Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një profet i lashtë me një mesazh modern

Një profet i lashtë me një mesazh modern

Kapitulli një

Një profet i lashtë me një mesazh modern

Isaia 1:1

1, 2. (a) Cilën gjendje të trishtueshme shohim sot në botë? (b) Si e shprehu një senator amerikan shqetësimin e tij për rrënimin e shoqërisë?

KUSH në ditët tona nuk e dëshiron me zjarr çlirimin nga hallet që bien mbi njerëzimin? E megjithatë, sa shpesh mbeten të paplotësuara dëshirat tona! Ëndërrojmë paqe, por goditemi nga lufta. Duam zbatim të ligjit dhe rend, por nuk jemi në gjendje të frenojmë rritjen e vazhdueshme të grabitjeve, të përdhunimeve dhe të vrasjeve. Duam t’u besojmë fqinjëve, por na duhet të kyçim dyert për t’u mbrojtur. I duam fëmijët tanë dhe duam të ngulitim tek ata vlera të shëndosha, por shumë shpesh, të pafuqishëm, shohim se si i nënshtrohen ndikimit jo të shëndoshë të bashkëmoshatarëve.

2 Me të drejtë mund të jemi dakord me Jobin, i cili tha se jeta e shkurtër e njeriut «është plot shqetësime». (Jobi 14:1, Dio) Kjo duket e vërtetë sidomos në ditët tona, pasi shoqëria po rrënohet në një shkallë të paparë ndonjëherë. Një senator amerikan vërejti: «Tashmë Lufta e Ftohtë ka mbaruar, por mjerisht, tani bota është bërë një strehë më e sigurt për hakmarrjet dhe mizoritë etnike, fisnore e fetare. . . . Ne i kemi ulur standardet tona morale deri në atë pikë, saqë shumë prej të rinjve tanë gjenden të pështjelluar, të shkurajuar dhe në telashe serioze. Frytet që po korrim janë: neglizhimi prindëror, divorci, abuzimi me fëmijët, shtatzënitë në adoleshencë, përjashtimet nga shkolla, drogat dhe rrugët plot dhunë. Është njësoj sikur shtëpia jonë, pas mbijetesës nga tërmeti i madh, të cilin ne e quajmë Lufta e Ftohtë, tani të brehet nga termitet.»

3. Cili libër i Biblës në veçanti jep shpresë për të ardhmen?

3 Megjithatë, nuk jemi pa shpresë. Afro 2700 vjet më parë, Perëndia frymëzoi një burrë në Lindjen e Mesme për të shpallur një seri profecish, të cilat kanë një domethënie të veçantë për kohën tonë. Këto mesazhe gjenden në librin e Biblës që mban emrin e atij profeti, Isaia. Kush ishte Isaia dhe përse mund të themi që profecitë e tij, të shkruara rreth tre mijëvjeçarë më parë, japin dritë për gjithë njerëzimin sot?

Një njeri i drejtë në kohë trazirash

4. Kush ishte Isaia dhe kur shërbeu ai si profet i Jehovait?

4 Në vargun e parë të librit të tij, Isaia e prezanton veten si ‘biri i Amotsit’, * dhe na thotë se ka shërbyer si profet i Perëndisë «në ditët e Uziahut, Jothamit, Akazit dhe Hezekisë, mbretër të Judës». (Isaia 1:1) Kjo mund të nënkuptojë që Isaia ka vazhduar të shërbejë si profet i Perëndisë për kombin e Judës të paktën për 46 vjet, duke filluar ndoshta në fund të mbretërimit të Uziahut, rreth vitit 778 p.e.s.

5, 6. Çfarë mund të ketë qenë e vërtetë në lidhje me jetën familjare të Isaisë dhe pse?

5 Në krahasim me atë që dimë për disa profetë të tjerë, për jetën personale të Isaisë dimë pak. Dimë që ishte i martuar dhe që duke folur për gruan e tij e quajti ‘profeteshë’. (Isaia 8:3, Dio) Sipas enciklopedisë së autorëve Strong dhe McClintock, Cyclopedia of Biblical, Theological, and Ecclesiastical Literature, ky titull tregon se jeta martesore e Isaisë «nuk ishte thjesht në harmoni me thirrjen e tij hyjnore, por e ndërthurur ngushtë me të». Ka shumë mundësi që gruaja e Isaisë të ketë pasur një caktim të sajin për të profetizuar, ashtu si edhe disa gra të tjera të devotshme në Izraelin e lashtë.—Gjyqtarët 4:4; 2 Mbretërve 22:14.

6 Isaia dhe gruaja e tij kishin të paktën dy bij, çdonjërit prej të cilëve i kishin vënë një emër me kuptim profetik. I parëlinduri, Shearjashubi, shoqëroi Isainë kur ky i fundit i shpalli mesazhet e Perëndisë mbretit të lig Akaz. (Isaia 7:3) Është e dukshme se Isaia dhe gruaja e tij e bënë adhurimin e Perëndisë pjesë të jetës së tyre familjare. Çfarë shembulli i shkëlqyer për çiftet e martuara sot!

7. Përshkruani kushtet që ekzistonin në Judë në ditët e Isaisë.

7 Isaia dhe familja e tij jetuan gjatë një periudhe të trazuar të historisë së Judës. Trazirat politike ishin të zakonshme, ryshfetet kishin korruptuar gjykatat dhe hipokrizia kishte gërryer strukturën fetare të shoqërisë. Majat e kodrave ishin mbuluar me altarë kushtuar perëndive të rreme. Madje edhe disa prej mbretërve i kishin dhënë shtysë adhurimit pagan. Për shembull, Akazi, jo vetëm që toleroi idhujtarinë mes nënshtetasve të tij, por edhe mori pjesë personalisht në të, duke i ‘kaluar nëpër zjarr’ pasardhësit e tij si një flijim ritual kushtuar perëndisë kananit, Molekut. * (2 Mbretërve 16:3, 4, Dio; 2 Kronikave 28:3, 4) E gjithë kjo ndodhte mes një populli që kishte bërë një besëlidhje me Jehovain.—Eksodi (Dalja) 19:5-8.

8. (a) Çfarë shembulli lanë mbretërit Uziah dhe Jotham dhe a e ndoqi populli shembullin e tyre? (b) Në ç’mënyrë tregoi guxim Isaia mes një populli rebel?

8 Në mënyrë të lavdërueshme, disa nga bashkëkohësit e Isaisë, duke përfshirë edhe disa sundimtarë, u përpoqën të nxitnin adhurimin e vërtetë. Midis tyre qe mbreti Uziah, i cili bëri ‘atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit’. E megjithatë, gjatë mbretërimit të tij populli «vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta». (2 Mbretërve 15:3, 4, Dio) Edhe mbreti Jotham ‘bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit’. Por pavarësisht nga kjo, ‘populli vazhdonte të korruptohej’. (2 Kronikave 27:2, Dio) Po, gjatë pjesës më të madhe të shërbimit profetik të Isaisë, mbretëria e Judës ishte në një gjendje të vajtueshme frymore dhe morale. Në përgjithësi, njerëzit e shpërfillën çdo ndikim pozitiv që u erdhi nga mbretërit e tyre. Kuptohet, t’i shpallje mesazhet e Perëndisë një populli kokëfortë si ky nuk do të ishte një detyrë e lehtë. Megjithatë, kur Jehovai pyeti «Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?», Isaia nuk ngurroi. Ai tha me zë të lartë: «Ja ku jam! Më dërgo mua.»—Isaia 6:8.

Një mesazh shpëtimi

9. Cila është domethënia e emrit të Isaisë dhe si lidhet kjo me temën e librit të tij?

9 Emri i Isaisë do të thotë «Shpëtimi i Jehovait» dhe kjo mund të quhet me të drejtë tema e mesazhit të tij. Vërtet, disa nga profecitë e Isaisë janë profeci gjykimi. Megjithatë, tema e shpëtimit del në pah fare qartë. Në mënyrë të përsëritur, Isaia tregoi se në kohën e duhur Jehovai do t’i çlironte izraelitët nga robëria në Babiloni, duke lejuar që një mbetje prej tyre të kthehej në Sion dhe t’i kthente vendit shkëlqimin e tij të mëparshëm. S’ka dyshim që privilegji për të shpallur gojarisht dhe për të shkruar profecitë në lidhje me restaurimin e Jerusalemit të tij të dashur, i dha Isaisë gëzimin më të madh.

10, 11. (a) Përse libri i Isaisë është me interes për ne sot? (b) Si e drejton libri i Isaisë vëmendjen te Mesia?

10 Por, ç’kanë të bëjnë me ne këto mesazhe gjykimi dhe shpëtimi? Lumturisht, Isaia nuk profetizon thjesht për dobinë e mbretërisë prej dy fisesh të Judës. Përkundrazi, mesazhet e tij kanë një domethënie të veçantë për kohën tonë. Isaia paraqet një tablo të shkëlqyer të bekimeve të mëdha që do të sjellë së shpejti në tokë Mbretëria e Perëndisë. Në fakt, një pjesë e madhe e shkrimeve të Isaisë përqendrohen mbi Mesinë e parathënë, i cili do të sundonte si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. (Danieli 9:25; Gjoni 12:41) Sigurisht, nuk është një rastësi që emrat Jezu dhe Isaia shprehin pothuajse të njëjtin mendim (Jezu do të thotë «Jehovai është shpëtim»).

11 Natyrisht, që nga koha e Isaisë kaluan rreth shtatë shekuj para se të lindte Jezui. E megjithatë, profecitë mesianike që përmban libri i Isaisë janë kaq të hollësishme e të sakta, saqë duken sikur janë treguar nga ndonjë dëshmitar okular i jetës së Jezuit në tokë. Një burim vërejti se për këtë arsye, libri i Isaisë, ndonjëherë është quajtur «Ungjilli i pestë». Prandaj, nuk është për t’u habitur që Isaia ishte libri biblik i cituar më shpesh nga Jezui dhe nga apostujt e tij, kur bëhej fjalë për të bërë një identifikim të qartë të Mesisë.

12. Përse po i hyjmë një studimi të zellshëm të librit të Isaisë?

12 Isaia bën një përshkrim të lavdishëm të ‘qiejve të rinj dhe të një toke të re’, ku «një mbret do të mbretërojë për vetë drejtësinë» dhe princat do të sundojnë për të drejtën. (Isaia 32:1, 2; 65:17, 18, Dio; 2 Pjetrit 3:13) Në këtë mënyrë, libri i Isaisë e drejton vëmendjen te shpresa e gëzueshme e Mbretërisë së Perëndisë, nën drejtimin e Mesisë Jezu Krisht si mbreti i hipur në fron. Sa na inkurajon kjo, që ta jetojmë çdo ditë të jetës sonë duke pritur të gëzuar «shpëtimin nga [Jehovai]»! (Isaia 25:9; 40:28-31) Le ta shqyrtojmë, pra, me zell mesazhin e çmuar të librit të Isaisë! Ndërsa veprojmë kështu, besimi ynë në premtimet e Perëndisë do të forcohet së tepërmi. Gjithashtu, do të ndihmohemi për të forcuar bindjen tonë se Jehovai është me të vërtetë Perëndia i shpëtimit tonë.

[Shënimet]

^ par. 4 Babai i Isaisë, Amotsi, nuk duhet ngatërruar me Amosin, i cili profetizoi në fillim të mbretërimit të Uziahut dhe shkroi librin e Biblës që mban emrin e tij.

^ par. 7 Disa thonë se ‘kalimi nëpër zjarr’ mund t’i referohet thjesht një ceremonie pastrimi. Megjithatë, duket se në këtë kontekst kjo shprehje i referohet flijimit në kuptimin e mirëfilltë. Nuk ka asnjë dyshim që flijimi i fëmijëve praktikohej nga kananitët dhe nga izraelitët apostatë.—Ligji i përtërirë 12:31; Psalmi 106:37, 38.

[Pyetjet]

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Kush ishte Isaia?

DOMETHËNIA E EMRIT: «Shpëtimi i Jehovait»

GJENDJA FAMILJARE: I martuar, të paktën me dy bij

VENDBANIMI: Jerusalem

VITET E SHËRBIMIT: Jo më pak se 46 vjet, duke filluar rreth vitit 778 p.e.s. e deri diku pas vitit 732 p.e.s.

MBRETËR TË JUDËS BASHKËKOHËS TË TIJ: Uziahu, Jothami, Akazi, Hezekia

PROFETË BASHKËKOHËS TË TIJ: Mikea, Hozea, Odedi

[Figura në faqen 6]

Isaia dhe gruaja e tij e bënë adhurimin e Perëndisë pjesë të jetës së tyre familjare