Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ta praktikojmë përkushtimin hyjnor në shtëpi

Ta praktikojmë përkushtimin hyjnor në shtëpi

Kapitulli shtatëmbëdhjetë

Ta praktikojmë përkushtimin hyjnor në shtëpi

1. Si ka ndikuar te martesat ndjekja e udhëheqjes që vjen nga Fjala e Perëndisë?

JEHOVAI është Nismëtari i martesës dhe Fjala e tij siguron udhëheqjen më të mirë për familjet. Si pasojë e ndjekjes së kësaj udhëheqjeje, shumë njerëz kanë martesa të suksesshme. Është për t’u lavdëruar se disa që më parë vetëm bashkëjetonin, janë ndier të nxitur që ta regjistrojnë zyrtarisht martesën e tyre. Të tjerë kanë hequr dorë nga marrëdhëniet seksuale jashtë martesës. Burra të dhunshëm, të cilët keqtrajtonin gratë dhe fëmijët e tyre, kanë mësuar të tregojnë mirëdashje dhe butësi.

2. Çfarë përfshin jeta familjare e krishterë?

2 Jeta familjare e krishterë përfshin shumë gjëra, si për shembull, ç’pikëpamje kemi për qëndrueshmërinë e martesës, çfarë bëjmë për të përmbushur përgjegjësitë tona në familje dhe si i trajtojmë familjarët tanë. (Efesianëve 5:33–6:4) Edhe pse mund ta dimë çfarë thotë Bibla për jetën familjare, është një gjë krejt tjetër të zbatojmë këshillat biblike. Asnjëri nga ne nuk dëshiron të jetë si ata që Jezui i dënoi ngaqë shkelnin urdhërimet e Perëndisë. Ata e kishin gabim kur arsyetonin se mjaftonte vetëm përkushtimi fetar. (Mateu 15:4-9) Nuk duam të kemi vetëm një formë të përkushtimit ndaj Perëndisë, por të mos e praktikojmë atë në shtëpinë tonë. Në vend të kësaj, duam të shfaqim përkushtim të vërtetë hyjnor, pasi ky është «një mjet për fitim të madh».​—1 Timoteut 5:4; 6:6; 2 Timoteut 3:5.

Sa do të zgjatë martesa?

3. (a) Çfarë po ndodh me shumë martesa, por cila duhet të jetë vendosmëria jonë? (b) Duke përdorur Biblën tënde, përgjigjju pyetjeve të renditura poshtë këtij paragrafi.

3 Gjithnjë e më shpesh, lidhjet martesore po bëhen të brishta. Disa çifte që kanë qenë së bashku për vite të tëra vendosin të divorcohen dhe të martohen me dikë tjetër. Gjithashtu, nuk është më një gjë e pazakontë të dëgjosh për çifte të reja që janë ndarë pasi kishin vetëm pak kohë që ishin martuar. Pavarësisht nga ajo që bëjnë të tjerët, ne duhet të dëshirojmë t’i pëlqejmë Jehovait. Prandaj, le të shqyrtojmë pyetjet dhe shkrimet vijuese, për të parë se çfarë thotë Fjala e Perëndisë rreth qëndrueshmërisë së martesës.

Kur një burrë dhe një grua martohen, sa gjatë duhet të mendojnë të qëndrojnë së bashku? (Marku 10:6-9; Romakëve 7:2, 3)

Cila është baza e vetme për divorc, me mundësinë për t’u rimartuar, që është e vlefshme para Perëndisë? (Mateu 5:31, 32; 19:3-9)

Çfarë mendon Jehovai për divorcet që nuk janë të autorizuara nga Fjala e tij? (Malakia 2:13-16)

A e përkrah Bibla ndarjen si një mjet për të zgjidhur problemet martesore? (1 Korintasve 7:10-13)

Në cilat rrethana mund të jetë e përligjur ndarja? (Psalmi 11:5; Luka 4:8; 1 Timoteut 5:8)

4. Përse disa martesa zgjatin?

4 Disa martesa janë të suksesshme e jetëgjata. Përse? Një faktor është pritja për t’u martuar derisa të dy personat të jenë të pjekur, por është e rëndësishme edhe të gjejnë bashkëshortë që kanë të njëjtat interesa dhe që mund t’i diskutojnë çështjet hapur. Gjithsesi, edhe më e rëndësishme është të gjejnë një bashkëshort që e do Jehovain dhe që e mban Fjalën e Tij si bazën për të zgjidhur problemet. (Psalmi 119:97, 104; 2 Timoteut 3:16, 17) Një individ i tillë nuk do të ketë qëndrimin që, po të mos shkojnë mirë gjërat, i mbetet gjithsesi mundësia e ndarjes ose e divorcit. Nuk do t’i përdorë të metat e bashkëshortit ose bashkëshortes si justifikim për të anashkaluar përgjegjësitë e veta. Përkundrazi, do t’i përballojë problemet dhe do të gjejë zgjidhje praktike.

5. (a) Si përfshihet në martesë besnikëria ndaj Jehovait? (b) Çfarë dobish mund të vijnë duke mbajtur me vendosmëri normat e Jehovait, edhe kur ke kundërshtime?

5 Satanai pohon që kur të vuajmë, ne do t’i braktisim udhët e Jehovait. (Jobi 2:4, 5; Fjalët e urta [Proverbat] 27:11) Por shumica dërrmuese e Dëshmitarëve të Jehovait që kanë vuajtur sepse kanë një bashkëshort kundërshtar, nuk kanë hequr dorë nga betimi i tyre martesor. Ata vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë Jehovait dhe urdhërimeve të tij. (Mateu 5:37) Sa shumë janë gëzuar disa që kanë ngulmuar, kur bashkëshortët e tyre janë bashkuar me ta për t’i shërbyer Jehovait, edhe pasi kanë qenë kundërshtarë për shumë vite! (1 Pjetrit 3:1, 2) Sa për të krishterët, bashkëshortët e të cilëve nuk japin shenja ndryshimi ose i braktisin ata për shkak se i shërbejnë Jehovait, edhe këta e dinë se do të bekohen ngaqë kanë dhënë prova të përkushtimit hyjnor në familjen e tyre.​—Psalmi 55:22; 145:16.

Secili të bëjë pjesën e tij

6. Cili parim duhet respektuar, për të pasur një martesë të suksesshme?

6 Natyrisht, që dy individë të kenë një martesë të suksesshme kërkohet më shumë se vetëm të qëndrojnë bashkë. Një kërkesë themelore për secilin bashkëshort është të respektojnë parimin e kryesisë që ka vendosur Jehovai. Kjo ndihmon për të mbajtur rregullin dhe jep një ndjenjë sigurie në shtëpi. Te 1 Korintasve 11:3 lexojmë: «Kreu i çdo burri është Krishti; gjithashtu, kreu i gruas është burri; ndërsa kreu i Krishtit është Perëndia.»

7. Si duhet ushtruar kryesia në familje?

7 A e vure re se çfarë përmendte së pari ky varg? Po, çdo burrë ka një Krye, Krishtin, të cilit duhet t’i nënshtrohet. Kjo do të thotë se burri duhet ta ushtrojë kryesinë në një mënyrë që pasqyron cilësitë e Jezuit. Krishti i nënshtrohet Jehovait, e do thellësisht kongregacionin dhe kujdeset për të. (1 Timoteut 3:15) Madje ai «dorëzoi veten e vet për të». Jezui nuk është krenar e mospërfillës, por «me natyrë të butë e i përulur në zemër». Ata që e vënë veten nën kryesinë e tij ‘gjejnë freskim për shpirtrat e tyre’. Kur një burrë sillet me familjen e tij në këtë mënyrë, tregon se ai vetë po i nënshtrohet Krishtit. Në rast të tillë, gruas së krishterë do t’i duket e dobishme dhe freskuese të bashkëpunojë me burrin e saj e t’i nënshtrohet kryesisë së tij.​—Efesianëve 5:25-33; Mateu 11:28, 29; Fjalët e urta 31:10, 28.

8. (a) Përse mund të duket sikur metodat e krishtere nuk sjellin frytet e dëshiruara në disa familje? (b) Çfarë duhet të bëjmë nëse hasim një rrethanë të tillë?

8 Megjithatë, probleme do të lindin. Një masë pakënaqësie ndaj drejtimit që marrin të tjerët mund të jetë tashmë e rrënjosur thellë para se ndonjë pjesëtar i familjes të fillojë të zbatojë parimet biblike. Kërkesat e bëra me mirëdashje dhe sjellja me dashuri mund të duken se nuk po sjellin fryte. Ne e dimë se Bibla thotë të heqim ‘zemërimin, furinë, të bërtiturën dhe sharjen’. (Efesianëve 4:31) Por, çfarë duhet bërë nëse disa pjesëtarë të familjes duket se nuk kuptojnë me mënyrë tjetër? Jezui, për shembull, nuk imitoi ata që e kërcënonin dhe e shanin, por u mbështet tek Ati i tij. (1 Pjetrit 2:22, 23) Prandaj, kur në shtëpi krijohen rrethana të vështira, jep prova të përkushtimit hyjnor, duke iu lutur Jehovait për ndihmë, në vend që të veprosh si bota.​—Fjalët e urta 3:5-7.

9. Në vend që të gjejnë të meta, çfarë kanë mësuar të bëjnë shumë burra të krishterë?

9 Ndryshimet nuk vijnë gjithmonë shpejt, por këshillat biblike japin me të vërtetë fryt, në rast se zbatohen me durim dhe me ngulm. Shumë burra kanë parë se martesa e tyre ka filluar të përmirësohet kur kanë arritur të kuptojnë se si e trajton Krishti kongregacionin. Ky kongregacion nuk përbëhet nga njerëz të përsosur. Megjithatë, Jezui e do atë, lë shembullin e duhur për të dhe përdor Shkrimet për ta ndihmuar që të përmirësohet. Ai dha jetën për kongregacionin. (1 Pjetrit 2:21) Shembulli i tij u ka dhënë zemër shumë burrave të krishterë që të sigurojnë një kryesi të mirë dhe të ndihmojnë me dashuri për të përmirësuar martesën. Kjo gjë sjell përfundime shumë më të mira, sesa kur ata kërkojnë të gjejnë të meta dhe kur nuk pranojnë të flasin me njëri-tjetrin.

10. (a) Si mund t’ua bëjë jetën të vështirë të tjerëve në familje një burrë ose një grua, qofshin këta edhe të krishterë? (b) Çfarë mund të bëhet për të përmirësuar gjendjen?

10 Po sikur një burrë të mos jetë i ndjeshëm ndaj nevojave emocionale të familjes së tij ose të mos marrë nismën për studimin familjar të Biblës e për veprimtari të tjera? Ose, po sikur një grua të mos bashkëpunojë e të mos tregojë nënshtrim hyjnor? Disa arrijnë përfundime të kënaqshme duke biseduar me respekt si familje për problemet që kanë. (Zanafilla 21:10-12; Fjalët e urta 15:22) Por, edhe sikur përfundimet të mos jenë tamam ato që shpresohen, secili prej nesh mund të japë ndihmesën e tij për të përmirësuar atmosferën në shtëpi duke u bërë vend fryteve të frymës së Perëndisë në jetën e tij, duke treguar kujdes të dashur për pjesëtarët e tjerë të familjes. (Galatasve 5:22, 23) Përparimi do të vijë jo duke pritur që tjetri të bëjë diçka, por duke bërë edhe ne pjesën tonë, duke treguar kështu se praktikojmë përkushtimin hyjnor.​—Kolosianëve 3:18-21.

Ku t’i gjejmë përgjigjet?

11, 12. Çfarë ka siguruar Jehovai për të na ndihmuar që ta bëjmë të suksesshme jetën familjare?

11 Njerëzit u drejtohen shumë burimeve për të marrë këshilla rreth jetës familjare. Por ne e dimë se Fjala e Perëndisë përmban këshillat më të mira dhe jemi mirënjohës që ai na ndihmon t’i zbatojmë këto këshilla nëpërmjet organizatës së tij të dukshme. A po nxjerr dobi plotësisht nga kjo ndihmë?​—Psalmi 119:129, 130; Mikea 4:2.

12 Përveç ndjekjes së mbledhjeve të kongregacionit, a ke lënë mënjanë një kohë të caktuar për studimin familjar të Biblës? Familjet që e bëjnë këtë, mund të punojnë për të qenë të bashkuara në adhurim. Jeta e tyre familjare pasurohet, ndërkohë që e zbatojnë Fjalën e Perëndisë për rrethanat e tyre.​—Ligji i përtërirë 11:18-21.

13. (a) Ku mund ta gjejmë shpesh ndihmën e nevojshme, nëse kemi pyetje për jetën familjare? (b) Çfarë duhet të pasqyrojnë të gjitha vendimet që marrim?

13 Ndoshta ke disa pyetje lidhur me jetën familjare. Për shembull, ç’të themi për kontrollimin e lindjeve? A mund të përligjet në ndonjë rast aborti? Nëse një fëmijë nuk tregon shumë interes për gjërat frymore, në çfarë mase duhet t’i kërkohet që të marrë pjesë në adhurim bashkë me familjen? Shumë pyetje të tilla janë trajtuar në literaturën që botojnë Dëshmitarët e Jehovait. Për të gjetur përgjigjet, mëso të përdorësh mjetet ndihmëse për studimin e Biblës, duke përfshirë treguesit. Nëse nuk i ke botimet që përmenden në një tregues, kërko në bibliotekën që gjendet në Sallën e Mbretërisë. Ose mund t’i gjesh këto botime në kompjuter. Gjithashtu, mund të flasësh për këto pyetje me të krishterë të pjekur, burra e gra. Por, mos prit gjithnjë ndonjë «po» ose «jo» si përgjigje për çdo pyetje. Shpesh duhet të vendosni ju vetë, individualisht ose si çift. Atëherë, merr vendime që tregojnë se e praktikon përkushtimin hyjnor jo vetëm para të tjerëve, por edhe në shtëpi.​—Romakëve 14:19; Efesianëve 5:10.

Pyetje për rishikim

• Si përfshihet besnikëria ndaj Jehovait në besnikërinë ndaj bashkëshortit ose bashkëshortes?

• Çfarë do të na ndihmojë të bëjmë atë që i pëlqen Perëndisë, kur jemi nën presion për shkak të problemeve familjare?

• Çfarë mund të bëjmë ne vetë për të përmirësuar gjendjen në familje, edhe sikur pjesëtarët e tjerë të familjes të mos veprojnë siç duhet?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 155]

Kryesia e një burri duhet të pasqyrojë cilësitë e Jezuit

[Figura në faqen 157]

Një studim i rregullt biblik me familjen ndihmon për ta bashkuar atë