Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një lutje pendimi

Një lutje pendimi

Kapitulli njëzet e pesë

Një lutje pendimi

Isaia 63:15–64:12

1, 2. (a) Cili është qëllimi i disiplinës hyjnore? (b) Para cilës zgjedhje do të gjenden judenjtë pasi të disiplinohen nga Jehovai?

SHKATËRRIMI i Jerusalemit dhe i tempullit të tij në vitin 607 p.e.s. ishte një disiplinim nga Jehovai, një shprehje e mosmiratimit të tij të plotë. Kombi i pabindur i Judës e meritoi të ndëshkohej rëndë. Megjithatë, Jehovai nuk kishte ndër mend që judenjtë të shfaroseshin. Apostulli Pavël foli në mënyrë të tërthortë për qëllimin e disiplinës së Jehovait kur tha: «Vërtet, asnjë disiplinë kur paraqitet nuk duket se sjell gëzim, por hidhërim; mirëpo më pas, atyre që janë stërvitur prej saj, u jep fryt paqeje, domethënë, drejtësi.»​—Hebrenjve 12:11.

2 Si do të përgjigjen judenjtë ndaj kësaj përvoje të vështirë? A do ta urrejnë disiplinën e Jehovait? (Psalmi 50:16, 17) Apo do ta pranojnë si stërvitje? A do të pendohen e si rrjedhim të shërohen? (Isaia 57:18; Ezekieli 18:23) Profecia e Isaisë na bën të kuptojmë se të paktën disa nga ish-banorët e Judës do të përgjigjen mirë ndaj disiplinës. Që nga vargjet e fundit të kapitullit 63:15-19 e gjatë gjithë kapitullit 64, kombi i Judës paraqitet si një popull i penduar që i bën Perëndisë një përgjërim me gjithë zemër. Profeti Isaia bën një lutje pendimi për bashkatdhetarët e tij që në të ardhmen do të jenë në mërgim. Ndërsa bën këtë, ai flet për ngjarje të ardhshme sikur të ishin duke ndodhur para syve të tij.

Një Atë i dhembshur

3. (a) Në ç’mënyrë e lartëson Jehovain lutja profetike e Isaisë? (b) Në ç’mënyrë tregon lutja e Danielit se lutja profetike e Isaisë përfaqëson mendimet e judenjve të penduar në Babiloni? (Shih kutinë në faqen 362.)

3 Isaia i lutet Jehovait: «Shiko nga qielli dhe hidhe vështrimin jashtë banesës sate të lartë, të shenjtë e të bukur.» Profeti e ka fjalën për qiejt frymorë, ku banojnë Jehovai dhe krijesat e tij të padukshme frymore. Duke shprehur mendimet e judenjve të mërguar, Isaia vazhdon: «Ku janë zelli dhe fuqia jote e plotë, trazimi i pjesëve të tua të brendshme dhe mëshirat e tua? Drejt meje janë frenuar.» (Isaia 63:15) Jehovai e ka frenuar fuqinë e tij dhe i ka mbajtur nën kontroll ndjenjat e tij të thella, ‘trazimin e pjesëve të tij të brendshme dhe mëshirat e tij’, ndaj popullit të vet. Megjithatë, Jehovai është «Ati» i kombit jude. Abrahami dhe Izraeli (Jakobi) ishin paraardhësit e tyre natyrorë, por nëse këta do të riktheheshin në jetë, do t’i kishin hedhur poshtë pasardhësit e tyre apostatë. Por Jehovai ka një dhembshuri më të madhe. (Psalmi 27:10) Me mirënjohje Isaia thotë: «Ti, o Jehova, je Ati ynë. Riblerësi ynë i shumë kohëve më parë është emri yt.»​—Isaia 63:16.

4, 5. (a) Në cilin kuptim e bën Jehovai popullin e tij që të shmanget nga udhët e tij? (b) Ç’lloj adhurimi dëshiron Jehovai?

4 Isaia vazhdon me një shprehje që i buron nga zemra: «Pse, o Jehova, vazhdon të na bësh që të shmangemi nga udhët e tua? Pse e bën zemrën tonë të pandjeshme ndaj frikës prej teje? Kthehu për hir të shërbëtorëve të tu, fiseve të zotërimit tënd trashëgimor.» (Isaia 63:17) Po, Isaia lutet që Jehovai ta kthejë përsëri vëmendjen nga shërbëtorët e tij. Por, në cilin kuptim i bën Jehovai judenjtë që të shmangen nga udhët e tij? A është Jehovai përgjegjës për pandjeshmërinë e zemrës së tyre, e cila i bën të mos kenë frikë ndaj tij? Jo, por Jehovai e lejon atë dhe në dëshpërimin e tyre judenjtë ankohen që Jehovai u dha këtë liri. (Dalja 4:21; Nehemia 9:16) Ata do të dëshironin që Jehovai të kishte ndërhyrë për të mos i lejuar që të vepronin gabim.

5 Natyrisht, Perëndia nuk vepron kështu me njerëzit. Ne jemi persona me vullnet të lirë dhe Jehovai na lejon të vendosim vetë nëse do t’i bindemi atij apo jo. (Ligji i përtërirë 30:15-19) Jehovai dëshiron një adhurim që buron nga zemra dhe mendje të motivuara nga dashuria e vërtetë. Për këtë arsye, ai i ka lejuar judenjtë të ushtrojnë vullnetin e tyre të lirë, ndonëse kjo u ka dhënë mundësi atyre që të rebelohen ndaj tij. Në këtë mënyrë, Jehovai i ka bërë të pandjeshme zemrat e tyre.​—2 Kronikave 36:14-21.

6, 7. (a) Çfarë sjell si pasojë largimi i judenjve nga udhët e Jehovait? (b) Cila dëshirë e kotë shprehet, por çfarë nuk kanë të drejtë të presin judenjtë?

6 Cila është pasoja? Isaia thotë në mënyrë profetike: «Për një kohë të shkurtër populli yt pati zotërim. Kundërshtarët tanë kanë shkelur shenjtëroren tënde. Për një kohë të gjatë jemi bërë si ata mbi të cilët nuk sundove, si ata që nuk thirreshin me emrin tënd.» (Isaia 63:18, 19) Për një kohë të shkurtër, populli i Jehovait kishte në zotërim shenjtëroren e Tij. Më pas, Jehovai lejoi që ajo të shkatërrohej dhe populli i tij të çohej në mërgim. Kur ndodhi kjo gjë, u duk sikur nuk kishte pasur asnjë besëlidhje ndërmjet tij dhe pasardhësve të Abrahamit, sikur ata nuk ishin thirrur me emrin e tij. Tani që janë të mërguar në Babiloni, judenjtë thërrasin të dëshpëruar: «Ah, sikur të kishe shqyer qiejt, të kishe zbritur dhe malet të ishin tronditur për shkakun tënd, si një zjarr kur ndez shkurren dhe si zjarri që bën ujin të ziejë, me qëllim që t’ua bëje të njohur emrin tënd kundërshtarëve, dhe për shkakun tënd kombet të turbulloheshin.» (Isaia 64:1, 2) Jehovai ka, në të vërtetë, fuqi për të shpëtuar. Sigurisht, ai mund të kishte zbritur dhe të kishte luftuar për popullin e tij, duke shqyer sistemet qeverisëse ngjashëm qiejve dhe duke copëtuar perandoritë ngjashëm maleve. Jehovai mund ta kishte bërë të njohur emrin e tij, duke shfaqur zellin e tij të zjarrtë për popullin e vet.

7 Jehovai i ka bërë këto gjëra në të kaluarën. Isaia tregon: «Kur bëre gjëra të frikshme për të cilat nuk mund të shpresonim, ti zbrite. Për shkakun tënd malet u tronditën.» (Isaia 64:3) Këto vepra madhështore treguan fuqinë dhe hyjninë e Jehovait. Por, judenjtë jobesnikë të kohës së Isaisë nuk kanë të drejtë të presin që Jehovai të veprojë në mënyrë të tillë për ta.

Vetëm Jehovai mund të shpëtojë

8. (a) Në cilën fushë Jehovai është i ndryshëm nga perënditë e rreme të kombeve? (b) Pse nuk vepron Jehovai për të shpëtuar popullin e tij, megjithëse e ka mundësinë për ta bërë këtë? (c) Në ç’mënyrë e citon dhe e zbaton Pavli Isainë 64:4? (Shih kutinë në faqen 366.)

8 Perënditë e rreme nuk kryejnë asnjë vepër të fuqishme për të shpëtuar adhuruesit e tyre. Isaia shkruan: «Nga shumë kohë më parë asnjë nuk ka dëgjuar, asnjë nuk ka mbajtur vesh dhe asnjë sy nuk ka parë një Perëndi, përveç teje, që të veprojë për atë që rri në pritje të tij. Ti ke takuar atë që ngazëllon dhe praktikon drejtësinë, ata që vazhdojnë të të kujtojnë në udhët e tua.» (Isaia 64:4, 5a) Vetëm Jehovai është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebrenjve 11:6) Ai vepron për të mbrojtur ata që praktikojnë drejtësinë dhe ata që e kujtojnë. (Isaia 30:18) A kanë vepruar judenjtë në këtë mënyrë? Jo. Isaia i thotë Jehovait: «Ja, ti u zemërove ndërsa ne vazhdonim të mëkatonim, madje, për një kohë të gjatë, dhe duhet të shpëtojmë?» (Isaia 64:5b) Meqenëse populli i Perëndisë ka mëkatuar vazhdimisht për një kohë të gjatë, Jehovai nuk ka arsye për ta frenuar zemërimin e tij e të veprojë për ta shpëtuar.

9. Për çfarë mund të shpresojnë judenjtë e penduar dhe çfarë mund të mësojmë nga kjo?

9 Judenjtë nuk mund ta zhbëjnë të kaluarën, por nëse pendohen dhe kthehen në adhurimin e pastër, mund të shpresojnë për faljen dhe për bekime në të ardhmen. Jehovai do t’i shpërblejë të penduarit në kohën e duhur sipas tij, duke i çliruar nga robëria babilonase. Megjithatë, duhet të kenë durim. Sado që ata do të pendohen, Jehovai nuk do ta ndryshojë programin e tij. Gjithsesi, nëse vazhdojnë të jenë vigjilentë dhe të ndjeshëm ndaj vullnetit të Perëndisë, u jepet siguria se më në fund do të çlirohen. Në mënyrë të ngjashme, të krishterët sot, rrinë me durim në pritje të Jehovait. (2 Pjetrit 3:11, 12) Ne i marrim seriozisht fjalët e apostullit Pavël, i cili tha: «Le të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.»​—Galatasve 6:9.

10. Cila paaftësi shprehet hapur në lutjen e Isaisë?

10 Lutja profetike e Isaisë është më shumë sesa thjesht një rrëfim formal mëkati. Është një pranim i sinqertë i paaftësisë së kombit për të shpëtuar vetveten. Profeti thotë: «Të gjithë ne bëhemi si një i papastër dhe gjithë veprat tona të drejta janë si një rrobë për periudhat e të përmuajshmeve; të gjithë ne do të vyshkemi si gjethet dhe gabimet tona do të na marrin me vete porsi era.» (Isaia 64:6) Aty nga fundi i mërgimit, ka mundësi që judenjtë e penduar t’i kenë dhënë fund praktikimit të apostazisë. Ka mundësi që ata të jenë kthyer te Jehovai duke kryer vepra të drejta. Por ata janë ende të papërsosur. Veprat e tyre të mira, ndonëse të lavdërueshme, nuk janë më të mira se rrobat e ndotura kur bëhet fjalë për shlyerjen e mëkateve. Falja e Jehovait është një dhuratë e pamerituar që ai e bën i shtyrë nga mëshira e tij. Nuk është diçka që mund të fitohet.​—Romakëve 3:23, 24.

11. (a) Në ç’gjendje të ulët frymore janë shumica e judenjve të mërguar dhe cilat mund të jenë arsyet? (b) Cilët ishin shembuj të shkëlqyer besimi gjatë mërgimit?

11 Çfarë shikon Isaia ndërsa e hedh vështrimin përpara? Profeti thotë: «Nuk ka asnjë që thërret emrin tënd, asnjë që zgjohet për t’u kapur pas teje; sepse ti e ke fshehur fytyrën tënde nga ne dhe na bën të tretemi nga fuqia e gabimit tonë.» (Isaia 64:7) Gjendja frymore e kombit ka rënë përtokë. Populli nuk ishte duke e thirrur emrin e Perëndisë në lutje. Edhe pse nuk janë më fajtorë për mëkatin e rëndë të idhujtarisë, me sa duket, ata e kanë lënë pas dore adhurimin dhe nuk ka «asnjë që zgjohet për t’u kapur» pas Jehovait. Është e qartë që ata nuk gëzojnë një marrëdhënie të shëndoshë me Krijuesin. Ndoshta disa ndihen të padenjë për t’iu drejtuar Jehovait në lutje. Disa të tjerë mund të merren me veprimtaritë e përditshme pa e marrë parasysh atë. Natyrisht, mes të mërguarve ka edhe individë si: Danieli, Hanania, Mishaeli, Azariahu dhe Ezekieli, të cilët janë shembuj të shkëlqyer besimi. (Hebrenjve 11:33, 34) Ndërsa periudha 70-vjeçare e robërisë i afrohet fundit, burra të tillë, si: Hageu, Zakaria, Zorobabeli dhe kryeprifti Josiu, janë gati të japin një shembull të shkëlqyer për sa i përket thirrjes së emrit të Jehovait. Megjithatë, me sa duket, lutja profetike e Isaisë paraqet gjendjen e shumicës së të mërguarve.

«Bindja është më e mirë se flijimi»

12. Si e shpreh Isaia gatishmërinë e judenjve të penduar për të ndryshuar sjelljen?

12 Judenjtë e penduar janë të gatshëm të ndryshojnë. Duke përfaqësuar ata, Isaia i lutet Jehovait: «O Jehova, ti je Ati ynë. Ne jemi argjila, ndërsa ti je Poçari; të gjithë ne jemi vepër e duarve të tua.» (Isaia 64:8) Edhe një herë, këto fjalë pranojnë autoritetin e Jehovait si Atë ose Jetëdhënës. (Jobi 10:9) Judenjtë që janë të penduar krahasohen me argjilën e përpunueshme. Ata që reagojnë pozitivisht ndaj disiplinës së Jehovait, në kuptimin figurativ, mund të modelohen ose mund t’u jepet formë në harmoni me normat e Perëndisë. Por kjo mund të arrihet vetëm nëse Jehovai si Poçar ofron faljen. Prandaj, Isaia i përgjërohet dy herë atij që të kujtojë se judenjtë janë populli i tij: «Mos u zemëro së tepërmi, o Jehova, dhe mos e kujto përgjithmonë gabimin tonë. Shiko tani, të lutem: të gjithë ne jemi populli yt.»​—Isaia 64:9.

13. Cila është gjendja e vendit të Izraelit ndërsa populli i Perëndisë është në mërgim?

13 Gjatë mërgimit, judenjtë nuk vuajnë vetëm për faktin që janë robër në një vend pagan. Gjendja e shkretë e Jerusalemit dhe e tempullit të tij sjell sharje mbi ta dhe mbi Perëndinë e tyre. Lutja e pendimit që bëri Isaia tregoi disa nga gjërat që e shkaktojnë këtë sharje: «Qytetet e tua të shenjta janë bërë shkretëtirë. Sioni është bërë një shkretëtirë e vërtetë, Jerusalemi një vend i shkretë. Shtëpia jonë e shenjtë dhe e bukur, në të cilën paraardhësit tanë të jepnin lavdi, është bërë diçka për t’u djegur në zjarr, dhe çdonjëra nga gjërat tona të dëshirueshme është bërë një shkreti.»​—Isaia 64:10, 11.

14. (a) Në ç’mënyrë paralajmëroi Jehovai për situatën që ekziston tani? (b) Ndonëse Jehovai ishte i kënaqur me tempullin dhe me flijimet që bëheshin atje, çfarë gjëje është më e rëndësishme?

14 Sigurisht, Jehovai e di fare mirë se në ç’gjendje është vendi i të parëve të judenjve. Rreth 420 vjet para shkatërrimit të Jerusalemit, ai e paralajmëroi popullin se po të largohej nga urdhërimet e tij për t’u shërbyer perëndive të tjera, ai ‘do ta zhdukte Izraelin nga faqja e vendit’ dhe tempulli i bukur do të bëhej «një vend i shkretë». (1 Mbretërve 9:6-9, Dio) Vërtet, Jehovai ishte i kënaqur me vendin që i kishte dhënë popullit të tij, me tempullin madhështor që kishin ndërtuar për nder të tij dhe me flijimet që bëheshin për të. Por besnikëria dhe bindja janë më të rëndësishme se gjërat materiale, e madje më të rëndësishme se flijimet. Profeti Samuel i tha me të drejtë mbretit Saul: «Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve.»​—1 Samuelit 15:22, Dio.

15. (a) Çfarë lutjeje i bën Isaia Jehovait në mënyrë profetike dhe cila është përgjigjja? (b) Cilat ngjarje bënë që, më në fund, Jehovai ta hidhte poshtë Izraelin si komb?

15 Por, a mund të ndodhë që Perëndia i Izraelit të shohë gjendjen e mjeruar të popullit të tij të penduar dhe të mos ndiejë keqardhje për të? Kjo është pyetja me të cilën e mbyll lutjen profetike Isaia. Në emër të judenjve të mërguar, ai lutet: «Duke marrë parasysh këto gjëra, a do të vazhdosh ta përmbash veten, o Jehova? A do të rrish në heshtje, duke na lënë të mundohemi së tepërmi?» (Isaia 64:12) Siç del më vonë, Jehovai e fal me të vërtetë popullin e tij dhe, në vitin 537 p.e.s., e kthen në vendin e tij që të mund të rifillojë adhurimin e pastër atje. (Joeli 2:13) Megjithatë, shekuj më vonë, Jerusalemi dhe tempulli i tij u shkatërruan edhe një herë dhe, më në fund Perëndia e hodhi poshtë kombin me të cilin kishte bërë një besëlidhje. Pse? Sepse populli i Jehovait ishte larguar nga urdhërimet e tij dhe kishte hedhur poshtë Mesinë. (Gjoni 1:11; 3:19, 20) Kur ndodhi kjo, Jehovai e zëvendësoi Izraelin me një komb të ri frymor, me «Izraelin e Perëndisë».​—Galatasve 6:16; 1 Pjetrit 2:9.

Jehovai, ‘Dëgjuesi i lutjes’

16. Çfarë na mëson Bibla rreth faljes së Jehovait?

16 Nga ajo që i ndodhi Izraelit mund të nxjerrim mësime të rëndësishme. Shikojmë që Jehovai është ‘i mirë dhe i gatshëm të falë’. (Psalmi 86:5, Dio) Si krijesa të papërsosura, shpëtimi ynë varet nga mëshira dhe falja e tij. Asnjë vepër nga ana jonë nuk mund të na ndihmojë t’i fitojmë këto bekime. Sidoqoftë, Jehovai nuk i fal të gjithë pa dallim. Vetëm ata që pendohen për mëkatet e tyre dhe kthejnë rrugë mund të shpresojnë për faljen hyjnore.​—Veprat 3:19.

17, 18. (a) Si e dimë që Jehovai interesohet me të vërtetë për mendimet dhe ndjenjat tona? (b) Përse ushtron durim Jehovai ndaj njerëzve mëkatarë?

17 Po ashtu, mësojmë që Jehovai interesohet thellësisht për mendimet dhe ndjenjat tona kur ia shprehim ato në lutje. Ai është ‘Dëgjuesi i lutjes’. (Psalmi 65:2, 3) Apostulli Pjetër na siguron: «Sytë e Jehovait janë mbi të drejtët dhe veshët e tij te përgjërimi i tyre.» (1 Pjetrit 3:12) Veç kësaj, mësojmë që një lutje pendimi duhet të përfshijë rrëfimin e përulur të mëkateve. (Proverbat 28:13) Por kjo nuk do të thotë se mund ta keqpërdorim mëshirën e Perëndisë. Bibla i paralajmëron të krishterët ‘të mos e pranojnë dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë e ta lënë pa përmbushur qëllimin e saj’.​—2 Korintasve 6:1.

18 Së fundi, mësojmë qëllimin e durimit që tregon Perëndia ndaj popullit të tij mëkatar. Apostulli Pjetër shpjegoi se Perëndia është i durueshëm, «sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim». (2 Pjetrit 3:9) Megjithatë, ata që e keqpërdorin vazhdimisht durimin e Perëndisë, më në fund, do të ndëshkohen. Lidhur me këtë lexojmë: «[Jehovai] do t’i japë secilit sipas veprave të veta: jetë të përhershme atyre që po kërkojnë lavdi, nderim dhe paprishshmëri nëpërmjet qëndrueshmërisë në veprën që është e mirë; ndërsa për ata që ndezin grindje dhe nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, do të ketë furi e zemërim.»​—Romakëve 2:6-8.

19. Cilat cilësi të pandryshueshme do të shfaqë gjithmonë Jehovai?

19 Në këtë mënyrë veproi Perëndia me Izraelin e lashtë. Marrëdhënia jonë me Jehovain sot varet nga të njëjtat parime, pasi ai nuk ndryshon. Ndonëse nuk e kursen ndëshkimin e merituar, ai do të jetë gjithmonë «Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur e në të vërtetë, që e ruan dashamirësinë e dashur për mijëra, që fal gabimin, shkeljen dhe mëkatin».​—Dalja 34:6, 7.

[Pyetjet]

[Kutia dhe figurat në faqen 362]

Lutja e pendimit e Danielit

Profeti Daniel jetoi në Babiloni gjatë gjithë periudhës 70-vjeçare të robërisë së judenjve. Diku aty nga viti i 68-të i mërgimit, Danieli kuptoi nga profecia e Jeremisë se qëndrimit të përkohshëm të Izraelit po i afrohej fundi. (Jeremia 25:11; 29:10; Danieli 9:1, 2) Danieli iu drejtua në lutje Jehovait​—një lutje pendimi në emër të gjithë kombit jude. Danieli tregon: «E ktheva, pra, fytyrën time drejt Zotit Perëndi, duke e kërkuar me lutje e stërlutje, me agjërim, me thesin dhe me hirin. Kështu bëra lutjen time dhe rrëfimin tim Zotit, Perëndisë tim.»​—Danieli 9:3, 4, Dio.

Danieli e bëri lutjen e tij rreth dyqind vjet pasi Isaia shkroi lutjen profetike që gjendet në kapitujt 63 dhe 64 të librit të tij. Pa dyshim, shumë judenj të sinqertë iu lutën Jehovait gjatë viteve të vështira të mërgimit. Megjithatë, Bibla nxjerr në pah lutjen e Danielit, e cila, me sa duket, përfaqësonte ndjenjat e shumë judenjve besimplotë. Kështu, lutja e tij tregon se ndjenjat e shprehura në lutjen profetike të Isaisë ishin në të vërtetë ndjenjat e judenjve besimplotë në Babiloni.

Vëreni disa ngjashmëri ndërmjet lutjes së Danielit dhe asaj të Isaisë.

Isaia 63:16 Danieli 9:15

Isaia 63:18 Danieli 9:17

Isaia 64:1-3 Danieli 9:15

Isaia 64:4-7 Danieli 9:4-7

Isaia 64:6 Danieli 9:9, 10

Isaia 64:10, 11 Danieli 9:16-18

[Kutia në faqen 366]

«Syri s’i ka parë»

Në letrën drejtuar korintasve, apostulli Pavël citoi librin e Isaisë kur shkroi: «Tamam sikurse është shkruar: ‘Syri s’i ka parë dhe veshi s’i ka dëgjuar, as nuk janë konceptuar në zemrën e njeriut gjërat që Perëndia i ka përgatitur për ata që e duan.’» (1 Korintasve 2:9) * As pohimi i Pavlit dhe as shprehjet e Isaisë nuk kanë të bëjnë me gjërat që Jehovai ka përgatitur për popullin e tij në trashëgiminë qiellore ose në një parajsë të ardhshme tokësore. Pavli po i zbaton këto fjalë për bekimet që tashmë po gëzonin të krishterët e shekullit të parë, të tilla, si kuptueshmëria e gjërave më të thella të Perëndisë dhe ndriçimi frymor nga Jehovai.

Ne mund t’i kuptojmë gjërat e thella frymore vetëm kur Jehovai i zbulon ato në kohën e tij të caktuar, e madje, edhe atëherë, vetëm nëse jemi të fortë frymësisht e kemi një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. Fjalët e Pavlit zbatohen për ata që kanë pak ose aspak karakter frymor. Syri i tyre nuk mund të shikojë ose të dallojë të vërtetat frymore dhe veshi i tyre nuk mund t’i dëgjojë ose t’i kuptojë këto gjëra. Njohuria rreth gjërave që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan as nuk hyn në zemrat e këtyre njerëzve. Por atyre që i janë dedikuar Perëndisë, siç ishte Pavli, Perëndia ua ka zbuluar këto gjëra nëpërmjet frymës së tij.​—1 Korintasve 2:1-16.

[Shënimi]

^ par. 56 Fjalët e Pavlit nuk gjenden në Shkrimet Hebraike tamam siç i citoi ai. Duket se ai po ndërthurte mendimet e Isaisë 52:15; 64:4; dhe 65:17.

[Figura në faqen 367]

Populli i Perëndisë pati në zotërim Jerusalemin dhe tempullin e tij «për një kohë të shkurtër»