Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është normale të hidhërohem kaq shumë?

A është normale të hidhërohem kaq shumë?

KAPITULLI 16

A është normale të hidhërohem kaq shumë?

Megjithëse ky kapitull flet në mënyrë të veçantë për vdekjen e një prindi, parimet e përmendura këtu vlejnë edhe për rastet kur ka vdekur një pjesëtar tjetër i familjes ose një shok a shoqe e ngushtë.

«Kur mami vdiq, ndihesha bosh fare, s’isha as në qiell e as në tokë. Ishte ajo që e mbante të lidhur familjen tonë.»​—Kaltrina.

PAK gjëra në jetë të lëndojnë kaq shumë sa vdekja e prindit. Më pas, duhet të luftosh me lloj-lloj ndjenjash që nuk i ke provuar kurrë më parë. Brajani, që ishte 13 vjeç kur i ati i vdiq nga infarkti, thotë: «Atë natë që e morëm vesh, vetëm qanim dhe përqafonim njëri-tjetrin.» Natalia që ishte dhjetë vjeçe kur i vdiq i ati nga kanceri, kujton: «S’dija çfarë të ndieja, kështu që nuk ndieja asgjë. Isha e mpirë.»

Çdo njeri e përjeton vdekjen ndryshe. Edhe Bibla thotë se «gjithsecili» ka «plagën dhe dhembjen e vet». (2 Kronikave 6:29) Duke pasur parasysh këtë, mendo pak si ka ndikuar te ti vdekja e prindit. Më poshtë përshkruaj: (1) si u ndjeve kur more vesh se prindi kishte vdekur dhe (2) si ndihesh tani? *

1 ․․․․․

2 ․․․․․

Mbase përgjigjet e tua tregojnë se dhembja po lehtësohet, të paktën deri diku. Kjo është normale dhe nuk do të thotë se e ke harruar prindin. Por mund të ndodhë edhe që dhembja jote të jetë po ajo, madje më e fortë. Ndoshta hidhërimi që ndien, është si dallgët që duket sikur tërhiqen, por pastaj fryhen dhe «përplasen në breg» atëherë kur s’e pret. Edhe kjo është normale, madje edhe po të kenë kaluar vite nga vdekja e prindit. Çështja është: si ta përballosh hidhërimin, në çfarëdo forme qoftë?

Mos i mbaj lotët! E qara të lehtëson hidhërimin. Gjithsesi mund të ndihesh si Alesia që ishte 19 vjeçe kur e ëma vdiq. Ajo tregon: «Mendoja se, po t’i shfaqja tepër ndjenjat, të tjerëve do t’u dukej sikur nuk kisha besim.» Por mendo: Jezu Krishti ishte njeri i përsosur që kishte besim të fortë te Perëndia e megjithatë «nuk i mbajti dot lotët» kur vdiq miku i tij i dashur, Lazari. (Gjoni 11:35) Prandaj, mos ki frikë të derdhësh lot. Kjo nuk do të thotë se nuk ke besim. Alesia shprehet: «Më në fund qava. Shumë. Çdo ditë.» *

Ki pikëpamjen e duhur për ndjenjat e fajit. «Gjithnjë ngjitesha te dhoma e mamit për ta puthur para se të flija,—thotë Kaltrina që ishte 13 vjeçe kur i vdiq e ëma.—Por një herë nuk shkova. Të nesërmen në mëngjes, mami vdiq. Mund të duket e çuditshme, por ndihem fajtore për faktin që nuk shkova për ta parë atë natë dhe për ato që ndodhën të nesërmen në mëngjes. Babi u nis për një udhëtim pune e na porositi mua dhe motrën të kontrollonim si ishte mami. Por ne u zgjuam vonë. Kur shkova në dhomën e gjumit, mami nuk merrte frymë. U ndjeva tmerrësisht keq, se ajo ishte mirë kur iku babi.»

Ashtu si Kaltrina, mbase edhe ti ndihesh disi fajtor për gjërat që le pas dore. Madje mund ta torturosh veten me «ah, sikur». «Ah, sikur ta kisha nxitur babin të shkonte te mjeku!» «Ah, sikur të kisha shkuar më herët për ta kontrolluar mamin!» Nëse të mundojnë këto mendime, ki parasysh: është normale të të ngelen peng gjërat që do të doje t’i kishe bërë ndryshe. E vërteta është se patjetër do t’i kishe bërë ndryshe, po ta dije se ç’do të ndodhte. Por ja që ti nuk e dije. Prandaj, s’ke pse ndihesh në faj. Nuk e ke fajin ti për vdekjen e prindit! *

Hapu me dikë. Te Proverbat 12:25 thuhet: «Fjalët e mira të çelin fytyrën.» (Today’s English Version) Po t’i mbash ndjenjat përbrenda, mund ta kesh më të vështirë ta përballosh hidhërimin. Nga ana tjetër, po t’ia shprehësh ndjenjat e tua dikujt që i beson, do t’u hapësh udhën ‘fjalëve të mira’ të inkurajimit, tamam kur ke më shumë nevojë për to.

Fol me Perëndinë. Ka mjaft të ngjarë të ndihesh shumë më mirë pasi ‘t’ia kesh zbrazur zemrën’ në lutje Perëndisë Jehova. (Psalmi 62:8) Kjo nuk është thjesht terapi për t’u ndier mirë. Në lutje po i drejtohesh ‘Perëndisë së çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona’. (2 Korintasve 1:3, 4) Një mënyrë në të cilën na ngushëllon Perëndia, është nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës. (Romakëve 15:4) Përse të mos mbash me vete një listë me shkrimet që të ngushëllojnë më shumë? *

Hidhërimi nuk ikën sa hap e mbyll sytë. Por Bibla na ngushëllon duke na siguruar se në botën e re që Perëndia premton të na sjellë, «nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.» (Zbulesa 21:3, 4) Edhe ti mund të provosh vetë se meditimi për këto premtime do të të ndihmojë të përballosh humbjen e prindit.

[Shënimet]

^ par. 6 Nëse tani e ke tepër të vështirë t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve, mund ta bësh më vonë.

^ par. 10 Mos mendo se duhet medoemos të qash që të tregosh se je i hidhëruar. Njerëzit e përjetojnë hidhërimin në mënyra të ndryshme. E rëndësishme është që, kur ndien se po të mbushen sytë me lot, mendo se mund të jetë «një kohë për të qarë».​—Eklisiastiu 3:4.

^ par. 12 Në qoftë se mendime të tilla vazhdojnë të të mundojnë, hapu me prindin tjetër ose me ndonjë të rritur. Me kohë do t’i shohësh gjërat më me ekuilibër.

^ par. 14 Disa janë ngushëlluar nga këto shkrime: Psalmi 34:18; 102:17; 147:3; Isaia 25:8; Gjoni 5:28, 29.

SHKRIMI KYÇ

«[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»​—Zbulesa 21:4.

KËSHILLË

Hidhi në letër rregullisht mendimet për prindin që humbe. Kjo të ndihmon jashtëzakonisht të përballosh pikëllimin.

A E DIJE . . . ?

Të qash nuk do të thotë se je i dobët. Edhe burra të fortë si Abrahami, Jozefi, Davidi dhe Jezui derdhën lot kur ishin të hidhëruar.​—Zanafilla 23:2; 50:1; 2 Samuelit 1:11, 12; 18:33; Gjoni 11:35.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse ndihem tepër e pikëlluar, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’i bëj prindit që është gjallë: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse është mirë të sjellësh ndër mend disa kujtime të bukura që ke me prindin kur ishte gjallë?

● Në ç’mënyrë hedhja e mendimeve në letër mund të të ndihmojë të përballosh hidhërimin?

[Diçitura në faqen 112]

«Mbaja gjithçka përbrenda. Do të kishte qenë më mirë për ndjenjat dhe shëndetin tim, po të kisha folur më shumë. Mund ta kisha përballuar më mirë.»​—Davidi

[Kutia dhe figura në faqen 113]

SHANTELA

«Babi ishte sëmurë prej pesë vjetësh dhe sa vinte e bëhej më keq. Unë isha 16 vjeçe kur ai vrau veten. Pas kësaj ngjarjeje, mami na vinte në dijeni mua dhe vëllanë më të madh për çdo gjë. Madje ajo na lejoi ta ndihmonim për disa vendime në lidhje me funeralin. Kjo na e bënte më të lehtë. Mendoj se fëmijëve nuk u pëlqen t’u mbajnë të fshehta, sidomos për gjëra kaq të rëndësishme. Me kalimin e kohës, arrita të flisja pa problem për vdekjen e babit. Sa herë më vinte për të qarë, shkoja diku ose te ndonjë shoqe dhe qaja. Këshilla ime është: nëse ke nevojë të flasësh, fol me familjen ose me miqtë. Çdo gjë që mund të bësh për të mos e mbajtur brenda pikëllimin, bëje.»

[Kutia dhe figura në faqet 113, 114]

LEA

«Mami pësoi një hemorragji cerebrale të fortë kur isha 19 vjeçe dhe pas tre vjetësh vdiq. Pas vdekjes së saj, e kuptoja që duhej të bëhesha e fortë. Për babin do të ishte shumë keq të më shihte ashtu përtokë. Ndërsa rritesha, mamin e kisha gjithmonë në krah kur isha sëmurë ose kur nuk ndihesha mirë. Më kujtohet ende dora e saj kur më kontrollonte për temperaturë. Shpesh, më mungon kaq shumë sa më dhemb në shpirt. Përpiqem t’i shtyp ndjenjat, por kjo nuk më bën mirë. Prandaj ndonjëherë shoh fotografitë e saj vetëm e vetëm që të qaj. Edhe bisedat me miqtë më ndihmojnë shumë. Bibla premton se ata që kanë vdekur, do të ringjallen në një tokë parajsore. (Gjoni 5:28, 29) Kur mendoj për shpresën se do ta shoh mamin përsëri dhe se çfarë duhet të bëj që të jem edhe unë atje, humbja e saj nuk më ther më aq shumë në zemër.»

[Kutia dhe figura në faqen 114]

BETINA

«Do të doja ta kujtoja veten duke i thënë babit ‘Të dua shumë’. Jam e sigurt që ia kam thënë, por nuk e mbaj mend dhe do të doja ta kisha një kujtim të tillë. Isha vetëm pesë vjeçe kur vdiq. Babi pësoi hemorragji cerebrale natën dhe e çuan urgjentisht në spital. Kur u zgjova në mëngjes, mora vesh që kishte vdekur. Pas vdekjes, e kisha të vështirë të flisja për babin, por më vonë më pëlqente të dëgjoja për të, sepse kjo më ka ndihmuar ta njoh më mirë. Këshilla ime për këdo që i ka vdekur një prind është: shijo çdo kujtim që ke nga ai dhe shkruaji që të mos i harrosh. Pastaj bëj ç’të mundesh për të ndërtuar besimin që të jesh në botën e re të Perëndisë kur prindi të ringjallet.»

[Kutia në faqen 116]

Fletë pune

Hidhi në letër mendimet

Rendit disa kujtime të bukura që ke nga prindi. ․․․․․

Shkruaj çfarë do të doje t’i kishe thënë prindit kur ishte gjallë. ․․․․․

Imagjino sikur ke një motër ose vëlla më të vogël që po lufton me ndjenjat e fajit për vdekjen e prindit. Shkruaj çfarë do t’i thoshe për ta lehtësuar. (Kjo mund të të ndihmojë të kesh pikëpamjen e duhur për ndjenjat e tua të fajit.) ․․․․․

Rendit dy ose tri gjëra që do të doje t’i dije për babin ose mamin që ka vdekur dhe pastaj pyet për njërën prej tyre prindin që është gjallë. ․․․․․

Lexo Veprat 24:15. Si të ndihmon shpresa që jep ky shkrim që të përballosh vdekjen e prindit? ․․․․․

[Figura në faqen 115]

Hidhërimi mund të jetë si dallgët që përplasen në breg atëherë kur s’e pret