Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Këshilla e Jehovait kundër kombeve

Këshilla e Jehovait kundër kombeve

Kapitulli pesëmbëdhjetë

Këshilla e Jehovait kundër kombeve

Isaia 14:24–19:25

1. Cilën shpallje gjykimi kundër Asirisë regjistron Isaia?

JEHOVAI mund t’i përdorë kombet për të ndëshkuar ligësinë e popullit të tij. Megjithatë, ai nuk i justifikon ato kombe për mizorinë e panevojshme, krenarinë dhe armiqësinë e treguar ndaj adhurimit të vërtetë. Për këtë arsye, që shumë kohë më parë ai e frymëzon Isainë të regjistrojë ‘shpalljen kundër Babilonisë’. (Isaia 13:1) Megjithatë, Babilonia përbën një kërcënim për të ardhmen. Në ditët e Isaisë, është Asiria ajo që është duke e shtypur popullin që ka bërë një besëlidhje me Perëndinë. Ajo shkatërron mbretërinë veriore të Izraelit dhe shkreton pjesën më të madhe të Judës. Por suksesi i Asirisë është i kufizuar. Isaia shkruan: «Jehovai i ushtrive është betuar, duke thënë: ‘Sigurisht, ashtu siç e kam menduar, ashtu duhet të ndodhë . . . me qëllim që ta thyej asirianin në vendin tim dhe të mund ta shkel në malet e mia dhe që faktikisht zgjedha e tij të largohet prej tyre dhe pesha e tij të mund të largohet nga supet e tyre.’» (Isaia 14:24, 25) Jo shumë kohë pasi Isaia shpall këtë profeci, kërcënimi asirian largohet nga Juda.

2, 3. (a) Kundër kujt e shtrin dorën e tij Jehovai në kohët e lashta? (b) Ç’do të thotë që Jehovai e shtrin dorën e tij kundër «të gjitha kombeve»?

2 Por ç’të themi për kombet e tjera që janë armike të popullit që ka bërë një besëlidhje me Perëndinë? Edhe ato duhen gjykuar. Isaia deklaron: «Kjo është këshilla që është këshilluar kundër gjithë tokës dhe kjo është dora që është shtrirë kundër të gjitha kombeve. Sepse vetë Jehovai i ushtrive ka këshilluar, kush mund ta anulojë? Dora e tij është shtrirë, kush mund ta kthejë mbrapsht?» (Isaia 14:26, 27) «Këshilla» e Jehovait është më tepër sesa thjesht një sugjerim. Është diçka që ai e ka vendosur në mënyrë të prerë; një dekret. (Jeremia 49:20, 30) «Dora» e Perëndisë është fuqia që përdor ai. Në vargjet e fundit të kapitullit 14 të Isaisë, si dhe në kapitujt 15-19, këshilla e Jehovait drejtohet kundër Filistesë, Moabit, Damaskut, Etiopisë dhe Egjiptit.

3 Por, Isaia thotë se dora e Jehovait është shtrirë kundër «të gjitha kombeve». Prandaj, ndonëse këto profeci të Isaisë kanë një përmbushje fillestare në kohët e lashta, ato gjejnë zbatim në parim edhe gjatë «kohës së mbarimit», kur Jehovai e shtrin dorën e tij kundër të gjitha mbretërive të tokës. (Danieli 2:44; 12:9, Dio; Romakëve 15:4; Zbulesa 19:11, 19-21) Jehovai, Perëndia i plotfuqishëm, e zbulon i sigurt këshillën e tij shumë kohë para se ta ekzekutojë atë. Askush nuk mund ta kthejë mbrapsht dorën e tij të shtrirë.—Psalmi 33:11; Isaia 46:10.

«Një gjarpër fluturues i zjarrtë» kundër Filistesë

4. Cilat janë disa hollësi të shpalljes së Jehovait kundër Filistesë?

4 Së pari, vëmendja u drejtohet filistejve. «Në vitin kur vdiq mbreti Akaz u bë kjo shpallje: ‘Mos u gëzo o Filiste, as ndonjë në ty, vetëm sepse shkopi i atij që të godiste është thyer. Sepse nga rrënja e gjarprit do të dalë një gjarpër helmues dhe fryti i tij do të jetë një gjarpër fluturues i zjarrtë.»—Isaia 14:28, 29.

5, 6. (a) Në ç’mënyrë Uziahu ishte si një gjarpër për filistejtë? (b) Çfarë del se është për filistejtë Hezekia?

5 Mbreti Uziah ishte mjaft i fortë për t’i bërë ballë kërcënimit të Filistesë. (2 Kronikave 26:6-8) Për të ai ishte si një gjarpër dhe shkopi i tij vazhdonte ta godiste atë fqinj armiqësor. Pas vdekjes së Uziahut—‘thyerjes së shkopit të tij’—sundoi Jothami besimplotë, por «populli i tij vazhdonte të korruptohej». Më pas, mbret u bë Akazi. Situata ndryshoi dhe filistejtë kryen fushata të suksesshme ushtarake në Judë. (2 Kronikave 27:2, Dio; 28:17, 18) Por tani situata ndryshon përsëri. Në vitin 746 p.e.s. mbreti Akaz vdes dhe në fron hipën i riu Hezekia. Nëse filistejtë mendojnë se situata do të vazhdojë të jetë në favor të tyre, gabohen rëndë. Hezekia del se është për ta një armik i betuar. Si pasardhës i Uziahut—«fryti» i dalë nga «rrënja» e tij—Hezekia është si një «gjarpër fluturues i zjarrtë», i cili lëshohet me vrull në sulm, godet në mënyrë të rrufeshme dhe krijon një efekt djegës, sikur t’u injektonte helm viktimave të tij.

6 Ky është një përshkrim i përshtatshëm për mbretin e ri. «Ishte [Hezekia] ai që i mundi filistejtë deri në Gaza dhe aty ku arrinte territori i tyre.» (2 Mbretërve 18:8) Sipas analeve të mbretit asirian Senakerib, filistejtë bëhen vasalë të Hezekisë. ‘Të mjerët’—mbretëria e dobësuar e Judës—fitojnë siguri dhe bollëk material, ndërsa Filisteja vuan nga uria.—Lexo Isainë 14:30, 31.

7. Çfarë deklarate që shfaq besim duhet t’u bëjë Hezekia ambasadorëve që ndodhen në Jerusalem?

7 Me sa duket, në Judë kanë ardhur ambasadorë, ndoshta për të kërkuar të lidhin aleancë kundër Asirisë. Ç’përgjigje do të marrin? «Çfarë do të thuhet si përgjigje ndaj lajmëtarëve të kombit?» A duhet të kërkojë Hezekia siguri në aleancat me të huajt? Jo. Ai duhet t’u thotë lajmëtarëve: «Vetë Jehovai e ka hedhur themelin e Sionit dhe të munduarit e popullit të tij do të gjejnë strehë në të.» (Isaia 14:32) Mbreti duhet të ketë besim të plotë te Jehovai. Themeli i Sionit është i qëndrueshëm. Qyteti do të mbijetojë si një strehë e sigurt nga kërcënimi asirian.—Psalmi 46:1-7.

8. (a) Në ç’mënyrë disa kombe sot kanë qenë si Filisteja? (b) Ashtu si ka vepruar në kohët e lashta, çfarë ka bërë Jehovai për të mbështetur popullin e tij sot?

8 Ashtu si Filisteja, sot disa kombe i kundërshtojnë egërsisht adhuruesit e Perëndisë. Të krishterët Dëshmitarë të Jehovait i kanë futur në burgje dhe në kampe përqendrimi. Vepra e tyre është ndaluar. Disa janë vrarë. Kundërshtarët vazhdojnë të «bëjnë sulme të egra ndaj shpirtit të të drejtit». (Psalmi 94:21) Armiqve të tyre, ky grup të krishterësh mund t’u duket «i mjerë» dhe «i varfër». Por, me mbështetjen e Jehovait, ata gëzojnë një bollëk frymor, ndërkohë që armiqtë e tyre vuajnë nga uria. (Isaia 65:13, 14; Amosi 8:11) Kur Jehovai ta shtrijë dorën e tij kundër filistejve modernë, këta ‘të mjerë’ do të jenë të sigurt. Ku? Në shoqëri me «shtëpinë e Perëndisë», në themelin e së cilës Jezui është guri i sigurt i qoshes. (Efesianëve 2:19, 20) Ata do të jenë nën mbrojtjen e ‘Jerusalemit qiellor’, mbretërisë qiellore të Jehovait, e cila ka Jezu Krishtin si mbret.—Hebrenjve 12:22; Zbulesa 14:1.

Moabi pushon së ekzistuari

9. Kundër kujt drejtohet shpallja tjetër dhe si ka treguar ky popull se është armik i popullit të Perëndisë?

9 Në lindje të Detit të Vdekur gjendet një fqinj tjetër i Izraelit, Moabi. Ndryshe nga filistejtë, moabitët kanë të bëjnë me Izraelin, pasi janë pasardhës të Lotit, nipit të Abrahamit. (Zanafilla 19:37) Pavarësisht nga kjo lidhje që ekziston mes tyre, Moabi ka qenë historikisht armik i Izraelit. Për shembull, në ditët e Moisiut mbreti i Moabit pagoi profetin Balaam me shpresën se ai do t’i mallkonte izraelitët. Kur kjo gjë dështoi, Moabi përdori imoralitetin dhe adhurimin e Baalit për të zënë në grackë Izraelin. (Numrat 22:4-6; 25:1-5) Nuk është për t’u çuditur, pra, që tani Jehovai e frymëzon Isainë të regjistrojë ‘shpalljen kundër Moabit’.—Isaia 15:1a.

10, 11. Çfarë do t’i ndodhë Moabit?

10 Profecia e Isaisë drejtohet kundër një numri të madh qytetesh dhe vendesh të Moabit, duke përfshirë Arin, Kirin (ose Kir-Haresethin) dhe Dibonin. (Isaia 15:1b, 2a) Moabitët do të vajtojnë për ëmbëlsirat me rrush të thatë të Kir-Haresethit, ndoshta një prodhim kryesor i qytetit. (Isaia 16:6, 7) Sibmahu dhe Jazeri, të famshëm për kultivimin e rrushit, do të shpartallohen. (Isaia 16:8-10) Eglath-Shelishijahu, emri i të cilit mund të ketë kuptimin «mëshqerrë trevjeçare», do të jetë si një mëshqerrë e fuqishme, e cila lëshon britma therëse dhembjeje. (Isaia 15:5) Bari i vendit do të thahet, ndërsa «ujërat e Dimonit» do të mbushen me gjak për shkak të masakrimit të moabitëve. «Ujërat e Nimrimit» do të bëhen «të shkreta», si në kuptimin figurativ, ashtu edhe në atë të mirëfilltë, ndoshta sepse forcat armike do të bllokojnë rrëketë e tij.Isaia 15:6-9.

11 Moabitët do të vishen me thasë, që janë veshje vajtimi. Ata do t’i rruajnë kokat e tyre plotësisht në shenjë turpi dhe vajtimi. Mjekrat e tyre do të ‘priten’, duke treguar kështu pikëllim dhe poshtërim ekstrem. (Isaia 15:2b-4) Vetë Isaia, duke qenë i sigurt për ekzekutimin e këtyre gjykimeve, provon ndjenja të forta. Si telat e një harpe që dridhen, të përbrendshmet e tij, si të thuash, dridhen nga keqardhja për mesazhin e mjerimit drejtuar Moabit.Isaia 16:11, 12.

12. Si u përmbushën fjalët e Isaisë drejtuar Moabit?

12 Kur do të përmbushet kjo profeci? Së shpejti. «Kjo është fjala që Jehovai tha më parë në lidhje me Moabin. Dhe tani Jehovai ka folur, duke thënë: ‘Brenda tre vjetësh, sipas viteve të një punëtori me mëditje, edhe lavdia e Moabit duhet të poshtërohet me shumë tronditje të çdo lloji dhe ata që do të mbeten do të jenë shumë pak, jo të fuqishëm.’» (Isaia 16:13, 14) Në harmoni me këtë, ekzistojnë dëshmi arkeologjike që tregojnë se gjatë shekullit të tetë p.e.s. Moabi vuajti së tepërmi dhe shumë nga vendet e tij u shpopulluan. Tiglath-Pileseri III e përmendi Salamanun e Moabit midis sundimtarëve që i paguanin haraç atij. Senakeribi mori haraçe nga Kamusunadbi, mbreti i Moabit. Ndërsa monarkët asirianë Esar-Hadon dhe Ashurbanipal i quajtën mbretërit moabitë Musur dhe Kamashaltu vasalë të tyre. Shekuj më parë, Moabitët pushuan së ekzistuari si popull. Janë gjetur disa rrënoja qytetesh që mendohet të jenë të Moabitëve, por deri tani janë nxjerrë nga toka pak dëshmi materiale të këtij armiku dikur të fuqishëm të Izraelit.

‘Moabi’ modern shkatërrohet

13. Cila organizatë sot mund të krahasohet me Moabin?

13 Sot ekziston një organizatë mbarëbotërore e ngjashme me Moabin e lashtë. Është i ashtuquajturi krishterim, pjesa kryesore e ‘Babilonisë së Madhe’. (Zbulesa 17:5) Si Moabi, ashtu edhe Izraeli rridhnin nga i ati i Abrahamit, Terahu. Në mënyrë të ngjashme, i ashtuquajturi krishterim, ashtu si kongregacioni i të krishterëve të mirosur sot, pohon se i ka rrënjët në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë. (Galatasve 6:16) Por, i ashtuquajturi krishterim, ashtu si Moabi, është i korruptuar e përkrah imoralitetin frymor dhe adhurimin e perëndive të tjera në vend të Perëndisë së vetëm e të vërtetë, Jehovait. (Jakovit 4:4; 1 Gjonit 5:21) Si klasë, udhëheqësit e të ashtuquajturit krishterim i kundërshtojnë ata që predikojnë lajmin e mirë të Mbretërisë.—Mateu 24:9, 14.

14. Pavarësisht nga këshilla e Jehovait kundër ‘Moabit’ modern, çfarë shprese ekziston për anëtarët e kësaj organizate si individë?

14 Më në fund, Moabi pushoi së ekzistuari. E njëjta gjë do t’i ndodhë të ashtuquajturit krishterim. Duke përdorur një ekuivalent modern të Asirisë, Jehovai do të bëjë që ai të shkretohet. (Zbulesa 17:16, 17) Megjithatë, për njerëzit që gjenden në këtë ‘Moab’ modern ka shpresë. Nga mesi i profecisë së tij drejtuar Moabit, Isaia thotë: «Në dashamirësi, me siguri do të vendoset fortësisht një fron dhe dikush duhet të ulet mbi të me besnikëri në tendën e Davidit, duke gjykuar, duke kërkuar të drejtën dhe duke qenë i gatshëm në drejtësi.» (Isaia 16:5) Në vitin 1914, Jehovai e vendosi fortësisht fronin e Jezuit, një Sundimtar i linjës së mbretit David. Mbretërimi i Jezuit është një shprehje e dashamirësisë së Jehovait dhe sipas besëlidhjes që Perëndia bëri me mbretin David, do të zgjasë përgjithmonë. (Psalmi 72:2; 85:10, 11; 89:3, 4; Luka 1:32) Shumë njerëz zemërbutë janë larguar nga «Moabi» modern dhe i janë nënshtruar Jezuit me qëllim që të fitojnë jetën. (Zbulesa 18:4) Sa ngushëllues është për këta njerëz fakti që Jezui do t’u bëjë ‘të qartë kombeve se ç’është drejtësia’!—Mateu 12:18; Jeremia 33:15.

Damasku kthehet në një rrënojë

15, 16. (a) Çfarë hapash armiqësorë ndërmarrin Damasku dhe Izraeli kundër Judës dhe me çfarë rezultati për Damaskun? (b) Kush përfshihet në shpalljen drejtuar Damaskut? (c) Çfarë mund të mësojnë të krishterët sot nga shembulli i Izraelit?

15 Në vazhdim, Isaia regjistron ‘shpalljen kundër Damaskut’. (Lexo Isainë 17:1-6.) Damasku, i cili gjendet në veri të Izraelit, është «kryeqyteti i Sirisë». (Isaia 7:8, Dio) Gjatë mbretërimit të mbretit Akaz të Judës, Retsini i Damaskut në aleancë me Pekahun e Izraelit pushton Judën. Megjithatë, me kërkesë të Akazit, Tiglath-Pileseri III i Asirisë lufton kundër Damaskut, e mposht atë dhe merr robër shumë prej banorëve të tij. Pas kësaj, Damasku nuk përbën më një kërcënim për Judën.—2 Mbretërve 16:5-9; 2 Kronikave 28:5, 16.

16 Ndoshta për shkak të aleancës së Izraelit me Damaskun, shpallja e Jehovait drejtuar Damaskut përfshin edhe shprehje gjykimi kundër mbretërisë jobesnike veriore. (Isaia 17:3-6) Izraeli do të bëhet si një fushë në kohën e korrjes, së cilës i ka mbetur fare pak drithë, ose si një pemë ulliri nga degët e të cilit janë shkundur pjesa më e madhe e ullinjve. (Isaia 17:4-6) Çfarë shembulli kthjellues për ata që i janë dedikuar Jehovait! Ai pret devocion ekskluziv dhe pranon vetëm shërbimin e shenjtë të motivuar nga zemra. Gjithashtu, ai i urren ata që kthehen kundër vëllezërve të tyre.—Dalja 20:5; Isaia 17:10, 11; Mateu 24:48-50.

Besim i plotë te Jehovai

17, 18. (a) Si reagojnë disa individë në Izrael ndaj shpalljeve të Jehovait, por cili është reagimi i përgjithshëm? (b) Si ngjasojnë ngjarjet e ditëve të sotme me ato të kohës së Hezekisë?

17 Tani Isaia thotë: «Në atë ditë, njeriu tokësor do ta hedhë vështrimin drejt Bërësit të tij dhe sytë e tij do të shohin me vëmendje të Shenjtin e Izraelit. Nuk do të shikojë drejt altarëve, veprës së duarve të tij dhe nuk do të shohë me vëmendje atë që kanë bërë gishtat e tij, as shtyllat e shenjta dhe as altarët e temjanit.» (Isaia 17:7, 8) Po, disa individë në Izrael ia vënë veshin shpalljes paralajmëruese të Jehovait. Për shembull, kur Hezekia u bën një ftesë banorëve të Izraelit për t’u bashkuar me Judën në një kremtim të Pashkës, disa izraelitë i përgjigjen ftesës dhe udhëtojnë për në jug që të bashkohen me vëllezërit e tyre në adhurimin e pastër. (2 Kronikave 30:1-12) Megjithatë, shumica e banorëve të Izraelit i tallin lajmëtarët që sjellin ftesën. Gjendja apostate e vendit është e pashërueshme. Për këtë arsye, këshilla e Jehovait kundër tij ekzekutohet. Asiria shkatërron qytetet e Izraelit, vendi bëhet i shkretë dhe kullotat të pafrytshme.—Lexo Isainë 17:9-11.

18 Ç’të themi për sot? Izraeli ishte një komb apostat. Prandaj, mënyra se si u përpoq Hezekia t’i ndihmonte individët në atë komb që të riktheheshin në adhurimin e pastër na sjell ndër mend mënyrën se si të krishterët e vërtetë sot përpiqen t’i ndihmojnë individët në organizatën apostate të të ashtuquajturit krishterim. Që nga viti 1919, lajmëtarë nga ‘Izraeli i Perëndisë’ kanë përshkuar të ashtuquajturin krishterim, duke i ftuar njerëzit të marrin pjesë në adhurimin e pastër. (Galatasve 6:16) Shumica kanë refuzuar. Shumë i kanë tallur lajmëtarët. Megjithatë, disa i janë përgjigjur ftesës. Tani ata janë miliona dhe gjejnë kënaqësi duke ‘parë me vëmendje të Shenjtin e Izraelit’, ndërsa arsimohen prej tij. (Isaia 54:13) Ata e braktisin adhurimin e kryer në altarët jo të shenjtë—devocionin dhe besimin ndaj perëndive të bëra nga njeriu—dhe kthehen me dëshirë të zjarrtë te Jehovai. (Psalmi 146:3, 4) Ashtu si bashkëkohësi i Isaisë, Mikea, secili prej tyre thotë: «Por unë do të shikoj te Zoti [Jehovai, BR], do të shpresoj te Perëndia i shpëtimit tim; Perëndia im do të më dëgjojë.»—Mikea 7:7, Dio.

19. Cilët do të qortojë Jehovai dhe çfarë do të thotë kjo për ta?

19 Çfarë kontrasti me ata që e vendosin besimin e tyre te njeriu i vdekshëm! Në këto ditë të fundit, njerëzimin po e godasin valë të egra dhune dhe trazirash. ‘Deti’ i shoqërisë njerëzore të trazuar dhe rebele nxit pakënaqësi e çrregullim. (Isaia 57:20, Dio; Zbulesa 8:8, 9; 13:1) Jehovai do ta «qortojë» këtë turmë të zhurmshme. Mbretëria e tij qiellore do të shkatërrojë çdo organizatë dhe individ që shkakton telashe dhe këta do t’ia «mbathin larg . . . si një vorbull gjembaçësh para një stuhie ere».—Isaia 17:12, 13; Zbulesa 16:14, 16.

20. Pavarësisht se ‘plaçkiten’ nga kombet, çfarë sigurie kanë të krishterët e vërtetë?

20 Cili do të jetë rezultati? Isaia thotë: «Në kohën e mbrëmjes, ja, terror i papritur. Para mëngjesit, nuk është më. Kjo është pjesa e atyre që na grabitin dhe fundi i atyre që na plaçkitin.» (Isaia 17:14) Shumë njerëz e plaçkitin popullin e Jehovait, duke e trajtuar ashpër dhe pa respekt. Meqenëse nuk janë, dhe nuk duan të jenë, pjesë e feve kryesore të botës, të krishterët e vërtetë konsiderohen si pre e lehtë nga kritikët tendenciozë dhe nga kundërshtarët fanatikë. Por populli i Perëndisë është i sigurt se ‘mëngjesi’, kur telashet e shkaktuara prej tyre do të mbarojnë, po afrohet me shpejtësi.—2 Selanikasve 1:6-9; 1 Pjetrit 5:6-11.

Etiopia i sjell një dhuratë Jehovait

21, 22. Në vazhdim, cilit komb i drejtohet një shpallje gjykimi dhe si përmbushen fjalët e frymëzuara të Isaisë?

21 Të paktën në dy raste, Etiopia, në jug të Egjiptit, është përfshirë në veprime ushtarake kundër Judës. (2 Kronikave 12:2, 3; 14:1, 9-15; 16:8) Tani Isaia parathotë se ai komb do të gjykohet: «Aha, vendi i insekteve të zhurmshme me krahë, që është në rajonin e lumenjve të Etiopisë!» (Lexo Isainë 18:1-6.) * Jehovai dekreton se Etiopia ‘do të këputet, do të hiqet dhe do të krasitet’.

22 Historia jobiblike na tregon se nga fundi i shekullit të tetë p.e.s., Etiopia pushtoi Egjiptin dhe sundoi mbi të rreth 60 vjet. Më vonë në Egjipt mësynë dy perandorë asirianë radhazi, Esar-Hadoni dhe Ashurbanipali. Me shkatërrimin e Tebës nga Ashurbanipali, Asiria e nënshtroi Egjiptin, duke i dhënë fund kështu sundimit etiopas në luginën e Nilit. (Shih edhe Isainë 20:3-6.) Ç’të themi për kohën tonë?

23. Ç’rol luan «Etiopia» moderne dhe pse përjeton fundin ajo?

23 Në profecinë e Danielit në lidhje me «kohën e fundit», për ‘mbretin [agresiv] të veriut’ thuhet se Etiopia dhe Libia i «shkojnë pas», domethënë zbatojnë urdhrat e tij. (Danieli 11:40-43, Dio) Gjithashtu, Etiopia përmendet si pjesëmarrëse në forcat luftuese të «Gogut të vendit të Magogut». (Ezekieli 38:2-5, 8, Dio) Forcat e Gogut, duke përfshirë edhe mbretin e veriut, do të shkatërrohen kur të sulmojnë kombin e shenjtë të Jehovait. Prandaj, dora e Jehovait do të shtrihet edhe kundër «Etiopisë» moderne për shkak të kundërshtimit të sovranitetit të Jehovait nga ana e saj.—Ezekieli 38:21-23; Danieli 11:45.

24. Në cilat mënyra i kanë dhënë kombet «dhurata» Jehovait?

24 Megjithatë, profecia thotë, gjithashtu: «Në atë kohë Jehovait të ushtrive do t’i vijë një dhuratë, nga një popull shtatlartë dhe me lëkurë të lëmuar, madje, nga një popull që ngjall frikë gjithandej . . . në vendin e emrit të Jehovait të ushtrive, në Malin Sion.» (Isaia 18:7) Ndonëse nuk e pranojnë sovranitetin e Jehovait, disa herë kombet kanë vepruar në mënyra që janë në dobi të popullit të Jehovait. Në disa vende autoritetet kanë nxjerrë ligje dhe kanë marrë vendime gjyqësore që u kanë dhënë të drejtat ligjore adhuruesve besnikë të Jehovait. (Veprat 5:29; Zbulesa 12:15, 16) Por ka edhe dhurata të tjera. «Mbretërit do të të sjellin dhurata. . . . Nga Egjipti do të vijnë sende bronzi, vetë Kushi [Etiopia] do të shtrijë menjëherë drejt Perëndisë duart e tij me dhurata.» (Psalmi 68:29-31) Sot, miliona ‘etiopas’ modernë që i druhen Jehovait po i sjellin atij si «dhuratë» adhurimin e tyre. (Malakia 1:11) Ata po marrin pjesë në detyrën kolosale të predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë në gjithë tokën. (Mateu 24:14; Zbulesa 14:6, 7) Çfarë dhurate e shkëlqyer për t’ia ofruar Jehovait!—Hebrenjve 13:15.

Zemra e Egjiptit shkrihet

25. Çfarë i ndodh Egjiptit të lashtë në përmbushje të Isaisë 19:1-11?

25 Fqinji më i afërt i Judës në jug të saj është Egjipti, një armik i lashtë i popullit që ka bërë një besëlidhje me Perëndinë. Kapitulli i 19-të i Isaisë përshkruan gjendjen e trazuar që ekziston në Egjipt gjatë jetës së Isaisë. Në Egjipt zhvillohet luftë civile, ku është ngritur «qytet kundër qyteti dhe mbretëri kundër mbretërie». (Isaia 19:2, 13, 14) Historianët paraqesin dëshmi që flasin për dinasti rivale, të cilat sundojnë pjesë të ndryshme të vendit në të njëjtën kohë. Mençuria me të cilën mburrej Egjipti, bashkë me ‘perënditë dhe magjistarët pa vlerë’ të saj, nuk e shpëtojnë atë nga ‘dora e një zotërie të ashpër’. (Isaia 19:3, 4) Egjipti pushtohet me radhë nga Asiria, Babilonia, Persia, Greqia dhe Roma. Të gjitha këto ngjarje ndodhin në përmbushje të profecive të Isaisë 19:1-11.

26. Në përmbushjen më të madhe të profecisë, si do të reagojnë banorët e «Egjiptit» modern ndaj akteve gjykuese të Jehovait?

26 Sidoqoftë, në Bibël, Egjipti simbolizon shpesh botën e Satanait. (Ezekieli 29:3; Joeli 3:19; Zbulesa 11:8) Prandaj, a ka ndonjë përmbushje më të madhe «shpallja kundër Egjiptit» e bërë nga Isaia? Në fakt, po. Fjalët hapëse të profecisë duhet ta nxitin çdo person që të kushtojë vëmendje: «Ja! Jehovai ka hipur mbi një re të shpejtë dhe po vjen në Egjipt. Perënditë pa vlerë të Egjiptit me siguri do të dridhen për shkak të tij dhe zemra e Egjiptit do të shkrijë në mes të tij.» (Isaia 19:1) Së shpejti Jehovai do të ndërmarrë veprime kundër organizatës së Satanait. Atëherë, perënditë e këtij sistemi gjërash do të dalin se janë pa vlerë. (Psalmi 96:5; 97:7) «Zemra e Egjiptit do të shkrijë» nga frika. Jezui e paratha atë kohë: «Do të ketë . . . angështi kombesh, që nuk dinë nga t’ia mbajnë nga buçitja e detit dhe trazimi i tij, ndërkohë që njerëzit mpaken nga frika dhe nga pritja e gjërave që vijnë mbi tokën e banuar.»—Luka 21:25, 26.

27. Çfarë ndarjesh të brendshme u parathanë për ‘Egjiptin’ dhe si po plotësohet sot kjo?

27 Për kohën që i paraprin ekzekutimit të gjykimit të tij, Jehovai thotë në mënyrë profetike: «Do të nxit egjiptianët kundër egjiptianëve dhe me siguri do të luftojnë secili kundër vëllait të vet dhe secili kundër shokut të vet, qytet kundër qyteti dhe mbretëri kundër mbretërie.» (Isaia 19:2) Që prej ardhjes në fuqi të Mbretërisë së Perëndisë në vitin 1914, «shenja e pranisë së [Jezuit]» është karakterizuar nga ngritje të kombeve kundër kombeve dhe të mbretërive kundër mbretërive. Masakrat fisnore, gjenocidet e përgjakshme dhe ato që zakonisht quhen spastrime etnike kanë marrë miliona jetë gjatë këtyre ditëve të fundit. Këto ‘dhembje mjerimi’ kanë vetëm për t’u keqësuar, ndërsa fundi afrohet gjithnjë e më shumë.—Mateu 24:3, 7, 8.

28. Çfarë do të mund të bëjë në ditën e gjykimit feja e rreme për të shpëtuar këtë sistem gjërash?

28 «Fryma e Egjiptit duhet të hutohet në mes të tij dhe unë do të ngatërroj këshillën e tij. Dhe me siguri ata do t’u drejtohen perëndive që s’kanë vlerë, magjistarëve, mediumeve frymore dhe parashikuesve profesionistë të ngjarjeve.» (Isaia 19:3) Kur Moisiu doli para faraonit, priftërinjtë e Egjiptit u turpëruan, pasi nuk mundën të barazoheshin me fuqinë e Jehovait. (Dalja 8:18, 19; Veprat 13:8; 2 Timoteut 3:8) Në mënyrë të ngjashme, në ditën e gjykimit, feja e rreme nuk do të jetë në gjendje ta shpëtojë këtë sistem të korruptuar. (Krahaso Isainë 47:1, 11-13.) Së fundi, Egjipti u vendos nën sundimin «e një zotërie të ashpër», nën sundimin e Asirisë. (Isaia 19:4) Ky është një pasqyrim i së ardhmes së zymtë që e pret këtë sistem gjërash.

29. Kur të vijë dita e Jehovait, çfarë ndihme do të mund të japin politikanët?

29 Megjithatë, ç’të themi për udhëheqësit politikë? A mund të pritet ndihmë prej tyre? «Princat e Tsoanit janë në të vërtetë të marrë. Për sa u përket të mençurve midis këshilltarëve të faraonit, këshilla e tyre është diçka e palogjikshme.» (Lexo Isainë 19:5-11.) Sa e paarsyeshme është të shpresojmë që këshilltarët njerëzorë të na ndihmojnë në ditën e gjykimit! Ndonëse kanë në dispozicion gjithë njohurinë e botës, atyre u mungon mençuria hyjnore. (1 Korintasve 3:19) Ata e kanë hedhur poshtë Jehovain dhe i janë drejtuar së ashtuquajturës shkencë, filozofisë, parave, kënaqësive dhe gjërave të tjera zëvendësuese. Si rezultat, ata nuk kanë fare njohuri rreth qëllimeve të Perëndisë. Ata janë të mashtruar dhe të turbulluar. Puna e tyre është e kotë. (Lexo Isainë 19:12-15) “Njerëzit e ditur do të turpërohen, do të tremben dhe do të kapen. Ja, kanë hedhur poshtë fjalën e Zotit; çfarë diturie mund të kenë?”—Jeremia 8:9, Dio.

Një shenjë dhe një dëshmi për Jehovain

30. Në ç’mënyrë ‘dheu i Judës do të bëhet për Egjiptin shkak për marramendje’?

30 Megjithatë, ndonëse udhëheqësit e «Egjiptit» janë të dobët, «si gratë», ka akoma disa njerëz të cilët kërkojnë mençurinë hyjnore. Të mirosurit e Jehovait dhe shokët e tyre ‘shpallin kudo shkëlqesitë e Perëndisë’. (Isaia 19:16; 1 Pjetrit 2:9) Ata bëjnë gjithçka që kanë mundësi për t’i paralajmëruar njerëzit në lidhje me asgjësimin e afërt të organizatës së Satanait. Duke pasur parasysh këtë situatë, Isaia thotë: «Dheu i Judës duhet të bëhet për Egjiptin shkak për marramendje. Gjithkush, të cilit i përmendet ai, tmerrohet për shkak të këshillës që këshillon Jehovai i ushtrive kundër tij.» (Isaia 19:17) Lajmëtarët besnikë të Jehovait shkojnë e u thonë njerëzve të vërtetën dhe kjo do të thotë edhe që shpallin katastrofat e parathëna nga Jehovai. (Zbulesa 8:7-12; 16:2-12) Kjo është diçka që i shqetëson udhëheqësit fetarë të botës.

31. Si ndodh që ‘gjuha e Kanaanit’ flitet në qytetet e Egjiptit (a) në kohën e lashtë? (b) në kohën e sotme?

31 Cili është rezultati i habitshëm i kësaj vepre shpalljeje? «Në atë ditë do të ketë pesë qytete në vendin e Egjiptit që do të flasin gjuhën e Kanaanit dhe do të betohen për Jehovain e ushtrive. Një qytet do të quhet ‘Qyteti i shkatërrimit’.» (Isaia 19:18) Në kohën e lashtë, kjo profeci u përmbush, me sa duket, kur gjuha hebraike u fol në qytetet egjiptiane nga judenjtë që kishin shkuar atje. (Jeremia 24:1, 8-10; 41:1-3; 42:9–43:7; 44:1) Sot, në territorin e «Egjiptit» modern ka njerëz që kanë mësuar të flasin ‘gjuhën e pastër’ të së vërtetës biblike. (Sofonia 3:9) Njëri nga pesë qytetet figurative quhet «Qyteti i shkatërrimit» dhe kjo do të thotë se një pjesë e ‘gjuhës së pastër’ lidhet me demaskimin dhe ‘shkatërrimin’ e organizatës së Satanait.

32. (a) Cili altar gjendet në mes të vendit të Egjiptit? (b) Në cilin kuptim të mirosurit janë si «një shtyllë» në anë të kufirit të Egjiptit?

32 Falë veprës së shpalljes të kryer nga populli i Jehovait, emri i tij i madh me siguri do të bëhet i njohur në këtë sistem gjërash. «Në atë ditë, në mes të vendit të Egjiptit do të ketë një altar për Jehovain dhe një shtyllë për Jehovain në anë të kufirit të tij.» (Isaia 19:19) Këto fjalë i referohen pozitës së të krishterëve të mirosur, të cilët gëzojnë me Perëndinë një marrëdhënie të bazuar në një besëlidhje. (Psalmi 50:5) Si «një altar» ata ofrojnë flijime dhe si «shtylla dhe mbështetja e së vërtetës» japin dëshmi për Jehovain. (1 Timoteut 3:15; Romakëve 12:1; Hebrenjve 13:15, 16) Ata janë «në mes të vendit», pasi bashkë me shokët e tyre, ‘delet e tjera’, gjenden në më shumë se 230 vende dhe ishuj. Por ata «nuk janë pjesë e botës». (Gjoni 10:16; 17:15, 16) Në kuptimin figurativ, ata qëndrojnë në kufirin midis kësaj bote dhe Mbretërisë së Perëndisë, gati për ta kaluar atë kufi dhe për të marrë shpërblimin qiellor.

33. Në cilat mënyra janë të mirosurit «një shenjë» dhe «një dëshmi» në ‘Egjipt’?

33 Isaia vazhdon: «Ai duhet të jetë një shenjë dhe një dëshmi për Jehovain e ushtrive në vendin e Egjiptit, sepse ata do t’i këlthasin Jehovait për shkak të shtypësve dhe ai do t’u dërgojë një shpëtimtar, po, një shpëtimtar të madh, i cili faktikisht do t’i çlirojë.» (Isaia 19:20) Si «një shenjë» dhe «një dëshmi», të mirosurit marrin drejtimin në veprën e predikimit dhe lartësojnë emrin e Jehovait në këtë sistem gjërash. (Isaia 8:18; Hebrenjve 2:13) Në gjithë botën mund të dëgjohen klithmat e njerëzve të shtypur, por në përgjithësi, qeveritë njerëzore nuk janë në gjendje t’i ndihmojnë. Por Jehovai do të dërgojë një Shpëtimtar të Madh, mbretin Jezu Krisht, për t’i çliruar të gjithë zemërbutët. Kur këto ditë të fundit të arrijnë kulmin në luftën e Harmagedonit, ai do t’u sjellë lehtësim dhe bekime të përhershme njerëzve me druajtje Perëndie.—Psalmi 72:2, 4, 7, 12-14.

34. (a) Në ç’mënyrë do të bëhet i njohur Jehovai për «egjiptianët» dhe çfarë flijimi e dhurate do t’i japin ata atij? (b) Kur do t’i japë Jehovai një goditje «Egjiptit» dhe çfarë shërimi do të vijë më pas?

34 Ndërkohë, është vullneti i Perëndisë që njerëzit e çdo lloji të fitojnë njohuri të saktë dhe të shpëtohen. (1 Timoteut 2:4) Prandaj, Isaia shkruan: «Me siguri Jehovai do të bëhet i njohur për egjiptianët dhe egjiptianët duhet të njohin Jehovain në atë ditë dhe duhet t’i ofrojnë flijim e dhuratë dhe duhet t’i bëjnë një betim Jehovait e duhet ta mbajnë atë. Dhe Jehovai me siguri do t’i japë Egjiptit një goditje. Do t’i japë një goditje dhe do ta shërojë dhe ata duhet të kthehen te Jehovai e ai duhet t’i lejojë që t’i përgjërohen dhe duhet t’i shërojë.» (Isaia 19:21, 22) Njerëz nga të gjitha kombet e botës së Satanait, individë ‘egjiptianë’, arrijnë të marrin njohuri për Jehovain dhe i ofrojnë atij si flijim «frytin e buzëve që deklarojnë publikisht emrin e tij». (Hebrenjve 13:15) Ata i bëjnë një betim Jehovait duke iu dedikuar atij dhe e mbajnë betimin duke e përdorur jetën e tyre për t’i shërbyer besnikërisht Perëndisë. Pas ‘goditjes’ që do t’i japë këtij sistemi gjërash në Harmagedon, Jehovai do të përdorë Mbretërinë e tij për të shëruar njerëzimin. Gjatë mbretërimit mijëvjeçar të Jezuit, njerëzimi do të çohet drejt përsosmërisë frymore, mendore, morale dhe fizike—një shërim i vërtetë!—Zbulesa 22:1, 2.

‘Qoftë i bekuar populli im’!

35, 36. Në përmbushje të Isaisë 19:23-25, çfarë lidhjesh u krijuan në kohën e lashtë ndërmjet Egjiptit, Asirisë dhe Izraelit?

35 Më pas profeti parashikon një zhvillim të mrekullueshëm: «Në atë ditë do të ketë një rrugë të gjerë që do të shkojë nga Egjipti në Asiri dhe Asiria faktikisht do të vijë në Egjipt dhe Egjipti në Asiri, dhe me siguri do të kryejnë shërbim, Egjipti me Asirinë. Në atë ditë Izraeli do të jetë i treti me Egjiptin dhe Asirinë, domethënë, një bekim në mes të tokës, sepse Jehovai i ushtrive do ta ketë bekuar, duke thënë: ‘Qoftë i bekuar Egjipti, populli im, Asiria, vepra e duarve të mia dhe Izraeli trashëgimia ime!’» (Isaia 19:23-25) Po, një ditë ndërmjet Egjiptit dhe Asirisë do të ekzistojnë marrëdhënie miqësore. Si?

36 Në të kaluarën, kur Jehovai e çlironte popullin e tij nga kombet, në njëfarë kuptimi ai ndërtonte për ta rrugë të gjera që çonin drejt lirisë. (Isaia 11:16; 35:8-10; 49:11-13; Jeremia 31:21) Në një shkallë të kufizuar kjo profeci u përmbush pas mposhtjes së Babilonisë, kur në Tokën e Premtuar u kthyen robër nga Asiria dhe Egjipti, si edhe nga Babilonia. (Isaia 11:11) Por ç’të themi për kohët moderne?

37. Në ç’mënyrë miliona njerëz sot jetojnë sikur të ekzistonte një rrugë e gjerë ndërmjet ‘Asirisë’ dhe ‘Egjiptit’?

37 Sot, mbetja e izraelitëve frymorë të mirosur është «një bekim në mes të tokës». Ata përkrahin adhurimin e vërtetë dhe po ua shpallin lajmin e Mbretërisë njerëzve të të gjitha kombeve. Disa nga këto kombe janë si Asiria, jashtëzakonisht militariste. Kombe të tjera janë më liberale, ndoshta si Egjipti, dikur «mbreti i jugut» në profecinë e Danielit. (Danieli 11:5, 8, Dio) Miliona individë si nga kombet militariste, ashtu edhe nga ato më liberale, kanë marrë rrugën e adhurimit të vërtetë. Në këtë mënyrë, njerëz nga të gjitha kombet «kryejnë shërbim» së bashku. Ndërmjet tyre nuk ekzistojnë ndarje kombëtare. Ata e duan njëri-tjetrin dhe me të drejtë mund të thuhet që ‘Asiria vjen në Egjipt dhe Egjipti në Asiri’. Është njësoj sikur të ekzistonte një rrugë që lidh njërin me tjetrin.—1 Pjetrit 2:17.

38. (a) Në cilin kuptim Izraeli «do të jetë i treti me Egjiptin dhe Asirinë»? (b) Përse thotë Jehovai ‘Qoftë i bekuar populli im’?

38 Por, në cilin kuptim është Izraeli «i treti me Egjiptin dhe Asirinë»? Në pjesën e hershme të ‘kohës së mbarimit’, shumica e atyre që i shërbenin Jehovait në tokë ishin pjesëtarë të ‘Izraelit të Perëndisë’. (Danieli 12:9, Dio; Galatasve 6:16) Që nga vitet 30, është shfaqur një turmë e madhe ‘delesh të tjera’ me shpresë tokësore. (Gjoni 10:16a; Zbulesa 7:9) Të ardhur nga kombet, që përfaqësohen nga Egjipti dhe Asiria, ata vërshojnë në shtëpinë e adhurimit të Jehovait dhe i ftojnë të tjerët të bashkohen me ta. (Isaia 2:2-4) Ata kryejnë të njëjtën vepër predikimi si vëllezërit e tyre të mirosur, përballojnë të njëjtat sprova, shfaqin të njëjtën besnikëri e integritet dhe ushqehen në të njëjtën tryezë frymore. Vërtet, të mirosurit dhe ‘delet e tjera’ janë «një kope e vetme nën një bari të vetëm». (Gjoni 10:16b) A mund ta vërë njeri në dyshim, nëse Jehovai, duke parë zellin dhe qëndrueshmërinë e tyre, është i kënaqur me aktivitetin e tyre apo jo? Nuk është për t’u çuditur që ai i bekon ata, duke thënë: ‘Qoftë i bekuar populli im!’

[Shënimi]

^ par. 21 Disa studiues hedhin idenë se shprehja «vendi i insekteve të zhurmshme me krahë» u referohet karkalecave që herë pas here dynden në Etiopi. Të tjerë pohojnë se fjala hebraike tselatsal’, e përkthyer «i zhurmshëm», i ngjan në tingull emrit që i ka vënë mizës cece (tsaltsalja) popullsia gale, një popull afrikano-verior që jeton në Etiopinë e sotme.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 191]

Luftëtarë filistej duke sulmuar armiqtë e tyre (gdhendje egjiptiane e shekullit të 12-të p.e.s.)

[Figura në faqen 192]

Reliev guri i një ushtari ose perëndie moabite (midis shekullit të 11-të p.e.s. dhe të 8-të p.e.s.)

[Figura në faqen 196]

Luftëtar sirian hipur në një deve (shekulli i nëntë p.e.s.)

[Figura në faqen 198]

“Deti” i shoqërisë njerëzore rebele nxit pakënaqësi dhe çrregullim

[Figura në faqen 203]

Priftërinjtë e Egjiptit nuk mundën të barazoheshin me fuqinë e Jehovait