Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait​—Sfida etiko-kirurgjikale

Dëshmitarët e Jehovait​—Sfida etiko-kirurgjikale

Shtojcë

Dëshmitarët e Jehovait​—Sfida etiko-kirurgjikale

Rishtypur me autorizimin e American Medical Association. Marrë nga The Journal of the American Medical Association (JAMA), 27 nëntor 1981, Vëllimi 246, Nr. 21, faqet 2471, 2472. E drejta e autorit 1981, American Medical Association.

Mjekët gjenden përballë një sfide të veçantë, kur kurojnë Dëshmitarët e Jehovait. Anëtarët e këtij besimi kanë bindje të thella fetare kundër pranimit të gjakut komplet, homolog ose autolog, rruazave të kuqe të përqendruara, rruazave të bardha ose pllakëzave. Shumë prej tyre lejojnë përdorimin e makinës zemër-mushkëri (jo të mbushur me gjak), aparatit për dializën ose pajisjeve të ngjashme, nëse qarkullimi jashtëtrupor është i pandërprerë. Personeli mjekësor nuk duhet të shqetësohet për përgjegjësitë, sepse Dëshmitarët ndërmarrin hapat e duhur ligjorë për t’i shkarkuar nga përgjegjësia, për sa i përket refuzimit të informuar në lidhje me gjakun. Ata pranojnë lëngje zëvendësuese jogjakore. Duke përdorur këto dhe teknika të tjera të përpikta, mjekët po kryejnë ndërhyrje të rënda kirurgjike të të gjitha llojeve te pacientët Dëshmitarë, të rritur e të vegjël. Në këtë mënyrë, për këta pacientë janë zhvilluar procedura mjekësore, që janë në përputhje me parimin e kurimit të «personit në tërësi». (JAMA 1981;246:2471-2472)

NJË problem i madh shëndetësor i vendos mjekët para një sfide në rritje. Në Shtetet e Bashkuara ka mbi gjysmë milion Dëshmitarë të Jehovait që nuk i pranojnë transfuzionet e gjakut. Numri i Dëshmitarëve dhe i atyre që shoqërohen me ta po rritet. Ndonëse në të kaluarën shumë mjekë dhe punonjës spitalesh e konsideronin refuzimin e transfuzionit si një problem ligjor dhe kërkonin autorizimin e gjykatës për të vepruar siç u dukej atyre e këshillueshme nga ana mjekësore, literatura mjekësore e kohëve të fundit zbulon se po ndodh një ndryshim i rëndësishëm në qëndrim. Ky mund të jetë rezultat i një përvoje më të madhe kirurgjike me pacientë që kanë nivele shumë të ulëta të hemoglobinës, si dhe mund të pasqyrojë një vetëdije të rritur rreth parimit ligjor të miratimit të informuar.

Tani, një numër i madh rastesh të traumave dhe të kirurgjisë përzgjedhëse që përfshijnë Dëshmitarët, si të rritur, ashtu edhe të vegjël, po zgjidhen pa përdorur transfuzionet e gjakut. Kohët e fundit, përfaqësues të Dëshmitarëve të Jehovait janë takuar me personelin kirurgjik dhe administrativ në disa prej qendrave më të mëdha mjekësore në vend. Këto takime kanë përmirësuar mirëkuptimin dhe kanë ndihmuar në zgjidhjen e problemeve që lidhen me riaftësimin e gjakut, transplantimet dhe në shmangien e betejave mjeko-ligjore.

QËNDRIMI I DËSHMITARIT NË LIDHJE ME TERAPINË

Dëshmitarët e Jehovait e pranojnë trajtimin mjekësor dhe kirurgjik. Në të vërtetë, midis tyre ka shumë mjekë, madje edhe kirurgë. Por Dëshmitarët janë persona thellësisht fetarë, të bindur se transfuzioni i gjakut u ndalohet prej fragmenteve biblike të tilla, si: «Por nuk do ta hani mishin me gjallërinë e tij, domethënë me gjakun e tij» (Zanafilla 9:3-4); ‘[Ju duhet] ta derdhni gjakun e tij dhe ta mbuloni me dhe’ (Levitiku 17:13-14) dhe ‘Hiqni dorë nga . . . kurvëria, nga gjërat e mbytura dhe nga gjaku’ (Veprat 15:19-21).1

Edhe pse këto vargje nuk janë formuluar në terma mjekësorë, për Dëshmitarët ato përjashtojnë transfuzionin e gjakut komplet, të rruazave të kuqe të përqendruara dhe të plazmës, si edhe përdorimin e rruazave të bardha dhe të pllakëzave. Megjithatë, kuptueshmëria fetare që kanë Dëshmitarët nuk e ndalon kategorikisht përdorimin e përbërësve të tillë, si: albumina, imunoglobulinat dhe preparatet për hemofilinë; çdo Dëshmitar duhet të vendosë personalisht nëse mund t’i pranojë ose jo këta përbërës.2

Dëshmitarët janë të bindur që gjaku i nxjerrë nga trupi duhet eliminuar, prandaj nuk e pranojnë autotransfuzionin me gjak të depozituar më parë. Teknikat e përdorura gjatë operacioneve për grumbullimin ose hollimin e gjakut, që kanë të bëjnë me ruajtjen e tij, janë të papranueshme prej tyre. Megjithatë, shumë Dëshmitarë pranojnë përdorimin e aparateve për dializë, ose të makinës zemër-mushkëri (jo e mbushur me gjak), si edhe riaftësimin e gjakut gjatë operacionit, me kusht që qarkullimi jashtëtrupor të jetë i pandërprerë; mjeku duhet të konsultohet me çdo pacient më vete, për sa i përket asaj që dikton ndërgjegjja e tij.2

Dëshmitarët nuk mendojnë se Bibla përmban komente që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me transplantimin e organeve, prandaj vendimet në lidhje me transplantimin e kornesë, të veshkës ose të indeve të tjera, duhen marrë nga çdo Dëshmitar në veçanti.

TË MUNDSHME NDËRHYRJET E RËNDA KIRURGJIKALE

Ndonëse shpesh kirurgët kanë refuzuar të kurojnë Dëshmitarët, sepse qëndrimi i tyre rreth përdorimit të përbërësve të gjakut dukej se i «lidhte duart mjekut», tani shumë mjekë kanë zgjedhur ta konsiderojnë situatën thjesht si një ndërlikim tjetër, i cili sfidon aftësinë e tyre. Duke qenë se Dëshmitarët nuk janë kundër përdorimit të lëngjeve zëvendësuese koloidale ose kristalore, as kundër elektrokauterizimit, anestezisë hipotensive3 ose hipotermisë, këto janë përdorur me sukses. Përdorimet e tanishme dhe të ardhshme të hetastarch-it,4 injektimet intravenoze në doza të mëdha të dekstranit me përmbajtje hekuri5,6 dhe «bisturia me ultratinguj»7 janë premtuese dhe të pranueshme në aspektin fetar. Gjithashtu, nëse një zëvendësues i fluorizuar i gjakut (Fluosol-DA), i prodhuar kohët e fundit, rezulton se është i sigurt dhe i efektshëm,8 përdorimi i tij nuk do të bjerë ndesh me bindjet e Dëshmitarëve.

Në vitin 1977, Ot dhe Kullei9 paraqitën një raport mbi 542 operacione kardiovaskulare të kryera te Dëshmitarët pa përdorur transfuzionet e gjakut dhe arritën në përfundimin që kjo procedurë mund të realizohet «me një vogëlsi të pranueshme rreziku». Në përgjigje të kërkesës sonë, kohët e fundit Kullei bëri një rishikim statistikor të 1.026 operacioneve, 22% e të cilave te të miturit, dhe përcaktoi «se rreziku i ndërhyrjes kirurgjike te pacientët Dëshmitarë të Jehovait në thelb nuk ka qenë më i lartë sesa për të tjerët». Ngjashëm, dr. Maikëll E. DeBeiki, njoftonte «se në pjesën dërrmuese të situatave [që kanë të bëjnë me Dëshmitarët] rreziku i operacionit pa përdorimin e transfuzioneve të gjakut, nuk është më i madh sesa në ata pacientë, te të cilët ne përdorim transfuzionet e gjakut» (komunikim personal, mars 1981). Në literaturë përshkruhen edhe operacione të ndërlikuara urologjike10 dhe ortopedike,11 që janë kryer me sukses. dr. G. Din MekEven dhe dr. J. Riçard Bouen, shkruajnë se bashkimi i pasëm i shtyllës kurrizore «ishte realizuar me sukses te 20 të mitur [Dëshmitarë]» (të dhëna të pabotuara, gusht 1981). Ata shtojnë: «Kirurgu duhet të rrënjosë konceptin e respektit për të drejtën që ka pacienti të refuzojë një transfuzion gjaku dhe njëkohësisht duhet të zbatojë procedurat kirurgjike në një mënyrë që është e parrezikshme për pacientin.»

Herbsman12 njofton për suksesin në raste, mes të cilave disa fëmijë, «me humbje masive, traumatike gjaku». Ai pranon se «Dëshmitarët janë në një gjendje disi të pafavorshme, kur vjen puna te gjaku. Prapëseprapë, është shumë e qartë se ne kemi alternativa për zëvendësimin e gjakut». Duke vërejtur se shumë kirurgë janë stepur të pranojnë Dëshmitarët si pacientë, për shkak të «frikës nga pasojat ligjore», ai shpjegon se ky nuk është një shqetësim me bazë.

PROBLEMET LIGJORE DHE TË MITURIT

Dëshmitarët janë të gatshëm të firmosin formularin e Shoqatës së Mjekëve Amerikanë, që i shkarkon mjekët dhe spitalet prej përgjegjësisë13 dhe shumica e Dëshmitarëve mban me vete një kartelë Paralajmërim Mjekësor, të datuar dhe të fimosur nga dëshmitarë, e cila është përgatitur në konsultim me autoritete mjekësore dhe ligjore. Këto dokumente janë detyruese mbi pacientin (ose zotërimet e tij) dhe u ofrojnë mbrojtje mjekëve, pasi gjykatësi Uoren Burger argumentoi se një padi për lënie pas dore të detyrës «do të dukej pa baza», në rastet kur ekziston një dokument i tillë i nënshkruar. Gjithashtu, duke komentuar në lidhje me këtë në një analizë mbi «trajtimin mjekësor të detyrueshëm dhe lirinë fetare», Paris14 shkruante: «Një komentues që shqyrtoi materialet, tha: ‘Unë nuk kam mundur të gjej ndonjë bazë për deklaratën sipas së cilës mjeku do të marrë përsipër pëgjegjësi . . . penale . . . nëse nuk arrin t’i bëjë me forcë një transfuzion një pacienti që nuk e dëshiron këtë.’ Rreziku duket më shumë fryt i një mendjeje pjellore në fushën ligjore, sesa një mundësi reale.»

Kujdesi për të miturit përbën problemin më të madh, që kthehet shpesh në një veprim ligjor kundër prindërve, sipas dekreteve të lënies pas dore të fëmijëve. Por veprime të tilla janë shqyrtuar prej shumë mjekëve dhe prokurorëve që janë të familjarizuar me rastet e Dëshmitarëve dhe që janë të bindur se prindërit Dëshmitarë kërkojnë për fëmijët e tyre një kujdes të mirë mjekësor. Duke mos dashur t’i bëjnë bisht përgjegjësisë së tyre prindërore ose t’ia kalojnë atë një gjykatësi a një pale të tretë, Dëshmitarët kërkojnë me forcë që të merren parasysh parimet fetare të familjes. Dr. A. D. Kelli, ish-sekretar i Shoqatës së Mjekëve Kanadezë, shkruante se «prindërit e të miturve dhe njerëzit më të afërt të pacientëve të pavetëdijshëm, zotërojnë të drejtën për të transmetuar vullnetin e pacientit. . . . Unë nuk i vlerësoj masat e një gjyqi të diskutueshëm, të mbledhur në 02:00 të mëngjesit, për të larguar një fëmijë nga mbrojtja e prindërve të vet».

Është një fakt aksiomatik ai që prindërit kanë të drejtën e fjalës në kujdesin për fëmijët e tyre, si në raste të tilla kur duhen përballuar mundësitë rreziqe-dobi të operacioneve, rrezatimeve ose kemioterapisë. Për arsye morale që ngrihen mbi çështjen e rrezikut të transfuzionit, prindërit Dëshmitarë kërkojnë të përdoren terapi që nuk janë të ndaluara në aspektin fetar. Kjo përputhet me parimin mjekësor të kurimit të «personit në tërësi», duke mos mbyllur sytë para dëmit të mundshëm dhe të qëndrueshëm psikosocial që vjen nga një procedurë, e cila dhunon bindjet themelore të një familjeje. Shpesh, qendra të mëdha në të gjithë vendin, që kanë përvojë lidhur me Dëshmitarët, pranojnë tani transferime të pacientëve nga institucione që nuk janë të gatshme të kurojnë Dëshmitarët, madje edhe raste fëmijësh.

NJË SFIDË PËR MJEKUN

Është e kuptueshme që kurimi i Dëshmitarëve të Jehovait mund të duket se e vë përpara një dileme mjekun e përkushtuar për të ruajtur jetën dhe shëndetin me anë të përdorimit të të gjitha teknikave që ka në dispozicion. Në parathënien e një serie artikujsh mbi ndërhyrjet e rënda kirurgjike te Dëshmitarët, Harvei17 pranonte: «Më duken të bezdisshme ato bindje që mund të ndërhyjnë në punën time.» Por pastaj shtonte: «Ndoshta ne harrojmë tepër lehtë që kirurgjia është një mjeshtëri që varet nga teknika personale e individëve. Teknika ka mundësi përmirësimi.»

Profesor Boloki18 e tërhoqi vëmendjen te një lajm shqetësues, sipas të cilit njëri prej spitaleve më aktivë traumatologjikë në qarkun Dade, në Florida, ndiqte një «politikë të përgjithshme refuzimi ndaj kurimit» të Dëshmitarëve. Ai vuri në dukje se «shumica e ndërhyrjeve kirurgjike te ky grup pacientësh, shoqërohen me më pak rreziqe sesa zakonisht». Pastaj shtoi: «Ndonëse kirurgët mund të mendojnë se janë të privuar nga një mjet i mjekësisë moderne . . . unë jam i bindur se, duke operuar këta pacientë, ata do të mësojnë shumë.»

Në vend që ta konsiderojnë pacientin Dëshmitar një problem, gjithnjë e më shumë mjekë e pranojnë situatën si një sfidë mjekësore. Në përballimin e sfidës ata kanë zhvilluar procedura mjekësore për këtë grup pacientësh, që janë pranuar në një numër të madh qendrash mjekësore në mbarë vendin. Këta mjekë sigurojnë në të njëjtën kohë kujdesin më të mirë për mirëqenien e përgjithshme të pacientit. Gardner e të tjerë19 vërejnë: «Kush do të përfitonte nëse sëmundja trupore e pacientit do kurohej, por, siç e konsideron ai, jeta frymore në sytë e Perëndisë do dëmtohej, gjë që do të çonte në një jetë të pakuptim dhe që është ndoshta më e keqe sesa vetë vdekja.»

Dëshmitarët e pranojnë se nga këndvështrimi mjekësor, bindja e tyre, së cilës i përmbahen me vendosmëri, duket se e rrit disi rrezikun dhe mund ta ndërlikojë trajtimin që u bëhet. Prandaj, në përgjithësi ata tregojnë çmueshmëri të pazakonshme për kujdesin që u kushtohet. Përveç faktit që kanë elementet jetësore të besimit të thellë dhe të një vullneti të fortë për të jetuar, ata bashkëpunojnë me kënaqësi me mjekët dhe me personelin mjekësor. Në këtë mënyrë, pacienti dhe mjeku janë të bashkuar në përballimin e kësaj sfide unike.

REFERIME

1. Jehovah’s Witnesses and the Question of Blood. Brooklyn, NY, Watchtower Bible and Tract Society, 1977, f. 1-64.

2. The Watchtower 1978;99 (15 qershor):29-31.

3. Hypotensive anesthesia facilitates hip surgery, MEDICAL NEWS. JAMA 1978;239:181.

4. Hetastarch (Hespan)​—a new plasma expander. Med Lett Drugs Ther 1981;23:16.

5. Hamstra RD, Block MH, Schocket AL:Intravenous iron dextran in clinical medicine. JAMA 1980;243:1726-1731.

6. Lapin R: Major surgery in Jehovah’s Witnesses. Contemp Orthop 1980;2:647-654.

7. Fuerst ML: ‘Sonic scalpel’ spares vessels. Med Trib 1981;22:1,30.

8. Gonzáles ER: The saga of ‘artificial blood’: Fluosol a special boon to Jehovah’s Witnesses. JAMA 1980;243:719-724.

9. Ott DA, Cooley DA: Cardiovascular surgery in Jehovah’s Witnesses. JAMA 1977;238:1256-1258.

10. Roen PR, Velcek F: Extensive urologic surgery without blood transfusion. NY State J Med 1972;72:2524-2527.

11. Nelson CL, Martin K, Lawson N, et al: Total hip replacement without transfusion. Contemp Orthop 1980;2:655-658.

12. Herbsman H: Treating the Jehovah’s Witness. Emerg Med 1980;12:73-76.

13. Medicolegal Forms With Legal Analysis. Chicago, American Medical Association, 1976, f. 83.

14. Paris JJ: Compulsory medical treatment and religious freedom: Whose law shall prevail? Univ San Francisco Law Rev 1975;10:1-35.

15. Kelly AD: Aequanimitas Can Med Assoc J 1967;96:432.

16. Kolins J: Fatalities from blood transfusion. JAMA 1981;245:1120.

17. Harvey JP: A question of craftsmanship. Contemp Orthop 1980;2:629.

18. Bolooki H: Treatment of Jehovah’s Witnesses: Example of good care. Miami Med 1981;51:25-26.

19. Gardner B, Bivona J, Alfonso A, et al: Major surgery in Jehovah’s Witnesses. NY State J Med 1976;76:765-766.