Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një Mbretëri «që nuk do të shkatërrohet kurrë»

Një Mbretëri «që nuk do të shkatërrohet kurrë»

Kapitulli dhjetë

Një Mbretëri «që nuk do të shkatërrohet kurrë»

1. Cilin fakt kanë nxjerrë në pah ngjarjet botërore gjatë gjithë historisë së njerëzimit?

ÇDO ditë, ngjarjet botërore nxjerrin në pah se njerëzit nuk kanë gjetur lumturi duke hedhur poshtë sovranitetin e Jehovait dhe duke u përpjekur të vetëqeverisen. Asnjë sistem njerëzor qeverisjeje nuk u ka sjellë dobi të barabarta të gjithë njerëzve. Megjithëse e kanë zhvilluar njohurinë shkencore në një shkallë të paparë ndonjëherë, njerëzit nuk kanë qenë të aftë të mposhtin sëmundjet ose të asgjësojnë vdekjen, as edhe për një individ të vetëm. Sundimi njerëzor nuk e ka zhdukur luftën, dhunën, krimin, korrupsionin ose varfërinë. Në shumë vende, njerëzit janë ende nën sundimin e qeverive shtypëse. (Predikuesi [Eklisiastiu] 8:9) Teknologjia, lakmia dhe padija ndërthuren me njëra-tjetrën, duke sjellë si pasojë ndotjen e tokës, të ujit dhe të ajrit. Për shkak të administrimit të keq të ekonomisë nga ana e zyrtarëve, shumë njerëz e kanë të vështirë të sigurojnë gjërat e domosdoshme për jetën. Mijëra vite të sundimit njerëzor kanë bërë më se të dukshme këtë të vërtetë: «Rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.»​—Jeremia 10:23.

2. Cila është zgjidhja e vetme e problemeve të njerëzimit?

2 Cila është zgjidhja? Mbretëria e Perëndisë, për të cilën Jezui i mësoi ithtarët e tij të luteshin: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 6:9, 10) Te 2 Pjetrit 3:13 Mbretëria qiellore e Perëndisë përshkruhet si «qiej të rinj» dhe do të sundojë mbi ‘tokën e re’, domethënë mbi shoqërinë e drejtë njerëzore. Mbretëria qiellore e Perëndisë është kaq e rëndësishme, saqë Jezui e bëri temën qendrore të predikimit të tij. (Mateu 4:17) Ai tregoi vendin që duhet të zërë kjo Mbretëri në jetën tonë, duke na nxitur: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij.»​—Mateu 6:33.

3. Përse tani është shumë urgjente të mësojmë për Mbretërinë e Perëndisë?

3 Tani është shumë urgjente të mësojmë për Mbretërinë e Perëndisë, sepse kjo Mbretëri së shpejti do të ndërmarrë veprime për ta ndryshuar përgjithmonë sundimin e kësaj toke. Në Danielin 2:44 parathuhet: «Në ditët e atyre mbretërve [qeverive që sundojnë tani], Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri [në qiell] që nuk do të shkatërrohet kurrë. Dhe vetë mbretëria nuk do t’i kalohet asnjë populli tjetër [njerëzit nuk do ta sundojnë më kurrë tokën]. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive [të sotme] dhe ajo vetë do të qëndrojë në kohë të pacaktuara.» (BR) Kështu, Mbretëria do t’i përfundojë këto ditë të fundit, duke e shkatërruar të gjithë këtë sistem të lig. Në atë kohë, sundimi i tokës nga Mbretëria qiellore nuk do të vihet në diskutim. Sa mirënjohës duhet të jemi që lehtësimi që do të sjellë kjo është shumë afër tani!

4. Çfarë ndodhi në qiell në vitin 1914 lidhur me Mbretërinë, dhe përse kjo është e rëndësishme për ne?

4 Në vitin 1914, Krishti Jezu hipi në fron si Mbret dhe u autorizua që të ‘sundonte në mes të armiqve të [tij]’. (Psalmi 110:1, 2) Po atë vit filluan «ditët e fundit» të këtij sistemi të lig të tanishëm. (2 Timoteut 3:1-5, 13) Në të njëjtën kohë, në qiell ndodhën pikërisht ngjarjet që kishte parë Danieli në vegimin profetik. «I Lashti i ditëve», Perëndia Jehova, i dha Birit të njeriut, Jezu Krishtit, ‘sundimin, lavdinë dhe mbretërinë, me qëllim që të gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t’i shërbenin’. Duke treguar këtë vegim, Danieli shkroi: «Sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë.» (Danieli 7:13, 14) Me anë të kësaj Mbretërie qiellore nën drejtimin e Krishtit Jezu, Perëndia do t’u japë mundësi atyre që duan drejtësinë të gëzojnë gjërat e shumta të mira që ai vuri si qëllim kur vendosi në Parajsë prindërit tanë të parë njerëzorë.

5. Cilat hollësi lidhur me Mbretërinë na interesojnë shumë dhe përse?

5 A dëshiron të jesh nënshtetas besnik i Mbretërisë? Nëse po, me siguri që të intereson të dish për strukturën dhe funksionimin e kësaj qeverie qiellore. Do të duash të dish çfarë po bën ajo tani, çfarë do të kryejë në të ardhmen dhe çfarë kërkon prej teje. Duke e shqyrtuar më nga afër Mbretërinë, duhet të të rritet çmueshmëria për të. Nëse do të reagosh pozitivisht ndaj sundimit të saj, do të jesh më i përgatitur për t’u folur të tjerëve për gjërat e mrekullueshme që do të bëjë Mbretëria e Perëndisë për njerëzimin e bindur.​—Psalmi 48:12, 13.

Sundimtarët e Mbretërisë së Perëndisë

6. (a) Sipas Shkrimeve, sovraniteti i kujt shprehet me anë të Mbretërisë mesianike? (b) Si duhet të ndikojë te ne ajo që mësojmë për Mbretërinë?

6 Një nga gjërat e para që zbulon ky shqyrtim është se Mbretëria mesianike është shprehje e sovranitetit të vetë Jehovait. Ishte Jehovai ai që i dha Birit të vet ‘sundimin, dinjitetin dhe mbretërinë’. Pasi Biri i Perëndisë mori fuqi për të filluar sundimin si Mbret, zëra në qiej shpallën me të drejtë: «Mbretëria e botës u bë mbretëria e Zotërisë tonë [Perëndisë Jehova] dhe e Krishtit të tij dhe ai [ Jehovai] do të sundojë si mbret në jetë të jetëve.» (Zbulesa 11:15) Kështu, gjithçka që vërejmë për këtë Mbretëri dhe për atë që kryen ajo, mund të na afrojë më shumë me vetë Jehovain. Ajo që mësojmë duhet të ngulitë te ne dëshirën për t’iu nënshtruar përgjithmonë sovranitetit të tij.

7. Përse për ne është me interes të veçantë që Jezu Krishti është Mëkëmbësi i Jehovait?

7 Shqyrto edhe faktin që Jehovai e ka vënë Jezu Krishtin në fron si Mëkëmbësin e tij. Si Kryemjeshtri të cilin Perëndia e përdori për të bërë tokën dhe njerëzit, Jezui i di nevojat tona më mirë se çdonjëri prej nesh. Për më tepër, që nga fillimi i historisë njerëzore ai ka treguar ‘përzemërsi për bijtë e njerëzve’. (Proverbat 8:30, 31, BR ; Kolosianëve 1:15-17 ) Dashuria e tij për njerëzit është kaq e madhe, saqë erdhi vetë në tokë dhe e dha jetën si shpërblesë për ne. (Gjoni 3:16) Kështu, na vuri në dispozicion mjetin për çlirimin nga mëkati dhe vdekja, si dhe mundësinë për të marrë jetën e përjetshme.​—Mateu 20:28.

8. (a) Përse qeveria e Perëndisë do të jetë e qëndrueshme, ndryshe nga sundimet njerëzore? (b) Ç’lidhje ka ‘skllavi i besueshëm dhe i matur’ me qeverinë qiellore?

8 Mbretëria e Perëndisë është një qeveri e palëkundshme, e qëndrueshme. Qëndrueshmëria e saj sigurohet nga fakti se vetë Jehovai është i paprekshëm nga vdekja. (Psalmi 146:3-5, 10) Ndryshe nga mbretërit njerëzorë, Jezu Krishti, të cilit Perëndia i ka besuar mbretërimin, është gjithashtu i pavdekshëm. (Romakëve 6:9; 1 Timoteut 6:15, 16) Së bashku me Krishtin, në fronet qiellore do të jenë 144.000 të tjerë, shërbëtorë besnikë të Perëndisë të marrë nga «çdo fis, gjuhë, popull dhe komb». Edhe atyre u jepet jeta e pavdekshme. (Zbulesa 5:9, 10; 14:1-4; 1 Korintasve 15:42-44, 53) Pjesa më e madhe e tyre është tashmë në qiell dhe mbetja që është ende në tokë përbën ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ të sotëm, i cili me besnikëri çon përpara interesat e Mbretërisë këtu në tokë.​—Mateu 24:45-47.

9, 10. (a) Cilat ndikime ndarëse dhe korruptuese do të zhdukë Mbretëria? (b) Cilat gracka duhet të shmangim nëse nuk duam të bëhemi armiq të Mbretërisë së Perëndisë?

9 Së shpejti, në kohën që ka caktuar vetë, Jehovai do t’i hedhë në veprim forcat e tij ekzekutuese për të pastruar tokën. Ato do të shkatërrojnë përgjithmonë njerëzit që zgjedhin vetë të mos e pranojnë sovranitetin e tij dhe që i përçmojnë masat e dashura që merr ai nëpërmjet Jezu Krishtit. (2 Selanikasve 1:6-9) Kjo do të jetë dita e Jehovait, koha e shumëpritur për shfajësimin e tij si Sovrani Universal. «Ja, dita e Zotit po vjen: një ditë mizore, indinjate dhe zemërimi të fortë, . . . për të shfarosur mëkatarët prej [tokës].» (Isaia 13:9) « Ajo ditë është një ditë zemërimi, një ditë mjerimi dhe ankthi, një ditë shkatërrimi dhe shkretie, një ditë terri dhe mjegulle, një ditë resh dhe errësire të thellë.»​—Sofonia 1:15.

10 Tërë feja e rreme dhe të gjitha qeveritë njerëzore me ushtritë e tyre, të cilat sundimtari i lig e i padukshëm i kësaj bote i ka përdorur si vegla të tij, do të shfarosen përgjithmonë. Të gjithë ata që radhiten në anën e kësaj bote, duke bërë një jetë egoiste, të pandershme dhe imorale, do të shkatërrohen. Satanai dhe demonët e tij nuk do të kenë më të bëjnë me banorët e tokës, pasi do të izolohen mirë për një mijë vjet. Atëherë Mbretëria e Perëndisë do të marrë në dorë kontrollin e plotë mbi të gjitha çështjet në tokë. Ç’lehtësim do të jetë ky për të gjithë ata që e duan drejtësinë!​—Zbulesa 18:21, 24; 19:11-16, 19-21; 20:1, 2.

Synimet e Mbretërisë: Si do të arrihen?

11. (a) Si do ta përmbushë Mbretëria mesianike qëllimin e Jehovait për tokën? (b) Çfarë do të nënkuptojë sundimi i Mbretërisë për njerëzit që do të jetojnë në atë kohë në tokë?

11 Mbretëria mesianike do ta përmbushë plotësisht qëllimin fillestar të Perëndisë për tokën. (Zanafilla 1:28; 2:8, 9, 15 ) Deri më sot njerëzimi nuk e ka mbështetur këtë qëllim. Megjithatë, ‘toka e banuar që ka për të ardhur’ do t’i nënshtrohet Birit të njeriut, Jezu Krishtit. Të gjithë ata që do të mbijetojnë në ekzekutimin e gjykimit të Jehovait mbi këtë sistem të vjetër, do të punojnë të bashkuar nën Krishtin Mbret. Do të bëjnë me gëzim çdo gjë që urdhëron ai, me qëllim që toka të bëhet një parajsë mbarëbotërore. (Hebrenjve 2:5-9) Të gjithë njerëzit do të gëzojnë punën e duarve të tyre dhe do të nxjerrin plotësisht dobi nga bollëku i prodhimeve të tokës.​—Psalmi 72:1, 7, 8, 16-19; Isaia 65:21, 22.

12. Si do të arrijnë nënshtetasit e Mbretërisë të kenë trup dhe mendje të përsosur?

12 Kur u krijuan, Adami dhe Eva ishin të përsosur dhe qëllimi i Perëndisë ishte që toka të mbushej me pasardhës të tyre, që të gjithë me trup dhe mendje të përsosur. Ky qëllim do të plotësohet në mënyrë të lavdishme nën sundimin e Mbretërisë. Kjo kërkon që të hiqen të gjitha pasojat e mëkatit, prandaj Krishti nuk shërben vetëm si Mbret, por edhe si Kryeprift. Ai do t’i ndihmojë me durim nënshtetasit e tij të bindur që të nxjerrin dobi nga vlera shlyese e flijimit të vetë jetës së tij njerëzore.

13. Çfarë dobish fizike do të sjellë sundimi i Mbretërisë?

13 Nën sundimin e Mbretërisë, banorët e tokës do të kenë dobi fizike të mrekullueshme. «Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhërve; atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi.» (Isaia 35:5, 6) Mishi i shformuar nga mosha ose nga sëmundjet do të bëhet më i freskët se ai i një fëmije, ndërsa sëmundjet kronike do t’ia lënë vendin shëndetit të gjallëruar. «Mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.» (Jobi 33:25) Do të vijë dita kur asnjë nuk do të ketë arsye për të thënë «jam i sëmurë». Përse? Sepse njerëzit me frikë Perëndie do të lirohen nga pesha e mëkatit dhe nga pasojat e tij të hidhura. (Isaia 33:24; Luka 13:11-13) Po, Perëndia «do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar».​—Zbulesa 21:4.

14. Çfarë përfshin arritja e përsosmërisë njerëzore?

14 Megjithatë, arritja e përsosmërisë përfshin shumë më tepër se vetëm të kemi trup dhe mendje të shëndoshë. Përfshin të pasqyrojmë siç duhet cilësitë e Jehovait, meqë jemi krijuar ‘sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe në ngjasim me të’. (Zanafilla 1:26) Për këtë qëllim, do të ketë nevojë për shumë arsimim. Në botën e re «ka për të banuar drejtësia». Prandaj, siç paratha Isaia, «banorët e vendit prodhimtar me siguri do të mësojnë drejtësinë». (2 Pjetrit 3:13; Isaia 26:9, BR) Kjo cilësi çon në paqe midis njerëzve të të gjitha racave, midis shokëve të ngushtë, në familje dhe, mbi të gjitha, me vetë Perëndinë. (Psalmi 85:10-13; Isaia 32:17) Ata që do të mësojnë drejtësinë, dalëngadalë do të mësojnë se cili është vullneti i Perëndisë për ta. Ndërkohë që dashuria për Jehovain do t’u rrënjoset thellë në zemër, ata do t’i ndjekin rrugët e tij në çdo fushë të jetës. Do të kenë mundësi të thonë si Jezui, ‘unë bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë Atit tim’. (Gjoni 8:29) Sa e këndshme do të jetë jeta kur kjo të bëhet e vërtetë për gjithë njerëzimin!

Arritje tashmë të dukshme

15. Duke përdorur pyetjet në këtë paragraf, thekso arritjet e Mbretërisë dhe trego çfarë duhet të bëjmë ne tani.

15 Arritjet mbresëlënëse të Mbretërisë së Perëndisë dhe të nënshtetasve të saj janë të dukshme. Pyetjet dhe shkrimet vijuese do të të kujtojnë disa nga këto arritje, si dhe gjëra që të gjithë nënshtetasit e Mbretërisë mund dhe duhet të bëjnë tani.

Kundër kujt veproi në fillim Mbretëria dhe me çfarë përfundimi? (Zbulesa 12:7-10, 12)

Grumbullimit të pjesëtarëve të mbetur të cilit grup po i kushtohet vëmendje që kur Krishti hipi në fron? (Zbulesa 14:1-3)

Cilën vepër paratha Jezui se do të bënte pas shpërthimit të shtrëngimit të madh, siç është shkruar te Mateu 25:31-33?

Cila vepër paraprake po kryhet sot? Kush po merr pjesë në të? (Psalmi 110:3; Mateu 24:14; Zbulesa 14:6, 7)

Përse kundërshtarët politikë dhe fetarë nuk kanë qenë në gjendje ta ndalin veprën e predikimit? (Zakaria 4:6; Veprat 5:38, 39)

Çfarë ndryshimesh kanë ndodhur në jetën e atyre që i nënshtrohen sundimit të Mbretërisë? (Isaia 2:4; 1 Korintasve 6:9-11)

Mbretëri njëmijëvjeçare

16. (a) Për sa kohë do të sundojë Krishti? (b) Çfarë gjërash të mrekullueshme do të ndodhin gjatë dhe pas asaj kohe?

16 Pasi të hedhin në humnerë Satanain dhe demonët e tij, Jezu Krishti me 144.000 bashkëtrashëgimtarët e tij do të sundojnë si mbretër dhe priftërinj për një mijë vjet. (Zbulesa 20:6) Gjatë asaj periudhe njerëzimi do të çohet drejt përsosmërisë, ndërkohë që mëkati dhe vdekja adamike do të jenë zhdukur përgjithnjë. Në fund të Mbretërimit mijëvjeçar, pasi të ketë kryer me sukses caktimin e tij si Mbreti-Prift mesianik, Jezui do «t’ia dorëzojë mbretërinë» Atit të tij, «që Perëndia të jetë gjithçka për të gjithë». (1 Korintasve 15:24-28) Në atë kohë, Satanai do të lirohet për pak kohë që ta sprovojë njerëzimin e shpenguar lidhur me mbështetjen që i japin sovranitetit universal të Jehovait. Pasi të mbarojë kjo sprovë përfundimtare, Jehovai do të shkatërrojë Satanain dhe rebelët që do të kenë mbajtur anën e tij. (Zbulesa 20:7-10) Ata që do të kenë mbështetur sovranitetin e Jehovait, domethënë të drejtën e tij për të sunduar, do ta kenë treguar plotësisht besnikërinë e tyre të palëkundshme. Atëherë, do të hyjnë në një marrëdhënie të drejtë me Jehovain, duke u pranuar prej tij si bij e bija, të miratuar nga Perëndia për jetën e përhershme.​—Romakëve 8:21.

17. (a) Çfarë do të ndodhë me Mbretërinë në fund të një mijë vjetëve? (b) Në cilin kuptim është e vërtetë që Mbretëria «nuk do të shkatërrohet kurrë»?

17 Si rrjedhim roli i Jezuit dhe i 144.000-ve në lidhje me tokën do të ndryshojë. Çfarë do të bëjnë ata në të ardhmen? Bibla nuk e thotë. Por, po ta mbështetim me besnikëri sovranitetin e Jehovait, do të jemi gjallë në fund të Mbretërimit mijëvjeçar për të parë çfarë ka si qëllim Jehovai për ta dhe për universin e tij madhështor. Megjithatë, sundimi mijëvjeçar i Krishtit do të jetë «me kohëzgjatje të pacaktuar» dhe Mbretëria e tij «nuk do të shkatërrohet». (Danieli 7:14) Në ç’kuptim? Pikësëpari, autoriteti sundues nuk do të kalojë në duart e të tjerëve që mund të kenë qëllime të ndryshme, pasi Sundimtar do të jetë Jehovai. Gjithashtu, Mbretëria «nuk do të shkatërrohet kurrë», sepse arritjet e saj do të mbeten përgjithmonë. (Danieli 2:44) Veç kësaj, Mbreti-Prift mesianik bashkë me mbretërit-priftërinj që e shoqërojnë do të nderohen përgjithnjë, për shkak të shërbimit besnik që i kanë bërë Jehovait.

Pyetje për rishikim

• Përse Mbretëria e Perëndisë është e vetmja zgjidhje e problemeve të njerëzimit? Kur filloi të sundojë Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë?

• Çfarë të duket veçanërisht tërheqëse rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe asaj që do të kryejë ajo?

• Cilat arritje të Mbretërisë mund t’i shohim që tani dhe ç’pjesë kemi në to?

[Pyetjet]

[Figura në faqet 92, 93]

Nën Mbretërinë e Perëndisë, të gjithë njerëzit do të mësojnë drejtësinë