Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ta lë shkollën?

A ta lë shkollën?

KAPITULLI 19

A ta lë shkollën?

Sipas mendimit tënd, sa vite shkollë duhet të bësh?․․․․․

Po prindërit e tu, sa vite shkollë mendojnë se duhet të bësh?․․․․․

A PËRPUTHEN përgjigjet e këtyre dy pyetjeve më sipër? Edhe nëse je në të njëjtin mendim me prindërit dhe je akoma në shkollë, mund të ketë momente që do të doje ta lije. A je ndier ndonjëherë si në rastet në vijim?

«Kishte raste që stresohesha aq shumë sa s’doja të çohesha nga krevati. Mendoja: ‘Pse duhet të shkoj në shkollë e të mësoj gjëra që s’kanë për të më hyrë kurrë në punë?’»​—Rakela.

«Shumë herë ndihesha i lodhur nga shkolla dhe doja vetëm ta lija e të gjeja një punë. Mendoja se shkolla ishte humbje kohe e që do ishte më mirë të kisha një punë ku të paktën të fitoja ca para.»​—Xhoni.

«Shkova në një shkollë në qendër të qytetit dhe e kisha shumë të vështirë të përshtatesha. Me mësimet nuk e kisha problem, por nuk më pranonin në shoqëri dhe kështu rrija më shumë vetëm. Madje as ata që i kishin veçuar si puna ime, nuk më afroheshin. Më vinte ta lija fare shkollën.»​—Rajani.

«Detyrat e shtëpisë më hanin deri në katër orë çdo ditë. Më merrnin frymën gjithë ato detyra, projekte dhe provime njëri pas tjetrit. Nuk e përballoja dot më e doja ta lija.»​—Sindi.

«Kemi pasur një lajmërim për bombë, tri tentativa për vetëvrasje, një vetëvrasje dhe dhunë bandash. Ndonjëherë ishte e papërballueshme e doja ta lija.»​—Rozi.

A je përballur edhe ti me vështirësi të tilla? Nëse po, cila prej tyre të ka bërë të mendoje për ta lënë shkollën?

․․․․․

Ndoshta tani je duke menduar seriozisht për ta lënë shkollën. Por, pse e mendon këtë: se tani ke marrë arsimimin e mjaftueshëm apo vetëm se të ka ardhur në majë të hundës? Para se t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, le të shohim çfarë do të thotë të lësh shkollën.

E arsyeshme apo jo?

A e di se në disa vende janë të detyrueshme vetëm pesë deri në tetë vjet shkollë? Në vende të tjera nxënësit duhet të bëjnë të paktën dhjetë vjet shkollë. Prandaj nuk ka një moshë ose një nivel arsimor të caktuar për çdo njeri në çdo vend të botës.

Në disa vende nxënësit kanë mundësi të marrin mësime të disa ose të të gjitha lëndëve mësimore në shtëpi, pa shkuar në shkollë. Për nxënësit që shkollohen në këtë mënyrë, me lejen dhe bashkëpunimin e prindërve, sigurisht që nuk mund të thuhet se e kanë lënë shkollën.

Megjithatë, në qoftë se po mendon për ta ndërprerë shkollën para se të mbarojë​—edhe nëse je në një shkollë normale, edhe nëse merr mësime nga shtëpia—​duhet të shqyrtosh pyetjet e mëposhtme:

Çfarë kërkon ligji? Siç u tha edhe më sipër, ligjet që përcaktojnë vitet e detyrueshme të shkollimit për një nxënës, ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin. Cili është niveli minimal i shkollimit që kërkon ligji në vendin tënd? A ke arritur tashmë në këtë nivel? Nëse e shpërfill këshillën e Biblës ‘për t’u nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta’ dhe e ndërpret shkollën para se të arrish në atë nivel, atëherë mund të thuhet se po e lë.​—Romakëve 13:1.

A i kam arritur synimet e mia për arsimimin? Cilat janë ato synime që dëshiron të arrish me anë të arsimimit? Nuk je i sigurt? Është mirë të dish çfarë do. Përndryshe, do të ishe si një pasagjer në një tren që nuk e ka idenë se ku dëshiron të shkojë. Prandaj, ulu bashkë me prindërit e tu dhe plotëso kutinë  «synimet e mia për arsimimin», që gjendet në faqen 139. Kjo do të të ndihmojë që të jesh i përqendruar dhe që bashkë me prindërit të planifikosh për sa kohë do ta vazhdosh shkollën.​—Proverbat 21:5.

Pa dyshim që mësuesit dhe të tjerë do të të këshillojnë se për sa kohë duhet të vazhdosh. Por në fund janë prindërit që kanë autoritetin të thonë fjalën e fundit. (Proverbat 1:8; Kolosianëve 3:20) Nëse e ndërpret shkollën para se të arrish ato synime për arsimimin që ti me prindërit ke vendosur, atëherë mund të thuhet se po e lë.

Pse dua ta lë? Kujdes se mos mashtron veten. (Jeremia 17:9) Është një prirje njerëzore t’i veshim arsye fisnike veprimeve egoiste.​—Jakovi 1:22.

Shkruaj më poshtë arsyet fisnike që mund të kesh për ta ndërprerë shkollën para kohe.

․․․․․

Shkruaj këtu disa arsye egoiste për ta lënë.

․․․․․

Çfarë arsyesh fisnike shkrove? Dy arsye mund të jenë: për të mbështetur familjen nga ana ekonomike ose për të bërë punë vullnetare. Kurse arsye egoiste mund të jenë: për të shmangur provimet ose për të shpëtuar nga detyrat e shtëpisë. Gjëja më e vështirë është të dallosh nëse arsyeja kryesore është fisnike apo egoiste.

Hidhi përsëri një sy arsyeve që shkrove dhe rendit me ndershmëri nga 1-shi te 5-a arsyet për të cilat dëshiron të lësh shkollën (1-shi të tregojë arsyen më pak të rëndësishme, kurse 5-a më të rëndësishmen). Nëse e lë shkollën vetëm për të shpëtuar nga problemet, ka shumë mundësi të gjendesh para problemeve më të mëdha.

Ç’të keqe ka ta lësh shkollën?

Ta lësh shkollën është si të hidhesh nga treni pa shkuar në vendmbërritje. Treni mund të jetë i parehatshëm dhe pasagjerët jomiqësorë. Por nëse hidhesh nga treni, kuptohet që nuk do të arrish atje ku do dhe mund të vritesh keq. Në mënyrë të ngjashme, nëse e lë shkollën, nuk do të arrish synimet e tua për arsimimin e do t’i hapësh vetes probleme të menjëhershme dhe afatgjata si ato që përmenden në vijim:

Probleme të menjëhershme: Ka shumë mundësi ta kesh më të vështirë të gjesh punë dhe nëse gjen, ndoshta do të marrësh një pagë më të vogël se ajo që do të merrje po ta kishe mbaruar shkollën. Për të siguruar nevojat bazë të jetesës, ndoshta do të të duhet të punosh me orar më të zgjatur në ambiente më pak të këndshme se ambienti i tanishëm i shkollës.

Probleme afatgjata: Kërkimet tregojnë se ata që lënë shkollën, janë më të prirur të kenë një shëndet më të dobët, të përfundojnë në burg dhe të përfshihen në programet e asistencës sociale.

Sigurisht, mbarimi i shkollës nuk përbën një garanci se s’do të kesh nga këto probleme. Por pse ta privosh veten nga disa avantazhe që do t’i kishe po të mos e kishe lënë shkollën?

Dobitë kur nuk e lë shkollën

Mund të ndodhë që, kur nuk e merr një provim ose kur kalon një ditë të keqe në shkollë, të vjen ta lësh. Çdo problem i ardhshëm mund të duket i papërfillshëm në krahasim me atë që po heq tani. Por para se «t’i biesh shkurt», shiko se çfarë dobish kanë nxjerrë nxënësit e cituar në fillim të kapitullit ngaqë nuk e lanë përgjysmë shkollën.

«Kam mësuar të jem e durueshme dhe mendërisht e fortë. Kam mësuar se, nëse dëshiron të gjesh kënaqësi në diçka, kjo varet nga ti. Gjatë kohës që isha në shkollë, kam përmirësuar aftësitë e mia në grafikë, që do të më hyjnë në punë pasi të diplomohem.»​—Rakela.

«Tani e di që po të punoj fort, mund t’i arrij synimet e mia. Po bëj një lëndë teknike shumë praktike në shkollë të mesme që do të më kualifikojë për punën time të preferuar si mekanik shtypshkronje.»​—Xhoni.

«Falë këmbënguljes, kam fituar aftësitë bazë në lexim e shkrim. Shkolla më ka mësuar të përfitoj nga kritikat e të shprehem qartë e me logjikë, dhe këto janë aftësi të dobishme në shërbimin e krishterë.»​—Rajani.

«Shkolla më ka bërë më të aftë për të zgjidhur problemet, qoftë në klasë ose jashtë saj. Gjetja e mënyrave për të përballuar vështirësitë mësimore, shoqërore dhe fizike më ka ndihmuar vërtet të rritem.»​—Sindi.

«Shkolla më ka ndihmuar të përgatitem për sfidat në ambientin e punës. Gjithashtu, jam përballur me mjaft situata që më shtynin të shqyrtoja arsyet e besimit tim, kështu që shkolla më ka forcuar bindjet fetare.»​—Rozi.

Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Më mirë se fillimi i një çështjeje është ajo që vjen pas saj. Më mirë kush është i durueshëm, se ai që ka frymën e fodullëkut.» (Eklisiastiu 7:8) Pra, në vend që ta lësh shkollën, përballoji me durim problemet e saj. Nëse vepron kështu, do ta shohësh se ajo që do të vijë pas shkollës, do të jetë shumë më e mirë për ty.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Po nëse një arsye pse e urren shkollën është sepse nuk shkon mirë me mësuesin?

SHKRIMI KYÇ

«Kush është i nxituar, me siguri shkon drejt skamjes.»​—Proverbat 21:5.

KËSHILLË

Nëse po lufton të përshtatesh me ambientin e shkollës, pyet prindërit se si mund ta bësh më të lehtë çdo ditë që kalon atje e kështu ta mbarosh shkollën.

A E DIJE . . . ?

Ata që lënë orët e mësimit, ka më shumë të ngjarë ta lënë shkollën përgjysmë.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse kam vështirësi në një lëndë të caktuar, nuk do të lë shkollën, por do të ․․․․․

Nëse jam aq i lodhur sa dua ta lë shkollën, do të arrij ta kapërcej këtë fazë nëse ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse është tepër e rëndësishme të mësosh mirë të lexosh, të shkruash e të bësh llogari matematikore?

● Si mund të përfitosh sa më shumë nga shkolla nëse synon të fitosh aftësi që do të të sjellin dobi të menjëhershme?

● Pse është e rëndësishme të krijosh një ide për punën që do të doje të bëje pas shkollës?

[Diçitura në faqen 140]

«Nuk mund t’u bësh bisht problemeve. Duke qenë në shkollë mëson t’i dalësh zot vetes, dhe kjo aftësi do të të shërbejë në punë e kudo tjetër.»​—Ramona

[Kutia në faqen 139]

Fletë pune

Synimet e mia për arsimimin

  Qëllimi kryesor i arsimimit është të të përgatitë të gjesh një punë për të mbajtur veten dhe familjen që mund të kesh në të ardhmen. (2 Selanikasve 3:10, 12) A ke vendosur se çfarë pune do të doje të bëje dhe si mund të të ndihmojë periudha e shkollës që të përgatitesh për të? Për të kuptuar nëse arsimimi që po merr po të çon në drejtimin e duhur, përgjigjju pyetjeve të mëposhtme:

Cilat janë pikat e mia të forta? (Për shembull, a je i zoti në komunikim? A të pëlqen të punosh me duar, të krijosh ose të ndreqësh gjëra? A je i zoti të analizosh e të zgjidhësh probleme?) ․․․․․

Në ç’lloj pune do të mund t’i përdorja pikat e mia të forta? ․․․․․

Çfarë mundësish për punë ka në vendin tim? ․․․․․

Çfarë lëndësh mësimore po bëj tani që do të më përgatitin për tregun e punës? ․․․․․

Ç’mundësi të tjera arsimimi kam që do të më ndihmojnë t’i arrij më mirë synimet e mia? ․․․․․

Ki parasysh se synimi yt është të diplomohesh në një fushë që do të të hyjë në punë. Prandaj, mos kalo në ekstremin tjetër dhe të mbetesh student i përjetshëm, domethënë si ai që nuk zbret nga «treni» vetëm e vetëm që të shpëtojë nga përgjegjësitë e moshës së rritur. *

[Shënimi]

^ par. 67 Për më shumë informacion, shih vëllimin 2, kapitulli 38.

[Figura në faqet 138, 139]

Ta lësh shkollën është si të hidhesh nga treni pa shkuar në vendmbërritje