Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si e drejton Jehovai organizatën e tij?

Si e drejton Jehovai organizatën e tij?

Kapitulli katërmbëdhjetë

Si e drejton Jehovai organizatën e tij?

1. Çfarë të dhënash zbulon Bibla për organizatën e Jehovait dhe përse kjo është e rëndësishme për ne?

A KA Perëndia një organizatë? Shkrimet e frymëzuara na thonë se po. Në Fjalën e tij ai na bën një paraqitje të shkurtër për pjesën qiellore madhështore të kësaj organizate. (Ezekieli 1:1, 4-14; Danieli 7:9, 10, 13, 14) Megjithëse nuk mund ta shohim këtë pjesë të padukshme, ajo ndikon shumë te adhuruesit e vërtetë sot. (2 Mbretërve 6:15-17) Organizata e Jehovait ka edhe një pjesë të dukshme që ndodhet në tokë. Bibla na ndihmon të kuptojmë cila është ajo dhe si e drejton Jehovai.

Të identifikojmë pjesën e dukshme

2. Cilin kongregacion të ri themeloi Perëndia?

2 Për 1.545 vjet, kombi i Izraelit ishte kongregacioni i Perëndisë. (Veprat 7:38) Por Izraeli nuk i zbatoi ligjet e Perëndisë dhe hodhi poshtë vetë Birin e Tij. Për pasojë, Jehovai e hodhi poshtë këtë kongregacion dhe e braktisi. Jezui u tha judenjve: «Ja, shtëpia juaj ju është braktisur.» (Mateu 23:38) Më pas, Perëndia themeloi një kongregacion të ri, me të cilin bëri një besëlidhje të re. Ky kongregacion do të përbëhej nga 144.000 individë të zgjedhur nga Perëndia që të ishin bashkë me Birin e tij në qiell.​—Zbulesa 14:1-4.

3. Çfarë ndodhi në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., si dëshmi e qartë se Perëndia tani po përdorte një kongregacion të ri?

3 Pjesëtarët e parë të këtij kongregacioni të ri u mirosën me frymën e shenjtë të Jehovait në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Për këtë ngjarje të jashtëzakonshme lexojmë: «Tani, ndërsa festa e Ditës së Pesëdhjetë ishte në vazhdim, ata ishin të gjithë së bashku në të njëjtin vend dhe befas nga qielli u bë një zhurmë si ajo e një ere të fortë që fryn furishëm dhe mbushi gjithë shtëpinë ku ishin duke ndenjur ata. E atyre iu bënë të dukshme gjuhë si prej zjarri dhe u shpërndanë, duke u ulur mbi secilin prej tyre dhe të gjithë ata u mbushën me frymë të shenjtë.» (Veprat 2:1-4) Kështu, fryma e Perëndisë dha dëshmi të qartë se tani ky ishte grupi i njerëzve që Perëndia do të përdorte për të përmbushur qëllimin e tij nën drejtimin e Jezu Krishtit në qiell.

4. Cilët e përbëjnë sot organizatën e dukshme të Jehovait?

4 Sot në tokë ka vetëm një mbetje të 144.000-ve. Por në përmbushje të profecive biblike, ‘një shumicë e madhe’ nga ‘delet e tjera’, e përbërë nga miliona veta, është shoqëruar me mbetjen e mirosur. Jezui, Bariu i Shkëlqyer, i ka bashkuar këto dele të tjera me mbetjen, në mënyrë që të formojnë një kope të vetme, duke pasur atë si Bariun e tyre të vetëm. (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:11, 16) Të gjithë këta përbëjnë një kongregacion të bashkuar, organizatën e dukshme të Jehovait.

Një strukturë teokratike

5. Kush e drejton organizatën e Perëndisë dhe si?

5 Shprehja biblike «kongregacioni i Perëndisë të gjallë» e bën të qartë se kush e drejton atë. Organizata është teokratike ose e drejtuar nga Perëndia. Jehovai i siguron drejtim popullit të tij nëpërmjet Jezuit, atij që Ai e ka emëruar për të qenë Kreu i padukshëm i kongregacionit. Ai siguron drejtim edhe nëpërmjet Fjalës së Tij të frymëzuar, Biblës.​—1 Timoteut 3:14, 15; Efesianëve 1:22, 23; 2 Timoteut 3:16, 17.

6. (a) Si u shfaq qartë në shekullin e parë se kongregacioni kishte drejtimin hyjnor? (b) Nga kuptohet se Jezui është ende Kreu i kongregacionit?

6 Ky drejtim ishte shumë i dukshëm në Festën e Ditës së Pesëdhjetë. (Veprat 2:14-18, 32, 33) Ai u shfaq qartë kur engjëlli i Jehovait drejtoi përhapjen e lajmit të mirë në Afrikë; kur zëri i Jezuit dha udhëzime në kthimin e Saulit nga Tarsi, si edhe kur Pjetri filloi veprën e predikimit te johebrenjtë. (Veprat 8:26, 27; 9:3-7; 10:9-16, 19-22) Por, me kalimin e kohës, nuk u dëgjuan më zëra nga qielli, nuk u panë më engjëj dhe nuk u dhanë më dhurata të mrekullueshme të frymës. Gjithsesi, Jezui kishte premtuar: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mateu 28:20; 1 Korintasve 13:8) Sot, Dëshmitarët e Jehovait e pranojnë drejtimin e Jezuit. Pa të, do të ishte e pamundur ta shpallnin mesazhin e Mbretërisë përballë armiqësisë së madhe.

7. (a) Kush e përbën ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ e përse? (b) Cili caktim iu dha ‘skllavit’?

7 Pak para se të vdiste, Jezui u foli dishepujve të tij për ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’, të cilit ai si Zotëri do t’i besonte një përgjegjësi të veçantë. Ky ‘skllav’ do të ishte i pranishëm kur Zotëria të ngjitej në qiell dhe do të ishte ende duke punuar pa u lodhur kur Krishti të rikthehej në mënyrë të padukshme në pushtetin e Mbretërisë. Vështirë që një përshkrim i tillë t’i përshtatet një njeriu të vetëm, por ama i përshtatet kongregacionit të mirosur të Krishtit. Duke qenë se e kishte blerë me gjakun e tij, Jezui foli për këtë kongregacion si për ‘skllavin’ e tij. I autorizoi pjesëtarët e këtij kongregacioni që të bënin dishepuj dhe t’i ushqenin vazhdimisht, duke u dhënë «ushqim [frymor] në kohën e duhur».​—Mateu 24:45-47; 28:19; Isaia 43:10; Luka 12:42; 1 Pjetrit 4:10.

8. (a) Çfarë përgjegjësish ka tani klasa e skllavit? (b) Përse është e rëndësishme se si reagojmë ne ndaj udhëzimeve të dhëna nëpërmjet kanalit që përdor Perëndia?

8 Meqë klasa e skllavit po e kryente me besnikëri veprën e Zotërisë kur ky u kthye në mënyrë të padukshme në vitin 1914, ka dëshmi se kësaj klase iu besuan përgjegjësi të mëtejshme në vitin 1919. Në vitet që pasuan është dhënë një dëshmi globale për Mbretërinë dhe po mblidhet një shumicë e madhe adhuruesish të Jehovait, me shpresën që të mbijetojnë gjatë shtrëngimit të madh. (Mateu 24:14, 21, 22; Zbulesa 7:9, 10) Edhe këta kanë nevojë për ushqim frymor dhe ky ushqim u shërbehet nga klasa e skllavit. Prandaj, për t’i pëlqyer Jehovait duhet të pranojmë udhëzimet që ai siguron nëpërmjet këtij kanali dhe të veprojmë në harmoni me to.

9, 10. (a) Çfarë rregulli kishte në shekullin e parë për të zgjidhur çështjet që kishin të bënin me doktrinat dhe për të dhënë drejtim në predikimin e lajmit të mirë? (b) Cili rregull ekziston sot për bashkërendimin e veprimtarive të popullit të Jehovait?

9 Nganjëherë lindin pyetje rreth doktrinave dhe procedurave. Çfarë bëhet në këto raste? Kapitulli 15 i librit të Veprave na tregon se si u zgjidh një çështje që kishte të bënte me johebrenjtë e kthyer në besim. Çështja iu raportua apostujve dhe pleqve në Jerusalem, të cilët shërbenin si një trup udhëheqës qendror. Këta burra nuk ishin të pagabueshëm, por Perëndia prapëseprapë i përdori. I shqyrtuan shkrimet që kishin të bënin me këtë temë, si edhe dëshmitë e veprimit të frymës së Perëndisë për sa i përket hapjes së fushës së predikimit te johebrenjtë. Pastaj morën një vendim. Perëndia e bekoi këtë rregull. (Veprat 15:1-29; 16:4, 5) Ky trup udhëheqës dërgonte individë që të çonin përpara veprën e predikimit të Mbretërisë.

10 Në ditët tona, Trupi Udhëheqës i organizatës së dukshme të Jehovait përbëhet nga vëllezër të mirosur me frymë, të cilët vijnë nga vende të ndryshme. Ai ndodhet në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait. Nën kryesinë e Jezu Krishtit, Trupi Udhëheqës çon përpara adhurimin e pastër në çdo vend, duke bashkërenduar veprën e predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait në dhjetëra mijë kongregacione. Ata që përbëjnë Trupin Udhëheqës kanë të njëjtën pikëpamje si apostulli Pavël, i cili u shkroi të bashkëkrishterëve: «Jo se ne jemi zotërinj mbi besimin tuaj, por jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj, sepse me anë të besimit tuaj po qëndroni në këmbë.»​—2 Korintasve 1:24.

11. (a) Si emërohen pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës? (b) Përse duhet të bashkëpunojmë ngushtësisht me të emëruarit?

11 Në mbarë botën Dëshmitarët e Jehovait i drejtohen Trupit Udhëheqës që të zgjedhë vëllezër të kualifikuar të cilët, nga ana e tyre, janë të autorizuar të emërojnë pleq dhe shërbëtorë ndihmës që të kujdesen për kongregacionet. Kërkesat për ata që emërohen janë paraqitur në Bibël dhe marrin parasysh që këta burra nuk janë të përsosur e bëjnë gabime. Pleqtë që bëjnë rekomandime dhe ata që bëjnë emërimet kanë një përgjegjësi të madhe para Perëndisë. (1 Timoteut 3:1-10, 12, 13; Titit 1:5-9) Prandaj ata luten për ndihmën e frymës së Perëndisë dhe kërkojnë udhëheqje nga Fjala e tij e frymëzuar. (Veprat 6:2-4, 6; 14:23) Le të tregojmë çmueshmëri për këto «dhurata në njerëz» që na ndihmojnë të gjithëve të arrijmë «njëjësinë në besim».​—Efesianëve 4:8, 11-16.

12. Si i përdor Jehovai gratë në rregullin teokratik?

12 Shkrimet udhëzojnë që mbikëqyrja në kongregacion të bëhet nga burrat. Kjo nuk ua ul vlerën grave, sepse disa prej tyre janë trashëgimtare të Mbretërisë qiellore dhe bëjnë shumë në veprën e predikimit. (Psalmi 68:11) Gjithashtu, duke u kujdesur vazhdimisht për përgjegjësitë e tyre familjare, gratë japin ndihmesën e tyre për emrin e shkëlqyer të kongregacionit. (Titit 2:3-5) Por mësimdhënia brenda kongregacionit bëhet nga burra që janë të emëruar për ta bërë këtë.​—1 Timoteut 2:12, 13.

13. (a) Cilën pikëpamje nxit Bibla që të kenë pleqtë për pozitën e tyre? (b) Cilin privilegj mund të kemi që të gjithë?

13 Në botë, një individ që ka një pozitë të shquar shihet si i rëndësishëm, por brenda organizatës së Perëndisë rregulli është: «Ai që sillet si më i vogli ndër ju të gjithë, është ai që është i madh.» (Luka 9:46-48; 22:24-26) Shkrimet i këshillojnë pleqtë të kenë kujdes që të mos sillen si padronë me ata që janë trashëgimia e Perëndisë, por, përkundrazi, të bëhen shembuj për kopenë. (1 Pjetrit 5:2, 3) Jo vetëm një pakicë e zgjedhur, por të gjithë Dëshmitarët e Jehovait, meshkuj e femra, kanë privilegjin ta përfaqësojnë Sovranin e universit, duke folur me përulësi në emër të tij dhe duke u treguar njerëzve kudo që janë për Mbretërinë e tij.

14. Duke përdorur shkrimet e cituara, trajto pyetjet e renditura në fund të paragrafit.

14 Bëjmë mirë të pyesim veten: ‘A e kuptoj me të vërtetë se si po e drejton Jehovai organizatën e tij të dukshme? A e pasqyrojnë këtë qëndrimi, e folura dhe veprimet e mia?’ Arsyetimi rreth pikave të mëposhtme do të të ndihmojë që të shqyrtosh këtë gjë.

Siç e tregojnë shkrimet vijuese, çfarë duhet të bëj nëse i nënshtrohem vërtet Krishtit si Kreu i kongregacionit? (Mateu 24:14; 28:19, 20; Gjoni 13:34, 35)

Për kë po tregoj respekt, kur i pranoj me çmueshmëri sigurimet frymore që vijnë nëpërmjet klasës së skllavit dhe Trupit të tij Udhëheqës? (Luka 10:16)

Si duhet të sillen me njëri-tjetrin të gjithë në kongregacion, e sidomos pleqtë? (Romakëve 12:10)

15. (a) Çfarë tregojmë me qëndrimin tonë ndaj organizatës së dukshme të Jehovait? (b) Në ç’mënyra mund të provojmë se Djalli është gënjeshtar dhe të gëzojmë zemrën e Jehovait?

15 Sot Jehovai po na udhëheq me anë të organizatës së tij të dukshme të drejtuar nga Krishti. Qëndrimi që kemi ndaj këtij rregulli tregon se çfarë mendojmë për çështjen e sovranitetit. (Hebrenjve 13:17) Satanai pohon se interesimi ynë kryesor është vetvetja. Por, nëse shërbejmë në çfarëdo mënyre që na kërkohet dhe i shmangim gjërat që tërheqin vëmendje të papërshtatshme te vetvetja, tregojmë se Djalli është gënjeshtar. Nëse i duam dhe i respektojmë ata që marrin drejtimin mes nesh, por në të njëjtën kohë nuk pranojmë të ‘admirojmë personalitetet për të nxjerrë dobi për vete’, i sjellim gëzim Jehovait. (Judës 16; Hebrenjve 13:7) Duke i qëndruar besnikë organizatës së Jehovait, tregojmë se Jehovai është Perëndia ynë dhe se jemi të bashkuar në adhurimin e tij.​—1 Korintasve 15:58.

Pyetje për rishikim

• Cila është sot organizata e dukshme e Jehovait? Cili është qëllimi i saj?

• Kush është Kreu i emëruar i kongregacionit dhe përmes cilave masa të dukshme na siguron udhëheqje të dashur?

• Çfarë qëndrimesh të shëndosha duhet të kultivojmë ndaj atyre që janë në organizatën e Jehovait?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 133]

Jehovai na udhëheq me anë të organizatës së tij të dukshme të drejtuar nga Krishti