Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia Jehova është në tempullin e tij të shenjtë

Perëndia Jehova është në tempullin e tij të shenjtë

Kapitulli tetë

Perëndia Jehova është në tempullin e tij të shenjtë

Isaia 6:1-13

1, 2. (a) Kur e shikon profeti Isaia vizionin e tij në lidhje me tempullin? (b) Pse e humbi mbreti Uziah favorin e Jehovait?

«NË VITIN kur vdiq mbreti Uziah, unë pashë, gjithashtu, Jehovain, ulur në një fron të lartë e të ngritur dhe kindet e mantelit të tij mbushnin tempullin.» (Isaia 6:1) Me këto fjalë të profetit fillon kapitulli i 6-të i librit të Isaisë. Është viti 778 p.e.s.

2 Sundimi 52-vjeçar i Uziahut si mbret i Judës, në pjesën më të madhe, ka qenë shumë i suksesshëm. Meqenëse bëri «atë që është e drejtë në sytë e Zotit», ai pati mbështetjen e Perëndisë në gjithçka që ndërmori në planin ushtarak, ndërtimor dhe bujqësor. Por suksesi i tij, u bë gjithashtu, rrënimi i tij. Më në fund, zemra e tij u bë fodulle dhe ai «mëkatoi kundër Zotit, duke hyrë në tempullin e Zotit për të djegur temjan». Për shkak të këtij veprimi prej kryeneçi dhe për shkak të hakërrimit të tij ndaj priftërinjve që iu kundërvunë, Uziahu vdiq i lebrosur. (2 Kronikave 26:3-22, Dio) Ishte pak a shumë kjo koha kur Isaia filloi shërbimin e tij profetik.

3. (a) A e shikon Isaia me të vërtetë Jehovain? Shpjegoni. (b) Çfarë skene shikon Isaia dhe pse?

3 Se ku ndodhet Isaia kur shikon vizionin, kjo nuk na thuhet. Por ajo që ai shikon me sytë fizikë, është pa dyshim një vizion, jo një shikim i vërtetë i të Plotfuqishmit, pasi «askush s’e ka parë asnjëherë Perëndinë». (Gjoni 1:18; Dalja 33:20) E megjithatë, të shikosh Krijuesin, Jehovain, qoftë edhe në një vizion, është një pamje që të ngjall frikë e nderim. Ulur në një fron të lartë, i cili simbolizon rolin e tij si Mbret dhe Gjykatës i përhershëm, gjendet Sundimtari Universal dhe Burimi i çdo sundimi të drejtë. Kindet e mantelit të tij të gjatë e të derdhur mbushin tempullin. Isaia është thirrur në një shërbim profetik, i cili do të lartësojë sovranitetin, fuqinë dhe drejtësinë e Jehovait. Si parapërgatitje për këtë, atij do t’i jepet një vizion në lidhje me shenjtërinë e Perëndisë.

4. (a) Pse përshkrimet e Jehovait, të para në vizione dhe të regjistruara në Bibël, duhet të jenë simbolike? (b) Çfarë mësohet për Jehovain nga vizioni i Isaisë?

4 Isaia nuk jep asnjë përshkrim të pamjes së Jehovait në vizionin e tij, ndryshe nga vizionet e raportuara prej Ezekielit, Danielit dhe Gjonit. Gjithashtu, tregimet e këtyre të fundit, ndryshojnë nga njëri-tjetri për sa i përket asaj që është parë në qiell. (Ezekieli 1:26-28; Danieli 7:9, 10; Zbulesa 4:2, 3) Megjithatë, duhet mbajtur parasysh natyra dhe qëllimi i këtyre vizioneve. Ato nuk janë përshkrime reale të pranisë së Jehovait. Syri fizik nuk mund të shohë diçka frymore dhe truri i kufizuar njerëzor nuk mund ta kuptojë sferën frymore. Prandaj, vizionet paraqesin në terma njerëzorë informacionin që duhet bërë i ditur. (Krahaso Zbulesën 1:1.) Në vizionin e Isaisë nuk ka nevojë për një përshkrim të pamjes së Perëndisë. Vizioni i tregon Isaisë se Jehovai është në tempullin e tij të shenjtë dhe se ai është i shenjtë dhe gjykimet e tij janë të pastra.

Serafinët

5. (a) Çfarë janë serafinët dhe çfarë do të thotë kjo fjalë? (b) Pse i fshehin serafinët fytyrën dhe këmbët?

5 Dëgjoni! Isaia vazhdon: «Mbi të qëndronin serafinë. Secili kishte gjashtë krahë. Me dy mbulonte fytyrën, me dy mbulonte këmbët dhe me dy fluturonte.» (Isaia 6:2) Kapitulli 6 i Isaisë është i vetmi vend në Bibël ku përmenden serafinët. Është e dukshme që ata janë krijesa engjëllore në shërbim të Jehovait, të cilët kanë një pozitë shumë të lartë për sa u përket privilegjeve dhe nderit, pasi gjenden rreth fronit qiellor të Jehovait. Ndryshe nga Mbreti krenar Uziah, ata qëndrojnë në pozitën e tyre me shumë përulësi dhe modesti. Meqenëse janë në prani të Sovranit qiellor, ata e mbulojnë fytyrën me një palë krahë dhe, me nderim për vendin e shenjtë, me një palë tjetër mbulojnë këmbët. Duke qenë afër Sovranit Universal, serafinët përpiqen të bien sa më pak në sy, me qëllim që të mos e largojnë vëmendjen nga lavdia personale e Perëndisë. Fjala «serafinë», që do të thotë «të zjarrtë» ose «flakërues», të bën të kuptosh se ata rrezatojnë dritë, e megjithatë, ata i fshehin fytyrat e tyre para shkëlqimit dhe lavdisë më të madhe të Jehovait.

6. Cila është pozita e serafinëve në lidhje me Jehovain?

6 Palën e tretë të krahëve serafinët e përdorin për të fluturuar dhe, pa dyshim, edhe për të qëndruar pezull, ose për t’u ‘ndalur’, në vendet e tyre. (Krahaso Ligjin e përtërirë 31:15.) Për pozicionin e tyre, profesori Franz Delitzsch komenton: «Serafinët nuk ngriheshin në të vërtetë mbi kokën e Atij që ishte ulur në fron, por qëndronin pezull mbi petkun e gjatë që i përkiste Atij, i cili kishte mbushur vendin.» (Commentary on the Old Testament) Kjo duket e arsyeshme. Ata ‘qëndrojnë mbi’, jo si më të lartë se Jehovai, por si të jenë në shërbim të tij, të bindur dhe gati për të shërbyer.

7. (a) Çfarë detyre kryejnë serafinët? (b) Pse serafinët e shpallin shenjtërinë e Jehovait tri herë?

7 Tani, dëgjoni ata serafinë të privilegjuar! «Ky i thirri tjetrit dhe i tha: ‘I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai i ushtrive. Plotësia e gjithë tokës është lavdia e tij.’» (Isaia 6:3) Detyra e tyre është të kujdesen që shenjtëria e Jehovait të shpallet dhe lavdia e tij të bëhet e njohur në mbarë universin, një pjesë e të cilit është edhe toka. Lavdia e tij shihet në gjithçka që ai ka krijuar dhe së shpejti do të dallohet nga të gjithë banorët e tokës. (Numrat 14:21; Psalmi 19:1-3; Habakuku 2:14) Shpallja e trefishtë, «i shenjtë, i shenjtë, i shenjtë», nuk është tregues i një triniteti. Përkundrazi, është një theksim i trefishtë i shenjtërisë së Perëndisë. (Krahaso Zbulesën 4:8.) Jehovai është i shenjtë në shkallën më të lartë.

8. Çfarë rezulton nga shpalljet e serafinëve?

8 Ndonëse numri i serafinëve nuk përmendet, pranë fronit mund të gjenden grupe serafinësh. Në një këngë melodioze, ata përsëritin njëri pas tjetrit shpalljen e shenjtërisë dhe të lavdisë së Perëndisë. Çfarë rezultati vërejmë? Dëgjoni përsëri, ndërsa Isaia vazhdon: «Boshtet e pragjeve filluan të dridhen nga zëri i atij që po thërriste dhe vetë shtëpia u mbush pak nga pak me tym.» (Isaia 6:4) Në Bibël, tymi ose një re, janë shpesh tregues të dukshëm të pranisë së Perëndisë. (Dalja 19:18; 40:34, 35; 1 Mbretërve 8:10, 11; Zbulesa 15:5-8) Tregon një lavdi, së cilës ne krijesat njerëzore nuk mund t’i afrohemi.

I padenjë, por i pastruar

9. (a) Çfarë ndikimi ka vizioni mbi Isainë? (b) Çfarë kontrasti i dukshëm ekziston ndërmjet Isaisë dhe mbretit Uziah?

9 Vizioni i fronit të Jehovait ka një ndikim të thellë mbi Isainë. Ai shkruan: «Unë thashë: ‘I mjeri unë! Jam gati i shkatërruar, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe po banoj mes një populli me buzë të papastra; sepse sytë e mi kanë parë Mbretin, vetë Jehovain e ushtrive!’» (Isaia 6:5) Çfarë kontrasti i thellë ekziston ndërmjet Isaisë dhe mbretit Uziah! Uziahu zuri pa të drejtë pozitën e priftërinjve të mirosur dhe pa pikë respekti dhunoi pjesën e Shenjtë të tempullit. Ndonëse pa shandanët e artë, altarin e artë të temjanit dhe tryezat e ‘bukës së paraqitjes’, Uziahu nuk e pa shprehjen miratuese të fytyrës së Jehovait dhe nuk mori ndonjë caktim të veçantë. (1 Mbretërve 7:48-50, Dio) Nga ana tjetër, profeti Isaia nuk e shpërfill priftërinë dhe as e dhunon tempullin. Megjithatë, ai shikon një vizion të Jehovait në tempullin e tij të shenjtë dhe nderohet me një caktim të drejtpërdrejtë nga Perëndia. Ndërkohë që serafinët nuk i lejojnë vetes ta shikojnë Zotërinë e tempullit të hipur në fron, Isaisë i jepet leje në vizion të shikojë «Mbretin, vetë Jehovain e ushtrive»!

10. Pse ndien frikë Isaia kur shikon vizionin?

10 Kontrasti që vëren Isaia ndërmjet shenjtërisë së Jehovait dhe gjendjes së tij mëkatare e bën të ndihet fare i papastër. Tërë frikë, ai mendon se do të vdesë. (Dalja 33:20) Ai dëgjon serafinët tek e lavdërojnë Perëndinë me buzë të pastra, por buzët e tij janë të papastra dhe janë ndotur akoma më shumë nga papastërtia e buzëve të njerëzve midis të cilëve banon dhe të folurin e të cilëve dëgjon. Jehovai është i shenjtë dhe shërbëtorët e tij duhet të pasqyrojnë këtë cilësi. (1 Pjetrit 1:15, 16) Ndonëse Isaia është zgjedhur tashmë si një zëdhënës i Perëndisë, atij i bën përshtypje të thellë gjendja e tij mëkatare kur bëhet i ndërgjegjshëm për këtë dhe e vuan mungesën e buzëve të pastra që janë të përshtatshme për një zëdhënës të Mbretit të lavdishëm e të shenjtë. Cili do të jetë reagimi qiellor?

11. (a) Çfarë bën një nga serafinët dhe çfarë simbolizon ky veprim? (b) Në ç’mënyrë meditimi rreth asaj që serafini i tha Isaisë na ndihmon kur ndihemi të padenjë si shërbëtorë të Perëndisë?

11 Në vend që ta dëbojnë nga prania e Jehovait Isainë e ulët për nga pozita, serafinët veprojnë për ta ndihmuar. Tregimi thotë: «Atëherë një nga serafinët fluturoi drejt meje dhe në dorën e tij ishte një thëngjill të cilin e kishte marrë me mashën e altarit. Dhe më preku gojën dhe tha: ‘Ja! Kjo ka prekur buzët e tua dhe gabimi yt është larguar dhe vetë mëkati yt është shlyer.’» (Isaia 6:6, 7) Në kuptimin simbolik, zjarri ka fuqi pastruese. Kur e vë thëngjillin e marrë nga zjarri i shenjtë i altarit në buzët e Isaisë, serafini e siguron atë se mëkatet i janë shlyer deri në masën që është e nevojshme për t’i dhënë mundësi që të marrë favorin e Perëndisë dhe një caktim prej tij. Sa qetësuese është kjo për ne! Edhe ne jemi mëkatarë dhe të padenjë për t’iu afruar Perëndisë. Por jemi shpenguar në saje të flijimit shpërblyes të Jezuit dhe mund të marrim favorin e Jehovait e t’i afrohemi atij në lutje.—2 Korintasve 5:18, 21; 1 Gjonit 4:10.

12. Çfarë altari shikon Isaia dhe cili është efekti i zjarrit?

12 Diçka që na kujton përsëri se ky është një vizion, është përmendja e «altarit». (Krahaso Zbulesën 8:3; 9:13.) Në tempullin e Jerusalemit kishte dy altarë. Tamam përpara perdes së Më të Shenjtës gjendej altari i vogël i temjanit dhe përballë hyrjes së shenjtërores gjendej altari i madh i flijimeve, ku zjarri mbahej vazhdimisht i ndezur. (Levitiku 6:12, 13; 16:12, 13) Por këta altarë tokësorë ishin simbolikë dhe paraqitnin gjëra më të mëdha. (Hebrenjve 8:5; 9:23; 10:5-10) Kur tempulli u përurua nga mbreti Solomon, oferta e djegur mbi altar u konsumua nga një zjarr prej qiellit. (2 Kronikave 7:1-3) Dhe tani një zjarr nga altari i vërtetë, nga ai qiellor, heq papastërtinë e buzëve të Isaisë.

13. Ç’pyetje bën Jehovai dhe kë përfshin ai kur thotë «ne»?

13 Le të dëgjojmë bashkë me Isainë. «Fillova të dëgjoj zërin e Jehovait që thoshte: ‘Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?’ Dhe unë thashë: ‘Ja ku jam! Më dërgo mua.’» (Isaia 6:8) Pyetja e bërë nga Jehovai është e qartë që ka si qëllim të nxitë një reagim nga Isaia, pasi në vizion nuk shfaqet asnjë profet tjetër njerëzor. Ajo është, pa dyshim, një ftesë për Isainë që të bëhet lajmëtari i Jehovait. Por, pse pyet Jehovai: ‘Kush do të shkojë për ne?’ Duke kaluar nga përemri vetor i numrit njëjës «unë», në përemrin e numrit shumës «ne», tani Jehovai përfshin të paktën edhe një person tjetër me veten e tij. Cilin? A nuk ishte ai Biri i tij i vetëmlindur, i cili më vonë u bë njeriu Jezu Krisht? Në fakt, ishte po ai Bir, të cilit Perëndia i tha: «Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë.» (Zanafilla 1:26, Dio; Proverbat 8:30, 31) Po, përkrah Jehovait në oborret qiellore është Biri i tij i vetëmlindur.—Gjoni 1:14.

14. Si i përgjigjet Isaia ftesës së Jehovait dhe çfarë shembulli jep për ne?

14 Isaia nuk ngurron të përgjigjet. Pavarësisht se cili mund të jetë mesazhi, ai përgjigjet menjëherë: «Ja ku jam! Më dërgo mua.» Gjithashtu, ai nuk pyet se çfarë mund të fitojë po ta pranojë caktimin. Fryma e tij e gatishmërisë është një shembull i shkëlqyer për të gjithë shërbëtorët e Perëndisë sot, të cilët kanë caktimin për të predikuar ‘lajmin e mirë të mbretërisë në të gjithë tokën e banuar’. (Mateu 24:14) Ashtu si Isaia, ata vazhdojnë me besnikëri në caktimin e tyre dhe japin «dëshmi në të gjitha kombet», me gjithë pandjeshmërinë që karakterizon njerëzit gjithandej. Ata ecin përpara me besim, ashtu si Isaia, duke e ditur se caktimi i tyre ka autorizimin e personit më të madh.

Caktimi i Isaisë

15, 16. (a) Çfarë duhet t’i thotë Isaia «këtij populli» dhe cila do të jetë përgjigjja e tyre? (b) A ka ndonjë faj Isaia për reagimin e popullit? Shpjegoni.

15 Tani Jehovai tregon atë që duhet të thotë Isaia dhe cili do të jetë reagimi: «Shko dhe duhet t’i thuash këtij populli: ‘Dëgjoni vazhdimisht, por mos kuptoni, shikoni vazhdimisht, por mos fitoni aspak njohuri.’ Bëje zemrën e këtij populli të pandjeshme dhe vetë veshët e tyre të pandjeshëm e ngjitua sytë, me qëllim që të mos shohin me sytë e tyre, të mos dëgjojnë me veshët e tyre dhe vetë zemra e tyre të mos kuptojë, që të mos ndryshojnë me të vërtetë dhe të shërohen.» (Isaia 6:9, 10) A do të thotë kjo se Isaia duhet të tregohet i pandjeshëm e pa takt dhe t’i hedhë poshtë judenjtë, duke mos i ndihmuar të pajtohen me Jehovain? Absolutisht jo! Ata janë populli i Isaisë, me të cilët është shumë i lidhur. Por fjalët e Jehovait tregojnë se si do t’i përgjigjen ata mesazhit të tij, pavarësisht se me sa besnikëri do ta kryejë Isaia caktimin e tij.

16 Faji është i popullit. Isaia do t’u flasë atyre «vazhdimisht», por ata nuk do ta pranojnë mesazhin dhe nuk do të fitojnë kuptueshmëri. Shumica do të tregohen kokëfortë dhe të pandjeshëm, si të ishin tërësisht të verbër dhe të shurdhër. Duke shkuar tek ata në mënyrë të përsëritur, Isaia do ta lërë ‘këtë popull’ të tregojë se nuk dëshiron të kuptojë. Ata do të provojnë se po i mbyllin mendjet dhe zemrat ndaj mesazhit të Isaisë, mesazhit të Perëndisë, që u drejtohet atyre. Sa e vërtetë është kjo për njerëzit sot! Shumë prej tyre nuk pranojnë t’i dëgjojnë Dëshmitarët e Jehovait kur predikojnë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë që po vjen.

17. Kur pyet «Deri kur?» për çfarë e ka fjalën Isaia?

17 Isaia shqetësohet: «Atëherë unë thashë: ‘Deri kur, o Jehova?’ Pastaj ai tha: ‘Derisa qytetet faktikisht të shemben e të kthehen në rrënoja, që të jenë pa asnjë banor dhe shtëpitë të jenë pa asnjë njeri tokësor dhe vetë toka të jetë shkatërruar dhe kthyer në shkretim, dhe Jehovai t’i ketë larguar faktikisht njerëzit tokësorë dhe gjendja e shkretë të jetë shtrirë gjerësisht në mes të vendit.’» (Isaia 6:11, 12) Me anë të pyetjes: «Deri kur?», Isaia nuk po pyet se deri kur do t’i duhet të vazhdojë t’i predikojë një populli të pandjeshëm. Në vend të kësaj, ai është i shqetësuar për popullin dhe pyet se deri kur do të vazhdojë gjendja e tyre e keqe frymore dhe deri kur do të çnderohet emri i Jehovait mbi tokë. (Shih Psalmin 74:9-11.) Deri kur, pra, do të vazhdojë kjo situatë e pakuptimtë?

18. Deri kur do të vazhdojë gjendja e keqe frymore e popullit dhe a do të jetojë Isaia për të parë përmbushjen e plotë të profecisë?

18 Mjerisht, përgjigjja e Jehovait tregon se gjendja e keqe frymore e popullit do të vazhdojë derisa të plotësohen të gjitha pasojat e mosbindjes ndaj Perëndisë, të përshkruara në besëlidhjen e tij. (Levitiku 26:21-33; Ligji i përtërirë 28:49-68) Kombi do të shkatërrohet, njerëzit do të merren robër dhe vendi do të mbetet i shkretë. Isaia nuk do të jetojë për të parë shkatërrimin e Jerusalemit dhe të tempullit të tij nga ushtria babilonase në vitin 607 p.e.s., ndonëse do të profetizojë për më shumë se 40 vjet, duke vazhduar edhe gjatë mbretërimit të Hezekisë, stërnipit të Mbretit Uziah. E megjithatë, Isaia do t’i qëndrojë besnik caktimit deri në momentin e vdekjes së tij, më shumë se 100 vjet para se të vijë katastrofa mbi kombin.

19. Ndonëse kombi do të pritet si një pemë, çfarë sigurie i jep Perëndia Isaisë?

19 Shkatërrimi që do ta lërë Judën ‘të shkatërruar dhe të kthyer në shkretim’ do të vijë me siguri, por situata nuk është e pashpresë. (2 Mbretërve 25:1-26) Jehovai e siguron Isainë: «Dhe në të do të mbetet akoma një e dhjetë dhe duhet të kthehet përsëri në diçka për t’u bërë shkrumb, si një pemë e madhe dhe si një pemë masive, në të cilat, kur priten, mbetet një cung; cungu i tij do të jetë një farë e shenjtë.» (Isaia 6:13) Po, «një e dhjetë, . . . një farë e shenjtë», do të mbetet, ashtu si cungu i një peme masive që pritet. Kjo siguri, pa dyshim, e ngushëllon Isainë: mes popullit të tij do të gjendet një mbetje e shenjtë. Ndonëse kombi digjet përsëri, si një pemë e madhe që pritet për dru zjarri, një cung jetësor i pemës simbolike të Izraelit do të mbetet. Ajo do të jetë një farë, ose pasardhje, që është e shenjtë për Jehovain. Me kalimin e kohës, ajo do të mbijë përsëri dhe pema do të rritet sërish.—Krahaso Jobin 14:7-9; Danielin 4:26.

20. Si u përmbush fillimisht pjesa e fundit e profecisë së Isaisë?

20 A u vërtetuan fjalët e profecisë? Po. Shtatëdhjetë vjet pasi vendi i Judës u shkretua, një mbetje me druajtje Perëndie u kthye nga mërgimi në Babiloni. Ata rindërtuan tempullin dhe qytetin, si dhe rivendosën në vend adhurimin e vërtetë. Kjo rivendosje e judenjve në vendin e tyre të dhënë nga Perëndia bëri të mundur një përmbushje të dytë të kësaj profecie që Perëndia i dha Isaisë. Ç’të ishte vallë?—Ezdra 1:1-4.

Përmbushje të tjera

21-23. (a) Te kush gjeti një përmbushje në shekullin e parë profecia e Isaisë dhe si? (b) Kush ishte ‘fara e shenjtë’ në shekullin e parë dhe si u ruajt ajo?

21 Detyra profetike e Isaisë paraqiste veprën që Mesia, Jezu Krishti, do të kryente rreth 800 vjet më vonë. (Isaia 8:18; 61:1, 2; Luka 4:16-21; Hebrenjve 2:13, 14) Ndonëse më i madh se Isaia, Jezui u tregua po aq i gatshëm sa ai për t’u dërguar nga Ati i tij qiellor, duke thënë: «Ja, unë kam ardhur të bëj vullnetin tënd.»—Hebrenjve 10:5-9; Psalmi 40:6-8.

22 Ashtu si Isaia, Jezui e kreu me besnikëri veprën që i ishte caktuar dhe hasi të njëjtin reagim. Judenjtë e kohës së Jezuit nuk ishin më të gatshëm për ta pranuar mesazhin, sesa ata të cilëve u predikoi profeti Isaia. (Isaia 1:4) Një tipar i shërbimit të Jezuit ishte përdorimi i ilustrimeve. Kjo i shtyu dishepujt të pyetnin: «Pse po u flet duke përdorur ilustrime?» Jezui ua ktheu: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretet e shenjta të mbretërisë së qiejve, por atyre nuk u është lejuar. Ja përse u flas duke përdorur ilustrime, sepse duke shikuar, shikojnë më kot dhe duke dëgjuar, dëgjojnë më kot e as nuk e kapin kuptimin e saj; dhe në ta po përmbushet profecia e Isaisë, që thotë: ‘Duke dëgjuar, do të dëgjoni, por kurrsesi nuk do ta kapni kuptimin e saj; dhe duke shikuar, do të shikoni, por kurrsesi nuk do të shihni. Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme dhe me veshët e tyre kanë dëgjuar me indiferencë dhe i kanë mbyllur sytë; që të mos shohin kurrë me sytë e tyre dhe të mos dëgjojnë me veshët e tyre e të mos e kapin kuptimin e saj me zemrën e tyre dhe të kthehen e unë t’i shëroj.’»—Mateu 13:10, 11, 13-15; Marku 4:10-12; Luka 8:9, 10.

23 Duke cituar nga Isaia, Jezui po tregonte se profecia kishte një përmbushje në kohën e tij. Populli si një i tërë kishte një qëndrim në zemër të ngjashëm me atë të judenjve në kohën e Isaisë. Ata e bënë veten të verbër dhe të shurdhër ndaj mesazhit të tij dhe njësoj si ata përjetuan shkatërrimin. (Mateu 23:35-38; 24:1, 2) Kjo ndodhi kur forcat romake nën komandën e gjeneral Titit erdhën kundër Jerusalemit në vitin 70 të e.s. dhe shkatërruan qytetin dhe tempullin e tij. Megjithatë, disa e kishin dëgjuar Jezuin dhe ishin bërë dishepujt e tij. Jezui i shpalli këta «të lumtur». (Mateu 13:16-23, 51) Ai i kishte informuar ata që kur të shihnin «Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë», duhej ‘të iknin në male’. (Luka 21:20-22) Kështu, ‘fara e shenjtë’ që kishte ushtruar besim dhe që kishte formuar një komb frymor, ‘Izraelin e Perëndisë’, u shpëtua. *Galatasve 6:16.

24. Çfarë aplikimi i bëri Pavli profecisë së Isaisë dhe çfarë tregon kjo?

24 Rreth vitit 60 të e.s., Pavli përfundoi në arrest shtëpie në Romë. Këtu, ai organizoi një mbledhje me «të parët e Judenjve» e me të tjerë dhe ‘u dha dëshmi të plotë për mbretërinë e Perëndisë’. Kur shumë nuk e pranuan mesazhin e tij, Pavli shpjegoi se kjo ndodhte në përmbushje të profecisë së Isaisë. (Veprat 28:17-27; Isaia 6:9, 10) Kështu, dishepujt e Krishtit kryen një caktim të ngjashëm me atë të Isaisë.

25. Çfarë kanë dalluar Dëshmitarët e Perëndisë të kohëve moderne dhe si reagojnë ata?

25 Në mënyrë të ngjashme, Dëshmitarët e Jehovait sot kuptojnë që Jehovai është në tempullin e tij të shenjtë. (Malakia 3:1) Ashtu si Isaia ata thonë: «Ja ku jam! Më dërgo mua.» Me zell, ata bëjnë të jehojë mesazhi paralajmërues rreth afrimit të fundit të këtij sistemi të lig. Por siç tregoi Jezui, relativisht pak njerëz i hapin sytë dhe veshët për të parë e për të dëgjuar, në mënyrë që të shpëtojnë. (Mateu 7:13, 14) Në fakt, të lumtur janë ata që i hapin zemrat e tyre për të dëgjuar dhe për ‘t’u shëruar’.—Isaia 6:8, 10.

[Shënimi]

^ par. 23 Në vitin 66 të e.s., si kundërpërgjigje ndaj një revolte të judenjve, forcat romake nën komandën e Cest Galit rrethuan Jerusalemin dhe depërtuan në qytet deri te muret e tempullit. Më pas ata u tërhoqën, duke u dhënë mundësi dishepujve të Jezuit që të iknin në malet e Peresë para se romakët të riktheheshin në vitin 70 të e.s.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 94]

«Ja ku jam! Më dërgo mua»

[Figura në faqen 97]

‘Derisa qytetet të shemben e të kthehen në rrënoja, që të jenë pa asnjë banor’