Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të dëgjojmë këshillat, të pranojmë disiplinën

Të dëgjojmë këshillat, të pranojmë disiplinën

Kapitulli pesëmbëdhjetë

Të dëgjojmë këshillat, të pranojmë disiplinën

1. (a) Përse të gjithë kemi nevojë për këshilla e për disiplinë? (b) Cilën pyetje duhet të shqyrtojmë?

«TË GJITHË ne pengohemi shumë herë»,​—thotë Bibla te Jakovit 3:2. Ndoshta na kujtohen shumë raste në të cilat s’ia kemi dalë mbanë të jemi ata lloj njerëzish që na nxit Fjala e Perëndisë. Prandaj e pranojmë se Bibla ka të drejtë kur thotë: «Dëgjo këshillën dhe prano disiplinën, që të bëhesh i mençur në të ardhmen.» (Proverbat [Fjalët e urta] 19:20, BR) Pa dyshim që tashmë kemi bërë rregullime në jetë për ta vënë në harmoni me mësimet e Biblës. Por, si reagojmë kur një i bashkëkrishterë na këshillon për diçka specifike?

2. Çfarë duhet të bëjmë kur marrim këshilla personale?

2 Disa reagojnë duke u përpjekur të justifikohen, ta zvogëlojnë seriozitetin e gjendjes ose t’ua hedhin fajin të tjerëve. Por është më mirë ta dëgjojmë këshillën dhe ta zbatojmë. (Hebrenjve 12:11) Sigurisht, askush nuk duhet të presë përsosmëri nga të tjerët, as nuk duhet të japë vazhdimisht këshilla për gjëra të parëndësishme ose për çështje që Bibla ia lë në dorë gjithësecilit të zgjedhë. Mund të ndodhë edhe që ai që jep këshillën të mos i ketë shqyrtuar të gjitha faktet. Në rast të tillë, këto fakte mund t’i përmenden me respekt. Por, në shqyrtimin e mëposhtëm, le të supozojmë se këshilla ose disiplina e dhënë është me vend dhe e bazuar në Bibël. Si duhet të reagosh?

Shembuj për t’u mbajtur parasysh

3, 4. (a) Çfarë përmban Bibla që mund të na ndihmojë të kemi qëndrimin e duhur ndaj këshillës dhe disiplinës? (b) Si reagoi mbreti Saul ndaj këshillës dhe me çfarë përfundimi?

3 Fjala e Perëndisë përmban përvoja nga jeta reale e disa individëve që morën këshilla për të cilat kishin nevojë. Disa herë, këshilla u shoqërua me disiplinë. Njëri prej këtyre ishte Sauli, një mbret i Izraelit. Ai nuk iu bind Jehovait lidhur me kombin e Amalekut. Amalekitët kishin qenë kundër shërbëtorëve të Perëndisë, prandaj gjykimi i Jehovait ishte që të mos u kursehej jeta as amalekitëve, as bagëtisë së tyre. Por mbreti Saul ia kurseu jetën mbretit të amalekitëve dhe kafshëve më të mira.​—1 Samuelit 15:1-11.

4 Jehovai dërgoi profetin Samuel për ta qortuar Saulin. Cili ishte reagimi i këtij të fundit? Ai u justifikua duke thënë se amalekitët i mundi, vetëm se vendosi që t’ia kursente jetën mbretit të tyre. Mirëpo, kjo ishte në kundërshtim me urdhrin e Jehovait. (1 Samuelit 15:20) Sauli u përpoq t’ia hidhte fajin popullit që nuk e shfarosi bagëtinë, duke thënë: «Kisha frikë nga populli dhe dëgjova zërin e tij.» (1 Samuelit 15:24) Dukej se ajo që i interesonte më shumë ishte krenaria e tij, madje i kërkoi Samuelit që ta nderonte para popullit. (1 Samuelit 15:30) Në fund, Jehovai e hodhi poshtë Saulin si mbret.​—1 Samuelit 16:1.

5. Çfarë i ndodhi mbretit Uziah kur nuk e pranoi këshillën?

5 Mbreti Uziah i Judës «mëkatoi kundër Zotit, duke hyrë në tempullin e Zotit për të djegur temjan». (2 Kronikave 26:16) Mirëpo, sipas ligjit vetëm priftërinjtë mund të ofronin temjan. Kur kryeprifti u përpoq ta ndalonte Uziahun, mbreti reagoi me zemërim. Çfarë ndodhi? Bibla thotë: «Mbi ballin e tij shpërtheu lebra . . . sepse Zoti e kishte goditur. Mbreti Uziah mbeti lebroz deri ditën e vdekjes së tij.»​—2 Kronikave 26:19-21.

6. (a) Përse Sauli dhe Uziahu nuk e pranuan këshillën? (b) Përse sot është një problem serioz mospranimi i këshillave?

6 Përse Sauli dhe Uziahu e kishin të vështirë ta pranonin këshillën? Problemi themelor ishte krenaria, pasi secili kishte mendim tepër të lartë për veten. Shumë njerëz i hapin telashe vetes për shkak të këtij tipari. Me sa duket mendojnë se pranimi i këshillës nënkupton ndonjë mangësi tek ata ose u prish emrin e mirë. Por krenaria është një dobësi. Krenaria ia mjegullon arsyen një personi e si pasojë, ai ka prirjen të mos e pranojë ndihmën që siguron Jehovai nëpërmjet Fjalës dhe organizatës së tij. Prandaj, Jehovai paralajmëron: «Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.»​—Fjalët e urta 16:18; Romakëve 12:3.

Të pranojmë këshillat

7. Çfarë mësimesh pozitive mund të nxjerrim nga mënyra se si reagoi Moisiu ndaj këshillës?

7 Shkrimet përmbajnë edhe shembuj të shkëlqyer të atyre që e pranuan këshillën dhe ne mund të mësojmë prej tyre. Shqyrto rastin e Moisiut, të cilin i vjehrri e këshilloi se si ta përballonte ngarkesën e rëndë të punës. Moisiu e dëgjoi dhe e zbatoi menjëherë këshillën. (Eksodi 18:13-24) Përse Moisiu e pranoi këshillën, ndonëse kishte shumë autoritet? Sepse ishte i përulur. «Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut.» (Numrat 12:3) Sa e rëndësishme është zemërbutësia? Te Sofonia 2:3 tregohet se ajo mund të nënkuptojë jetë për ne.

8. (a) Çfarë mëkatesh kreu Davidi? (b) Si reagoi Davidi ndaj qortimit të Natanit? (c) Cilat ishin pasojat e mëkateve të Davidit?

8 Mbreti David kreu kurorëshkelje me Betshebën dhe u përpoq ta mbulonte fajin duke urdhëruar vrasjen e bashkëshortit të saj, Uriahut. Jehovai dërgoi profetin Natan për ta qortuar Davidin. Ai u pendua dhe menjëherë e pranoi: «Kam mëkatuar kundër Zotit.» (2 Samuelit 12:13) Edhe pse Perëndia e pranoi pendimin e Davidit, ky do të vuante pasojat e veprimeve të tij të gabuara. Jehovai i tha se shpata ‘nuk do të largohej nga shtëpia e tij’, se gratë e tij do t’i jepeshin «një tjetri» dhe se djali që i kishte lindur nga kurorëshkelja ‘duhej të vdiste’.​—2 Samuelit 12:10, 11, 14.

9. Çfarë nuk duhet të harrojmë nëse marrim këshilla ose disiplinohemi?

9 Mbreti David e dinte se sa e dobishme ishte t’i dëgjonte këshillat e shëndosha. Në disa raste, ai e falënderoi Perëndinë për individin që i dha këshillën. (1 Samuelit 25:32-35) A jemi si ai? Nëse po, kjo do të na mbrojë që të mos themi e të mos bëjmë gjëra mund të shkaktojnë keqardhje. Por, ç’të themi nëse e futim veten në rrethana për shkak të të cilave marrim këshilla ose edhe të disiplinohemi? Të mos harrojmë se kjo është dëshmi e dashurisë së Jehovait, i cili ka si synim mirëqenien tonë të përhershme.​—Fjalët e urta 3:11, 12; 4:13.

Cilësi të çmuara që duhet t’i kultivojmë

10. Cila cilësi, siç e tregoi Jezui, ishte e nevojshme për ata që do të hynin në Mbretëri?

10 Për të pasur një marrëdhënie të mirë me Jehovain dhe me vëllezërit tanë të krishterë, duhet të kultivojmë disa cilësi. Jezui e theksoi njërën prej tyre kur vuri një fëmijë në mes të dishepujve dhe tha: «Po të mos ktheheni e të bëheni si fëmijë të vegjël, kurrsesi nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. Kushdo, pra, që do të përulet si ky fëmijë i vogël është më i madhi në mbretërinë e qiejve.» (Mateu 18:3, 4) Meqenëse kishin debatuar mes tyre se kush ishte më i madhi, dishepujt e Jezuit duhej të kultivonin përulësinë.​—Luka 22:24-27.

11. (a) Ndaj kujt duhet të jemi të përulur dhe përse? (b) Si do të reagojmë ndaj këshillave, nëse jemi të përulur?

11 Apostulli Pjetër shkroi: «Ngjeshuni të gjithë me përulësi mendjeje ndaj njëri-tjetrit, sepse Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» (1 Pjetrit 5:5) E dimë se duhet të jemi të përulur ndaj Perëndisë, por ky shkrim tregon se duhet të jemi të përulur edhe ndaj bashkëbesimtarëve. Nëse jemi të tillë, nuk do të na vijë keq për sugjerimet me vend që na bëjnë të tjerët, por do të mësojmë prej tyre.​—Fjalët e urta 12:15.

12. (a) Cila cilësi e rëndësishme është e lidhur ngushtë me përulësinë? (b) Përse duhet të na interesojnë pasojat që ka sjellja jonë te të tjerët?

12 Një tjetër cilësi e lidhur ngushtë me përulësinë është interesimi për mirëqenien e të tjerëve. Apostulli Pavël shkroi: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit. . . . Prandaj, nëse jeni duke ngrënë ose duke pirë, apo nëse jeni duke bërë diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë. Ruhuni të mos bëheni shkak pengese as për judenj, as për grekë dhe as për kongregacionin e Perëndisë.» (1 Korintasve 10:24-33) Pavli nuk tha se duhet t’i lëmë mënjanë të gjitha shijet tona personale. Por na nxiti që të mos bëjmë ndonjë gjë që mund t’i japë zemër dikujt tjetër të bëjë diçka për të cilën ndërgjegjja i thotë se është e gabuar.

13. Cili shembull mund të tregojë nëse e ke zakon t’i zbatosh këshillat biblike?

13 A mendon më shumë për mirëqenien e të tjerëve sesa për shijen tënde personale? Të gjithë duhet të mësojmë ta bëjmë këtë. Ka shumë mënyra se si mund të bëhet një gjë e tillë. Si shembull, shqyrto mënyrën se si vishesh dhe rregullohesh. Këto janë gjëra që kanë të bëjnë me shijen personale, për sa kohë që këto shije janë në përputhje me udhëzimet biblike për të qenë modestë, të rregullt e të pastër. Por nëse do të merrje vesh se, për shkak të kulturës së njerëzve në vendin ku banon, mënyra se si vishesh ose si rregullohesh do t’i pengonte të tjerët që të dëgjonin mesazhin e Mbretërisë, a do të bëje ndryshime? Sigurisht, të ndihmosh dikë tjetër që të fitojë jetën e përhershme është më e rëndësishme se të bësh atë që të pëlqen ty.

14. Përse është e rëndësishme të kultivosh përulësinë dhe interesimin për të tjerët?

14 Jezui na la shembullin për sa i përket përulësisë dhe interesimit për të tjerët, duke u larë edhe këmbët dishepujve të tij. (Gjoni 13:12-15) Fjala e Perëndisë thotë për të: «Mbani në ju atë qëndrim mendor që ishte edhe në Krishtin Jezu, i cili, edhe pse gjendej në formë perëndie, as që e çoi nëpër mend të bënte ndonjë rrëmbim, domethënë, të ishte i barabartë me Perëndinë. Jo, por e zbrazi veten dhe mori formën e një skllavi, duke u bërë në ngjashmëri me njerëzit. Për më tepër, kur u gjend nga trajta si një njeri, ai e përuli veten dhe u bë i bindur deri në vdekje.»​—Filipianëve 2:5-8; Romakëve 15:2, 3.

Të mos e hedhim poshtë disiplinën e Jehovait

15. (a) Çfarë ndryshimesh duhet të bëjmë për të pasur një personalitet që i pëlqen Perëndisë? (b) Me anë të cilave mjete ka siguruar Jehovai këshilla dhe disiplinë për të gjithë ne?

15 Duke qenë se të gjithë jemi mëkatarë, nga ne kërkohen ndryshime në qëndrim e në sjellje, me qëllim që të pasqyrojmë personalitetin e Perëndisë tonë. Duhet të veshim «personalitetin e ri». (Kolosianëve 3:5-14) Këshillat dhe disiplina na ndihmojnë që të përcaktojmë fushat ku nevojiten ndryshime dhe, pastaj, të shohim se si t’i bëjmë këto ndryshime. Burimi themelor i mësimit për të cilin kemi nevojë është vetë Bibla. (2 Timoteut 3:16, 17) Literatura biblike dhe mbledhjet që siguron organizata e Jehovait na ndihmojnë ta zbatojmë Fjalën e Perëndisë. Edhe sikur ta kemi dëgjuar më parë një këshillë, a do ta kuptojmë se kemi nevojë për të dhe a do të përpiqemi të përmirësohemi?

16. Çfarë ndihme siguron Jehovai për secilin prej nesh?

16 Duke treguar interesim të dashur, Jehovai na ndihmon për problemet që kemi. Miliona njerëzve u është dhënë ndihmë me anë të një studimi biblik në shtëpi. Prindërit i këshillojnë dhe i disiplinojnë fëmijët e tyre për t’i ruajtur nga sjellja që do t’u shkaktonte dhembje. (Fjalët e urta 6:20-23) Brenda kongregacionit, shpesh, disa u kërkojnë shërbëtorëve me përvojë këshilla dhe sugjerime për të përmirësuar përpjekjet që bëjnë në shërbimin në fushë. Hera-herës pleqtë i kërkojnë këshilla njëri-tjetrit ose të tjerëve që kanë përvojë në shërbim. Ata që kanë kualifikime frymore përdorin Biblën për të ndihmuar individët që kanë nevojë për ndihmë, duke e bërë këtë me një frymë butësie. Nëse i jep këshillë dikujt, mos harro «të jesh vigjilent për veten, nga frika se mos tundohesh edhe ti». (Galatasve 6:1, 2) Po, të gjithë kemi nevojë për këshilla e disiplinë, që ta adhurojmë në unitet të vetmin Perëndi të vërtetë.

Pyetje për rishikim

• Si na ndihmon Jehovai me dashuri që të kuptojmë se ku duhet të bëjmë personalisht ndryshime?

• Përse shumë veta e kanë të vështirë t’i pranojnë këshillat që u nevojiten dhe sa serioze është kjo?

• Cilat cilësi shumë të çmuara do të na ndihmojnë që t’i pranojmë këshillat, dhe si la Jezui shembullin e tij në këtë pikë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 142]

Uziahu e hodhi poshtë këshillën dhe u godit me lebër

[Figura në faqen 142]

Moisiu nxori dobi duke e pranuar këshillën që i dha Jetroi