Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i arrij synimet?

Si t’i arrij synimet?

KAPITULLI 39

Si t’i arrij synimet?

Cilën nga këto gjëra do të doje më shumë të kishe?

□ Më shumë besim te vetja

□ Më shumë miq

□ Më shumë lumturi

NË TË vërtetë, mund t’i kesh të tria! Si? Duke vënë dhe arritur synime. Shqyrtoni sugjerimet e mëposhtme:

Më shumë besim te vetja. Kur vë synime të vogla dhe i arrin, do të marrësh zemër për të vënë edhe synime të mëdha. Gjithashtu, do të kesh më shumë besim te vetja kur gjendesh përballë sfidave të përditshme, si për shembull presionit të bashkëmoshatarëve.

Më shumë miq. Njerëzve u pëlqen të shoqërohen me ata që kanë pikësynime, që e kanë të qartë se çfarë duan të arrijnë dhe janë të gatshëm për të punuar në atë drejtim.

Më shumë lumturi. Le ta themi hapur: nuk është ndonjë qejf i madh të rrish kot ose të presësh që jeta vetiu të bëhet më e bukur. Por, kur vë dhe arrin synime, ndihesh i kënaqur me arritjet e tua. A je gati të fillosh? Faqet në vijim do të të ndihmojnë. *

✔ 1 PËRCAKTO

1. Mendo çfarë synimesh mund të vësh. Në këtë fazë zbavitu e mos e vrit shumë mendjen; vetëm hidh në letër sa më shumë ide. Përpiqu të gjesh të paktën 10 synime të mundshme.

2. Shqyrto synimet që shkrove. Cilat të duken më emocionuese? Po më të vështira? Për cilat do të ishe më krenar po t’i arrije? Ki parasysh se, nëse synon diçka që ka shumë rëndësi për ty, ka të ngjarë që ta arrish synimin.

3. Vendos përparësitë. Renditi synimet sipas radhës që dëshiron t’i arrish.

✔ 2 PLANIFIKO

Për secilin nga synimet që ke zgjedhur, ndiq këto hapa:

Bëj një listë të synimeve.

Të mësoj anglisht për udhëtimin në Angli.

Vendos një afat. Në fund të fundit, synimi pa një afat mbetet vetëm një ëndërr.

1 korrik

Planifiko hapat që duhet të marrësh.

Hapat

1. Të gjej një libër me shprehje.

2. Të mësoj dhjetë fjalë çdo javë.

3. Të dëgjoj të tjerë që flasin anglisht.

4. T’i kërkoj dikujt që të më kontrollojë në gramatikë dhe në shqiptim.

Parashiko pengesat që mund të hasësh. Pastaj mendo si t’i kapërcesh.

Pengesa të mundshme

Asnjë që kam afër nuk flet anglisht

Merr një zotim. Premtoji vetes se do të bësh çmos ta arrish këtë synim. Tani firmos dhe shëno datën.

Si t’i kapërcej?

Të shkarkoj nga Interneti regjistrime audio në anglisht nga adresa www.pr418.com.

․․․․․ ․․․․․

Firma Data

✔ 3 VEPRO

Fillo menjëherë. Pyet veten: «Çfarë mund të bëj sot si hap të parë drejt synimit?» Kuptohet, ndoshta jo çdo gjë do të shkojë pikë për pikë sipas planit, por mos lejo që kjo të të presë krahët. Siç thotë Bibla, «në qoftë se pret derisa era dhe moti të bëhen tamam të përshtatshëm, kurrë nuk do të mbjellësh, e as nuk do të korrësh gjë». (Eklisiastiu 11:4, ECM) Shiko nëse mund të bësh sot diçka, sado e vogël qoftë, dhe bëje.

Hidhu një sy synimeve çdo ditë. Kujto pse është i rëndësishëm secili prej tyre. Shëno përparimin që ke bërë duke vënë një shenjë (ose datën e realizimit) përbri çdo hapi, ndërsa shkon drejt arritjes së synimit.

Përdor imagjinatën. Shko me mendje përpara në kohë dhe imagjinoje veten sikur je duke e arritur synimin. Imagjino ndjesinë sikur ta kesh arritur synimin tashmë. Pastaj, kthehu prapa duke parë secilin hap që duhet të bësh për të arritur synimin. Së fundi, përfytyroje veten duke i përmbushur konkretisht hapat njëri pas tjetrit dhe imagjino sa mirë do të ndihesh kur ta arrish synimin. Tani përvishju punës!

[Shënimi]

^ par. 10 Këto sugjerime janë për synime afatshkurtra, por parimet zbatohen edhe për synime afatgjata.

SHKRIMI KYÇ

«Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim.»​—Proverbat 21:5.

KËSHILLË

Mos u shqetëso nëse nuk mund t’i përmbahesh rreptësisht një plani. Ji elastik dhe bëj rregullime ndërsa përparon drejt përmbushjes së synimit.

A E DIJE . . . ?

Sa më i madh të jetë synimi, aq më i kënaqur do të ndihesh kur ta arrish.

ÇFARË MENDON?

● A mund të ndodhë të kesh njëkohësisht më tepër synime se ç’duhet?​—Filipianëve 1:10.

● A nënkupton vënia e synimeve të planifikosh çdo minutë të jetës sate?​—Filipianëve 4:5.

[Diçitura në faqen 283]

«Shkurajohesh kollaj kur nuk ke ku të përqendrohesh ose kur nuk ke asgjë që e pret me padurim. Por kur vë synime dhe i arrin, ndihesh mirë me veten.»​—Ridi

[Kutia dhe figura në faqen 283]

Ja disa synime

Miqësitë: Të zë një shok ose shoqe që nuk i përket grup-moshës sime. Të rivendos një miqësi të vjetër.

Shëndeti: Të bëj fizkulturë të paktën 90 minuta në javë. Të fle tetë orë çdo natë.

Shkolla: Të përmirësoj notat në matematikë. Të përballoj presionet e atyre që më nxitin të bëj atë që është e gabuar.

Gjendja frymore: Të lexoj Biblën çdo ditë për 15 minuta. Të flas për bindjet e mia fetare me një shok klase këtë javë.

[Figura në faqet 284, 285]

Synimet janë si një projekt në letër​—duhet punë për t’i bërë realitet