Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fuqia e shpresës së ringjalljes

Fuqia e shpresës së ringjalljes

Kapitulli nëntë

Fuqia e shpresës së ringjalljes

1. Ç’të ardhme do të kishte për të vdekurit, pa shpresën e ringjalljes?

A TË ka rrëmbyer vdekja njerëz të dashur? Pa ringjalljen, nuk do të kishe asnjë shpresë që t’i shihje përsëri. Do të mbeteshin në gjendjen që përshkruan Bibla kur thotë: «Të vdekurit nuk dinë asgjë; . . . në Sheol [varri] ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.»​—Predikuesi (Eklisiastiu) 9:5, 10.

2. Cila shpresë e mrekullueshme bëhet e mundur me anë të ringjalljes?

2 Me anë të shpresës së ringjalljes Jehovai me mëshirë u ka dhënë miliarda e miliarda njerëzve mundësinë e mrekullueshme që të kthehen në jetë dhe të gëzojnë jetën e përjetshme. Kjo do të thotë se mund të kesh shpresën ngushëlluese që një ditë, në botën e re të Perëndisë, do të bashkohesh përsëri me njerëzit e dashur që kanë rënë në gjumin e vdekjes.​—Marku 5:35, 41, 42; Veprat 9:36-41.

3. (a) Si ka dalë e rëndësishme ringjallja në plotësimin e qëllimit të Jehovait? (b) Kur është sidomos burim force për ne shpresa e ringjalljes?

3 Duke pasur parasysh ringjalljen, nuk ka pse të kesh një frikë të sëmurë nga vdekja. Pa lejuar që shërbëtorët e tij besnikë të pësojnë dëme të përhershme, Jehovai mund të lejojë që Satanai të shkojë deri në ekstrem duke u përpjekur të provojë akuzën e tij keqdashëse se «gjithçka që zotëron, njeriu është gati ta japë për jetën e tij». (Jobi 2:4) Jezui u tregua besnik ndaj Perëndisë deri në vdekje, prandaj Perëndia e ringjalli në jetën qiellore. Kështu Jezui mundi të paraqiste vlerën e flijimit të tij të përsosur njerëzor përpara fronit qiellor të Atit të tij, me dobi jetëshpëtuese për ne. Nëpërmjet ringjalljes, pjesëtarët e ‘kopesë së vogël’, si bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, kanë shpresën të bashkohen me të në Mbretërinë qiellore. (Luka 12:32) Të tjerë kanë shpresën e ringjalljes në jetën e përhershme në një tokë parajsore. (Psalmi 37:11, 29) Për të gjithë të krishterët, shpresa e ringjalljes është burim force «përtej asaj që është normale», kur kalojnë sprova që i vënë ballë për ballë me vdekjen.​—2 Korintasve 4:7.

Përse është themelore për besimin e krishterë?

4. (a) Në cilin kuptim ringjallja është një ‘doktrinë fillestare’? (b) Si e kupton bota në përgjithësi ringjalljen?

4 Siç thuhet te Hebrenjve 6:1, 2, ringjallja është një ‘doktrinë fillestare’. Ajo është pjesë e themelit të besimit, themel pa të cilin nuk do të mund të bëheshim kurrë të krishterë të pjekur. (1 Korintasve 15:16-19) Megjithatë, mësimi biblik i ringjalljes është i çuditshëm nga pikëpamja e botës në përgjithësi. Meqë nuk e njohin Perëndinë dhe nuk kanë pikëpamjen e tij, gjithnjë e më shumë njerëz shohin vetëm këtë jetë si reale. Prandaj, e kalojnë jetën duke rendur pas kënaqësisë. Pastaj ka edhe nga ata që u përkasin feve tradicionale​—brenda dhe jashtë të ashtuquajturit krishterim​—të cilët mendojnë se kanë një shpirt të pavdekshëm. Por ky besim nuk mund të pajtohet me mësimin biblik të ringjalljes, pasi ringjallja do të ishte e panevojshme sikur njerëzit të kishin një shpirt të pavdekshëm. Përpjekja për t’i bashkuar këto dy koncepte më shumë të pështjellon, sesa të jep shpresë. Si mund t’i ndihmojmë njerëzit me zemër të ndershme që duan të dinë të vërtetën?

5. (a) Para se të kuptojë ringjalljen, çfarë duhet të dijë një person? (b) Çfarë shkrimesh do të përdorje për të shpjeguar se çfarë është shpirti? Po për gjendjen e të vdekurve? (c) Çfarë mund të bëhet, nëse dikush përdor një përkthim të Biblës që duket se e errëson të vërtetën?

5 Para se të kuptojnë sa masë e mrekullueshme është ringjallja, këta njerëz duhet të kuptojnë me saktësi se çfarë është shpirti dhe cila është gjendja e të vdekurve. Shpesh mjaftojnë vetëm disa shkrime për t’ia bërë të qarta këto gjëra dikujt që është i etur për të vërtetën biblike. (Zanafilla 2:7; Psalmi 146:3, 4; Ezekieli 18:4) Por disa përkthime moderne dhe botime të parafrazuara të Biblës e errësojnë të vërtetën rreth shpirtit. Prandaj mund të jetë e nevojshme të shqyrtohen shprehjet e përdorura në gjuhët origjinale të Biblës.

6. Si mund ta ndihmosh dikë që të kuptojë se çfarë është shpirti?

6 Përkthimi Bota e Re është veçanërisht i dobishëm për të bërë këtë shqyrtim, sepse termin hebraik nefesh dhe fjalën përkatëse në greqisht psike i përkthen në mënyrë koherente me fjalën «shpirt». Në shtojcën e këtij përkthimi renditen shumë shkrime ku gjenden këta terma. Shumë versione të tjera të Biblës nuk janë koherente, megjithatë të njëjtat fjalë origjinale mund t’i përkthejnë jo vetëm «shpirt», por edhe «krijesë», «qenie», «person» dhe «jetë»; «nefeshi im» mund të përkthehet «unë» dhe «nefeshi yt» përkthehet «ti». Krahasimi i përkthimeve të tjera të Biblës me Përkthimin Bota e Re do ta ndihmojë një student të sinqertë që të kuptojë se termat e gjuhës origjinale të përkthyera «shpirt» përdoren si për njerëzit, ashtu edhe për kafshët. Por këta terma nuk japin kurrë idenë se shpirti është diçka e padukshme dhe e paprekshme, që pas vdekjes e lë trupin dhe vazhdon një ekzistencë të vetëdijshme në një vend tjetër.

7. Si do ta shpjegoje me anë të Biblës gjendjen e atyre që janë në Sheol? Po në Hades? Në Gehenë?

7 Përkthimi Bota e Re është koherent edhe në përdorimin e fjalës «Sheol» për të transkriptuar termin hebraik sheohl; të fjalës «Hades» për termin grek haides dhe të fjalës «Gehenë» për termin grek geenna. «Sheol» është barazvlerësi i fjalës «Hades». (Psalmi 16:10; Veprat 2:27) Bibla e tregon qartë se edhe Sheoli, edhe Hadesi nënkuptojnë varrin e përbashkët të njerëzimit dhe lidhen me vdekjen, jo me jetën. (Psalmi 89:48; Zbulesa 20:13) Shkrimet flasin edhe për mundësinë e rikthimit nga varri i përbashkët, nëpërmjet ringjalljes. (Jobi 14:13; Veprat 2:31) Në dallim me këtë, për ata që shkojnë në Gehenë nuk ka asnjë shpresë për jetën e ardhshme dhe nuk thuhet kurrë që shpirti ka një ekzistencë të vetëdijshme atje.​—Mateu 10:28.

8. Si mund të ndikojë kuptueshmëria e qartë e ringjalljes te qëndrimet dhe veprimet e një personi?

8 Pasi të jenë sqaruar këto çështje, atëherë mund ta ndihmojmë dikë që të kuptojë se ç’domethënie mund të ketë për të ringjallja. Ai mund të fillojë të çmojë dashurinë që tregoi Jehovai me këtë masë të mrekullueshme. Hidhërimi që ndiejnë njerëzit të cilëve vdekja u ka rrëmbyer ndonjë njeri të dashur mund të zbutet kur përfytyrojnë me gëzim ribashkimin në botën e re të Perëndisë. Kuptueshmëria për këto çështje është edhe çelësi për të kuptuar domethënien e vdekjes së Krishtit. Të krishterët e shekullit të parë e kuptuan se ringjallja e Jezu Krishtit është themelore për besimin e krishterë, duke hapur rrugën për ringjalljen e të tjerëve. Ata predikuan me zell për ringjalljen e Jezuit dhe për shpresën që jep kjo ringjallje. Po kështu, sot ata që e kuptojnë dhe e çmojnë ringjalljen, mezi presin t’ua thonë të tjerëve këtë të vërtetë të çmuar.​—Veprat 5:30-32; 10:42, 43.

Përdorimi i ‘çelësit të Hadesit’

9. Si i përdor së pari Jezui «çelësat e vdekjes dhe të Hadesit»?

9 Të gjithë që do të bashkohen me Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore duhet që të vdesin. Por e njohin mirë sigurinë që dha ai kur u tha: «Isha i vdekur, por ja, jetoj në jetë të jetëve dhe kam çelësat e vdekjes dhe të Hadesit.» (Zbulesa 1:18) Çfarë donte të thoshte? Po tërhiqte vëmendjen te përvoja që kishte pasur vetë. Edhe ai kishte vdekur, por Perëndia nuk e la në Hades. Ditën e tretë, vetë Jehovai e riktheu në jetë si person frymor dhe i dha pavdekësinë. (Veprat 2:32, 33; 10:40) Veç kësaj, Perëndia i dha «çelësat e vdekjes dhe të Hadesit», që t’i përdorte për të çliruar të tjerë nga varri i përbashkët i njerëzimit dhe nga pasojat e mëkatit adamik. Duke pasur këto çelësa, Jezui mund t’i ngrejë ithtarët besnikë nga vdekja. Në radhë të parë ai ringjall anëtarët e mirosur me frymë të kongregacionit të tij, duke u dhënë dhuratën e çmuar të jetës së pavdekshme në qiell, siç ia dha vetë Jezuit Ati i tij.​—Romakëve 6:5; Filipianëve 3:20, 21.

10. Kur ndodh ringjallja e të krishterëve besnikë të mirosur?

10 Kur do ta përjetonin të krishterët besnikë të mirosur këtë ringjallje qiellore? Bibla tregon se kjo ringjallje tashmë ka filluar. Apostulli Pavël shpjegoi se ata do të ngriheshin ‘gjatë pranisë së Krishtit’​—prani e cila filloi në vitin 1914. (1 Korintasve 15:23) Kur të mirosurit besnikë e mbarojnë jetën e tyre tokësore tani gjatë pranisë së tij, nuk u duhet të presin në vdekje derisa të kthehet Zotëria i tyre. Sapo vdesin, ngrihen në frymë, duke u ‘ndryshuar në një çast, sa hap e mbyll sytë’. Sa të lumtur janë, pasi veprat e mira që kanë bërë «shkojnë bashkë me ta»!​—1 Korintasve 15:51, 52; Zbulesa 14:13.

11. Çfarë ringjalljeje do të ketë për njerëzit në përgjithësi dhe kur do të fillojë ajo?

11 Por ringjallja e trashëgimtarëve të Mbretërisë në jetën qiellore nuk është e vetmja ringjallje. Fakti që te Zbulesa 20:6 ajo quhet ‘ringjallja e parë’ tregon se duhet të pasohet nga një tjetër. Ata që nxjerrin dobi nga kjo ringjallje tjetër do të kenë shpresën e lumtur të jetës së përhershme në një tokë parajsore. Kur do të ndodhë kjo? Libri i Zbulesës tregon se do të bëhet pasi të jetë zhdukur «toka e qielli», sistemi i tanishëm i lig bashkë me autoritetet e tij sunduese. Fundi i sistemit të vjetër është shumë afër. Më pas, në kohën e caktuar nga Perëndia, do të fillojë ringjallja tokësore.​—Zbulesa 20:11, 12.

12. Cilët do të jenë mes besnikëve që do të ringjallen në tokë dhe përse kjo është një e ardhme emocionuese?

12 Kush do të përfshihet në këtë ringjallje tokësore? Do të jenë shërbëtorët besnikë të Jehovait që nga kohët më të hershme, burra e gra që, nga besimi i fortë që kishin te ringjallja, «nuk pranonin çlirim nëpërmjet ndonjë shpërblese». Kjo do të thotë që nuk pranonin të hiqnin dorë nga besnikëria ndaj Perëndisë për t’i shpëtuar një vdekjeje të dhunshme e të parakohshme. Çfarë gëzimi do të provosh kur t’i njohësh personalisht dhe të dëgjosh drejtpërdrejt nga goja e tyre hollësi për ngjarje që në Bibël janë raportuar vetëm shkurtimisht! Për të jetuar në tokë do të ringjallet edhe Abeli, dëshmitari i parë besnik i Jehovait; Enoku dhe Noeja, lajmëtarë të guximshëm të mesazhit paralajmërues të Perëndisë para Përmbytjes; Abrahami dhe Sara, që pritën engjëjt; Moisiu, nëpërmjet të cilit u dha Ligji në malin Sinai; profetë të guximshëm si Jeremia, që pa shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 607 p.e.s.; si edhe Gjon Pagëzori, që dëgjoi vetë Perëndinë ta identifikonte Jezuin si Birin e Tij. Veç këtyre, do të ringjallen shumë burra besnikë e gra besnike që vdesin gjatë këtyre ditëve të fundit të sistemit të tanishëm të lig.​—Hebrenjve 11:4-38; Mateu 11:11.

13, 14. (a) Çfarë do të ndodhë me Hadesin dhe me të vdekurit që janë në të? (b) Cilët do të përfshihen në ringjallje dhe përse?

13 Me kalimin e kohës, do të kthehen në jetë edhe të tjerë përveç shërbëtorëve besnikë të Perëndisë. Si përfundim në varrin e përbashkët të njerëzimit nuk do të mbetet asnjë. Se deri në ç’masë do të boshatiset ky varr nga të vdekurit që janë në të mund të shihet nga përdorimi që do t’i bëjë Jezui ‘çelësit të Hadesit’ në dobi të njerëzimit. Kjo tregohet në një vegim që iu dha apostullit Gjon, në të cilin ai pa Hadesin ‘që u hodh në liqenin e zjarrtë’. (Zbulesa 20:14) Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se Hadesi, varri i përbashkët i njerëzimit, do të shkatërrohet tërësisht. Nuk do të ekzistojë më, pasi do të jetë boshatisur krejtësisht nga të vdekurit, sepse, përveçse do të ringjallë të gjithë adhuruesit besnikë të Jehovait, Jezui me mëshirë do të sjellë përsëri në jetë edhe të padrejtët. Fjala e Perëndisë na siguron: «Do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve.»​—Veprat 24:15.

14 Asnjë prej këtyre të padrejtëve nuk do të ringjallet thjesht për t’u gjykuar përsëri me vdekje. Në mjedisin e drejtë që do të mbizotërojë në mbarë tokën nën Mbretërinë e Perëndisë, ata do të ndihmohen që ta vënë jetën në përputhje me rrugët e Jehovait. Në vegim u tregua se do të hapet «rrotulla e jetës». Pra, do të kenë mundësi që emrat e tyre të shkruhen në të. Do të ‘gjykohen individualisht, sipas veprave të tyre’ të kryera pas ringjalljes. (Zbulesa 20:12, 13) Prandaj, e parë nga këndvështrimi i rezultatit përfundimtar, ringjallja e tyre mund të jetë një «ringjallje jete» e jo detyrimisht një «ringjallje gjykimi [ndëshkues]».​—Gjoni 5:28, 29.

15. (a) Cilët nuk do të ringjallen? (b) Si duhet të ndikojë te ne njohja e së vërtetës për ringjalljen?

15 Gjithsesi, nuk do të ringjallen të gjithë ata që kanë jetuar e që kanë vdekur. Disa kanë kryer mëkate që nuk mund të falen. Këta njerëz nuk gjenden në Hades, por në Gehenë, ku pësojnë shkatërrimin e përhershëm. Mes tyre do të përfshihen edhe ata që do të ekzekutohen në «shtrëngimin e madh» që po afrohet tani. (Mateu 12:31, 32; 23:33; 24:21, 22; 25:41, 46; 2 Selanikasve 1:6-9) Pra, ndonëse Jehovai tregon mëshirë të jashtëzakonshme duke i çliruar të vdekurit nga Hadesi, shpresa e ringjalljes nuk përbën një bazë që të jemi indiferentë për sa i përket mënyrës se si jetojmë tani. Nuk ka ringjallje për ata që rebelohen vullnetarisht ndaj sovranitetit të Jehovait. Duke e ditur këtë duhet të motivohemi që të tregojmë se e vlerësojmë thellësisht dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë, duke jetuar sipas vullnetit të tij.

Të forcuar nga shpresa e ringjalljes

16. Si mund të jetë shpresa e ringjalljes burim i një force të madhe?

16 Ata që besojnë vërtet në shpresën e ringjalljes, marrin shumë forcë prej saj. Tani për tani, kur i afrohemi fundit të jetës e dimë se nuk mund ta shtyjmë vdekjen pambarimisht, çfarëdo metode mjekësore të përdorim. (Predikuesi 8:8) Nëse i kemi shërbyer me besnikëri Jehovait bashkë me organizatën e tij, mund ta shohim të ardhmen me siguri të plotë. E dimë se nëpërmjet ringjalljes do ta kemi përsëri jetën, në kohën e duhur sipas Perëndisë. E çfarë jete që do të jetë ajo! Do të jetë ‘jeta e vërtetë’, siç e quajti apostulli Pavël.​—1 Timoteut 6:19; Hebrenjve 6:10-12.

17. Çfarë mund të na ndihmojë të mbajmë besnikërinë tonë ndaj Jehovait?

17 Duke ditur që ka ringjallje dhe duke njohur Atë që është burimi i kësaj mase, kemi mundësi të jemi të fortë në besim. Kjo na forcon t’i qëndrojmë besnikë Perëndisë edhe sikur të na kërcënojë vdekja nga ana e përndjekësve të dhunshëm. Prej shumë kohësh, Satanai ka përdorur frikën e vdekjes së parakohshme si mjet për t’i mbajtur njerëzit në skllavëri. Por Jezui nuk e kishte këtë frikë. Ai i qëndroi besnik Jehovait deri në vdekje. Nëpërmjet flijimit të tij shpërblyes, Jezui siguroi mjetin për t’i çliruar të tjerët nga kjo frikë.​—Hebrenjve 2:14, 15.

18. Çfarë i ka ndihmuar shërbëtorët e Jehovait që të njihen si njerëz me besnikëri të jashtëzakonshme?

18 Si pasojë e besimit të tyre në flijimin e Krishtit dhe në ringjallje, shërbëtorët e Jehovait janë bërë të njohur se qëndrojnë besnikë në një mënyrë të jashtëzakonshme. Kur janë vënë nën presion, kanë treguar se ‘nuk e duan shpirtin e tyre’ më shumë se Jehovain. (Zbulesa 12:11) Me mençuri, nuk i braktisin parimet e krishtere në përpjekje për të ruajtur jetën e tanishme. (Luka 9:24, 25) E dinë se edhe po ta humbin jetën tani ngaqë mbështetin me besnikëri sovranitetin e Jehovait, ai do t’i shpërblejë nëpërmjet ringjalljes. A e ke këtë lloj besimi? Do ta kesh, nëse e do vërtet Jehovain dhe nëse e merr për zemër se çfarë do të thotë në të vërtetë shpresa e ringjalljes.

Pyetje për rishikim

• Përse, para se të mund të kuptojë ringjalljen, një njeri duhet të kuptojë se çfarë është shpirti dhe cila është gjendja e të vdekurve?

• Cilët do të rikthehen në jetë dhe si duhet të ndikojë te ne kjo njohuri?

• Si na jep forcë shpresa e ringjalljes?

[Pyetjet]

[Figura në faqet 84, 85]

Jehovai premton se do të ketë një ringjallje të të drejtëve dhe të të padrejtëve