Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të shkoj mirë me mësuesin?

Si të shkoj mirë me mësuesin?

KAPITULLI 20

Si të shkoj mirë me mësuesin?

Shkruaj emrin e mësuesit tënd të preferuar. ․․․․․

Pse të pëlqen ky mësues? ․․․․․

Shkruaj emrin e mësuesit me të cilin e ke më të vështirë të shkosh mirë. ․․․․․

SHOKËT mund t’i zgjedhësh, por në pjesën më të madhe të viteve shkollore mësuesit nuk mund t’i zgjedhësh. Ndoshta të pëlqejnë të gjithë. Davidi 18-vjeçar thotë: «Nuk kisha kurrë probleme me ndonjë mësues. I respektoja dhe ata më kishin me sy të mirë.»

Ose mund të kesh një mësuese si kjo që përshkruan Sara 11-vjeçare. «Ajo është super e keqe. Dhe nuk arrij ta kuptoj. Ose nuk shpjegon sa duhet ose shpjegon me shumë hollësi.» Që të shkosh mirë me mësuesin, në fillim duhet të kuptosh konkretisht se cili është problemi që ke me të. Kur ke piketuar problemin, e ke më të lehtë ta kapërcesh. Vër një shenjë ✔ përbri një a disa kutive më poshtë ose shkruaj një arsye tjetër që ke ti.

□ Mezi e kuptoj mësuesin

□ Më ha notën

□ Mendoj se disa i mban me hatër

□ Më disiplinon më shumë se ç’e meritoj

□ Mendoj se jam viktimë e diskriminimit

□ Tjetër ․․․․․

Çfarë të bësh për të rregulluar situatën? Një nga gjërat që mund të bësh si fillim, është ajo që këshilloi apostulli Pjetër. Ai shkroi: «Jini të gjithë të një mendjeje, tregoni ndjenja të përbashkëta.» (1 Pjetrit 3:8) Çfarë mund të të shtyjë të kesh ndjenja të përbashkëta me një mësues «të keq»? Shqyrto disa fakte për mësuesit, të cilat mund të të ndihmojnë.

Mësuesit nuk janë të pagabueshëm. Si gjithë të tjerët, edhe mësuesit kanë huqet, problemet e madje edhe paragjykimet e tyre. «Nëse dikush nuk pengohet në fjalë,—shkroi dishepulli Jakov,—është njeri i përsosur, i zoti t’i vërë fre edhe gjithë trupit.» (Jakovi 3:2) Briana, 19 vjeçe, thotë: «Mësuesja e matematikës nxehej kollaj dhe vetëm na bërtiste. Prandaj e kishim të vështirë ta respektonim.» Pse sillej kështu? «Klasa ishte gjithmonë rrëmujë,—thotë Briana,—dhe nxënësit bënin si të çmendur vetëm e vetëm që ta acaronin më tepër.»

Sigurisht që të pëlqen kur një mësues nuk t’i vë në pah gabimet dhe të metat, sidomos nëse ke qenë shumë i stresuar. A mund të bësh edhe ti të njëjtën gjë me mësuesin tënd? Shkruaj për një incident të kohëve të fundit në shkollë dhe çfarë mendon se mund ta ketë shtyrë mësuesin të sillej ashtu.

․․․․․

Mësuesit kanë të preferuarit e tyre. Mendo për vështirësitë që kanë mësuesit e tu. Sa nga nxënësit e klasës tënde duan të rrinë në mësim? Sa nga këta që duan të rrinë, kanë vullnet dhe janë në gjendje të përqendrohen në një temë për gjysmë ore ose më shumë? Sa nxënës i shfryjnë mbi mësuesit gjithë acarimet dhe inatet e grumbulluara përbrenda? Tani, imagjino sikur të kishe si detyrë që të mësoje 20, 30 a më shumë nxënës dhe të trajtoje një temë që pak e kanë qejf. A nuk do të përqendroheshe tek ata që duken se kanë interes?

Vërtet mund të acarohesh kur mësuesi i shfaq hapur preferencat e tij. Natasha thotë për një nga mësuesit e saj: «Ai vinte një afat për detyrat, por bënte gjithmonë përjashtime për ata të skuadrës së futbollit, vetëm për ata. Domosdo, ishte edhe ndihmëstrajner i skuadrës.» Nëse të ndodh edhe ty një gjë e ngjashme, pyete veten: «A po më mëson siç duhet?» Nëse po, pse të vjen inat apo bëhesh xheloz?

Më poshtë shkruaj se çfarë mund të bësh për t’i treguar më qartë mësuesit se të intereson lënda e tij.

․․․․․

Mësuesit i keqkuptojnë nxënësit. Ndonjëherë, për shkak të ndonjë përplasjeje personaliteti ose të ndonjë keqkuptimi, mësuesi mund të të vihet kundër. Pyetjet mund të merren si rebelim dhe shakatë si budallallëk e mungesë respekti.

Ç’mund të bësh nëse të keqkupton? Bibla thotë: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. . . . Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.» (Romakëve 12:17, 18) Prandaj, përpiqu të mos bëhesh armik me mësuesin. Shmang debatet e panevojshme. Mos i jep mësuesit shkaqe të vlefshme për t’u ankuar. Përpiqu të jesh sa më miqësor me të. «Miqësor me atë?»—mund të pyesësh. Po, tregohu i sjellshëm duke e përshëndetur me respekt kur hyn në klasë. Mirësjellja jote e vazhdueshme, e madje ndonjë buzëqeshje herë pas here, mund ta bëjë të ndryshojë mendim për ty.​—Romakëve 12:20, 21.

Për shembull, Kenin, disa mësues e gjykonin keq. «Jam shumë i ndrojtur,—thotë ai,—dhe nuk u flitja kurrë mësuesve.» Si e kapërceu këtë problem? «Më vonë e kuptova se në përgjithësi mësuesit donin të më ndihmonin. Prandaj vura si synim që t’i njihja të gjithë personalisht. Kur e bëra këtë, pata goxha përmirësim të notave.»

Është e vërtetë që jo gjithmonë do ta bësh për vete mësuesin me sjelljen tënde të mirë e miqësore. Por ki durim. Mbreti Solomon shkroi: «Me durim dhe fjalë të ëmbla mund ta bindësh një udhëheqës [ose një mësues] dhe të kapërcesh çdo problem.» (Proverbat 25:15, Contemporary English Version) Ruaj qetësinë dhe fol me butësi kur të trajton në mënyrë të padrejtë. Ndoshta mësuesi do të ndryshojë mendim për ty.​—Proverbat 15:1.

Cili është zakonisht reagimi yt i parë kur mësuesi të keqkupton ose të trajton në mënyrë të padrejtë?

․․․․․

Si do të ishte më mirë të reagoje?

․․․․․

Zgjidhja e disa problemeve konkrete

Të kuptosh kufizimet e mësuesit është vetëm fillimi. Ç’mund të bësh për të zgjidhur një problem konkret? Për shembull, si mund t’i zgjidhësh çështjet e mëposhtme?

Meritoj nota më të mira. «Merrja gjithmonë 10-ta,—thotë Katrina.—Por një herë mësuesi i shkencave natyrore më vuri 4. Meritoja më shumë. Prindërit folën me drejtorin. Prapëseprapë ai më ngriti vetëm një notë, prandaj isha akoma e acaruar.» Nëse has një problem të ngjashëm, mos shpërthe me një breshëri akuzash kundër mësuesit. Por, mëso nga Natani, personazhi biblik. Ai kishte detyrën e vështirë që të nxirrte në pah një faj të rëndë që kishte bërë mbreti David. Natani nuk hyri me furi në pallatin mbretëror duke shkarkuar gjithë akuzat kundër Davidit, por iu afrua me takt.​—2 Samuelit 12:1-7.

Po kështu, edhe ti mund t’i afrohesh me përulësi dhe qetësi mësuesit. Nëse nxjerr nervat ose e akuzon për paaftësi ose për diçka më të keqe, zor se do ta bësh aleat. Provo një mënyrë më të pjekur. Fillo duke i kërkuar që të të ndihmojë të kuptosh sistemin e tij të vlerësimit. «Nëse dikush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë,—shkroi Solomoni,—kjo është për të marrëzi dhe poshtërim.» (Proverbat 18:13) Pasi ta dëgjosh, mund të arrish t’i thuash se ku, sipas teje, mund të jetë bërë një gabim në vlerësim. Edhe nëse nuk ta ndryshon notën, ka shumë mundësi që pjekuria jote do t’i bëjë përshtypje mësuesit.

Mendoj se mësuesi ka paragjykime. Ja çfarë i ka ndodhur Rakelës. Kishte marrë gjithmonë nota të mira në shkollë. Por kur vajti në klasë të 7-të, gjërat ndryshuan. «Mësuesi bëri të pamundurën që të më ngelte në lëndën e tij»,—thotë ajo. Ku qëndronte problemi? Mësuesi ua bëri të qartë si Rakelës edhe mamasë së saj se nuk i pëlqente feja e tyre.

Çfarë ndodhi më pas? Rakela thotë: «Sa herë dukej qartë se mësuesi më vlerësonte duke u ndikuar nga paragjykimet e tij, mami vinte që të bisedonte me të. Erdhi një moment që ai nuk më krijonte më probleme.» Nëse has edhe ti probleme të ngjashme, merr guxim e fol me prindërit për këtë. Pa dyshim, ata do të flasin me mësuesin dhe ndoshta me drejtorin për të gjetur një zgjidhje.

Ji largpamës!

Kuptohet, jo të gjitha problemet do të zgjidhen kollaj. Ndonjëherë, thjesht duhet të durosh. «Një nga mësuesit e mi sillej keq me nxënësit,—thotë Tanja.—Shpesh na fyente duke na quajtur budallenj. Në fillim më bënte për të qarë, por mësova që të mos i merrja fyerjet e tij si personale. Përqendrohesha te detyrat e mia dhe te mësimi. Si rezultat, nuk më bezdiste shumë dhe isha një nga të paktët që merrja nota të mira. Pas dy vjetësh, atë e pushuan nga puna.»

Mëso si t’ia bësh kur ke një mësues të vështirë dhe do të fitosh një aftësi të vlefshme për jetën, aftësi që do të të shërbejë kur të kesh një shef të vështirë në punë. Gjithashtu, do të mësosh të vlerësosh mësuesit e mirë.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Nuk të mjafton koha e një dite? Mëso si ta bësh orën mike e jo armike.

SHKRIMI KYÇ

«Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»​—Mateu 7:12.

KËSHILLË

Nëse mendon se mësuesi është i mërzitshëm, përqendrohu te tema e jo te mësuesi. Mbaj shënime, me respekt kërkoji më shumë informacion dhe ji entuziast për lëndën. Entuziazmi është ngjitës.

A E DIJE . . . ?

Ka të ngjarë që mësuesi i ka shpjeguar të njëjtat mësime me dhjetëra, madje qindra herë, në klasat e tjera. Prandaj mund ta ketë të vështirë të ketë të njëjtin entuziazëm që kishte në fillim për lëndën.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Që ta bëj më interesante një orë mësimi të mërzitshme, do të ․․․․․

Nëse shoh që mësuesi më trajton me pa të drejtë, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse është e rëndësishme që të përqendrohesh më shumë te tema se te mësuesi?

● Si mund të ndikojë qëndrimi që ke ti ndaj një teme te pikëpamja që ka mësuesi për ty?

[Diçitura në faqen 146]

«Bëra çmos që të miqësohesha me të gjithë mësuesit e mi. Ua di emrat dhe kur ndeshemi në rrugë, ndaloj për pak minuta që të bisedoj me ta.»​—Karmeni

[Figura në faqen 145]

Mësuesit janë si gurë kalimi që të ndihmojnë të kalosh nga padija në njohuri, por je ti që duhet të hedhësh hapat