Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta organizoj kohën?

Si ta organizoj kohën?

KAPITULLI 21

Si ta organizoj kohën?

Sa orë më shumë do të doje të kishte dita? ․․․․․

Për çfarë do ta përdorje këtë kohë shtesë?

□ Për të dalë me shokët

□ Për të fjetur

□ Për të studiuar

□ Tjetër ․․․․․

KOHA është si një kalë i vrullshëm: që të të shërbejë, duhet të mësosh ta kontrollosh. Mbaje nën kontroll kohën dhe kështu ndoshta do të kesh më pak stres, do të marrësh nota më të mira dhe prindërit do të kenë më shumë besim te ti. «Kjo duket fantastike,—thua ti,—por është më e lehtë ta thuash se ta bësh.» Është e vërtetë që do ta kesh të vështirë. Por mund t’ia dalësh. Le të shohim se si.

Vështirësia nr. 1: Të bësh një program

Ç’mund të të pengojë? Vetëm mendimi se duhet të bësh një program, të bën të ndihesh si në kafaz. Ti dëshiron të jesh spontan dhe nuk do që të jesh skllav i një programi.

Prapëseprapë, përse duhet? Mbreti Solomon shkroi: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim.» (Proverbat 21:5) Solomoni ishte shumë i zënë. Ishte bashkëshort, baba dhe mbret. Jeta e tij u bë edhe më e ngarkuar me kalimin e viteve. Po kështu, edhe ti ke plot gjëra për të bërë tani. Por, ndërsa rritesh, rritet edhe ngarkesa. Prandaj, më mirë mëso të jesh i organizuar tani, sesa më vonë.

Ja ç’thonë moshatarët e tu. «Para nja gjashtë muajsh fillova të bëja rregullisht një program. Doja t’ia bëja jetën më të lehtë vetes dhe me sa dukej, sekreti ishte programi.»​—Xhoi.

«Listat më ndihmojnë të ndjek programin. Kur jam më e ngarkuar se zakonisht, bashkë me mamin i shkruajmë të gjitha dhe shohim si ta ndihmojmë njëra-tjetrën që t’i bëjmë punët që kemi.»​—Mariola.

Çfarë do të të ndihmojë? Shihe me këtë sy: ta zëmë se do të nisesh për udhëtim. Secili nga familjarët i hedh çantat e veta rrëmujë në bagazhin e makinës. Duket se nuk ka vend për t’i marrë të gjitha. Ç’të bësh? Mund t’ia nisësh nga e para duke vënë në fillim çantat më të mëdha dhe pastaj duke futur çantat e vogla në hapësirën e mbetur.

E njëjta gjë vlen edhe për organizimin e kohës tënde. Po ta zësh në fillim kohën me gjërat e vogla, ka rrezik të mos i bësh dot gjërat më të rëndësishme. Në fillim, programo për gjërat më të rëndësishme dhe ke për të parë sa shumë kohë do të të mbetet edhe për të tjerat.​—Filipianëve 1:10.

Cilat janë gjërat më të rëndësishme që duhet të bësh?

․․․․․

Tani ktheju prapë dhe vëru një numër sipas rëndësisë. Po të mbarosh në fillim gjërat e mëdha, do të habitesh sa kohë do të kesh edhe për gjërat e vogla.

Ç’mund të bësh? Mbaj në xhep një axhendë dhe renditi punët sipas rëndësisë. Ndoshta të ndihmon edhe një nga metodat e mëposhtme.

□ Kalendari i celularit

□ Një bllok i vogël shënimesh

□ Kalendari i kompjuterit

□ Kalendar tavoline

Vështirësia nr. 2: Të ndjekësh programin

Ç’mund të të pengojë? Kur vjen nga shkolla, dëshiron vetëm të çlodhesh e të shohësh televizor për pak minuta. Ose ke planifikuar të studiosh për një provim, por merr një mesazh ku të ftojnë në kinema. Filmi s’pret, kurse mësimet në dorë i ke, i shtyn për në darkë. «Pastaj, unë i bëj gjërat më mirë kur jam nën presionin e kohës»,—thua me vete.

Prapëseprapë, përse duhet? Mund të marrësh nota më të mira, po të studiosh kur e ke mendjen më të freskët. Veç kësaj, a nuk ke boll strese? Pse të stresohesh akoma më shumë duke studiuar me vrap e ndoshta përciptas lëndën e provimit natën vonë? Po nesër në mëngjes ç’do të ndodhë? Mbase do të të dalë gjumi vonë, do të kesh më shumë stres, do të dalësh me vrap nga shtëpia e ka mundësi të bëhesh vonë për në shkollë.​—Proverbat 6:10, 11.

Ja ç’thonë moshatarët e tu. «Vdes të shoh televizor, t’i bie kitarës dhe të rri me shokët. S’ka asgjë të keqe, por nganjëherë këto më nxitin t’i shtyj për më vonë gjërat më të rëndësishme, kështu më duhet të vrapoj.»​—Juliani.

Ç’do të të ndihmojë? Mos vër në program vetëm gjërat që duhet të bësh, por edhe ato që ke qejf t’i bësh. «E kam më kollaj t’i bëj gjërat që duhet kur e di se më vonë kam programuar gjëra që i kam qejf»,—thotë Juliani. Një ide tjetër: vër një synim të rëndësishëm dhe pastaj, që të ecësh sipas planit, vër synime të vogla që do të të çojnë drejt atij synimi.

Ç’mund të bësh? Cilat janë një ose dy synime realiste që mund të arrish gjashtë muajt e ardhshëm?

․․․․․

Cilin synim realist mund të arrish dy vitet e ardhshme dhe ç’duhet të bësh që tani për ta arritur atë synim? *

․․․․․

Vështirësia nr. 3: Ji i pastër dhe i rregullt

Ç’mund të të pengojë? Ndoshta nuk e kupton ç’lidhje ka të qenët i pastër dhe i rregullt me organizimin e kohës më mirë. Veç kësaj, t’i lësh gjërat rrëmujë të duket shumë më kollaj. Dhomën e pastron edhe nesër ose nuk e pastron fare. Rrëmujën s’e ke problem, kështu që s’prish punë. Apo prish?

Prapëseprapë, pse duhet? Nëse çdo gjë e mban pastër dhe në rregull, kursen kohë kur kërkon gjërat që të duhen. Kjo do të të japë edhe atë qetësi mendore për të cilën ke nevojë aq shumë.​—1 Korintasve 14:40.

Ja ç’thonë moshatarët e tu. «Nganjëherë, kur nuk kam kohë t’i vë në vend rrobat, gjërat që më duhen humbin mes rrëmujës.»​—Manda.

«Kisha një javë që s’e gjeja dot portofolin. U stresova goxha. Më në fund e gjeta kur pastrova dhomën.»​Frenku.

Çfarë do të të ndihmojë? Mundohu t’i vësh gjërat nëpër vende sa më shpejt të jetë e mundur. Bëje këtë rregullisht dhe mos prit që rrëmuja të të dalë jashtë kontrollit.

Ç’mund të bësh? Përpiqu ta bësh zakon rregullin. Mbaj çdo gjë në vendin e vet dhe do të shohësh që jetën do ta kesh më të lehtë.

Koha është një pasuri që të gjithë, ti, moshatarët dhe prindërit e tu e keni çdo ditë në të njëjtën masë. Po e shpërdorove, do të vuash pasojat. Përdore me mençuri dhe do të korrësh veç të mira. Zgjedhja të takon ty.

NË KAPITULLIN TJETËR:

A janë imigrantë prindërit e tu? A të duket vetja i huaj si në shkollë, edhe në shtëpi? Mëso si mund t’i shfrytëzosh rrethanat në të mirën tënde.

[Shënimi]

^ par. 32 Për më shumë informacion, shih kapitullin 39 të këtij libri.

SHKRIMI KYÇ

‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’​—Filipianëve 1:10.

KËSHILLË

Mos u përpiq t’i zbatosh të gjitha njëherësh sugjerimet e këtij kapitulli. Muajin e ardhshëm përpiqu të zbatosh vetëm një prej tyre. Kur të kesh përmirësuar në atë pikë, puno në një tjetër.

A E DIJE . . . ?

Planifikimi i shumë gjërave brenda një dite do të të stresojë. Nëse vendos cilat janë më të rëndësishme, do të kuptosh se cilat të bësh e cilat të lësh.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Do të kaloj më pak kohë me ․․․․․

Kohën që përfitoj nga kjo do ta përdor për ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Nëse mëson ta programosh kohën që tani, si do të të ndihmojë kjo kur të drejtosh shtëpinë tënde në të ardhmen?

● Çfarë mund të mësosh nga prindërit për organizimin e kohës?

● Nëse tashmë ke një program, çfarë ndryshimesh mund të bësh për ta përmirësuar?

[Diçitura në faqen 154]

«Rastësisht dëgjova dikë që po thoshte me shaka se me mua duhej të linte takim në orën tre, nëse donte që t’i shkoja në katër. Aty kuptova se duhej ta organizoja më mirë kohën.»​—Riki

[Kutia në faqen 155]

Si e harxhoj kohën?

Ja si i harxhojnë me përafërsi orët gjatë javës të rinjtë e moshës 8 deri në 18 vjeç:

17

orë me prindërit

30

orë në shkollë

44

orë duke parë televizor, me videolojëra, duke komunikuar në Internet dhe duke dëgjuar muzikë

Mblidh orët që harxhon çdo javë

duke parë televizor ․․․․․

duke luajtur me videolojëra ․․․․․

në Internet ․․․․․

duke dëgjuar muzikë ․․․․․

Gjithsej ․․․․․

Orë që fare mirë mund t’i përdor për gjëra më të rëndësishme ․․․․․

[Figura në faqen 153]

Koha është si një kalë i vrullshëm: duhet të mësosh ta mbash nën kontroll