të Jehovait dhe për të bekuar njerëzit me zemër të sinqertë në të gjitha kombet e tokës. A nuk është kjo një arsye e vlefshme që të gjithë ne të bashkohemi për ta lartësuar atë duke i dhënë lavdi?

«Shpëtimi yt po vjen»

23, 24. Në ç’mënyrë vjen shpëtimi i atyre që kanë besim te Perëndia?

23 Emri i ri që i jep Jehovai organizatës së tij të paraqitur si një grua ka të bëjë me shpëtimin e përjetshëm të bijve të saj. Isaia shkruan: «Ja, Jehovai e ka bërë të dëgjohet deri në pjesën më të largët të tokës: “I thoni bijës së Sionit: ‘Ja, shpëtimi yt po vjen. Ja, shpërblimi që ai jep është me të dhe paga që ai paguan është para tij.’ ”» (Isaia 62:11) Shpëtimi i judenjve erdhi kur Babilonia ra dhe ata u kthyen në vendin e tyre. Por këto fjalë i referohen diçkaje më të madhe. Deklarata e Jehovait na sjell ndër mend profecinë e Zakarisë lidhur me Jerusalemin: «Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jerusalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri.»​—Zakaria 9:9, Dio.

24 Tre vjet e gjysmë pasi u pagëzua në ujë dhe u miros me frymën e Perëndisë, Jezui hyri në Jerusalem dhe pastroi tempullin. (Mateu 21:1-5; Gjoni 12:14-16) Sot, Jezu Krishti është ai që sjell shpëtimin e Jehovait për të gjithë ata që kanë besim te Perëndia. Që nga viti 1914 kur Jezui hipi në fron, Jehovai e ka caktuar atë edhe si Gjykatës dhe Ekzekutues. Në vitin 1918, tre vjet e gjysmë pasi hipi në fron, ai pastroi tempullin frymor të Jehovait, i cili përfaqësohet në tokë nga kongregacioni i të krishterëve të mirosur. (Malakia 3:1-5) Ngritja e tij si një sinjal shënoi fillimin e grumbullimit të një numri të madh njerëzish nga e gjithë toka, në mbështetje të Mbretërisë Mesianike. Siç ndodhi në kohën e lashtë, «shpëtimi» i Izraelit të Perëndisë erdhi kur pjesëtarët e tij u çliruan nga Babilonia e Madhe në vitin 1919. «Shpërblimi» ose «paga» e rezervuar për korrësit vetëmohues është ose jeta e pavdekshme në qiell, ose jeta e përjetshme në tokë. Të gjithë ata që qëndrojnë besnikë mund të jenë të sigurt se ‘mundi i tyre s’është i kotë në lidhje me Zotërinë’.​—1 Korintasve 15:58.

25. Ç’siguri i jepet popullit të Jehovait?

25 Sa premtuese është perspektiva e organizatës qiellore të Jehovait, e përfaqësuesve të saj të mirosur këtu në tokë dhe e kujtdo që shoqërohet aktivisht me ta! (Ligji i përtërirë 26:19) Isaia profetizoi: «Me siguri, njerëzit do t’i quajnë populli i shenjtë, ata që Jehovai i ka riblerë; dhe ti do të quhesh ‘E kërkuar’, ‘Qytet që nuk është braktisur plotësisht’.» (Isaia 62:12) Dikur, «Jerusalemi lart», i përfaqësuar nga Izraeli i Perëndisë, u ndie i braktisur. Ai nuk do të ndihet më kështu. Populli i Jehovait do të jetë përgjithmonë objekt i kujdesit të tij mbrojtës, duke gëzuar buzëqeshjen e tij të vazhdueshme miratuese.

[Shënimi]

^ par. 7 Në profecitë biblike ‘një emër i ri’ mund të nënkuptojë një pozitë të re ose një privilegj të ri.​—Zbulesa 2:17; 3:12.

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 342]

Një model i shkëlqyer për martesën

Kur martohen, njerëzit presin disa gjëra nga lidhja martesore. Po Perëndia çfarë pret? Ai është nismëtari i martesës. Cili ishte qëllimi i tij për të?

Një tregues i pikëpamjes së Perëndisë na vjen nga marrëdhënia e tij me kombin e Izraelit. Isaia e paraqet këtë marrëdhënie si një martesë. (Isaia 62:1-5) Vëreni çfarë bën Perëndia Jehova, në rolin e «burrit», për «nusen» e tij. E mbron dhe e shenjtëron. (Isaia 62:6, 7, 12) E nderon dhe e vlerëson. (Isaia 62:3, 8, 9) Gjithashtu, gjen kënaqësi në të, siç tregohet nga emrat e rinj që i jep.​—Isaia 62:4, 5, 12.

Në Shkrimet e Krishtere Greke, Pavli përsërit përshkrimin që i bën Isaia marrëdhënies ndërmjet Jehovait dhe Izraelit, kur e krahason marrëdhënien e një burri me gruan e tij me marrëdhënien e Krishtit me kongregacionin e të krishterëve të mirosur.​—Efesianëve 5:21-27.

Pavli i nxiti të krishterët që në martesat e tyre të imitonin marrëdhënien ndërmjet Jezuit dhe kongregacionit. Nuk mund të ketë dashuri më të madhe se ajo që tregoi Jehovai ndaj Izraelit dhe se ajo që tregoi Krishti ndaj kongregacionit. Këto marrëdhënie simbolike sigurojnë një model të shkëlqyer për të krishterët që të kenë një martesë të suksesshme dhe të lumtur.​—Efesianëve 5:28-33.

[Figura në faqen 339]

Jehovai do ta thërrasë Sionin qiellor me një emër të ri

[Figurat në faqen 347]

Në kohët e sotme klasa e rojës e Jehovait nuk ka qëndruar në heshtje