Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të madhërojmë Jehovain si të vetmin Perëndi të vërtetë

Të madhërojmë Jehovain si të vetmin Perëndi të vërtetë

Kapitulli dy

Të madhërojmë Jehovain si të vetmin Perëndi të vërtetë

1. Kush është i vetmi Perëndi i vërtetë?

BIBLA thotë se, ndonëse ka shumë që shihen si perëndi, «për ne ka një Perëndi të vetëm, Ati». (1 Korintasve 8:5, 6) Ky ‘Perëndi i vetëm’ është Jehovai, Krijuesi i gjithçkaje. (Ligji i përtërirë 6:4; Zbulesa 4:11) Jezui foli për të si «Perëndia im dhe Perëndia juaj». (Gjoni 20:17) Ai mendonte njësoj si Moisiu, i cili më parë kishte thënë: «Jehovai është Perëndia i vërtetë; nuk ka asnjë tjetër veç tij.» (Ligji i përtërirë 4:35, BR) Jehovai qëndron shumë më lart se çdo objekt adhurimi, siç janë idhujt, njerëzit që adhurohen si hyjni ose Satana Djalli që është armiku i tij dhe «perëndia i këtij sistemi». (2 Korintasve 4:3, 4) Ndryshe nga gjithë këto objekte adhurimi, Jehovai është, siç e quajti Jezui, ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’.​—Gjoni 17:3.

2. Ndërkohë që mësojmë për Perëndinë, si duhet të ndikojë kjo në jetën tonë?

2 Njerëzit mirënjohës që mësojnë për cilësitë e dashura të Perëndisë, si edhe për atë që ka bërë e që do të bëjë ende për ne, tërhiqen drejt tij. Ndërkohë që u rritet dashuria për Jehovain, ndihen të shtyrë që ta madhërojnë atë. Në ç’mënyrë? Një mënyrë është duke u folur të tjerëve për të. «Me gojë [njeriu] deklaron publikisht për shpëtim»,​—thuhet te Romakëve 10:10. Një mënyrë tjetër është duke e imituar në të folur e në vepra. «Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur»,​—thuhet tek Efesianëve 5:1. Për ta bërë këtë në mënyrë më të plotë, duhet ta njohim Jehovain ashtu si është në të vërtetë.

3. Cilat janë cilësitë kryesore të Perëndisë?

3 Në gjithë Biblën ka shumë pohime që bëjnë të qarta cilësitë e jashtëzakonshme të Perëndisë. Katër cilësitë kryesore të tij janë mençuria, drejtësia, fuqia dhe dashuria. «Ai ka mençuri.» (Jobi 12:13, BR) «Në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi.» (Ligji i përtërirë 32:4) Ai është «energjik në fuqi». (Isaia 40:26, BR) «Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:8) Por, cila nga katër cilësitë kryesore të Perëndisë është më e spikatshmja, ajo që më shumë se çdo gjë tjetër tregon se çfarë lloj Perëndie është?

«Perëndia është dashuri»

4. Cila nga cilësitë e Perëndisë ishte thelbësore për krijimin e universit dhe të të gjitha gjërave të gjalla?

4 Mendo pak se çfarë e motivoi Jehovain që të krijonte universin dhe krijesat frymore e njerëzore me aftësi për të arsyetuar. A ishte mençuria ose fuqia? Jo. Ndonëse Perëndia i përdori këto cilësi, asnjëra nga ato nuk ishte forca motivuese. Po ashtu, drejtësia nuk i kërkonte që t’ua jepte edhe të tjerëve dhuratën e jetës. Më shumë ishte dashuria e madhe që e shtyu Perëndinë t’u jepte edhe të tjerëve gëzimet e ekzistencës si persona me aftësi për të arsyetuar. Dashuria e shtyu të vinte si qëllim që njerëzit e bindur të jetonin përgjithmonë në Parajsë. (Zanafilla 1:28; 2:15) Dashuria e bëri që të merrte masa për të hequr dënimin që kishte sjellë mbi njerëzimin mëkati i Adamit.

5. Sipas Biblës, personifikimi i cilës cilësi është Jehovai dhe përse?

5 Pra, më e spikatshmja nga të gjitha cilësitë e Perëndisë është dashuria. Ajo është natyra e tij. Sado të rëndësishme të jenë mençuria, drejtësia dhe fuqia e tij, Bibla nuk thotë në asnjë vend se Jehovai është ndonjëra prej këtyre cilësive. Thotë përkundrazi që ai është dashuri. Po, Jehovai është personifikimi i dashurisë. Kjo është një dashuri e udhëhequr nga parimet, jo nga ndjenjat. Dashuria e Perëndisë udhëhiqet nga parimet e së vërtetës dhe të së drejtës. Është forma më e lartë e dashurisë, e cila shfaqet te vetë Perëndia Jehova. Është shprehje e altruizmit të plotë dhe shoqërohet gjithnjë me vepra, të cilat përbëjnë një provë të pamohueshme të kësaj dashurie.

6. Çfarë na jep mundësi ta imitojmë Perëndinë, edhe pse është në një pozitë më të lartë se ne?

6 Pikërisht kjo cilësi e mrekullueshme, pra dashuria, na jep mundësi ta imitojmë një Perëndi të tillë. Si njerëz me pozitë më të ulët, të papërsosur e të prirur për të gabuar, ndoshta mendojmë se nuk do të arrijmë kurrë ta bëjmë këtë. Por, ja ku del në pah një shembull tjetër i dashurisë së madhe të Jehovait: Ai i njeh kufizimet tona dhe nuk kërkon përsosmëri prej nesh. E di që tani jemi shumë larg përsosmërisë. (Psalmi 51:5) Ja përse te Psalmi 130:3, 4 thuhet: «Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot? Por te ti ka falje.» Po, Jehovai është ‘Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi’. (Eksodi [Dalja] 34:6) «Ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh.» (Psalmi 86:5) Sa ngushëlluese! Sa freskuese është t’i shërbejmë këtij Perëndie të mrekullueshëm dhe të ndiejmë kujdesin e tij të dashur e të mëshirshëm!

7. Si mund të shihet dashuria e Jehovait në veprat e tij krijuese?

7 Dashuria e Jehovait mund të shihet edhe në veprat e tij të krijimit. Mendo se sa shumë gjëra të mira ka siguruar Jehovai për kënaqësinë tonë, si për shembull, male të bukura, pyje, liqene dhe oqeane. Na ka dhënë ushqim me një shumëllojshmëri mahnitëse që ta shijojmë dhe që të na mbajë në jetë. Gjithashtu, Jehovai ka siguruar një larmi të madhe lulesh të bukura dhe erëkëndshme, si edhe botën magjepsëse të kafshëve. Bëri gjëra që do t’u jepnin njerëzve kënaqësi, ndonëse nuk ishte i detyruar t’i bënte. Është e vërtetë se duke jetuar në këtë botë të ligë në gjendjen tonë të tanishme të papërsosur, nuk mund të kënaqemi plotësisht me krijimin e tij. (Romakëve 8:22) Por, vetëm përfytyro se çfarë do të bëjë Jehovai për ne në Parajsë! Psalmisti na siguron: «Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën [e përshtatshme] e çdo qenieje të gjallë.»​—Psalmi 145:16.

8. Cili është shembulli më i dallueshëm i dashurisë që ka Jehovai për ne?

8 Cili është shembulli më i dallueshëm i dashurisë së Jehovait për njerëzimin? Bibla shpjegon: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Mos vallë Jehovai e bëri këtë për shkak të mirësisë që tregonin njerëzit? Romakëve 5:8 përgjigjet: «Perëndia na e rekomandon dashurinë e vet në atë që, ndërsa akoma ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» Pikërisht, Perëndia e dërgoi Birin e tij të përsosur në tokë që të jepte jetën e vet si flijim shpërblyes për të na shpenguar nga dënimi i mëkatit dhe i vdekjes. (Mateu 20:28) Kjo hapi rrugën që njerëzit që e duan Perëndinë të fitojnë jetën e përhershme. Lumturisht, dashuria e Perëndisë përfshin të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë vullnetin e tij, pasi Bibla na thotë: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.»​—Veprat 10:34, 35.

9. Si duhet të ndikojë te ne fakti që Jehovai ka dhënë Birin e tij si shpërblesë për ne?

9 Si duhet të ndikojë në mënyrën se si po e përdorim tani jetën fakti që Jehovai ka dhënë Birin e tij si shpërblesë, duke hapur rrugën për jetën e përhershme? Duhet të na e thellojë dashurinë për Perëndinë e vërtetë, Jehovain. Në të njëjtën kohë, duhet të na bëjë që të dëshirojmë ta dëgjojmë Jezuin, i cili shërben si përfaqësues i Perëndisë. «[Jezui] vdiq për të gjithë, me qëllim që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq për ta.» (2 Korintasve 5:15) Ç’kënaqësi është të ndjekësh gjurmët e Jezuit, sepse ai e imitoi në mënyrë shembullore dashurinë dhe dhembshurinë e Jehovait! Kjo duket nga ajo që u tha Jezui njerëzve të përulur: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje, sepse unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër dhe ju do të gjeni freskim për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.»​—Mateu 11:28-30.

Të tregojmë dashuri për të tjerët

10. Cilat janë disa mënyra se si mund t’u tregojmë dashuri të bashkëkrishterëve?

10 Si mund ta tregojmë se kemi për të bashkëkrishterët atë lloj dashurie që kanë Jehovai dhe Jezui për ne? Ja sa të shumta janë mënyrat që mund ta bëjmë këtë: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria nuk është xheloze, nuk mbahet me të madh, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e veta, nuk acarohet. Ajo nuk e mban llogari të keqen. Nuk gëzon për padrejtësinë, por gëzon me të vërtetën. Mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje. Dashuria nuk shuhet kurrë.»​—1 Korintasve 13:4-8; 1 Gjonit 3:14-18; 4:7-12.

11. Për kë tjetër duhet të tregojmë dashuri dhe si?

11 Për kë tjetër duhet të tregojmë dashuri dhe si? Jezui tha: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Kjo përfshin t’u japim atyre që ende nuk janë të bashkëkrishterët tanë lajmin e mirë për botën e re parajsore të Perëndisë, e cila po vjen së shpejti. Jezui e tregoi qartë se dashuria jonë nuk duhej kufizuar vetëm tek ata që kishin të njëjtat bindje si ne, pasi tha: «Nëse doni [vetëm] ata që ju duan, çfarë shpërblimi keni? A nuk po bëjnë të njëjtën gjë edhe taksambledhësit? E nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç’gjë të jashtëzakonshme po bëni? A nuk po bëjnë të njëjtën gjë edhe njerëzit e kombeve?»​—Mateu 5:46, 47; 24:14; Galatasve 6:10.

‘Të ecim në emrin e Jehovait’

12. Përse emri Jehova mund të përdoret vetëm për Perëndinë?

12 Një mënyrë tjetër e rëndësishme për ta madhëruar Perëndinë e vërtetë është që emrin e tij të pashoq Jehova ta njohim, ta përdorim dhe t’ua mësojmë të tjerëve. Psalmisti shprehu këtë dëshirë të zjarrtë: «Edhe le të njohënë, se vetëmë ti, që ke emërinë Jehovah, je i lartë mbë gjithë dhenë.» (Psalmi 83:18, botim i Shoqërisë Biblike për n’Angli dhe jashtë) Emri Jehova do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Ai është Madhështori që vë qëllime dhe i plotëson gjithnjë ato. Vetëm Perëndia i vërtetë mund ta mbajë me të drejtë këtë emër, sepse njerëzit nuk mund të jenë asnjëherë të sigurt që përpjekjet e tyre do të kenë sukses. (Jakovit 4:13, 14) Vetëm Jehovai mund të thotë se fjala e tij «do të ketë sukses të sigurt» në atë për të cilën e dërgon. (Isaia 55:11, BR) Shumë veta drithërohen kur e shohin për herë të parë emrin e Perëndisë në Biblën e tyre dhe kur mësojnë çfarë domethënieje ka. (Eksodi 6:3) Por do të nxjerrin dobi nga kjo njohuri vetëm nëse ‘ecin në emrin e Jehovait . . . përgjithmonë’.​—Mikea 4:5, BR.

13. Çfarë përfshin të njohim emrin e Jehovait dhe të ecim në emrin e tij?

13 Psalmin 9:10 për emrin e Perëndisë thuhet: «Ata që njohin emrin tënd do të kenë besim te ti.» Kjo përfshin më shumë sesa ta dimë emrin Jehova, pasi një gjë e tillë nuk do të thotë vetvetiu se kemi besim tek ai. Të njohim emrin e Perëndisë do të thotë të kuptojmë e ta çmojmë se çfarë lloj Perëndie është Jehovai, ta respektojmë autoritetin e tij, t’u bindemi urdhrave të tij dhe të besojmë tek ai për çdo gjë. (Fjalët e urta [Proverbat] 3:5, 6) Në mënyrë të ngjashme, të ecim në emrin e Jehovait përfshin t’i kushtohemi atij dhe ta përfaqësojmë si adhuruesit e tij, duke e përdorur vërtet jetën në harmoni me vullnetin e Perëndisë. (Luka 10:27) A po e bën ti këtë?

14. Çfarë nevojitet përveç ndjenjës së detyrës, nëse duam t’i shërbejmë Jehovait përgjithmonë?

14 Nëse duam t’i shërbejmë Jehovait në përjetësi, duhet të na motivojë diçka më tepër se ndjenja e detyrës. Apostulli Pavël e nxiti Timoteun, i cili kishte shumë vjet që i shërbente Jehovait: «Stërvitu duke pasur si synim devocionin [përkushtimin] hyjnor.» (1 Timoteut 4:7) Përkushtimi vjen nga një zemër që është plot çmueshmëri për personin të cilit i drejtohet ky përkushtim. ‘Përkushtimi hyjnor’ tregon nderim të thellë e respekt për vetë Jehovain. Tregon një lidhje të dashur me të, për shkak të vlerësimit shumë të madh që kemi për të dhe për udhët e tij. Na bën të dëshirojmë që çdokush të tregojë një respekt të madh për emrin e tij. Duhet ta kultivojmë përkushtimin hyjnor në jetën tonë, nëse dëshirojmë të ecim përgjithmonë në emrin e Jehovait, të vetmit Perëndi të vërtetë.​—Psalmi 37:4; 2 Pjetrit 3:11.

15. Si mund t’i japim Perëndisë përkushtim të veçantë?

15 Që t’i shërbejmë në mënyrë të pranueshme Perëndisë, duhet ta adhurojmë atë me gjithë zemër, pasi është «një Perëndi që kërkon përkushtim të veçantë». (Dalja 20:5, BR) Nuk mund të duam Perëndinë e në të njëjtën kohë të duam botën e ligë, perëndi i së cilës është Satanai. (Jakovit 4:4; 1 Gjonit 2:15-17) Jehovai e di me saktësi se ç’lloj personi po përpiqet të jetë secili prej nesh. (Jeremia 17:10) Nëse e duam vërtet drejtësinë, ai e sheh këtë dhe do të na ndihmojë t’u bëjmë ballë sprovave të përditshme. Duke na mbështetur me frymën e tij të shenjtë të fuqishme, do të na japë mundësi të dalim fitimtarë mbi ligësinë që është kaq e përhapur në këtë botë. (2 Korintasve 4:7) Gjithashtu, do të na ndihmojë të ruajmë shpresën e fortë të jetës së përhershme në një tokë parajsore. Sa e lavdishme është kjo e ardhme! Duhet të kemi çmueshmëri të thellë për të dhe t’i shërbejmë me gatishmëri Perëndisë së vërtetë, Jehovait, i cili bën të mundur këtë të ardhme.

16. Çfarë duhet të dëshirosh të bësh bashkë me miliona të tjerë?

16 Miliona njerëz anembanë tokës e kanë pranuar me gëzim ftesën e psalmistit, i cili shkroi: «Oh, madhërojeni bashkë me mua Jehovain dhe le ta lartësojmë së bashku emrin e tij!» (Psalmi 34:3, BR) Jehovai të fton që të jesh mes numrit gjithnjë e në rritje të njerëzve nga të gjitha kombet që po veprojnë në këtë mënyrë.

Pyetje për rishikim

• Çfarë lloj personi është Jehovai? Si nxjerrim dobi duke pasur një kuptueshmëri të qartë të cilësive të tij?

• Si mund t’i ndihmojmë të tjerët që të mësojnë të vërtetën për Perëndinë?

• Çfarë përfshin të njohim emrin e Jehovait dhe të ecim në emrin e tij?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 14]

Me dashurinë e tij të madhe, Jehovai ‘do të hapë dorën e tij dhe do të plotësojë dëshirën e çdo qenieje të gjallë’