Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai derdh mbi kombet zemërimin e tij

Jehovai derdh mbi kombet zemërimin e tij

Kapitulli njëzet e shtatë

Jehovai derdh mbi kombet zemërimin e tij

Isaia 34:1-17

1, 2. (a) Për çfarë mund të jemi të sigurt lidhur me hakmarrjen e Perëndisë? (b) Çfarë arrihet me anë të hakmarrjes së Perëndisë?

PERËNDIA JEHOVA është i durueshëm jo vetëm me shërbëtorët e tij besnikë, por, kur qëllimi i tij e lejon, edhe me armiqtë e tij. (1 Pjetrit 3:19, 20; 2 Pjetrit 3:15) Kundërshtarët e Jehovait mund të mos e vlerësojnë durimin e tij dhe mund ta konsiderojnë atë si paaftësi ose si ngurrim për të vepruar. Megjithatë, siç tregon kapitulli 34 i Isaisë, në fund Jehovai u kërkon gjithmonë llogari armiqve të tij. (Sofonia 3:8) Për njëfarë kohe, Perëndia e lejoi Edomin dhe kombe të tjera që ta kundërshtonin pa asnjë pengesë popullin e tij. Por Jehovai kishte një kohë të caktuar për të kërkuar shpagim. (Ligji i përtërirë 32:35) Në mënyrë të ngjashme, në kohën që ka caktuar, Jehovai do të hakmerret ndaj të gjithë elementëve të kësaj bote të ligë që sfidojnë sovranitetin e tij.

2 Qëllimi kryesor për të cilin Perëndia do të hakmerret është për të shfaqur sovranitetin dhe për të lavdëruar emrin e tij. (Psalmi 83:13-18) Gjithashtu, shpagimi i tij vërteton se shërbëtorët e vet janë vërtet përfaqësuesit e tij dhe i çliron nga rrethanat e padëshirueshme. Për më tepër, hakmarrja e Jehovait është gjithmonë në harmoni të plotë me drejtësinë e tij.—Psalmi 58:10, 11.

Kushtoni vëmendje ju kombe

3. Çfarë ftese u bën Jehovai kombeve nëpërmjet Isaisë?

3 Para se ta përqendrojë vëmendjen te hakmarrja kundër Edomit, Jehovai, nëpërmjet Isaisë, u bën një ftesë solemne të gjitha kombeve: «Afrohuni ju kombe, për të dëgjuar dhe ju grupe kombëtare, kushtoni vëmendje. Le të dëgjojë toka dhe ajo që e mbush atë, vendi prodhimtar dhe prodhimi i tij.» (Isaia 34:1) Profeti ka folur në mënyrë të përsëritur kundër kombeve të paperëndishme. Pas pak ai do të bëjë një përmbledhje të denoncimeve hyjnore kundër tyre. A kanë ndonjë domethënie për ditët tona këto paralajmërime?

4. (a) Për çfarë gjëje u bëhet thirrje kombeve, siç thuhet në Isainë 34:1? (b) A tregon shprehja e gjykimit të Perëndisë ndaj kombeve se ai është një Perëndi mizor? (Shih kutinë në faqen 363.)

4 Po. Sot, Sovrani i universit ka një mosmarrëveshje me të gjitha segmentet e këtij sistemi të paperëndishëm gjërash. Ja pse ‘grupeve kombëtare’ dhe ‘tokës’ u bëhet thirrje të dëgjojnë mesazhin e bazuar në Bibël që Jehovai ka bërë të shpallet në mbarë botën. Me një gjuhë që të kujton Psalmin 24:1, Isaia thotë se e gjithë toka do të mbushet me këtë mesazh—profeci e cila ka dalë e vërtetë në kohën tonë, kur Dëshmitarët e Jehovait predikojnë «deri në skajin më të largët të tokës». (Veprat 1:8) Por kombet nuk kanë dëgjuar. Ato nuk e kanë marrë seriozisht paralajmërimin rreth shkatërrimit të tyre të afërt. Kjo, natyrisht, nuk do ta ndalojë Jehovain që të realizojë fjalën e tij.

5, 6. (a) Për çfarë u kërkon llogari Perëndia kombeve? (b) Si vërtetohen fjalët, «malet duhet të shkrijnë për shkak të gjakut të tyre»?

5 Tani, profecia përshkruan perspektivën e zymtë të kombeve të paperëndishme, e cila është në kontrast të plotë me shpresën e ndritur të popullit të Perëndisë, që përshkruhet më pas. (Isaia 35:1-10) Profeti pohon: «Jehovai është i indinjuar me të gjitha kombet dhe i zemëruar me gjithë ushtrinë e tyre. Ai duhet t’ia kushtojë ato shkatërrimit; duhet t’ia japë masakrës. Dhe të masakruarit e tyre do të flaken jashtë dhe sa për kufomat e tyre, kundërmimi do të ngrihet, dhe malet duhet të shkrijnë për shkak të gjakut të tyre.»—Isaia 34:2, 3.

6 Vëmendja përqendrohet te faji i gjakut i kombeve. Sot, kombet e të ashtuquajturit krishterim janë fajtore gjaku më shumë se kushdo tjetër. Në dy luftërat botërore dhe në shumë konflikte të tjera më të vogla, ato e kanë ngopur tokën me gjak njerëzor. Kush me të drejtë do të kërkojë drejtësi për gjithë këtë faj gjaku? Askush tjetër përveç Krijuesit, Dhënësit të madh të jetës. (Psalmi 36:9) Ligji i Jehovait ka përcaktuar standardin: «Do të japësh jetë për jetë.» (Dalja 21:23-25, Dio; Zanafilla 9:4-6) Duke iu përmbajtur këtij ligji, ai do të bëjë që gjaku i kombeve të rrjedhë, deri sa të vdesin. Kundërmimi i kufomave të tyre të pavarrosura do të mbushë ajrin—një vdekje vërtet e turpshme. (Jeremia 25:33) Gjaku i kërkuar si dëmshpërblim, në kuptimin figurativ, do të jetë i mjaftueshëm sa për të shkrirë ose tretur malet. (Sofonia 1:17) Me shkatërrimin e plotë të forcave të tyre ushtarake, kombet e paperëndishme do të përjetojnë edhe rënien e qeverive të tyre, të cilat në profecitë biblike janë përshkruar disa herë si male.—Danieli 2:35, 44, 45; Zbulesa 17:9.

7. Çfarë janë ‘qiejt’ dhe çfarë është ‘ushtria e qiejve’?

7 Duke përdorur përsëri një gjuhë të gjallë figurative, Isaia vazhdon, duke thënë: «Të gjithë ata të ushtrisë së qiejve duhet të kalben. Dhe qiejt duhet të mbështillen, ashtu si një rrotull libri, dhe ushtria e tyre do të fishket e gjitha, ashtu si fishket e bie gjethnaja nga hardhia dhe ashtu si një fik i fishkur bie nga pema e fikut.» (Isaia 34:4) Shprehja «të gjithë ata të ushtrisë së qiejve» nuk u referohet yjeve dhe planeteve të mirëfillta. Në vargjet vijuese 5 dhe 6 flitet për një shpatë ekzekutimi që ngopet me gjak në ato ‘qiej’. Prandaj, kjo shprehje duhet të jetë simbol i diçkaje në sferën njerëzore. (1 Korintasve 15:50) Për shkak të pozitës së tyre të ngritur si autoritete të larta, qeveritë e njerëzimit janë krahasuar me qiej që sundojnë mbi shoqërinë njerëzore në tokë. (Romakëve 13:1-4) Prandaj, ‘ushtria e qiejve’ përfaqëson ushtritë e këtyre qeverive të njerëzimit në tërësi.

8. Në ç’mënyrë qiejt simbolikë dalin se janë «si një rrotull libri» dhe çfarë u ndodh ‘ushtrive’ të tyre?

8 Kjo ‘ushtri’ do të ‘kalbet’, do të dekompozohet, si diçka që prishet. (Psalmi 102:26; Isaia 51:6) Për syrin e thjeshtë, qiejt e mirëfilltë sipër nesh duken të lakuar, si një rrotull e lashtë libri, në të cilën, zakonisht, pjesa e shkruar ishte ajo e brendshme. Kur lexuesi mbaron së lexuari materialin e shkruar në pjesën e brendshme të një rrotulle, ajo mbështillet dhe vendoset diku. Në mënyrë të ngjashme, «qiejt duhet të mbështillen, ashtu si një rrotull libri», në kuptimin që qeveritë njerëzore duhet të marrin fund. Pasi të kenë arritur faqen e fundit të historisë së tyre, ato duhet të marrin fund në Harmagedon. ‘Ushtritë’ e tyre mbresëlënëse, do të bien ashtu si bien gjethet e thara nga vreshti ose ashtu si bie «një fik i fishkur» nga pema e fikut. Koha e tyre do të ketë kaluar.—Krahaso Zbulesën 6:12-14.

Një ditë shpagimi

9. (a) Cila është origjina e Edomit dhe çfarë marrëdhënieje u krijua ndërmjet tij dhe Izraelit? (b) Çfarë dekreton Jehovai për Edomin?

9 Tani, profecia veçon një komb që ekzistonte në kohën e Isaisë—Edomin. Edomitët janë pasardhës të Esaut (Edomit), i cili ia shiti të drejtën e të parëlindurit vëllait të tij binjak, Jakobit, për një bukë dhe një supë thjerrëzash. (Zanafilla 25:24-34) Meqenëse të drejtën e të parëlindurit e mori Jakobi, Esau u mbush me urrejtje për vëllanë e tij. Më vonë, kombi i Edomit dhe ai i Izraelit u bënë armiq, ndonëse rridhnin nga vëllezër binjakë. Për këtë armiqësi ndaj popullit të Perëndisë, Edomi u bë objekt i zemërimit të Jehovait, i cili tani thotë: «Shpata ime me siguri do të ngopet në qiej. Ja, ajo do të zbresë mbi Edomin dhe mbi popujt që ia kam kushtuar shkatërrimit në drejtësi. Jehovai ka një shpatë, ajo duhet të mbushet me gjak, duhet të lyhet me dhjamë, me gjakun e deshve të rinj dhe të cjepve, me dhjamin e veshkave të deshve. Sepse Jehovai ka një flijim në Botsrah dhe një masakër të madhe në vendin e Edomit.»—Isaia 34:5, 6.

10. (a) Kë rrëzon Jehovai kur e vringëllon shpatën «në qiej»? (b) Çfarë qëndrimi shfaq Edomi kur Juda sulmohet nga Babilonia?

10 Edomi shtrihet në një rajon të lartë me shumë male. (Jeremia 49:16; Abdia 8, 9, 19, 21) Megjithatë, edhe këto fortifikata natyrore do të jenë të padobishme kur Jehovai të vringëllojë shpatën e gjykimit «në qiej» duke i rrëzuar sundimtarët e Edomit nga pozita e tyre e lartë. Edomi është shumë i fuqishëm ushtarakisht dhe forcat e tij të armatosura marshojnë nëpër rajone të larta malore për të mbrojtur vendin. Por ky Edom i fuqishëm nuk i jep asnjë ndihmë Judës kur kjo sulmohet nga ushtria babilonase. Në vend të kësaj, Edomi gëzohet së tepërmi kur shikon rënien e mbretërisë së Judës dhe i nxit pushtuesit të veprojnë. (Psalmi 137:7) Madje, Edomi i ndjek judenjtë që ia mbathin për të shpëtuar jetën dhe ua dorëzon babilonasve. (Abdia 11-14) Edomitët planifikojnë të shtien në dorë vendin e braktisur të izraelitëve dhe flasin me mburrje kundër Jehovait.—Ezekieli 35:10-15.

11. Në ç’mënyrë do ta shpërblejë Jehovai Edomin për sjelljen e pabesë?

11 A e kalon pa e vënë re Jehovai këtë sjellje jovëllazërore të edomitëve? Jo. Përkundrazi, ai parathotë për Edomin: «Demat e egër duhet të rrëzohen me ta dhe demat e rinj me njerëzit e fuqishëm, vendi i tyre duhet të ngopet me gjak dhe pluhuri i tyre do të lyhet me dhjamë.» (Isaia 34:7) Jehovai, në mënyrë simbolike, i krahason njerëzit e mëdhenj e të vegjël të kombit me dema të egër dhe dema të rinj, me desh të rinj dhe me cjep. Vendi i këtij kombi që është fajtor gjaku duhet të ngopet me gjakun e popullit të vet nëpërmjet ‘shpatës’ ekzekutuese të Jehovait.

12. (a) Kë përdor Jehovai për të ndëshkuar Edomin? (b) Çfarë parathotë profeti Abdia në lidhje me Edomin?

12 Perëndia vë si qëllim ta ndëshkojë Edomin për atë që i është bërë me keqdashje organizatës së Tij tokësore, të quajtur Sion. Profecia thotë: «Jehovai ka një ditë hakmarrjeje, një vit shpagimesh për çështjen ligjore të Sionit.» (Isaia 34:8) Jo shumë kohë pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., Jehovai fillon hakmarrjen e tij të drejtë ndaj edomitëve nëpërmjet mbretit të Babilonisë, Nabukodonosorit. (Jeremia 25:15-17, 21) Kur ushtria e Babilonisë sulmon Edomin, asnjë gjë nuk mund t’i shpëtojë edomitët. Ai është «një vit shpagimesh» për atë vend malor. Nëpërmjet profetit Abdia, Jehovai parathotë: «Për shkak të dhunës kundër vëllait tënd Jakob, turpi do të të mbulojë dhe do të shfarosesh përjetë. . . . Atë që u bëre të tjerëve do të ta bëjnë ty, shpërblimi i veprimeve të tua do të bjerë mbi kokën tënde.»—Abdia 10, 15, Dio; Ezekieli 25:12-14.

E ardhmja e zymtë e të ashtuquajturit krishterim

13. Kush është sot si Edomi dhe pse?

13 Në kohët moderne ekziston një organizatë që ka një histori të ngjashme me atë të Edomit. Cila organizatë? Po ja, kush në kohët moderne ka marrë drejtimin në sharjen dhe persekutimin e shërbëtorëve të Jehovait? A nuk ka qenë i ashtuquajturi krishterim, me anë të klerit të tij? Po. I ashtuquajturi krishterim e ka ngritur veten në një pozitë të lartë në çështjet e kësaj bote, pozitë që mund të krahasohet me malet. Ai pohon se ka një pozitë të lartë në sistemin njerëzor të gjërave, dhe fetë e tij përbëjnë pjesën kryesore të Babilonisë së Madhe. Por Jehovai ka dekretuar një «vit shpagimesh» kundër këtij Edomi modern, për shkak të sjelljes jashtëzakonisht të keqe ndaj popullit të Tij, Dëshmitarëve të Tij.

14, 15. (a) Çfarë do t’i ndodhë si vendit të Edomit, ashtu edhe të ashtuquajturit krishterim? (b) Çfarë nënkuptojnë dhe çfarë nuk nënkuptojnë referimet për katranin që digjet dhe për tymin që zgjat deri në kohë të pacaktuar?

14 Prandaj, ndërsa shqyrtojmë atë që ka mbetur nga kjo pjesë e profecive të Isaisë, nuk mendojmë vetëm për Edomin e lashtë, por edhe për të ashtuquajturin krishterim: «Përrenjtë e tij duhet të kthehen në katran dhe pluhuri i tij në squfur, dhe vendi i tij duhet të bëhet si katran që digjet. As natën dhe as ditën nuk do të shuhet; tymi i tij do të vazhdojë të ngrihet deri në kohë të pacaktuar.» (Isaia 34:9, 10a) Vendi i Edomit bëhet kaq i thatë, saqë duket sikur pluhuri është squfur dhe luginat e përrenjve janë të mbushura jo me ujë, por me katran. Më pas, këtyre substancave me aftësi të mëdha djegëse u vihet flaka.—Krahaso Zbulesën 17:16.

15 Disa e kanë konsideruar përmendjen e zjarrit, të katranit dhe të squfurit, si dëshmi të ekzistencës së një ferri të zjarrtë. Por Edomi nuk hidhet në ndonjë ferr të zjarrtë imagjinar për t’u djegur përgjithmonë. Përkundrazi, ai shkatërrohet, duke u zhdukur nga skena botërore si të ishte konsumuar krejtësisht me zjarr e squfur. Siç tregon në vazhdim profecia, rezultati përfundimtar nuk është mundimi i pafund, por ‘zbrazëtia . . . shkretimi . . . hiçi’. (Isaia 34:11, 12) Tymi që «ngrihet deri në kohë të pacaktuar» e ilustron qartë këtë. Kur një shtëpi digjet e bëhet shkrumb e hi, tymi vazhdon të dalë nga hiri edhe për njëfarë kohe pasi flakët janë shuar, duke u treguar vëzhguesve se ka pasur një zjarr të madh. Përderisa të krishterët sot po nxjerrin mësime nga shkatërrimi i Edomit, tymi i djegies së Edomit, në njëfarë kuptimi, vazhdon akoma të ngrihet.

16, 17. Çfarë do të bëhet Edomi dhe për sa kohë do të vazhdojë në këtë gjendje?

16 Profecia e Isaisë vazhdon, duke parathënë se popullsia njerëzore e Edomit do të zëvendësohet me kafshë të egra dhe kjo nënkupton një shkretim të ardhshëm: «Nga brezi në brez do të jetë i thatë, në jetë të jetëve askush nuk do të kalojë përmes tij. Dhe duhet ta marrin në zotërim pelikani dhe ferrëgjati, bufët veshgjatë e korbat do të banojnë në të dhe ai duhet të shtrijë mbi të litarin për matje të zbrazëtisë dhe gurët e shkretimit. Sa për fisnikët e tij, nuk ka asnjë që mund ta bëjnë mbret dhe princat e tij do të katandisen në hiç. Në kullat e tij të banimit duhet të rriten gjemba, hithra dhe barëra të këqija gjembore, dhe duhet të bëhet një vend banimi për çakejtë, oborri i strucave. Dhe frekuentuesit e rajoneve pa ujë duhet të takohen me kafshët që ulërijnë dhe, edhe demoni në formë dhie do të thërrasë shokun e tij. Po, atje dallëndyshja e natës me siguri do të gjejë prehje dhe do të gjejë për vete një vend pushimi. Atje gjarpri shigjetë ka bërë folenë e tij dhe shtron vezë.»—Isaia 34:10b-15. *

17 Po, Edomi do të bëhet një vend i zbrazët. Do të bëhet një vend i shkretë, vetëm me kafshë të egra, zogj dhe gjarpërinj. Kjo gjendje e thatë e vendit do të vazhdojë, siç thotë vargu 10, «në jetë të jetëve». Nuk do të ketë ripërtëritje të tij.—Abdia 18.

Përmbushje e sigurt e fjalës së Jehovait

18, 19. Ç’është ‘libri i Jehovait’ dhe çfarë rezervohet për të ashtuquajturin krishterim në këtë ‘libër’?

18 Ç’të ardhme të pashpresë paraqet kjo për të ashtuquajturin krishterim, ekuivalentin modern të Edomit! Ai ka treguar se është një armik i betuar i Perëndisë Jehova, Dëshmitarët e të cilit i persekuton egërsisht. Dhe nuk ka asnjë dyshim që Jehovai do ta përmbushë fjalën e tij. Kurdo që ndokush do ta krahasojë profecinë me përmbushjen, do të shohë që ato përputhen—kjo është po aq e sigurt, sa edhe fakti që krijesat të cilat popullojnë Edomin e shkretuar ‘kanë partnerët e tyre’. Isaia u drejtohet studiuesve të ardhshëm të profecisë biblike, duke thënë: «Kërkoni vetë në librin e Jehovait dhe lexoni me zë të lartë: asnjë prej tyre nuk ka munguar, secili prej tyre ka patjetër partnerin e tij, sepse është goja e Jehovait që e ka dhënë urdhrin dhe është fryma e tij që i ka mbledhur bashkë. Dhe është Ai që e ka hedhur shortin për ta dhe dora e tij ua ka ndarë vendin me anë të litarit për matje. Ata do ta mbajnë në zotërim deri në kohë të pacaktuar; do të banojnë në të brez pas brezi.»—Isaia 34:16, 17.

19 Shkatërrimi i afërt i të ashtuquajturit krishterim është parathënë në «librin e Jehovait». Ky ‘libër i Jehovait’ tregon në hollësi hesapet që do të lajë Jehovai me ata që janë armiq të betuar të tij dhe shtypës të papenduar të popullit të tij. Ajo që ishte shkruar për Edomin e lashtë doli e vërtetë dhe kjo e forcon sigurinë tonë se edhe aplikimi i profecisë lidhur me të ashtuquajturin krishterim, ekuivalentin modern të Edomit, do të dalë i vërtetë. ‘Litari për matje’, kriteri i Jehovait për të vepruar, jep garanci se kjo organizatë që po jep shpirt në kuptimin frymor, do të bëhet një vend i shkretë e i pabanuar.

20. Çfarë do t’i ndodhë të ashtuquajturit krishterim ngjashëm Edomit të lashtë?

20 I ashtuquajturi krishterim bën çmos për të qetësuar miqtë e tij politikë, por më kot. Sipas kapitujve 17 dhe 18 të Zbulesës, Perëndia i Plotfuqishëm Jehova, do të vendosë në zemrat e tyre dëshirën për të vepruar kundër gjithë Babilonisë së Madhe, duke përfshirë edhe të ashtuquajturin krishterim. Kjo gjë do ta çlirojë tërë tokën nga krishterimi i rremë. Situata e të ashtuquajturit krishterim do të bëhet si gjendja e zymtë e përshkruar në kapitullin 34 të Isaisë. Ai nuk do të jetë, madje, as i pranishëm gjatë ‘luftës së ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm’, që do të jetë një luftë vendimtare. (Zbulesa 16:14) Ashtu si Edomi i lashtë, i ashtuquajturi krishterim do të jetë fshirë plotësisht nga faqja e dheut për «jetë të jetëve».

[Shënimi]

^ par. 16 Në kohën e Malakisë kjo profeci ishte përmbushur. (Malakia 1:3) Malakia raporton se edomitët shpresonin ta merrnin përsëri në zotërim vendin e tyre të shkretuar. (Malakia 1:4) Por ky nuk ishte vullneti i Jehovait dhe më vonë një popull tjetër, nabaetanët, morën në zotërim atë që kishte qenë vendi i Edomit.

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 363]

Perëndi i zemëruar?

Shprehje si ato që gjenden te Isaia 34:2-7 i kanë shtyrë shumë veta të mendojnë se Jehovai, siç përshkruhet në Shkrimet Hebraike, është një Perëndi mizor, plot me zemërim. A është kështu?

Jo. Ndonëse disa herë Perëndia e shpreh zemërimin e tij, ky zemërim është gjithmonë i justifikuar. Ai bazohet gjithmonë në parime dhe jo në ndjenja të pakontrolluara. Për më tepër, ai diktohet gjithmonë nga e drejta e Krijuesit për të marrë devocion ekskluziv dhe nga qëndrimi i pandryshueshëm për të mbështetur të vërtetën. Zemërimi hyjnor kontrollohet nga dashuria e Perëndisë për drejtësinë dhe për ata që praktikojnë drejtësi. Jehovai shikon të gjitha aspektet që përfshihen në një çështje dhe ka njohuri të plotë e të pakufizuar të një situate. (Hebrenjve 4:13) Ai lexon zemrën, vëren shkallën e paditurisë, moskokëçarjen ose mëkatin e vullnetshëm dhe vepron me paanshmëri.—Ligji i përtërirë 10:17, 18; 1 Samuelit 16:7; Veprat 10:34, 35.

Megjithatë, Perëndia Jehova është «i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi». (Dalja 34:6) Atyre që i druhen atij dhe që përpiqen të ushtrojnë drejtësi, u tregohet mëshirë, sepse i Plotfuqishmi e kupton papërsosmërinë e trashëguar të njeriut dhe për këtë arsye tregon mëshirë ndaj tij. Sot, Perëndia e bën këtë në bazë të flijimit të Jezuit. (Psalmi 103:13, 14) Në kohën e duhur, zemërimi i Jehovait largohet prej atyre që e pranojnë mëkatin, që pendohen dhe që i shërbejnë me të vërtetë atij. (Isaia 12:1) Në thelb, Jehovai nuk është një Perëndi zemërak, por i lumtur, jo një Perëndi të cilit nuk mund t’i afrohesh, por një Perëndi që të mirëpret, që është paqësor dhe i qetë me ata që i afrohen në mënyrën e duhur. (1 Timoteut 1:11) Kjo është në kontrast të plotë me karakteristikat e pamëshirshme e mizore që u atribuohen perëndive të rremë të paganëve dhe që pasqyrohen në shëmbëlltyrat e tyre.

[Harta në faqen 362]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Deti i Madh

Damask

Sidon

Tir

IZRAEL

Dan

Deti i Galilesë

Lumi Jordan

Megido

Ramoth-Galaad

Samari

FILISTE

JUDË

Jerusalem

Libnah

Lakish

Beer-Shebë

Kadesh-Barnea

Deti i Kripur

AMON

Rabah

MOAB

Kir-Hareseth

EDOM

Botsrah

Teman

[Figurat në faqen 359]

I ashtuquajturi krishterim e ka ngopur tokën me gjak

[Figura në faqen 360]

«Qiejt duhet të mbështillen, ashtu si një rrotull libri»