Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shpëtim dhe ngazëllim nën mbretërimin e Mesisë

Shpëtim dhe ngazëllim nën mbretërimin e Mesisë

Kapitulli trembëdhjetë

Shpëtim dhe ngazëllim nën mbretërimin e Mesisë

Isaia 11:1–12:6

1. Përshkruani gjendjen frymore të popullit që kishte bërë një besëlidhje me Perëndinë gjatë ditëve të Isaisë.

NË DITËT e Isaisë, gjendja frymore e popullit që kishte bërë një besëlidhje me Perëndinë ishte e keqe. Edhe gjatë sundimit të mbretërve besnikë si Uziahu dhe Jothami, shumë prej njerëzve adhuronin në vendet e larta. (2 Mbretërve 15:1-4, 34, 35; 2 Kronikave 26:1, 4) Kur u bë mbret Hezekia, atij iu desh të hiqte gjithçka që kishte të bënte me adhurimin e Baalit në vend. (2 Kronikave 31:1) S’është për t’u habitur që Jehovai i bëri thirrje popullit të tij që të kthehej tek ai dhe e paralajmëroi se do ta ndëshkonte.

2, 3. Çfarë inkurajimi jep Jehovai për ata që dëshirojnë t’i shërbejnë atij pavarësisht nga jobesnikëria e përhapur gjithandej?

2 Megjithatë, jo të gjithë ishin fund e krye rebelë. Jehovai kishte profetë besnikë dhe ka të ngjarë që disa judenj t’ua vinin veshin. Për këta persona Jehovai kishte fjalë ngushëlluese. Pasi përshkroi plaçkitjet e tmerrshme që do të përjetonte Juda gjatë pushtimit asirian, profeti Isaia u frymëzua të shkruante një nga fragmentet më të bukura të të gjithë Biblës, një përshkrim të bekimeve që do të vinin nën sundimin e Mesisë. * Disa aspekte të këtyre bekimeve patën një përmbushje në një shkallë të vogël kur judenjtë u kthyen nga robëria në Babiloni. Por si një e tërë, profecia ka një përmbushje më të madhe sot. Vërtet, Isaia dhe judenjtë e tjerë besnikë të kohës së tij nuk arritën t’i shohin këto bekime gjatë jetës së tyre. Por ata i pritën ato me besim dhe do të shohin një përmbushje të fjalëve të Isaisë, pas ringjalljes.—Hebrenjve 11:35.

3 Edhe pjesëtarët e popullit të sotëm të Jehovait kanë nevojë për inkurajim. Rënia e shpejtë e vlerave morale në botë, kundërshtimi i egër ndaj mesazhit të Mbretërisë dhe dobësitë personale janë sfida për të gjithë ata. Fjalët e mrekullueshme të Isaisë rreth Mesisë dhe mbretërimit të tij mund ta forcojnë dhe ta ndihmojnë popullin e Perëndisë për t’i përballuar këto sprova.

Mesia—Një udhëheqës i aftë

4, 5. Çfarë profetizoi Isaia lidhur me ardhjen e Mesisë dhe, me sa duket, çfarë aplikimi u bëri Mateu fjalëve të tij?

4 Disa shekuj para kohës së Isaisë, shkrimtarë të tjerë hebrenj të Biblës kishin folur për ardhjen e Mesisë, Udhëheqësit të vërtetë, të cilin Perëndia do ta dërgonte në Izrael. (Zanafilla 49:10; Ligji i përtërirë 18:18; Psalmi 118:22, 26) Tani, nëpërmjet Isaisë, Jehovai jep hollësi të tjera. Isaia shkruan: «Nga trungu i Jeseut duhet të dalë një degëz dhe nga rrënjët e tij një filiz do të jetë i frytshëm.» (Isaia 11:1; krahaso Psalmin 132:11.) Fjalët «degëz» dhe «filiz» tregojnë se Mesia do të jetë pasardhës i Jeseut nëpërmjet birit të tij, Davidit, i cili u miros me vaj si mbret i Izraelit. (1 Samuelit 16:13; Jeremia 23:5; Zbulesa 22:16) Kur të vijë Mesia i vërtetë, ky «filiz» nga shtëpia e Davidit, do të prodhojë fryt të mirë.

5 Mesia i premtuar është Jezui. Mateu, shkrimtari i njërit prej ungjijve, iu referua në mënyrë të tërthortë fjalëve të Isaisë 11:1, kur tha se fakti që Jezuin e quanin «nazareas» ishte një përmbushje e fjalëve të profetëve. Meqenëse ishte rritur në qytetin e Nazaretit, Jezuin e quanin nazareas, emër që me sa duket ka lidhje me fjalën hebraike të përdorur në Isainë 11:1 përkthyer «filiz». *Mateu 2:23, shënimi; Luka 2:39, 40.

6. Ç’lloj sundimtari do të jetë Mesia sipas asaj që profetizohet për të?

6 Ç’lloj sundimtari do të jetë Mesia? A do të jetë si asiriani mizor dhe kokëfortë, i cili shkatërroi mbretërinë prej dhjetë fisesh të Izraelit? Sigurisht që jo. Në lidhje me Mesinë, Isaia thotë: «Mbi të duhet të zbresë fryma e Jehovait, fryma e mençurisë dhe e kuptueshmërisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e druajtjes së Jehovait dhe ai do të ketë gëzim në druajtjen e Perëndisë.» (Isaia 11:2, 3a) Mesia miroset jo me vaj, por me frymën e shenjtë të Perëndisë. Kjo ndodh gjatë pagëzimit të Jezuit, kur Gjon Pagëzori shikon frymën e shenjtë të Perëndisë duke zbritur mbi Jezuin në formën e një pëllumbi. (Luka 3:22) Fryma e Jehovait ‘zbret mbi’ Jezuin dhe ai jep prova për këtë kur vepron me mençuri, kuptueshmëri, fuqi, njohuri dhe duke ndjekur këshillat e të Atit. Çfarë cilësish të shkëlqyera për një sundimtar!

7. Çfarë premtimi u bëri Jezui ithtarëve të tij besnikë?

7 Edhe ithtarët e Jezuit mund ta marrin frymën e shenjtë. Në një nga fjalimet e tij, Jezui deklaroi: «Nëse ju, edhe pse jeni të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, sa më shumë akoma Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!» (Luka 11:13) Prandaj, ne nuk duhet të ngurrojmë kurrë t’i kërkojmë frymën e shenjtë Perëndisë dhe nuk duhet të pushojmë kurrë së kultivuari frytet e saj të shëndetshme, si «dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli». (Galatasve 5:22, 23) Jehovai premton se do t’i përgjigjet kërkesës së ithtarëve të Jezuit për ‘mençuri nga lart’ që t’i ndihmojë të përballojnë me sukses vështirësitë e jetës.—Jakovit 1:5; 3:17.

8. Si gjen gëzim Jezui në druajtjen e Jehovait?

8 Çfarë është druajtja që shfaq Mesia ndaj Jehovait? Sigurisht, Jezui nuk është i tmerruar nga Perëndia, duke iu frikësuar dënimit të tij. Në vend të kësaj, Mesia ka një druajtje plot respekt ndaj tij, një nderim të shtyrë nga dashuria për të. Një person me druajtje Perëndie dëshiron të ‘bëjë gjithmonë gjërat që atij i pëlqejnë’, ashtu siç bën Jezui. (Gjoni 8:29) Me fjalët dhe shembullin e tij, Jezui mëson se nuk ka gëzim më të madh, sesa të ecësh çdo ditë në druajtjen e shëndetshme të Jehovait.

Një gjykatës i drejtë dhe i mëshirshëm

9. Çfarë shembulli u jep Jezui atyre që u kërkohet të gjykojnë çështjet në kongregacionin e krishterë?

9 Isaia parathotë edhe më shumë për karakteristikat e Mesisë: «Ai nuk do të gjykojë nisur nga ajo që thjesht shikon me sytë e tij, as do të qortojë thjesht sipas asaj që ka dëgjuar me veshë.» (Isaia 11:3b) Nëse do t’ju duhej të qëndronit para një trupi gjykues, a nuk do të ishit mirënjohës për një gjykatës si ky? Në pozitën e tij si Gjykatës i gjithë njerëzimit, Mesia nuk ndikohet nga argumentet e rreme, nga taktikat dinake të sallave të gjyqit, nga thashethemet ose nga faktorë të jashtëm si pasuria. Ai e dallon mashtrimin dhe shikon përtej dukjes së jashtme të pafavorshme, duke dalluar ‘njeriun e fshehtë të zemrës’. (1 Pjetrit 3:4) Shembulli i shkëlqyer i Jezuit shërben si model për të gjithë ata, të cilëve u kërkohet të gjykojnë çështjet në kongregacionin e krishterë.—1 Korintasve 6:1-4.

10, 11. (a) Në ç’mënyrë i korrigjon Jezui ithtarët e tij? (b) Çfarë gjykimi jep Jezui për të ligjtë?

10 Si do të ndikojnë cilësitë e shkëlqyera të Mesisë në gjykimin e tij? Isaia shpjegon: «Me drejtësi duhet t’i gjykojë të përulurit dhe me drejtësi duhet të qortojë në favor të të butëve të tokës. Duhet ta godasë tokën me shkopin e gojës së tij dhe me frymën e buzëve të tij do të bëjë të vdesë i ligu. Drejtësia do të dalë se është brezi i këllqeve të tij dhe besnikëria brezi i ijëve të tij.»—Isaia 11:4, 5.

11 Kur ithtarët e tij kanë nevojë për korrigjim, Jezui e jep atë në një mënyrë që do t’u sjellë atyre dobi maksimale, një shembull i shkëlqyer për pleqtë e krishterë. Në krahun tjetër, ata që praktikojnë gjëra të liga mund të presin një gjykim të ashpër. Kur Perëndia t’i kërkojë llogari këtij sistemi të lig gjërash, Mesia do ta «godasë tokën» me zërin e tij autoritar, duke dhënë një gjykim shkatërrimi për të gjithë të ligjtë. (Psalmi 2:9; krahaso Zbulesën 19:15.) Në fund, nuk do të ketë mbetur asnjë njeri i lig për të prishur paqen e njerëzimit. (Psalmi 37:10, 11) Jezui, me këllqet dhe ijët e tij të lidhura fort me drejtësi e besnikëri, e ka fuqinë për ta bërë këtë.—Psalmi 45:3-7.

Ndryshim i kushteve në tokë

12. Për çfarë mund të merakoset një jude, ndërsa mendon rreth rikthimit nga Babilonia në Tokën e Premtuar?

12 Imagjino një izraelit që sapo ka marrë vesh për dekretin e Kirit lidhur me kthimin e judenjve në Jerusalem për të rindërtuar tempullin. A do të heqë dorë ai nga siguria e Babilonisë për të marrë rrugën e gjatë për në shtëpi? Gjatë mungesës 70-vjeçare të Izraelit, fushat e shkreta janë mbuluar nga barërat e këqija. Tani në ato fusha bredhin lirisht ujqër, leopardë, luanë dhe arinj. Edhe kobrat i ndërtojnë foletë e tyre atje. Mbijetesa e judenjve të rikthyer do të varet nga kafshët shtëpiake; kopetë me bagëti do t’u sigurojnë qumështin, leshin dhe mishin, ndërsa qetë do të tërheqin parmendën. A do të bien këto kafshë pre e grabitqarëve? A do të kafshohen fëmijët e vegjël nga gjarpërinjtë? Ç’të themi për rrezikun që gjatë udhëtimit t’u zihet pusi?

13. (a) Çfarë tabloje që të ngroh zemrën paraqet Isaia? (b) Si e dimë që paqja e përshkruar nga Isaia përfshin më tepër sesa thjesht sigurinë nga kafshët e egra?

13 Tani Isaia paraqet një tablo që të ngroh zemrën, ku përshkruhen kushtet që do të krijojë Perëndia në atë vend. Ai thotë: «Në fakt ujku do të banojë për njëfarë kohe me qengjin mashkull, leopardi do të shtrihet me kecin dhe viçi, luani i ri me krifë e kafsha e majme do të rrinë të gjithë së bashku dhe një djalë i vogël do t’i udhëheqë. Lopa dhe ariu do të kullotin, të vegjlit e tyre do të shtrihen bashkë. Madje edhe luani do të hajë kashtë porsi demi. Foshnja e gjirit do të luajë mbi vrimën e kobrës dhe faktikisht një fëmijë i zvjerdhur do të vendosë dorën e tij mbi vrimën për dritë të një gjarpri helmues. Ata nuk do të bëjnë asnjë dëm dhe nuk do të shkaktojnë asnjë rrënim në gjithë malin tim të shenjtë, sepse toka me siguri do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbulojnë detin.» (Isaia 11:6-9) A nuk të prekin zemrën këto fjalë? Vëreni që paqja e përshkruar këtu vjen si rezultat i njohurisë së Jehovait. Prandaj, bëhet fjalë për më shumë sesa thjesht për një siguri nga kafshët e egra. Njohuria e Jehovait nuk do të ndryshojë kafshët, por do të ndikojë mbi njerëzit. As gjatë rrugës e as në vendin e tyre të ripërtërirë, izraelitët nuk do të kenë pse të frikësohen nga bishat e egra ose nga njerëzit ngjashëm bishave.—Ezdra 8:21, 22; Isaia 35:8-10; 65:25.

14. Cila është përmbushja më e madhe e Isaisë 11:6-9?

14 Megjithatë, kjo profeci ka një përmbushje më të madhe. Në vitin 1914, Jezui, Mesia, hipi në fron në malin qiellor Sion. Në vitin 1919 të mbeturit e ‘Izraelit të Perëndisë’ përjetuan çlirimin nga robëria babilonase dhe morën pjesë në ripërtëritjen e adhurimit të pastër. (Galatasve 6:16) Si rezultat u hap rruga për një përmbushje moderne të profecisë së Isaisë rreth Parajsës. ‘Njohuria e saktë’, njohuria e Jehovait, ka ndryshuar personalitetet e njerëzve. (Kolosianëve 3:9, 10) Njerëz që dikur ishin të dhunshëm janë bërë paqësorë. (Romakëve 12:2; Efesianëve 4:17-24) Këto zhvillime kanë prekur deri tani miliona njerëz, pasi profecia e Isaisë ka përfshirë një numër të krishterësh me shpresë tokësore që rritet me të shpejtë. (Psalmi 37:29; Isaia 60:22) Këta kanë mësuar të presin me padurim kohën kur e gjithë toka do të kthehet në një parajsë të sigurt e paqësore, në përputhje me qëllimin fillestar të Perëndisë.—Mateu 6:9, 10; 2 Pjetrit 3:13.

15. A mund të presim në mënyrë të arsyeshme që fjalët e Isaisë të kenë një përmbushje të drejtpërdrejtë në botën e re? Shpjegoni.

15 A do të ketë profecia e Isaisë një përmbushje të mëtejshme, ndoshta më të drejtpërdrejtë, në atë Parajsë të rivendosur? Duket e arsyeshme të mendohet se po. Profecia u jep të gjithë atyre që do të jetojnë nën sundimin e Mesisë të njëjtën siguri që u dha izraelitëve të rikthyer; ata dhe fëmijët e tyre nuk do të ndihen të kërcënuar nga dëmtimi që vjen nga çdo lloj burimi, as nga njerëzit e as nga kafshët. Nën sundimin mbretëror të Mesisë, të gjithë banorët e tokës do të gëzojnë kushte paqësore si ato që Adami dhe Eva gëzonin në Eden. Natyrisht, Shkrimet nuk zbulojnë në çdo hollësi se si ishte jeta në Eden ose se si do të jetë ajo në Parajsë. Megjithatë, mund të jemi të sigurt se nën sundimin e mençur e të dashur të mbretit Jezu Krisht çdo gjë do të jetë ashtu si duhet të jetë.

Rivendosje e adhurimit të pastër nëpërmjet Mesisë

16. Çfarë shërbeu si sinjal për popullin e Perëndisë në vitin 537 p.e.s.?

16 Për herë të parë adhurimi i pastër u sulmua në Eden, kur Satanai arriti me sukses t’i shtynte Adamin dhe Evën që të mos i bindeshin Jehovait. Deri më sot, Satanai nuk ka hequr dorë nga qëllimi i tij për të larguar sa më shumë njerëz që të jetë e mundur nga Perëndia. Por Jehovai nuk do të lejojë kurrë që adhurimi i pastër të zhduket nga toka. Në këtë mes përfshihet emri i tij dhe ai kujdeset për ata që i shërbejnë atij. Prandaj, nëpërmjet Isaisë ai bën një premtim mbresëlënës: «Në atë ditë duhet të ndodhë që rrënja e Jeseut do të ngrihet si një sinjal për popujt. Drejt tij kombet do të kthehen duke e kërkuar dhe vendi i tij i pushimit duhet të bëhet i lavdishëm.» (Isaia 11:10) Në vitin 537 p.e.s., Jerusalemi, qyteti që Davidi e kishte bërë kryeqytetin e kombit, shërbeu si një sinjal, i cili i bëri thirrje një mbetjeje besnike të judenjve të shpërndarë që të rikthehej dhe të rindërtonte tempullin.

17. Në ç’mënyrë ‘u ngrit [Jezui] për të sunduar njerëzit’ në shekullin e parë dhe në kohën tonë?

17 Megjithatë, profecia tregon më shumë se kaq. Siç e kemi parë tashmë, ajo i referohet sundimit të Mesisë, të vetmit Udhëheqës të vërtetë për njerëzit e të gjitha kombeve. Apostulli Pavël e citoi Isainë 11:10 për të treguar se në kohën e tij njerëzit e kombeve do të kishin një vend në kongregacionin e krishterë. Duke cituar përkthimin e Septuagintës për këtë varg, ai shkroi: «Isaia thotë: ‘Do të jetë rrënja e Jeseut dhe do të jetë një që do të ngrihet për të sunduar kombet; në të do ta varin shpresën e tyre kombet.’» (Romakëve 15:12) Veç kësaj, profecia shkon edhe më larg në kohë. Ajo shkon deri në ditët tona kur njerëzit e kombeve e tregojnë dashurinë e tyre për Jehovain duke mbështetur vëllezërit e mirosur të Mesisë.—Isaia 61:5-9; Mateu 25:31-40.

18. Në ç’mënyrë ka shërbyer Jezui si një pikë grumbullimi në ditët tona?

18 Në përmbushjen moderne, ‘ajo ditë’, së cilës i referohet Isaia, filloi kur Mesia hipi në fron si mbreti i Mbretërisë qiellore të Perëndisë, në vitin 1914. (Luka 21:10; 2 Timoteut 3:1-5; Zbulesa 12:10) Që nga ajo kohë, Jezu Krishti ka qenë një sinjal i qartë, një pikë grumbullimi për Izraelin frymor dhe për njerëzit e të gjitha kombeve që dëshirojnë me zjarr një qeveri të drejtë. Nën drejtimin e Mesisë, lajmi i mirë i Mbretërisë u është çuar të gjitha kombeve, ashtu siç paratha Jezui. (Mateu 24:14; Marku 13:10) Ky lajm i mirë ka një ndikim të fuqishëm. ‘Një shumicë e madhe, të cilën askush nuk është në gjendje ta numërojë, nga të gjitha kombet’, po i nënshtrohet Mesisë duke u bashkuar me mbetjen e mirosur në adhurimin e pastër. (Zbulesa 7:9) Ndërsa shumë të tjerë vazhdojnë të bashkohen me mbetjen në «shtëpinë [frymore] të lutjes» të Jehovait, ata i shtojnë lavdinë ‘vendit të pushimit’ të Mesisë, tempullit të madh frymor të Perëndisë.—Isaia 56:7; Hageu 2:7.

Një popull i bashkuar i shërben Jehovait

19. Cilat janë dy rastet kur Jehovai riorganizon një mbetje të popullit të tij të shpërndarë në gjithë tokën?

19 Më pas Isaia u kujton izraelitëve se Jehovai edhe në një rast të mëparshëm u kishte siguruar shpëtim, kur kombi kishte përjetuar shtypjen nga një armik i fuqishëm. Ajo pjesë e historisë së Izraelit,—çlirimi prej robërisë së Egjiptit që Jehovai i siguroi kombit,—është e çmuar në zemrat e të gjithë judenjve besimplotë. Isaia shkruan: «Në atë ditë duhet të ndodhë që Jehovai do ta shtrijë përsëri dorën e tij, për herë të dytë, për të marrë mbetjen e popullit të tij që do të mbetet nga Asiria, nga Egjipti, nga Pathrosi, nga Kushi, nga Elami, nga Shinari, nga Hamathi dhe nga ishujt e detit. Dhe me siguri ai do të ngrejë një sinjal për kombet e do të mbledhë të shpërndarët e Izraelit, dhe të përhapurit e Judës do t’i mbledhë së bashku nga të katër skajet e tokës.» (Isaia 11:11, 12) Njësoj sikur t’i merrte për dore, Jehovai do të nxjerrë nga kombet ku janë shpërndarë, një mbetje besnike si nga Izraeli, ashtu edhe nga Juda dhe do t’i çojë të sigurt në vendin e tyre. Në një shkallë të vogël, kjo ndodh në vitin 537 p.e.s. Por përmbushja kryesore është shumë herë më madhështore. Në vitin 1914, Jehovai e ngriti Jezu Krishtin e hipur në fron, si «një sinjal për kombet». Që nga viti 1919 mbetja e ‘Izraelit të Perëndisë’ filloi të grumbullohet rreth këtij sinjali, duke pritur me padurim të merrte pjesë në adhurimin e pastër nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë. Pjesëtarët e këtij kombi unik frymor vijnë «nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb».—Zbulesa 5:9.

20. Çfarë uniteti do të gëzojë populli i Perëndisë pas kthimit nga Babilonia?

20 Tani Isaia përshkruan unitetin e kombit të rivendosur. Duke iu referuar mbretërisë veriore me emrin Efraim dhe mbretërisë jugore me emrin Judë, ai thotë: «Xhelozia e Efraimit duhet të largohet, edhe ata që shfaqin armiqësi ndaj Judës do të këputen. Efraimi nuk do të jetë xheloz për Judën dhe Juda nuk do të shfaqë armiqësi ndaj Efraimit. Ata duhet të fluturojnë në shpatullën e filistejve në perëndim; së bashku ata do të plaçkitin bijtë e lindjes. Edomi dhe Moabi do të jenë ata mbi të cilët do të shtrijnë dorën e tyre dhe bijtë e Amonit do të jenë të nënshtruarit e tyre.» (Isaia 11:13, 14) Kur të kthehen nga Babilonia, judenjtë nuk do të jenë më të ndarë në dy kombe. Anëtarët e të gjitha fiseve të Izraelit do të kthehen të bashkuar në vendin e tyre. (Ezdra 6:17) Ata nuk do të shfaqin më mëri dhe armiqësi ndaj njëri-tjetrit. Si një popull i bashkuar ata do të dalin fitimtarë ndaj armiqve të tyre në kombet përreth.

21. Në ç’mënyrë spikat me të vërtetë uniteti i popullit të Perëndisë sot?

21 Uniteti i ‘Izraelit të Perëndisë’ është akoma më mbresëlënës. Për afro 2000 vjet, 12 fiset simbolike të Izraelit frymor kanë gëzuar një unitet të bazuar në dashurinë për Perëndinë dhe për vëllezërit e motrat e tyre frymore. (Kolosianëve 3:14; Zbulesa 7:4-8) Populli i Jehovait sot, duke përfshirë si izraelitët frymorë, ashtu edhe ata me shpresë tokësore, gëzon paqe dhe unitet mbarëbotëror nën sundimin e Mesisë, kushte që nuk ekzistojnë në kishat e të ashtuquajturit krishterim. Dëshmitarët e Jehovait përfaqësojnë një front të bashkuar frymor kundër përpjekjeve që bën Satanai për të penguar adhurimin e tyre. Si një popull i vetëm ata përmbushin caktimin që u dha Jezui, për të predikuar dhe mësuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Mesisë në të gjitha kombet.—Mateu 28:19, 20.

Pengesat do të kapërcehen

22. Në ç’mënyrë Jehovai ‘do ta këputë gjuhën e detit egjiptian’ dhe ‘do ta tundë dorën drejt Lumit’?

22 Ekzistojnë shumë pengesa, si reale, ashtu edhe të figurshme, që e vështirësojnë kthimin e Izraelitëve nga mërgimi. Si do të kapërcehen ato? Isaia thotë: «Jehovai me siguri do të këputë gjuhën e detit egjiptian dhe do të tundë dorën drejt Lumit në zjarrin e frymës së tij. Dhe duhet ta godasë atë në shtatë rrëketë e tij dhe faktikisht do të bëjë që njerëzit të ecin me sandale.» (Isaia 11:15) Është Jehovai ai që do t’i heqë të gjitha pengesat për kthimin e popullit të tij. Madje edhe një pengesë e frikshme si një gjuhë toke në Detin e Kuq (si për shembull Gjiri i Suezit) ose e pakalueshme si lumi i fuqishëm Eufrat, në kuptimin figurativ do të thahet, në mënyrë që një person të mund ta kapërcejë pa qenë nevoja të heqë sandalet.

23. Në ç’mënyrë «do të ketë një rrugë të gjerë që do të dalë nga Asiria»?

23 Në kohën e Moisiut, Jehovai përgatiti një rrugë që Izraeli të ikte nga Egjipti dhe të marshonte drejt Tokës së Premtuar. Tani ai do të bëjë diçka të ngjashme: «Duhet të ketë një rrugë të gjerë që do të dalë nga Asiria për mbetjen e popullit të tij që do të mbetet, ashtu siç kishte një të tillë për Izraelin në ditën kur u ngjit nga vendi i Egjiptit.» (Isaia 11:16) Jehovai do t’i udhëheqë të mërguarit që do të kthehen, sikur të ishin duke ecur në një rrugë të gjerë që shkon nga vendi i mërgimit në vendin e tyre. Kundërshtarët do të përpiqen t’i ndalin, por Jehovai, Perëndia i tyre, do të jetë me ta. Në mënyrë të ngjashme, të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre sulmohen egërsisht, por ata ecin përpara me guxim. Ata kanë dalë nga Asiria moderne, nga bota e Satanait, dhe ndihmojnë edhe të tjerët që të veprojnë po njëlloj. Ata e dinë se adhurimi i pastër do të triumfojë dhe do të lulëzojë. Kjo nuk është vepër e njeriut, por e Perëndisë.

Ngazëllim i pafund për nënshtetasit e Mesisë

24, 25. Cilat shprehje lavdërimi dhe mirënjohjeje do të thërrasë me zë të lartë populli i Jehovait?

24 Duke përdorur një gjuhë të gëzueshme, tani Isaia përshkruan ngazëllimin e popullit të Jehovait për përmbushjen e fjalës së Tij: «Në atë ditë me siguri do të thuash: ‘Unë do të të lavdëroj o Jehova, sepse ndonëse u zemërove me mua, zemërimi yt u tërhoq gradualisht dhe ti më ngushëllove.’» (Isaia 12:1) Ndëshkimi i Jehovait ndaj popullit të tij rebel është i ashpër. Por ai e arrin qëllimin e tij, d.m.th. ripërtëritjen e marrëdhënies së kombit me të dhe rivendosjen e adhurimit të pastër. Jehovai i siguron përsëri adhuruesit e tij besnikë se më në fund ai do t’i shpëtojë ata. S’është për t’u çuditur, pra, që ata shprehin çmueshmëri.

25 Izraelitët e kthyer kanë siguri të vërtetuar plotësisht te Jehovai, prandaj ata thërrasin me zë të lartë: «‘Ja! Perëndia është shpëtimi im. Do të kem besim dhe nuk do të frikësohem, sepse Jah Jehovai është forca dhe fuqia ime dhe ka qenë shpëtimi im.’ Sigurisht do të mbushni ujë me ngazëllim nga burimet e shpëtimit.» (Isaia 12:2, 3) Fjala hebraike e përkthyer «fuqi» në vargun 2, në versionin Septuagint përkthehet «lavdërim». Adhuruesit shpërthejnë në këngë lavdie për shpëtimin e siguruar nga «Jah Jehovai». «Jah» një formë e shkurtuar e emrit Jehova, përdoret në Bibël për të transmetuar në një shkallë më të lartë ndjenja lavdërimi dhe mirënjohjeje. Përdorimi i shprehjes «Jah Jehova», pra, përsëritja dy herë e emrit hyjnor, e ngre intensitetin e lavdërimit të Perëndisë në një shkallë akoma edhe më të lartë.

26. Cilët i bëjnë të njohura sot mes kombeve veprat e Perëndisë?

26 Adhuruesit e sinqertë të Jehovait nuk mund ta mbajnë gëzimin e tyre për vete. Isaia parathotë: «Në atë ditë me siguri do të thoni: ‘Jepini falënderime Jehovait! Thërritni emrin e tij. Bëni të njohura mes kombeve veprat e tij. Përmendni që emri i tij është lartësuar. Këndojini melodi Jehovait, sepse ka vepruar në një mënyrë të pashoqe. Kjo është bërë e njohur në gjithë tokën.’» (Isaia 12:4, 5) Që nga viti 1919, të krishterët e mirosur, të ndihmuar më vonë nga shokët e tyre të ‘deleve të tjera’, kanë ‘shpallur kudo shkëlqesitë e atij që i thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme’. Ata janë një «racë e zgjedhur, . . . një komb i shenjtë», i veçuar për këtë qëllim. (Gjoni 10:16; 1 Pjetrit 2:9) Të mirosurit shpallin që emri i shenjtë i Jehovait është lartësuar dhe e bëjnë të njohur këtë në gjithë tokën. Ata janë të parët ndër gjithë adhuruesit e Jehovait që gëzojnë për masat që ai ka marrë për shpëtimin e tyre. Është ashtu siç thërret Isaia: «Këlthit dhe bërtit nga gëzimi o banore e Sionit, sepse është i madh në mes teje i Shenjti i Izraelit!» (Isaia 12:6) I Shenjti i Izraelit është vetë Perëndia Jehova.

Ta presim të ardhmen me besim

27. Për çfarë janë të sigurt të krishterët, ndërsa presin realizimin e shpresës së tyre?

27 Sot, miliona njerëz janë grumbulluar rreth ‘sinjalit për kombet’, Jezu Krishtit të hipur në fron në Mbretërinë e Perëndisë. Për ta është një gëzim të jenë nënshtetas të kësaj Mbretërie dhe janë të emocionuar që njohin Perëndinë Jehova dhe Birin e tij. (Gjoni 17:3) Ata gjejnë lumturi të madhe në shoqërinë e tyre të krishterë që gëzon unitet dhe përpiqen fuqimisht të ruajnë paqen që është shenja dalluese e shërbëtorëve të vërtetë të Jehovait. (Isaia 54:13) Të bindur se Jah Jehovai është një Perëndi që i plotëson premtimet, ata janë të sigurt për shpresën e tyre dhe gjejnë kënaqësi të madhe kur e ndajnë atë me të tjerët. Çdo adhurues i Jehovait, le të vazhdojë ta përdorë gjithë forcën e tij për t’i shërbyer Perëndisë dhe për t’i ndihmuar të tjerët të veprojnë po njësoj! Le t’i marrim për zemër fjalët e Isaisë dhe le të gëzojmë për shpëtimin nëpërmjet Mesisë së Jehovait.

[Shënimet]

^ par. 2 Fjala «Mesi» rrjedh nga fjala hebraike mashi΄ach që do të thotë «I mirosur». Fjala ekuivalente greke është Khristos΄ ose «Krisht».—Mateu 2:4, shënimi.

^ par. 5 Fjala hebraike e përkthyer «filiz» është ne΄tser, ndërsa ajo e përkthyer «nazareas» është notsri΄.

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 158]

Mesia është «një degëz» e dalë nga Jeseu nëpërmjet mbretit David

[Figura që zë gjithë faqen 162]

[Figura në faqen 170]

Isaia 12:4, 5, ashtu siç shfaqet në rrotullat e Detit të Vdekur (Rastet e shfaqjes së emrit të Perëndisë janë nxjerrë në pah)