Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të vazhdojmë ta themi me guxim Fjalën e Perëndisë

Të vazhdojmë ta themi me guxim Fjalën e Perëndisë

Kapitulli nëntëmbëdhjetë

Të vazhdojmë ta themi me guxim Fjalën e Perëndisë

1. (a) Cilin lajm të mirë shpallën dishepujt e Jezuit, por si reaguan disa judenj? (b) Çfarë pyetjesh mund të bëjmë?

AFËRSISHT 2.000 vjet më parë, Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, u miros si Mbreti i ardhshëm mbi gjithë tokën. Ata që e vranë Jezuin e bënë këtë të shtyrë nga armiqtë fetarë, por Jehovai e ngriti nga të vdekurit. Nëpërmjet Jezuit tani ishte e mundur jeta e përhershme. Mirëpo, kur dishepujt e Jezuit e shpallën hapur këtë lajm të mirë, filloi përndjekja. Disa prej tyre i hodhën në burg e, madje, i fshikulluan dhe i urdhëruan të mos flitnin më për Jezuin. (Veprat 4:1-3, 17; 5:17, 18, 40) Çfarë do të bënin? Çfarë do të kishe bërë ti? A do të kishe vazhduar të dëshmoje me guxim?

2. (a) Cili lajm i mrekullueshëm duhet shpallur në ditët tona? (b) Cilët e kanë përgjegjësinë për të predikuar lajmin e mirë?

2 Në vitin 1914, Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë, Jezu Krishti, hipi në fron në qiell që të sundonte ‘në mes të armiqve të tij’. (Psalmi 110:2) Më pas, Satanai dhe demonët e tij u hodhën poshtë në tokë. (Zbulesa 12:1-5, 7-12) Kishin filluar ditët e fundit të sistemit të tanishëm të lig. Kur të mbarojë kjo periudhë kohore, Perëndia do ta thërrmojë të gjithë sistemin satanik. (Danieli 2:44; Mateu 24:21) Ata që do të mbijetojnë, do të kenë përpara tyre mundësinë e jetës së përhershme në një tokë që do të bëhet parajsë. Nëse e ke pranuar këtë lajm të mirë, do të kesh dëshirën t’ua thuash edhe të tjerëve. (Mateu 24:14) Por, çfarë reagimi mund të presësh?

3. (a) Si reagojnë njerëzit ndaj mesazhit të Mbretërisë? (b) Cilën pyetje duhet të shqyrtojmë?

3 Disa njerëz mund ta mirëpresin lajmin e mirë të Mbretërisë që ti po u shpall, por shumica do të jenë indiferentë. (Mateu 24:37-39) Disa mund të të tallin ose të të kundërshtojnë. Jezui paralajmëroi se kundërshtimi mund të vijë edhe nga vetë të afërmit e tu. (Luka 21:16-19) Gjithashtu, mund të hasësh kundërshtim në vendin e punës ose në shkollë. Në shumë vende përreth tokës, Dëshmitarët e Jehovait janë vënë madje në ndalim nga qeveritë. Kur ballafaqohesh me rrethana të tilla, a do të vazhdosh ta thuash me guxim Fjalën e Perëndisë dhe ‘të qëndrosh i patundur në besim’?​—1 Korintasve 16:13.

Të mos mbështetemi në forcat tona

4. (a) Cila është një kërkesë themelore për të treguar se jemi shërbëtorë besnikë të Perëndisë? (b) Përse mbledhjet e krishtere janë shumë të rëndësishme?

4 Për të qëndruar besnikë si shërbëtorë të Jehovait është thelbësore të mbështetemi te masat që ka marrë ai. Një masë ka të bëjë me mbledhjet e kongregacionit. Shkrimet na nxitin që të mos i lëmë pas dore ato. (Hebrenjve 10:23-25) Ata që kanë qenë vazhdimisht Dëshmitarë besnikë të Jehovait kanë bërë përpjekje për t’i ndjekur rregullisht mbledhjet së bashku me bashkadhuruesit. Në këto mbledhje na shtohet njohuria për Shkrimet. Veç kësaj, na rritet kuptueshmëria për të vërtetat që i njohim mirë, si edhe na shtohet vetëdija për mënyrat se si t’i përdorim këto të vërteta. Afrohemi më shumë me vëllezërit tanë të krishterë për të adhuruar në unitet dhe forcohemi për të bërë vullnetin e Perëndisë. Fryma e Jehovait siguron drejtim nëpërmjet kongregacionit dhe, me anë të kësaj fryme, Jezui është mes nesh.​—Mateu 18:20; Zbulesa 3:6.

5. Çfarë bëhet me mbledhjet, kur Dëshmitarët e Jehovait janë në ndalim?

5 A i ndjek rregullisht të gjitha mbledhjet? A i bën një zbatim personal asaj që dëgjon atje? Nganjëherë, kur Dëshmitarët e Jehovait janë në ndalim, del nevoja që mbledhjet të mbahen në grupe të vogla në shtëpi private. Vendi dhe orari i mbledhjeve mund të ndryshojnë e të mos jenë gjithnjë të volitshëm, pasi disa mbledhje mund të mbahen natën vonë. Por, me gjithë rrezikun ose parehatinë personale, vëllezërit besnikë dhe motrat besnike bëjnë përpjekje të zellshme për të qenë të pranishëm në çdo mbledhje.

6. Si e tregojmë se mbështetemi te Jehovai dhe si mund të na ndihmojë kjo që të vazhdojmë të flasim me guxim?

6 Mbështetja te Jehovai zhvillohet duke iu drejtuar gjithnjë atij me lutje nga zemra, duke e kuptuar se kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë. A e bën këtë? Jezui lutej rregullisht gjatë shërbimit të tij në tokë. (Luka 3:21; 6:12, 13; 22:39-44) Natën përpara se ta vinin në shtyllë, i nxiti dishepujt: «Qëndroni vigjilentë dhe lutuni, që të mos hyni në tundim.» (Marku 14:38) Në rast se hasim indiferentizëm ndaj mesazhit të Mbretërisë, mund të ndihemi të shtyrë që ta pakësojmë shërbimin. Nëse njerëzit na tallin ose na përndjekin, mund të ndihemi të shtyrë që të mos predikojmë, për të shmangur problemet. Por, po të lutemi me ngulm që fryma e Perëndisë të na ndihmojë të vazhdojmë të flasim me guxim, do të ruhemi që të mos u dorëzohemi këtyre tundimeve.​—Luka 11:13; Efesianëve 6:18-20.

Informacion për një dëshmi të guximshme

7. (a) Përse informacioni i librit të Veprave është me interes të veçantë për ne? (b) Përgjigjju pyetjeve që gjenden në fund të këtij paragrafi, duke theksuar se si mund të na sjellë dobi ky informacion.

7 Informacioni që përmban libri i Veprave është me interes të veçantë për të gjithë ne. Aty tregohet se si apostujt dhe dishepuj të tjerë të hershëm​—njerëz që kishin ndjenja si tonat​—kapërcyen pengesa dhe dhanë prova se ishin dëshmitarë të guximshëm e besnikë të Jehovait. Le të shqyrtojmë një pjesë të atij tregimi duke përdorur pyetjet e mëposhtme dhe shkrimet e cituara. Ndërsa bën këtë, mendo se si mund të nxjerrësh dobi ti vetë nga ajo që lexon.

A ishin apostujt njerëz shumë të arsimuar? A ishin nga natyra individë të guximshëm, pavarësisht se çfarë ndodhte? (Gjoni 18:17, 25-27; 20:19; Veprat 4:13)

Çfarë e bëri Pjetrin të fliste me guxim përpara gjykatës judaike, e cila kishte dënuar vetë Birin e Perëndisë? (Mateu 10:19, 20; Veprat 4:8)

Çfarë kishin bërë vazhdimisht apostujt gjatë javëve përpara se t’i çonin para Sinedrit? (Veprat 1:14; 2:1, 42)

Si u përgjigjën Pjetri dhe Gjoni kur krerët i urdhëruan apostujt që të mos predikonin më në bazë të emrit të Jezuit? (Veprat 4:19, 20)

Pasi u liruan, kujt iu drejtuan përsëri apostujt për ndihmë? A u lutën që të ndalej përndjekja apo që Jehovai të bënte ndonjë gjë tjetër? (Veprat 4:24-31)

Në çfarë mënyre siguroi Jehovai ndihmë, kur kundërshtarët u përpoqën të ndalonin veprën e predikimit? (Veprat 5:17-20)

Si e treguan apostujt se e kuptuan arsyen për të cilën ishin liruar? (Veprat 5:21, 41, 42)

Çfarë vazhduan të bënin dishepujt, edhe kur shumë prej tyre u shpërndanë për shkak të përndjekjes? (Veprat 8:3, 4; 11:19-21)

8. Çfarë frytesh entuziazmuese dha shërbimi i dishepujve të hershëm dhe si jemi përfshirë ne në të njëjtin shërbim?

8 Vepra e predikimit të lajmit të mirë nuk u bë më kot. Rreth 3.000 dishepuj u pagëzuan në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. «Vazhduan të shtoheshin besimtarë në Zotërinë, një shumicë burrash e grash.» (Veprat 2:41; 4:4; 5:14) Me kalimin e kohës, edhe një përndjekës i flaktë i popullit të Perëndisë, Sauli nga Tarsi, u bë i krishterë dhe filloi të jepte dëshmi me guxim për të vërtetën. Ai u bë i njohur si apostulli Pavël. (Galatasve 1:22-24) Vepra që filloi në shekullin e parë nuk ka ndaluar. Ajo ka marrë hov në këto ditë të fundit dhe është shtrirë në çdo pjesë të tokës. Kemi privilegjin të marrim pjesë në të dhe ndërkohë mund të mësojmë nga shembulli që lanë dëshmitarët besnikë që shërbyen përpara nesh.

9. (a) Çfarë mundësish përdorte Pavli për të dhënë dëshmi? (b) Në cilat mënyra e përhap ti mesazhin e Mbretërisë te të tjerët?

9 Çfarë bëri Pavli kur mësoi të vërtetën për Jezu Krishtin? «Filloi menjëherë të predikonte . . . Jezuin se Ky është Biri i Perëndisë.» (Veprat 9:20) E vlerësoi dashamirësinë e pamerituar që i shfaqi Perëndia dhe e kuptoi se të gjithë kishin nevojë për lajmin e mirë që kishte marrë ai. Pavli ishte jude dhe, sipas zakonit të asaj kohe, shkonte në sinagoga për të dhënë dëshmi. Gjithashtu, predikonte nga shtëpia në shtëpi dhe arsyetonte me njerëzit në sheshin e pazarit. Veç kësaj, ishte i gatshëm të transferohej në territore të reja për të predikuar lajmin e mirë.​—Veprat 17:17; 20:20; Romakëve 15:23, 24.

10. (a) Si e tregoi Pavli se, përveçse ishte i guximshëm, kishte edhe aftësi dalluese në mënyrën se si jepte dëshmi? (b) Si mund të pasqyrojmë edhe ne cilësitë e Pavlit kur u japim dëshmi të afërmve, kolegëve në punë ose shokëve në shkollë?

10 Pavli ishte i guximshëm, por edhe me aftësi dalluese, siç duhet të jemi dhe ne. Judenjve u bënte thirrje në bazë të premtimeve që u kishte bërë Perëndia etërve të tyre. Grekëve u fliste në bazë të gjërave që ata i njihnin. Disa herë, si mjet për të dhënë dëshmi përdorte vetë përvojën e tij se si e kishte mësuar të vërtetën. Ai tha: «Çdo gjë e bëj për hir të lajmit të mirë, që të bëhem pjesëmarrës në të me të tjerët.»​—1 Korintasve 9:20-23; Veprat 22:3-21.

11. (a) Çfarë bëri Pavli për të shmangur ballafaqimet e vazhdueshme me kundërshtarët? (b) Në ç’rast mund ta imitojmë me mençuri shembullin e Pavlit dhe si? (c) Prej nga vjen fuqia që të vazhdojmë të flasim me guxim?

11 Kishte raste kur, për shkak të kundërshtimit, dukej se ishte më mirë që Pavli të predikonte në një zonë tjetër për njëfarë kohe. Ai vepronte pikërisht kështu, në vend që të shkaktonte ballafaqime të vazhdueshme me kundërshtarët. (Veprat 14:5-7; 18:5-7; Romakëve 12:18) Por nuk i vinte kurrë turp për lajmin e mirë. (Romakëve 1:16) Megjithëse nuk i pëlqente trajtimi fyes e madje edhe i dhunshëm që iu bë nga kundërshtarët, Pavli ‘mori guxim me anë të Perëndisë tonë’ që të vazhdonte të predikonte. Ai tha: «Zotëria më qëndroi pranë dhe më mbushi me fuqi, që nëpërmjet meje predikimi të kryhej plotësisht.» (1 Selanikasve 2:2; 2 Timoteut 4:17) Kreu i kongregacionit të krishterë, Jezui, vazhdon të sigurojë fuqinë që na nevojitet për të kryer veprën që ai paratha për ditët tona.​—Marku 13:10.

12. Çfarë jep dëshmi për guximin e të krishterëve dhe cila është baza për këtë guxim?

12 Kemi çdo arsye që të vazhdojmë ta themi me guxim fjalën e Perëndisë, siç bënë Jezui dhe shërbëtorë të tjerë besnikë të Perëndisë në shekullin e parë. Kjo nuk do të thotë se duhet të jemi mospërfillës ose se duhet të përpiqemi t’ua japim me detyrim mesazhin atyre që nuk e duan. Por ne nuk dorëzohemi vetëm sepse njerëzit janë indiferentë dhe as nuk na bën të heshtim kundërshtimi. Ashtu si Jezui, e drejtojmë vëmendjen te Mbretëria e Perëndisë si qeveria e ligjshme për të gjithë tokën. Flasim me bindje sepse përfaqësojmë Jehovain, Sovranin Universal, dhe sepse mesazhi që shpallim nuk vjen nga ne, por nga ai. Motivi më i fortë që na shtyn ta lavdërojmë Jehovain duhet të jetë dashuria që kemi për të.​—Filipianëve 1:27, 28; 1 Selanikasve 2:13.

Pyetje për rishikim

• Pse është e rëndësishme t’ia japim mesazhin e Mbretërisë kujtdo që është e mundur, por, çfarë reagimesh mund të presim?

• Si mund të tregojmë se nuk mbështetemi në forcat tona për t’i shërbyer Jehovait?

• Çfarë mësimesh të vlefshme nxjerrim nga libri i Veprave?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 173]

Ashtu si në të kaluarën, shërbëtorët e Jehovait sot e thonë me guxim fjalën e Perëndisë