Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rrimë në pritje të Jehovait

Të rrimë në pritje të Jehovait

Kapitulli njëzet e tre

Të rrimë në pritje të Jehovait

Isaia 30:1-33

1, 2. (a) Çfarë përmban kapitulli 30 i Isaisë? (b) Cilat pyetje do të marrim në shqyrtim tani?

KAPITULLIN 30 të Isaisë lexojmë shpallje të mëtejshme hyjnore kundër të ligjve. Megjithatë, kjo pjesë e profecive të Isaisë nxjerr në pah disa nga cilësitë e Jehovait që të ngrohin zemrën. Në fakt, karakteristikat e Jehovait përshkruhen me fjalë kaq të gjalla, saqë, si të thuash, mund të shohim praninë ngushëlluese të tij, mund të dëgjojmë zërin e tij që na drejton dhe mund të ndiejmë prekjen e tij shëruese.—Isaia 30:20, 21, 26.

2 Pavarësisht nga kjo, bashkatdhetarët e Isaisë, banorët apostatë të Judës, refuzojnë të kthehen te Jehovai. Në vend të kësaj, ata e vendosin besimin te njeriu. Si ndihet Jehovai për këtë? Dhe si i ndihmon kjo pjesë e profecive të Isaisë të krishterët sot që të rrinë në pritje të Jehovait? (Isaia 30:18) Le ta zbulojmë.

Marrëzi dhe gabim fatal

3. Çfarë plani zbulon Jehovai?

3 Për njëfarë periudhe udhëheqësit e Judës kanë qenë duke bërë plane në fshehtësi për të gjetur një mënyrë që të mos vihen nën zgjedhën e Asirisë. Por Jehovai i ka parë. Tani, ai zbulon planin e tyre: «‘Mjerë bijtë kokëfortë,—është shprehja e Jehovait,—ata që janë të prirë të zbatojnë një këshillë, por jo atë që vjen nga unë, dhe të derdhin një libacion, por jo me frymën time, me qëllim që t’i shtojnë mëkatit mëkat; ata që nisen për të zbritur në Egjipt.’»—Isaia 30:1, 2a.

4. Në ç’mënyrë populli rebel i Perëndisë e vendos Egjiptin në vendin që i takon Perëndisë?

4 Ç’tronditje është për ata udhëheqës intrigantë kur dëgjojnë planin e tyre ndërsa zbulohet! Të shkosh në Egjipt për të lidhur aleancë me të është më tepër sesa thjesht një veprim armiqësor kundër Asirisë, është rebelim ndaj Perëndisë Jehova. Në kohën e mbretit David, kombi e konsideronte Jehovain si një fortesë dhe gjente strehë ‘nën hijen e krahëve të tij’. (Psalmi 27:1; 36:7, Dio) Tani ata «gjejnë mbrojtje në fortesën e faraonit» dhe «gjejnë strehë nën hijen e Egjiptit». (Isaia 30:2b) Ata e kanë vënë Egjiptin në vendin që i takon Perëndisë. Çfarë tradhtie!—Lexo Isainë 30:3-5.

5, 6. (a) Pse aleanca me Egjiptin është një gabim fatal? (b) Cili udhëtim i mëparshëm i popullit të Perëndisë nxjerr në pah marrëzinë e këtij udhëtimi për në Egjipt?

5 Sikur t’i jepte përgjigje ndonjë mendimi se misioni për në Egjipt është thjesht një vizitë e rastësishme, Isaia jep më shumë hollësi. «Shpallja kundër bishave të jugut: Përmes vendit të ankthit e të kushteve të vështira, të luanit dhe të leopardit që hungërin, të nepërkës dhe të gjarprit të zjarrtë fluturues, mbi shpatullat e gomarëve të rritur plotësisht ata transportojnë pasuritë e tyre dhe mbi gungat e deveve furnizimet e tyre.» (Isaia 30:6a) Është e qartë që udhëtimi është planifikuar mirë. Të dërguarit me punë formojnë një karvan devesh dhe gomarësh, të cilët i ngarkojnë me sende të kushtueshme dhe i udhëheqin drejt Egjiptit përmes një zone të shkretë plot me luanë që hungërijnë e me gjarpërinj helmues. Më në fund, të dërguarit me punë mbërrijnë në destinacion dhe ua dorëzojnë pasuritë e tyre egjiptianëve. Ata kanë blerë mbrojtje, ose të paktën kështu mendojnë. Por Jehovai thotë: «Ato do të dalin pa asnjë dobi për njerëzit. Egjiptianët janë thjesht kotësi dhe nuk do të ndihmojnë për asgjë. Prandaj thirra këtë: ‘Rahab—ata duan të rrinë pa lëvizur.’» (Isaia 30:6b, 7) ‘Rahabi’, një ‘përbindësh deti’, ishte simbol i Egjiptit. (Isaia 51:9, 10) Ai premton shumë, por nuk bën asgjë. Aleanca e Izraelit me të është një gabim fatal.

6 Ndërsa Isaia përshkruan udhëtimin e të dërguarve me punë, dëgjuesit e tij mund të sjellin ndër mend një udhëtim të ngjashëm të bërë në ditët e Moisiut. Etërit e tyre ecën përmes së njëjtës ‘shkretëtirë të tmerrshme’. (Ligji i përtërirë 8:14-16, Dio) Por në ditët e Moisiut, izraelitët po largoheshin nga Egjipti dhe nga robëria. Kësaj here të dërguarit me punë po shkojnë drejt Egjiptit dhe, faktikisht, drejt nënshtrimit. Çfarë marrëzie! Mos marrshim kurrë një vendim të pamend si ky, duke e shkëmbyer lirinë tonë frymore me skllavërinë!—Krahaso Galatasve 5:1.

Kundërshtim ndaj mesazhit të profetit

7. Pse Jehovai i thotë Isaisë që ta shkruajë paralajmërimin e Tij drejtuar Judës?

7 Jehovai i thotë Isaisë të shkruajë mesazhin që sapo ka shpallur, me qëllim që «të shërbejë për një ditë të ardhshme, si një dëshmi deri në kohë të pacaktuar». (Isaia 30:8) Mosmiratimi i Jehovait sepse i konsideruan aleancat njerëzore si më të rëndësishme se mbështetja tek Ai, duhet të hidhet me shkrim për dobinë e brezave të ardhshëm, duke përfshirë edhe brezin tonë sot. (2 Pjetrit 3:1-4) Megjithatë, ekziston një nevojë akoma më urgjente për të shkruar diçka tjetër. «Është një popull rebel, bij gënjeshtarë, bij që nuk kanë qenë të gatshëm të dëgjojnë ligjin e Jehovait.» (Isaia 30:9) Populli i ka hedhur poshtë këshillat e Perëndisë. Prandaj, kjo duhet shkruar në mënyrë që më vonë të mos e mohojnë që iu dha paralajmërimi i duhur.—Proverbat 28:9; Isaia 8:1, 2.

8, 9. (a) Në ç’mënyrë përpiqen udhëheqësit e Judës t’i korruptojnë profetët e Jehovait? (b) Në ç’mënyrë tregon Isaia se nuk do të trembet?

8 Tani, Isaia jep një shembull të qëndrimit rebel të popullit. Ata «i kanë thënë atyre që shohin ‘Nuk duhet të shihni’ dhe atyre që kanë vizione ‘Nuk duhet të shihni në vizione asgjë të drejtë për ne. Na thoni gjëra të këndshme, shihni në vizione gjëra mashtruese’». (Isaia 30:10) Duke i urdhëruar profetët e besueshëm që të mos thonë më atë që është ‘e drejtë’ ose e vërtetë, por përkundrazi të thonë gjëra «të këndshme» dhe «mashtruese» ose të rreme, udhëheqësit e Judës tregojnë se dëshirojnë që ata t’u gudulisin veshët. Duan të lavdërohen, jo të dënohen. Sipas tyre, çdo profet që nuk është i gatshëm të profetizojë sipas parapëlqimeve të tyre duhet ‘të dalë nga rruga, të devijojë nga shtegu’. (Isaia 30:11a) Ose duhet të flasë gjëra të këndshme për veshin, ose duhet të pushojë së predikuari fare.

9 Kundërshtarët e Isaisë këmbëngulin: «Bëni të mos ekzistojë i Shenjti i Izraelit vetëm për shkakun tonë.» (Isaia 30:11b) Le të pushojë Isaia së foluri në emër të Jehovait, ‘të Shenjtit të Izraelit’! Pikërisht ky titull i acaron ata, sepse standardet e larta të Jehovait nxjerrin në pah gjendjen e tyre të ulët. Si reagon Isaia? Ai deklaron: «Kjo është ajo që ka thënë i Shenjti i Izraelit.» (Isaia 30:12a) Pa ngurrim, Isaia shqipton pikërisht ato fjalë që kundërshtarët e tij kanë zët të dëgjojnë. Ai nuk do të trembet. Çfarë shembulli i shkëlqyer për ne! Kur bëhet fjalë për predikimin e mesazhit të Perëndisë, të krishterët nuk duhet të bëjnë kurrë kompromis. (Veprat 5:27-29) Ashtu si Isaia, ata vazhdojnë të shpallin: ‘Kjo është ajo që ka thënë Jehovai!’

Pasojat e rebelimit

10, 11. Cilat do të jenë pasojat e rebelimit të Judës?

10 Juda e ka hedhur poshtë fjalën e Perëndisë, ka besuar një gënjeshtër dhe është mbështetur në «atë që është e shtrembër». (Isaia 30:12b) Cilat do të jenë pasojat? Në vend që të largohet nga skena ashtu siç dëshiron kombi, Jehovai do të bëjë që kombi të pushojë së ekzistuari! Kjo do të ndodhë papritur dhe në një masë të plotë, siç e thekson Isaia me anë të një ilustrimi. Rebelimi i kombit është si një «pjesë e thyer gati për t’u rrëzuar, një fryrje në një mur shumë të ngritur, shembja e të cilit mund të vijë papritur, në një çast». (Isaia 30:13) Ashtu si një fryrje në një mur të lartë që zmadhohet gjithnjë e më shumë, mund të bëjë që muri të shembet më në fund, edhe rebelimi gjithnjë e në rritje i bashkëkohësve të Isaisë do të shkaktojë shkatërrimin e kombit.

11 Nëpërmjet një ilustrimi tjetër, Isaia tregon se shkatërrimi i ardhshëm do të jetë i plotë: «Do ta thyejnë ashtu si thyhet një qyp i madh poçarësh, të cilin e thërrmojnë dhe nuk e kursejnë, në mënyrë që të mos jetë e mundur të gjendet midis copave të thërrmuara të tij një fragment qeramike me të cilin të merret zjarri nga vatra ose të merret ujë nga një vend moçalor.» (Isaia 30:14) Shkatërrimi i Judës do të jetë kaq i plotë, saqë nuk do të mbetet në të asgjë me vlerë, madje as edhe një fragment qeramike me madhësi të mjaftueshme për të marrë hi të nxehtë nga një vatër ose për të marrë ujë nga një moçal. Çfarë fundi i turpshëm! Shkatërrimi i ardhshëm i atyre që rebelohen ndaj adhurimit të vërtetë sot do të jetë po kaq i papritur dhe i plotë.—Hebrenjve 6:4-8; 2 Pjetrit 2:1.

Oferta e Jehovait hidhet poshtë

12. Si mund ta shmangë shkatërrimin populli i Judës?

12 Megjithatë, për dëgjuesit e Isaisë, shkatërrimi nuk është i pashmangshëm. Ka një mënyrë shpëtimi. Profeti shpjegon: «Kjo është ajo që ka thënë Zotëria Sovran Jehova, i Shenjti i Izraelit: ‘Duke u kthyer dhe duke pushuar, do të shpëtoni. Fuqia juaj do të shfaqet thjesht në qëndrimin të pashqetësuar dhe në besimin tuaj.’» (Isaia 30:15a) Jehovai është gati ta shpëtojë popullin e tij nëse ai shfaq besim, duke «pushuar», d.m.th. duke mos u përpjekur ta sigurojë shpëtimin nëpërmjet aleancave njerëzore dhe duke ‘qëndruar i pashqetësuar’, d.m.th. duke treguar besim në fuqinë mbrojtëse të Perëndisë e duke mos u frikësuar. «Por,—i thotë Isaia popullit,—ju nuk deshët.»—Isaia 30:15b.

13. Ku besojnë udhëheqësit e Judës dhe a është i justifikuar ky besim?

13 Pastaj Isaia e shtjellon më tej thënien e tij: «Dhe thatë: ‘Jo, do t’ia mbathim mbi kuaj.’ Për këtë arsye do t’ia mbathni. ‘Dhe mbi kuaj të shpejtë do të kalërojmë.’ Për këtë arsye ata që do t’ju ndjekin do të tregohen të shpejtë.» (Isaia 30:16) Judenjtë mendojnë se shpëtimi i tyre do të varet nga kuajt e shpejtë dhe jo nga Jehovai. (Ligji i përtërirë 17:16; Proverbat 21:31) Megjithatë, siç kundërshton profeti, besimi i tyre do të jetë vetëm një iluzion, pasi armiqtë do t’i arrijnë. Edhe pse do të jenë të shumtë në numër, kjo nuk do t’u vlejë. «Një mijë do të dridhen për shkak të qortimit të një të vetmi; për shkak të qortimit të pesë vetëve do t’ia mbathni.» (Isaia 30:17a) Forcat ushtarake të Judës do t’i zërë paniku dhe do t’ia mbathin sa të dëgjojnë thirrjet e një grushti njerëzish nga armiku. Më në fund, vetëm një mbetje do të mbetet, e vetme, «si një shtyllë në majë të një mali dhe si një sinjal mbi një kodër». (Isaia 30:17b) Në përmbushje të profecisë, kur Jerusalemi shkatërrohet në vitin 607 p.e.s., vetëm një mbetje mbijeton.—Jeremia 25:8-11.

Ngushëllim mes dënimit

14, 15. Çfarë ngushëllimi u japin fjalët e Isaisë 30:18 banorëve të Judës në kohën e lashtë dhe të krishterëve të vërtetë sot?

14 Ndërsa këto fjalë që të futin në mendime janë ende duke kumbuar në veshët e dëgjuesve të Isaisë, toni i mesazhit të tij ndryshon. Paralajmërimi për një katastrofë, i lë vendin premtimit për bekime. «Për këtë arsye, Jehovai do të rrijë në pritje për t’ju treguar favor dhe për këtë arsye do të ngrihet për t’ju treguar mëshirë. Sepse Jehovai është një Perëndi gjykimi. Të lumtur janë të gjithë ata që rrinë në pritje të tij.» (Isaia 30:18) Çfarë fjalësh inkurajuese! Jehovai është një Atë i dhembshur që ka një dëshirë të zjarrtë për t’i ndihmuar fëmijët e tij. Ai gjen kënaqësi kur shfaq mëshirë.—Psalmi 103:13; Isaia 55:7.

15 Këto fjalë ngushëlluese zbatohen për mbetjen judeje që lejohet në mënyrë të mëshirshme të mbijetojë gjatë shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. dhe atyre pak njerëzve që kthehen në Tokën e premtuar në vitin 537 p.e.s. Megjithatë, fjalët e profetit ngushëllojnë edhe të krishterët sot. Ato na kujtojnë se Jehovai «do të ngrihet» në favorin tonë, duke i dhënë fund kësaj bote të ligë. Adhuruesit besnikë mund të jenë të sigurt se Jehovai, ‘Perëndia i gjykimit’, nuk do ta lërë botën e Satanait të ekzistojë as për një ditë më shumë sesa e kërkon drejtësia. Prandaj, «ata që rrinë në pritje të tij» kanë shumë arsye për të qenë të lumtur.

Jehovai e ngushëllon popullin e tij duke iu përgjigjur lutjeve

16. Si i ngushëllon Jehovai të shkurajuarit?

16 Por disa mund të ndihen të shkurajuar, pasi çlirimi nuk ka ardhur aq shpejt sa kishin shpresuar. (Proverbat 13:12; 2 Pjetrit 3:9) Ata mund të nxjerrin ngushëllim nga fjalët vijuese të Isaisë, të cilat nxjerrin në pah një aspekt të veçantë të personalitetit të Jehovait. «Kur populli i Sionit të banojë në Jerusalem, nuk do të vajtosh aspak. Ai do të të tregojë me siguri favor sapo të dëgjojë tingullin e thirrjes sate; sapo ta dëgjojë, në të vërtetë do të të përgjigjet.» (Isaia 30:19) Me këto fjalë, duke kaluar nga numri shumës në vargun 18, në numrin njëjës në vargun 19, Isaia transmeton butësi. Kur Jehovai i ngushëllon të dëshpëruarit, ai merret me çdo person individualisht. Si një Atë, ai nuk e pyet një person të shkurajuar: ‘Pse s’mund të jesh i fortë si vëllai yt?’ (Galatasve 6:4) Përkundrazi, ai dëgjon me vëmendje gjithsecilin. Në fakt, ‘sapo ta dëgjojë, në të vërtetë do të përgjigjet’. Çfarë fjalësh ngushëlluese! Të shkurajuarit mund të marrin shumë forcë, nëse i luten Jehovait.—Psalmi 65:2.

Të dëgjojmë zërin e Perëndisë që na drejton, duke lexuar fjalën e tij

17, 18. Në ç’mënyrë siguron udhëheqje Jehovai edhe në kohë të vështira?

17 Ndërsa vazhdon fjalimin e tij, Isaia u kujton dëgjuesve të tij se do të vijnë kohë të vështira. Njerëzit do të marrin «bukë në formë ankthi dhe ujë në formë shtypjeje». (Isaia 30:20a) Ankthi dhe shtypja që do të përjetojnë kur të jenë të rrethuar do të bëhen kaq të zakonshme sa buka dhe uji. Prapëseprapë, Jehovai është i gatshëm t’i çlirojë njerëzit me zemër të drejtë. «Mësuesi yt i Madh nuk do të fshihet më dhe sytë e tu duhet të bëhen sy që shohin Mësuesin tënd të Madh. Dhe veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: ‘Kjo është udha. Ecni në të’, në rast se do të shkoni djathtas ose në rast se do të shkoni majtas.»—Isaia 30:20b, 21.

18 Jehovai është ‘Mësuesi i Madh’. Nuk ka asnjë që të barazohet me të si mësues. Por, si mund ta «shohin» dhe ta «dëgjojnë» njerëzit atë? Jehovai e zbulon veten nëpërmjet profetëve të tij, fjalët e të cilëve janë shkruar në Bibël. (Amosi 3:6, 7) Sot, kur adhuruesit besnikë lexojnë Biblën, është njësoj sikur zëri atëror i Perëndisë po u tregon rrugën që duhet të ndjekin dhe po i nxit të ndreqin mënyrën e sjelljes së tyre me qëllim që të ecin në atë rrugë. Çdo i krishterë duhet të dëgjojë me kujdes ndërsa Jehovai flet nëpërmjet faqeve të Biblës dhe nëpërmjet botimeve të bazuara në Bibël të siguruara nga «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45-47) Secili prej nesh, le t’i kushtohet leximit të Biblës, sepse kjo ‘është jeta e tij’.—Ligji i përtërirë 32:46, 47, Dio; Isaia 48:17.

Të meditojmë rreth bekimeve të ardhshme

19, 20. Çfarë bekimesh i presin ata që i përgjigjen zërit të Mësuesit të Madh?

19 Ata që i përgjigjen zërit të Mësuesit të Madh do t’i zhdukin shëmbëlltyrat e tyre të gdhendura, duke i konsideruar si diçka e neveritshme. (Lexo Isainë 30:22.) Atëherë, ata persona të ndjeshëm do të gëzojnë bekime të mrekullueshme. Këto bekime përshkruhen nga Isaia, siç lexohet në Isainë 30:23-26, një profeci e gëzueshme rivendosjeje që përmbushet për herë të parë kur një mbetje judenjsh kthehet nga robëria në vitin 537 p.e.s. Sot, kjo profeci na ndihmon të kuptojmë gjërat e mrekullueshme që bën të mundura Mesia në parajsën e tanishme frymore dhe ato që do të bëjë në Parajsën e mirëfilltë në të ardhmen.

20 «Ai do të japë me siguri shiun për farën tënde me të cilën mbjell tokën dhe si prodhim të tokës bukë, e cila duhet të bëhet e majme dhe e yndyrshme. Gjëja jote e gjallë do të kullotë në atë ditë në një kullotë të gjerë. Dhe gjedhët e gomarët e rritur plotësisht që punojnë tokën do të hanë tagji të përzier me lëpjetë, e cila është hedhur në erë me lopatë dhe me sfurk.» (Isaia 30:23, 24) Buka «e majme dhe e yndyrshme», d.m.th. e pasur me vlera ushqyese, do të jetë ushqimi bazë i përditshëm i njeriut. Toka do të prodhojë kaq me bollëk, saqë do të përfitojnë edhe kafshët. Gjëja e gjallë do të ushqehet me «tagji të përzier me lëpjetë», një tagji e shijshme e ruajtur për raste të rralla. Ky ushqim madje është «hedhur në erë», një trajtim ky i cili normalisht i bëhet vetëm drithit që do të konsumohet nga njerëzit. Çfarë hollësish të këndshme paraqet këtu Isaia për të ilustruar bollëkun e bekimeve të Jehovait mbi njerëzimin besnik!

21. Përshkruani masën e plotë të bekimeve që do të vijnë.

21 «Mbi çdo mal të lartë dhe mbi çdo kodër të ngritur duhet të ketë vërshime.» (Isaia 30:25a) Isaia bën një përshkrim të përshtatshëm, duke theksuar masën e plotë të bekimeve të Jehovait. Nuk do të ketë mungesë uji—një gjë e çmuar që do të rrjedhë jo vetëm në vende të ulëta, por mbi çdo mal, po, «mbi çdo mal të lartë dhe mbi çdo kodër të ngritur». Vërtet, uria do të jetë diçka e së kaluarës. (Psalmi 72:16) Më tej, vëmendja e profetit shkon në gjëra më të larta se malet. «Drita e hënës së plotë duhet të bëhet si drita e diellit rrezatues dhe drita e diellit rrezatues do të bëhet edhe shtatë herë sa është, si drita e shtatë ditëve, ditën kur Jehovai do të fashojë thyerjen e popullit të tij dhe do të shërojë madje edhe plagën e rëndë të shkaktuar nga goditja e tij.» (Isaia 30:26) Çfarë kulmi drithërues për këtë profeci madhështore! Lavdia e Perëndisë do të ndriçojë me gjithë shkëlqimin e saj. Bekimet që i presin adhuruesit besnikë të Perëndisë do të tejkalojnë në një masë të madhe—shtatë herë—çdo gjë që kanë përjetuar më parë.

Gjykim dhe gëzim

22. Në kontrast me bekimet që do të vijnë për besnikët, çfarë ka rezervuar Jehovai për të ligjtë?

22 Toni i mesazhit të Isaisë ndryshon përsëri. «Ja,—thotë ai, si për të tërhequr vëmendjen e dëgjuesve të tij,—emri i Jehovait po vjen nga larg, i ndezur me zemërimin e tij dhe me re të dendura. Sa për buzët e tij, ato janë bërë plot me denoncim dhe gjuha e tij është si një zjarr gllabërues.» (Isaia 30:27) Deri tani, Jehovai ka qëndruar mënjanë, duke i lejuar armiqtë e popullit të tij të ndjekin rrugën e tyre. Tani ai afrohet, si një shtrëngatë që është duke ardhur, për të ekzekutuar gjykimin e tij. «Fryma e tij është si një përrua përmbytës që arrin deri në qafë, për t’i lëkundur kombet sa andej-këtej me një shoshë pavlefshmërie dhe një fre që e bën një njeri të shkojë sa andej-këtej, do të jetë në nofullat e popujve.» (Isaia 30:28) Armiqtë e popullit të Perëndisë do të rrethohen nga «një përrua përmbytës», do të lëkunden me forcë «sa andej-këtej me një shoshë» dhe do të drejtohen me «një fre». Ata do të shkatërrohen.

23. Çfarë gjëje u shkakton «gëzim zemre» të krishterëve të sotëm?

23 Toni i Isaisë ndryshon përsëri, ndërsa përshkruan gjendjen e lumtur të adhuruesve besnikë që do të kthehen një ditë në vendin e tyre. «Ju do të keni një këngë si ajo e natës, në të cilën një njeri shenjtërohet për një festë, dhe një gëzim zemre si ai i një njeriu që ecën me një fyell për të hyrë në malin e Jehovait, në Shkëmbin e Izraelit.» (Isaia 30:29) Të krishterët e vërtetë sot përjetojnë një «gëzim zemre» të ngjashëm, ndërsa mendojnë për gjykimin e botës së Satanait, për mbrojtjen që u ka ofruar Jehovai, ‘Shkëmbi i shpëtimit’, dhe për bekimet e ardhshme të Mbretërisë.—Psalmi 95:1.

24, 25. Si e thekson profecia e Isaisë realitetin e gjykimit të ardhshëm të Asirisë?

24 Pas kësaj shprehjeje gëzimi, Isaia i kthehet përsëri temës së gjykimit dhe identifikon objektin e zemërimit të Jehovait. «Jehovai do të bëjë me siguri që të dëgjohet dinjiteti i zërit të tij dhe të shikohet ulja e krahut të tij, në ndezjen e zemërimit, në flakën e një zjarri gllabërues, në rrebesh, në stuhi dhe në kokrrat e breshërit. Sepse për shkak të zërit të Jehovait Asiria do të goditet nga terrori, ai do ta godasë atë edhe me një shkop.» (Isaia 30:30, 31) Nëpërmjet këtij përshkrimi të gjallë, Isaia thekson realitetin e gjykimit të Asirisë nga Perëndia. Në fakt, Asiria qëndron para Perëndisë dhe dridhet kur shikon ‘uljen e krahut’ të tij të gjykimit.

25 Profeti vazhdon: «Çdo lëvizje e shkopit të ndëshkimit që Jehovai do të bëjë të bjerë mbi Asirinë do të jetë me siguri me dajre dhe me harpa, dhe faktikisht ai do të luftojë kundër tyre me beteja të karakterizuara nga vringëllima e armëve. Sepse Tofeti i tij është rregulluar nga pak kohë, është, gjithashtu, i përgatitur për vetë mbretin. Ai e ka bërë grumbullin e tij të thellë. Zjarri dhe druri janë me bollëk. Fryma e gojës së Jehovait, si një rrëke squfuri, po e djeg atë.» (Isaia 30:32, 33) Tofeti në Luginën e Hinomit përdoret në këtë rast si një vend figurativ, i cili digjet me zjarr. Duke treguar se Asiria do të përfundojë atje, Isaia thekson shkatërrimin e menjëhershëm dhe të plotë që do të bjerë mbi atë komb.—Krahaso 2 Mbretërve 23:10.

26. (a) Çfarë aplikimi modern kanë shpalljet e Jehovait kundër Asirisë? (b) Si qëndrojnë në pritje të Jehovait të krishterët e sotëm?

26 Ndonëse ky mesazh gjykimi i drejtohet Asirisë, domethënia e profecisë së Isaisë shkon më larg. (Romakëve 15:4) Në kuptimin figurativ, Jehovai do të vijë përsëri për të përmbytur, lëkundur dhe drejtuar me fre të gjithë ata që shtypin popullin e tij. (Ezekieli 38:18-23; 2 Pjetrit 3:7; Zbulesa 19:11-21) Ardhtë shpejt ajo ditë! Ndërkohë, të krishterët e presin me padurim ditën e çlirimit. Ata marrin forcë nga meditimi rreth fjalëve të gjalla të shkruara në kapitullin 30 të Isaisë. Këto fjalë i inkurajojnë shërbëtorët e Perëndisë ta çmojnë privilegjin e lutjes, t’i kushtohen leximit të Biblës dhe të meditojnë rreth bekimeve të ardhshme të Mbretërisë. (Psalmi 42:1, 2; Proverbat 2:1-6; Romakëve 12:12) Prandaj, fjalët e Isaisë na ndihmojnë të gjithëve që të rrimë në pritje të Jehovait.

[Shënimet]

Vëreni që, nëse Juda do të kishte qenë besnike, mund të ndodhte krejt e kundërta.—Levitiku 26:7, 8.

Ky është i vetmi vend në Bibël ku Jehovai quhet ‘Mësues i Madh’.

Isainë 30:25b lexohet: «Në ditën e masakrës së madhe kur kullat do të bien.» Në përmbushjen fillestare, kjo mund t’i referohet rënies së Babilonisë, ngjarje e cila hapi rrugën që Izraeli të gëzonte bekimet e parathëna në Isainë 30:18-26. (Shih paragrafin 19.) Kjo mund t’i referohet edhe shkatërrimit në Harmagedon, i cili do të bëjë të mundur përmbushjen më të madhe të këtyre bekimeve në botën e re.

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 305]

Në kohën e Moisiut, Izraelitët ia mbathën nga Egjipti. Në kohën e Isaisë, Juda shkon në Egjipt për të kërkuar ndihmë

[Figura në faqen 311]

«Mbi çdo kodër të ngritur duhet të ketë vërshim»

[Figura në faqen 312]

Jehovai do të vijë «me zemërimin e tij dhe me re të dendura»