Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse të kujdesem për shëndetin?

Pse të kujdesem për shëndetin?

KAPITULLI 10

Pse të kujdesem për shëndetin?

Vër një shenjë ✔ përbri çdo synimi që kërkon të arrish.

□ Të pakësoj ankthin

□ Të mbaj nën kontroll zemërimin

□ Të kem më shumë besim te vetja

□ Të jem më i vëmendshëm

□ Të kem më shumë energji

□ Të kem lëkurë më të shëndetshme

□ Të bie në peshë

KUR je i ri, disa gjëra në jetë nuk mund t’i zgjedhësh, për shembull, prindërit, motrat, vëllezërit dhe vendin ku jeton. Por me shëndetin ndryshon puna. Edhe pse faktorët gjenetikë kanë pjesën e tyre, gjendja jote fizike shpesh varet nga mënyra e jetesës që ti zgjedh. *

Por ti mund të thuash: «Jam shumë i ri për t’u shqetësuar për shëndetin.» Vërtet mendon kështu? Shihe pak listën e synimeve në faqen 71. Sa prej tyre shënove? Mos e beso po deshe, por shëndeti i mirë është çelësi për të arritur secilin prej këtyre synimeve.

Ndoshta je si Ambra 17-vjeçare që thotë: «Ishte e pamundur të haja vetëm drithëra të shëndetshme dhe ushqime pa yndyrë e pa sheqer.» Nëse ndihesh edhe ti kështu, mos u shqetëso. Nuk ke pse t’i lësh fare ëmbëlsirat dhe të vraposh për kilometra të tërë çdo javë. Në të vërtetë mund të të duhen vetëm disa rregullime të vogla që të fillosh të dukesh më mirë, të ndihesh për mrekulli e të japësh maksimumin. Le të shohim se si ia kanë dalë mbanë disa nga moshatarët e tu.

Ha si duhet dhe do të dukesh më mirë

Bibla këshillon të hamë me masë. «Mos . . . u dend me ushqim»,—thuhet te Proverbat 23:20. (Contemporary English Version) Nuk është gjithmonë e lehtë t’ia vësh veshin kësaj këshille.

«Ashtu si shumë adoleshentë, jam gjithmonë i uritur. Prindërit thonë se mua nuk më mjaftojnë as shtatë furra bukë.»​—Andrea, 15 vjeç.

«Ngaqë nuk e kuptoj tamam sa më dëmtojnë tani disa ushqime, nuk më duket aq problem po t’i ha.»​—Daniela, 19 vjeçe.

A ke nevojë të ushtrosh më shumë vetëkontroll kur bëhet fjalë për ushqimet? Më poshtë moshatarët e tu tregojnë se çfarë i ndihmon.

Vërja veshin stomakut. «Më përpara numëroja kaloritë,—thotë Xhulia 19-vjeçare,—por tani çohem nga tavolina kur ndihem e ngopur.»

Mos ha ushqime jo të shëndetshme. «Vetëm duke lënë pijet me gaz,—thotë Piteri 21 vjeç,—humba 5 kilogramë brenda një muaji.»

Hiq zakonet e këqija në të ngrënë. «Përpiqem të mos e mbush pjatën për së dyti»,—thotë Erina 19-vjeçare.

Sekreti i suksesit: Mos lër asnjë vakt pa ngrënë. Nëse lë ndonjë, do të të grijë uria dhe mund ta teprosh vaktin pasues.

Bëj më shumë fizkulturë dhe ke për t’u ndier për mrekulli

Bibla thotë: «Stërvitja e trupit është e dobishme.» (1 Timoteut 4:8) Megjithatë, duket se mjaft të rinj nuk e kanë shumë qejf fizkulturën.

«S’e ke idenë sa shumë nxënës ngelnin në fizkulturë kur isha në shkollë të mesme, megjithëse fizkultura ishte lënda më e lehtë, ishte bukë e djathë.»​—Riçardi, 21 vjeç.

«Disa mendojnë: ‘E pse të vrapoj jashtë në pikë të vapës derisa të djersit e të lodhem kur mund të bëj një lojë me video ku të më duket sikur jam unë ajo që po vrapon?’»​—Rutha, 22-vjeçe.

A të lodh vetëm ideja e fizkulturës? Nëse po, do të marrësh tri «trofe» në rast se mban një program të mirë fizkulture.

Trofeu nr. 1. Fizkultura të forcon imunitetin. «Babai im thoshte gjithmonë: ‘Nëse s’gjen kohë për fizkulturë, atëherë gjej kohë për t’u sëmurur’»,—shprehet Rakela 19-vjeçe.

Trofeu nr. 2. Fizkultura ndihmon që truri të çlirojë substanca kimike që të qetësojnë. «Vrapi më lehtëson goxha kur kam shumë gjëra në kokë,—thotë Emilia, 16 vjeçe.—Fizikisht ndihem e përtërirë dhe emocionalisht mjaft e lehtësuar.»

Trofeu nr. 3. Fizkultura mund të jetë argëtim. «Më pëlqejnë shumë veprimtaritë në natyrë,—thotë Rutha, 22 vjeçe,—prandaj bëj ecje në këmbë, not, snoubord dhe xhiro me biçikletë.»

Sekreti i suksesit: Bëj të paktën tri herë në javë nga 20 minuta ato ushtrime energjike që të pëlqejnë.

Fli më shumë dhe do të japësh maksimumin

Bibla thotë: «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.» (Eklisiastiu 4:6) Pa fjetur mjaftueshëm, nuk do të arrish të bësh asgjë siç duhet.

«Nëse nuk fle sa duhet, nuk më punon truri. Nuk arrij të përqendrohem në asgjë!»​—Rakela, 19 vjeçe.

«Aty nga ora 2 e pasdites jam kaq e lodhur sa gati më zë gjumi në mes të bisedës.»​—Kristina, 19 vjeçe.

A ke nevojë të flesh më shumë? Ja çfarë kanë bërë disa nga moshatarët e tu.

Mos rri zgjuar deri vonë. «Përpiqem të shkoj në shtrat në një orar të arsyeshëm»,—thotë Katerina 18-vjeçare.

Mos komuniko me shokët në orët e vona. Riçardi 21 vjeç thotë: «Ndonjëherë shokët më merrnin në telefon ose më dërgonin mesazhe shumë vonë, por kohët e fundit kam mësuar ta ndërpres bisedën dhe të shkoj në shtrat.»

Syno rregullsinë. «Kohët e fundit,—thotë Xheniferi 20-vjeçare,—po përpiqem të fle dhe të zgjohem në të njëjtat orare çdo ditë.»

Sekreti i suksesit: Bëj çmos të flesh të paktën tetë orë çdo natë.

Vetëm dobi do të kesh po të bësh sikur edhe disa hapa të vegjël për t’u kujdesur për veten. Mos harro, nëse ke shëndet të mirë, do të dukesh më mirë, do të ndihesh për mrekulli dhe do të japësh maksimumin. Dhe ndryshe nga disa gjëra në jetë, gjendjen tënde fizike deri në njëfarë mase e ke në dorë. «Në fund të fundit,—thotë Erina 19-vjeçare,—shëndeti yt varet vetëm nga një njeri, nga ti

NË KAPITULLIN TJETËR:

Nuk arrin të gjesh gjuhën e përbashkët me prindërit kur bëhet fjalë për veshjen? Zbulo se si mund të bini dakord.

[Shënimi]

^ par. 11 Është e vërtetë se mjaft njerëz vuajnë nga sëmundje ose kufizime fizike që nuk i kanë në dorë. Ky kapitull mund t’i ndihmojë të kenë një shëndet më të mirë me gjithë kufizimet.

SHKRIMI KYÇ

«Stërvitja e trupit është e dobishme.»​—1 Timoteut 4:8.

KËSHILLË

Gjej një shok ose shoqe për të bërë fizkulturë. Ai ose ajo do të jetë një shtysë e mirë për ty pasi nuk do të duash ta zhgënjesh.

A E DIJE . . . ?

Fizkultura nxit çlirimin e endorfinës, një substancë kimike në tru që lehtëson dhembjen dhe të bën të ndihesh më mirë.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Një synim i arsyeshëm që mund të vë në lidhje me dietën time, është ․․․․․

Një synim i arsyeshëm që mund të vë në lidhje me fizkulturën, është ․․․․․

Do të bëj çmos që muajin tjetër të fle mesatarisht orë çdo natë. ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Si ndikon kujdesi për shëndetin te besimi që ke te vetja?

● Çfarë është më e rëndësishme se kujdesi për shëndetin fizik?​—1 Timoteut 4:8.

[Diçitura në faqen 74]

«Më pëlqen si ndihem kur bëj ushtrime. Dhe, kur falë tyre filloj të dukem më mirë, kam më shumë besim te vetja.»​—Emilia

[Kutia në faqen 73]

«Ndryshova mënyrën e jetesës»

«Në vitet e para të adoleshencës, isha mbipeshë, dhe këtë s’e kisha dashur kurrë. E vuaja shumë që dukesha dhe ndihesha ashtu fizikisht. Herë pas here përpiqesha të dobësohesha me ndonjë dietë të veçantë, por prapë i vija kilet që humbja. Kështu, kur isha 15 vjeçe, thashë: «Mjaft!» Doja të bija në peshë me mënyrën e duhur, një mënyrë që mund ta ndiqja gjithë jetën. Bleva një libër që tregonte se si të zgjidhja ushqime të shëndetshme e si të bëja ushtrimet e duhura, dhe atë që lexoja aty e zbatoja. Isha e vendosur të mos dorëzohesha, edhe nëse shkurajohesha ose e lija dietën e fizkulturën për pak. A pati rezultat? Brenda vitit humba 25 kilogramë. Kam dy vjet që e mbaj peshën që dëshiroja. S’ma merrte mendja kurrë se do t’ia dilja! Mendoj se ia arrita sepse nuk mbajta thjesht dietë, por ndryshova mënyrën e jetesës.»​—Katerina, 18 vjeçe.

[Figura në faqen 74]

Shëndeti është si makina. Nëse nuk e mirëmban si duhet, do të të lërë në mes të rrugës