Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çështja me të cilën të gjithë duhet të ballafaqohemi

Çështja me të cilën të gjithë duhet të ballafaqohemi

Kapitulli gjashtë

Çështja me të cilën të gjithë duhet të ballafaqohemi

1, 2. (a) Cilën çështje ngriti Satanai në Eden? (b) Si nënkuptohet kjo çështje nga fjalët që tha ai?

JE I përfshirë në çështjen më të rëndësishme me të cilën do të ballafaqohet ndonjëherë njerëzimi. Qëndrimi që do të marrësh në këtë çështje do të përcaktojë të ardhmen tënde të përhershme. Kjo çështje lindi kur shpërtheu rebelimi në Eden. Në atë kohë, Satanai e pyeti Evën: «A ka thënë me të vërtetë Perëndia: ‘Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?’» Ajo u përgjigj se për njërën pemë Perëndia kishte thënë: «Mos hani . . . ndryshe do të vdisni.» Atëherë, Satanai e akuzoi drejtpërdrejt Jehovain se gënjente, duke thënë se as jeta e Evës dhe as ajo e Adamit nuk vareshin nga bindja ndaj Perëndisë. Satanai pohoi se Perëndia po u mbante diçka të mirë krijesave të tij, domethënë aftësinë për t’i vendosur ata vetë normat sipas së cilave duhej të jetonin. Satanai pohoi: «Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.»​—Zanafilla 3:1-5.

2 Në thelb Satanai po thoshte se njerëzit do të bënin më mirë t’i merrnin vetë vendimet, në vend që t’u bindeshin ligjeve të Perëndisë. Pra, sfidoi mënyrën e sundimit të Perëndisë. Kjo bëri që të lindë çështja shumë e rëndësishme e sovranitetit universal të Perëndisë, domethënë e së drejtës së tij për të sunduar. Lindi pyetja: Çfarë është më mirë për njerëzit, mënyra e sundimit të Jehovait apo sundimi i pavarur prej tij? Kuptohet që Jehovai mund t’i kishte ekzekutuar menjëherë Adamin dhe Evën, por kjo vështirë se do ta kishte zgjidhur në mënyrë të kënaqshme çështjen e sovranitetit. Duke e lënë shoqërinë njerëzore të zhvillohej për një kohë mjaft të gjatë, Perëndia mund ta tregonte me saktësi se çfarë pasojash do të sillte pavarësia prej tij dhe prej ligjeve të tij.

3. Cilën çështje dytësore ngriti Satanai?

3 Sulmi i Satanait kundër së drejtës së Jehovait për të sunduar nuk mbaroi me atë që ndodhi në Eden. Satanai vuri në dyshim besnikërinë e të tjerëve ndaj Jehovait. Kjo u bë një çështje dytësore e lidhur ngushtë me të parën. Sfida e tij dalëngadalë përfshiu pasardhësit e Adamit, të gjithë bijtë frymorë të Perëndisë e madje edhe Birin shumë të dashur të parëlindur të Jehovait. Në ditët e Jobit, për shembull, Satanai tha se ata që i shërbejnë Jehovait nuk e bëjnë këtë sepse e duan Perëndinë dhe mënyrën e tij të sundimit, por për arsye egoiste. Ai pohoi se kur të gjendeshin në vështirësi, të gjithë do t’u dorëzoheshin dëshirave egoiste.​—Jobi 2:1-6; Zbulesa 12:10.

Çfarë ka treguar historia?

4, 5. Çfarë ka treguar historia për sa i përket drejtimit të hapave nga njeriu?

4 Një pikë thelbësore në çështjen e sovranitetit është kjo: Perëndia nuk i krijoi njerëzit që të jetonin të pavarur nga sundimi i tij dhe të kishin sukses. Për dobinë e tyre i bëri të ishin të varur nga ligjet e tij të drejta. Profeti Jeremia pranoi: «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij. Më korrigjo o Zot.» (Jeremia 10:23, 24) Prandaj Fjala e Perëndisë nxit: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd.» (Fjalët e urta [Proverbat] 3:5) Perëndia i bëri njerëzit të varur nga ligjet fizike, me qëllim që të jetonin. Po kështu, nxori edhe ligje morale, të cilat, nëse do të zbatoheshin do të sillnin si rrjedhim një shoqëri të harmonishme.

5 Është e qartë se Perëndia e dinte që familja njerëzore nuk mund të kishte kurrë sukses duke u qeverisur vetë, pa sundimin e tij. Në një përpjekje të kotë për të qenë të pavarur nga sundimi i Perëndisë, njerëzit kanë ngritur sisteme të ndryshme politike, ekonomike dhe fetare. Këto ndryshime i kanë vënë njerëzit në konflikte të vazhdueshme me njëri-tjetrin, të cilat kanë sjellë si pasojë dhunë, luftë dhe vdekje. ‘Njeriu ka sunduar mbi tjetrin për ta dëmtuar.’ (Predikuesi [Eklisiastiu] 8:9) Kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur gjatë gjithë historisë njerëzore. Siç ishte parathënë në Fjalën e Perëndisë, njerëzit e ligj dhe mashtrues kanë vazhduar të ‘shkojnë keq e më keq’. (2 Timoteut 3:13) Shekulli i 20-të, gjatë të cilit njerëzimi arriti majat më të larta në zhvillimet shkencore dhe industriale, përjetoi edhe katastrofat më të këqija që kishin ndodhur ndonjëherë. Fjalët e Jeremisë 10:23 janë vërtetuar më së miri: njerëzit nuk u krijuan që t’i drejtonin vetë hapat e tyre.

6. Si do ta zgjidhë së shpejti Perëndia çështjen e pavarësisë së njerëzve prej tij?

6 Pasojat e vazhdueshme tragjike të pavarësisë prej Perëndisë kanë treguar një herë e përgjithmonë se sundimi i njerëzve nuk mund të ketë kurrë sukses. Sundimi i Perëndisë është e vetmja udhë drejt lumturisë, unitetit, shëndetit dhe jetës. Gjithashtu, Fjala e Perëndisë tregon se po afrohet fundi i periudhës gjatë së cilës Jehovai ka lejuar sundimin e pavarur njerëzor. (Mateu 24:3-14; 2 Timoteut 3:1-5) Pas pak, ai do të ndërhyjë në çështjet njerëzore për të vendosur sundimin e tij mbi tokën. Profecia e Biblës thotë: «Në kohën e këtyre mbretërve [sundimeve njerëzore që janë tani], Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri [në qiell], që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër [njerëzit nuk do ta sundojnë kurrë më tokën], por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri [të sotme], dhe do të ekzistojë përjetë.»​—Danieli 2:44.

Mbijetesa dhe hyrja në botën e re të Perëndisë

7. Kush do të mbijetojë kur sundimi i Perëndisë t’i japë fund sundimit të njeriut?

7 Kush do të mbijetojë kur sundimi i Perëndisë t’i japë fund sundimit të njeriut? Bibla përgjigjet: «Njerëzit e drejtë [ata që mbështetin të drejtën e Perëndisë për të sunduar] do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët [ata që nuk mbështetin të drejtën e Perëndisë për të sunduar] do të shfarosen nga toka.» (Fjalët e urta 2:21, 22) Po ashtu, psalmisti tha: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më . . . Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»​—Psalmi 37:10, 29.

8. Si do ta shfajësojë plotësisht Perëndia sovranitetin e tij?

8 Pasi të shkatërrohet sistemi i Satanait, Perëndia do të sjellë botën e tij të re. Ajo do të zhdukë plotësisht dhunën shkatërruese, luftërat, varfërinë, vuajtjet, sëmundjet dhe vdekjen, të cilat e kanë mbajtur njerëzimin të mbërthyer në darën e tyre për mijëra vjet. Bibla i përshkruan bukur bekimet që e presin njerëzimin e bindur: «Ai [Perëndia] do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» (Zbulesa 21:3, 4) Me anë të qeverisë së tij qiellore të Mbretërisë të drejtuar nga Krishti, Perëndia do ta shfajësojë (justifikojë ose provojë) plotësisht të drejtën e Tij për të qenë Sovrani ynë, domethënë Sundimtari ynë.​—Romakëve 16:20; 2 Pjetrit 3:10-13; Zbulesa 20:1-6.

Si i janë përgjigjur çështjes?

9. (a) Si e kanë konsideruar fjalën e Jehovait ata që i kanë qëndruar besnikë atij? (b) Si dha prova Noeja për besnikërinë e tij dhe si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i tij?

9 Gjatë gjithë historisë ka pasur burra e gra me besim që kanë dhënë prova të besnikërisë së tyre ndaj Jehovait si Sovran. E dinin që jeta e tyre varej nga dëgjimi dhe bindja ndaj tij. Noeja ishte një njeri i tillë. Perëndia i tha Noesë: «Kam vendosur t’i jap fund çdo mishi . . . Bëj një arkë.» Noeja iu nënshtrua drejtimit të Jehovait. Ndonëse ishin paralajmëruar, njerëzit e tjerë të asaj epoke vazhduan jetën e tyre sikur s’do të ndodhte asgjë e pazakontë. Por Noeja ndërtoi një arkë gjigante dhe e shfrytëzoi kohën duke u predikuar të tjerëve për rrugët e drejta të Jehovait. Tregimi vazhdon: «Noeu veproi ashtu, bëri pikërisht të gjitha ato që Perëndia i kishte urdhëruar.»​—Zanafilla 6:13-22; Hebrenjve 11:7; 2 Pjetrit 2:5.

10. (a) Si e mbështetën Abrahami dhe Sara sovranitetin e Jehovait? (b) Si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i Abrahamit dhe i Sarës?

10 Edhe Abrahami e Sara lanë një shembull të shkëlqyer duke mbështetur sovranitetin e Jehovait dhe duke bërë çfarëdo gjëje që u urdhëronte ai. Ata jetonin në Urin e kaldeasve që ishte një qytet i begatë. Por, kur Jehovai i tha Abrahamit që të shkonte në një vend tjetër të cilin nuk e njihte, ky «u nis siç i kishte thënë Zoti». Sara pa dyshim që kishte pasur një jetë të rehatshme, me një shtëpi, miq dhe të afërm. Gjithsesi, iu nënshtrua Jehovait dhe të shoqit e shkoi në vendin e Kanaanit, ndonëse nuk e dinte çfarë kushtesh e pritnin atje.​—Zanafilla 11:31–12:4; Veprat 7:2-4.

11. (a) Në cilat rrethana e mbështeti Moisiu sovranitetin e Jehovait? (b) Si mund të na sjellë dobi shembulli i Moisiut?

11 Moisiu ishte një tjetër që mbështeti sovranitetin e Jehovait. Këtë e bëri në rrethanat më të vështira, duke dalë ballë për ballë me faraonin e Egjiptit. Arsyeja nuk ishte se Moisiu kishte besim të tepërt te vetja. Përkundrazi, dyshonte për aftësitë e tij të të folurit. Por iu bind Jehovait. Me përkrahjen e Jehovait dhe me ndihmën e Aaronit, vëllait të tij, Moisiu ia tha disa herë fjalën e Jehovait faraonit kryeneç. Moisiun e kritikuan ashpër edhe disa bij të Izraelit. Por ai zbatoi me besnikëri gjithçka që i kishte urdhëruar Jehovai, e nëpërmjet tij Izraeli u çlirua nga Egjipti.​—Eksodi (Dalja) 7:6; 12:50, 51; Hebrenjve 11:24-27.

12. (a) Nga duket se besnikëria ndaj Jehovait përfshin më shumë se të bësh atë që Perëndia ka përcaktuar me shkrim? (b) Si mund të na ndihmojë kuptueshmëria për këtë lloj besnikërie të zbatojmë 1 Gjonit 2:15?

12 Ata që i qëndronin besnikë Jehovait nuk arsyetonin se gjithçka që kërkohej prej tyre ishte t’i bindeshin asaj që Perëndia kishte bërë të shkruhej. Kur gruaja e Potifarit u përpoq ta joshte Jozefin që të kryente marrëdhënie kurorëshkelëse me të, nuk kishte asnjë urdhër të shkruar të Perëndisë që të ndalonte kurorëshkeljen. Megjithatë, Jozefi e kishte parasysh martesën që kishte themeluar Jehovai në Eden. Ishte i vetëdijshëm se po të kishte marrëdhënie seksuale me gruan e një tjetri do t’i shkaktonte pakënaqësi Perëndisë. Jozefi nuk donte të vinte në provë se deri në ç’pikë do ta lejonte Perëndia që të ishte si egjiptianët. Ai mbështeti rrugët e Jehovait, duke medituar për mënyrën se si kishte vepruar Perëndia me njerëzimin dhe pastaj duke zbatuar me përpikëri atë që kishte kuptuar se ishte vullneti i Perëndisë.​—Zanafilla 39:7-12; Psalmi 77:11, 12.

13. Në ç’mënyrë u provua se Djalli ishte gënjeshtar lidhur me (a) Jobin? (b) tre hebrenjtë?

13 Edhe sikur të kenë sprova të mëdha, ata që e njohin vërtet Jehovain nuk largohen prej tij. Në rastin e Jobit, Satanai hodhi akuzën se sikur Jobi t’i humbte zotërimet e shumta që kishte ose shëndetin, edhe ai​—për të cilin Jehovai fliste kaq mirë​—do ta braktiste Perëndinë. Por Jobi e tregoi me prova se Djalli ishte gënjeshtar, edhe pse vetë nuk e dinte përse po i ndodhnin gjithë këto gjëma. (Jobi 2:9, 10) Shekuj më vonë, duke u orvatur gjithnjë që të provonte pohimin e tij, Satanai bëri diçka tjetër. Ai bëri që një mbret i zemëruar i Babilonisë të kërcënonte me vdekje në furrën e zjarrtë tre të rinj hebrenj, po të mos gjunjëzoheshin në shenjë adhurimi përpara një shëmbëlltyre që kishte ndërtuar. Këta të rinj u gjendën para zgjedhjes mes bindjes ndaj urdhrit të mbretit dhe bindjes ndaj ligjit të Jehovait kundër idhujtarisë. Por u shprehën me vendosmëri se i shërbenin Jehovait dhe se ai ishte Sovrani i tyre Suprem. Për ta, besnikëria ndaj Perëndisë ishte më e çmuar se jeta që kishin!​—Danieli 3:14-18.

14. Si mund ta tregojmë ne njerëzit e papërsosur se i qëndrojmë vërtet besnikë Jehovait?

14 Mos vallë nga këta shembuj duhet të nxjerrim përfundimin se për t’i qëndruar besnik Jehovait një njeri duhet të jetë i përsosur ose që nëse ai bën një gabim s’ka më asnjë shpresë? Jo, aspak! Bibla na tregon se Moisiu gaboi në disa raste. Ndonëse mbeti i pakënaqur, Jehovai nuk e hodhi poshtë Moisiun. Edhe apostujt e Jezu Krishtit kishin dobësitë e tyre. Duke mbajtur parasysh papërsosmërinë që kemi trashëguar, Jehovai kënaqet po qe se nuk e shpërfillim qëllimisht vullnetin e tij në çfarëdolloj fushe. Nëse nga dobësia na ndodh që të gabojmë, është e rëndësishme që të pendohemi nga zemra dhe të mos e bëjmë shprehi atë gabim. Në këtë mënyrë tregojmë se e duam vërtet atë që Jehovai thotë se është e mirë dhe e urrejmë atë që ai tregon se është e keqe. Në bazë të besimit në vlerën që ka flijimi i Jezuit për të shlyer mëkatet mund të kemi një qëndrim të pastër përpara Perëndisë.​—Amosi 5:15; Veprat 3:19; Hebrenjve 9:14.

15. (a) Cili nga të gjithë njerëzit mbajti një besnikëri të përsosur ndaj Perëndisë dhe çfarë provoi kjo? (b) Si na ndihmon ajo që bëri Jezui?

15 Por, mos ndoshta bindja e përsosur ndaj sovranitetit të Jehovait nuk është fare e mundur për njerëzit? Përgjigjja e kësaj pyetjeje ishte si një ‘sekret i shenjtë’ për më shumë se 4.000 vjet. (1 Timoteut 3:16) Megjithëse u krijua i përsosur, Adami nuk la një shembull të përsosur të përkushtimit hyjnor. Pra, kush mund ta linte këtë shembull? Pa dyshim, asnjë prej pasardhësve të tij mëkatarë. Jezu Krishti ishte i vetmi njeri që ia doli mbanë. (Hebrenjve 4:15) Ajo që bëri Jezui provoi se Adami, i cili pati rrethana më të volitshme, po të kishte dashur mund të kishte mbajtur një besnikëri të përsosur. Fajin nuk e kishte vepra krijuese e Perëndisë. Jezu Krishti është, pra, shembulli që përpiqemi të imitojmë për të treguar jo vetëm bindjen ndaj ligjit hyjnor, por edhe përkushtimin tonë ndaj Jehovait, Sovranit Universal.​—Ligji i përtërirë 32:4, 5.

Si përgjigjesh ti?

16. Përse duhet të jemi vazhdimisht vigjilentë për qëndrimin që kemi ndaj sovranitetit të Jehovait?

16 Sot, secili prej nesh duhet të ballafaqohet me çështjen e sovranitetit universal. Nëse e kemi shpallur hapur se jemi në anën e Jehovait, Satanai na bën shënjestër të tij. Ai bën presione nga çdo drejtim dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në fund të sistemit të tij të lig. Nuk duhet ta ulim vigjilencën. (1 Pjetrit 5:8) Sjellja jonë tregon se nga cila anë qëndrojmë në çështjen më të madhe të sovranitetit të Jehovait dhe në çështjen dytësore të mbajtjes së besnikërisë ndaj Perëndisë kur jemi nën sprova. Do të ishte në dëmin tonë ta quanim si të parëndësishme sjelljen jobesnike vetëm sepse është e zakonshme në botë. Të mbajmë besnikërinë kërkon që të përpiqemi të zbatojmë normat e drejta të Jehovait në çdo fushë të jetës.

17. Cili fakt për origjinën e gënjeshtrës dhe të vjedhjes duhet të na bëjë t’i shmangim ato?

17 Për shembull, nuk mund të imitojmë Satanain, i cili është «ati i gënjeshtrës». (Gjoni 8:44) Duhet të tregohemi të ndershëm në çdo gjë. Në sistemin e Satanait, të rinjtë shpesh nuk u thonë të vërtetën prindërve. Por të rinjtë e krishterë e shmangin një gjë të tillë e në këtë mënyrë e nxjerrin të gënjeshtërt akuzën e Satanait se populli i Perëndisë nuk do të mbante besnikërinë nën sprovë. (Jobi 1:9-11; Fjalët e urta 6:16-19) Përveç kësaj, ka edhe praktika tregtare të cilat mund të tregojnë se një njeri është në anën e ‘atit të gënjeshtrës’, jo në anën e Perëndisë të së vërtetës. Këto ne i shmangim. (Mikea 6:11, 12) Gjithashtu, vjedhja nuk është asnjëherë e justifikuar, edhe sikur dikush të gjendet në hall ose sikur personi të cilit i kanë vjedhur të jetë i pasur. (Fjalët e urta 6:30, 31; 1 Pjetrit 4:15) Edhe nëse kjo është një praktikë e përhapur në vendin ku jetojmë ose nëse sasia e vjedhur është e vogël, vjedhja është prapëseprapë në kundërshtim me ligjet e Perëndisë.​—Luka 16:10; Romakëve 12:2; Efesianëve 4:28.

18. (a) Çfarë sprove do të vijë mbi gjithë njerëzimin në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit? (b) Cilën shprehi duhet të kultivojmë që tani?

18 Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, Satanai dhe demonët e tij do të jenë në humnerë, të paaftë për të ndikuar te njerëzimi. Çfarë lehtësimi do të jetë ky! Por, pas një mijë vjetëve, ata do të lirohen për një kohë të shkurtër. Satanai dhe pasuesit e tij do të ushtrojnë presion mbi njerëzimin e rivendosur që do të jetë duke mbajtur besnikërinë ndaj Perëndisë. (Zbulesa 20:7-10) Si do të reagojmë në çështjen e sovranitetit universal, nëse do të kemi privilegjin të jemi gjallë në atë kohë? Meqë atëherë i gjithë njerëzimi do të jetë i përsosur, çfarëdo akti jobesnikërie do të jetë i qëllimshëm dhe do të sjellë si pasojë shkatërrimin e përjetshëm. Sa jetësore është të kultivojmë që tani shprehinë për t’iu përgjigjur pozitivisht çfarëdo drejtimi që na jep Jehovai nëpërmjet Fjalës së tij ose nëpërmjet organizatës së tij! Duke vepruar kështu, tregojmë përkushtimin tonë të sinqertë ndaj tij si Sovran Universal.

Pyetje për rishikim

• Me cilën çështje të madhe duhet të ballafaqohemi të gjithë ne? Si u përfshimë në të?

• Ç’gjë të bën përshtypje për mënyrat se si treguan besnikëri ndaj Jehovait burra e gra në kohët e kaluara?

• Përse është jetësore ta nderojmë çdo ditë Jehovain me sjelljen tonë?

[Pyetjet]