Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Qëllimi i Jehovait plotësohet në mënyrë të lavdishme

Qëllimi i Jehovait plotësohet në mënyrë të lavdishme

Kapitulli njëzet e një

Qëllimi i Jehovait plotësohet në mënyrë të lavdishme

1, 2. (a) Cili është qëllimi i Jehovait për krijesat e tij me aftësi për të arsyetuar? (b) Kush bënte pjesë në familjen e bashkuar të adhuruesve të Perëndisë?

QËLLIMI i dashur i Jehovait është që të gjitha krijesat e tij me aftësi për të arsyetuar të jenë të bashkuara në adhurimin e të vetmit Perëndi të vërtetë dhe të gëzojnë lirinë e lavdishme si fëmijë të Perëndisë. Kjo është edhe ajo që dëshirojnë me zjarr ata që e duan drejtësinë.

2 Jehovai filloi ta përmbushte këtë qëllim madhështor, kur nisi veprat e tij të krijimit. Krijesa e tij e parë ishte një Bir, i cili, që pas ringjalljes, është «pasqyrimi i lavdisë së [Perëndisë] dhe paraqitja e saktë e vetë qenies së tij». (Hebrenjve 1:1-3) Ky Bir ishte i veçantë, sepse u krijua vetëm nga Perëndia. Më pas, të gjithë të tjerët​—së pari engjëjt në qiell e më pas njerëzit në tokë​—do të vinin në ekzistencë me anë të këtij Biri. (Jobi 38:7; Luka 3:38) Të gjithë këta formonin një familje të vetme universale. Për të gjithë ata Jehovai ishte Perëndia, Sovrani Universal dhe Ati i tyre i dashur.

3. (a) Çfarë kemi trashëguar të gjithë ne nga prindërit tanë të parë? (b) Cilën masë të dashur mori Jehovai për pasardhësit e Adamit?

3 Kur u dënuan me vdekje si mëkatarë të vullnetshëm, prindërit tanë të parë njerëzorë u dëbuan nga Edeni dhe u mohuan nga Perëndia. Nuk ishin më pjesë e familjes së tij universale. (Zanafilla 3:22-24; Ligji i përtërirë 32:4, 5) Të gjithë ne jemi pasardhës të tyre, prandaj kemi lindur me prirje mëkatare. Por Jehovai e dinte se disa nga pasardhësit e Adamit dhe të Evës do ta donin drejtësinë. Prandaj me dashuri mori një masë me anë të së cilës këta të mund të arrinin «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë».​—Romakëve 8:20, 21.

Izraeli humbet pozitën e tij të privilegjuar

4. Cilin privilegj i ofroi Jehovai Izraelit të lashtë?

4 Rreth 2.500 vjet pas krijimit të Adamit, Jehovai u ofroi përsëri disa njerëzve privilegjin për të pasur një marrëdhënie të veçantë me Të. Ai i zgjodhi izraelitët e lashtë që të ishin populli i tij dhe u dha Ligjin e tij. (Zanafilla 12:1, 2) Formoi me ta një komb dhe i përdori në lidhje me qëllimin e tij. (Ligji i përtërirë 14:1, 2; Isaia 43:1) Megjithatë, ata ishin ende nën skllavërinë e mëkatit dhe të vdekjes, prandaj nuk gëzonin lirinë e lavdishme që kishin pasur në fillim Adami dhe Eva.

5. Si e humbën izraelitët pozitën e tyre të veçantë para Perëndisë?

5 Sidoqoftë, izraelitët kishin një pozitë të privilegjuar para Perëndisë. Kishin edhe përgjegjësinë për ta respektuar Jehovain si Atin e tyre dhe për të vepruar në përputhje me qëllimin e tij. Jezui theksoi se sa e rëndësishme ishte që ata të përmbushnin këtë detyrim. (Mateu 5:43-48) Megjithatë, kombi i Izraelit nuk veproi kështu. Ndonëse ata judenj pohonin «kemi vetëm një Atë, Perëndinë», Jezui shpalli se veprimet dhe fryma që kishin tregonin se ky pohim nuk ishte i vërtetë. (Gjoni 8:41, 44, 47) Perëndia e shfuqizoi Ligjin në vitin 33 të e.s. dhe marrëdhënia e veçantë që kishte Izraeli me të mori fund. Por, a do të thoshte kjo se njerëzit nuk do të mund të kishin kurrë një marrëdhënie të privilegjuar me Perëndinë?

Mbledhja e ‘gjërave në qiej’

6. Cili është qëllimi i ‘administrimit’ që përmendi Pavli tek Efesianëve 1:9, 10?

6 Apostulli Pavël tregoi se disa njerëz mund të kishin një marrëdhënie të veçantë me Perëndinë. Për shembull, për rregullin e vënë nga Jehovai, sipas të cilit ata që ushtrojnë besim mund të bëhen pjesëtarë të familjes së Tij, Pavli shkroi: «[Perëndia na bëri] të njohur sekretin e shenjtë të vullnetit të tij. Sipas pëlqimit të tij, ai pati si qëllim në vetvete një administrim kur të mbusheshin kohët e caktuara, domethënë, të mblidhte përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat mbi tokë.» (Efesianëve 1:9, 10) Ky «administrim» ka në qendër Jezu Krishtin. Nëpërmjet tij, njerëzit arrijnë të marrin miratimin e Perëndisë. Një numër i kufizuar prej tyre kanë shpresën që të jenë në qiell. Një numër shumë më i madh njerëzish do të jetojnë përgjithmonë në tokë.

7. Cilët janë «gjërat në qiej»?

7 Në fillim, që prej Festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., iu kushtua vëmendje ‘gjërave në qiej’, pra, atyre që do të ishin bashkëtrashëgimtarë me Krishtin në Mbretërinë qiellore. Perëndia i shpalli të drejtë në bazë të besimit të tyre në vlerën e flijimit të Jezuit. (Romakëve 5:1, 2) Me kalimin e kohës u përfshinë hebrenj dhe johebrenj. Numri i plotë ‘i gjërave në qiej’ do të ishte 144.000. (Galatasve 3:26-29; Zbulesa 14:1) Vetëm një mbetje e tyre është ende në tokë.

Mbledhja e ‘gjërave mbi tokë’

8. Cilët janë «gjërat mbi tokë» dhe ç’marrëdhënie kanë me Jehovain?

8 I njëjti administrim po mbledh edhe «gjërat mbi tokë». Miliona njerëz po mblidhen tani, duke pasur shpresën që të jetojnë përgjithmonë në tokë. Në unitet me mbetjen e trashëgimtarëve të Mbretërisë, ata madhërojnë emrin e Jehovait dhe lartësojnë adhurimin e tij. (Isaia 2:2, 3; Sofonia 3:9) Edhe ata i drejtohen Jehovait si «Atë», sepse e pranojnë atë si burimin e jetës. Veç kësaj, kanë një qëndrim të miratuar para tij në bazë të besimit të tyre në gjakun e derdhur të Jezuit. (Zbulesa 7:9, 14) Por, meqenëse janë ende të papërsosur, për t’u pranuar plotësisht si fëmijë të Perëndisë duhet të presin ende.

9. Cilin premtim përmban për njerëzimin Romakëve 8:21?

9 Këta njerëz që kanë shpresën tokësore, tani po presin me padurim kohën kur krijesa njerëzore do të «lirohet nga skllavëria e prishjes». (Romakëve 8:21) Ky çlirim do të fillojë pasi Krishti dhe ushtritë e tij qiellore të sjellin fundin e shtrëngimit të madh me anë të Harmagedonit, që do të jetë pika kulmore. Kjo do të nënkuptojë shkatërrimin e gjithë sistemit të lig të Satanait, gjë që do të pasohet nga bekimet e mbretërimit mijëvjeçar të Krishtit, i cili do të ketë pushtetin e Mbretërisë.​—Zbulesa 19:17-21; 20:6.

10. Cilën këngë lavdie do të këndojnë shërbëtorët e Jehovait?

10 Sa ngazëlluese do të jetë kur shërbëtorët e Jehovait në tokë të bashkohen dhe t’u bëjnë jehonë ndjenjave të shërbëtorëve të tij në qiell, të cilët shpallin me gëzim: «Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua, o Perëndi Jehova, i Plotfuqishmi. Të drejta e të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i përjetësisë. Kush nuk do të frikësohet vërtet prej teje, o Jehova dhe nuk do t’i japë lavdi emrit tënd, pasi vetëm ti je besnik? Sepse të gjitha kombet do të vijnë e do të adhurojnë para teje, sepse dekretet e tua të drejta u shfaqën.» (Zbulesa 15:3, 4) Po, të gjithë shërbëtorët e Jehovait do të bashkohen në adhurimin e të vetmit Perëndi të vërtetë. Edhe të vdekurit do të ringjallen dhe do t’u jepet mundësia që të ngrenë zërat bashkë me të tjerët për të lëvduar Jehovain.​—Veprat 24:15.

Liri e lavdishme para nesh

11. Çfarë lirie të mrekullueshme do të gëzojnë ata që do të mbijetojnë në shtrëngimin e madh?

11 Pasi shtrëngimi i madh, me kulmin e tij në Harmagedon, ta ketë pastruar tokën nga ligësia, Satana Djalli nuk do të jetë më «perëndia i këtij sistemi». Adhuruesve të Jehovait nuk do t’u duhet më të luftojnë me ndikimin e lig të Satanait. (2 Korintasve 4:4; Zbulesa 20:1, 2) Feja e rreme nuk do ta shtrembërojë më të vërtetën për Jehovain dhe nuk do të jetë më ndikim përçarës për shoqërinë njerëzore. Shërbëtorët e Perëndisë së vërtetë nuk do të përjetojnë më padrejtësi dhe shfrytëzim nga autoritetet njerëzore. Çfarë lirie të mrekullueshme do të gëzojnë!

12. Si do të çlirohen të gjithë nga mëkati dhe nga pasojat e tij?

12 Si «Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës», Jezui do ta përdorë vlerën e flijimit të tij për të fshirë mëkatet e njerëzimit. (Gjoni 1:29) Kur Jezui ishte në tokë, pasi i fali mëkatet një njeriu e shëroi atë si provë se e kishte falur. (Mateu 9:1-7; 15:30, 31) Ngjashëm, si Mbret qiellor i Mbretërisë së Perëndisë, Krishti Jezu do të shërojë në mënyrë të mrekullueshme të verbërit, memecët, të shurdhrit, njerëzit me gjymtime fizike, të sëmurët mendorë dhe çdo lloj tjetër sëmundjeje. (Zbulesa 21:3, 4) Për të gjithë ata që janë të bindur ‘ligji i mëkatit’ do të shfuqizohet, kështu që mendimet dhe veprimet e tyre të jenë të pëlqyeshme për ata vetë dhe për Perëndinë. (Romakëve 7:21-23) Në fund të Mijëvjeçarit, ata do të kenë arritur përsosmërinë njerëzore, ‘sipas shëmbëlltyrës dhe në ngjasim’ me të vetmin Perëndi të vërtetë.​—Zanafilla 1:26.

13. Cilin veprim do të ndërmarrë Krishti në fund të mbretërimit mijëvjeçar, dhe cili do të jetë përfundimi?

13 Kur ta ketë çuar njerëzimin në përsosmëri, Krishti do t’ia kthejë Atit autoritetin që i ishte dhënë për këtë punë: «Ai [do] t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij, kur të ketë asgjësuar çdo qeveri, autoritet dhe fuqi. Sepse ai duhet të sundojë si mbret derisa Perëndia t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij.» (1 Korintasve 15:24, 25) Sundimi mijëvjeçar i Mbretërisë do ta ketë arritur plotësisht qëllimin e vet, prandaj nuk do të ketë më nevojë që mes Jehovait dhe njerëzimit të qëndrojë kjo qeveri ndihmëse. E, meqë mëkati dhe vdekja do të jenë zhdukur plotësisht dhe njerëzimi do të jetë shpenguar, nuk do të ketë më nevojë që Jezui të veprojë si Shpengues. Bibla shpjegon: «Atëherë edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi çdo gjë, që Perëndia të jetë gjithçka për të gjithë.»​—1 Korintasve 15:28.

14. Para cilës provë do të vihen të gjithë njerëzit e përsosur dhe përse?

14 Pas kësaj, njerëzimit të përsosur do t’i jepet mundësia të tregojë se ka zgjedhur t’i shërbejë përgjithmonë të vetmit Perëndi të vërtetë. Kështu, përpara se t’i birësojë plotësisht si fëmijë të tij, Jehovai do t’i vërë të gjithë këta njerëz të përsosur përpara një prove përfundimtare. Satanai dhe demonët e tij do të lirohen nga humnera. Kjo nuk do t’u shkaktojë dëme të përhershme atyre që e duan me të vërtetë Jehovain. Por kushdo që nuk do t’i bindet Jehovait, duke u treguar kështu jobesnik, do të shkatërrohet përgjithmonë, bashkë me rebelin e parë dhe demonët e tij.​—Zbulesa 20:7-10.

15. Në ç’gjendje do të jetë përsëri i gjithë krijimi i Jehovait me aftësi për të arsyetuar?

15 Atëherë Jehovai do t’i birësojë si fëmijë të tij të gjithë njerëzit e përsosur që gjatë asaj prove përfundimtare do të kenë mbështetur sovranitetin e Perëndisë. Që nga ai çast e më tej, ata do të gëzojnë plotësisht lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë, si pjesë e familjes universale të Perëndisë. I gjithë krijimi me aftësi për të arsyetuar, në qiell e në tokë, do të jetë përsëri i bashkuar për ta adhuruar atë si të vetmin Perëndi të vërtetë. Qëllimi i Jehovait do të jetë plotësuar në mënyrë të lavdishme! A dëshiron të jesh pjesë e kësaj familjeje universale, të lumtur e të përhershme? Në qoftë se po, të nxitim t’ia vësh veshin asaj që thotë Bibla te 1 Gjonit 2:17: «Bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.»

Pyetje për rishikim

• Ç’marrëdhënie kishin me Jehovain gjithë adhuruesit e tij përpara rebelimit në Eden?

• Çfarë përgjegjësie mbetet mbi ata që janë shërbëtorë të Perëndisë?

• Cilët presin ende të bëhen fëmijë të Perëndisë dhe si lidhet kjo me qëllimin e Jehovait për unitetin e adhurimit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 190]

Njerëzit e bindur do të gëzojnë jetën në një parajsë mbarëbotërore