Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është e gabuar të kërkosh pak privacitet?

A është e gabuar të kërkosh pak privacitet?

KAPITULLI 15

A është e gabuar të kërkosh pak privacitet?

Vër një shenjë ✔ te përgjigjja që do të zgjidhje në secilën prej situatave të mëposhtme:

1. Je në dhomën tënde me derën mbyllur dhe vëllai a motra ia beh pa trokitur.

□ «S’ka problem. Ndonjëherë edhe unë ia bëj po njësoj.»

□ «Sa i/​e paedukatë! Po sikur të isha duke u veshur?»

2. Sapo ke hyrë në shtëpi dhe të dy prindërit nisin të të bombardojnë me pyetje. «Ku ishe? Çfarë bëre? Me kë ishe?»

□ «S’ka problem. Unë zakonisht u tregoj çdo gjë.»

□ «Sa më mërzitin! Prindërit nuk kanë besim tek unë.»

KUR ishe më i vogël, ndoshta s’e kishe shumë problem punën e privacitetit. Nëse vëllai a motra më e vogël hynin papritur në dhomën tënde, ti i mirëpritje. Kur prindërit të bënin ndonjë pyetje, u përgjigjeshe pa ngurruar. Në atë kohë, jeta jote ishte një libër i hapur. Tani mbase dëshiron që të jesh një libër i mbyllur. «Më pëlqen që disa gjëra t’i mbaj për vete»,—thotë Kori 14-vjeçar. Le të shohim dy fusha ku mund të jetë e vështirë të kesh privacitet.

Kur dëshiron të rrish vetëm

Ka një sërë arsyesh të vlefshme për të cilat dëshiron të rrish vetëm. Mbase dëshiron ‘të pushosh pak’. (Marku 6:31) Ose kur dëshiron të lutesh, siç i këshilloi Jezui dishepujt, ‘mund të hysh në dhomën tënde dhe pasi të kesh mbyllur derën, t’i lutesh Atit tënd’. (Mateu 6:6; Marku 1:35) Problemi është se, kur e mbyll derën e dhomës (nëse ke një dhomë tënden), prindërve ndoshta nuk u shkon mendja se po lutesh. Edhe vëllai a motra ndoshta nuk e kuptojnë kur dëshiron të rrish vetëm.

Çfarë të bësh? Në vend që ta kthesh çështjen e privacitetit në mollë sherri, ndiq sugjerimet e mëposhtme:

● Kur bëhet fjalë për vëllanë a motrën, vëri disa rregulla të arsyeshëm që të rrish pak vetëm. Nëse nevojitet, shiko se mos të ndihmojnë edhe prindërit për këtë. *

● Kurse me prindërit, mundohu të kuptosh si mendojnë ata. «Ndonjëherë prindërit më kontrollojnë fshehurazi,—thotë Rebeka 16-vjeçare.—Por, të jem e sinqertë, edhe unë do ta kontrolloja fëmijën tim adoleshent po të isha prind, sidomos duke ditur të gjitha tundimet që hasin sot të rinjtë.» A mund ta kuptosh edhe ti ku e kanë vërtet hallin prindërit?​—Proverbat 19:11.

● Pyete veten me sinqeritet: «A u kam dhënë shkas prindërve të dyshojnë se po bëj diçka të gabuar kur e kam derën të mbyllur? A kam qenë kaq i fshehtë sa ata mendojnë se duhet të bëjnë rolin e spiunit për të ditur çfarë po ndodh me mua?» Nëse përgjigjja e këtyre pyetjeve është jo, por duket se prindërit ende dyshojnë, atëherë me qetësi dhe respekt shpjegoju si ndihesh. Dëgjoji me vëmendje shqetësimet e prindërve dhe përpiqu të mos bësh asgjë që e rëndon problemin.​—Jakovi 1:19.

Kur zë shokë

Gjatë adoleshencës, është normale ta zgjerosh shoqërinë përtej rrethit familjar. Gjithashtu, është normale që prindërit të jenë në merak se kush janë shokët e tu dhe çfarë bën kur je me ta. Por shqetësimi i prindërve mbase të duket një frikë e sëmurë. «Dua të flas në celular dhe të merrem me postën elektronike, pa prindërit që më rrinë te koka dhe më pyesin çdo dhjetë minuta se me kë po flas»,—thotë Emi 16-vjeçare.

Çfarë të bësh? Në vend që të lejosh që shokët të krijojnë një hendek mes teje dhe prindërve, provo sugjerimet e mëposhtme:

● Tregoju hapur cilët janë shokët e tu dhe përpiqu që prindërit të njihen me ta. Në fund të fundit, mbase nuk të pëlqen që prindërit të bëjnë rolin e hetuesit, por ç’të bëjnë tjetër kur as ia kanë idenë cilët janë shokët e tu? Mbaj parasysh se sa më shumë të dinë prindërit për njerëzit me të cilët rri, aq më të qetë do të ndihen për shokët që zgjedh.

● Ji i sinqertë me veten: a bëhet fjalë për privacitet apo për sekrete? Britni 22-vjeçare thotë: «Nëse jeton me prindërit dhe ata i shqetëson diçka, do të ishte mirë të mendoje: ‘Nëse s’po bëj asgjë të keqe, pse ta fsheh?’ Nga ana tjetër, nëse të duhet ta fshehësh patjetër, atëherë ka diçka që nuk shkon.»

Privaciteti dhe ti

Më poshtë ke mundësi të vrasësh mendjen e të gjesh disa zgjidhje për një fushë të privacitetit që e ke problem. Shkruaj në vendet bosh përgjigjet e pyetjeve në hapat e mëposhtëm:

Hapi 1: Përcakto problemin. Në çfarë fushe dëshiron më shumë privacitet?

․․․․․

Hapi 2: Merr parasysh pikëpamjen e prindërve. Sipas teje, ku e kanë vërtet hallin ata?

․․․․․

Hapi 3: Mundohu të gjesh zgjidhje. Në ç’mënyrë po e rëndon vetë problemin pa dashje? Çfarë ndryshimesh mund të bësh lidhur me përgjigjen që dhe? Çfarë do të doje të bënin prindërit në lidhje me shqetësimin tënd?

․․․․․

Hapi 4: Shprehu. Përshkruaj si mund të nisësh një bisedë me prindërit për privacitetin?

․․․․․

NË KAPITULLIN TJETËR:

A të ka vdekur një nga prindërit? Nëse po, ku mund të gjesh ngushëllim?

[Shënimi]

^ par. 14 Për më shumë informacion, shih kapitullin 6 të këtij libri.

SHKRIMI KYÇ

«Bëj çmos të paraqitesh para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë.»​—2 Timoteut 2:15.

KËSHILLË

Kur flet me prindërit për privacitetin, mos shpreh ankesat, por shqetësimet e tua. Cili është ndryshimi midis tyre? Ankesat përqendrohen te gabimet që sipas teje po bëjnë prindërit. Kurse kur shpreh shqetësimet, të gjithë mund të përqendroheni për të gjetur zgjidhje.

A E DIJE . . . ?

Sa më i hapur të jesh me prindërit, aq më pak do të dyshojnë te ti.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Për të fituar (ose rifituar) besimin e prindërve, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse prindërit kanë të drejtë të pyesin për atë që ndodh në jetën tënde?

● Nëse përpiqesh tani të përmirësosh komunikimin me prindërit, si do të të ndihmojë kjo të komunikosh më mirë me të tjerët kur të rritesh?

[Figura në faqen 108]

«Prindërit nuk duan të të ndodhë gjë dhe, nganjëherë, duket sikur ndërhyjnë në punët e tua. Nuk duket e drejtë. Por, sinqerisht, po të isha prind, do të veproja njësoj.»​—Alejna

[Figura në faqen 109]

Besimi është si rroga: duhet fituar