Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjaku: Zgjedhja dhe ndërgjegjja e kujt?

Gjaku: Zgjedhja dhe ndërgjegjja e kujt?

Shtojcë

Gjaku: Zgjedhja dhe ndërgjegjja e kujt?

nga dr. J. Lowell Dixon.

Rishtypur me autorizimin e New York State Journal of Medicine, 1988; 88:463-464, e drejta e autorit nga Medical Society of the State of New York.

MJEKËT marrin përsipër të vënë në përdorim njohurinë, aftësitë dhe përvojën e tyre për të luftuar sëmundjet dhe vdekjen. Megjithatë, ç’të themi nëse një pacient e refuzon një trajtim që i rekomandohet? Kjo ka të ngjarë të ndodhë nëse pacienti është një Dëshmitar i Jehovait dhe trajtimi është përdorimi i gjakut komplet, i eritrociteve të përqendruara, i plazmës ose i pllakëzave.

Kur vjen puna te përdorimi i gjakut, një mjek mund të mendojë se zgjedhja e një pacienti për trajtimin pa gjak do t’ia lidhë duart personelit të përkushtuar mjekësor. Prapëseprapë, nuk duhet harruar se edhe pacientët që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait, zgjedhin shpesh të mos i ndjekin rekomandimet e mjekut të tyre. Sipas Apelbaum dhe Roth,1 19% e pacientëve në spitalet universitare, refuzonin të paktën një trajtim ose procedurë, edhe pse 15% e këtyre refuzimeve «mund të vinin jetën në rrezik».

Pikëpamja e përgjithshme se «mjeku e di ç’është më e mira», bën që shumica e pacientëve të nënshtrohet para aftësisë dhe njohurisë së mjekut të tyre. Por, çfarë rreziku i madh do të ishte, nëse një mjek do vepronte sikur kjo shprehje të ishte një fakt shkencor dhe t’i trajtonte pacientët në bazë të kësaj. Vërtet, kualifikimi, dëshmia dhe përvoja jonë mjekësore, na japin privilegje të mëdha në fushën e mjekësisë. Pacientët tanë, megjithatë, kanë të drejta. Dhe, siç ka të ngjarë ta dimë, ligji (madje edhe Kushtetuta) u jep rëndësi më të madhe të drejtave.

Nëpër muret e shumicës së spitaleve shihet e ekspozuar «Deklarata e të Drejtave të Pacientit». Njëra prej këtyre të drejtave është miratimi i informuar, që më saktë mund të quhet zgjedhja e informuar. Pasi pacienti informohet rreth rezultateve të mundshme të trajtimeve të ndryshme (ose të mostrajtimit), i takon atij të zgjedhë se cilës prej tyre do t’i nënshtrohet. Në spitalin Albert Ainshtain në Bronks, Nju Jork, një udhëzim paraprak mbi transfuzionet e gjakut dhe Dëshmitarët e Jehovait, thoshte: «Çdo pacient i rritur që nuk është i paaftë, ka të drejtën ta refuzojë trajtimin, pavarësisht se sa i dëmshëm mund të jetë ky refuzim për shëndetin e tij.»2

Ndonëse mjekët mund të shprehin shqetësime në lidhje me etikën ose përgjegjësinë, gjykatat kanë theksuar epërsinë e plotë që ka zgjedhja e pacientit.3 Gjykata e Apelit e Nju Jorkut deklaroi se «e drejta e pacientit për të përcaktuar rrjedhën që do ndjekë trajtimi i tij [është] mbizotëruese . . . Nuk mund të thuhet që [një] mjek nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij ligjore ose profesionale, kur respekton të drejtën që ka një pacient i rritur e i aftë për të refuzuar një trajtim mjekësor».4 Ajo gjykatë vërejti edhe se «integriteti etik i profesionit të mjekut, ndonëse i rëndësishëm, nuk mund të ketë më shumë peshë sesa të drejtat themelore të individit që mbrohen këtu. Ato që mbizotërojnë janë nevojat dhe dëshirat e individit, jo kërkesat e institucionit».5

Kur një Dëshmitar refuzon gjakun, mjekët mund të ndiejnë brejtje të ndërgjegjes nga mendimi se po bëjnë atë që duket më pak sesa maksimumi. Ajo që Dëshmitari po u kërkon mjekëve të ndërgjegjshëm të bëjnë, megjithatë, është që t’i sigurojnë kurën alternative më të mirë të mundshme në ato rrethana. Ne na duhet shpesh ta ndryshojmë terapinë për t’iu përshtatur rrethanave të tilla, si: hipertensioni, alergjia e rëndë ndaj antibiotikëve ose mospasja në dispozicion e pajisjeve të caktuara të kushtueshme. Në rastin e pacientit Dëshmitar, mjekëve u kërkohet ta trajtojnë problemin mjekësor ose kirurgjik në harmoni me zgjedhjen, ndërgjegjen e pacientit dhe vendimin e tij moralo-fetar për të hequr dorë nga gjaku.

Një numër i madh relacionesh mbi ndërhyrjet e rënda kirurgjike te pacientët Dëshmitarë tregojnë se shumë mjekë munden që, me ndërgjegje të qetë dhe me sukses, t’i përshtaten kërkesës për të mos përdorur gjak. Për shembull, në vitin 1981, Kullei mori në shqyrtim 1.026 operacione kardiovaskulare, 22% e të cilave te fëmijët e vegjël. Ai pohoi «se rreziku i ndërhyrjes kirurgjike te pacientët Dëshmitarë të Jehovait, në thelb nuk ka qenë më i lartë sesa për të tjerët».6 Kamburis7 tregoi për operacionet e rënda te Dëshmitarët, disa prej të cilëve u ishte «mohuar trajtimi kirurgjik urgjent, për shkak të refuzimit të tyre për të pranuar gjak». Ai tha: «Të gjithë pacientëve, para trajtimit iu dha garancia se bindjet e tyre fetare do të respektoheshin, pavarësisht nga rrethanat në sallën e operacionit. Kjo mënyrë veprimi nuk pati asnjë efekt negativ.»

Kur një pacient është Dëshmitar i Jehovait, përveç çështjes së zgjedhjes, hyn në veprim edhe ndërgjegjja. Nuk mund të mendohet vetëm për ndërgjegjen e mjekut. Ç’të themi për atë të pacientit? Dëshmitarët e Jehovait e konsiderojnë jetën si një dhuratë të Perëndisë, e përfaqësuar nga gjaku. Ata e pranojnë urdhrin biblik që të krishterët duhet ‘të heqin dorë nga gjaku’ (Veprat 15:28, 29).8 Prandaj, nëse një mjek, në mënyrë imponuese, do të shkelte këto bindje fetare të thella dhe të rrënjosura të këtyre pacientëve, rezultati mund të ishte tragjik. Papa Gjon Pavli II ka vërejtur se ta detyrosh dikë të dhunojë ndërgjegjen e vet «është goditja më e dhembshme që i jepet dinjitetit njerëzor. Kjo është, në njëfarë kuptimi, më keq sesa të shkaktosh vdekjen fizike ose të vrasësh».9

Ndërkohë që Dëshmitarët e Jehovait e refuzojnë gjakun për arsye fetare, gjithnjë e më shumë pacientë jo Dëshmitarë po zgjedhin ta shmangin gjakun, për shkak të rreziqeve të tilla, si: SIDA, hepatiti as-A as-B dhe reaksionet imunologjike. Ne mund t’u paraqesim atyre mendimet tona për sa i përket faktit nëse këto rreziqe na duken më të vogla në krahasim me dobitë. Por, siç thekson Shoqata e Mjekëve Amerikanë, pacienti është «gjykatësi përfundimtar për sa i përket vendimit për të rrezikuar, duke bërë trajtimin apo operacionin e rekomanduar nga mjeku ose për të rrezikuar, duke bërë pa të. E tillë është e drejta e natyrshme e individit, e cila njihet me ligj».10

Për sa ka të bëjë me këtë, Maklin11 paraqiti çështjen rreziqe/dobi në lidhje me një Dëshmitar «i cili rrezikoi të vdiste nga hemorragjia pa transfuzion». Një student i mjekësisë tha: «Ai zotëronte aftësi të plota mendore. Çfarë bëni, kur bindjet fetare janë kundër të vetmes mënyrë trajtimi?» Maklin arsyetoi: «Ne mund të jemi thellësisht të bindur se ky njeri po bën një gabim. Por Dëshmitarët e Jehovait janë të bindur se bërja e transfuzioneve . . . [mund] të çojë në dënim të përhershëm. Ne jemi stërvitur të bëjmë analiza rreziqe-dobi në mjekësi, por, nëse peshojmë dënimin e përhershëm dhe jetën që mbetet për të jetuar në tokë, analiza fiton një këndvështrim të ndryshëm.»11

Në këtë botim të Journal, Vercilo dhe Duprei12 i referohen In re Osborne për të nënvizuar faktin që i duhet kushtuar vëmendje garantimit të sigurisë së personave nën vartësi. Por si u zgjidh ai rast? Kishte të bënte me babain e dy fëmijëve të vegjël, që ishte plagosur rëndë. Gjykata vendosi që, nëse ai vdiste, të afërmit do të kujdeseshin materialisht dhe frymësisht për fëmijët e tij. Kështu, si edhe në raste të tjera të mëparshme, gjykata konstatoi se shteti nuk kishte asnjë argument bindës për të justifikuar mospërfilljen e zgjedhjes që kishte bërë pacienti në lidhje me terapinë; ndërhyrja juridike për të autorizuar një terapi tepër të papranueshme prej pacientit, ishte e pajustifikueshme.14 Me një terapi alternative, pacienti u shërua dhe vazhdoi të kujdesej për familjen e vet.

A nuk është e vërtetë se shumica dërrmuese e rasteve që kanë ndeshur mjekët, ose që ka të ngjarë të ndeshin, mund të zgjidhen pa përdorur gjak? Gjërat që kemi studiuar dhe që dimë më mirë kanë të bëjnë me problemet mjekësore; megjithatë, pacientët janë qenie njerëzore, vlerat dhe synimet e të cilëve nuk mund të shpërfillen. Ata i dinë më mirë nga të gjithë gjërat që për ta kanë përparësi, parimet morale dhe ndërgjegjen e tyre, të cilat i japin kuptim jetës.

Respektimi i ndërgjegjes fetare të pacientëve Dëshmitarë, mund të jetë një sfidë për aftësitë tona. Por, ndërsa përballojmë këtë sfidë, përforcojmë liritë e çmuara që të gjithë ne i kemi për zemër. Xhon Stjuart Mill shkroi me vend: «Asnjë shoqëri, në të cilën këto liri të marra në kompleks nuk respektohen, nuk është e lirë, cilado qoftë forma e saj e qeverisjes . . . Gjithsecili është mbrojtësi i vërtetë i shëndetit të vet, si fizik, ashtu edhe mendor e frymor. Njerëzimi përfiton më shumë duke lejuar që secili të jetojë siç i duket mirë atij vetë, jo duke e detyruar të jetojë siç u duket mirë të tjerëve.»15

REFERIME:

1. Appelbaum PS, Roth LH: Patients who refuse treatment in medical hospitals. JAMA 1983; 250:1296-1301.

2. Macklin R: The inner workings of an ethics committee: Latest battle over Jehovah’s Witnesses. Hastings Cent Rep 1988; 18(1):15-20.

3. Bouvia v Superior Court, 179 Cal App 3d 1127, 225 Cal Rptr 297 (1986); In re Brown, 478 So 2d 1033 (Miss 1985).

4. In re Storar, 438 NYS 2d 266, 273, 420 NE 2d 64, 71 (NY 1981).

5. Rivers v Katz, 504 NYS 2d 74, 80 n 6, 495 NE 2d 337, 343 n 6 (NY 1986).

6. Dixon JL, Smalley MG: Jehovah’s Witnesses. The surgical/ethical challenge. JAMA 1981; 246:2471-2472.

7. Kambouris AA: Major abdominal operations on Jehovah’s Witnesses. Am Surg 1987; 53:350-356.

8. Jehovah’s Witnesses and the Question of Blood. Brooklyn, NY, Watchtower Bible and Tract Society, 1977, f. 1-64.

9. Pope denounces Polish crackdown. NY Times, 11 janar 1982, f. A9.

10. Office of the General Counsel: Medicolegal Forms with Legal Analysis. Chicago, American Medical Association, 1973, f. 24.

11. Kleiman D: Hospital philosopher confronts decisions of life. NY Times, 23 janar 1984, f. B1, B3.

12. Vercillo AP, Duprey SV: Jehovah’s Witnesses and the transfusion of blood products. NY State J Med 1988; 88:493-494.

13. Wons v Public Health Trust, 500 So 2d 679 (Fla Dist Ct App) (1987); Randolph v City of New York, 117 AD 2d 44, 501 NYS 2d 837 (1986); Taft v Taft, 383 Mass 331, 446 NE 2d 395 (1983).

14. In re Osborne, 294 A 2d 372 (DC Ct App 1972).

15. Mill JS: On liberty, in Adler MJ (ed): Great Books of the Western World. Chicago, Encyclopaedia Britanni ca, Inc, 1952, vëll. 43, f. 273.