Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të gjej kënaqësi në adhurimin e Perëndisë?

Si të gjej kënaqësi në adhurimin e Perëndisë?

KAPITULLI 38

Si të gjej kënaqësi në adhurimin e Perëndisë?

Joni 16-vjeçar është shtrirë sa gjerë e gjatë në shtrat. E ëma është te dera dhe i thotë prerë: «Çohu Joni! Ti e di që sot kemi mbledhje.» Pjesëtarët e familjes së Jonit janë Dëshmitarë të Jehovait dhe pjesëmarrja në mbledhjet e krishtere është pjesë e rutinës familjare. Por, kohët e fundit, Jonit sikur s’ia ka qejfi të shkojë në mbledhje.

—Ohu, mami,—ankohet ai,—duhet të vij se s’bën?

—Lëri llafet dhe vishu. Nuk dua të bëhem prapë vonë,—ia kthen ajo dhe largohet.

—Dëgjo mami. Kjo mbase është feja jote, por s’do të thotë që është edhe imja,—i shket goja Jonit ndërsa e ëma s’është larguar shumë. E kupton që ajo e dëgjoi, se hapat e saj ndalen. Ajo ikën pa i kthyer përgjigje.

Joni ndihet pak në faj. Nuk dëshiron ta mërzitë të ëmën. Por as nuk do që t’i kërkojë falje. E vetmja gjë që mund të bëjë, është . . .

Duke psherëtirë, Joni fillon të vishet. Pastaj flet nëpër dhëmbë: «Do të vijë dita që do të marr një vendim. Unë nuk jam si të tjerët në Sallën e Mbretërisë. Nuk jam i prerë për t’u bërë i krishterë.»

A JE ndier ndonjëherë si Joni në situatën e mësipërme? A të duket hera-herës se të tjerët kënaqen në veprimtaritë e krishtere, kurse ti i bën sa për të thënë? Për shembull:

● A të duket studimi i Biblës tamam si detyrat e shkollës?

● Nuk të pëlqen të marrësh pjesë në shërbimin shtëpi më shtëpi?

● A të ndodh shpesh të mërzitesh në mbledhjet e krishtere?

Nëse përgjigjja jote është po, mos u ndiej keq. Mund të mësosh të gjesh kënaqësi në shërbim të Perëndisë. Le të shohim si.

PROBLEMI 1 Studimi i Biblës

Pse nuk është e lehtë? Mbase mendon se nuk je «tip studioz». Nuk përqendrohesh dot gjatë: e ke të vështirë të rrish ulur dhe të jesh i vëmendshëm. Pastaj, a nuk ke boll mësime për të bërë?

Pse duhet ta bësh? Bibla jo vetëm është e frymëzuar nga Perëndia, por është edhe «e dobishme për t’i mësuar e ndihmuar njerëzit dhe për t’i ndrequr e për t’u treguar si të jetojnë». (2 Timoteut 3:16, Contemporary English Version) Studimi i Biblës dhe meditimi për atë që lexon, mund të të ndihmojnë t’i shohësh gjërat nga një këndvështrim i ri. Duhet pranuar se asgjë me vlerë nuk arrihet pa derdhur mund. Në qoftë se dëshiron të jesh i zoti në ndonjë sport, duhet të mësosh rregullat dhe të stërvitesh. Nëse dëshiron të jesh i shëndetshëm, duhet të bësh fizkulturë. Po kështu, në rast se dëshiron të mësosh për Krijuesin, duhet të studiosh Fjalën e Perëndisë.

Ja ç’thonë moshatarët e tu. «Kur hyra në shkollë të mesme, u ndodha para një udhëkryqi. Të tjerët bënin lloj-lloj gjërash të gabuara dhe unë duhej të merrja disa vendime: ‘A dua vërtet t’i bëj këto gjëra? A jam e sigurt se ajo që po më mësojnë prindërit, është e vërteta?’ Duhej t’i gjeja vetë përgjigjet.»​—Çedza.

«Gjithnjë besoja se ajo që kisha mësuar ishte e vërteta, por kisha nevojë t’i jepja prova vetes. Nuk duhej të ishte thjesht feja e familjes, por duhej ta bëja fenë time.»​—Nelisa.

Ç’mund të bësh? Bëj një program studimi personal sipas nevojave të tua. Do të zgjedhësh ti se cilat tema do të studiosh. Nga t’ia nisësh? Përse të mos bësh ca kërkime në Bibël dhe të shqyrtosh me kujdes bindjet e tua, mbase duke përdorur librin Çfarë mëson vërtet Bibla? *

Futju punës! Vë një shenjë ✔ përbri dy ose tri temave biblike më poshtë për të cilat do të doje të mësoje më shumë ose nëse dëshiron, shkruaj disa ti vetë.

□ A ekziston një Perëndi?

□ Si të sigurohem se shkrimtarët e Biblës u frymëzuan nga Perëndia?

□ Pse duhet të besoj te krijimi dhe jo tek evolucioni?

□ Çfarë është Mbretëria e Perëndisë dhe ç’prova kam që ekziston?

□ Si ta shpjegoj bindjen time se çfarë ndodh kur njeriu vdes?

□ Pse duhet të jem i bindur se do të ketë ringjallje?

□ Si të sigurohem se cila është feja e vërtetë?

․․․․․

PROBLEMI 2 Pjesëmarrja në shërbim

Pse nuk është e lehtë? Ideja se do të flasësh me të tjerët për Biblën ose do të takosh ndonjë shok shkolle në shërbim, mund të të frikësojë.

Pse duhet ta bësh? Jezui u tha ithtarëve të tij: «Bëni dishepuj . . . dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Por ka edhe arsye të tjera pse duhet bërë. Studimet tregojnë se në disa vende, ndonëse shumë të rinj besojnë te Perëndia dhe te Bibla, ata nuk kanë një shpresë reale për të ardhmen. Nëpërmjet studimit të Biblës, ke pikërisht atë informacion që kërkojnë e që u duhet shumë moshatarëve të tu. Nëse flet me të tjerë për bindjet e tua, do të ndihesh më mirë me veten dhe ç’është më e rëndësishmja, do t’ia gëzosh zemrën Jehovait.​—Proverbat 27:11.

Ja ç’thonë moshatarët e tu. «Bashkë me një shoqe përgatitnim hyrje të efektshme dhe mësonim si të kapërcenim kundërshtimet dhe si të bënim rivizita. Kur fillova të përpiqesha më shumë, gjeta më tepër kënaqësi në shërbim.»​—Nelisa.

«Një motër e krishterë më ka ndihmuar jashtë mase. Ajo është gjashtë vjet më e madhe se unë dhe më fton të dalim bashkë në shërbim, e ndonjëherë edhe për të ngrënë mëngjes. Më tregonte shkrime inkurajuese që më ndihmuan të ndryshoja pikëpamje. Tani, falë shembullit të saj të shkëlqyer, interesohem më shumë për njerëzit. Nuk do t’ia shpërblej dot kurrë!»​—Shonteja.

Ç’mund të bësh? Me lejen e prindërve, gjej dikë më të rritur në kongregacion që të dalësh në shërbim. (Veprat 16:1-3) Bibla thotë: «Hekuri mpreh hekurin. Kështu edhe një njeri mpreh fytyrën e një tjetri.» (Proverbat 27:17) Nxjerr shumë dobi po të shoqërohesh me më të rritur që kanë përvojë të pasur. «Ndihesh shumë më rehat kur je me më të rritur»,—thotë Aleksa 19-vjeçare.

Futju punës! Shkruaj më poshtë emrin e dikujt në kongregacion, përveç prindërve, që mund të të ndihmojë në shërbim.

․․․․․

PROBLEMI 3 Ndjekja e mbledhjeve të krishtere

Pse nuk është e lehtë? Pasi ke kaluar gjithë ditën ulur në klasë, të dëgjosh një ose dy orë fjalime biblike mund të të duket një përjetësi.

Pse duhet ta bësh? Bibla i nxit të krishterët: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, që e shihni se dita po afrohet.»​—Hebrenjve 10:24, 25.

Ja ç’thonë moshatarët e tu. «Është e domosdoshme të përgatitesh për mbledhjet e kongregacionit. Nganjëherë duhet ta detyrosh veten. Ama, kur përgatitesh, i shijon mbledhjet, sepse e di për çfarë po flitet e mund të marrësh pjesë edhe vetë.»​—Elda.

«Pas njëfarë kohe vura re se kur komentoja, mbledhjet më dukeshin më interesante.»​—Xhesika.

Ç’mund të bësh? Rezervo kohë të përgatitesh që më përpara dhe, po të kesh mundësi, bëj një koment. Kjo do të të ndihmojë të ndihesh më i përfshirë në mbledhje.

Le ta ilustrojmë. Kur kënaqesh më shumë: kur shikon ndonjë sport në televizor apo kur luan vetë në fushë? Natyrisht kënaqesh më shumë kur merr pjesë, sesa kur je spektator. Pse të mos i shohësh me këtë sy edhe mbledhjet e krishtere?

Futju punës! Shkruaj më poshtë se kur ke mundësi të kalosh vetëm 30 minuta çdo javë për t’u përgatitur për një mbledhje kongregacioni.

․․․․․

Shumë të rinj po e shohin vetë sa të vërteta janë fjalët e Psalmit 34:8: «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai!» A kënaqesh kur vetëm dëgjon për një ushqim që të lëshon goja lëng? A nuk është më mirë ta shijosh vetë atë ushqim? E njëjta gjë është edhe me adhurimin e Perëndisë. Provoje dhe shijoje vetë sa kënaqësi të sjell pjesëmarrja në veprimtaritë frymore. Bibla thotë se ai që nuk mbetet vetëm dëgjues, por bëhet zbatues i fjalës, «është i lumtur».​—Jakovi 1:25.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Mëso si të vësh dhe të arrish synime.

[Shënimi]

^ par. 19 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

SHKRIMI KYÇ

«Shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj, që të vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.»​—Romakëve 12:2.

KËSHILLË

Merr një bllok dhe mbaj shënim pikat kryesore në mbledhjet e krishtere. Kështu koha do të kalojë më shpejt dhe do ta kesh më të lehtë të mësosh.

A E DIJE . . . ?

Nuk është e gabuar të kesh pyetje për atë që beson dhe përse e beson. Në fakt, të bësh pyetje dhe pastaj të bësh kërkime, është një mënyrë e mirë për të zbuluar nëse ajo që beson për Perëndinë, është e vërtetë.​—Veprat 17:11.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Do të lexoj Biblën ․․․․․ minuta çdo ditë dhe do të përgatitem për mbledhjet e krishtere ․․․․․ çdo javë.

Që të përqendrohem më shumë në mbledhjet e krishtere, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse mund t’i duken të mërzitshme veprimtaritë e krishtere një adoleshenti?

● Në cilën prej tri aspekteve të adhurimit që u diskutuan në këtë kapitull, do të doje të përmirësoje?

[Diçitura në faqen 278]

«Feja ku bëj pjesë nuk është më thjesht feja e prindërve të mi, por feja ime. Jehovai është Perëndia im dhe nuk dua të bëj asgjë që do të dëmtonte marrëdhënien time me të.»​—Samanta

[Kutia dhe figurat në faqet 280, 281]

Ata vunë synime

Bibla thotë: «Nuk e dini se ç’do të bëhet nesër me jetën tuaj.» (Jakovi 4:14) Ndonjëherë, vdekja vjen papritur edhe për një të ri. Ndërsa lexon përvojën e Katrinës dhe të Kajlit, vër re se si bënë një emër të mirë para Perëndisë Jehova gjatë jetës së tyre të shkurtër duke vënë dhe arritur synime frymore.​—Eklisiastiu 7:1.

Katrina vdiq në moshën 18-vjeçare, por që kur ishte 13, kishte shkruar tashmë një «plan për jetën»​—një listë synimesh që donte të arrinte. Ndër synimet e saj ishin: të fillonte shërbimin e plotkohor, të shërbente në një vend ku kishte nevojë për mësues të Biblës dhe të punonte me të atin në projektet e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë. Ajo shkroi: «Ia kam kushtuar jetën Perëndisë Jehova.» Qëllimi i Katrinës ishte ‘të jetonte sipas normave të tij, në një mënyrë që e bën të lumtur Atë’. Gjatë funeralit, Katrina u përshkrua «si një vajzë e bukur që kishte planifikuar që qendra e gjithë jetës së saj të ishte Jehovai».

Që në moshë të re, Kajlin e kishin mësuar të kishte synime. Pasi vdiq në një aksident automobilistik në moshën 20-vjeçare, të afërmit e tij gjetën një «libër synimesh» që mamaja e kishte ndihmuar të bënte që kur ishte vetëm katër vjeç. Ndër synimet e tij ishin: të pagëzohej, të mbante fjalime në Sallën e Mbretërisë dhe të shërbente në selinë e Dëshmitarëve të Jehovait, ku të punonte në prodhimin e literaturës që do t’i ndihmonte njerëzit të mësonin për Perëndinë. Pasi shfletoi librin e synimeve të Kajlit, të bërë shumë vjet më parë, mamaja e tij tha: «Ai i arriti të gjitha këto synime.»

Po ti, çfarë synimesh ke vendosur? Ti nuk e di se çfarë do të të sjellë e nesërmja. Prandaj, përdore në mënyrë sa më të plotë çdo ditë të jetës sate. Ashtu si Katrina dhe Kajli, kaloje kohën në mënyrë sa më vlefshme. Imito apostullin Pavël, që tha në fund të jetës së tij: «Luftën e shkëlqyer e bëra, vrapimin e përfundova, besimin e ruajta.» (2 Timoteut 4:7) Kapitulli i ardhshëm do të të ndihmojë në këtë aspekt.

[Figura në faqet 274, 275]

Nëse dëshiron të jesh i shëndetshëm fizikisht, duhet të bësh fizkulturë. Nëse dëshiron të jesh i shëndetshëm frymësisht, duhet të studiosh Fjalën e Perëndisë