Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Transfuzionet e gjakut: Sa të sigurta?

Transfuzionet e gjakut: Sa të sigurta?

Transfuzionet e gjakut: Sa të sigurta?

Para se t’i nënshtrohet çfarëdolloj procedure serioze mjekësore, një njeri me arsye do të informohet mbi dobitë dhe rreziqet e mundshme. Ç’të themi për transfuzionet e gjakut? Ato janë tashmë një mjet parësor në mjekësi. Shumë mjekë që janë sinqerisht të interesuar për pacientët e tyre, rrallë mund të ngurrojnë mbi përdorimin e gjakut. Ai është quajtur dhurata e jetës.

Miliona njerëz kanë dhuruar ose kanë marrë gjak. Gjatë viteve 1986-1987, Kanadaja kishte 1,3 milionë dhurues në një popullsi prej 25 milionë banorësh. «[Në] vitin më të fundit për të cilin kemi në dispozicion shifra, vetëm në Shtetet e Bashkuara u përdorën për transfuzion nga 12 deri në 14 milionë njësi gjaku.»​—The New York Times, 18 shkurt 1990.

«Gjaku ka gëzuar gjithnjë një veti ‘magjike’,—vëren dr. Luiz J. Kiting. —Gjatë 46 viteve të para, si mjekët, ashtu edhe publiku, i konsideronin rezervat e gjakut më të sigurta nga ç’ishin në të vërtetë.» (Cleveland Clinic Journal of Medicine, maj 1989) Cila ishte situata atëherë dhe cila është sot?

Patologët dhe personeli i Qendrave të Konservimit të Gjakut, ishin këshilluar qysh 30 vjet më parë: «Gjaku është dinamit! Ai mund të bëjë shumë mirë ose shumë dëm. Vdekshmëria nga transfuzionet e gjakut, është e barabartë me atë nga anestezia me eter ose nga apendicitektomia. Thuhet se, përafërsisht, ndodh një vdekje në 1.000 deri në 3.000 ose ndoshta 5.000 transfuzione. Në zonën e Londrës është raportuar një vdekje për çdo 13.000 shishe gjaku të transfuzuar.»​—New York State Journal of Medicine, 15 janar 1960.

Që nga ajo kohë, a janë eliminuar rreziqet, në mënyrë që sot transfuzionet e gjakut të jenë të sigurta? E vërteta është që çdo vit gjaku shkakton te qindra mijë njerëz reaksione negative dhe shumë vdesin. Ato që u thanë më lart mund t’ju sjellin ndër mend sëmundjet e transmetuara me anë të gjakut. Përpara shqyrtimit të këtij aspekti, vëreni disa rreziqe që janë më pak të njohura.

GJAKU DHE IMUNITETI JUAJ

Në fillim të shekullit të 20-të, shkencëtarët e thelluan kuptueshmërinë mbi kompleksitetin e jashtëzakonshëm të gjakut. Ata zbuluan se ekzistojnë grupe të ndryshme gjaku. Përshtatja e gjakut të dhuruesit me atë të pacientit, është vendimtare në transfuzionet. Nëse dikush që ka grupin e gjakut A, merr gjak të grupit B, mund të ketë një reaksion të rëndë hemolitik. Ky mund të shkatërrojë shumë prej rruazave të tij të kuqe dhe pas pak t’i shkaktojë vdekjen. Ndonëse sot përcaktimi i grupeve të gjakut dhe përshtatja e tyre janë rutinë, ndodhin edhe gabime. Çdo vit një numër njerëzish vdesin për shkak të reaksioneve hemolitike.

Faktet tregojnë se çështja e papërputhshmërisë, përfshin shumë më tepër se grupet e gjakut relativisht të pakta, të cilat spitalet përpiqen t’i përshtatin. Përse? Epo mirë, në artikullin e tij Transfuzionet e gjakut: Përdorimet, abuzimet dhe rreziqet (Blood Transfusion: Uses, Abuses, and Hazards), dr. Dagllas H. Posei i Riu shkruan: «Afërsisht 30 vjet më parë, Sampsoni i cilësoi transfuzionet e gjakut si një procedurë relativisht e rrezikshme . . . [Qysh atëherë] janë identifikuar dhe përshkruar të paktën 400 antigjene të tjera të rruazave të kuqe. Nuk ka asnjë dyshim që numri do të vazhdojë të rritet, sepse membrana e rruazave të kuqe është pafundësisht komplekse.»​—Journal of the National Medical Association, korrik 1989.

Shkencëtarët po studiojnë tani ndikimin që ka gjaku i transfuzuar mbi sistemin mbrojtës, ose imunitar, të trupit. Çfarë domethënieje mund të ketë kjo për ju ose për një të afërm që duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale?

Kur mjekët transplantojnë një zemër, një mëlçi ose një organ tjetër, sistemi imunitar i marrësit mund ta njohë indin e huaj dhe ta flakë atë. Edhe transfuzioni është një transplantim indor. Madje edhe gjaku që është «plotësisht» i përshtatur, mund ta ndrydhë sistemin imunitar. Në një konferencë të patologëve, u theksua fakti që qindra artikuj mjekësore «kanë gjetur lidhjen mes transfuzioneve të gjakut dhe përgjigjeve imunologjike.»​—Case Builds Against Transfusions, Medical World News, 11 dhjetor 1989.

Një detyrë parësore e sistemit imunitar është të diktojë dhe të shkatërrojë qelizat e dëmshme (kancerogjene). A mundet që frenimi i imunitetit t’i hapë rrugën kancerit dhe vdekjes? Vëreni dy raporte.

Revista Cancer (15 shkurt 1987) paraqiti rezultatet e një studimi të kryer në Holandë: «Në pacientët me kancer të zorrës së trashë, u vu re një ndikim i konsiderueshëm negativ i transfuzionit mbi mbijetesën afatgjatë. Në këtë grup, mbijetesa e përgjithshme gjatë 5 vjetëve ishte rreth 48% për pacientët që kishin bërë transfuzion dhe 74% për ata që nuk kishin bërë transfuzion.» Mjekët në Universitetin e Kalifornisë së Jugut, ndoqën njëqind raste të pacientëve që u ishin nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale për kancerin. «Treguesi i rishfaqjes për të gjitha kanceret e laringut ishte 14% tek ata që nuk morën gjak dhe 65% tek ata që morën. Për kanceret e kavitetit të gojës, kanceret e faringut dhe të hundës, ose sinuseve, treguesi i rishfaqjes ishte 31% pa transfuzione dhe 71% me transfuzione.»​—Annals of Otology, Rhinology & Laryngology, mars 1989.

Çfarë sugjerojnë këto studime në lidhje me transfuzionet? Në artikullin e tij Transfuzionet e gjakut dhe kirurgjia për kancerin (Blood Transfusions and Surgery for Cancer), dr. Xhon S. Sprat përfundonte: «Mund të duhet që kirurgu onkolog të bëhet një kirurg që operon pa gjak.»​—The American Journal of Surgery, shtator 1986.

Një detyrë tjetër parësore e sistemit imunitar është mbrojtja nga infeksioni. Kështu, është e kuptueshme pse disa studime tregojnë se pacientët që marrin gjak janë më të prirur ndaj infeksionit. Dr. P. I. Tarter bëri një studim në kirurgjinë e rektumit. Nga pacientët që bënë transfuzione, 25 për qind patën infeksione, në krahasim me 4 përqind të atyre që nuk bënë transfuzione. Ai tregon: «Transfuzionet e gjakut të bëra para, gjatë ose pas operacionit, u shoqëruan me ndërlikime infektive . . . Rreziku i infeksionit pas operacionit, u rrit paralelisht me numrin e njësive të gjakut që u dhanë.» (The British Journal of Surgery, gusht 1988) Ata që morën pjesë në vitin 1989 në një mbledhje të Shoqatës Amerikane të Qendrave të Konservimit të Gjakut, mësuan këtë gjë: Ndërkohë që prej atyre që iu dha gjak gjatë operacionit për zëvendësimin e kyçit të legenit, 23 për qind patën infeksione, ata që nuk morën gjak, nuk patën fare infeksione.

Dr. Xhon A. Kollins shkroi rreth këtij ndikimi të transfuzioneve të gjakut: «Do të ishte vërtet ironike nëse do të zbulohej se një ‘trajtim’, për të cilin ka dëshmi shumë të pakta që kryen diçka me vlerë, rëndon një nga problemet kryesore që hasin këta pacientë.»​—World Journal of Surgery, shkurt 1987.

PA SËMUNDJE APO PLOT ME RREZIQE?

Sëmundjet që transmetohen me anë të gjakut shqetësojnë mjekët e ndërgjegjshëm dhe shumë pacientë. Cilat sëmundje? Në fakt, s’mund të kufizohen vetëm në një apo dy; janë vërtet shumë.

Pasi shqyrton sëmundjet më të njohura, libri Teknikat e transfuzioneve të gjakut (Techniques of Blood Transfusion, 1982) e drejton vëmendjen nga «sëmundjet e tjera infektive, të lidhura me transfuzionin» të tilla, si: sifilizi, infeksioni nga citomegalovirusi dhe malaria. Më pas, thotë: «Është njoftuar se edhe disa sëmundje të tjera përhapen me anë të transfuzioneve të gjakut, midis të cilave infeksionet nga viruset herpetike, mononukleoza infektive (virusi Epstein-Barr), toksoplazmoza, tripanosomiaza [sëmundja e gjumit afrikan dhe sëmundja Chagas], leishmanioza, bruceloza [ethet e Maltës], tifoja, filariaza, fruthi, salmoneloza dhe ethet nga rriqrat e Kolorados.»

Në të vërtetë, lista e këtyre sëmundjeve po rritet. Mund të keni lexuar tituj artikujsh të tillë, si: Sëmundja Lyme nga transfuzioni? Është e pamundur, por specialistët dyshojnë. (Lyme Disease From a Transfusion? It’s Unlikely, but Experts Are Wary.) Sa i sigurt është gjaku i marrë prej dikujt që rezulton pozitiv për sëmundjen Lyme? Një grup mjekësh u pyetën nëse do ta pranonin këtë gjak. «Megjithëse të gjithë u përgjigjën jo, asnjëri nuk rekomandoi që të nxirrej jashtë përdorimit gjaku i marrë nga këta dhurues.» Çfarë duhet të mendojnë njerëzit për këtë gjak që ruhet në Qendrat e Konservimit të Gjakut, të cilin vetë ekspertët nuk do ta pranonin?​—The New York Times, 18 korrik 1989.

Një arsye tjetër për t’u shqetësuar është se gjaku i mbledhur në një vend, ku është e përhapur një sëmundje e caktuar, mund të përdoret shumë larg, në vende ku as njerëzit, as mjekët nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun. Sot, me mundësitë e shumta për të udhëtuar, duke përfshirë refugjatët dhe imigrantët, po rritet rreziku që në përbërësit e gjakut të gjendet ndonjë sëmundje e panjohur.

Veç kësaj, një specialist i sëmundjeve infektive, paralajmëroi: «Rezervat e gjakut ndoshta duhet të ekzaminohen, me qëllim që të parandalohet transmetimi i disa çrregullimeve që më parë nuk konsideroheshin infektive, duke përfshirë leuceminë, limfomën dhe degjenerimin mendor [ose sëmundjen e Alcajmerit].»​—Transfusion Medicine Reviews, janar 1989.

Ndonëse këto rreziqe të trembin, disa të tjera kanë ngjallur shumë më tepër frikë.

PANDEMIA E SIDA-S

«SIDA ka ndryshuar përgjithmonë mënyrën e të menduarit të mjekëve dhe të pacientëve për gjakun. Dhe kjo nuk është diçka e keqe, thanë mjekët që u mblodhën në Institutet Kombëtare të Shëndetit për një konferencë mbi transfuzionet e gjakut.»​—Washington Post, 5 korrik 1988.

Pandemia e SIDA-s (sindroma e mangësisë së fituar të imunitetit), në një mënyrë dramatike, i bëri të vetëdijshëm njerëzit për rrezikun e marrjes së sëmundjeve infektive nga gjaku. Tashmë janë infektuar miliona. Përhapja e sëmundjes po del jashtë kontrollit. Dhe, praktikisht, shkalla e vdekshmërisë është 100 për qind.

SIDA shkaktohet nga virusi njerëzor i mangësisë imunitare (HIV), i cili mund të përhapet me anë të gjakut. Plaga moderne e SIDA-s doli në skenë në vitin 1981. Pikërisht vitin pasues, ekspertët në fushën e mjekësisë zbuluan se kishte mundësi që virusi të transmetohej nga përbërësit e gjakut. Tani pranohet se industria e gjakut reagoi ngadalë, madje edhe pasi u vunë në dispozicion analiza që identifikonin kundërtrupat e HIV-it që ndodheshin në gjak. Më në fund, në vitin 1985 * filloi kontrollimi i gjakut që dhurohej, por as atëherë nuk u bë ekzaminimi i rezervave ekzistuese të përbërësve të gjakut.

Pas kësaj, njerëzve iu dha garancia: ‘Tani rezervat e gjakut janë të sigurta.’ Megjithatë, më vonë u zbulua se SIDA ka një «fazë dritare» të rrezikshme. Pasi një person është infektuar, mund të kalojnë muaj para se të prodhohen kundërtrupat që janë të diktueshme. I pavetëdijshëm për faktin që strehon virusin, ai mund të japë gjak, i cili do të rezultonte negativ nga analizat. Kjo ka ndodhur. Pasi u është bërë transfuzion me këtë gjak, njerëzit kanë marrë SIDA-n!

Tabloja u bë edhe më e zymtë. Gazeta The New England Journal of Medicine (1 qershor 1989) njoftonte për «Infeksionet e heshtura të HIV-it». Ishte vërtetuar se njerëzit mund ta mbartin virusin e SIDA-s për vite, pa u diktuar nga analizat e sotme jo të drejtpërdrejta. Disa do të donin t’i minimizonin këto fakte, duke i konsideruar si raste të rralla; por ato provojnë «se rreziku i transmetimit të SIDA-s nëpërmjet gjakut dhe përbërësve të tij, nuk mund të eliminohet tërësisht». (Patient Care, 30 nëntor 1989) Përfundimi shqetësues është: Një analizë negative nuk na jep domosdoshmërisht një garanci të shëndetit të mirë. Sa të tjerë akoma do ta marrin SIDA-n nëpërmjet gjakut?

NJË ‘KËPUCË’ TJETËR? APO DISA?

Shumë njerëz që banojnë në apartamente, e kanë dëgjuar zhurmën e një këpuce që godet dyshemenë mbi ta; pas kësaj ata mund të mbeten në tension, duke pritur të dytën. Në dilemën e ndërlikuar të gjakut, askush nuk e di se sa ‘këpucë’ vdekjeprurëse mund të godasin ende.

Virusi i SIDA-s ishte emërtuar HIV, por tani disa ekspertë e quajnë HIV-1. Pse? Sepse ata zbuluan një lloj tjetër virusi të SIDA-s (HIV-2). Ai mund të shkaktojë simptomat e SIDA-s dhe është shumë i përhapur në disa zona. Veç kësaj, ai «nuk diktohet gjithmonë nga analizat e SIDA-s që janë tani në përdorim këtu,—njoftonte The New York Times. (27 qershor 1989) —Zbulimet e reja . . . ua bëjnë më të vështirë Qendrave të Konservimit të Gjakut që të sigurohen se një dhurim është i parrezikshëm».

Apo ç’të themi për të afërmit e largët të virusit të SIDA-s? Një komision presidencial (SHBA) tha se njëri prej këtyre viruseve «mendohet të jetë shkaku i leucemisë/limfomës të qelizave T të rritura dhe i një sëmundjeje të rëndë neurologjike». Ky virus është tashmë i pranishëm në popullatën e dhuruesve të gjakut dhe mund të përhapet nëpërmjet gjakut. Njerëzit kanë të drejtë të pyesin veten: ‘Sa efektiv është ekzaminimi që bëjnë Qendrat e Konservimit të Gjakut për këto viruse të tjera?’

Në të vërtetë, vetëm koha do ta tregojë se sa viruse, që transmetohen nëpërmjet gjakut, po rrinë të fshehura në rezervat e gjakut. «E panjohura mund të jetë shkak më i madh për shqetësim, sesa e njohura,—shkruan dr. Harold T. Merimen. —Do të jetë e vështirë të përcaktohet lidhja mes viruseve të transmetueshme, që kanë periudha shumëvjeçare inkubacioni dhe transfuzioneve; dhe akoma më e vështirë të diktohen ato. Grupi HTLV është, pa dyshim, vetëm i pari prej tyre që ka dalë në pah.» (Transfusion Medicine Reviews, korrik 1989) «Sikur të mos mjaftonin gjithë vuajtjet që ka sjellë epidemia e SIDA-s, . . . gjatë viteve 80 kanë tërhequr vëmendjen një numër rreziqesh të transfuzioneve, të sugjeruara ose të përshkruara kohët e fundit. Nuk duhet shumë imagjinatë për të parashikuar se ekzistojnë sëmundje të tjera të rënda virale, të cilat transmetohen nëpërmjet transfuzioneve me gjak të të njëjtit grup.»​—Limiting Homologous Exposure: Alternative Strategies, 1989.

Tashmë kanë rënë kaq shumë ‘këpucë’, saqë Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve rekomandojnë «masa të gjithanshme paraprake». Me fjalë të tjera, ‘punonjësit e shëndetësisë duhet të supozojnë se të gjithë pacientët janë transmetues të mundshëm të HIV-it dhe të mikrobeve të tjera patogjene që merren nga gjaku’. Me të drejtë, punonjës të shëndetësisë dhe njerëz të tjerë po rishqyrtojnë pikëpamjen e tyre rreth gjakut.

[Shënimi]

^ par. 27 Nuk mund të pretendojmë që tashmë i gjithë gjaku po i nënshtrohet ekzaminimit. Për shembull, është njoftuar se nga fillimi i vitit 1989, rreth 80 për qind e gjakut që ruhej në Qendrat e Konservimit të Gjakut në Brazil, nuk ishte nën kontrollin e qeverisë dhe as nuk po analizohej për SIDA-n.

[Kutia në faqen 8]

«Afërsisht 1 në 100 transfuzione shoqërohet me ethe, të dridhura ose urtikarie [hithësi]. . . . Afërsisht 1 në 6.000 transfuzione të rruazave të kuqe përfundon me një reaksion hemolitik. Ky është një reaksion i rëndë imunologjik që mund të ndodhë menjëherë ose në një mënyrë të ngadalshme, disa ditë pas transfuzionit. Ai mund të përfundojë me pamjaftueshmëri [veshkore] akute, gjendje shoku, koagulim intravazal dhe madje vdekje.»​—Konferenca e Instituteve Kombëtare të Shëndetit (NIH), 1988.

[Kutia në faqen 9]

Shkencëtari danez Nils Jern mori çmimin Nobel në mjekësi për vitin 1984. Kur e pyetën se përse e kundërshtonte transfuzionin e gjakut, ai tha: «Gjaku i një individi është si shenjat e tij të gishtërinjve: nuk ekzistojnë dy lloje gjaku saktësisht të njëjta.»

[Kutia në faqen 10]

GJAKU, MËLÇIA E SHKATËRRUAR DHE . . .

«Për ironi, SIDA e transmetuar me anë të gjakut . . . nuk ka përbërë kurrë një kërcënim aq të madh, sa sëmundjet e tjera, si për shembull hepatiti»,—shpjegonte gazeta amerikane Washington Post.

Po, një numër i madh njerëzish janë sëmurur rëndë dhe kanë vdekur nga një lloj hepatiti, për të cilin nuk ekziston asnjë mjekim i posaçëm. Sipas U.S.News & World Report (1 maj 1989), në Shtetet e Bashkuara rreth 5 për qind e atyre që marrin gjak, marrin hepatitin, 175.000 njerëz në vit. Gati gjysma bëhen mbartës kronikë dhe të paktën 1 në 5 kalon në cirrozë ose kancer të mëlçisë. Është llogaritur se 4.000 veta vdesin. Përfytyroni titujt e artikujve që do të lexonit, nëse një avion i madh do të përplasej dhe do vriteshin të gjithë pasagjerët. Por 4.000 vdekje janë baras me përplasjen e një avioni plot me pasagjerë çdo muaj!

Prej kohësh mjekët e dinin se një formë më e lehtë e hepatitit (tipi A) përhapej përmes ushqimit ose ujit të papastër. Pas kësaj ata zbuluan se një formë më e rëndë po përhapej përmes gjakut dhe nuk kishin asnjë mënyrë për ta ekzaminuar gjakun në lidhje me këtë. Përfundimisht, disa shkencëtarë të zotë mësuan si t’i diktojnë «gjurmët» e këtij virusi (tipi B). Në fillim të viteve 70, gjaku po ekzaminohej në disa vende. Rezervat e gjakut dukeshin të sigurta dhe e ardhmja e përdorimit të gjakut dukej e shkëlqyer! A ishte vërtet?

Nuk kaloi shumë kohë dhe u bë e qartë se mijëra veta, të cilëve u ishte dhënë gjak i ekzaminuar, kishin marrë prapëseprapë hepatitin. Shumë njerëz, pasi u dobësuan prej sëmundjes, morën vesh se mëlçia e tyre ishte shkatërruar. Por, nëse gjaku ishte kontrolluar, si kishte mundur të ndodhte kjo? Gjaku transportonte një formë tjetër, të quajtur hepatiti as-A as-B (NANB). Për një dekadë, ky ishte shoqëruesi i tmerrshëm i transfuzioneve: goditeshin nga 8 deri në 17 për qind e atyre që bënin transfuzione në Izrael, Itali, Japoni, Spanjë, Suedi dhe Shtetet e Bashkuara.

Pastaj u shfaqën tituj artikujsh të tillë, si: «Virusi misterioz i hepatitit as-A as-B, më në fund i izoluar», «Shkatërrimi i një sëmundjeje në gjak». Edhe një herë, mesazhi ishte: ‘Është zbuluar agjenti i pakapshëm!’ Në prill 1989, publiku u njoftua se ishte në dispozicion një analizë për hepatitin as-A as-B, që tani quhej hepatiti C.

Ndoshta mund të pyesni veten nëse ky optimizëm ishte i nxituar. Në fakt, kërkuesit italianë kanë njoftuar identifikimin e një virusi tjetër të hepatitit, një mutanti, i cili mund të jetë përgjegjës për një të tretën e rasteve. «Disa autoritete,—vërente Harvard Medical School Health Letter (nëntor 1989),—kanë frikë se A, B, C dhe D nuk përbëjnë gjithë alfabetin e viruseve të hepatitit; të tjerë akoma mund të dalin në skenë.» The New York Times (13 shkurt 1990) pohonte: «Ekspertët kanë dyshime të forta se edhe viruse të tjera mund të shkaktojnë hepatitin; nëse zbulohen, ata do të emërtohen hepatiti E, e me radhë.»

A vazhdojnë Qendrat e Konservimit të Gjakut të bëjnë kërkime të imëta, në mënyrë që analizat të garantojnë sigurinë e gjakut? Duke përmendur problemin e kostos, një drejtues i Kryqit të Kuq Amerikan, bëri këtë koment shqetësues: «Nuk mund të vazhdojmë të bëjmë analizë pas analize për çdo agjent infektiv që mund të përhapet.»​—Medical World News, 8 maj 1989.

Madje edhe analizat për hepatitin B janë të pasigurta; ka akoma shumë njerëz që e marrin atë nëpërmjet gjakut. Veç kësaj, a do t’u japë garanci njerëzve analiza e shpallur për hepatitin C? The Journal of the American Medical Association (5 janar 1990) shpjegonte që para se kundërtrupat e sëmundjes të jenë të diktueshëm nga analiza, mund të kalojë një vit. Ndërkohë, njerëzit që kanë bërë transfuzion me këtë gjak, mund të kenë si pasojë një mëlçi të shkatërruar dhe rrezikun e vdekjes.

[Kutia dhe figura në faqen 11]

Sëmundja Chagas ilustron në ç’mënyrë mbarten sëmundjet me anë të gjakut te njerëzit e vendeve të largëta. «The Medical Post» (16 janar 1990) njofton se ‘10-12 milionë njerëz në Amerikën Latine janë mbartës kronikë’. Kjo sëmundje paraqet «një ndër rreziqet më të mëdha të transfuzionit në Amerikën e Jugut». Një «insekt vrasës» pickon në fytyrë viktimën që fle, thith gjakun dhe lëshon jashtëqitjet në plagë. Viktima mund ta mbartë sëmundjen Chagas për vite (ndërkohë që ndoshta dhuron gjak) para se të shfaqë ndërlikime vdekjeprurëse në zemër.

Pse duhet t’u interesojë kjo njerëzve në kontinentet e largëta? Në gazetën «The New York Times» (23 maj 1989), dr. L. K. Altman tregonte për pacientë që morën sëmundjen Chagas pas transfuzionit, njëri prej të cilëve vdiq. Altman shkruante: «Raste të tjera mund të kenë kaluar pa u diktuar, sepse [mjekët këtu] nuk janë të familjarizuar me sëmundjen Chagas dhe as nuk e kuptojnë se ajo mund të përhapet nëpërmjet transfuzioneve.» Po, gjaku mund të jetë një automjet me anë të të cilit sëmundjet bëjnë udhëtime në distanca të largëta.

[Kutia në faqen 12]

Dr. Knud Lund-Olesen shkroi: «Përderisa . . . disa individë që u përkasin grupeve me rrezikshmëri të lartë dhurojnë vullnetarisht gjak, sepse kështu kontrollohen automatikisht për SIDA-n, unë mendoj se ka arsye që të ngurrojmë të pranojmë transfuzionin e gjakut. Dëshmitarët e Jehovait e kanë refuzuar këtë për shumë vite. Parashikonin të ardhmen?»​—«Ugeskrift for Læger» (E përjavshme për mjekët), 26 shtator 1988.

[Kutia në faqen 9]

Papa mbijetoi pas atentatit. Mbasi doli nga spitali, ai u shtrua përsëri për dy muaj, «duke vuajtur shumë». Përse? Një infeksion me potencial vdekjeprurës nga citomegalovirusi, i shkaktuar prej gjakut që mori

[Burimi]

UPI/Bettmann Newsphotos

[Figura në faqen 12]

Virusi i SIDA-s

[Burimi]

CDC, Atlanta, Ga.