Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ata nuk janë pjesë e botës»

«Ata nuk janë pjesë e botës»

Kapitulli tetëmbëdhjetë

«Ata nuk janë pjesë e botës»

1. (a) Për çfarë u lut Jezui lidhur me dishepujt e tij, natën para se të vdiste? (b) Përse është kaq e rëndësishme ‘të mos jemi pjesë e botës’?

NATËN para se ta vritnin, Jezui u lut për dishepujt e tij. Duke e ditur se Satanai do t’u shkaktonte presione shumë të mëdha, Jezui i tha Atit të tij: «Të kërkoj, jo t’i heqësh nga bota, por t’i ruash për shkak të të ligut. Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:15, 16) Pse është kaq e rëndësishme të jemi të ndarë nga bota? Sepse sundimtari i saj është Satanai. Të krishterët nuk duan të jenë pjesë e një bote që është nën kontrollin e tij.​—Luka 4:5-8; Gjoni 14:30; 1 Gjonit 5:19.

2. Si e tregoi Jezui se nuk ishte pjesë e botës?

2 Fakti që s’ishte pjesë e botës nuk do të thoshte se Jezui s’kishte dashuri për të tjerët. Përkundrazi, ai shëroi të sëmurë, ringjalli të vdekur dhe u mësoi njerëzve për Mbretërinë e Perëndisë. Madje dha edhe jetën për njerëzimin. Por nuk donte qëndrimet dhe veprimet e paperëndishme të atyre që shfaqnin frymën e botës së Satanait. Prandaj paralajmëroi kundër gjërave të tilla, si: dëshirat imorale, mënyra materialiste e jetesës dhe dëshira për t’u dukur. (Mateu 5:27, 28; 6:19-21; Luka 20:46, 47) Pra , s’është për t’u habitur që Jezui shmangu edhe politikën e botës. Ndonëse ishte jude, ai nuk mori anën e askujt në konfliktet politike ndërmjet Romës dhe judenjve.

«Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote»

3. (a) Çfarë akuze i bënë udhëheqësit fetarë judenj Pilatit për Jezuin dhe përse? (b) Nga duket se Jezuit nuk i interesonte të bëhej mbret njerëzor?

3 Shqyrto çfarë ndodhi kur udhëheqësit fetarë judenj e arrestuan Jezuin dhe e çuan te guvernatori romak Ponc Pilati. Në të vërtetë, këta udhëheqës ishin të shqetësuar sepse Jezui kishte demaskuar hipokrizinë e tyre. Për ta shtyrë guvernatorin që të ndërmerrte veprime kundër Jezuit, e akuzuan këtë të fundit duke thënë: «Këtë e gjetëm duke minuar kombin tonë, duke ndaluar pagimin e taksave Cezarit dhe duke thënë se ai vetë është Krishti, një mbret.» (Luka 23:2) Qartë, kjo ishte një gënjeshtër, sepse një vit më parë, kur njerëzit donin ta bënin mbret, Jezui nuk kishte pranuar. (Gjoni 6:15) Ai e dinte se do të ishte një Mbret qiellor në të ardhmen. (Luka 19:11, 12) Gjithashtu, do të vihej në fron jo nga njerëzit, por nga Jehovai.

4. Cili ishte qëndrimi i Jezuit ndaj pagimit të taksave?

4 Vetëm tri ditë përpara se Jezui të arrestohej, farisenjtë ishin përpjekur ta bënin të thoshte diçka që ta akuzonin për çështjen e pagimit të taksave. Por ai u kishte thënë: «Më tregoni një denar [monedhë romake]. E kujt është shëmbëlltyra dhe mbishkrimi që ka?» Kur ata iu përgjigjën «e Cezarit», ai ua ktheu: «Paguajini, pra, patjetër Cezarit, gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë.»​—Luka 20:20-25.

5. (a) Cilin mësim u dha Jezui dishepujve të tij në kohën kur e arrestuan? (b) Si e shpjegoi Jezui arsyen për atë që kishte bërë? (c) Cili ishte përfundimi i atij gjyqi?

5 Jo, Jezui nuk mësonte rebelimin kundër autoriteteve qeveritare. Kur ushtarët dhe njerëz të tjerë erdhën për të arrestuar Jezuin, Pjetri nxori një shpatë dhe goditi njërin nga njerëzit, duke i prerë veshin. Por Jezui i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të marrin fund.» (Mateu 26:51, 52) Ditën tjetër, Jezui ia shpjegoi veprimet e tij Pilatit, duke i thënë: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të kishin luftuar që unë të mos u dorëzohesha judenjve.» (Gjoni 18:36) Pilati e pranoi se nuk kishte «asnjë bazë për akuzat» kundër Jezuit. Por, duke mos i bërë dot ballë presionit të turmës, urdhëroi që Jezuin ta varnin në shtyllë.​—Luka 23:13-15; Gjoni 19:12-16.

Dishepujt ndjekin udhëheqjen e Jezuit

6. Si e treguan të krishterët e hershëm se e shmangnin frymën e botës, por i donin njerëzit?

6 Në këtë mënyrë, dishepujt e Jezuit e kuptuan çfarë kërkohej për të mos qenë pjesë e botës. Për ta do të thoshte të shmangnin frymën dhe veprimet e paperëndishme të botës, të cilat përfshinin zbavitjet e dhunshme e imorale nëpër arenat dhe teatrot romake. Meqenëse i shmangnin këto, dishepujt u quajtën persona që e urrenin njerëzimin. Megjithatë, ata jo vetëm që nuk i urrenin njerëzit, por punonin shumë për t’i ndihmuar të tjerët që të nxirrnin dobi nga masat që kishte marrë Perëndia për shpëtim.

7. (a) Çfarë përjetuan dishepujt e hershëm, ngaqë nuk ishin pjesë e botës? (b) Si i shihnin ata sundimtarët politikë dhe pagimin e taksave? Përse?

7 Ithtarët e Jezuit u përndoqën siç ishte përndjekur ai, shpesh nga qeveritarë të keqinformuar. Megjithatë, rreth vitit 56 të e.s., apostulli Pavël u shkroi të krishterëve në Romë, duke i nxitur që ‘të ishin të nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta [sundimtarëve politikë], sepse nuk ka autoritet veçse nga Perëndia’. Kjo nuk do të thotë se qeveritë në botë i vendos Jehovai, por ai i lejon të ekzistojnë derisa në gjithë tokën të sundojë vetëm Mbretëria e tij. Me të drejtë Pavli i këshilloi të krishterët që t’i respektonin autoritetet qeveritare dhe të paguanin taksat.​—Romakëve 13:1-7; Titit 3:1, 2.

8. (a) Deri në çfarë mase duhet t’u nënshtrohen të krishterët autoriteteve më të larta? (b) Si e ndoqën të krishterët e hershëm shembullin e Jezuit?

8 Megjithatë, nënshtrimi ndaj sundimtarëve politikë duhet të jetë relativ, jo absolut. Kur ka një konflikt ndërmjet ligjeve të Jehovait dhe ligjeve të nxjerra nga njerëzit, ata që i shërbejnë Jehovait duhet t’u binden ligjeve të Tij. Vër re se çfarë thotë për të krishterët e hershëm një libër (On the Road to Civilization​A World History): «Të krishterët nuk pranonin t’i përmbushnin disa detyrime të shtetasve romakë. Të krishterët . . . e quanin shkelje të besimit të tyre të hynin në shërbimin ushtarak. Nuk zinin poste politike. Nuk adhuronin perandorin.» Kur gjykata e lartë judaike ‘i urdhëroi prerazi’ dishepujt që të mos predikonin më, këta iu përgjigjën: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.»​—Veprat 5:27-29.

9. (a) Çfarë bënë të krishterët në Jerusalem në vitin 66 të e.s. dhe përse? (b) Përse ky është një model i dobishëm?

9 Për sa u përket konflikteve politike dhe ushtarake, dishepujt mbanin një asnjanësi të palëkundur. Në vitin 66 të e.s., judenjtë në Jude ngritën krye kundër Cezarit. Ushtria romake e rrethoi menjëherë Jerusalemin. Çfarë bënë të krishterët që ishin në qytet? E mbajtën mend këshillën e Jezuit për të dalë nga qyteti. Kur romakët u tërhoqën përkohësisht, të krishterët kaluan lumin Jordan dhe shkuan në rajonin malor të Pelas. (Luka 21:20-24) Asnjanësia e tyre shërben si model për të krishterët besnikë që erdhën më vonë.

Të krishterë asnjanës në këto ditë të fundit

10. (a) Në cilën vepër angazhohen Dëshmitarët e Jehovait dhe përse? (b) Në lidhje me ç’gjë janë asnjanës?

10 A tregon historia se ndonjë grup në këto ditë të fundit ka mbajtur vazhdimisht një asnjanësi të palëkundur, duke imituar kështu të krishterët e hershëm? Po, Dëshmitarët e Jehovait kanë vepruar kështu. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ata kanë vazhduar të predikojnë se Mbretëria e Perëndisë është i vetmi mjet që do të sjellë paqe të qëndrueshme, begati e lumturi për ata që e duan drejtësinë. (Mateu 24:14) E për sa u përket konflikteve midis kombeve, kanë mbajtur asnjanësi të palëkundur.

11. (a) Si dallon asnjanësia e Dëshmitarëve nga praktikat e klerit? (b) Cilën pikëpamje kanë Dëshmitarët e Jehovait lidhur me atë që bëjnë të tjerët për sa i përket politikës?

11 Në ndryshim të plotë nga ata, kleri i feve të kësaj bote është zhytur deri në grykë në çështjet politike. Në disa vende, ata kanë marrë pjesë gjallërisht nëpër fushata pro ose kundër kandidatëve. Disa klerikë kanë zënë madje poste politike. Të tjerë u kanë bërë presion politikanëve që të mbështetin programet e miratuara nga kleri. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait nuk përzihen në politikë. As nuk ndërhyjnë në atë që bëjnë të tjerët lidhur me anëtarësinë në ndonjë parti politike, konkurrimin për ndonjë post politik ose votimin nëpër zgjedhje. Jezui tha që dishepujt e tij nuk do të ishin pjesë e botës, kështu që Dëshmitarët e Jehovait nuk përzihen në politikë.

12. Cilat pasoja kanë ardhur ngaqë fetë e kësaj bote nuk janë asnjanëse?

12 Siç e paratha Jezui, kombet kanë shkuar vazhdimisht në luftë, madje edhe brendapërbrenda kombeve njëri grup ka luftuar kundër një tjetri. (Mateu 24:3, 6, 7) Udhëheqësit fetarë kanë mbështetur pothuajse gjithnjë një komb ose grup kundër një tjetri, duke i nxitur ithtarët e tyre që të bënin të njëjtën gjë. Përfundimi? Anëtarë të së njëjtës fe vrasin njëri-tjetrin në luftë vetëm sepse u përkasin kombeve ose fiseve të ndryshme. Kjo është në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë.​—1 Gjonit 3:10-12; 4:8, 20.

13. Çfarë tregojnë faktet për asnjanësinë e Dëshmitarëve të Jehovait?

13 Sidoqoftë, Dëshmitarët e Jehovait kanë mbajtur asnjanësi të palëkundur në të gjitha konfliktet. Kulla e Rojës e 1 nëntorit 1939 (anglisht), thoshte: «Të gjithë ata që janë në anën e Zotërisë duhet të jenë asnjanës për sa u përket kombeve ndërluftuese.» Dëshmitarët e Jehovait në çdo komb dhe në çdo rrethanë vazhdojnë të mbajnë këtë qëndrim. Nuk lejojnë që politikat dhe luftërat përçarëse të botës të prishin vëllazërinë e tyre ndërkombëtare. «I farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj.» Meqenëse janë asnjanës, nuk e mësojnë më luftën.​—Isaia 2:3, 4; 2 Korintasve 10:3, 4.

14. Çfarë kanë hasur Dëshmitarët e Jehovait ngaqë kanë qëndruar të ndarë nga bota?

14 Cila është një nga pasojat e asnjanësisë së tyre? Jezui tha: «Ngaqë nuk jeni pjesë e botës, . . . bota ju urren.» (Gjoni 15:19) Shumë Dëshmitarë të Jehovait janë burgosur, sepse janë shërbëtorë të Perëndisë. Disa janë torturuar e madje janë vrarë, ashtu siç u ndodhi të krishterëve të shekullit të parë. Kjo ndodh sepse Satanai, «perëndia i këtij sistemi», u kundërvihet shërbëtorëve të Jehovait, të cilët nuk janë pjesë e sistemit.​—2 Korintasve 4:4; Zbulesa 12:12.

15. (a) Për ku po marshojnë të gjitha kombet dhe çfarë bëjnë kujdes të shmangin Dëshmitarët e Jehovait? (b) Përse është shumë e rëndësishme të jemi të ndarë nga bota?

15 Shërbëtorët e Jehovait janë të lumtur që nuk janë pjesë e botës, sepse të gjitha kombet e saj po marshojnë drejt fundit të tyre në Harmagedon. (Danieli 2:44; Zbulesa 16:14, 16; 19:11-21) Ne nuk do të kemi këtë përfundim, sepse qëndrojmë të ndarë nga bota. Si një popull i bashkuar në mbarë tokën i qëndrojmë besnikë Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Vërtet që duke mos qenë pjesë e botës, hasim tallje e përndjekje prej saj. Mirëpo, shumë shpejt kjo do të mbarojë, pasi bota e sotme e ligë që drejtohet nga Satanai do të shkatërrohet përgjithmonë. Nga ana tjetër, ata që i shërbejnë Jehovait do të jetojnë përgjithmonë në botën e tij të re të drejtë, nën Mbretërinë e Perëndisë.​—2 Pjetrit 3:10-13; 1 Gjonit 2:15-17.

Pyetje për rishikim

• Si e tregoi Jezui se çfarë përfshin ‘të mos jemi pjesë e botës’?

• Cili ishte qëndrimi i të krishterëve të hershëm ndaj (a) frymës së botës? (b) sunduesve politikë dhe (c) pagimit të taksave?

• Si kanë dhënë prova të asnjanësisë së krishterë Dëshmitarët e Jehovait në kohët e sotme?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 165]

Jezui shpjegoi se ai dhe ithtarët e tij ‘nuk ishin pjesë e botës’