Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Perëndia Jehova tregon mëshirë për një mbetje

Perëndia Jehova tregon mëshirë për një mbetje

Kapitulli gjashtë

Perëndia Jehova tregon mëshirë për një mbetje

Isaia 4:2-6

1, 2. Çfarë parathotë profeti Isaia për Judën dhe Jerusalemin?

NJË stuhi e furishme zbret mbi një rajon me popullsi të dendur. Erëra të fuqishme, shira si rrëke dhe një përmbytje e madhe bëjnë kërdinë në vend duke shkatërruar shtëpi, duke dëmtuar të mbjellat dhe duke marrë jetë. Por shpejt stuhia kalon dhe vendin e saj e zë një periudhë qetësie. Për ata që kanë mbijetuar, kjo është një kohë restaurimi dhe rindërtimi.

2 Profeti Isaia parathotë diçka të ngjashme për Judën dhe Jerusalemin. Retë e stuhisë së gjykimit hyjnor lëvizin kërcënueshëm duke u afruar gjithnjë e më shumë dhe me të drejtë. Faji i kombit është i rëndë. Si sundimtarët, ashtu edhe populli e kanë mbushur vendin me padrejtësi dhe me gjakderdhje. Nëpërmjet Isaisë, Jehovai zbulon fajin e Judës dhe paralajmëron se do të ekzekutojë gjykimin mbi këtë komb fajtor. (Isaia 3:25) Vendi i Judës do të mbetet plotësisht i shkretë si rezultat i kësaj stuhie. Kjo perspektivë duhet ta trishtojë Isainë.

3. Çfarë lajmi të mirë përmban mesazhi i frymëzuar i Isaisë 4:2-6?

3 Por ka një lajm të mirë. Stuhia e gjykimit të drejtë të Jehovait do të kalojë dhe një mbetje njerëzish do të mbijetojë. Po, gjykimi i Jehovait do të zbutet me mëshirë. Mesazhi i frymëzuar i Isaisë, i cili gjendet në Isainë 4:2-6, e drejton vëmendjen drejt kësaj kohe të bekuar. Duket sikur dielli del nga retë që e kishin fshehur; skena kalon nga pamjet dhe tingujt e gjykimit të përshkruara në Isainë 2:6–4:1, në një tokë dhe në një popull të ripërtërirë e të zbukuruar.

4. Përse duhet ta shqyrtojmë profecinë e Isaisë lidhur me rivendosjen e një mbetjeje?

4 Profecia e rivendosjes së një mbetjeje dhe e sigurisë vijuese të tyre gjen një përmbushje edhe në kohët tona, «në pjesën përfundimtare të ditëve». (Isaia 2:2-4) Le ta shqyrtojmë këtë mesazh të përshtatshëm për kohën tonë, sepse ai jo vetëm që ka një domethënie profetike, por edhe na mëson për mëshirën e Jehovait dhe për mënyrën se si ne si individë duhet të reagojmë ndaj saj.

‘Filizi i Jehovait’

5, 6. (a) Si e përshkruan Isaia periudhën e paqes që pason furtunën që do të vijë? (b) Cili është kuptimi i fjalës «filiz» dhe çfarë tregon kjo për vendin e Judës?

5 Toni i Isaisë bëhet i ngrohtë ndërsa ai shikon përtej furtunës që po vjen, drejt një kohe më paqësore. Ai shkruan: «Në atë ditë, ajo që Jehovai do të bëjë të dalë si filiz [«filizi i Jehovait», shënimi] do të jetë për zbukurim e për lavdi dhe fryti i tokës do të jetë diçka për t’u krenuar dhe diçka e bukur për të shpëtuarit e Izraelit.»—Isaia 4:2.

6 Këtu Isaia flet për një rivendosje. Emri hebraik i përkthyer «filiz» i referohet ‘diçkaje që mbin, një bisku, një dege’. Ai përcjell idenë e begatisë, të rritjes dhe të marrjes së bekimeve nga Jehovai. Në këtë mënyrë, Isaia paraqet një tablo shpresëdhënëse, po, shkretimi që po afron nuk do të zgjasë përgjithmonë. Me bekimin e Jehovait, vendi i Judës, dikur i begatë, do të japë përsëri fryt me bollëk. *Levitiku 26:3-5.

7. Në ç’mënyrë filizi i Jehovait do të «jetë për zbukurim e për lavdi»?

7 Isaia përdor fjalë të gjalla për të përshkruar madhështinë e transformimit që pritet në të ardhmen. Filizi i Jehovait do të «jetë për zbukurim e për lavdi». Fjala «zbukurim» të sjell ndër mend bukurinë e Tokës së Premtuar kur Jehovai ia dha Izraelit shekuj më parë. Ajo ishte kaq e bukur, saqë konsiderohej si «zbukurimi [«xhevahiri», New American Bible] i të gjitha vendeve». (Ezekieli 20:6) Prandaj, fjalët e Isaisë e sigurojnë popullin se vendit të Judës do t’i rikthehet lavdia dhe bukuria e tij e mëparshme. Po, ai do të jetë si një xhevahir stolisës mbi tokë.

8. Cilët do të jenë të pranishëm për të gëzuar bukurinë e rikthyer të vendit dhe si i përshkruan Isaia ndjenjat e tyre?

8 Por cilët do të jenë të pranishëm për të gëzuar bukurinë e rikthyer të vendit? «Të shpëtuarit e Izraelit»,—shkruan Isaia. Po, disa do ta mbijetojnë shkatërrimin poshtërues të parathënë më parë. (Isaia 3:25, 26) Një mbetje të mbijetuarish do të rikthehen në Judë dhe do të marrin pjesë në restaurimin e saj. Për këta të rikthyer ose ‘të shpëtuar’, prodhimi i bollshëm i vendit të tyre të restauruar do të bëhet «diçka për t’u krenuar dhe diçka e bukur». (Isaia 4:2, shënimi) Poshtërimi që ka sjellë shkretimi do t’ia lërë vendin një ndjenje të përtërirë krenarie.

9. (a) Çfarë ndodhi në vitin 537 p.e.s. në përmbushje të fjalëve të Isaisë? (b) Pse mund të thuhet se «të shpëtuarit» përfshijnë edhe disa që kanë lindur në mërgim? (Shih shënimin.)

9 Në përmbushje të fjalëve të Isaisë, stuhia e gjykimit erdhi në vitin 607 p.e.s. kur babilonasit shkatërruan Jerusalemin dhe shumë izraelitë u vranë. Disa mbijetuan dhe u morën në mërgim në Babiloni, por, po të mos kishte qenë për mëshirën e Jehovait, nuk do të kishte pasur asnjë të mbijetuar. (Nehemia 9:31) Më së fundi, Juda u la plotësisht e shkretë. (2 Kronikave 36:17-21) Më pas, në vitin 537 p.e.s., Perëndia i mëshirshëm i lejoi «të shpëtuarit» që të riktheheshin në Judë për të rivendosur adhurimin e vërtetë. * (Ezdra 1:1-4; 2:1) Pendimi i sinqertë i këtyre robërve të kthyer shprehet bukur në Psalmin 137, i cili ka të ngjarë të jetë shkruar gjatë robërisë ose pak kohë pas saj. Pasi u kthyen në Judë ata e punuan tokën dhe mbollën farë në të. Mendoni se si duhet të jenë ndier ata kur kanë parë se Perëndia po i bekonte përpjekjet e tyre, duke bërë që toka të nxirrte filiza, porsi «kopshti [i frytshëm] i Edenit».—Ezekieli 36:34-36, Dio.

10, 11. (a) Në cilin kuptim Studentët e Biblës ishin nën robërinë e «Babilonisë së Madhe» në fillim të shekullit të 20-të? (b) Si e bekoi Jehovai mbetjen e izraelitëve frymorë?

10 Një rivendosje e ngjashme ka ndodhur edhe në kohën tonë. Në fillim të shekullit të 20-të, Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, ranë nën robërinë frymore të ‘Babilonisë së Madhe’, perandorisë botërore të fesë së rreme. (Zbulesa 17:5) Ndonëse kishin flakur tej shumë mësime të rreme fetare, Studentët e Biblës ishin ende të ndikuar nga disa ide dhe praktika babilonase. Si rezultat i kundërshtimit të nxitur nga kleri, disa prej tyre u burgosën në kuptimin e vërtetë të fjalës. Toka e tyre frymore, d.m.th. prona e tyre fetare ose frymore, u la e shkretë.

11 Por në pranverën e vitit 1919, Jehovai tregoi mëshirë ndaj kësaj mbetjeje izraelitësh frymorë. (Galatasve 6:16) Ai e pa pendimin dhe dëshirën e tyre për ta adhuruar atë me të vërtetë e, si rrjedhim, bëri të mundur lirimin e tyre nga burgimi i mirëfilltë dhe çka është më e rëndësishme, nga robëria frymore. Këta ‘të shpëtuar’ u rivendosën në pronën e tyre frymore të dhënë nga Perëndia, të cilën Ai e bëri të nxjerrë filiza me bollëk. Kjo pronë frymore ka shfaqur një pamje joshëse dhe tërheqëse, e cila ka nxitur miliona njerëz të tjerë me druajtje Perëndie që të bashkohen me mbetjen në adhurimin e vërtetë.

12. Në ç’mënyrë fjalët e Isaisë e lartësojnë mëshirën që Jehovai tregon për popullin e tij?

12 Fjalët e Isaisë këtu lartësojnë mëshirën që Perëndia tregon ndaj popullit të tij. Ndonëse si komb izraelitët u kthyen kundër Jehovait, ai tregoi mëshirë për një mbetje të penduar. Ne mund të nxjerrim ngushëllim duke ditur se edhe ata që gabojnë rëndë mund të kthehen te Jehovai me shpresë. Individët e penduar nuk duhet të mendojnë se nuk janë të denjë për mëshirën e Jehovait, sepse ai nuk e hedh poshtë një zemër të penduar. (Psalmi 51:17) Bibla na siguron: «Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.» (Psalmi 103:8, 13, Dio) Pa dyshim, një Perëndi i tillë i mëshirshëm meriton gjithë lavdinë nga ana jonë.

Një mbetje bëhet e shenjtë për Jehovain

13. Siç tregohet në Isainë 4:3, si e përshkruan Isaia mbetjen, për të cilën Jehovai do të tregonte mëshirë?

13 Tashmë ne jemi prezantuar me mbetjen për të cilën Jehovai do të tregonte mëshirë, por tani Isaia e përshkruan atë më me hollësi. Ai shkruan: «Duhet të ndodhë që, për ata që kanë mbetur në Sion dhe për ata që janë lënë në Jerusalem do të thuhet se janë të shenjtë për të, gjithkush që është shkruar për jetë në Jerusalem.»—Isaia 4:3.

14. Cilët janë «ata që kanë mbetur» dhe «ata që janë lënë» dhe pse Jehovai do të tregojë mëshirë për ta?

14 Cilët janë «ata që kanë mbetur» dhe «ata që janë lënë»? Ata janë të shpëtuarit e përmendur në vargun pararendës, robërit judenj që do të lejohen të rikthehen në Judë. Tani Isaia na thotë përse Jehovai do të tregojë mëshirë për ta: ata do të ‘jenë të shenjtë për të’. Shenjtëri do të thotë «pastërti ose dëlirësi fetare; shenjtëri». Të jesh i shenjtë nënkupton të jesh i pastër ose i kulluar, në fjalë e në vepra, të përputhesh me standardet e Jehovait lidhur me atë që është e drejtë dhe e përshtatshme. Po, Jehovai do të tregojë mëshirë ndaj atyre që janë «të shenjtë për të» dhe do t’i lejojë të kthehen në «qytetin e shenjtë», në Jerusalem.—Nehemia 11:1, Dio.

15. (a) Cilin zakon jude na kujton shprehja ‘të shkruar për jetë në Jerusalem’? (b) Çfarë paralajmërimi që të bën të mendosh mbartin fjalët e Isaisë?

15 A do të mbetet atje kjo mbetje besnike? Isaia premton se ata do të «shkruhen për jetë në Jerusalem». Kjo na kujton zakonin jude të mbajtjes së regjistrave të saktë në lidhje me familjet dhe fiset e Izraelit. (Nehemia 7:5) Të qenët i shkruar në një regjistër do të thoshte se ishe gjallë, sepse kur një person vdiste, emri i tij hiqej. Në pjesë të tjera të Biblës flitet për një regjistër ose për një libër figurativ, në të cilin gjenden emrat e atyre që Jehovai i shpërblen me jetë. Por regjistrimi i emrave në këtë libër është i kushtëzuar, sepse Jehovai mund t’i ‘fshijë’ emrat prej tij. (Dalja 32:32, 33, Dio; Psalmi 69:28, Dio) Prandaj, fjalët e Isaisë, mbartin një paralajmërim që të bën të mendosh: të kthyerit do të mund të vazhdojnë të jetojnë në vendin e tyre të restauruar vetëm nëse qëndrojnë të shenjtë në sytë e Jehovait.

16. (a) Çfarë kërkoi Jehovai prej atyre që lejoi të ktheheshin në Judë në vitin 537 p.e.s.? (b) Pse mund të thuhet se mëshira e treguar nga ana e Jehovait ndaj mbetjes së mirosur dhe ‘deleve të tjera’ nuk ka qenë e kotë?

16 Në vitin 537 p.e.s. mbetja që u kthye në Jerusalem e bëri këtë me një motiv të drejtë; për të rivendosur adhurimin e pastër. Nuk kishte të drejtë të kthehej asnjë që ishte i ndotur nga praktikat fetare pagane ose nga sjellja e papastër kundër së cilës Isaia kishte paralajmëruar me aq forcë. (Isaia 1:15-17) Vetëm ata që Jehovai i konsideroi të shenjtë mundën të ktheheshin në Judë. (Isaia 35:8) Në mënyrë të ngjashme, që prej lirimit nga robëria frymore në vitin 1919, pjesëtarët e mbetjes së mirosur, me të cilën tani janë bashkuar miliona «dele të tjera» që kanë shpresën e jetës së përhershme në tokë, kanë bërë të gjitha përpjekjet për të qenë të shenjtë në sytë e Perëndisë. (Gjoni 10:16) Ata janë çliruar nga mësimet dhe praktikat babilonase. Individualisht, ata përpiqen t’u përmbahen standardeve të larta morale të Perëndisë. (1 Pjetrit 1:14-16) Mëshira e treguar ndaj tyre nga ana e Jehovait nuk ka qenë e kotë.

17. Emrat e kujt shkruan Jehovai në «librin e [tij të] jetës» dhe çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?

17 Sill ndër mend se Jehovai i vuri re ata individë në Izrael që ishin të shenjtë dhe ‘i shkroi emrat e tyre për jetë’. Edhe sot, Jehovai i shikon përpjekjet tona për të qenë të pastër në mendje dhe në trup, ndërsa ‘i paraqesim trupat tanë si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë’. (Romakëve 12:1) Të gjithë ata që bëjnë një jetë të tillë shënohen nga Perëndia në «librin e [tij të] jetës», d.m.th. në regjistrin figurativ që përmban emrat e atyre të cilët meritojnë të marrin jetën e përhershme qoftë në qiell, qoftë në tokë. (Filipianëve 4:3; Malakia 3:16) Le të bëjmë çmos, pra, që të qëndrojmë të shenjtë në sytë e Perëndisë, sepse në këtë mënyrë do t’i mbajmë emrat tanë në atë ‘libër’ të çmuar!—Zbulesa 3:5.

Një premtim për kujdes të dashur

18, 19. Sipas Isaisë 4:4, 5, çfarë pastrimi do të kryejë Jehovai dhe si do të realizohet ai?

18 Më pas Isaia tregon se si do të bëhen të shenjtë banorët e vendit të restauruar dhe çfarë bekimesh i presin ata. Ai thotë: «Kur Jehovai të ketë larë jashtëqitjet e bijave të Sionit dhe të ketë shpëlarë prej tij edhe gjakun e derdhur prej Jerusalemit, me anë të frymës së gjykimit dhe me anë të frymës së shkrumbimit, atëherë Jehovai do të krijojë me siguri mbi çdo vend të qëndrueshëm të malit Sion dhe mbi vendin e tij të asamblesë një re gjatë ditës dhe një tym e shkëlqimin e një zjarri flakërues gjatë natës, sepse mbi gjithë lavdinë do të ketë një strehë.»—Isaia 4:4, 5.

19 Më parë Isaia i qortoi «bijat e Sionit», degradimi moral i të cilave fshihej nën stolitë e tyre që binin në sy. Gjithashtu, ai zbuloi fajin e gjakut të popullit në tërësi, duke i nxitur ata që të laheshin. (Isaia 1:15, 16; 3:16-23) Por tani, ai e drejton vëmendjen drejt kohës kur vetë Perëndia do të «ketë larë jashtëqitjet» ose fëlliqësinë morale dhe do të ketë ‘pastruar njollat e gjakut’. (Isaia 4:4, New International Version) Si do të kryhet ky pastrim? Me anë të «frymës së gjykimit» dhe me anë të «frymës së shkrumbimit». Shkatërrimi i ardhshëm i Jerusalemit dhe mërgimi në Babiloni do të jenë shpërthime të gjykimit dhe të zemërimit të zjarrtë të Jehovait ndaj një kombi të papastër. Mbetja që i mbijeton këto katastrofa dhe rikthehet në atdhe do të jetë përulur dhe rafinuar. Ja përse ata do të jenë të shenjtë për Jehovain dhe do t’u tregohet mëshirë.—Krahaso Malakinë 3:2, 3.

20. (a) Çfarë të sjellin ndër mend shprehjet «një re», «një tym» dhe ‘një zjarr flakërues’? (b) Pse të mërguarit e pastruar nuk duhet të frikësohen?

20 Nëpërmjet Isaisë, Jehovai premton se do të tregojë për këtë mbetje të pastruar kujdes të dashur. Shprehjet «një re», «një tym» dhe ‘një zjarr flakërues’ të sjellin ndër mend mënyrën se si Jehovai u kujdes për izraelitët pasi ata u larguan nga Egjipti. Një ‘kolonë zjarri dhe reje’ i mbrojti ata nga egjiptianët që po i ndiqnin, gjithashtu, ajo i udhëhoqi ata në shkretëtirë. (Dalja 13:21, 22; 14:19, 20, 24) Kur Jehovai u shfaq në malin Sinai, mali «ishte tërë tym». (Dalja 19:18, Dio) Pra, të mërguarit e pastruar nuk kanë pse të frikësohen. Jehovai do të jetë Mbrojtësi i tyre. Ai do të jetë me ta qoftë kur të mblidhen në shtëpitë e tyre, qoftë kur të mblidhen së bashku në asamble të shenjta.

21, 22. (a) Për çfarë qëllimi ndërtohej shpesh një kasolle ose kashtore? (b) Çfarë perspektive gjendet përpara mbetjes së pastruar?

21 Isaia e përfundon përshkrimin e mbrojtjes hyjnore duke u përqendruar në jetën e përditshme. Ai shkruan: «Do të ketë një kasolle për të bërë hije gjatë ditës kundër të nxehtit të thatë dhe për t’u strehuar e për t’u fshehur kundër rrebeshit e kundër reshjeve.» (Isaia 4:6) Një kasolle ose kashtore, shpesh ndërtohej në një vresht a në një fushë për të siguruar mbrojtjen aq të nevojshme nga dielli përvëlues i periudhës së thatë dhe nga i ftohti e stuhitë e periudhës me shi.—Krahaso Jonain 4:5.

22 Kur të përballojë me nxehtësinë përzhitëse të persekutimit dhe stuhitë e kundërshtimit, mbetja e pastruar do të gjejë te Jehovai një Burim mbrojtjeje, sigurie dhe strehimi. (Psalmi 91:1, 2; 121:5) Kështu, para tyre gjendet një perspektivë e shkëlqyer: nëse i braktisin besimet dhe praktikat e papastra të Babilonisë, nëse i nënshtrohen pastrimit të kryer me anë të gjykimit të Jehovait dhe nëse përpiqen të mbeten të shenjtë, ata do të qëndrojnë të sigurt, si të ishin në një «kasolle» mbrojtjeje hyjnore!

23. Pse Jehovai e ka bekuar mbetjen e mirosur dhe shokët e tyre?

23 Vini re, së pari vjen pastrimi, pastaj bekimet. Në ditët tona ka ndodhur pikërisht kështu. Në vitin 1919 mbetja e mirosur iu nënshtrua me përulësi procesit të rafinimit dhe Jehovai ‘e lau’ papastërtinë e tyre. Më vonë, edhe ‘një shumicë e madhe’ delesh të tjera kanë lejuar që të pastrohen nga Jehovai. (Zbulesa 7:9) Pasi janë pastruar në këtë mënyrë, mbetja dhe shokët e tyre janë bekuar—Jehovai i ka marrë ata nën kujdesin e tij mbrojtës. Ai nuk pengon me anë të ndonjë mrekullie që nxehtësia e persekutimit ose stuhitë e kundërshtimit të bien mbi ta, por i mbron ata, duke ngritur, si të thuash, ‘një kasolle për të bërë hije e për t’u fshehur kundër rrebeshit’. Në ç’mënyrë?

24. Nga çfarë është e dukshme se Jehovai e ka bekuar popullin e tij si një organizatë?

24 Shqyrtoni këtë: disa nga qeveritë më të fuqishme që ka njohur historia e kanë ndaluar ligjërisht veprën e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait dhe janë orvatur t’i eliminojnë ata krejtësisht. Megjithatë, Dëshmitarët kanë qëndruar të patundur dhe kanë vazhduar të predikojnë pa pushim. Pse kombet e fuqishme nuk kanë qenë në gjendje t’i japin fund veprës së këtij grupi njerëzish relativisht të vogël dhe në dukje të pambrojtur? Sepse Jehovai i ka vendosur shërbëtorët e tij të pastruar në një «kasolle» mbrojtjeje, të cilën asnjë njeri nuk mund ta shembë.

25. Çfarë do të thotë për ne si individë fakti që kemi Jehovain si Mbrojtësin tonë?

25 Ç’të themi për ne si individë? Fakti që kemi Jehovain si Mbrojtës nuk do të thotë se kemi një jetë pa telashe në këtë sistem gjërash. Shumë të krishterë besimplotë hasin situata tejet të vështira të tilla, si: varfëria, katastrofat natyrore, luftërat, sëmundjet dhe vdekja. Kur hasim vështirësi të tilla, le të mos harrojmë kurrë se Perëndia është me ne. Ai na mbron frymësisht, duke na siguruar atë që na nevojitet, madje edhe ‘fuqi përtej asaj që është normale’, për t’i përballuar sprovat me besnikëri. (2 Korintasve 4:7) Në praninë e tij jemi të sigurt dhe nuk kemi pse të frikësohemi. Në fund të fundit, për aq kohë sa bëjmë çmos për të qëndruar të shenjtë në sytë e tij, asgjë «nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë».—Romakëve 8:38, 39.

[Shënimet]

^ par. 6 Disa studiues hedhin idenë se shprehja ‘filizi i Jehovait’ i referohet Mesisë, i cili nuk do të shfaqej deri pas restaurimit të Jerusalemit. Në Targumet Aramaike, kjo shprehje është parafrazuar: «Mesia [Krishti] i Jehovait.» Është interesant fakti që e njëjta fjalë hebraike (tsemak) përdoret më vonë nga Jeremia, kur ai e quan Mesinë ‘një filiz të drejtë’ i dalë nga Davidi.—Jeremia 23:5; 33:15.

^ par. 9 «Të shpëtuarit» përfshinë edhe disa që kishin lindur në mërgim. Për këta mund të thuhej se kishin ‘shpëtuar’, pasi ata nuk do të kishin lindur kurrë, nëse paraardhësit e tyre nuk do ta kishin mbijetuar shkatërrimin.—Ezdra 9:13-15; krahaso Hebrenjve 7:9, 10.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 63]

Stuhia e gjykimit hyjnor po vjen mbi Judën