Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Alternativa me cilësi ndaj transfuzionit

Alternativa me cilësi ndaj transfuzionit

Alternativa me cilësi ndaj transfuzionit

Mund të mendoni: ‘Transfuzionet janë të rrezikshme, por a ekzistojnë alternativa me cilësi të lartë?’ Pyetje me vend; dhe vëreni fjalën «me cilësi».

Çdo njeri, përfshirë Dëshmitarët e Jehovait, dëshiron kujdes mjekësor të efektshëm dhe me cilësi të lartë. Dr. Grant E. Steffen tërhoqi vëmendjen ndaj dy elementeve kyç: «Kujdesi mjekësor me cilësi është aftësia e pjesëve përbërëse të këtij kujdesi për të arritur qëllime të ligjshme mjekësore dhe jomjekësore.» (The Journal of the American Medical Association, 1 korrik 1988) ‘Qëllimet jomjekësore’ do të përfshinin mosdhunimin e etikës së pacientit, ose të ndërgjegjes së tij të stërvitur sipas Biblës.​—Veprat 15:28, 29.

A ekzistojnë mënyra të ligjshme dhe të efektshme për të zgjidhur problemet e rënda mjekësore pa përdorur gjak? Lumturisht, përgjigjja është po.

Ndonëse shumica e kirurgëve kanë pohuar se kishin dhënë gjak vetëm kur kishte qenë absolutisht e nevojshme, pas shpërthimit të epidemisë së SIDA-s, përdorimi i gjakut nga ana e tyre ra me shpejtësi. Një kryeartikull i Mayo Clinic Proceedings (shtator 1988) tha se «një nga dobitë e pakta të epidemisë» ishte se ajo «solli si pasojë strategji të ndryshme nga ana e pacientëve dhe e mjekëve për të shmangur transfuzionin e gjakut». Një punonjës i një Qendre të Konservimit të Gjakut shpjegon: «Ajo që ka ndryshuar është forca e mesazhit, aftësia thithëse e personelit mjekësor ndaj mesazhit (për shkak të një perceptimi të rritur të rreziqeve) dhe kërkesa për të peshuar alternativat.»​—Transfusion Medicine Reviews, tetor 1989.

Vëreni, ekzistojnë alternativa! Kjo bëhet e kuptueshme, kur rishqyrtojmë arsyen se përse transfuzohet gjaku.

Hemoglobina që ndodhet në rruazat e kuqe mbart oksigjenin, i cili është i nevojshëm për shëndetin e mirë dhe për jetën. Kështu që, nëse një person ka humbur shumë gjak, mund të duket e logjikshme që thjesht të zëvendësohet ky gjak. Normalisht ne kemi 14 ose 15 gramë hemoglobinë në çdo 100 centimetra kub gjak. (Një tjetër mënyrë matjeje e përqendrimit është hematokriti, i cili është zakonisht rreth 45 për qind.) «Rregulla» e pranuar ishte që, nëse një pacient e kishte sasinë e hemoglobinës nën 10 (ose hematokritin 30 për qind), t’i bëhej transfuzion para operacionit. Gazeta zvicerane Vox Sanguinis (mars 1987) njoftonte se «65% e [anesteziologëve] kërkonin që, për t’iu nënshtruar kirurgjisë përzgjedhëse, pacientët ta kishin sasinë e hemoglobinës 10 g/dl para operacionit».

Por në një konferencë mbi transfuzionet e gjakut, në vitin 1988, profesori Hauard L. Zauder pyeti: «Si arritëm te ky ‘numër magjik’?» Ai u shpreh qartë: «Origjina e kërkesës që një pacient të ketë 10 gram hemoglobinë (Hb) para marrjes së një anestetiku, është e maskuar nga tradita, e mbuluar me mjegull dhe e pambështetur nga prova klinike ose eksperimentale.» Mendoni ata mijëra e mijëra pacientë, të cilëve u ishte bërë transfuzion, duke u nisur nga një kërkesë «e mjegullt, e pambështetur»!

Disa mund të mendojnë: ‘Përse niveli normal i hemoglobinës është 14, nëse mund t’ia dalim mbanë me shumë më pak?’ Epo, në këtë mënyrë ju keni rezerva të konsiderueshme të aftësisë për të mbartur oksigjenin, që të jeni gati për raste ushtrimesh fizike apo pune të rëndë. Madje studimet mbi pacientët anemikë zbulojnë se «është e vështirë të diktohet ndonjë mangësi në aftësinë për punë, edhe kur përqendrimi i hemoglobinës është vetëm 7g/dl. Të tjerë kanë gjetur prova të një dobësimi shumë të vogël të funksioneve.»​—Praktika bashkëkohore të transfuzioneve (Contemporary Transfusion Practice), 1987.

Ndërkohë që të rriturit përshtaten ndaj një niveli të ulët të hemoglobinës, ç’të themi për fëmijët? Dr. Xheims A. Stokman III thotë: «Me përjashtime të pakta, foshnjat e lindura para kohe përjetojnë një rënie të sasisë së hemoglobinës në një deri tre muajt e parë . . . Në lidhje me të porsalindurit, treguesit për transfuzion nuk janë të përcaktuar mirë. Në të vërtetë, shumë foshnja duket se u rezistojnë niveleve jashtëzakonisht të ulta të përqendrimit të hemoglobinës, pa asnjë vështirësi të dukshme klinike.»​—Pediatric Clinics of North America, shkurt 1986.

Këto informacione nuk nënkuptojnë që s’duhet bërë asgjë, kur një njeri humb shumë gjak në një aksident ose gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale. Nëse humbja është e menjëhershme dhe e madhe, presioni i gjakut ulet dhe personi mund të bjerë në gjendje shoku. Ajo që duhet bërë në radhë të parë është që të ndalohet gjakrrjedhja dhe të rivendoset vëllimi në sistemin e tij qarkullues. Kjo do të shërbejë për të parandaluar gjendjen e shokut dhe për të mbajtur në qarkullim rruazat e kuqe që kanë mbetur dhe përbërësit e tjerë.

Zëvendësimi i vëllimit mund të kryhet pa përdorur gjak komplet ose plazmë gjaku. * Disa lëngje të ndryshme jogjakore, janë shtuese të efektshme të vëllimit. Më i thjeshti është solucioni fiziologjik, i cili është si jo i kushtueshëm, ashtu edhe i përputhshëm me gjakun tonë. Ekzistojnë, gjithashtu, lëngje me veti të veçanta të tilla, si: dekstrani, Hemaceli dhe tretësira Ringer-laktat. Hetastarch-u (HES) është një nga shtuesit më të rinj të vëllimit dhe «mund të rekomandohet në mënyrë të sigurt për ata pacientë [të vendosur] që refuzojnë përbërësit e gjakut». (Journal of Burn Care & Rehabilitation, janar-shkurt 1989) Këto lëngje kanë epërsi të dukshme. «Tretësirat kristalore [të tilla, si: solucioni fiziologjik, tretësira Ringer-laktat], Dekstran-i dhe HES-i janë relativisht johelmuese dhe të lira, gjenden me lehtësi, mund të ruhen në temperaturën e dhomës, nuk kanë nevojë për kontrolle të përputhshmërisë dhe nuk mbartin rreziqet e sëmundjeve të transmetuara nga transfuzioni.»​—Blood Transfusion Therapy—A Physician’s Handbook, 1989.

Megjithatë, ju mund të pyesni: ‘Pse lëngjet zëvendësuese jogjakore janë të efektshme, përderisa për të transportuar oksigjenin në trup, nevojiten rruazat e kuqe?’ Siç u tha, ju keni rezerva për mbartjen e oksigjenit. Nëse humbitni gjak, futen në punë mekanizma të mrekullueshëm kompensues. Në çdo rrahje, zemra pompon më shumë gjak. Duke qenë se gjaku i humbur u zëvendësua nga një lëng i përshtatshëm, gjaku që tashmë është i holluar rrjedh më me lehtësi, madje edhe në enët e vogla. Si rezultat i shndërrimeve kimike, në inde çlirohet më shumë oksigjen. Këto përshtatje janë kaq të efektshme, sa, sikur të mbetet vetëm gjysma e rruazave të kuqe, mund të çlirohet rreth 75 për qind e oksigjenit që çlirohet në gjendje normale. Një pacient në gjendje qetësie, përdor vetëm 25 për qind të oksigjenit që ndodhet në gjakun e tij. Dhe shumica e anestetikëve për anestezinë e përgjithshme e ulin nevojën e organizmit për oksigjen.

SI MUND TË NDIHMOJNË MJEKËT?

Mjekët e kualifikuar mund ta ndihmojnë një njeri që ka humbur gjak dhe që, në këtë mënyrë, ka më pak rruaza të kuqe. Pas rivendosjes së vëllimit, mjekët mund të japin oksigjen në përqendrim të lartë. Kjo gjë bën që organizmi të ketë më shumë oksigjen në dispozicion dhe ka pasur shpesh rezultate të jashtëzakonshme. Mjekët britanikë e përdorën këtë mjekim te një grua, e cila kishte humbur aq shumë gjak, sa «hemoglobina e saj ra në 1,8 g/dlitër. Ajo u trajtua me sukses . . . [me] thithje të oksigjenit në përqendrime të larta dhe transfuzione tretësire xhelatinore [Hemacel] në vëllime të mëdha». (Anaesthesia, janar 1987) Relacioni thotë, gjithashtu, se pacientë të tjerë me humbje të menjëhershme gjaku, ishin trajtuar me sukses në dhoma hiperbarike me oksigjen.

Mjekët mund t’i ndihmojnë pacientët e tyre edhe për të prodhuar më shumë rruaza të kuqe. Në ç’mënyrë? Duke u dhënë preparate që përmbajnë hekur (me rrugë muskulare ose venoze), të cilat mund ta ndihmojnë organizmin që t’i prodhojë rruazat e kuqe tre deri në katër herë më shpejt sesa normalisht. Kohët e fundit është në dispozicion një ndihmës tjetër. Veshkat tuaja prodhojnë një hormon të quajtur eritropojetin (EPO), i cili stimulon palcën e kockave që të prodhojë rruaza të kuqe. Tani është në dispozicion eritropojetini sintetik (rikombinant). Mjekët mund t’ia japin këtë disa pacientëve anemikë, duke i ndihmuar kështu të prodhojnë me shpejtësi të madhe rruaza të kuqe zëvendësuese.

Kirurgët dhe anesteziologët e aftë e të ndërgjegjshëm mund të ndihmojnë edhe gjatë ndërhyrjes kirurgjike, duke përdorur metoda të përparuara për të pakësuar humbjen e gjakut. Nuk mund të lihen pa u theksuar teknikat e imëta kirurgjike të tilla, si elektrokauterizimi, për të zvogëluar në minimum hemorragjinë. Nganjëherë, gjaku që rrjedh prej një plage mund të thithet, të filtrohet dhe të rikthehet në qarkullim. *

Pacientët e lidhur me makinën zemër-mushkëri të mbushur me një lëng jogjakor, mund të kenë dobi prej hollimit të gjakut që rezulton nga kjo gjë, duke qenë se humbasin më pak rruaza të kuqe.

Ekzistojnë edhe mënyra të tjera për të ndihmuar pacientin. Ulja e temperaturës së trupit, që të pakësohet nevoja e tij për oksigjen gjatë ndërhyrjes kirurgjike. Anestezia hipotensive. Terapi që favorizojnë koagulimin. Desmopresina (DDAVP), për të shkurtuar kohëzgjatjen e hemorragjisë. «Bisturitë» lazer. Ndërkohë që mjekët dhe pacientët e interesuar përpiqen të shmangin transfuzionet e gjakut, do të shikoni që lista rritet. Shpresojmë të mos humbisni kurrë një sasi të madhe gjaku. Por, nëse do të ndodhte, ka shumë mundësi që mjekët e aftë të mund t’ju kurojnë mirë pa përdorimin e transfuzioneve të gjakut, të cilat mbartin kaq shumë rreziqe.

KIRURGJI PO, POR PA TRANSFUZIONE

Sot shumë njerëz nuk duan të marrin gjak. Për arsye mjekësore, ata po kërkojnë atë që Dëshmitarët e duan në radhë të parë për arsye fetare: kujdes mjekësor me cilësi, duke përdorur kura alternative pa gjak. Në këto raste, siç kemi vërejtur, janë akoma të mundshme ndërhyrjet e rënda kirurgjikale. Nëse keni ende ndonjë dyshim, disa dëshmi të tjera prej literaturës mjekësore, mund t’ju ndihmojnë për t’i larguar.

Artikulli Zëvendësimet e katërfishta të artikulacioneve kryesore në pacientët Dëshmitarë të Jehovait (Quadruple Major Joint Replacement in Member of Jehovah’s Witnesses, Orthopaedic Review, 1986) fliste për një pacient anemik me «degjenerim të përparuar të të dy gjunjëve dhe kyçeve të kockës së legenit». U përdor dekstran hekuri para dhe pas ndërhyrjes kirurgjike me seanca, e cila ishte e suksesshme. Gazeta British Journal of Anaesthesia (1982) tregonte për një Dëshmitare 52-vjeçare, me nivel të hemoglobinës nën 10. Duke përdorur anestezinë hipotensive, për të pakësuar në minimum humbjen e gjakut, asaj iu bë një zëvendësim tërësor i kyçit të kockës së legenit dhe i shpatullës. Një ekip kirurgësh në Universitetin e Arkansasit (SHBA) përdori të njëjtën metodë gjatë njëqind zëvendësimeve të kyçit të kockës së legenit te Dëshmitarët dhe të gjithë pacientët u përmirësuan. Profesori që drejtonte repartin, komenton: «Atë që kemi mësuar nga këta pacientë (Dëshmitarë), tani e vëmë në zbatim te të gjithë pacientët tanë që i nënshtrohen zëvendësimit tërësor të kyçit të legenit.»

Ndërgjegjja ua lejon disa Dëshmitarëve që të pranojnë transplantimin e organeve, nëse bëhet pa gjak. Një raport mbi 13 transplantime të veshkave, përfundonte: «Rezultatet e përgjithshme na lënë të kuptojmë se transplantimi i veshkës mund të bëhet pa rrezik dhe në mënyrë të efektshme te shumica e Dëshmitarëve të Jehovait.» (Transplantation, qershor 1988) Në të njëjtën mënyrë, refuzimi i gjakut nuk ka qenë pengesë madje as për transplantimin e suksesshëm të zemrës.

‘Ç’të themi për llojet e tjera të operacioneve pa gjak?’,—mund të pyesni. Një buletin mjekësor (Medical Hotline, prill-maj 1983) tregonte për ndërhyrjet kirurgjike te «Dëshmitaret e Jehovait që u ishin nënshtruar operacioneve të rënda gjinekologjike dhe obstetrike [pranë Wayne State University, SHBA] pa transfuzione gjaku». Buletini njoftonte: «Nuk pati më shumë vdekje dhe ndërlikime, sesa te gratë që iu nënshtruan operacioneve të ngjashme me transfuzione gjaku.» Pas kësaj, buletini komentonte: «Rezultatet e këtij studimi mund të na japin garancinë që të përvetësojmë një pikëpamje të re mbi përdorimin e gjakut te të gjitha gratë që u nënshtrohen operacioneve obstetrike dhe gjinekologjike.»

Në spitalin e Universitetit të Gëtingenit (Gjermani), 30 pacientë që iu nënshtruan kirurgjisë së përgjithshme, nuk pranonin gjak. «Nuk pati asnjë ndërlikim që nuk mund ta kishin pasur edhe pacientët që bëjnë transfuzione gjaku. . . . Pamundësia e praktikimit të një transfuzioni nuk duhet mbivlerësuar dhe nuk duhet arritur që, në këtë mënyrë, të shmanget një operacion që është i nevojshëm dhe i justifikueshëm nga ana kirurgjike.»—Risiko in der Chirurgie, 1987.

Madje edhe ndërhyrjet kirurgjike në tru janë kryer pa përdorur gjak, mbi një numër të madh të rriturish dhe fëmijësh, si për shembull në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Nju Jorkut. Në vitin 1989, dr. Xhozef Ransohof, shef i neurokirurgjisë, shkruante: «Është shumë e qartë që në shumicën e rasteve mund të arrihet, me një rrezik minimal, shmangia e përbërësve të gjakut në pacientët që kanë bindje fetare kundër përdorimit të këtyre përbërësve, sidomos nëse ndërhyrja kirurgjike mund të kryhet në kohë dhe në një periudhë relativisht të shkurtër. Është shumë interesant fakti që unë harroj shpesh se pacienti është një Dëshmitar, deri në momentin e daljes nga spitali, kur ata më falënderojnë që kam respektuar bindjet e tyre fetare.»

Së fundi, a është e mundur të bëhen pa gjak operacionet e ndërlikuara të zemrës dhe të enëve të gjakut në të rriturit dhe fëmijët? Dr. Denton A. Kullei ishte një pionier pikërisht në këtë fushë. Siç mund ta shikoni nga artikulli mjekësor i rishtypur në shtojcën, në faqet 27-29, duke u bazuar në një analizë të mëparshme dr. Kullei arrinte në përfundimin «se rreziku i ndërhyrjes kirurgjike te pacientët Dëshmitarë të Jehovait, në thelb nuk ka qenë më i lartë sesa te të tjerët». Tani, pas kryerjes së 1.106 operacioneve të këtij lloji, ai shkruan: «Në çdo rast, marrëveshja ose kontrata ime me pacientin është respektuar»,—domethënë, të mos përdorte gjak.

Kirurgët kanë vërejtur se qëndrimi pozitiv është një tjetër faktor pro Dëshmitarëve të Jehovait. «Qëndrimi i këtyre pacientëve ka qenë shembullor,—shkruante dr. Kullei në tetor 1989. —Ata nuk kanë frikën e ndërlikimeve, e madje as të vdekjes, që kanë shumica e pacientëve. Kanë një besim të thellë e të qëndrueshëm në bindjen e tyre dhe në Perëndinë e tyre.»

Kjo nuk do të thotë se ata mbrojnë «të drejtën për të vdekur». Ata, në një mënyrë aktive, kërkojnë kujdes mjekësor me cilësi, sepse dëshirojnë të shërohen. Janë të bindur se zbatimi i ligjit të Perëndisë mbi gjakun është i mençur, pikëpamje kjo që ka një ndikim për mirë në kirurgjinë pa gjak.

Profesor dr. V. Shloser, nga spitali kirurgjik në Universitetin e Fraiburgut (Gjermani), vërejti: «Në këtë grup pacientësh, numri i rasteve të hemorragjive gjatë periudhës të operacionit nuk qe më i lartë; ndërlikimet, nëse kishte ndonjë, qenë më të pakta. Pikëpamja e veçantë mbi sëmundjen, karakteristike për Dëshmitarët e Jehovait, pati një ndikim pozitiv në fazën afër operacionit.»​—Herz Kreislauf, gusht 1987.

[Shënimet]

^ par. 12 Dëshmitarët nuk pranojnë transfuzione të gjakut komplet, rruazave të kuqe, rruazave të bardha, pllakëzave ose plazmës së gjakut. Për sa u përket pjesëzave më të vogla, të tilla, si imunoglobulinat, shikoni Kullën e Rojës, 1 qershor 1990, faqet 30-31, anglisht.

^ par. 17 Kulla e Rojës, 1 mars 1989, faqet 30-31, anglisht, trajton parimet biblike që kanë lidhje me metodat e riaftësimit të gjakut dhe me pajisjet për qarkullimin (jashtëtrupor) të gjakut.

[Kutia në faqen 13]

«Duhet të nxjerrim përfundimin se në kohën tonë ka shumë pacientë që marrin gjak, ose përbërës të tij, pa pasur asnjë mundësi për ndonjë përfitim nga transfuzioni (gjaku nuk është i nevojshëm) dhe madje rrezikojnë në një masë të madhe të kenë pasoja të padëshirueshme. Asnjë mjek nuk do ta nënshtronte me vetëdije një pacient ndaj një terapie që nuk mund ta ndihmojë, por mund ta dëmtojë; mirëpo kjo është pikërisht ajo që ndodh, kur bëhet transfuzion gjaku pa qenë nevoja.»​—«Transfusion-Transmitted Viral Diseases», 1987.

[Kutia në faqen 14]

«Disa autorë kanë pohuar se niveli i hemoglobinës prej vetëm 2 deri në 2,5 g/100ml mund të jetë i pranueshëm. . . . Një person i shëndetshëm mund të ketë rezistencë ndaj një humbjeje prej 50 për qind të masës së rruazave të kuqe të gjakut dhe të mos shfaqë thuajse fare simptoma, nëse humbja e gjakut ndodh gjatë një periudhe kohore.»—«Techniques of Blood Transfusion», 1982.

[Kutia në faqen 15]

«Konceptet më të vjetra rreth transportimit të oksigjenit për në inde, shërimit të plagëve dhe ‘vlerës ushqyese’ të gjakut, po braktisen. Përvoja me pacientët që janë Dëshmitarë të Jehovait demonstron se anemia e rëndë përballohet më së miri.»​—«The Annals of Thoracic Surgery», mars 1989.

[Kutia në faqen 16]

E dhe fëmijët e vegjël? «Dyzet e tetë operacione pediatrike me zemër të hapur, u kryen me teknika pa gjak, pavarësisht nga shkalla e kompleksitetit të operacionit.» Fëmijët peshonin thuajse vetëm 4,7 kg. «Për shkak të suksesit të vazhdueshëm te Dëshmitarët e Jehovait dhe të faktit që transfuzioni i gjakut mbart rrezikun e ndërlikimeve të rënda, tani po i kryejmë shumicën e operacioneve kardiake te fëmijët, pa përdorur transfuzione.»​—«Circulation», shtator 1984.

[Figura në faqen 15]

Makina zemër-mushkëri ka qenë një ndihmë e madhe gjatë ndërhyrjeve kirurgjike në zemër te pacientët që nuk duan gjak